38. Transferimi i borxhit
1. Nënkapitulli: Transferimi i borxhit, si dhe nëse është e lejuar kthimi te borxhliu i parë
Haseni dhe Katadja kanë thënë: "Nëse pala e dytë falimenton pasi ta pranojë borxhin, dhuruesit të borxhit i lejohet ta kërkojë sërish prej të parit (atij që i ka marrë borxh në fillim)." Ibn Abasi ka thënë: "Kur ortakët dhe trashëgimtarët ndahen mes vete, ndërkohë njëri merr pasuri të prekshme e tjetri trashëgon pasuri të dhënë borxh, dhe ndodh që borxhi të humbasë, nuk lejohet t’i rikthehen sërish ndarjes së pasurisë (ngase dy palët fillimisht janë pajtuar me pjesën e vet)."
2287. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit (në afat të caktuar) konsiderohet padrejtësi. E, nëse borxhliu kërkon transferimin e borxhit te ndonjë i pasur, pranojeni.”
2. Nënkapitulli: Lejohet transferimi i borxhit të të vdekurit tek një person tjetër; Nëse borxhliu kërkon transferimin e borxhit tek një i pasur, borxhdhënësit nuk i lejohet të refuzojë
2288. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibn Dhekvani, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit (në afat të caktuar) konsiderohet padrejtësi. E, nëse borxhliu kërkon transferimin e borxhit te ndonjë i pasur, pranojeni.”
3. Nënkapitulli: Lejohet transferimi i borxhit të të vdekurit te dikush tjetër
2289. Nga: Seleme ibn Ekvai
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrinim me Pejgamberin ﷺ, kur sollën një xhenaze dhe thanë:
- Falja namazin e xhenazes!
- “Mos vallë ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i thanë.
- “A ka lënë diçka pas vetes?”
- Jo.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes. Më pas sollën një xhenaze tjetër dhe i thanë:
- O i Dërguari i Allahut, falja namazin!
- “A ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po.
- “A ka lënë pasuri pas vetes?”
- Tre dinarë, - i thanë.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes.
Pastaj sollën një xhenaze të tretë dhe i thanë:
- Falja namazin!
- “A ka lënë diçka pas vetes?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i thanë.
- “Ka ndonjë borxh?”
- Tre dinarë.
- “Ju faljani namazin shokut tuaj!”
Sakaq ndërhyri Ebu Katadja dhe tha: “Falja namazin, o i Dërguari i Allahut, sepse unë ia shlyej borxhin.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin.