34. Shitblerja
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar.” (Bekare, 275) dhe ka thënë: “... Por, nëse është fjala për tregti të atypëratyshme mes jush...” (Bekare, 282)
1. Nënkapitulli: Ajetet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni. Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: "Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia." Allahu është Dhuruesi më bujar.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm...” (Nisa, 29)
2047. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Po thoni se Ebu Hurejra e ka tepruar së transmetuari nga i Dërguari i Allahut ﷺ, dhe po thoni: “Ç'është puna e muhaxhirëve dhe ensarëve: që nuk po transmetojnë nga i Dërguari i Allahut ﷺ sikurse Ebu Hurejra?” Vëllezërit e mi muhaxhirë kanë qenë të zënë me tregti, ndërsa unë e shoqëroja të Dërguarin e Allahut ﷺ barkthatë. Isha i pranishëm kur ata mungonin, i mësoja gjërat përmendsh kur ata i harronin. Vëllezërit ensarë kanë qenë të zënë me punët e fushës, ndërkohë unë kam qenë një prej varfanjakëve të sufes, mësoja gjëra të cilat ata i harronin.”
Njëherë i Dërguari i Allahut ﷺ pati thënë: “Nëse dikush e shtrin rrobën e vet derisa unë ta përfundoj fjalën, pastaj e mbledh atë sërish, nuk do të harrojë asnjë fjalë timen.” Unë e shtriva këmishën time derisa i Dërguari i Allahut ﷺ e kreu fjalën e tij, pastaj e mlodha sërish në gjoksin tim dhe, prej asaj fjale deri tani, nuk kam harruar kurrë asnjë hadith të të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
2048. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij se Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhëm në Medine, i Dërguari i Allahut ﷺ më vëllazëroi me Sad ibn Rabiun.” Sad ibn Rabiu tha:
- Unë jam më i pasuri i ensarëve, andaj po ta jap gjysmën e pasurisë, si dhe shiko cila prej grave të mia të pëlqen, unë do ta lëshoj e, pasi të lirohet (nga koha e pritjes), martohu me të.
Abdurrahmani i tha: “Nuk kam nevojë për këto, a ka ndonjë treg ku zhvillohet tregtia?”
- Tregu Kajnuka, - iu përgjigj Sadi.
Abdurrahmani shkoi atje e u kthye me ca djathë e gjalpë dhe vazhdoi së frekuentuari tregun, me t'u kthyer, Abdurrahmanit i vëreheshin gjurmë të verdha të parfumit, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti:
- “Vallë, je martuar?”
- Po, - tha Abdurrahmani.
- “Me kë?”
- Me një ensare.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës - ose ka thënë: sa sasia e një bërthame të hurmës -.
- “Bëj një gosti, qoftë dhe me një dele.”
2049. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi në Medinë, Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun.” Sadi ishte pasanik, andaj i tha Abdurrahmanit:
- Po ta ndaj gjysmën e pasurisë sime dhe po të martoj (me njërën prej grave të mia).
- Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejtoni te tregu! - i tha Abdurrahmani.
Kur u kthye prej tregut, Abdurrahmani veçse kishte fituar ca djathë dhe gjalpë, të cilën ia solli familjes së vet. Pas një kohe të shkurtë - ose ka thënë: aq sa deshi Allahu -, kur erdhi, Abdurrahmanit i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi. Pejgamberi ﷺ e pyeti:
- “Ç'është kjo?”
- Jam martuar me një ensare, o i Dërguari i Allahut!
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës - ose ka thënë: sa sasia e një bërthame të hurmës -.
- “Bëj një gosti, qoftë dhe me një dele.”
2050. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ukadhi, Mexhenia dhe Dhul Mexhazi kanë qenë tregje të periudhës paraislame. Kur erdhi Islami, njerëzit disi e konsideronin mëkat shkuarjen në to.” Atëherë zbriti shpallja: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begatitë e Zotit tuaj (të bëni tregti)...” (Bekare, 198) Kurse Ibn Abasi, kur e lexonte këtë ajet shtonte: përgjatë sezonit të haxhit.”
2. Nënkapitulli: Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse mes tyre ka gjëra të dyshimta
2051. Nga: Numan ibn Beshiri
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Shabiu, e ky e ka dëgjuar Numan ibn Beshirin, se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ. [t]: Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Ebu Ferva, e ky nga Shabiu, e ky e ka dëgjuar Numanin, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Ebu Ferva, e ky e ka dëgjuar Shabiun, e ky e ka dëgjuar Numan ibn Beshirin, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ebu Ferva, e ky nga Shabiu se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse mes tyre ka gjëra të dyshimta. Ai që e braktis mëkatin e dyshimtë është më parësor ta braktisë atë që është i qartë, si dhe ai që ka guxim ta veprojë mëkatin e dyshimtë, pothuajse bie në atë që është i qartë. Mëkatet janë zona e ndaluar e Allahut. Ai që sillet rreth zonës së ndaluar, gati sa s'bie në to.”
