41. Bujqësia
1. Nënkapitulli: Vlera e mbjelljes së bimëve dhe pemëve që shfrytëzohen për ngrënie
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “A shihni atë që mbillni? Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj? Nëse duam, Ne e lëmë fyçkë dhe ju do të çuditeni.” (Vakia, 63-65)
2320. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane. [t]: Abdurrahman ibn Mubareku më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo musliman që mbjell pemë ose bimë, prej së cilës ha ndonjë shpend, njeri a bagëti, i llogaritet si sadaka.”
Muslimi ka thënë: “Na ka treguar Ebani, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enesi nga Pejgamberi ﷺ.”
2. Nënkapitulli: Kujdesi që duhet pasur nga pasojat e marrjes me mjetet e mbjelljes apo tejkalimi i kufirit të caktuar duke u marrë me to
2321. Nga: Ebu Umame Bahiliu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Salimi Himsiu, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Zijad Elhani se Ebu Umame Bahiliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pa një parmendë ose një mjet bujqësor dhe tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Në atë shtëpi që hyn kjo, Allahu e fut nënçmimin.”1
Muhamedi ka thënë: “Emri i Ebu Umames është Sudej ibn Axhlani.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2321
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Mbajtja e qenit për bujqësi
2322. Nga: Ebu Hurejra
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që mban qen, shpërblimi i veprave i pakësohet çdo ditë nga një kirat, përveç qenit për bujqësi ose bagëti.”
Ibn Sirini dhe Ebu Salihu transmetojnë nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “... përveç qenit të bagëtisë, bujqësisë dhe gjuetisë.”
Ebu Hazimi transmeton nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “... përveç qenit të bagëtisë dhe gjuetisë.”
2323. Nga: Sufjan ibn Ebu Zuhejri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jezid ibn Husajfe, e këtij i ka treguar Saib ibn Jezidi se Sufjan ibn Ebu Zuhejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - pjesëtar i fisit ezd shenue, një prej shokëve të Pejgamberit ﷺ, - tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Atij që mban qen, që nuk i hyn në punë as për bujqësi e as për bagëti, shpërblimi i veprave i pakësohet çdo ditë nga një kirat.”
- Vallë, vetë ti e ke dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut ﷺ? - pyeti Saib ibn Jezidi.
- Po, betohem në Zotin e kësaj xhamie, - ia ktheu Sufjani.
4. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i lopëve në bujqësi
2324. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Sadi, e ky e ka dëgjuar Ebu Selemen se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ishte hipur mbi një lopë, ajo iu kthye dhe i tha: “Unë nuk jam krijuar për këtë, unë jam krijuar për bujqësi.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Unë e besoj këtë, e edhe Ebu Bekri me Omerin.” Pastaj vazhdoi: “Një ujk rrëmbeu një dele dhe bariu filloi ta ndjekë. Ujku iu kthye dhe i tha: “E kush do t'i ruajë në ditët e sprovave, ditët kur nuk do të ketë rojtar përveç meje?” Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Unë e besoj këtë, e edhe Ebu Bekri me Omerin.”
Ebu Seleme thotë: “Atë ditë ata dy nuk ishin të pranishëm.”
5. Nënkapitulli: Nëse dikush i thotë dikujt tjetër: "Hurmat apo diç tjetër prej të mbjellave punoji ti, e fitimin e ndajmë së bashku."
2325. Nga: Ebu Hurejra
Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ensarët i thanë Pejgamberit ﷺ: “Ndaji hurmat mes nesh dhe vëllezërve tanë (muhaxhirë).”
- “Jo!” - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Atëherë, punojini ato, e fitimin (produktin final) e ndajmë së bashku, - iu drejtuan ensarët muhaxhirëve.
- Dëgjuam dhe ashtu do t'ia bëjmë! - thanë muhaxhirët.”
6. Nënkapitulli: Prerja e bimëve dhe palmave të hurmave
Enesi tregon: "Pejgamberi ﷺ urdhëroi të priten palmat e hurmave."
2326. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i dogji dhe i preu palmat e hurmave të fisit benu nadir, që ndodheshin në Buvejra, për të cilat Hasani thoshte:
"Zjarri i madh, që Buvejrën kaploi,
Zotërinjtë e benu luejit i nënçmoi.”
