39. Garancia
1. Nënkapitulli: Garantimi i borxhit me njerëz dhe pasuri
2290. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Zinadi transmeton nga Muhamed ibn Hamza ibn Amër Eslemiu, e ky nga babai i tij se Hamza ibn Amri rrëfen se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e dërgoi atë për ta mbledhur zekatin, ku (mori vesh se) një person kishte bërë zina me robëreshën e bashkëshortes së vet, por Omeri tashmë ia kishte zbatuar dënimin me njëqind goditje. Andaj, Hamzai u kthye tek Omeri me disa garantues të burrit në fjalë (për ta vërtetuar lajmin e dënimit). Omeri ua vërtetoi fjalët garantuesve dhe i tregoi Hamzait se, personin që kishte bërë zina, e kishte arsyetuar me padituri.
Xheriri dhe Eshathi, përkitazi me renegatët, i thanë Abdullah ibn Mesudit: “Kërkoju që të pendohen dhe kërkoju garantues.” Kështu, ata u penduan dhe të afërmit e tyre u bënë garantues të tyre.
Hamadi ka thënë: “Atij që garanton për ndonjë kafshë, që më pas ngordh, nuk i obligohet asgjë për shpagim.” Ndërkaq, Hakemi thotë se i obligohet shpagimi.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2290
Fjalë të panjohura?
2291. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Abdullahu ka thënë: Transmeton Lejthiu, e këtij i ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar ndodhinë e një burri nga benu israilët: “Burri në fjalë i kërkoi një personi tjetër, po ashtu nga benu israilët, t'ia huazojë një mijë dinarë. Ai i tha:
- Më sill disa dëshmitarë, që të dëshmojnë.
- Na mjafton Allahu për dëshmitar, - ia ktheu i pari.
- Ashtu është. Atëherë më sill një garantues, - tha huadhënësi.
- Na mjafton Allahu për garantues.
- E vërtetë, - ia ktheu huadhënësi.
Kështu, ia dha paratë për një afat të caktuar. Ai i mori dhe u nis në det, e kreu punën e vet dhe pastaj filloi të kërkojë një anije për t'u kthyer me kohë, siç ishin marrë vesh, por nuk gjeti transport. Mori një dru, e shpoi dhe brenda tij futi një mijë dinarë së bashku me një letër për shokun e vet. Pastaj e mbylli vrimën, shkoi në det dhe tha: “O Allah! Ti e di se unë i kam huazuar prej filanit një mijë dinarë. Ai më kërkoi garantues, e unë i thashë se na mjafton Allahu për garantues dhe ai pranoi, si dhe më kërkoi dëshmitarë, e unë i thashë se na mjafton Allahu për dëshmitar dhe ai pranoi. Ndërkaq, unë kërkova gjithandej të gjej anije për t'ia kthyer borxhin, por nuk gjeta asgjë, andaj, këtë dru po e lë nën përkujdesjen Tënde”, - dhe e hodhi në det, i cili lundroi tutje. Pastaj u largua dhe vazhdoi të kërkonte anije për të shkuar në qytetin e shokut të vet. Personi tjetër, i cili i kishte dhënë borxh, doli të shikonte nëse kishte ardhur ndonjë anije për t'ia sjellë paratë dhe, ja, aty gjeti drurin në të cilin ndodheshin paratë e tij. Kështu, e mori që ta shfrytëzonte për djegie në shtëpi dhe, kur e çau, i gjeti paratë dhe letrën. Më pas, huamarrësi erdhi dhe ia solli një mijë dinarë dhe i tha:
- Betohem në Allahun se vazhdimisht kam kërkuar anije për të t'i sjellë paratë, por nuk kam gjetur deri tani.
- Mos vallë, më ke dërguar diçka? - i tha huadhënësi.
- Po të them që deri tani nuk kam mundur të gjej anije, - ia ktheu i pari.
- Allahu e ka dërguar në vend drurin që e ke nisur, andaj merri një mijë dinarët e tu dhe kthehu i udhëzuar, - tha huadhënësi.”