3. Nënkapitulli: Shpjegimi i gjërave të dyshimta
Hasan ibn Ebu Sinani ka thënë: "Nuk kam parë diçka më të lehtë sesa devocioni: braktisi gjërat e dyshimta dhe merru me të padyshimtat."
2052. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Husejni, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua zezake pretendonte se i kishte dhënë gji atij dhe bashkëshortes së tij. Ai ia përmendi këtë gjë Pejgamberit ﷺ, e ai ktheu shpinën dhe buzëqeshi duke thënë: “E si jo, përderisa është thënë kështu?” Ndërkaq, gruaja e tij ishte e bija e Ebu Ihab Temimiut.
2053. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Kezea na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Utbe ibn Ebu Vekasi e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin: “Djali i robëreshës së Zemës është imi, andaj merre.”
Vitin e Çlirimit (të Mekës) Sadi shkoi e mori dhe tha: “Ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.” Por, Abd ibn Zema tha: “Ky është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij (babait tim).”
Kështu, shkuan te Pejgamberi ﷺ, e në atë rast Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.
- Është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij, - tha Abd ibn Zema.
- “Është yti, o Abd ibn Zema, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ, - fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë.”
Pastaj Sevdë bint Zemës, gruas së vet, i tha: “Mbulohu prej tij, oj Sevdë”, - për shkak se shihte te fëmija ngjashmëri me Utben. Së këndejmi, ky fëmijë kurrë nuk e ka parë Sevdën, deri në vdekje.
2054. Nga: Adij ibn Hatimi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për gjahun e goditur me hu të mprehtë, e në atë rast më tha:
- “Nëse e godet me majë, haje, e, nëse e godet me trupin e hurit dhe e mbyt gjahun, mos e ha, sepse kjo konsiderohet e mbytur nga goditja (e jo nga therja).”
- O i Dërguari i Allahut, po nëse e lëshoj qenin dhe them “bismilah”, por bashkë me qenin tim te gjahu has ndonjë qen tjetër, për të cilin nuk kam thënë “bismilah”, ndërkohë nuk di se cili prej tyre e ka gjuajtur (gjahun)? - e pyeta.
- “Mos e ha, sepse ti ke thënë “bismilah" për qenin tënd, e jo për tjetrin.”
4. Nënkapitulli: Largimi nga dyshimet
2055. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një hurme të rënë në tokë, e në atë rast tha: “Sikur të mos ishte hurmë e sadakasë, do ta haja.”
Hemami transmeton nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ka raste kur gjej ndonjë hurmë të rënë afër shtratit tim...”
5. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që vesveset nuk i konsiderojnë dyshime
2056. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abad ibn Temimi se xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dikush iu ankua Pejgamberit ﷺ se çfarë duhet të bëjë personi që dyshon gjatë namazit nëse e ka prishur ose jo abdesin nëse duhet ta ndërpresë namazin. Ai iu përgjigj: “Jo, (të mos largohet) derisa të dëgjojë zë ose të ndiejë erë.”
Ibn Ebu Hafsa transmeton nga Zuhriu se ka thënë: “Nuk ka nevojë të përsëritet abdesi (në rast dyshimi), përveç nëse ndien erë ose dëgjon zë.”
2057. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Mikdam Ixhliu më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Tufavi, se i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa persona e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, nganjëherë po na ofrohet mish për të cilin nuk po dimë nëse është përmendur ose jo emri i Allahut gjatë therjes?” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Ju thoni “bismilah" dhe hajeni.”
6. Nënkapitulli: Ajeti: “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo...”
2058. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Talk ibn Ganami na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Husajni, e ky nga Salimi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim në namaz me Pejgamberin ﷺ, erdhi një karvan me ushqime prej Shamit. Të gjithë të pranishmit u hutuan dhe shkuan pas tij, saqë me Pejgamberin ﷺ mbetën vetëm dymbëdhjetë veta. Atëherë zbriti ajeti: “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo...” (Xhumua, 11)
7. Nënkapitulli: Atij që nuk i intereson se si e fiton pasurinë
2059. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njeriut nuk i intereson a e merr pasurinë prej hallallit apo prej haramit.”
8. Nënkapitulli: Tregtia me tekstil
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun...” (Nur, 37) Katadja ka thënë: "Sahabët bënin tregti mes vete, por, kur u vinte ndonjë obligim i Allahut, tregtia nuk i pengonte për të përmendur Allahun, derisa e kryenin obligimin ndaj Allahut."