7. Nënkapitull
2327. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Jahja ibn Seidi, e ky nga Handhale ibn Kajs Ensariu se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ne (ensarët) kishim më së shumti të mbjella nga të gjithë banorët e Medinës. E jepnim arën me qira në këmbim të produkteve të një pjese nga po e njëjta arë, e pjesa tjetër rezervohej për pronarin e arës. Por, kishte raste kur mu ajo pjesë prishej, kurse pjesa tjetër e arës shpëtonte, dhe anasjelltas, ara (e qiraxhiut) prishej, kurse pjesa e rezervuar për pronarin shpëtonte. Kështu, Pejgamberi ﷺ na ndaloi këtë praktikë, ndërkaq ari dhe argjendi atëkohë nuk përdoreshin për qira.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2327
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Dhënia e tokës me qira në këmbim të një përqindjeje produktesh
Kajs Ibn Muslimi transmeton nga Ebu Xhaferi se ka thënë: "Çdo familje e muhaxhirëve në Medinë merrej me mbjelljen e arave në këmbim të një të tretës apo një të katërtës së produkteve. Edhe Aliu, Sad ibn Maliku, Abdullah ibn Mesudi, Omer ibn Abdulazizi, Kasimi, Urve ibn Zubejri, familja e Ebu Bekrit, familja e Omerit, familja e Aliut dhe Ibn Sirini e kanë praktikuar këtë metodë, pra, të dhënies së tokës me qira në këmbim të një pjese produktesh." Abdurrahman ibn Esvedi tregon: "Isha ortak me Abdurrahman ibn Jezidin në punimin e tokës. Omeri bashkëpunonte me njerëzit me kusht që, nëse Omeri e sillte farën për mbjellje, t’i takonte atij gjysma e produkteve, e, nëse ata e sillnin farën, u takonte kaq e kaq." Haseni ka thënë: "Nuk prish punë nëse toka i takon njërit, por e punojnë së bashku dhe produktin e ndajnë mes vete. Kështu mendonte edhe Zuhriu." Haseni ka thënë: "Nuk prish punë nëse pambuku ndahet përgjysmë." Ibrahimi, Ibn Sirini, Atai, Hakemi, Zuhriu dhe Katadja kanë thënë: "Nuk prish punë nëse ia jep dikujt për të të qepur një rrobë, me kusht që rrobaqepësi ta marrë një pjesë të materialit (si pagesë)." Mameri ka thënë: "Nuk prish punë të jepet mjeti udhëtimit (kafsha) me qira për një kohë të caktuar në këmbim të një përqindjeje të caktuar fitimi."
2328. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua ka lënë hebrenjve Hajberin për shfrytëzim në këmbim të gjysmës së produkteve të frutave dhe të të mbjellave. Grave të veta ua jepte njëqind evsukë: tetëdhjetë me hurma dhe njëzet me elb. Kur Omeri e ndau Hajberin, gratë e Pejgamberit ﷺ i la të zgjidhnin nëse dëshironin tokë dhe çfarë ka në të, apo dëshironin të vazhdonin të merrnin produkte të gatshme. Disa prej tyre zgjodhën tokën, disa të tjera zgjodhën produktet e gatshme. Aishja zgjodhi marrjen e tokës.
9. Nënkapitulli: Nëse pronari nuk cakton afat në dhënien e tokës me qira
2329. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ua lëshoi hebrenjve Hajberin për shfrytëzim në këmbim të gjysmës së produkteve të frutave dhe të mbjellave.”
10. Nënkapitull
2330. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amër ibn Dinari tregon: “I thashë Tavusit:
- Sikur të hiqje dorë nga muhabera, ngase po thonë se Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar atë.
- O Amër, unë po u dhuroj dhe po u ndihmoj atyre. Më ka treguar më i dituri i tyre, - aludonte në Ibn Abasin, - se Pejgamberi ﷺ nuk e ka ndaluar muhaberën, por ka thënë: “T'ia japë për shfrytëzim falas është më mirë sesa t'i marrë ndonjë taksë të caktuar.”
11. Nënkapitulli: Dhënia e tokës me qira hebrenjve për ta punuar
2331. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ua dha hebrenjve Hajberin për ta punuar dhe për ta mbjellë në këmbim të një pjese të prodhimit që dalin nga ajo.
12. Nënkapitulli: Kushtet e ndaluara në dhënien e tokës me qira
2332. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky nga Jahjai, e ky e ka dëgjuar Handhale Zurakiun se Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ne (ensarët) kishim më së shumti të mbjella nga të gjithë banorët e Medinës. Nganjëherë e jepnim arën me qira dhe thoshim: “Prodhimet e kësaj pjese të arës më takojnë mua, kurse prodhimet e pjesës tjetër të saj të takojnë ty.” Kishte raste kur njëra pjesë nxirrte prodhime, kurse tjetra jo. Andaj, Pejgamberi ﷺ ua ndaloi një veprim të tillë.
