Abdes ( وُضُوء)
Abdesi është kusht i namazit, pa të cilin nuk pranohet namazi, që nënkupton larjen e pëllëmbëve tri herë, shpëlarjen e gojës dhe hundës nga tri herë, larjen e fytyrës tri herë, larjen e parakrahëve deri në bërryla nga tri herë, duke filluar nga e djathta, përshkimi i kokës dhe veshëve me duar të lagura deri në pjesën e prapme dhe, në fund, larja e shputave deri te nyjat nga tri herë.
Abisini (الْحَبَشَة)
Emër vendi që sot përfshin regjionet e Etiopisë dhe Eritresë, në pjesën verilindore të kontinentit afrikan, gjegjësisht vendi në të cilin u bë emigrimi i parë i muslimanëve të persekutuar nga Meka, pas fillimit të zbritjes së shpalljes hyjnore.
Adën (عَدْن)
Emër i njërit prej xheneteve të botës tjetër.
Ahiret (الآخِرَة)
Ahiret: bota tjetër, bota e përtejme.
Ahzabi (الأَحْزَاب)
Beteja e Ahzabit: Beteja e Hendekut, e cila u zhvillua në Medinë në vitin e pestë (5) të hixhretit, ku, me të marrë lajmin se hebrenjtë dhe idhujtarët kurejshë kishin bërë koalicion dhe ishin nisur me një ushtri prej dhjetë mijë vetash për t‘i sulmuar, muslimanët u strehuan brenda kodrave të Medinës, ndërsa në njërën hyrje, në anën e pambrojtur të Medinës, ndërtuan një hendek gjigant për t’i penguar armiqtë të futeshin në Medinë. Beteja mbaroi me fitoren e muslimanëve, pas ndihmës së Allahut me erëra të forta dhe stuhi që shpartalluan tendat dhe çadrat e armiqve të pozicionuar përreth hendekut.
Airi (عَائِر)
Njëra prej kodrave më të mëdha të Medinës, e cila ndodhet përafërsisht shtatë kilometra në jugperëndim të Xhamisë së Pejgamberit ﷺ, që njëkohësisht shënjon njërin kufi të Haremit të Medinës së Ndritur.
Ajnejn (عَيْنَيْن)
Kodrinë përballë kodrës së Uhudit, që ndryshe njihet edhe me emrin Kodra e Shigjetarëve. Midis kësaj dhe Uhudit ndodhet një luginë.
Ajnu Temër (عَيْنِ التَّمْر)
Emër vendi në pjesën perëndimore të Kufes, në qoshe të Irakut, të cilën muslimanët e patën çliruar nën komandën e Halid ibn Velidit, në kohën e hilafetit të Ebu Bekrit, përkatësisht në vitin e dymbëdhjetë (12) të hixhretit.
Akabeja (الْعَقَبَة)
Vend në Mekë, në afërsi të Minas, ku Pejgamberi ﷺ mori besatimin e një grupi banorësh të Jethribit (Medinës), të cilët kishin ardhur për ta kryer haxhin.
Akikë (عقيقة)
Kurban që theret me rastin e lindjes së foshnjës, si falënderim për Allahun e Lartësuar: një pjesë hahet, një pjesë lihet për t’i gostitur të afërmit dhe një pjesë u dhurohet skamnorëve.
Akile (الْعَاقِلَة)
Të afërmit e kryerësit të krimit, të cilët kanë hise në shpagimin e gjakut.
Allahu ekber (اللَّهُ أَكْبَر)
Do të thotë: Allahu është më i Madhi!
Amin (آمِين)
Miratimi që shqipton personi në fund të lutjes së tij, qoftë për vete, qoftë kur dikush tjetër lutet për të, që do të thotë: Ashtu qoftë! Ashtu u bëftë!
Antimon - kuhël (الكُحْل)
I kombinuar me disa elemente të tjera, shërben për zbukurim dhe shërim të syrit.
Arafat (عَرَفَة)
Kodra e Arafatit ndodhet në dalje të qytetit të shenjtë të Mekës, në drejtim të qytetit Taif. Qëndrimi në Arafat, në ditën e nëntë të muajit dhul hixhe deri në perëndim të Diellit, është obligim për të gjithë haxhilerët, për t’i madhëruar simbolet e Allahut dhe për ta lutur të Gjithëmëshirshmin që t’ua falë mëkatet e deriatëhershme.
Araje (الْعَرَايَا)
Trupat e hurmave që një pronar ua dhuron të varfërve ose dikujt tjetër, prej kopshtit të vet. Shitblerja araja nënkupton shitjen e hurmave araja, të njoma e të pavjela, për një sasi të caktuar hurmash të thata ose të njoma të vjela.
Arak (أَرَاك)
Lloj peme e vogël ose shkurre me trung të kërrusur që rritet deri në 6-7 metra dhe për shekuj me radhë është përdorur si brushë natyrale dhëmbësh; pema e misvakut në Gadishullin Arabik dhe në botën islame përgjithësisht. Emri shkencor: salvadora persica. Shih edhe “misvak”.
Ariusian (آريسيين)
Emërtim i bazuar në emrin e prijësit fetar të krishterë Arius, lindur në vitin 256 g., i cili ishte prift që nuk i pranonte ideologjitë kishtare (trilogjinë) të asaj kohe. Ariusianë quheshin të gjithë ithtarët e kësaj ideologjie, të cilët atëbotë ishin nën pushtetin e Herakliut, perandorit të Bizantit.
Armenia (إِرْمِينِيَة)
Shtet aziatik që kufizohet me Turqinë në perëndim dhe me Azerbajxhanin në lindje.
Arsh (الْعَرْش)
Froni i Allahut, njëherazi një nga krijesat e Tij, mbi të cilin qëndron Allahu Lavdiplotë, poshtë të cilit ndodhet çdo krijesë tjetër e Allahut.
Arxh (الْعَرْج)
Emër vendi përgjatë rrugës Medinë-Mekë.
Ashura (عَاشُورَاء)
Dita e dhjetë e muajit hënor muharrem. Në këtë ditë, Allahu Fuqiplotë e shpëtoi pejgamberin e Tij, Musain ﷺ, nga Faraoni zullumqar, andaj Pejgamberi ynë ﷺ na nxiti që ta agjërojmë atë, duke ia bashkëngjitur një ditë para ose pas saj, duke shpresuar se do të na falen gjynahet e vitit që ka kaluar. Kjo ditë korrespondon edhe me ditën e vrasjes së Husejn ibn Aliut, nipit të Pejgamberit ﷺ, ditë kjo të cilën padrejtësisht shiitët e morën për ditë zie dhe dënimi të vetvetes me kamxhikosje.
Atira (الْعَتِيرَة)
Kështu quhej veçimi që i bënin një dite të muajit rexheb për therje të kurbanit.
Avali (الْعَوَالِي)
Shtëpitë që ndodheshin jashtë Medinës nga ana e Nexhdit, disa prej të cilave ishin larg qytetit rreth 6 kilometra.
Axhve (الْعَجْوَة)
Varietet hurmash që rriten vetëm në Medinë.
Azerbajxhan (أَذْرَبِيجَان)
Shtet aziatik që kufizohet me Detin Kaspik dhe Armeninë.
Badhek (الْبَاذَق)
Pije alkoolike e përfituar prej lëngut të fermentuar të rrushit, ose që në disa raste përfitohet edhe prej mjaltit.
Bahrejn (الْبَحْرَيْن)
Atëbotë, me këtë emër quhej Krahina Lindore e Gadishullit Arabik, e cila sot përfshin një pjesë të Kuvajtit, pjesën lindore të Arabisë Saudite, vetë shtetin e sotëm të Bahrejnit, Katarin dhe një pjesë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Balam (بَالاَم)
Shprehje hebraike me të cilën i referohen demit.
Bariz (الْبَارِز)
Krahinë që shtrihej nga kufijtë e perandorisë së Persisë deri te Muri Kinez.
Batnu Nahle (بَطْنُ نَخْلَة)
Vend në Mekë.
Bat’ha (الْبَطْحَاء)
Emër lugine në Mekë, e cila ndodhet gjashtë (6) kilometra në jug të Shtëpisë së Shenjtë, Qabesë.
Bedër, Bedri (بَدْر)
Vend mes Mekës dhe Medinës, i emërtuar kështu sipas emrit të një pusi që ndodhej në të. Aty ndodhi ballafaqimi i parë i armatosur midis Islamit dhe idhujtarisë, në vitin e dytë pas emigrimit të muslimanëve në Medinë.
Behira (الْبَحِيرَة)
Behira quhej deveja që dedikohej për idhuj, të cilën nuk lejohej ta milte askush.
Bejda (الْبَيْدَاء)
Emër vendi mes Mekës dhe Medinës, para mikatit Dhul Hulejfe.
Bejruha (بَيْرُحَاء)
Kopsht, ku Pejgamberi ﷺ herë pas here hynte për të pushuar dhe për të pirë ujë, pronë e Ebu Talhait, të cilën Ebu Talhai e dha lëmoshë për hir të Allahut.
Bejtul Makdis (بَيْتِ الْمَقْدِس)
Kudsi, gjegjësisht vendi ku ndodhet Xhamia e Shenjtë Aksa, e cila ishte kibla e parë për muslimanët. Ajo është xhamia e tretë e shenjtë pas Qabesë dhe Xhamisë së Pejgamberit Muhamed ﷺ.
Bejtul Mamur (الْبَيْتُ الْمَعْمُور)
Bejtul Mamuri është shtëpia në Qiell, që ka rolin e Qabesë në Tokë, ku melekët bëjnë tavaf dhe e adhurojnë Allahun.
Bekië (الْبَقِيعِ)
Varrezat e Medinës.
Belat (الْبَلاَط)
Belat: Vend në Medinë i shtruar me gurë, që ndodhej mes xhamisë së Pejgamberit ﷺ dhe tregut të Medinës.
Beldeh (بَلْدَح)
Luginë përballë Mekës, nga ana perëndimore, ose vend përgjatë rrugës për Tenim.
Benu Ismail (بَنِي إِسْمَاعِيل)
Pasardhësit e Ismailit.
Benu Nadir (بَنُو النَّضِير)
Fis i hebrenjve që jetonin në Gadishullin Arabik, përkatësisht në qytetin Jethrib (Medinën e sotme).
Benu erfidë (بَنِي أَرْفِدَة)
Fis etiopas.
Berid (بَرِيد)
Berid është njësi e vjetër matëse për matjen e gjatësive dhe ka përafërsisht 22 kilometra.
Berk Gimad (بَرْكَ الْغِمَاد)
Vend që ndodhej larg Mekës në një distancë prej pesë netësh udhëtimi, që përkon me rreth 140 (njëqind e dyzet) kilometra sipas matjeve të sotme.
Bernie (بَرْنِيّ)
Varietet hurmash i kualitetit të lartë, të rrumbullakëta e me ngjyrë të verdhë.
Bidat (بِدْعَة)
Çfarëdo lloj adhurimi i shpikur në fe, qoftë adhurim i trilluar, qoftë adhurim që ka bazë në fe, por bëhet në vendin dhe në kohën e gabuar (ndaluar), për të cilin nuk ka argument se Pejgamberi ﷺ e ka vepruar, ka urdhëruar të kryhet ose e ka pëlqyer.
Bismilah (بسم الله)
Me emrin e Allahut!
Brukë (الأَثْل)
Dru a shkurre me gjethe të holla e viseve mesdhetare.
Buath (بُعَاث)
Betejë e zhvilluar mes dy fiseve medinase në periudhën paraislame.
Budae (بُضَاعَة)
Emër kopshti palmash në Medinë.
Bunari Eris (بِئرُ أَرِيس)
Ishte një pus që ndodhej në afërsi të Xhamisë së Kubasë.
Busra (بُصْرَى)
Sot njihet si qytet historik në Sham, në Republikën e Sirisë, rreth 140km larg Damaskut. Andejpari kishte kaluar Pejgamberi ﷺ gjatë udhëtimeve të tij të tregtisë, para se t’i zbriste shpallja, ku kishte takuar edhe një prift të krishterë, i cili e kishte informuar se ai do të ishte Pejgamberi i ardhshëm dhe se lajmërimi për të ndodhej edhe në librat e tyre.
But’han (بُطْحَان)
Emër lugine në Medinën Pejgamberike.
Buvati (بُوَاطَ)
Emër kodre që ndodhej në periferi të qytetit të Medinës.
Buvejra (الْبُوَيْرَة)
Plantacion hurmash i fisit hebre benu nadir.
Cezar (قَيْصَر)
Pozita më e lartë udhëheqëse në hierarkinë e Perandorisë Romake.
Dab (الضَّبّ)
Lloj zvarraniku që jeton në viset e Afrikës dhe Azisë, me bisht gjembor dhe rezistues ndaj etjes. Termi shkencor: uromastyx.
Dabik (دَابِقٍ)
Vende afër Alepos në Siri
Danek (دَانَق)
Monedhë që përdorej asokohe, që kapte vlerën e një të gjashtës së dërhemit.
Daxhnan (ضَجْنَان)
Njëra prej kodrave të Tuhames, gjegjësisht pjesa mes Xhumumit dhe Asafanit të sotëm, rreth 70km larg Mekës. Thuhet se aty Pejgamberit ﷺ i pati zbritur surja Fet’h pas Marrëveshjes së Hudejbijes, gjatë kthimit për në Medinë.
Dexhalli (الدَّجَّال)
Dexhalli është njeri, sikurse gjithë bijtë e Ademit ﷺ, kuqalosh, me trup të shkurtër e të gjerë dhe duar të mëdha, i verbër në njërin sy. Në ballë i shkruan “kafir” (jobesimtar), fjalë të cilën mund ta lexojnë vetëm besimtarët. Allahu e shfaq atë në tokë para Kiametit për t’i sprovuar njerëzit se kush i bindet Allahut e kush i bindet atij.
Dhatu Irk (ذَاتَ عِرْق)
Mikati i haxhit për banorët e Irakut.