2060. Nga: Bera ibn Azibi - Zejd ibn Erkami
2060, 2061 - Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Ebu Minhali tregon: “Merresha me këmbim parash, andaj e pyeta Zejd ibn Erkamin rreth këmbimit. [t]: Fadl ibn Jakubi i ka thënë: “Na ka treguar Haxhaxh ibn Muhamedi se Ibn Xhurejxhit i ka treguar Amru ibn Dinari dhe Amir ibn Musabi, se kanë dëgjuar Ebu Minhalin të thotë: “E pyeta Bera ibn Azibin dhe Zejd ibn Erkamin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rreth këmbimit.” Ata më thanë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ merreshim me tregti, kështu që e patëm pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth këmbimit, e në atë rast na pati thënë: “Nëse bëhet aty për aty, dorë më dorë, nuk prish punë, por, nëse bëhet veresie, nuk lejohet.”
2061. Nga: Bera ibn Azibi - Zejd ibn Erkami
2060, 2061
9. Nënkapitulli: Dalja për tregti
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut...” (Xhumua, 10)
2062. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: “Na ka rrëfyer Mahled ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Ubejd ibn Umejri tregon se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i kërkoi leje Omerit për të hyrë, por ai nuk e lejoi, - dukej se ishte i zënë, - kështu që Ebu Musai u kthye. Pasi Omeri u lirua, tha:
- A mos e dëgjova zërin e Abdullah ibn Kajsit? Jepni leje të hyjë.
- Ka shkuar, - i thanë.
Kështu, Omeri e thirri e Ebu Musain dhe i tha:
- Kështu jemi urdhëruar (të veprojmë).
- Më sill një argument për këtë, - i tha Omeri.
Ebu Musai shkoi te një ndejë të ensarëve dhe i pyeti.
- Rreth kësaj çështjeje për ty le të dëshmojë më i vogli prej nesh, Ebu Seid Hudriu, - thanë ata (duke u habitur se si Omeri nuk e dinte këtë gjë kaq të njohur në mesin e njerëzve).
Ebu Musai shkoi me Ebu Seid Hudriun (tek Omeri dhe, pasi i treguan), Omeri tha: “Vallë, më paska ikur kjo gjë prej praktikës së të Dërguarit të Allahut ﷺ? Më ka hutuar tregtia nëpër tregje.” Aludonte në daljen për të bërë tregti.
10. Nënkapitulli: Tregtia në det
Matari ka thënë: "Nuk prish punë tregtia në det. Allahu nuk e ka përmendur tregtinë në det, në Kuran, përveçse për të mirë: “... Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut...” (Nahl, 14) Muxhahidi ka thënë: "Vetëm anijet e mëdha e çajnë detin me ndihmën e erës."
2063. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Na ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ përmendi një burrë të benu israilëve që kishte dalë në det për të kryer një punë të veten, e në atë rast përmendi hadithin komplet.1
Abdullah ibn Salihu më ka thënë: “Këtë ma ka treguar Lejthiu.”
11. Nënkapitulli: Ajeti: “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo...”
Fjala e të Lartësuarit: “Njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun...” (Nur, 37) Katadja ka thënë: "Sahabët bënin tregti mes vete, por, kur u vinte ndonjë obligim ndaj Allahut, nuk i pengonte tregtia nga përmendja e Allahut, derisa e kryenin obligimin ndaj Allahut."
2064. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e ky nga Husajni, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po e falnim xhumanë me Pejgamberin ﷺ, erdhi një karvan me mallra. Të pranishmit u hutuan dhe shkuan pas karvanit, saqë me Pejgamberin ﷺ mbetën vetëm dymbëdhjetë veta.” Atëherë zbriti ajeti: “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë...” (Xhumua, 11)
12. Nënkapitulli: Ajeti: “... Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni fituar...”
2065. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gruaja që jep (lëmoshë) prej ushqimit të shtëpisë, pa e dëmtuar familjen, do ta ketë shpërblimin për atë që ka dhënë, kurse burrit të saj i takon shpërblimi për atë që ka fituar. Madje, edhe punëtorit të depos (i cili e kryen urdhrin e pronarit) i takon aq shpërblim, pa iu zvogëluar shpërblimi asnjërit prej tyre.”
2066. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gruas që jep (lëmoshë) prej pasurisë së burrit të saj, pa urdhrin e tij, (i takon gjysma e shpërblimit, ndërsa) gjysma tjetër i takon burrit.”
13. Nënkapitulli: Ai që dëshiron t’i lehtësohet rrizku
2067. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Ebu Jakub Kermaniu na ka thënë: Na ka treguar Haseni, e këtij i ka treguar Junusi, e këtij i ka treguar Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ai që dëshiron t'i shumëfishohet rrizku ose t'i shtohet jetëgjatësia, le t'i mbajë lidhjet farefisnore.”
14. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ blinte veresie
2068. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi: Ia patëm përmendur Ibrahimit pengun që lihet në blerjen “selem”, e në atë rast pati thënë: Më ka treguar Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bleu ushqim veresie prej një hebreu dhe i la peng një parzmore të hekurt.
2069. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enesi. [t]: Muhamed ibn Abdullah ibn Haushebi na ka thënë: Na ka treguar Esbat Ebu Jesa Basriu, e këtij i ka treguar Hisham Destevaniu, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i çoi Pejgamberit ﷺ ca bukë elbi dhe dhjamë të shkrirë, sepse atëkohë Pejgamberi ﷺ parzmoren e tij e kishte lënë peng te një hebre kundrejt pak elbi të blerë për familjen e vet. E pata dëgjuar duke thënë: “Mbrëmja e ka gjetur familjen e Muhamedit ﷺ pa asnjë saë gruri ose drithi, edhe pse i ka nëntë gra.”
15. Nënkapitulli: Mënyrat e fitimit të rrizkut dhe puna e krahut
2070. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Ebu Bekri u zgjodh halife, tha: “Ju e dini mirë se profesioni im më ka mjaftuar për t'u përkujdesur për familjen time, por tani më duhet të merrem me çështjet e muslimanëve. Rrjedhimisht, familja e Ebu Bekrit do të ushqehet prej kësaj pasurie (shtetërore), ndërkohë unë do ta menaxhoj (këtë pasuri) në atë mënyrë që t'i kompensoj shpenzimet (e familjes sime).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2070
Fjalë të panjohura?
2071. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Seidi, e këtij i ka treguar Ebu Esvedi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ punonin me duart e tyre. Rrjedhimisht, ndonjëherë kundërmonin erë të pakëndshme, kështu që u kishte thënë: “Sikur të laheshit!”
Këtë e transmeton Hemam ibn Hishami nga babai i tij, e ky nga Aishja.
2072. Nga: Mikdam ibn Madikeribi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Isai, e ky nga Thevriu, e ky nga Halid ibn Meadani se Mikdami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush nuk është ushqyer me diç më të mirë sesa me atë që e ka fituar përmes punës së vet. I dërguari i Allahut, Davudi ﷺ, ushqehej me atë që e fitonte përmes punës së vet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2072
Fjalë të panjohura?
2073. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Davudi ﷺ nuk ushqehej vetëm se me atë që e fitonte përmes punës së vet.”
2074. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Abdurrahman ibn Aufit se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Që të dalë dikush e të bartë një deng me dru mbi shpinë (për t'i shitur), është më mirë sesa të lypë, pavarësisht a i japin a jo.”
2075. Nga: Zubejr ibn Avami
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Zubejr ibn Avami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të marrë dikush ca litarë...”1
16. Nënkapitulli: Mirësjellja dhe toleranca në shitblerje dhe kërkimi me ndershmëri i së drejtës që të takon
2076. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë që tregon tolerancë e mirësjellje kur shet e blen, si dhe kur merr ose jep borxh!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2076
Fjalë të panjohura?
17. Nënkapitulli: Shtyrja e afatit të borxhit të kamurit
2077. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Mensuri, e këtij i ka treguar Ribi ibn Hirashi se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Melekët i morën shpirtin një burri të njërit nga popujt e shkuar dhe e pyetën: “A ke bërë ndonjë vepër të mirë?” Ai tha: “I urdhëroja shërbëtorët e mi t'ia shtynin afatin e borxhit të kamurit ose t'ia falnin (fukarait).” Kështu, atij iu falën (mëkatet).”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Na ka treguar Ebu Maliku, e ky nga Ribëiu se (ai burri ka thënë): “Ia lehtësoja borxhin të kamurit dhe ia shtyja afatin e borxhit skamnorit.”
Transmetimin e Buhariut e fuqizon Shuëbe nga Ebu Maliku, e ky nga Ribiu.
Ebu Avane ka transmetuar nga Abdulmeliku, e ky nga Ribiu: “Ia shtyja afatin e borxhit të kamurit dhe ia falja borxhin skamnorit.”
Nuajm ibn Ebu Hindi transmeton nga Ribiu: “I jepja kohë borxhliut të kamur, kurse skamnorit ia falja borxhin.”
18. Nënkapitulli: Shtyrja e afatit të borxhit skamnorit
2078. Nga: Ebu Hurejra
Hisham ibn Amari na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hamzai, e këtij i ka treguar Zubejdi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një tregtar u jepte borxh njerëzve dhe, kur qëllonte te ndonjë skamnor, shërbëtorëve të vet u thoshte: “Faljani borxhin, me shpresë se Allahu do të na falë ne.” Kështu, Allahu e fali atë.”