13. Nënkapitulli: Nëse mbjell me pasurinë e tjetërkujt, pa lejen e tij, duke e ditur se do të ketë dobi për këtë të fundit
2333. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Damra, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u ka treguar: “Tre persona dolën për rrugë dhe i zuri shiu, andaj u strehuan në shpellën e një kodre. Papritmas, një gur u rrokullis nga kodra dhe ua mbylli daljen e shpellës e në atë rast i thanë njëri-tjetrit: “Shikoni ndonjë vepër të mirë që keni punuar për hir të Allahut e luteni Allahun me të, me shpresë se do të na shpëtojë nga kjo (gjendje).”
Atëherë njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë, ndërsa fëmijët e mi kanë qenë të vegjël. Unë dilja për t'i kullotur bagëtitë dhe, kur kthehesha, i milja dhe qumështin ua dërgoja prindërve për të pirë para fëmijëve. Një natë, u vonova dhe, pasi u ktheva, pashë se prindërit kishin fjetur. I mola delet, si çdoherë, dhe shkova afër tyre. Urreja t'ua prishja gjumin, por, njëherazi, nuk kisha dëshirë t'u jepja qumësht fëmijëve para tyre, ndërkohë fëmijët qanin para këmbëve të mia. Kështu qëndrova deri në mëngjes (kur ata u zgjuan). Nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na hap një vrimë, që ta shohim qiellin.”
Kështu, Allahu ua hapi një vrimë sa për ta parë qiellin.
Tjetri tha: “O Allah! Kam pasur një vajzë xhaxhai, të cilën e doja sikurse mashkulli që dashuron shumë një femër. Kërkova prej saj (që të vetmohesha me të), por ajo refuzoi, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë. Rrjedhimisht, punova derisa i mblodha paratë, por, kur u shtriva me të, më tha: “O rob i Allahut, kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore!”, andaj u largova. Prandaj nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap daljen!” Kështu, guri lëvizi edhe pak.
I treti tha: “O Allah! Unë pata marrë një punëtor me pagesë kundrejt një shporte oriz dhe, kur e kreu punën, më tha: “Ma jep hakun tim!” Unë ia dhashë, por ai nuk e mori. Unë punova dhe atë oriz e mbolla në vazhdimësi, derisa bleva shumë lopë dhe barinj. Pas një kohe, u kthye dhe më tha: “Kije frikë Allahun!”
- Shko dhe merri ato lopë e ata barinj, - i thashë.
- Kije frikë Allahun dhe mos u tall me mua! - më tha ai.
- Nuk po tallem me ty, por merri! - i thashë.
Kështu, i mori të gjitha.
Nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap pjesën e mbetur të daljes.
Atëherë, Allahu ua hapi daljen tërësisht.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ibn Ukbe transmeton nga Nafiu: “nxitova”.”
14. Nënkapitulli: Vakëfet e shokëve të Pejgamberit ﷺ, toka e haraçit dhe dhënia e tokës me qira në këmbim të një pjesë të produkteve
Pejgamberi ﷺ i ka thënë Omerit: “Lëre tokën vakëf: nuk shitet, por mund të shfrytëzohen produktet e saj.” Së këndejmi, Omeri e la tokën e tij vakëf.
2334. Nga: Omer ibn Hatabi
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrahmani, e ky nga Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga babai i tij se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Sikur të mos i kisha parasysh muslimanët e dobët, çdo vendbanim të çliruar do t'ua ndaja atyre që e çlirojnë, ashtu siç e pati ndarë Pejgamberi ﷺ Hajberin.”
15. Nënkapitulli: Shndërrimi i tokës djerr në pjellore
Kështu ka vepruar Aliu me djerrinat e Kufes, të cilat askush nuk i kishte në pronësi. Omeri ka thënë: "Ai që e shndërron një tokë djerr (pa pronar) në pjellore, bëhet pronar i saj." Amër ibn Aufi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Por, të mos i rrëmbehet prona ndonjë muslimani, ndërkohë zaptuesit nuk i përket asgjë (nëse ka mbjellë diç në tokën e tjetërkujt). Për këtë po ashtu transmetohet nga Xhabiri, e ky nga Pejgamberi ﷺ."
2335. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Xhaferi, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e ngjall një tokë pa pronar, bëhet pronar i saj.”
Urve ka thënë: “Kështu ka gjykuar Omeri gjatë hilafetit të vet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2335
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitull
2336. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Salim ibn Abdullah ibn Omeri se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa ëndërr teksa ishte në vendpushimin e tij në Dhul Hulejfe, në mes të luginës, se meleku i tha: “Tani ndodhesh në Bat'hanë e bekuar.”