Dhatul Rikaë (ذَاتِ الرِّقَاعِ)
Beteja e Arnave. U quajt kështu se, rrugës për në atë betejë, sahabëve të Pejgamberit ﷺ u qenë bërë këmbët varrë, saqë i mbështillnin me arna.
Dhatul Selasil (ذَاتِ السَّلاَسِل)
Njëra nga betejat e Pejgamberit ﷺ, e cila ndodhi në vitin e tetë (8) të hixhretit dhe mori këtë emër sipas vendit të quajtur Dhatu Selasil (e zinxhirta), për shkak se toka e këtij vendi ishte plot rërë, gjë që bënte që këmbët të kapërtheheshin njëra me tjetrën si zinxhirët.
Dhatul Xhejsh (ذَات الْجَيْش)
Emër vendi në dalje të Medinës, pasi të kalohet mikati Dhul Hulejfe.
Dhebh (الذَّبْحِ)
Dhebhu: therja që bëhet te lopët, delet dhe kafshët e tjera, kurse nahri, në parim, bëhet vetëm te devetë.
Dhekvan (ذَكْوَان)
Emër familjeje nga fisi benu sulejm.
Dherira (الذَّرِيرَة)
Lloj i përzier parfumi.
Dhihar (الظِّهَار)
Traditë e periudhës së injorancës paraislame, ku burri e krahasonte gruan e vet, ose një pjesë të saj (bie fjala, shpinën) me një grua me të cilën e kishte të ndaluar përjetësisht të martohej. Gjithë kjo duke pasur për qëllim shkurorëzimin e saj.
Dhikr ( الذكْر)
Përmendja e Allahut të Lartësuar, qoftë me shprehje që e madhërojnë Allahun, si: subhanallah, elhamdulilah, estagfirullah, la ilahe ilallah etj., qoftë me leximin e ajeteve të Kuranit.
Dhimi (الذِّمِّيّ)
Dhimi quhet jomuslimani që jeton në shtetin islam dhe paguan xhizjen si taksë vjetore në këmbim të sigurisë që i ofrohet nga shteti islam.
Dhimitë (أهل الذمة)
Dhimi quhet jomuslimani që jeton në shtetin islam dhe paguan xhizjen si taksë vjetore në këmbim të sigurisë që i ofrohet nga shteti islam.
Dhu Kared (ذِي قَرَد)
Emër vendi.
Dhu Tuva (ذو طُوًى)
Emër bunari ose emër vendi afër Mekës.
Dhul Halasa (ذِي الْخَلَصَة)
Dhul Halasa ka qenë një shtëpi në fisin hatham, që quhej Qabeja Jemenase, ku njerëzit bënin idhujtari.
Dhul Hulejfe (ذِي الْحُلَيْفَة)
Mikati i banorëve të Medinës.
Dhul Mexhazi (ذُو الْمَجَاز)
Emër tregu në periudhën paraislame.
Dhul hixhe (ذو الْحجَّة)
Muaji i fundit sipas kalendarit hënor, gjegjësisht muaji në të cilin kryhet rituali i haxhit.
Dhul jedejn (ذُو الْيَدَيْن)
Dhuljedejn: ai që ka dy duar; kështu është quajtur sahabiu i cili njihej për duart e tij të gjata.
Dhul kade (ذو الْقَعْدَة)
Muaji i njëmbëdhjetë (11) sipas llogaritjes hënore.
Dhulukjeh (ذُلُقْيَةَ)
Qytet në Bizant
Dithar (دِثَار)
Rroba e jashtme, që është mbi të brendshmen, që, nëse përdoret në mënyrë alegorike, aludon në distancë nga diçka.
Ebtah (الأَبْطَح)
Emër vendi midis Mekës dhe Minasë, por më afër Minasë. Quhet edhe Bat’ha, Muhasab, Hasbeh.
Ebva (الأَبْوَاء)
Emër vendi midis Mekës dhe Medinës.
Edhruhu (أَذْرُح)
Emër vendi në tokat e Shamit të dikurshëm e sot në pjesën jugore të Jordanisë, përkatësisht mes Shubikut dhe Meanit. Mes tij dhe vendit Xherbae ka rreth një milje.
Ejla (أَيْلَة)
Ejla ishte vendbanim i vjetër bregdetar në jug të Jordanisë, ku sot ndodhet qyteti i Akabesë.
El-atemeh (الْعَتَمَة)
Fjalë që në gjuhën arabe e ka kuptimin: pjesa e fundit e së tretës së parë të natës. Andaj, aty ku përmendet kjo fjalë, aludon se namazi i jacisë është vonuar deri në atë kohë.
El-kurra (الْقُرَّاء)
Hafëzët.
El-men (الْمَنّ)
Tërësi bimësh ushqyese dhe mjekuese të familjes së kërpudhave (fung) që mbijnë pa angazhim nga ana e njeriut. Me to, Allahu i Lartësuar i pati begatuar benu israilët gjatë periudhës dyzetvjeçare, pas shpëtimit nga Faraoni i Egjiptit.
Eljoni (أَلْيُونَ)
Vendbanim në Egjipt, i cili quhet edhe Babilon (nga “Bab Eljon”), ndërsa në vend të tij u ndërtua qyteti Fustat nga Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
Ema ba’du (أَمَّا بَعْد)
“E, më pas;” - thënie që thuhet pas pjesës hyrëse që i paraprin çdo ligjërate ose hutbeje, në të cilën lavdërohet Allahu i Madhërishëm, për të kaluar në pjesën këshilluese të ligjëratës ose hutbes së xhumasë.
Enbatë (أَنْبَاط)
Enbatë janë quajtur arabët që ishin përzier me popujt e tjerë dhe jetonin në mesin e tyre.
Enmar (أَنْمَار)
Emër mëhalle nga fisi huzae.
Ensarë (الأَنْصَار)
Ensarë: ndihmëtarë. Kështu u quajtën banorët e Jethribit të atëhershëm, gjegjësisht Medinës së Ndritshme, sepse ata u bënë ndihmëtarët e pejgamberit Muhamed ﷺ pas hixhretit të tij bashkë me banorët e Mekës që e kishin pranuar Islamin. Ensarët ndaheshin në dy fise: evs dhe hazrexh, të cilat për kohë të gjatë kishin qenë në armiqësi me njëri-tjetrin.
Eriha (أَرِيحَاء)
I njohur edhe me emrin Xheriko, Eriha është një qytet i lashtë historik palestinez që sot ndodhet në Bregun Perëndimor, pranë lumit Jordani dhe në veri të Detit të Vdekur. Ky qytet daton 11000 vjet para Krishtit.
Err-Rrahim (الرحيم)
Emër i Allahut Fuqiplotë që aludon në mëshirën e Tij, me të cilën i mëshiron vetëm besimtarët në botën e përtejme (ahiret).
Err-Rrahman (الرَّحْمَن)
Emër i Allahut Fuqiplotë që aludon në mëshirën e Tij të përgjithshme, me të cilën i përfshin të gjitha krijesat.
Es-selam (السَّلاَم)
Është një prej emrave të Allahut të Madhëruar, që ngërthen në vete kuptimet e paqes dhe sigurisë, të cilat burimin e kanë pikërisht te ky emër i Allahut Fuqiplotë. Kjo, se Ai Vetë është i pacenueshëm dhe ia ka ndaluar Vetes padrejtësinë, por edhe robërve të Tij u ka garantuar paqe dhe siguri nëse i binden Atij.
Esfahan (أَصْبَهَانَ)
Qytet i njohur në lindje të Irak.
Esharinj (الأَشْعَرِيُّون)
Populli (fisi) prej të cilit vinte Ebu Musa Eshariu, sahabiu i ndershëm (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilët shquheshin për zërin e bukur gjatë leximit të Kuranit, gjë që e bënte Pejgamberin ﷺ t'i njihte zërat (ngjyrimin e zërit) e tyre nga larg. (Vini re: kjo shprehje nuk ka të bëjë asgjë me ata që sot njihen si esharinj, sepse këta e kanë marrë këtë emër për shkak të prijësit të tyre, Ebu Hasen Eshariut).
Eutasi (أَوْطَاس)
Beteja që ishte disa ditë pas Çlirimit të Mekës. Vend afër Taifit.
Evak (أَوَاق)
Njësi matëse që përdorej ndër arabët e asaj kohe, që ishte e barabartë me dyzet dërhemë argjendi, gjegjësisht 119 gramë argjend.
Evsuk (أَوْسُق)
Njësi matëse që përdorej ndër arabët e asaj kohe, që ishte e përafërt me 180 litra vëllim.
Evtas (أَوْطَاس)
Luginë në tokat e fisit havazin, në të cilën u zhvillua edhe Beteja e Hunejnit.
Ezan (الآذان)
Thirrja që u bëhet besimtarëve nga minarja e xhamisë, përmes fjalëve të caktuara, posa të hyjë koha e namazeve obligative, për të marrë pjesë në namazin obligativ me xhemat në xhami.
Farz (الفرض)
Çdo vepër e detyrueshme, të cilën Allahu i Lartësuar ua ka bërë obligim besimtarëve, për të cilën Ai shpërblen nëse kryhet ose dënon nëse robi nuk e kryen.
Fedek (فَدَك)
Fedeku ishte një tokë që për shtatë vjet me radhë ishte në pronësi të një fisi hebre, por, pas frikës që i kaploi nga zgjerimi i muslimanëve, ata bënë marrëveshje me Pejgamberin ﷺ për shfrytëzimin e kësaj toke, për të mbetur pas kësaj pronë e Fatimes, derisa Pejgamberi ﷺ ishte gjallë, e pastaj pronë e muslimanëve.
Feli (الْفَأْل)
Feli është fjala e mirë, të cilën dikush e dëgjon nga një tjetër, përkatësisht fjalë përgëzuese.
Fera (الْفَرَع)
Fera ishte pjella e parë (e devesë) që idhujtarët e thernin për të adhuruarit e tyre.
Feraid (الْفَرَائِض)
Shkencë që merret me dispozitat dhe rregullat e trashëgimisë në Islam.
Ferek1 (الْفَرَق)
Enë që përdorej për pastrim; legen.
Ferek2 (فرق)
Njësi matëse e barabartë me dymbëdhjetë palë grushte; përafërsisht nëntë litra.
Ferseh (فَرْسَخٍ)
Njësi e vjetër matëse e gjatësisë; një ferseh është i barabartë me 3 milje, ose rreth 4 mijë pash, përkatësisht 5.8 kilometra.
Fetva (الْفُتْي)
Vendimi që jep një dijetar rreth një çështjeje të caktuar fetare për të cilën është pyetur, duke u bazuar në argumente të sakta nga Kurani, Suneti, unanimiteti i dijetarëve dhe analogjia.
Firdeus (الْفِرْدَوْس)
Xheneti më i lartë në vlerë dhe pozitë, prej të cilit burojnë lumenjtë e xheneteve, mbi të cilin ndodhet Arshi i të Gjithëmëshirshmit.
Fitne (الْفِتنة)
Trazirë, përçarje, sprovë ose vështirësi në fe.
Fitër (الْفِطْر)
Ndryshe quhet edhe iftar, që nënkupton përfundimin e agjërimit me ushqim, prej të cilit e ka marrë emrin edhe Bajrami i Fitrit, pasi që aty mbaron agjërimi dhe fillohet me ngrënie.
Fryrja (النَّفْخ)
Kur përmendet në trajtën e shquar, fjala “fryrje” nënkupton njërën prej dy fryrjeve në Sur Ditën e Gjykimit.
Fukaë (الْفُقَّاع)
Lëng elbi, që mund të shndërrohet edhe në pije dehëse.
Furi (الْفُرْعِ)
Vend në mes të Mekës dhe Medinës.
Fustat (الفُسْطَاط)
Fustati është një qytet i vjetër në Egjipt, të cilin e ndërtoi Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
Gabë (الْغَابَة)
Vend në afërsi të Medinës.
Gajka (غَيْقَة)
Vend mes Mekës dhe Medinës.
Gamim (الْغَمِيم)
Gamim quhej një luginë që ndodhej para Usfanit në largësi prej rreth 13km, e cila ishte rreth 64km larg Mekës rrugës për Medinë. Sot njihet me emrin Berkau el Gamim, kurse Kurae ishte një kodër e zezë ngjitur me të.
Gasan (غَسَّان)
Emër i një burimi të ujit pranë kodrës Tuhame.
Gogol (غول)
Gogol (arb. gul): pretendonin se ishte një lloj i shejtanëve që jetonin në shkretëtirë, të cilët, kur i shfaqeshin dikujt, ndërronin formën dhe ngjyrën sipas dëshirës, pastaj i devijonin udhëtarët nga rruga. Pejgamberi ﷺ e mohoi këtë besëtytni, por jo dhe ekzistencën e këtyre shejtanëve.
Gusël (الغُسْل)
Pastrimi i tërë trupit sipas dispozitave islame, pas marrëdhënieve intime me bashkëshorten ose pas ejakulimit gjatë fjetjes.
Hadbe (هَضْبَة)
Emër vendi përgjatë rrugës Medinë-Mekë.
Hadith (الْحَدِيث)
Hadith, në terminologjinë sheriatike, quhet çdo gjë që na është transmetuar nga jeta e Pejgamberit ﷺ, si: fjalë, vepër, miratim, tipar nga morali i tij ﷺ ose tipar me të cilin është veçuar në pamjen e tij, qoftë para, qoftë pas shpalljes.
Hadramevt (حَضْرَمَوْت)
Vend në Jemen, gjegjësisht në jug të Arabisë Saudite sot.
Hafje (الْحَفْيَاء)
Vend në qytetin e Medinës.
Hah (خَاخٍ)
Kopsht mes Mekës dhe Medinës.
Haja (الْحَيَا)
Lumi në të cilin do të futen banorët e Zjarrit, pasi të nxirren nga Zjarri, për t’u rigjeneruar pasi qenë shkrumbuar, për t’u futur pas kësaj në Xhenet. Kjo, se në zemrat e tyre ka pasur besim, qoftë dhe sa kokrra e melit.