19. Nënkapitulli: Kur dy palët në tregti i sqarojnë gjërat dhe nuk fshehin asgjë, por janë transparentë ndaj njëri-tjetrit
Ada ibn Halidi tregon: Pejgamberi ﷺ më shkroi një letër, ku thoshte: “Kjo është tregti mes Muhamedit, të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Ada ibn Halidit, shitblerje mes dy muslimanësh, pa i fshehur të metat, pa maskarallëqe dhe pa dallavere." Ibrahim Nehaiun e kanë pyetur se disa tregtarë i emërojnë vathat e tyre me emra krahinash: "Horasan, Sixhistan etj. dhe thonë: "Dje sa ka ardhur prej Horasanit, sot sa ka ardhur prej Sixhistanit. Ibrahim Nehaiu e urreu së tepërmi këtë veprim." Ukbe ibn Amiri thotë: "Askujt nuk i lejohet të shesë një produkt me mangësi pa i treguar blerësit (për mangësitë)."
2079. Nga: Hakim ibn Hizami
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Salih Ebu Halili, e ky nga Abdullah ibn Harithi se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të dy shitblerësit janë të lirë ta ndryshojnë kontratën shitblerëse përderisa nuk janë ndarë, - ose ka thënë: derisa të ndahen -. Nëse tregohen të sinqertë dhe i sqarojnë gjërat mes vete, u begatohet tregtia. Por, nëse i fshehin gjërat dhe gënjejnë, zhduket begatia në tregtinë e tyre.”
20. Nënkapitulli: Shitja e hurmave të përziera
2080. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fitonim hurma me bollëk (nga preja e luftës), prej tyre të shëndosha e të dobëta, pastaj i shisnim dy saë (hurma) për një. Por, Pejgamberi ﷺ na tha: “Mos i shitni dy saë për një e as dy dërhemë për një.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2080
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Transmetimet rreth shitësit të mishit dhe kasapit
2081. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ensar, me nofkën Ebu Shuajb, i tha shërbëtorit të vet kasap: “Na përgatit ushqim që mjafton për pesë persona, sepse dua ta ftoj Pejgamberin ﷺ vetë të pestin, se uria i vërehej në fytyrë.” Pasi i ftoi, bashkë me ta vajti një person më shumë. Pejgamberi ﷺ tha: “Ky na ndoqi. Andaj, nëse dëshiron, mund ta lejosh, e, nëse jo, ai kthehet.” Ebu Shuajbi tha: “Jo, po e lejoj.”
22. Nënkapitulli: Çfarë është ajo që zhduk gënjeshtra dhe kamuflimi në tregti
2082. Nga: Hakim ibn Hizami
Bedel ibn Muhaberi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky e ka dëgjuar Ebu Halilin, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Harithi se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të dy shitblerësit janë të lirë ta ndryshojnë kontratën shitblerëse përderisa nuk janë ndarë, - ose ka thënë: derisa të ndahen -. Nëse tregohen të sinqertë dhe i sqarojnë gjërat mes vete, u begatohet tregtia. Por, nëse i fshehin gjërat dhe gënjejnë, zhduket begatia në tregtinë e tyre.”
23. Nënkapitulli: Ajeti: “O besimtarë! Mos e hani kamatën, të cilën po e shumëfishoni (nga borxhi), kini frikë Allahun, për të shpëtuar...!”
2083. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njeriut nuk i intereson a e merr pasurinë prej hallallit apo prej haramit.”
24. Nënkapitulli: Kamatëngrënësi, dëshmitari dhe shkruesi i kamatës
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ata që hanë e marrin kamatë, pasurohen ashtu siç pasurohet ai, të cilin e ka prekur dhe e ka bërë të hutuar shejtani. Kjo ndodh për shkak se ata thoshin se tregtia është njëlloj – si kamata. Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatën e ka ndaluar. E kujtdo që i vjen këshilla nga Zoti i tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës), është i tij. E, vendimi për këtë i takon Allahut. E, kushdo që i kthehet (marrjes së kamatës si shitblerje), ai do të shoqërohet me Zjarrin, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë.” (Bekare, 275)
2084. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ka zbritur fundi i sures Bekare, Pejgamberi ﷺ ua ka lexuar njerëzve në xhami dhe ua ka bërë haram shitblerjen e alkoolit.”
2085. Nga: Semure ibn Xhundubi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mbrëmë pashë në ëndërr se dy njerëz më morën dhe më dërguan në Tokën e Shenjtë. Rrugëtuam derisa arritëm te një lumë gjaku. Në mes të lumit qëndronte një njeri në këmbë, kurse një tjetër në breg mbante ca gurë para vetes. Kur ai që ishte në lumë afrohej për të dalë, ky (nga bregu) e qëllonte me gur në gojë dhe e kthente aty ku ishte. Kështu vepronte me të sa herë që ky tentonte të dilte. Unë thashë: “Kush është ky?” Ata thanë: “Ai në lumë ishte njeriu që ka ngrënë kamatë!”
25. Nënkapitulli: Kamatari
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë. Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit. Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (Bekare, 278-281) Ibn Abasi ka thënë: "Ky është ajeti i fundit që i ka zbritur Pejgamberit ﷺ."
2086. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Avni ibn Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Babanë tim e kam parë duke blerë një rob që bënte hixhame. E pyeta babanë rreth kësaj, e në atë rast më tha: “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar tregtimin e qenit dhe fitimin prej hixhames, ka ndaluar tatuazhet dhe bërjen e tyre, marrjen dhe dhënien e kamatës, si dhe e ka mallkuar piktorin (e gjallesave).”
26. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën. Allahu nuk e do asnjë jobesimtar mëkatar.”
2087. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Betimi (në tregti) mundëson shitjen e produktit, por e zhduk bereqetin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2087
Fjalë të panjohura?
27. Nënkapitulli: Betimi i ndaluar në tregti
2088. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Amër ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Avami, e ky nga Ibrahim ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë vendosi një produkt në treg dhe filloi të betohej në Allahun se e ka blerë me një çmim të lartë, ndërkohë që nuk është ashtu, në mënyrë që t'ia hidhte ndonjë muslimani. Pastaj zbriti ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël...” (Ali Imran, 77)
28. Nënkapitulli: Transmetimet rreth zejtarëve
Tavusi transmeton nga Ibn Abasi se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet shkulja e gjembave të saj (Mekës)...” Abasi tha: "Përveç idhhirit, se ai përdoret në farkëtari dhe ndërtimin e shtëpive, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Përveç idhhirit.”
2089. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Posedoja një deve që më takonte nga preja e luftës. Më pas Pejgamberi ﷺ sërish më dha edhe një deve prej presë së luftës (së Bedrit).” Kur desha të martohem me Fatimen, vajzën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, mora një argjendar nga fisi benu kajnuka dhe shkuam për të gjetur ndonjë idhhir (për ta përpunuar e) për t'ua shitur argjendarëve, në mënyrë që të hollat e fituara t'i shfrytëzoja për festën e dasmës.”
2090. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar Mekën, andaj (lufta në të) nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës. Në të nuk lejohet as shkulja e gjembave, as dëmtimi i pemëve, nuk trazohet gjahu (gjuetia) e saj, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç për atë që e shpall ndër njerëz.”
Atëherë Abas ibn Abdulmutalibi tha:
- Përveç idhhirit (lloj peme), se ai na duhet për zejtari dhe për ndërtim.
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Ikrime pyeti: “E dini ç'do të thotë: “nuk trazohet gjahu i saj?”, pra, ta trazosh gjahun prej hijes për t'ia zënë vendin.”
Abdulvehabi transmeton nga Halidi se (Abasi) ka thënë: “... na duhet për zejtari dhe varreza.”
29. Nënkapitulli: Transmetimet rreth farkëtarit
2091. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiju, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Para Islamit kam qenë farkëtar. As ibn Vaili më kishte një borxh dhe, kur shkova t'ia kërkoj, më tha:
- Nuk ta kthej, derisa ta mohosh Muhamedin ﷺ.
- Nuk bëj kufër (mosbesim) derisa Allahu të ta marrë shpirtin e të të ringjallë sërish, - ia ktheva.
- Në rregull, pra, më lër derisa të vdes dhe të ringjallem, se do të furnizohem me pasuri dhe me djem, pastaj ta kthej borxhin, - tha As ibn Vaili.
Atëherë zbriti ajeti: “Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në argumentet Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët?! A mos ndoshta ai e di të padukshmen apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi?” (Merjem, 77-78)
30. Nënkapitulli: Rrobaqepësi
2092. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një rrobaqepës e ftoi të Dërguarin e Allahut ﷺ për një gosti të përgatitur enkas për të. Edhe unë shkova me të Dërguarin e Allahut ﷺ në atë gosti. Nikoqiri i ofroi të Dërguarit të Allahut ﷺ pak bukë dhe një çorbë me kungull e mish të terur. E pashë Pejgamberin ﷺ duke ndjekur copat e kungullit nëpër anët e tepsisë. Që nga ajo ditë gjithmonë më ka pëlqyer kungulli.”
31. Nënkapitulli: Qëndistari
2093. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Një grua solli një pelerinë. E dini ç'është pelerina?
- Po, gunë e gjatë, e qëndisur në skaje, - iu përgjigjën të pranishmit.