Musai thotë: “Salimi ndalej për të pushuar në të njëjtin vend ku ndalej Abdullah ibn Omeri, i cili synonte vendpushimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, që ndodhej poshtë xhamisë, në mes të luginës, diku mes xhamisë dhe rrugës.”
2337. Nga: Abdullah ibn Omeri
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajb ibn Is'haku, e ky nga Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sonte, teksa isha në luginën Akik, më erdhi një i dërguar prej Zotit tim dhe më tha: “Falu në këtë luginë të bekuar dhe thuaj: "(Po hyj në ihram për) umre dhe haxh.”1
17. Nënkapitulli: Nëse pronari i tokës thotë: "Po ta lë tokën sa të jesh gjallë, ndërkohë nuk i cakton asnjë afat, atëherë ata vazhdojnë sipas marrëveshjes së bërë mes vete."
2338. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Mikdami na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musai, e këtij i ka rrëfyer Nafiu, e ky nga Ibn Omeri. [t]: Abdurrezaku na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi i dëboi hebrenjtë dhe të krishterët nga Hixhazi. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte çliruar Hajberin, ajo tokë i takonte Allahut, të Dërguarit të Tij ﷺ dhe gjithë muslimanëve, andaj Pejgamberi ﷺ donte t'i dëbonte hebrenjtë nga aty. Por, hebrenjtë kërkuan nga i Dërguari i Allahut ﷺ t'i lejonte të qëndronin, që ata ta punonin tokën në këmbim të gjysmës së prodhimeve. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Do t'ju lejojmë të qëndroni aq sa dëshirojmë ne.” Kështu, ata qëndruan aty derisa Omeri i dëboi në Tejma dhe Eriha.
18. Nënkapitulli: Sahabët e Pejgamberit ﷺ e ndihmonin njëri-tjetrin duke ia lënë tokën tjetrit për ta punuar, pa kërkuar asgjë në këmbim
2339. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e ky nga Ebu Nexhashiu, i çrobëruari i Rafi ibn Hadixhit se Rafi ibn Hadixhi transmeton se xhaxhai i tij, Dhuhejr ibn Rafiu, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, nga dhembshuria që kishte ndaj nesh, na ndaloi një punë që e praktikonim.”
Thashë: “Atë që i Dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë, ajo është e vërteta.”
Dhuhejri vazhdon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më thirri dhe më pyeti: “Çfarë po veproni me arat tuaja?”
- Po i japim me qira në këmbim të prodhimeve të një pjese të tokës ose të disa evsukëve me hurma dhe elb, - i thashë.
- “Mos veproni kështu! Ose mbillni vetë, ose jepuani të tjerëve t'i mbjellin, ose mos i mbillni fare”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Rafiu thotë: “Thashë: “Ashtu do të veprojmë.”
2340. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Evzaiu, e ky nga Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Medinasit i jepnin tokat për mbjellje në këmbim të një të tretës, një të katërtës ose gjysmës së prodhimeve (të korra nga e njëjta arë).” Pejgamberi ﷺ u tha: “Ai që posedon arë, le ta mbjellë ose le t'ia japë dikujt (falas) për ta mbjellë, në të kundërtën le ta mbajë për vete.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2340
Fjalë të panjohura?
2341. Nga: Ebu Hurejra
Rebi ibn Nafi Ebu Tevbe na ka thënë: Na ka treguar Muaviu, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që posedon arë, le ta mbjellë ose le t'ia japë vëllait të vet (falas) për ta mbjellë, në të kundërtën le ta mbajë arën për vete.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2341
Fjalë të panjohura?
2342. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e këtij ia ka përmendur Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nuk ka ndaluar këtë (dhënien e tokës me qira në këmbim të një pjese të prodhimeve), por ka thënë: “T'ia japë falas vëllait të vet është më mirë sesa t'ia japë në këmbim të diçkaje.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2342
Fjalë të panjohura?
2343. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri i jepte me qira arat e veta në kohën e Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe në fillim të hilafetit të Muaviut (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë).
2344. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Ibn Omeri tregon se dikush i transmetoi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar dhënien e arave me qira. Kështu, shkoi te Rafiu dhe, kur e pyeti, ai i tha: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar dhënien e arave me qira.” Ibn Omeri ia ktheu: “Ti e di mirë se në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ ne i jepnim arat tona me qira në këmbim të prodhimeve përreth përroit ose të një pjese të caktuar prodhimesh.”
2345. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ e dija se ara lejohej të jepej me qira.”