Hajber (خَيْبَر)
Qytet në veri të Medinës së Ndritshme, rreth 140km larg saj, në të cilin u zhvillua edhe beteja mes muslimanëve dhe hebrenjve të atij vendi, e në atë rast muslimanët dolën fitimtarë.
Hajf (الخَيْف)
Tokë që ndodhet mes thepisjes së maleve, në njërën anë, dhe mes rrjedhës së ujit, në anën tjetër. Hajfi i fisit benu kinane është vendi i quajtur Muhasab, siç thotë Kadi Ijadi, gjegjësisht sot Bat’ha e Mekës. Zuhriu thotë: “Hajfi është luginë.” Hazimi thotë: “Hajfi i Benu Kinanes është në Mina, ku kishte ndaluar i Dërguari i Allahut ﷺ. Gjithashtu, quhet Shtegu i Ebu Talibit, Shtegu i Ebu Jusufit, ndërsa sot quhet Shtegu i Aliut.
Halif - kalif (خليفة)
Prijës i shtetit islam, i cili sundon në të me ligjin islam - sheriatin.
Hallall (الْحَلاَل)
Çdo gjë që ligji islam (sheriati) e ka bërë të lejuar, qoftë ushqim, pije, veshje dhe gjëra të tjera që i përdorim, qoftë fjalë e vepra.
Hamam (الْحَمَّام)
Vend publik ku mund të bëhet banjë, i njohur edhe në vendet tona deri para disa dekadash, zakonisht u shërbente udhëtarëve.
Hanut (حَنّوط)
Parfum i posaçëm që përdoret për të parfumuar të vdekurin kur i pastrohet e i qefinoset xhenazja.
Haram (الْحَرَام)
Çdo gjë që ligji islam (sheriati) e ka bërë të ndaluar, qoftë ushqim, pije, veshje dhe gjëra tjera që i përdorim, qoftë fjalë dhe vepra.
Harbiu (الحَرْبِي)
Personi fizik ose juridik me të cilin muslimanët janë në luftë.
Haremi (الْحَرَم)
Gjuhësisht: vend i shenjtëruar. Është për qëllim Meka me kufijtë e saj, gjegjësisht vendi ku disa gjëra janë bërë haram për muslimanët në përgjithësi, ndërsa për ata që janë në ihram në veçanti. Gjithashtu përdoret edhe për Medinën e Ndritshme - Haremi i Medinës.
Harra (الْحَرَّة)
Pjesë e qytetit të Medinës, e mbuluar me tokë të zezë shkëmbore dhe gurë vullkanikë, gjë që e bën atë tokë shumë të nxehtë gjatë verës, prej nga e ka marrë emrin “e nxehtë – harra”.
Haruras (الحروري)
Grup i devijuar nga bazamentet e fesë islame, të cilët quheshin kështu sipas emrit të vendbanimit në të cilin jetonin, por quhen edhe havarixhë.
Harurije (حَرُورِيَّة)
Grup i devijuar nga bazamentet e fesë islame, të cilët quheshin kështu për shkak të vendbanimit në të cilin jetonin, që ndryshe quhen edhe havarixhë.
Harut (هاروت)
Njëri prej dy melekëve që u dërguan në Babiloni, në kohën e pejgamberit Sulejman ﷺ, si sprovë për banorët e Tokës, për t’ua mësuar magjinë njerëzve që janë të prirë nga e keqja, ku, secilit që paraqitej, ata i thoshin: “Vërtet ne jemi sprovë për ju, andaj mos bëni kufër!” (Bekare, 102)
Hashefe (حَشَفَة)
Soji më i dobët i hurmave.
Hatim (الْحَطِيم)
Emër i Hixhrit në periudhën paraislame.
Hatmul Hajl (حَطْم الْخَيْل)
Ngushticë nëpër të cilën kalonin kuajt.
Hauz (الحَوْض)
Hauzi është pishina a pellgu i ujit që rrjedh nga lumi Keuther në Xhenet e grumbullohet në vendtubimin e njerëzve Ditën e Gjykimit (mahsher). Hauzi do t’i dhurohet Pejgamberit ﷺ në Ditën e Gjykimit, nga i cili do të pinë besimtarët para se të hyjnë në Xhenet.
Havarixhë (الْخَوَارِج)
Grup që kanë devijuar nga bazamentet e fesë islame. Ndryshe quhen haruras.
Havlane (خَوْلَانِة)
Krahinë në Jemen.
Haxh (الحج)
Haxhi është një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet Islami. Ai është detyrim një herë për tërë jetën, për çdo musliman të rritur e të vetëdijshëm që ka mundësi fizike dhe ekonomike që të shkojë në qytetin e shenjtë, Qabenë, dhe kryhet vetëm brenda ditëve të caktuara, përkatësisht në ditët e para të muajit dhul hixhe, sipas kalendarit të hixhretit.
Haxh Kiran (حَجُ الإِقْرَان)
Njëri prej tri llojeve të haxhit. Kiran - ikran do të thotë çiftëzim, sepse haxhiu, qysh në fillim, bën nijet që të kryejë haxh dhe umre së bashku.
Haxh ifrad (حَجُ إِفْرَاد)
Njëri prej tri llojeve të haxhit. Ifrad do të thotë një, i vetmuar, që nënkupton se ky lloj i haxhit nuk kombinohet me umre, siç ndodh te dy llojet e tjera të haxhit: temetu e kiran, dhe haxhiut, prej kur i vesh ihramët, i ndalohen ca gjëra derisa ta mbarojë haxhin e t’i qethë flokët ose ta presë kurbanin.
Haxh temetu (حَجُ تَمَتُّع)
Njëri prej tri llojeve të haxhit. Temetu do të thotë kënaqje dhe përfitim, sepse haxhiu kryen fillimisht një umre, në muajt e haxhit, e pastaj zhvishet nga ihramët, e në atë rast i lejohen të gjitha gjërat derisa të vijë koha e haxhit për t’i veshur sërish.
Haxhi (الْحَاجّ)
Çdo besimtar musliman që ka kryer obligimin e haxhit të paktën një herë gjatë jetës së tij.
Haxhunë (الْحَجُون)
Vend afër varrezave të Mekës.
Hedeh (الْهَدَأَة)
Vend mes Usfanit dhe Mekës.
Hendek (الْخَنْدَق)
Beteja e Hendekut, ndryshe njihet edhe si Beteja e Ahzabit. Shih “Ahzab”.
Hersha (هَرْشَى)
Një kodër me këtë emër, në kryqëzimin e rrugës së Medinës dhe Shamit.
Herxh (الْهَرْج)
Herxh, sipas shpjegimit të vetë Pejgamberit ﷺ, nënkupton vrasjet e shumta që do të ndodhin në kohët e fundit të kësaj dynjaje, para se të ndodhë Kiameti.
Hexher (هَجَر)
Vend i njohur në Bahrejnin e atëhershëm, i cili ishte prej vendbanimeve të fisit të Abdulkajsit.
Hibera (الْحِبَرَة)
Rrobë e gjelbër jemenase me vija, prej pambuku.
Hilafet/Kalifat (خِلاَفَة)
Gjuhësisht: udhëheqësia, ushtrimi i pushtetit. Forma e udhëheqjes së shtetit në përputhje me ligjet e sheriatit islam, të cilën e kryen një prijës musliman (halif) me besatimin e secilit prej banorëve të atij vendi.
Himjer (حِمْيَر)
Vendbanimi i popullit Sebe, me në krye mbretëreshën Belkizë, në jug të Gadishullit Arabik, Jemenin e sotëm.
Himjerishte (الْحِمْيَرِيَّة)
Gjuha që flitej nga banorët e vendit të quajtur Himjer.
Hira (حِرَاء)
Shpella Hira ishte vendi ku Pejgamberi ﷺ veçohej për adhurim derisa, mu aty, i zbriti shpallja prej Allahut të Lartësuar.
Hirë (الْحِيرَة)
Vend në afërsi të Kufes.
Hixhab (الْحِجَاب)
Mbulesa e femrës muslimane.
Hixhame (الْحِجَامَة)
Mjekimi me kupa, ku pas gërvishtjes së lehtë të lëkurës me mjet të mprehtë, me anë të presionit (vakumit) të ajrit të formuar brenda kupës, thithet gjaku nga pjesë të caktuara të trupit, proces ky që pastron gjakun e njeriut.
Hixhaz (الحِجَاز)
Regjion në Gadishullin Arabik që shtrihet në perëndim dhe veriperëndim të gadishullit. Ajo përfshin qytetet si: Tebuku, Meka, Medina, Baha, dhe kufizohet me regjionin e Nexhdit.
Hixhret (الهجرة)
Hixhret quhet shpërngulja prej vendit të kufrit (mosbesimit) në vendin islam. Pra, hixhreti i parë ishte shpërngulja e muslimanëve të parë prej Mekës në Jethrib, gjegjësisht në Medinën e sotme, për ta ruajtur fenë e tyre. Prej kësaj ndodhie fillon edhe llogaritja e kalendarit të muslimanëve.
Hixhër (الْحِجْر)
Pjesa harkore e ndërtuar me mur të ulët që ka mbetur jashtë kubit të Qabesë, e cila është prej themeleve origjinale të Qabesë.
Homs (حِمْص)
Qytet me histori të lashtë. Thuhet se është themeluar qysh në shekullin IV p.e.s. Sot është njëri prej tri qyteteve më të mëdha të Sirisë.
Hudejbije (الْحُدَيْبِيَة)
Vend në afërsi të Mekës, në të cilin ndodhej një pus i quajtur Hudejbije, prej të cilit e kishte marrë emrin. Në atë vend muslimanët u privuan që të shkonin në Mekë për ta kryer umren me Pejgamberin ﷺ, dhe mu aty pastaj u bë Marrëveshja e Hudejbijes.
Hunejn (حُنَيْن)
Emër lugine midis Mekës dhe Taifit, ku u zhvillua beteja e cila mori emrin e saj (Beteja e Hunejnit) në vitin e tetë sipas hixhretit, në ditën e dhjetë të muajit sheval, pas Çlirimit të Mekës. Kjo betejë është përmendur me emër edhe në Kuranin fisnik.
Huza’a (خُزَاعَة)
Emër fisi prej të cilit vinte edhe Budejl ibn Verka, të cilët e këshillonin të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe nuk i mbanin asnjë të fshehtë atij.
Huzë (خُوزًا)
Popuj që jetojnë mes Irakut dhe Iranit.
Hyritë sybukura (الْحُورُ الْعِين)
Hyritë janë gratë e Xhenetit, bukuria e të cilave kalon kufijtë e të menduarit. Ato kanë sy të zinj e të mëdhenj, janë krijuar ndryshe prej grave të dynjasë, shikojnë vetëm burrat e tyre dhe vendbanim kanë tendat e mëdha si margaritarë të zgavruar, ku ato jetojnë dhe kalojnë kohën me bashkëshortët e tyre. Në këtë rast, ia vlen të përmendet se gratë besimtare të kësaj bote do t’ua kalojnë me bukuri dhe me pozitë hyrive të Xhenetit, për shkak të besimit të tyre dhe veprave të mira që i kanë bërë në këtë botë.
Ideti (الْعِدَّة)
Koha e përcaktuar me sheriat, brenda së cilës gruas i ndalohet të martohet me një burrë tjetër, pasi që të ketë ngjarë divorci (talaku) mes atyre dyve, ose vdekja e bashkëshortit; gjegjësisht katër muaj e dhjetë ditë.
Idhhir (الإِذْخِر)
Lloj bimësh barishtore.
Idhk ibn Zejdi (عِذْقَ ابنِ زيد)
Kalaveshi i Ibn Zejdit: varietet hurmash i emërtuar sipas emrit të personit në fjalë.
Ifrit (عِفْرِيت)
Lloj shejtanësh, që janë më keqbërës se shejtanët e zakonshëm.
Ih, ih (إِخْ إِخْ)
Pasthirrmë që përdoret për t’iu drejtuar devesë që të ulet.
Ihab (إِهَابَ)
Ihab apo Jehab është vend në afërsi të Medinës, që gjendet kah gurishta perëndimor
Ihram (الاحرام)
Ihram quhet nijeti i besimtarit, me zemër dhe me gjuhë (për dallim nga çdo adhurim tjetër, ku mjafton nijeti me zemër), që prej atij momenti të fillojë me adhurimet e haxhit, sipas dispozitave të paracaktuara nga Ligjvënësi (Allahu i Lartësuar), duke zhveshur rrobat e zakonshme dhe duke iu përmbajtur ndalesave që kanë të bëjnë me haxhiun ose me vendet e shenjta.
Ihsan (الإِحْسَانُ)
Ihsani (mirëbërësia absolute) është ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë, se, ndonëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.
Ihtiba (الاِحْتِبَاء)
Ulja duke i mbledhur këmbët rrëzë gjoksit, qoftë duke i lidhur me çallmë, qoftë duke i mbajtur me duar, e ngjashme me uljen pupas ose galiç.
Ikamet (الإقامة)
Thirrje me zë, më e shkurtër se ezani, që bëhet vetëm brenda xhamisë, që njofton për fillimin e menjëhershëm të faljes së namazit dhe për paraqitjen e imamit.
Ilja (إِيلِيَاء)
Emër i vjetër i qytetit të Kudsit, Jerusalemit të sotëm.
Ilk (الْعِلْك)
Materie që mbahej në gojë dhe përtypej, sikurse sot çamçakëzi.
Imam (الإِمَام)
Imami: gjuhësisht prijës. Përdoret për prijësin në namazin me xhemat, por përdoret edhe për çdo prijës tjetër, qoftë i një grupi njerëzish, qoftë i gjithë vendit; prijës në një lëmë të caktuar të diturisë, shkencës etj.
Iman (الإِيمَان)
Besimi në Allahun, melekët e Tij, Librat e zbritur, pejgamberët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe caktimin e Allahut (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq (sipas pikëpamjes sonë).
Inshallah (إِنْ شَاءَ الله)
Inshallah: në dashtë Allahu!
Inxhil (الإِنْجِيل)
Libri të cilin Allahu i Lartësuar ia zbriti Isait ﷺ, i cili është anuluar me zbritjen e Kuranit; Ungjilli.
Irdeb (إِرْدَبَّ)
Njësi matëse në Egjipt, që është përafërsisht 24 saë.
Islam (الإِسْلاَم)
Nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar me adhurim, duke i plotësuar pesë kushte themelore: shqiptimin e dëshmisë (shehadetit), faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe vizitën e Qabesë për atë që ka mundësi.
Istigfar (الاسْتَغْفَر)
Kërkimfalje Allahut.
Istihara (الاِسْتِخَارَة)
Namaz dhe lutje e veçantë që besimtari preferohet ta bëjë kur ndodhet para një vendimi të rëndësishëm ose dileme në jetën e tij, duke i falur dy rekate të zakonshme vullnetare dhe duke e lexuar lutjen përkatëse që na ka mësuar Pejgamberi ﷺ.
Ithtar i Librit (أَهْلِ الْكِتَاب)
Hebre ose i krishterë, të cilët janë ithtarë të librave të tyre: Tevratit dhe Inxhilit.
Itikaf (اعْتِكَاف)
Qëndrimi në xhami për adhurimin e Allahut me namaz, lutje, dhikër e lexim Kurani, që bëhet në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.
Izar (إِزَار)
Izar është rroba që vishet nga beli e poshtë trupit (beli dhe këmbët).
Jehab (يَهَابَ)
Jehab apo Ihab është vend në afërsi të Medinës, që gjendet kah gurishta perëndimor
Jelemlem (يَلَمْلَم)
Mikati i banorëve të Jemenit.
Jemame (الْيَمَامَة)
Krahinë që shtrihej në pjesën juglindore të Gadishullit Arabik, që përfshinte edhe kryeqytetin e sotëm të Arabisë Saudite.
Jermuk (الْيَرْمُوك)
Luginë që ndodhet mes Damaskut dhe Jordanisë, ku është zhvilluar një nga betejat historike nën komandën e Halid ibn Velidit, gjatë hilafetit të Omer ibn Hatabit, ku muslimanët triumfuan kundër ushtrisë romake.
Jethrib (يَثْرِب)
Emri i vjetër i Medinës Pejgamberike, para se të shpërngulej aty Muhamedi ﷺ.
Jexhuxh dhe mexhuxh (يَأْجُوجَ وَمَأْجُوج)
Jexhuxhët dhe mexhuxhët janë një popull i lashtë, të cilët, sipas përshkrimeve nga Libri i Allahut Dijeplotë dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, jetojnë të mbyllur diku në Tokë deri në ditën kur Allahu ka caktuar që ata të dalin në sipërfaqe të tokës, para Kiametit të Madh, ku dhe do të bëjnë dëme e shkatërrime të mëdha.
Kabë (قَبَاء)
Tunikë a veshje e sipërme me mëngë të ngushta, që vishen mbi këmishë.
Kadisije (الْقَادِسِيَّة)
Qytet historik në jugperëndim të Kufes në Irakun e vjetër, që njihet për betejën e famshme historike Beteja e Kadisijes, ku muslimanët e çliruan Persinë.
Kadum1 (الْقَدُّومِ)
Mjet që përdoret për gdhendje në zdrukthëtari.
Kadum2 (قَدُّوم)
Emër vendi, gjashtë milje në largësi prej Medinës.
Kadumi Dani (قَدُومِ الضَّأْن)
Mal (kodër) në Siujdhesën Arabe.
Kafiz (قَفِيزَ)
Njësi matëse në Irak, që është përafërsisht 12 saë, ndërsa një saë është e barabartë me katër palë grushte.
Kafur (كَافُور)
Pema e komforës.
Kaha (الْقَاحَة)
Fshat në rrethinën e Bedrit, në jugperëndim të Medinës.
Kaif (الْقَائِف)
Personi që njihte gjenealogjitë e njerëzve në bazë të ngjashmërive të tyre.
Kajnuka (قَيْنُقَاع)
Emër tregu në Medinë.
Kanat (قَنَاة)
Emër lugine në Medinë.
Kantare (قَنْطَرَة)
Kantare është vend pas Urës së Siratit, mes Xhehenemit dhe Xhenetit, ku besimtarët mblidhen për t’ia kthyer hakun njëri-tjetrit.
Kantarioni (الداذي)
Kantarioni (lat. Hypericum perforatum) është bimë barishtore me kërcell të drejtë e të degëzuar në majë dhe me lule të verdha. Në popull përdoret vaji i kantarionit, për shumë sëmundje të lëkurës.
Karadh (قَرَظ)
Gjethe që përdorej për të regjur lëkurët.
Karadhi (القرظ)
Karadhi, lat. Acacia nilotica, dru me gjemba, që rritej në gadishullin arab, ku gjethet e tij i përdornin për regjje të lëkurave.
Karn (قَرْن)
Është për qëllim mikati i banorëve të Nexhdit, Karnul Menazil.
Karnu Thealib (قَرْنِ الثَّعَالِب)
Vend në afërsi të Mekës.
Karnul Esved (القَرْن الأَسْوَد)
Kodër në afërsi të Taifit.
Karnul Menazil (قَرْنَ الْمَنَازِل)
Mikati i banorëve të Nexhdit.
Kasva (الْقَصْوَاء)
Emri i devesë së të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Kauterizim (كَيٌّ)
Djegie me hekur të skuqur me qëllim të ndaljes së rrjedhjes së gjakut ose mbylljes së damarit të prerë; e ngjashme me damkosjen.
Kebath (الكباث)
Fruta që mbin nga druri i arakut, nga rrënjët e të cilit nxirret misvaku, i ngjashëm me kulumbritë.
Kedaja (كَدَاء)
Rrafshinë e shkretë në dalje të Mekës.
Kedid (الْكَدِيد)
Burim mes Usfanit dhe Kudejdit (afër Mekës).
Kelale (الكَلَالَة)
Trashëgimia e atij që s’ka lënë as prindër, as fëmijë.
Kerm (الْكَرْم)
Kerm ishte emër që arabët e periudhës së injorancës paraislame e përdornin për rrushin, që e ka kuptimin fisnikëri e bujari. Atëbotë arabët e përdornin këtë emër për rrushin dhe për rakinë (gjegjësisht produktin e rrushit), duke pretenduar se ai që pi rakinë (alkoolin) bëhet më bujar e më dorëlëshuar, andaj kjo ishte arsyeja për të cilën Pejgamberi ﷺ ndaloi këtë emërtim.
Keuther (الكَوْثَر)
Një lumë që do t’i jepet në pronësi Pejgamberit ﷺ Ditën e Gjykimit, dy anët e të cilit janë prej margaritarëve të zgavruar, ndërsa enët rreth tij janë sa yjet në qiellin e kësaj bote.
Kiamet (الْقِيَامَة)
Dita e shkatërrimit të kësaj bote dhe fryrjes së Surit (burisë) për t’u ringjallur njerëzit dhe për të filluar gjykimi suprem para Allahut Fuqiplotë, pas së cilës një pjesë e njerëzimit shkojnë në Xhehenem e një pjesë në Xhenet.
Kible (الْقِبْلَة)
Kahu drejt të cilit kthehen muslimanët kur falin namazin, përkatësisht Qabeja e bekuar.
Kijam (الْقِيَام)
Qëndrimi në këmbë në fillim të namazit.
Kiraet (قِرَاءَت)
Mënyra e leximit të Kuranit në bazë të dallimeve në shqiptimet e fjalëve të gjuhës arabe, e mësuar prej vetë Pejgamberit ﷺ, sipas direktivave të shpalljes hyjnore.
Kirat1 (قِيرَاط)
Njësi matëse që në parim do të thotë një e dymbëdhjeta (1/12) pjesë e tërësisë. Arabët e kanë përdorur këtë fjalë për një të dymbëdhjetën e dërhemit. Kur përdoret në raste të shpërblimit aludon në një të dymbëdhjetën pjesë të tërësisë së shpërblimit të asaj vepre tek Allahu i Lartësuar, e njëjtë edhe për ndëshkimin.
Kirat2 (قِيرَاط)
Shpërblim (sevap) në sasi të kodrës së Uhudit.
Kirman (كِرْمَان)
Qytet në juglindje të Iranit.
Kisas (القِصَاص)
Ligji i barazisë në hakmarrje, sipas së drejtës juridike islame.
Kisra (كِسْرَى)
Pozita më e lartë udhëheqëse në hierarkinë e Mbretërisë Persiane.
Krozoforë ()
Bimë nënshkurre që rritet në Mesdhe, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, e cila në vise të caktuara përdoret për të prodhuar një ngjyrë të kaltër të mbylltë. Emri shkencor: Chrozophora.
Kuajkian (قُعَيْقِعَان)
Kodër në Mekë.
Kuas (قُعَاص)
Sëmundje fatale shkatërruese që godet sistemin nervor të deleve dhe dhive. Për më shumë, kërko anglisht “scrapie”.
Kuba (قُبَاء)
Mesxhidul Kuba: xhamia e parë e ndërtuar në Islam, e cila ndodhet në pjesën jugore të Medinës së Ndritshme. Themelet e saj i vendosi vula e pejgamberëve, Muhamedi ﷺ, me të arritur në Medinën e Ndritshme.
Kudejd (قُدَيْد)
Luginë e gjatë në veriperëndim të Mekës së Bekuar, në distancë prej 150km. Aty jetonin fisi huzae.
Kufe (الكُوفَة)
Qytet në Irak, i cili në të kaluarën ka qenë i njohur si qendër e diturisë dhe dijetarëve.
Kufër (كُفْرٌ)
Mosbesim, femohim.
Kuletejn (كُلَتَيْ)
Përafërsisht sa 300 litra ujë.
Kungulli i egër (الْحَنْظَلَة)
Termi shkencor: citrulius colocynthis.
Kunut (الْقُنُوت)
Lutje që bëhet në rekatin e fundit të një namazi, para se të shkohet në ruku ose sexhde, duke qëndruar në këmbë dhe duke i ngritur duart pranë gjoksit, qoftë gjatë muajit të Ramazanit, qoftë në rrethana të vështira nëpër të cilat kalojnë besimtarët.
Kurani (الْقُرْآن)
Fjala e Allahut të Madhërishëm zbritur pejgamberit Muhamed ﷺ nëpërmjet melekut Xhibril në gjuhën e pastër arabe, që fillon me suren Fatiha dhe mbaron me suren Nas.
Kurejdha (قُرَيْظَة)
Fis i hebrenjve që jetonin në Gadishullin Arabik, përkatësisht në qytetin Jethrib, i cili, më vonë, pas shpërnguljes së Pejgamberit ﷺ, u quajt Medinë.
Kurejsh (القريش)
Fis arab që banonin në Mekë, pjesëtar i të cilëve ishte edhe pejgamberi Muhamed ﷺ.
Kurfusa (الْقُرْفُصَاء)
Ulja duke i përthekuar gjunjët me duar dhe duke i afruar te gjoksi.
Kusa (قُصَّة)
Enë prej kusasë (lloj materiali).
Kërbishti (عَجْبَ الذَنَب)
Ashti i vogël në fund të boshtit kurrizor, që në anatomi njihet me termin "coccyx", prej të cilit do të mbijë sërish njeriu Ditën e Ringjalljes.
Kërkimmbrojtëse (المُعَوِّذَات)
Tri suret e fundit të Kuranit: Ihlas, Felek dhe Nas, përmes të cilave kërkohet mbrojtja e Allahut nga të këqijat e shejtanit, mëria dhe zemërligësia. Në disa raste, me suret kërkimmbrojtëse mund të jenë për qëllim vetëm dy suret e fundit.
Lahd (اللَّحْد)
Formë e hapjes së varrit, të cilën e praktikonte Pejgamberi ﷺ, ku në bazament të varrit hapet edhe një zgavër për së gjati nga ana e kibles, për të futur aty xhenazen.
Lat (الاَّت)
Idhull që ishte emëruar sipas një burri të devotshëm që kishte vdekur qëmoti, për të cilin ibn Abasi thotë: “Lati ishte një njeri që bluante grurin dhe përgatiste qull për haxhilerët.”
Ledud (اللَّدُود)
Metodë e moçme e kurimit të sëmundjeve, duke vënë ilaçin në njërën anë të gojës ose duke ia lyer qiellzën me të, ku, në shumicën e rasteve, si ilaç përdorej një preparat që bëhej prej temjanit indian dhe vajit.
Lehju Xhemel (لَحْىِ جَمَل)
Vend mes Mekës dhe Medinës.
Leun (لَوْن)
Leun: varietet hurmash, më i thjeshtë dhe më i lirë.
Lian (اللعان)
Mallkimi i ndërsjellë mes bashkëshortëve. Me fjalë të tjera, kur burri, në mungesë të provës së qartë se bashkëshortja e tij ka bërë zina dhe e ka tradhtuar në shtrat, betohet pesë herë se akuza e tij ndaj saj është e vërtetë, duke u betuar katër herë në Allahun se ajo çfarë thotë është e vërtetë, kurse herën e pestë thotë: “Mallkimi (laneti) i Allahut qoftë mbi mua nëse jam duke gënjyer!” E, në anën tjetër, edhe gruaja betohet pesë herë se akuza e burrit të saj është shpifje dhe se ajo është e pastër moralisht, duke dëshmuar katër herë se burri i saj është gënjeshtar, kurse herën e pestë thotë: “Hidhërimi i Allahut qoftë mbi mua nëse ajo çfarë thotë ai është e vërtetë!”
Lijete (لِيَّة)
Vend në afërsi të Taifit.
Limas (اللِّمَاس)
(Prekja): blerja e imponuar e një artikulli të cilin e ke prekur me dorë (pa e shikuar mirë dhe pa u bindur për kualitetin e tij). Ky lloj i shitblerjes është i trajtuar më gjerësisht në kapitullin përkatës.
Lizam (اللِزَام)
Gjëja e paevitueshme, për të cilën Buhariu mendon se bëhet fjalë për shkatërrimin. Disa kanë thënë se është për qëllim thatësia ose vrasja e idhujtarëve ditën e Bedrit, ose kapja e tyre si robër.
Lugina Akikë ([وادي] الْعَقِيق)
Njëra prej luginave më të njohura të Medinës së Ndritur, e cila gëzon një vëmendje të veçantë për shkak të lidhjes që ka pasur me jetëshkrimin e pejgamberit Muhamed ﷺ.
Magrib (الْمَغْرِب)
Magrib (perëndimi arab): kështu është quajtur pjesa veriperëndimore e Afrikës, që përfshin shtetet e sotme të Libisë, Tunisisë, Algjerisë dhe Marokut.
Mahrem (مَحْرَم)
Mahrem: çdo mashkull musliman moshërritur, psikikisht i shëndoshë, besnik, me të cilin femrës përfundimisht i ndalohet martesa në Islam, për shkak të lidhjes së gjakut, lidhjes me gjidhënie ose miqësisë (dhëndërisë).
Maruti (ماروت)
Njëri prej dy melekëve që u dërguan në Babiloni, në kohën e pejgamberit Sulejman ﷺ, si sprovë për banorët e Tokës, për t’ua mësuar magjinë njerëzve që janë të prirë nga e keqja. Kështu, secilit që paraqitej, ata i thoshin: “Vërtet ne jemi sprovë për ju, andaj mos bëni kufër (mosbesim)!” (Bekare, 102)
Medhheb (المذهب)
Medhheb (drejtim, metodologji): shkollë e veçantë e mendimit në jurisprudencën islame ose doktrinë akaidore. Në shumicën e rasteve ky term përdoret për mendimin juridik, të cilin e ka zgjedhur muxhtehidi (imami i shkollës përkatëse), që pasohet nga një popull, komunitet ose grup njerëzish. Medhhebet më të njohura janë katër: hanefi, maliki, shafi dhe hanbeli.
Medinë (الْمَدِينَة)
Qyteti në të cilin Pejgamberi ﷺ ndërtoi shtetin islam, pasi u shpërngul nga Meka, në vitin 622 gregorian, ku jetoi derisa vdiq. Më parë ky qytet quhej Jethrib.
Megafir (مَغَافِير)
Rrëshirë që kullon nga lëkura e disa drurëve gjemborë të llojit oerfota, e cila hollohet me ujë dhe pihet, por që përmban erë të rëndë.
Mehër (المهر)
Dhuratë materiale (e në raste specifike abstrakte, si mësimi i ndonjë sureje nga Kurani) që i jepet bashkëshortes me rastin e lidhjes së kontratës martesore, pa të cilën nuk plotësohet kurorëzimi. Në popull është e njohur edhe si: çejz, prikë, dhuratë paje etj. Preferohet që vlera e saj të përcaktohet sipas zakonit të vendit.
Meka (مَكَّة)
Qyteti i shenjtë i besimtarëve muslimanë, ku ndodhet Xhamia e Shenjtë - Qabeja, gjegjësisht kibla e besimtarëve (nga e cila drejtohen) gjatë namazeve të tyre, gjegjësisht vendlindja e Pejgamberit ﷺ dhe vendi ku i zbriti shpallja për herë të parë, në shpellën Hira.
Mekam (الْمَقَام)
Shkëmb i vogël pranë Qabesë, i cili ndodhet i izoluar në xham, mbi të cilin Ibrahimi ﷺ kishte hipur gjatë ndërtimit të Qabesë, gjurmët e shputave të të cilit ende shihen qartë mbi të.
Mekamu mahmud (الْمَقَامُ المَحْمُود)
Pozita e lavdëruar që do t’i jepet pejgamberit Muhamed ﷺ në Ditën e Gjykimit për të ndërmjetësuar tek Allahu Fuqiplotë që të fillojë gjykimi i krijesave.
Melekë (الْمَلاَئِكَة )
Krijesa prej drite, pa gjini, të cilat nuk mund të shihen me sy, të krijuara nga Allahu i Lartësuar enkas për të qenë robër të Tij të bindur e të dëgjueshëm, të cilat asnjëherë nuk e kundërshtojnë urdhrin e Allahut.
Menasie (الْمَنَاصِعِ)
Vend i njohur në Medinë.
Menat (مَنَاة)
Idhull që ishte adhuruar në kohën e injorancës paraislame në Mekë, që ishte trashëguar nga të parët e tyre idhujtarë.
Merr Dhahrani (مَرِّ الظَّهْرَان)
Emër lugine që ekziston edhe sot pranë Tuhames, e cila fillon shtrirjen e saj në afërsi të qytetit të Taifit, për të mbaruar diku mes qyteteve të Xhides dhe Mekës. Njihet edhe me emrat: “Lugina e Fatimes” dhe “Bahra”. Shquhet me tokë të pëlleshme dhe ujëra të bollshme, saqë në vitin 1405h. aty është ndërtuar edhe Penda e Luginës së Fatimes.
Merve (الْمَرْوَة)
Njëra prej dy kodrinave që ndodhen përskaj Qabesë së bekuar, ku bëhet ecja prej njërës te tjetra, që është njëra prej ritualeve të haxhit dhe umres, që simbolizon ecjen e Haxheres, gruas së Ibrahimit ﷺ, kur erdhi në Mekë për herë të parë me të birin Ismailin ﷺ foshnjë.
Mesihu Dexhal (مسيح الدَّجَّال)
Shih “Dexhalli”.
Meste (الْخُف)
Të mbathurat që vishen për ta kursyer besimtarin nga larja e vazhdueshme e këmbëve kur merr abdes, duke u mjaftuar me mes’h (përshkimin e duarve të lagura) mbi to. Ato mund të jenë çorape të lëkurës enkas për këtë gjë, ose çorapë të zakonshme. Pas përdorimit (mes’hit) të parë, afati i mesteve është një ditë e një natë për vendasin dhe tri ditë e tri net për udhëtarin.
Mesxhidul Aksa (الْمَسْجِدِ الأَقْصَى)
Xhamia e Shenjtë Aksa, që ndodhet në Palestinë, Jerusalem, njëherazi xhamia e tretë e shenjtë për muslimanët, pas Qabesë dhe Xhamisë së Pejgamberit ﷺ, për të cilën Pejgamberi ﷺ tha se namazi në të vlen sa pesëqind namaze diku tjetër, përveç Qabesë dhe Xhamisë së tij ﷺ.
Mesxhidul Haram (الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ)
Qabeja e bekuar, gjegjësisht xhamia e shenjtë (haram).
Mes’h (المْسَح)
Kuptimi gjuhësor: fshirje, përshkim i dorës nëpër një gjë, prekje. Kuptimi sheriatik: lagia e pjesës së sipërme të çorapeve, duke përshkuar duart e lagura me ujë të abdesit mbi to, pas larjes së gjymtyrëve të tjera me radhë, si lehtësim për të mos i zbathur çorapet pasi më parë t’i kesh mbathur duke i pasur të pastra dhe me abdes.
Metras (مَتْرَسْ)
Metras: frazë e gjuhës persiane që do të thotë: mos u frikëso.
Mexhusë (مَجُوس)
Kështu quhen adhuruesit e zjarrit, të cilët pretendojnë se bota ka dy burime të krijimit: dritën dhe errësirën. Me te drejtë është thënë se mexhusët janë “nexhusë”, që në gjuhën arabe do të thotë të ndyrë, për shkak se ata përdorin edhe ndyrësira për t’i kryer ritualet e tyre fetare.
Mihraf (مِخْرَاف)
Kopsht në Medinë.
Mikail (مِيكَائِيل)
Mikaili është njëri prej melekëve më të afërt të Allahut të Lartësuar, i përmendur në Kuran dhe në hadithe, i cili është i ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së shiut dhe begative që mbijnë në tokë për gjallesat, pra, për furnizimin e tyre.
Mikat (الميقات)
Vendi ose pikënisja prej ku haxhiu hyn në ihram dhe e fillon haxhin ose umren.
Mina (مِنى)
Vend pranë Mekës, ku haxhilerët bujnë dy-tri net me radhë, prej nga nisen për t’i hedhur guralecët në xhemerate. Gjithashtu preferohet që në Mina të shkohet edhe ditën e tetë të dhul hixhes, një ditë para ngjitjes në Kodrën e Arafatit.
Minber (الْمِنْبَر)
Vend i ngritur si podium i vogël, përafërsisht në lartësi të tri shkallëve të zakonshme, ose më shumë, ku hipën imami për ta mbajtur ligjëratën (hutben) e xhumasë.
Mindil (مندِيل)
Copë pëlhure katërkëndëshe për të fshirë hundët, djersën etj.; shami dore.
Miraxh (الْمِعْرَاجِ)
Ngritja e Pejgamberit ﷺ gjatë natës prej Xhamisë së Shenjtë Aksa në Jerusalem deri në qiellin e shtatë, ku Allahu i Lartësuar ia shpalli si obligim pesë kohët e namazit, me shpërblim të pesëdhjetë të tillave.
Misvak - sivak (السِّوَاك)
Copëza të shkëputura nga rrënjët e një druri të veçantë, të cilat përdoren për pastrimin e dhëmbëve. Shih edhe “Araku”.
Mithera (الْمِيثَرَة)
Shtrojë mëndafshi, ndërsa shumësi i kësaj fjale është mejathir.
Mithkal (مِثقَال)
Mithkal ishte monedhë e asaj kohe, që kapte vlerën një dërhem e gjysmë.
Mixhene (مِجَنَّة)
Emër pusi që ndodhej në afërsi të Mekës.
Mud (الْمُدّ)
Enë që në kohën e Pejgamberit ﷺ përdorej ndër arabë për të matur ose vendosur ushqim. Katër mudë barazohen me një saë, i cili korrespondon me tri litra. Te medhhebi Hanefi, një mud korrespondon me 950 gramë, kurse te pjesa dërrmuese e dijetarëve korrespondon me 543 gramë.
Mudarr (مُضَر)
Emër fisi arab që ka marrë emrin nga Mudarri, gjyshi i shtatëmbëdhjetë i Pejgamberit ﷺ, që i përket lozës së Adnanit. Jetonin në pjesën lindore të Hixhazit.
Mufesal (الْمُفَصَّل)
Pjesa e fundit e Kuranit, që fillon prej sures Kaf deri në suren e fundit.
Muhabere (الْمُخَابَرَة)
Muhabere është dhënia e arës me qira në këmbim të një pjese të produkteve që dalin nga ajo arë.
Muhadare (الْمُخَاضَرَة)
Muhadare është shitja e drithërave të njoma, para se t’u shfaqen shenjat se janë të shëndosha.
Muhakale (الْمُحَاقَلَة)
Muhakale është shitja e drithërave të deponuara (duke i këmbyer) me të njoma.
Muhames (الْمُخَمَّص)
Luginë afër kodrës Irë, në rrethinë të Medinës.
Muhaneth (مُخَنَّث)
Burrë me cilësi femrash; tip femre.
Muharib (مُحَارِب)
Emër fisi arab.
Muharrem (الْمُحَرَّم)
Muaji i parë sipas hixhretit, gjegjësisht njëri prej katër muajve të shenjtë në Islam.
Muhasab (الْمُحَصَّب)
Emër vendi mes Mekës dhe Minas.
Muhaxhirë (الْمُهَاجِر)
Muslimanët që ishin shpërngulur në Medinë dhe kishin vazhduar atje jetën e tyre në Islam bashkë me Pejgamberin ﷺ. Pasi fituan epitetin e muhaxhirit, atyre nuk iu lejua më të ktheheshin në vendlindjen (atdheun) e tyre, në Mekë, ose cilido vend tjetër qoftë.
Muhkem (الْمُحْكَم)
Muhkem quhen ato ajete të Kuranit të cilat janë të qarta dhe kuptohen drejtpërdrejt, nuk lënë hapësirë për ndonjë kuptim të dytë dhe janë të mëvetësishme, nuk kanë nevojë për shpjegime shtesë. Të kundërtat e këtyre ajeteve janë ajetet që quhen “muteshabih”.
Muhrim (الْمُحْرِم)
Ai që e ka bërë nijetin për të kryer haxh ose umre, ka shqiptuar telbijen, ka veshur ihramët dhe për të cilin hyjnë në fuqi disa ndalesa fetare.
Mulamese (الْمُلاَمَسَة)
Kështu quhet blerja e imponuar e një artikulli të prekur me dorë, pa zgjedhur e pa verifikuar fare artikullin paraprakisht.
Multezem (المُلْتَزَم)
Multezemi është pjesa e Qabesë mes Gurit të Zi dhe derës së Qabesë.
Munabedhe (الْمُنَابَذَة)
Është blerje e imponuar nëpërmjet hedhjes së guralecëve, pa zgjedhur e pa verifikuar fare artikullin paraprakisht.
Munavele (الْمُنَاوَلَة)
Kjo mënyrë e transmetimit të hadithit bëhet kur transmetuesi ia ofron nxënësit të tij dorëshkrimin në të cilin i ka mbledhur hadithet që i ka dëgjuar nga të tjerët duke i dhënë leje të plotë në transmetimin e tyre.
Mursel (مُرْسَل)
Kur tabiini transmeton drejtpërdrejt nga Pejgamberi ﷺ duke e tejkaluar sahabiun që e përcjell tek ai nga Pejgamberi ﷺ. I tejkaluar.
Mushelel (الْمُشَلَّل)
Kodër midis Mekës dhe Medinës, prej së cilës zbritet në vendin e quajtur Kudejd. Kudejdi është luginë në rajonin e Mekës së Bekuar, gjegjësisht 150km larg Mekës.
Musht (نَبِيذ)
Lëngu i rrushit të pjekur para se të tharmëtohet a të bëhet verë; lëngu që nxjerrim prej mollës e prej pemësh të tjera kur i shtypim; lëng rrushi, manash etj., i zier e i trashur si pekmez. Musht i ëmbël. Musht rrushi (mollësh). Shkumon mushti. Pi musht. Gushti me rrushin, vjeshta me mushtin.
Musliman (الْمُسْلِم)
Gjuhësisht musliman do të thotë i nënshtruar, i dorëzuar, kurse në terminologjinë islame musliman quhet personi që ka pranuar fenë islame, duke shqiptuar me gojë dëshminë (shehadetin) dhe duke iu nënshtruar me gjymtyrë dispozitave të Islamit, siç janë: namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi.
Mus’haf (الْمُصْحَف)
Me këtë emër quhet çdo kopje e Kuranit fisnik në gjuhën arabe. Kjo, se Kurani është vetë Fjala e Allahut, ndërsa mus’hafi është libri fizik (i prekshëm) në të cilin është shkruar Fjala e Allahut, të cilin ne e mbajmë në dorë dhe e lexojmë.
Mut'a (مُتْعَة)
Kurorëzimi mut’a: akt kurorëzimi për një kohë të caktuar, me një çmim të caktuar, pa dëshmitarë e pa trashëgimi që, sipas sheriatit islam, nuk pranohet si kurorëzim legjitim e as quhet martesë.
Muxhahid (الْمُجَاهِد)
Ai i cili ka dalë për të luftuar për hir të Allahut, me qëllim që Fjala e Allahut të jetë më e larta dhe triumfuese në Tokë.
Muzabene (الْمُزَابَنَة)
Shitja e hurmave të thata (duke i këmbyer) me të njoma në sasi të njëjtë, si dhe shitja e rrushit të thatë me atë të njomë në sasi të njëjtë.
Muzdelife (الْمُزْدَلِفَة)
Vendqëndrimi i haxhilerëve pas zbritjes nga Arafati, gjatë ritualit të haxhit, ku ndalen për të bujtur dhe për të pushuar, pastaj falin namazin e sabahut, për të vazhduar tutje me veprat e tjera të haxhit.
Myezin (المُؤَذِّن)
Personi që e thërret ezanin pesë herë në ditë, sapo të hyjë koha e faljes së namazit përkatës.
Myshku (مِسْك)
Lëndë me erë të këndshme, që nxirret nga gjëndra e mashkullit të një lloj dreri ose nga drunjtë dhe bimët aromatike, për t’u përdorur si parfum; misk.
Nafile (النفل)
Vepër vullnetare (shtesë), nga lloji i veprave obligative, prej adhurimeve ose marrëdhënieve të shitblerjes (muamelat), por që kryesisht si shprehje përdoret më shumë për adhurime (ibadete).
Nahb (نَخْب)
Luginë në Taif.
Nahr (النَّحْر)
Fjalë që, nëse përdoret e vetme, ka për qëllim therjen e kafshës për kurban, e, nëse përdoret për të dalluar llojin e therjes, atëherë është për qëllim therja e devesë, sepse dallon mënyra e therjes së saj nga therja (dhebh) e bagëtive të tjera.
Namaz (الصَّلَاة)
Falja që bëhet pesë herë në ditë, si obligim për çdo moshërritur, sipas dispozitave të përcaktuara me hadithet e Pejgamberit ﷺ, i cili ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur!”
Namus (الناموس)
Emri i melekut Xhibril që është përmendur në Inxhil. (Buhariu ka thënë:) Namusi është ai të cilit i është besuar një e fshehtë, tek e cila nuk kanë qasje të tjerët.
Nasibin (نَصِيبِين)
Vendbanim në Gadishullin Arabik.
Nata e Kadrit (لَيْلَةَ الْقَدْر)
Njëra nga dhjetë netët e fundit tek të muajit Ramazan, e cila shpresohet të jetë nata kur ka zbritur Kurani. Për të Allahu ka zbritur një sure të Kuranit, suren Kadër. Kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj dhe tokën atë natë e mbulojnë melekët.
Nekir (النَّقِير)
Enë në të cilën përgatitej alkooli.
Nekië1 (النَّقِيع)
Kullosë në afërsi të Medinës.
Nekië2 (النَّقِيعِ2)
Lëng hurmash të njoma, që rrinë në ujë.
Nepërkë (الشجاع الأقرع)
Nepërka me brirë e Saharës: lloj i gjarpërinjve me dy brirë të vegjël mbi sy, që është ndër gjarpërinjtë më të zakonshëm në Afrikën e Veriut dhe Lindjes së Mesme, në viset shkretinore. Emri shkencor: cerastes.
Nexhd (نَجْد)
Nexhd quhej pjesa lindore e vendeve islame, ashtu që, për banorët e Medinës, Nexhd quheshin viset rurale në pjesën e Irakut e gjetiu.
Nibadhi (النِّبَاذ)
Nibadh është blerje e imponuar nëpërmjet hedhjes së guralecëve, pa e zgjedhur dhe pa e verifikuar fare artikullin paraprakisht.
Nigella sativa - fara e zezë (الشُّونِيز)
Nigella është emri shkencor i familjes së bimës, prej së cilës merret fara e zezë, ndërsa emri i po së njëjtës bimë, brenda kësaj familjeje, është nigella sativa.
Parablerja (الشُّفْعَة)
Përparësia e ortakut në blerjen e hises së ortakut të vet, para se atë hise të ketë të drejtë ta blejë dikush tjetër.
Pejgamber (النَّبِيُّ)
Njeri i zgjedhur nga Allahu për të përhapur fenë e Tij në Tokë, herë i përkrahur me Libër të shenjtë të zbritur nga Allahu i Lartësuar, herë i dërguar për të vazhduar misionin e të dërguarve që ishin para tij. Të gjithë pejgamberët janë dërguar enkas për popujt e tyre, përveç Muhamedit ﷺ, i cili është dërguar për gjithë njerëzimin. Nëse fjala “Pejgamberi” përmendet në numrin njëjës, në trajtën e shquar dhe me shkronjë të madhe, atëherë është për qëllim Muhamedi ﷺ.
Plejadë (الثريا)
Plejada është një grup yjesh që fillon të shfaqet në fillim të verës, në kohën e agimit.
Qabe (الكعبة)
Xhamia e shenjtë e besimtarëve muslimanë dhe kibla drejt së cilës ata falen, anembanë botës, e ndërtuar nga Ibrahimi ﷺ dhe i biri i tij, Ismaili. Ndërkaq, kryerja e haxhit në të është një nga pesë shtyllat e Islamit për çdo besimtar, një herë në jetë, nëse ka mundësi materiale.
Qafir (كَافِر)
Femohues, jobesimtar.
Rabedhe (الرَّبَذَة)
Vend shkretinor mes Mekës dhe Medinës.
Rafidij (رَافِضِيٌّ)
Rafidij: "Ai që i përket sektit rafida
Ramazani (رَمَضَان)
Muaji i nëntë sipas llogaritjes hënore, në të cilin ka zbritur Kurani dhe që është bërë obligim për muslimanët që ta agjërojnë, duke plotësuar kështu njërin prej pesë kushteve të Islamit; muaj në të cilin prangosen shejtanët dhe zbret mëshira e Allahut mbi besimtarët.
Rejan (الرَّيَّان)
Porta e agjëruesve, gjegjësisht njëra nga tetë portat e Xhenetit.
Rekat (الركعة)
Një cikël i plotë i lutjeve, lëvizjeve dhe pozitave gjatë namazit, që fillon me tekbir, vazhdon me qëndrim në këmbë, pastaj përkulje (rukuë) dhe mbaron me dy sexhde, mes të cilave ka lutje. Namazi mund të ketë 1, 2, 3 ose 4 rekate.
Rexheb (رَجَب)
Muaji i shtatë hënor (hixhri), i cili është njëri nga katër muajt e shenjtë në Islam.
Rida (رِدَاء)
Rida është rroba që mbulon trupin nga supet deri te beli.
Ridvan (الرُّضْوَان)
Ridvan u quajt besa që besimtarët i dhanë Pejgamberit ﷺ në Hudejbije për t'i luftuar idhujtarët e Mekës, pas përhapjes së lajmit se idhujtarët paskëshin vrarë Othman ibn Afanin, i cili ishte futur në Mekë në besë, për t'i lajmëruar idhujtarët se Pejgamberi ﷺ ishte nisur drejt Mekës për të kryer umren. Thuhet se nën këtë pemë ia dhanë besën një mijë e katërqind sahabë për të dhënë jetën me të.
Ritël (رِطْل)
Një ritël korrespondon me një mud e një e katërta, përafërsisht.
Riël (رِعْل)
Emër familjeje nga fisi benu sulejm.
Rukbe (الرُّقْبَى)
Rukba nënkupton kur dikush e jep shtëpinë për shfrytëzim, duke kushtëzuar që, nëse pronari vdes para banuesit, atëherë shtëpia i mbetet banuesit, e, nëse banuesi vdes para pronarit, shtëpia i kthehet pronarit.
Rukje (رُقْيَة)
Leximi i ajeteve të Kuranit ose lutjeve (duave) pejgamberike, duke fryrë në vendin ku ankon i sëmuri ose duke fryrë në shuplakat e duarve e pastaj duke e fërkuar trupin me to. Rukja është metodë e shërimit për shumë sëmundje.
Rukuja (الركوع)
Përkulja që bëhet në namaz menjëherë pasi të lexohet surja Fatiha dhe një sure pas saj, ku, pasi të thuhet “Allahu Ekber”, përkulet duke formuar këndin e drejtë me shpinën e këmbët e tij dhe qëndron në atë formë derisa të thotë: “Subhane rabijel adhim”.
Ruma (رُومَة)
Njihet si pusi Ruma dhe këtë emër e ka marrë nga sahabiu i ndershëm Ruma Gifar Kinaniu, por njihet edhe si Pusi i Othmanit. Vendndodhja e tij në Medinën e Ndritshme dihet edhe sot: është afër Mesxhidul Kibletejn (Xhamisë me Dy Kible).
Ruvejtha (الرُّوَيْثَة)
Fshat i vogël në afërsi të Medinës.
Sabir (صَبِر)
Lëng i thatë që nxirret nga një pemë e hidhët, që, pasi të përzihet me ujë, përdoret për t’i kuruar sytë me të.
Sadaka (صَدَقَة)
Lëmosha me të cilën robi i Allahut shpreson dhe llogarit në shpërblimin e Allahut për të në botën tjetër.
Sadani (السَّعْدَان)
Lloj peme gjembore.
Saf (الصَّف)
Rreshti: kryesisht është për qëllim rreshti i atyre që janë duke u falur me xhemat (bashkësi), por është përdorur edhe në aspektin luftarak, kur ushtarët rreshtohen përballë armikut.
Safa (الصَّفَا)
Njëra prej dy kodrinave që ndodhen përskaj Qabesë së Bekuar, ku bëhet ecja prej njërës te tjetra, një prej ritualeve të haxhit dhe umres, që simbolizon ecjen e Haxheres, gruas së Ibrahimit ﷺ, kur erdhi në Mekë për herë të parë me të birin foshnjë, Ismailin.
Safer (صَفَر)
Safer: kështu quhej një lloj gjarpri për të cilin pretendohej se futej në bark dhe gjoja se, kur njeriun e kaplonte uria, i shkaktonte dhimbje, ndonëse Safer quhet edhe muaji i dytë sipas hixhretit.
Sahab (الصحابي)
Çdo musliman që e ka takuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qenë besimtar në shpalljen e tij dhe ka vdekur në atë gjendje.
Saibe (السَّائِبَة)
Saibe: deveja që dikush e linte për idhuj, në rast zotimi, dhe pas kësaj nuk përdorej më për bartje.
Salavate (الصَّلَوَات)
Të dërgosh (të dedikosh) lutjet dhe përshëndetjet për Pejgamberin ﷺ, familjen dhe shokët e tij, qoftë në namaz, qoftë jashtë tij. Forma më e thjeshtë është të thuhet: “Allahume sali ve selim ala nebijina Muhamed.”
Sana (صَنْعَاء)
Sanaja e Vjetër ishte qytet i rrethuar me mure, kishte shtatë porta, nga të cilat kishte mbetur vetëm Porta e Jemenit. Është një nga ato qytete të lashta të banuara vazhdimisht, të paktën nga shekulli i pestë para erës sonë. Ajo u bë një kryeqytet i përkohshëm i Mbretërisë së Sebës në shekullin e parë pas erës sonë, pasi familjet nga fisi hamedan rivendosën fronin Sabean nga himaritët. Edhe sot qyteti mban këtë emër dhe zyrtarisht është kryeqyteti i Jemenit.
Sandale sebtije (النِّعَالُ السِّبْتِيَّة)
Lloj sandalesh prej lëkurës së regjur pa qime.
Saë (الصَّاع)
Enë që përdorej si njësi matëse për drithë, vëllimi i së cilës ishte sa katër palë grushte të mbushura, që sot mund të përafrohet me vëllimin prej 3 litrash.
Sed Revha (سَدَّ الرَّوْحَاء)
Vendbanim që ndodhej në juglindje të Themedit, i cili ndodhet pranë Hajberit.
Sed Sahba (سَدُّ الصَّهْبَاء)
Vend mes Medinës e Hajberit.
Sehël (سَهْل)
Lehtësim, i lehtë.
Selam (السَّلاَم)
Selam: paqja, shpëtimi dhe siguria nga ana e Allahut të Lartësuar; alejkum: qoftë mbi ju!
Selem (السَّلَم)
Parapagim, që ka për qëllim shitblerjen e një produkti, ku pagesa kryhet në momentin e kontraktimit, ndërsa produkti dorëzohet më vonë.
Selsebil (سَلْسَبِيلا)
Pije e ëmbël e banorëve të Xhenetit, e cila depërton me lehtësinë më të madhe nëpër fyt, të cilën Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kuran si gosti për besimtarët në Xhenet.
Selë (سَلْع)
Emër kodre në Medinë.
Sened (السَّنَد)
Zinxhiri që përmban të gjithë emrat e transmetuesve që e tregojnë hadithin prej Pejgamberit ﷺ deri te gjeneratat e mëvonshme.
Seneh (سَنَهْ)
Në gjuhën etiopase atëbotë e kishte kuptimin: e bukur.
Seref (سَرَف)
Vend që ndodhet përafërsisht 10km larg Mekës.