2. Nënkapitulli: Ajeti: “... ndërsa atyre me të cilët keni bërë marrëveshje, jepuani pjesën e tyre...”
2292. Nga: Abdullah ibn Abasi
Salt ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Idrisi, e ky nga Talha ibn Musarrifi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Ne kemi caktuar trashëgimtarë për çdo gjë (pasuri)...”, (Nisa, 33) ka thënë: “Kur muhaxhirët erdhën në Medinë te Pejgamberi ﷺ, i trashëgonin ensarët pa pasur lidhje gjaku, për shkak të vëllazërimit që Pejgamberi ﷺ ua kishte bërë mes vete. Mirëpo, zbritja e ajetit: “Ne kemi caktuar trashëgimtarë për çdo gjë (pasuri)...” (Nisa, 33) e shfuqizoi këtë dispozitë, pastaj Allahu i Madhërishëm tha: “... ndërsa atyre me të cilët keni bërë marrëveshje...” (Nisa, 33) Pra, trashëgimia është shfuqizuar, kurse përkrahja fizike, ekonomike dhe morale vazhdojnë edhe më tutje. Edhe pse nuk trashëgonin, mund t'u lihej testament.
2293. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdurrahman ibn Aufi erdhi te ne dhe Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rabiun.”
2294. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Sabahu na ka thënë: Më ka treguar Ismail ibn Zekerija se Asimi tregon: “I thashë Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Vallë, e di fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Në Islam nuk ka besëlidhje.”? Ai tha: “Pejgamberi ﷺ e pati lidhur besën e disa kurejshëve me ensarët në shtëpinë time.”
3. Nënkapitulli: Atij që garanton borxhin e një të vdekuri, nuk i lejohet të tërhiqet
Këtë mendim e ka shprehur edhe Haseni.
2295. Nga: Seleme ibn Ekvai
Ebu Asimi na ka treguar nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberit ﷺ i sollën një xhenaze për t'ia falur namazin, e në atë rast ai pyeti:
- “Mos vallë ka ndonjë borxh?”
- Jo, - i thanë. Andaj ia fali namazin.
Pastaj sollën një xhenaze tjetër, e ai pyeti:
- “Mos vallë ka ndonjë borxh?”
- Po, - i thanë.
- “Ju faljani namazin shokut tuaj”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Sakaq Ebu Katadja ndërhyri dhe tha: “Unë po e shlyej borxhin e tij, o i Dërguari i Allahut.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin.
2296. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri, e ky e ka dëgjuar Muhamed ibn Aliun se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur ta merrnim pasurinë e Bahrejnit, do të të jepja kaq, kaq e kaq.” Por, - vazhdon Xhabiri, - pasurinë e Bahrejnit nuk e morëm derisa vdiq Pejgamberi ﷺ. Kur e morëm atë, Ebu Bekri dërgoi lajmëtarë dhe tha: “Ai të cilit Pejgamberi ﷺ i ka premtuar diç ose i ka pasur borxh, le të vijë.”
Unë shkova dhe i thashë: “Pejgamberi ﷺ më ka thënë kështu e kështu.” Atëherë, ai i mbushi dy grushte dhe m'i dha. Kur i numërova, më dolën pesëqind (dinarë), pastaj më tha: “Merre edhe dyfishin e saj.”
4. Nënkapitulli: Besëlidhja dhe marrëveshja e Ebu Bekrit në kohën e Pejgamberit ﷺ
2297. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Që kur mbaj mend, prindërit e mi gjithmonë e kanë praktikuar fenë.”; Ebu Salihu ka thënë: Më ka treguar Abdullahu nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Që kur mbaj mend, prindërit e mi gjithmonë e kanë praktikuar fenë. Nuk kalonte ndonjë ditë pa na ardhur i Dërguari i Allahut ﷺ në dy skajet e ditës, mëngjes e mbrëmje. Kur muslimanët u sprovuan (nga torturat e jobesimtarëve kurejshë), Ebu Bekri u nis për t'u shpërngulur në Abisini dhe, kur arriti në Berk Gimad, e takoi Ibn Deginin, zotërinë e fisit karrah, i cili e pyeti:
- Nga po shkon, o Ebu Bekër?
- Më ka dëbuar populli im, ndërsa unë dua të jem i lirë në tokë dhe ta adhuroj Zotin, - ia ktheu Ebu Bekri.
- Njerëz si ti as largohen, as dëbohen. Ti u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi. Andaj, unë do të të marr nën garancinë time, kështu që kthehu dhe adhuroje Zotin tënd në vendlindje, - tha Ibn Degini dhe u kthye së bashku me Ebu Bekrin (në Mekë).