Pastaj vazhdoi: “Gruaja në fjalë tha: “O i Dërguari i Allahut! E kam qëndisur me dorën time dhe ta kam sjellë që ta veshësh.”
Pejgamberi ﷺ e mori dhe, ngaqë kishte nevojë për të, e veshi. Erdhi te ne, ndërkohë e kishte veshur si izar. Njëri prej të pranishmëve iu drejtua:
- O i Dërguari i Allahut, ma jep mua atë.
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas ndejës, Pejgamberi ﷺ shkoi e palosi dhe ia dërgoi këtij personi pelerinën.
Njerëzit i thanë: “Nuk bëre mirë që ia kërkove. Ti e dije që ai nuk refuzon askënd që i kërkon diç.”
Ai tha: “Betohem në Allahun se nuk ia kërkova, veçse që të jetë qefini im ditën kur të vdes.”
Dhe, ashtu ndodhi, ajo i shërbeu si qefin.
32. Nënkapitulli: Zdrukthëtari
2094. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi se Ebu Hazimi tregon se disa njerëz vajtën dhe e pyetën Sehël ibn Sadin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth minberit (të Pejgamberit ﷺ). Ai tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë te filania, - një grua së cilës Sehli ia përmendi emrin, - dhe i tha: “Urdhëroje shërbëtorin tënd zdrukthëtar të m'i punojë ca shkallë (të minberit), që të hipi e të ulem mbi to kur u ligjëroj njerëzve.” Kështu, ajo e urdhëroi shërbëtorin që t'ia punonte prej drurëve të Gabës. Pasi ia dërgoi, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të vendoseshin dhe u ul mbi to.”
2095. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmeni, e ky nga babai i tij se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se një grua ensare i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, a të të ndërtoj diçka për t'u ulur (gjatë ligjërimit), se kam një shërbëtor që është zdrukthëtar?
- “Ndërtoje, nëse do”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ajo ia ndërtoi minberin. Të premten Pejgamberi ﷺ hipi në minberin e ri, por trungu i hurmës, të cilin Pejgamberi ﷺ deri atëherë e shfrytëzonte për ligjërim, lëshoi një britmë, saqë pothuajse u nda në dysh. Pejgamberi ﷺ zbriti dhe e shtrëngoi fort (sikur e përqafonte), sakaq ai filloi të dëneste siç dënes fëmija kur dikush e qetëson, derisa pushoi. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Qau se i mungonte dhikri që bëhej mbi të.”
33. Nënkapitulli: Prijësi i blen vetë gjërat që i nevojiten
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Pejgamberi ﷺ bleu një deve prej Omerit. Edhe Ibn Omeri ka blerë vetë. Abdurrahman ibn Ebu Bekri tregon: "Një idhujtar erdhi me ca dele e Pejgamberi ﷺ bleu një dele prej tij. Po ashtu, ai ka blerë një deve prej Xhabirit."
2096. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jusuf ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ bleu veresie ushqim prej një hebreu dhe ia la peng parzmoren e vet.
34. Nënkapitulli: Blerja e kafshëve shtëpiake dhe gomarëve
Nëse dikush blen ndonjë kafshë shtëpiake ose ndonjë deve duke qenë i hipur mbi të, a konsiderohet marrje në pronësi para se të zbresë? Ibn Omeri tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Omerit: “Shitma!”, e kishte fjalën për një deve të vështirë.
2097. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfen: “Shkova me Pejgamberin ﷺ në një betejë. Gjatë kthimit, m'u ngadalësua dhe m'u lodh deveja. Pejgamberi ﷺ erdhi dhe më tha:
- “O Xhabir!”
- Urdhëro, - iu përgjigja.
- “Ç'të ka ndodhur?”
- M'u ngadalësua dhe m'u lodh deveja, kështu që mbeta mbrapa, - i thashë.
Ai zbriti, e goditi me shkopin e vet dhe më tha:
- “Hip!”
Kur hipa, kishte raste kur mezi e ndalja, që të mos e tejkalonte të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ai më pyeti:
- “Je martuar?”
- Po, - i thashë.
- “Me të virgjër apo me të ve?”
- Me të ve.
- “Pse nuk e ke marrë të re, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty?”
- Kam shumë motra të reja, andaj doja të martohesha me një grua që i rregullon, i kreh dhe kujdeset për to.
- “Tani je duke u kthyer, andaj, kur të kthehesh, ji i butë dhe mos u ngut. Dëshiron ta shesësh devenë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - i thashë, andaj ma bleu për një okë argjend (dyzet dërhemë).
I Dërguari i Allahut ﷺ arriti para meje në Medinë, kurse unë arrita në mëngjes. Shkuam te xhamia, e Pejgamberin ﷺ e hasëm në derë të xhamisë dhe më tha:
- “Tani erdhe?”
- Po, - i thashë.
- “Lëre devenë këtu dhe hyr fali dy rekate.”
Hyra për t'u falur dhe, ndërkohë, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Bilalin të më peshojë një okë argjend. Bilali e mati, madje dhe shtoi. Pastaj u largova. Pejgamberi ﷺ tha: “Ma thirrni Xhabirin!” Thashë me vete: “Tani do të ma kthejë devenë.” Nuk kishte diçka më të urryer për mua sesa kjo. Pejgamberi ﷺ më tha: “Merre devenë dhe paratë që t'i dhashë për të.”
35. Nënkapitulli: Tregjet e periudhës paraislame dhe shfrytëzimi i tyre pas Islamit
2098. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ukadhi, Mexhenia dhe Dhu Mexhazi kanë qenë tregje të periudhës paraislame. Kur erdhi Islami, njerëzit e konsideronin mëkat tregtinë në to, andaj Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Nuk është mëkat për ju (të bëni tregti në to)” përgjatë sezonit të haxhit. Kështu e lexonte Ibn Abasi këtë ajet.
36. Nënkapitulli: Blerja e devesë së sëmurë
2099. Nga: Abdullah ibn Omeri
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amri tregon: “Një person, i quajtur Nevas, posedonte deve të sëmura. Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi dhe bleu ca të tilla nga një ortak i tij. Ortaku vajti dhe i tha:
- I shitëm ato deve.
- Kujt ia ke shitur? - pyeti Nevasi.
- Një plaku kështu e kështu.
- Mjerë ti, ai është Ibn Omeri.
- Ortaku im të ka shitur deve të sëmura, pa të njohur kush je, - i tha Nevasi Ibn Omerit.
- Grahi (t'i marrësh prapë), - tha Ibn Omeri.
Kur shkoi t'i grahë, i tha: “Lëri. Pajtohem me gjykimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili ka thënë: “Sëmundja nuk bartet vetvetiu.”
37. Nënkapitulli: Shitja e armëve në kohë fitnesh ose trazirash
Imran ibn Husajni e urrente shitjen e armëve në kohë fitnesh.
2100. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ibn Eflahu, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Ebu Katades, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U nisëm me të Dërguarin e Allahut ﷺ vitin e Betejës së Hunejnit dhe më dha një parzmore. Më vonë, e shita parzmoren dhe bleva një kopsht te benu selime. Kjo ka qenë pasuria e parë që kam fituar në Islam.”
38. Nënkapitulli: Shitësi i parfumeve
2101. Nga: Ebu Musa Eshariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ebu Burde ibn Abdullahu, e ky e ka dëgjuar Ebu Burde ibn Ebu Musain se babai i tij Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shoku i mirë dhe i keq i shëmbëllejnë shitësit të parfumit dhe gjyrykut të farkëtarit: prej shitësit të parfumit ke vetëm dobi, se, ose blen parfum, ose ndien aromë të këndshme; kurse gjyryku i farkëtarit ose ta djeg trupin e rrobën, ose ndien erë të keqe prej tij.”
39. Nënkapitulli: Transmetimet rreth atij që u bën hixhame të tjerëve
2102. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Tajba i bëri hixhame të Dërguarit të Allahut ﷺ, kështu që Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i jepej një saë hurma dhe i porositi pronarët e Ebu Tajbës t'ia lehtësonin atij taksat ditore (pasi që ai ishte rob dhe shërbëtor).”
2103. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bëri hixhame dhe e pagoi atë që ia bëri hixhamen. Nëse do të ishte e ndaluar, nuk do t'i jepte asgjë.”
40. Nënkapitulli: Tregtia me rrobat e ndaluara për meshkuj dhe femra
2104. Nga: Omer ibn Hatabi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Bekër ibn Hafsi, e ky nga Salim ibn Abdullah ibn Omeri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i dërgoi Omerit një palë rroba mëndafshi. Më pas vuri re se i kishte veshur, andaj i tha: “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur, se këto i veshin vetëm ata që s'kanë hise në ahiret, por t'i kam dërguar për të bërë tregti me to.”
2105. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se kishte blerë një jastëk me vizatime. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e pa, u ndal te dera dhe nuk hyri. Ia vërejta pakënaqësinë në fytyrë, andaj i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, pendohem tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij ﷺ, çfarë mëkati kam bërë?
- “Ç'është puna e këtij jastëku?” - pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.
- E kam blerë për ty, që të ulesh dhe të shtrihesh në të.
- “Ditën e Kiametit piktorët e këtyre pikturave (të frymorëve) do të dënohen dhe do t'u thuhet: “Jepuni jetë gjërave që i keni vizatuar.” Dhe tha: “Melekët nuk hyjnë në atë shtëpi ku ka piktura.”