Sexhade (الْخُمْرَة)
Shtrojë e vogël në formë katërkëndëshe si qilim, që përdoret për të falur namazin në të.
Sexhde (السَجدة)
Vënia e ballit dhe hundës në tokë gjatë namazit, bashkë me dy shuplakat e duarve, dy gjunjët dhe majat e dy shputave të këmbëve, duke shqiptuar fjalët: “Subhane rabijel ala”, ose jashtë namazit, bie fjala, sexhdeja e leximit të Kuranit (tilave) ose sexhdeja e falënderimit (shukrit).
Shaban (شَعْبَان)
Muaji i tetë sipas hixhretit.
Sham (الشَّام)
Regjion gjeografik relativisht i madh në vendet arabe që shtrihet në shtetet e sotme të Sirisë, Jordanisë, Libanit dhe Palestinës. Pejgamberi ﷺ e ka lavdëruar Shamin në shumë hadithe dhe njihet si vend i dijes, ku kanë jetuar e vepruar shumë kolosë të dijes në botën islame.
Shame (شَامَة)
Kodër afër Mekës.
Shefat (الشَّفَاعَة)
Ndërmjetësimi i Pejgamberit ﷺ Ditën e Gjykimit, fillimisht për të filluar gjykimi i njerëzimit para Allahut të Lartësuar, pastaj për t’i shpëtuar nga Zjarri ata që e kanë merituar atë me gjynahet e tyre, si dhe për t’i nxjerrë prej Zjarrit ata që kanë rënë në të prej besimtarëve gjynahqarë dhe gjithë kjo bëhet pasi Allahu t’ia ketë lejuar këtë të Dërguarit të Tij ﷺ fillimisht dhe pasi të ketë caktuar se cilët do të jenë ata besimtarë për të cilët do të ndërmjetësohet.
Shehid (الشَّهِيد)
Luftëtari musliman që vdes duke mbrojtur Islamin dhe për të ngritur lart Fjalën e Allahut, i cili në Ditën e Gjykimit ngjallet me plagët që i pikojnë, si dëshmi që ka sakrifikuar jetën e tij për fenë e Allahut.
Shejtan (الشَّيْطَان)
Fjala “shejtan” në gjuhën arabe aludon në dikë që është shmangur dhe është larguar nga haku (e vërteta), kurse në terminologjinë sheriatike me të është për qëllim krijesa që është krijuar prej zjarrit, e padukshme për njerëzit (ndonëse ai mund t’i shohë ata), i cili është rebeluar ndaj Allahut, rrjedhimisht Allahu Fuqiplotë e ka larguar atë përgjithmonë nga Mëshira e Tij. Mu për këtë, shkaku i vetëm i ekzistimit të shejtanit në këtë botë është devijimi i njerëzve nga rruga e drejtë, përveç atyre që i kanë besuar Allahut dhe i janë mbështetur vetëm Atij.
Shemla (الشَّمْلَة)
Veshje prej leshi për t’u mbështjellë me të.
Sheref (الشَّرَف)
Vendbanim që ndodhet rreth 200 (dyqind) km larg Medinës.
Sheval (شَوَّال)
Muaji pas Ramazanit, sipas kalendarit islam. Pra, muaji i dhjetë me radhë, gjegjësisht muaj në të cilin bie Bajrami i Fitrit, në tri ditët e para të tij.
Shiar (شِعَار)
Rroba e brendshme që e prek trupin, që, nëse përdoret në mënyrë alegorike, aludon afërsinë e diçkaje.
Shigar (الشِّغَار)
Shigar: kur dikush dëshiron ta martojë vajzën a motrën me dikë, me kusht që ai ta martojë vajzën a motrën e tij me të, pa u dhënë mehër nuseve.
Shirk (الشْرِكُ)
Shirk quhet çdo vepër që sjell barazim të dikujt me Allahun në adhurim, duke filluar nga adhurimi i idhujve klasikë deri te konsiderimi i diçkaje të barabartë me Allahun në fuqi, shikim, dëgjim, përgjigje të lutjeve, e cilësi të tjera, në të cilat askush s’mund t’i bëjë rivalitet Allahut. Shirku është mëkati që Allahu nuk e fal kurrë, ndërsa gjynahet më të vogla se ai ua fal atyre që do.
Shtatëshja e përsëritur (السَّبْعُ الْمَثَانِي)
Një prej emrave të sures Fatiha.
Sidretul Munteha (سِدْرَةِ الْمُنْتَهَى)
Ajo është pema tek e cila u ndal Pejgamberi ﷺ me Xhibrilin ﷺ gjatë ngritjes së tij në Qiell (Isra dhe Miraxh), e cila ndodhet në anën e djathtë të Arshit të Allahut, në qiellin e shtatë, e cila njëkohësisht është pika më e lartë ku mbaron bota e melekëve.
Sidër (السِّدْر)
Emri i kësaj bime në gjuhën shqipe është hidje ose xinxife, kurse fruta e saj quhet arrç ose pjerëz; emri shkencor: ziziphus spina-christi.
Sifin (صِفِّين)
Beteja që u zhvillua në Sham, midis ushtrisë së halifit të katërt të muslimanëve, Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe Muaviut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), si kundërshtar i tij, përafërsisht në qytetin Raka në Sirinë e sotme, në vitin 37 sipas hixhretit.
Sihër - sehire (السِّحْرِ)
Magji që njerëzit dashakëqij e smirëzinj u bëjnë njerëzve të tjerë, në bashkëpunim me shejtanët, për t’u shkaktuar trazira në jetën e tyre. Prej sehireve më të përhapura, të cilën Allahu i Lartësuar e ka përmendur edhe në Kuran, është magjia për t’i ndarë bashkëshortët nga njëri-tjetri; por gjithmonë ndodh vetëm ajo që Allahu Fuqiplotë e ka caktuar, as më pak, as më shumë.
Sirar (صِرَار)
Vend në rrethinë të Medinës.
Sirat (الصِّرَاط)
Sirat në kuptimin gjuhësor do të thotë rrugë, udhë, shteg ose drejtim, kurse në kuptimin terminologjik, në Islam, është për qëllim ura e vendosur mbi Xhehenem, nëpër të cilën duhet të kalojnë besimtarët për t’u futur në Xhenet. Ndërkaq, në suren Fatiha e ka kuptimin e rrugës - udhës metodologjike dhe shpirtërore nëpër të cilën ecën besimtari në këtë botë, e cila cepin tjetër e ka në Xhenet.
Sixhistan (سِجِسْتَان)
Qytet që sot ndodhet në pjesën lindore të Iranit, ndërsa një pjesë e tij prek jugun e Afganistanit të sotëm.
Subhanallah (سُبْحَانَ اللَّهِ)
I Lartësuar qoftë Allahu!
Sufe (الصُّفَّة)
Banorë të sufes quheshin sahabët që ishin të varfër, të pastrehë e pa familje, të cilët ishin vendosur në pjesën e fundme të Xhamisë së Pejgamberit ﷺ, ku ndodhej një strehë nën të cilën rrinin dhe flinin, e cila quhej “sufe” në gjuhën arabe.
Sukja (السُّقْيَا)
Fshat mes Mekës dhe Medinës.
Sunet (السُنَّة)
Me fjalën Sunet është për qëllim tradita e Pejgamberit ﷺ, qoftë ajo fjalë, vepër ose miratim, qoftë diçka që është përcjellë te ne nga sira (jetëshkrimi) i Pejgamberit ﷺ, si: gjërat që kanë të bëjnë me cilësitë e Pejgamberit ﷺ, pamja dhe sjelljet e tij. Fjala sunet gjithashtu nënkupton veprat vullnetare, bie fjala, namazet që falen përveç farzeve ose veprat e tjera që nuk janë të obligueshme, si: leximi i Kuranit, sadakaja, bamirësia ndaj të vobektëve, përkujdesja për jetimin etj.
Sunh (السُّنْحِ)
Vendi ku banonte bashkëshortja e Ebu Bekrit, bija e Harixhe Ensariut, gjegjësisht vendbanimet e fisit benu harithe në Medinë.
Sur (الصُّور)
Boria, së cilës i fryn meleku Israfil ditën kur do të ndodhë Kiameti, për t’u ringjallur njerëzit, zgavra e së cilës përfshin qiejt dhe Tokën.
Sure (السُورَة)
Një njësi, kaptinë, nga Kurani fisnik. Kurani ka gjithsej 114 (njëqind e katërmbëdhjetë) sure.
Surjanishte (السُّرْيَانِيَّة)
Gjuha që flitej nga banorët e vendit të quajtur Surjan.
Sutra (السُتْرَة)
Objekt që vendoset para atij që është duke falur namaz, qoftë sa një shalë, qoftë më i lartë, për të penguar njerëzit që lëvizin rreth e përqark nga ecja para tij gjatë namazit.
Tabiinë (التَّابِعِي)
Personi që nuk e ka takuar të Dërguarin ﷺ por i ka takuar shokët e tij dhe ka vdekur si musliman.
Tafil (طَفِيل)
Kodër afër Mekës.
Tahin (تَعْهِن)
Burim uji që ndodhet tri milje larg Sukjes, në rrugën për Mekë.
Tahmid (التحميد)
Përmendja e Allahut duke thënë: “Elhamdulilah!”, që do të thotë: të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut!
Taif (الطَّائِف)
Qytet në afërsi të Mekës së shenjtë, në pjesën lindore të saj, në distancë prej përafërsisht 75km. Shquhet me klimë të mirë dhe vise malore që kalojnë 1700m lartësi mbidetare.
Tarfa (الطَّرْفَاء)
Tarfa është druri prej të cilit u ndërtua minberi i Pejgamberit ﷺ, që shkencërisht i referohen me emrin tamarix ose tamarisk.
Tartuf (الْكَمْأَةُ)
Tartufi është pjesa frutore e kërpudhës ascomycete, një nga shumë llojet e kërpudhave tuber. Tartufi futet në familjen e kërpudhave ectomycorrhizale dhe gjenden zakonisht në afërsi të rrënjëve të pemëve. Disa prej llojeve të tartufit janë shumë të kushtueshme në tregun ushqimor.
Tavaf (الطَّوَاف)
Gjuhësisht e ka kuptimin ecje rreth e rrotull një gjëje, kurse në sheriat quhet ecja shtatë herë rreth e rrotull Qabesë, pa ndërprerje afatgjatë, në drejtim të kundërt me akrepat e orës, si adhurim ndaj Zotit të Madhërishëm, qoftë si njësi e ritualeve të haxhit e umres, qoftë si adhurim më vete.
Tebale (تَبَالَةَ)
Fshat mes Taifit dhe Jemenit.
Tebuk (تَبُوك)
Sot qyteti Tebuk ndodhet në anën veriperëndimore të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 116km2, nga kufijtë e Mbretërisë Hashimite të Jordanisë në veri deri në brigjet e Detit të Kuq. Ajo ndodhet rreth 700km larg Medinës së Ndritshme nga veriu, dhe rreth 500km larg Hajberit.
Tedlis (تَدْلِيس)
Tedlis: kur një transmetues përcjell nga një transmetues tjetër të cilin e ka takuar, ka qenë kohanik i tij dhe ka marrë e ka dëgjuar hadithe nga ai, porse, në këtë rast, ka transmetuar prej tij një hadith që nuk e ka dëgjuar prej tij, por prej dikujt tjetër që e ka marrë nga ai, qoftë prej atyre që konsiderohen të besueshëm, qofshin të tjerë.
Tehlil (يُهَلِّل)
Tehlil quhet shqiptimi i dëshmisë se s’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, dhe ka dy versione: atë të shkurtër: thënia e fjalëve “la ilahe ilallah”, dhe atë të gjatë: “la ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin Kadir”.
Tejemum (التَّيَمُّم)
Zëvendësim për abdesin në rast të mungesës së ujit. Mënyra e kryerjes së tejemumit është si në vijim: themi “Bismilah”, i mëshojmë dheut me dy shuplakat e duarve, me të cilat e fërkojmë fytyrën fillimisht e pastaj edhe shpinën e duarve, të djathtën dhe të majtën.
Tejma (تَيْمَاء)
Tejma ndodhet në pjesën veriperëndimore të Gadishullit Arabik, konkretisht në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe është rreth 264km larg nga qyteti i Tabukut nga ana juglindore, po ashtu, është rreth 400km larg Medinës nga ana veriore, ndërsa sipërfaqja e saj është afërsisht 9.5km2.
Tekbir (التكبير)
Thënia: “Allahu Ekber”, që do të thotë: Allahu është më i Madhi.
Telbije (التَّلْبِيَة)
Fjalët: “Lebejke Allahume! - O Allah, t’u përgjigja!”, që thuhet në fillim të ritualit të umres dhe haxhit, me të cilën vazhdohet të përmendet Allahu derisa të mbarojë umreja ose haxhi. Telbija e përgjithshme: “Lebejke Allahume lebejk! Lebejke la sherike leke lebejk! Inel hamde, ve nimete, leke, vel mulk, la sherike lek!”
Telbine (التَّلْبِينَة)
Ushqim i lëngshëm si qull që përgatitet me miell elbi, qumësht dhe mjaltë, i cili ka efekt qetësues dhe e largon pikëllimin e mërzinë.
Tenëim (التَّنْعِيم)
Emër vendi jashtë Haremit të Mekës, ku bëhet nijeti për ihram, për ata që janë në Mekë dhe dëshirojnë të bëjnë umre.
Tesbihu (التَّسْبِيح)
Përmendja e Allahut duke thënë: “Subhanallah!”, që do të thotë: i patëmeta qoftë Allahu, shprehje kjo që shqiptohet edhe nga ata që janë duke u falur prapa imamit, në rast se imami gabon diçka gjatë namazit.
Teshehud (التَّشَهُّد)
Qëndrimi ulur në namaz pas dy rekateve të para ose në fund të namazit, për të lexuar disa lutje dhe dëshminë (shehadetin - teshehudin) në fund të tyre.
Teshrik (التَّشْرِيق)
Ditët 11, 12 dhe 13 të muajit dhul hixhe, muajit në të cilin kryhet rituali i haxhit.