Kështu, shkoi te secili prijës kurejsh dhe u tha: “Ebu Bekri nuk është i atillë që largohet e dëbohet. Vallë, po e dëboni njeriun që u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi?”
Kurejshët e respektuan besëlidhjen e Ibn Deginit, andaj nuk e kërcënuan më Ebu Bekrin, por Ibn Deginit i thanë:
- Thuaji Ebu Bekrit ta adhurojë Zotin e tij në shtëpi. Le të falet e të lexojë ç'të dojë, por ne të mos na shqetësojë me të, të mos e shfaqë haptas, se kemi frikë se do t'i tundojë bijtë dhe gratë tona.”
Ibn Degini ia tha këto gjëra Ebu Bekrit, i cili në atë rast filloi ta adhurojë Zotin në shtëpi. Nuk e ngrinte zërin gjatë namazit e as gjatë këndimit të Kuranit jashtë shtëpisë. Më pas iu mbush mendja për të ndërtuar një xhami pranë shtëpisë dhe për ta shfaqur haptas. Aty falej dhe lexonte Kuran. Gratë dhe bijtë e kurejshëve grumbulloheshin përreth dhe e shikonin me admirim. Ebu Bekri qante shpejt, nuk i mbante dot lotët kur lexonte Kuran. Kjo i frikësoi prijësit idhujtarë kurejshë, andaj dërguan dikë për ta thirrur Ibn Deginin dhe i thanë: “Ne e respektonim besëlidhjen tënde me Ebu Bekrin, me kusht që ai ta adhuronte Zotin e vet në shtëpi, por e ka kaluar kufirin: pranë shtëpisë ka ndërtuar një xhami, ku falet dhe lexon Kuran haptas! Ne frikësohemi se do t'i tundojë bijtë dhe gratë tona. Andaj, shko dhe, nëse do që ta adhurojë Zotin në shtëpi, le ta bëjë, e, nëse refuzon dhe dëshiron ta bëjë haptas, le të ta kthejë besëlidhjen, sepse ne nuk kemi dëshirë ta thyejmë besatimin me ty, e, në anën tjetër, nuk pajtohemi me veprimet e hapura të Ebu Bekrit.
Kështu, Ibn Degini vajti tek Ebu Bekri dhe i tha: “Ti e di si jemi marrë vesh në besëlidhjen tonë. Ose mjaftohu me aq, ose ma kthe besën, sepse nuk dua që ndër arabë të përhapet se më është shkelur besa që i kam dhënë dikujt.”
Ebu Bekri tha: “Po ta kthej besëlidhjen dhe po mjaftohem me besëlidhjen e Allahut.”
Atëkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në Mekë. Ai tha: “Më është shfaqur vendi i hixhretit tuaj. Kam parë në ëndërr një shkretëtirë me hurma mes dy pllajave me gurë.”
Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e tha këtë, disa u shpërngulën (nga Meka) në Medinë e disa të tjerë u kthyen prej Abisinisë në Medinë, të cilët ishin shpërngulur më herët atje. Edhe Ebu Bekri u përgatit për hixhret, por i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Mos u ngut, sepse shpresoj se edhe mua do të më jepet leja (për hixhret).”
- A me të vërtetë po shpreson, me babë kurban t'u bëfsha? - e pyeti Ebu Bekri.
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, Ebu Bekri u ndal për ta shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe, katër muaj rresht, tuboi ushqim për dy deve.
5. Nënkapitulli: Borxhi
2298. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i sillnin ndonjë xhenaze që kishte borxh, pyeste: “A ka lënë pasuri të mjaftueshme për ta kthyer borxhin?”
Nëse i thoshin se ka lënë pasuri për ta kthyer borxhin, ia falte namazin, përndryshe u thoshte muslimanëve: “Ju faljani namazin shokut tuaj.”
Kur Allahu ia mundësoi çlirimin e vendeve të ndryshme, tha: “Unë jam më parësor për besimtarët sesa ata për veten e tyre. Andaj, nëse një besimtar vdes dhe pas vetes lë ndonjë borxh, mua më takon t'ia shlyej borxhin, e, kush lë pasuri, ajo u takon trashëgimtarëve të tij.”