Salimi thotë: “Më pas Abdullahu, nga frika se mos Pejgamberi ﷺ kishte vendosur ndonjë dispozitë të re në këtë çështje, gjë për të cilën nuk ishte në dijeni, hoqi dorë nga dhënia e tokës me qira.”
19. Nënkapitulli: Dhënia e tokës me qira në këmbim të arit dhe argjendit
Ibn Abasi ka thënë: "Gjëja më e mirë që po veproni është se tokën batalle po e jepni me qira nga viti në vit."
2346. Nga: Rafi ibn Hadixhi
2346, 2347 - Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Handhale ibn Kajsi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dy xhaxhallarët e mi më kanë treguar se në kohën e Pejgamberit ﷺ e jepnin tokën me qira në këmbim të prodhimeve përreth përrenjve ose të një pjese që pronari e rezervonte për vete. Por, Pejgamberi ﷺ e ndaloi këtë praktikë.
Handhale ibn Kajsi thotë: “E pyeta Rafiun:
- Po me dinarë dhe dërhemë, a lejohet?
- Me dinarë dhe dërhemë nuk prish punë.
Lejthiu ka thënë: “Pra, ndalesa i është drejtuar kësaj praktike (të përmendur në hadithin e Rafiut) dhe, nëse dikush që e kupton mirë hallallin dhe haramin, do ta meditonte mirë këtë çështje, nuk do ta lejonte këtë praktikë, për shkak të rrezikut që i kanoset në të.”
2347. Nga: Rafi ibn Hadixhi
2346, 2347
Referenca: Sahihu i Buhariut 2347
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitull
2348. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Hilali. [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Fulejhu, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë Pejgamberi ﷺ, teksa po rrëfente një hadith në prani të një beduini, tha: “Një burrë nga banorët e Xhenetit i kërkoi leje Zotit të vet për të mbjellë e në atë rast Ai i tha:
- A nuk ndodhesh në mesin e gjërave që t'i ka ëndja?
- Po, por kam dëshirë të mbjell, - i tha robi.
Pastaj filloi ta hedhë farën. Kështu, mbirja, rritja dhe korrja (e së mbjellës) ia tejkaluan lëvizjes së qerpikut, saqë u rritën sa kodra. Allahu i tha: “Ja, merre, o biri i Ademit, se ty nuk të ngop asgjë.”
Beduini tha: “Betohem në Allahun se ky, ose është kurejsh, ose ensar, sepse ne (beduinët) nuk jemi njerëz të të mbjellave.” Sakaq Pejgamberi ﷺ qeshi.
21. Nënkapitulli: Transmetimet rreth mbjelljes së pemëve dhe perimeve
2349. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakubi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhumave gëzoheshim përherë. Kishim një plakë e cila merrte ca rrënjë spinaqi, që e mbillnim përreth përrenjve tanë, i vendoste në një kusi së bashku me disa kokrra elbi, - kujtoj se ka thënë: pa i shtuar dhjamë e as yndyrë mishi. - Pasi e falnim xhumanë, e vizitonim, e ajo na sillte ushqimin në fjalë, gjë për të cilën i gëzoheshim ditës së premte. Nuk hanim drekë e as dremitnim, përveçse pas xhumasë.”
2350. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Po thonë se Ebu Hurejra e ka tepruar së transmetuari hadithe, mirëpo do të dalim para Allahut. Po ashtu po thonë: “Ç'është puna e muhaxhirëve dhe ensarëve, ata nuk po transmetojnë hadithe si ai?”
Vëllezërit muhaxhirë ishin të zënë nëpër tregje me shitblerje, kurse vëllezërit ensarë ishin të zënë me punët e fushës, ndërkaq unë kam qenë një i ngratë që i shkoja pas të Dërguarit të Allahut ﷺ barkthatë. Isha i pranishëm kur ata mungonin dhe i mbaja në mend gjërat që ata i harronin. Një ditë Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse dikush e shtron rrobën e vet derisa t'i kryej këto fjalë, e pastaj e merr dhe e vesh, asnjëherë nuk do të harrojë asnjë fjalë timen.” Unë shtrova një gunë, përveç së cilës nuk kisha rrobë tjetër, derisa Pejgamberi ﷺ i kreu fjalët e tij, e pastaj e vesha. Betohem në Atë, që e ka dërguar me të vërtetën, se prej asaj dite deri më sot nuk kam harruar asnjë fjalë të Pejgamberit ﷺ. Betohem në Allahun se, sikur të mos ishin dy ajete në Librin e Allahut, kurrë nuk do t'ju kisha transmetuar asnjë hadith: “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Tevrat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (melekë e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë. Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” (Bekare, 159-160)