Teuhid (التوحيد)
Njësim ose veçim i Allahut Fuqiplotë në adhurim, duke ia atribuuar vetëm Atij meritën e të qenit i adhuruar (ar. uluhijen), pronësinë dhe pushtetin e plotë mbi krijesat (ar. rububijen) dhe emrat e cilësitë absolute (ar. el esmau ves sifat), si dhe duke e pastruar këtë besim nga çdo njollë idhujtarie.
Teur (التَّوْر)
Enë prej guri.
Tevrat (التَّوْرَاة)
Libri i shenjtë origjinal që i ka zbritur Musait ﷺ për bijtë e Israilit.
Thebir (ثَبِيرٍ)
Emër kodre në Muzdelife.
Themud (ثَمُود)
Populli i pejgamberit Salih ﷺ, që jetonin në vendbanimin e quajtur Hixhr, i cili ndodhet mes Hixhazit dhe Shamit, ku ende ekzistojnë ndërtimet e shtëpive të tyre nëpër shkëmbinjtë që kanë mbetur si gërmadha, pasi që Allahu i dënoi me dënim të dhembshëm për shkak të mohimit të tyre.
Thenijetul Veda (ثَنِيَّةُ الْوَدَاعِ)
Vend i mirënjohur në historinë islame që ndodhej në hyrje të qytetit të Medinës, ku zakonisht ata që niseshin për udhëtim përshëndeteshin aty. Gjithashtu përmendet se aty u prit Pejgamberi ﷺ kur bëri hixhret nga Meka për në Medinë.
Therid (الثَّرِيد)
Emër me të cilin quhej një lloj tave me mish, përbërja bazë e të cilit ishte përzierja e copëzave të bukës me copëza dhe lëng mishi. Ushqim që ndër arabët e asaj kohe llogaritej ushqimi më i mirë.
Theur (ثَوْر)
Është një mal që ndodhet në Mekën e Bekuar dhe përmban shpellën në të cilën i Dërguari i Allahut u strehua gjatë ikjes prej armiqve idhujtarë, ngjarje kjo që përmendet edhe në Kuranin fisnik.
Thunja (الثُّنْيَا)
Nënkupton përjashtimin e një pjese të pacaktuar gjatë shitblerjes së një produkti. Për shembull, ta shes këtë thes me drithë, përveç një pjese të tij.
Tilaë (طِلاَء)
Lloj pijeje prej rrushi, prej së cilës, pas zierjes, ngel vetëm një e treta.
Tunikë (فَرُّوجِ)
Veshje e brendshme ose e jashtme prej leshi ose prej liri, zakonisht e bardhë, si këmishë, me mëngë dhe e gjatë deri te gjunjët, që e mbanin romakët e vjetër. Tunikë e bardhë. Tunikë e leshtë. Tunikë burrash (grash).
Tuster (تُسْتَرُ)
Qytet në Iran
Udhejb (العُذَيْب)
Burim uji i fisit benu temim, që ishte afër Kufes.
Uhudi (أُحُد)
Kodër rrëzë Medinës, në të cilën u zhvillua beteja e dytë më e njohur e muslimanëve pas hixhretit në Medinën e Ndritur, Beteja e Uhudit.
Umet (الأُمَّة)
Komuniteti islam anembanë botës, pa dallime kufijsh, gjuhësh e racash.
Umra (الْعُمْرَة)
Rituali i vizitës së Qabesë së shenjtë për adhurim dhe qëndrim në të, duke hyrë në ihram fillimisht, pastaj duke kryer tavafin (rrethrrotullimin) rreth Qabesë shtatë herë, duke ecur në Safa dhe Merva shtatë herë dhe duke e mbaruar tërë këtë me qethje të flokëve.
Umraja (الْعُمْرَى)
Umraja nënkupton dhënien e shtëpisë dikujt për banim, e cila, nëse nuk kushtëzohet në fillim, pas vdekjes së banuesit vazhdon të qëndrojë nën pronësinë e pasardhësve të tij.
Umul Kitab (أُمُّ الْكِتَاب)
“Ajka e Librit (Kuranit)”: një nga emrat e sures Fatiha.
Urejna (عُرَيْنَة)
Mëhallë e fisit bexhile.
Usbe (الْعُصْبَة)
Vend në regjionin e Kubasë, afër Medinës.
Usfan (عُسْفَان)
Qyteti i Usfanit (Asfanit) ndodhet në Mbretërinë e sotme të Arabisë Saudite, konkretisht në rajonin kalimtar midis Ultësirës së Vargmalit Perëndimor të Saravatit dhe fushës Tihama të Hixhazit. Ai është tetëdhjetë kilometra larg qytetit të shenjtë të Mekës, në veriperëndim të tij, dhe është në pjesën veriperëndimore të qytetit të Xhidës.
Uzai (العُزَّى)
Idhull që ishte emërtuar sipas një burri të devotshëm që kishte vdekur qëmoti, pastaj idhujtarët bënë idhull sipas pamjes së tij për ta kujtuar, e më vonë e adhuruan.
Vadi Kura (وَادِيَ الْقُرَى)
Luginë që ndodhet në rajonin e Hixhazit, afër Medinës së Ndritshme, mes saj dhe Shamit në pjesën veriore.
Vakëf (الوَقْف)
Bllokimi i një prone ose pasurie të paluajtshme nga pronësimi prej dikujt, ndërsa dhurimi i dobisë që buron nga ajo pronë si lëmoshë - sadaka për gjëra të lejuara sheriatikisht, bie fjala, dyqan, fitimet e të cilit shfrytëzohen për nevojat e medresesë.
Varelë (النَّقِيرُ)
Enë nga trungu i palmës.
Vedan (وَدَّان)
Emër vendi midis Mekës dhe Medinës.
Vers (وَرْس)
Versi është bimë që lëshon ngjyrë të kuqe. Emri shkencor “curcuma longa” (shafran indian).
Vesek (وَسْق)
Njësi matëse që korrespondon me gjashtëdhjetë saë (shih: saë).
Vesile (الْوَسِيلَة)
Vesile është pozita më e lartë në Xhenet, të cilën do ta gëzojë vetëm një njeri, përkatësisht Muhamedi ﷺ, me lejen e Allahut Fuqiplotë.
Vesmeh (الْوَسْمَة)
Emri shkencor: isatis; lloj bime. Është quajtur edhe fara e bojës ose bima vaida (ang. woad).
Vexh (وَجّ)
Luginë në afërsi të Taifit.
Vitër (الْوِتْر)
Namazi vullnetar me numër tek rekatesh, me të cilin i Dërguari ﷺ përmbyllte namazin vullnetar të natës.
Voshtra (الكَتَمُ)
Voshtra, lat. Buxus ose Isatis. Bimë, gjethet e së cilës shërbenin për ngjyrosje të flokëve.
Xhehenem (جهنّم)
Krijesë e Allahut Fuqiplotë (vend), ku i dënon robërit e Tij për mëkatet e bëra në këtë dynja. Në bazë të përshkrimeve hyjnore kuptohet të jetë i stërthellë, i kategorizuar shkallë-shkallë në bazë të dënimeve dhe i stërmbushur me lloje të ndryshme torturash dhe ndëshkimesh; Skëterra, Ferri.
Xhehenemasit (الجهنميون)
Njerëz që do të hyjnë në Xhenet pasi të jenë shkrumbuar në Zjarr, të cilët do të identifikohen me këtë emër.
Xhejhan (جَيْحَان)
Dy lumenjtë Sejhan dhe Xhejhan gjenden në jug të Turqisë dhe derdhen në Detin Mesdhe.
Xhelil (جَلِيل)
Lloj bimësh barishtore.
Xhemel (الجَمَل)
Emër vendi mes Mekës dhe Medinës.
Xhemra e Akabesë (جَمْرَةَ الْعَقَبَة)
Njëra nga tri xhemrat në Mina, ku hidhen gurët për plotësimin e ritualit të haxhit. Xhemra e Akabesë, që ndryshe quhet edhe Xhemra e Madhe, ndodhet në anën e Mekës dhe në të hidhen gurët në ditën e Bajramit të Kurbanit.
Xhemër (الْجَمْرَة)
Njëri nga tri vendet e përcaktuara për gjuajtjen e gurëve gjatë ritualit të haxhit në Mina.
Xhenet (الجَنَّة)
Fjala “xhenet” në gjuhën arabe do të thotë kopsht. Kur përmendet në mënyrë të përgjithësuar, nënkupton Xhenetin e premtuar besimtarëve në botën tjetër, e, nëse përdoret në kontest tjetër, atëherë nënkupton secilin kopsht të kësaj bote. Po ashtu, mund të përdoret për një kopsht që ndodhet përbrenda Xhenetit në botën tjetër.
Xherbae (جَرْبَاء)
Vend në zonat rurale të Amanit, në tokën e Shamit, afër malit Serrat, që ndodhet nga ana e Hixhazit. Mes tij dhe Edhruhut ka një milje.
Xhezeu dhifar (جَزْعُ ظِفَار)
Qytet në bregdetin e Jemenit.
Xhibrili (جِبْرِيل)
Meleku më i madh i Allahut, i cili qe ngarkuar me sjelljen e shpalljes pejgamberit Muhamed ﷺ. Herë-herë është quajtur edhe Xhebrail. Prej keqkuptimeve të përhapura ndër njerëzit është se Xhebraili është Meleku i Vdekjes, gjë që nuk është e vërtetë, siç u tha më lart.
Xhieran (الْجِعْرَانَة)
Qytet (në të kaluarën fshat i vogël) 20km në verilindje të Mekës, ku i Dërguari ﷺ ishte ndalur për ta ndarë plaçkën e Luftës së Hunejnit dhe nga ku kishte bërë umren.
Xhihad (الْجِهَاد)
Lufta e shenjtë islame që bëhet kundrejt armiqve, qoftë prej pozicionit mbrojtës, qoftë sulmues, me qëllim që Fjala e Allahut të jetë më e larta dhe triumfuese në Tokë.
Xhilbab (الجِلْبَاب)
Rrobë e sipërme femrash që mbulon tërë trupin.
Xhin (الْجِنّ)
Krijesë me intelekt, të cilën Allahu e ka krijuar prej flakës së padukshme, e cila mund të na shohë ne prej një dimensioni tjetër, por ne nuk mund ta shohim atë. Prej tyre ka besimtarë dhe jobesimtarë (shejtanë).
Xhizje (الْجِزْيَة)
Xhizja nënkupton tatimin që janë të detyruar ta paguajnë jobesimtarët burra, të cilët jetojnë në shtetin islam dhe që kanë mundësi pjesëmarrjeje në luftëra, në këmbim të mbrojtjes dhe sigurisë që ua ofron shteti islam. Rrjedhimisht, fëmijët, gratë dhe pleqtë janë të liruar nga ky tatim. Shuma e pagesës përcaktohet në bazë të gjendjes ekonomike të paguesit.
Xhuhfe (الْجُحْفَة)
Vend në afërsi të qytetit të sotëm Rabig, 183km në veriperëndim të Mekës, të cilin i Dërguari ﷺ e kishte përcaktuar stacion të banorëve të Shamit për të hyrë në ihram.
Xhulxhul (الْجُلْجُل)
Enë e vogël prej argjendi ose prej bakri.
Xhumada (جُمَادَى)
Muaji i gjashtë sipas hixhretit, emri i plotë i të cilit është xhumade thanije (e dytë), kurse para tij ndodhet muaji xhumade ula (e parë).
Xhunub (جُنُب)
Personi që nuk është pastruar pas marrëdhënieve intime me bashkëshorten, përkatësisht bashkëshortin pas ejakulimit.
Xhunubllëku (الْجَنَابَة)
Gjendje e papastërtisë kuptimore, pas marrëdhënieve intime mes dy bashkëshortëve, ose pas ejakulimit, në të cilin rast njeriu është i detyruar të pastrojë tërë trupin nëse dëshiron të kryejë adhurime të caktuara.
Xhuvatha (جُوَاثَى)
Asokohe fshat i krahinës së Bahrejnit, ndërsa sot është një lagje e qytetit Hufuf, 340km në lindje të Riadit.
Xhybe (جُبَّة)
Veshje e sipërme e gjatë deri në kërci, me mëngë të gjera dhe e hapur nga përpara.
Zeburi (الزَّبُور)
Libri i shenjtë që i pati zbritur Davudit ﷺ.
Zekat (الزَّكَاة)
Njëra prej pesë shtyllave të Islamit, gjegjësisht sasia prej 2.5 për qind që merret detyrimisht nga disa lloje të caktuara të pasurisë së muslimanit nëse ajo pasuri plotëson kushtin e sasisë (nisabin) dhe ka qëndruar për një vit pa u shfrytëzuar nga pronari i saj.
Zekumi (الزَّقُّومِ)
Pemë që mbin nga fundi i Xhehenemit, frutat e së cilës ngjasojnë me kokat e djajve. Allahu e ka bërë ushqim për banorët e Zjarrit, por konsumimi i saj as i ngop e as u bën dobi, përkundrazi është dënim për veprat e bëra, u vlon nëpër barqet e tyre.
Zemzem (زَمْزَم)
Një pus në qytetin e Mekës, që ndodhet 20 metra larg Qabesë, nga i cili buron ujë i bekuar. Transmetimet tregojnë se ky burim ka shpërthyer gjatë ndodhisë kur Ismaili, i biri i Ibrahimit ﷺ, dhe nëna e tij ishin etur dhe kishin mbetur pa ujë.
Zeura (الزَّوْرَاءِ)
Vend i njohur në tregun e Medinës.
Zevra (الزَّوْرَاء)
Emër tregu në Medinë.
Zina (الزِّنَا)
Marrëdhënie seksuale jashtëmartesore; prostitucion.
Zjarri (النَّار)
Kur kjo fjalë përdoret me shkronjën e parë të madhe, ka për qëllim Xhehenemin.
مِثقال (Mithkali)
Mithkali, është njësi matëse që peshon pak më tepër se një dërhem.