42. Ujitja
Nënkapitulli: Dhënia (shpërndarja) e ujit
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... nga uji bëmë çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!” (Enbija, 30), “A e shihni ujin që pini? Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim? Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!” (Vakia, 68-70).
1. Nënkapitulli: Ata që e konsiderojnë dhurimin e ujit sadaka, dhuratë ose si testament të lejuar, qoftë i ndarë apo jo (mes ortakëve)
Othmani transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush po e blen pusin Ruma, që kova e tij të jetë sikurse kova e çdo muslimani (pra, ta lërë vakëf për muslimanët)?” Othmani ishte ai që e bleu.
2351. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një tas, nga i cili piu, ndërsa në të djathtë kishte një fëmijë, i cili ishte më i riu nga të gjithë, kurse të vjetrit ndodheshin në të majtë të tij. Pejgamberi ﷺ iu drejtua djaloshit:
- “O djalosh, a më lejon t'ua jap më të vjetërve?”
- Nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon mua, prej asaj që ka mbetur nga ti, o i Dërguari i Allahut! - ia ktheu djaloshi.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia dha ibrikun atij.”
2352. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë me qumësht nga një dele shtëpiake, që mbahej në oborrin e Enes ibn Malikut, enë kjo e cila ishte përzier me ujë të marrë nga një pus në oborrin e Enesit. I Dërguari i Allahut ﷺ piu dhe, kur e largoi enën nga goja, ndërkohë Ebu Bekri ndodhej në të majtë të tij, kurse një beduin në të djathtë, Omeri, nga frika se do t'ia jepte beduinit, i tha: “Jepja Ebu Bekrit, o i Dërguari i Allahut, e ke pranë!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ ia dha beduinit në të djathtë dhe tha: “Nga e djathta në të djathtë!”
2. Nënkapitulli: Pronari i ujit ka përparësi për ta shfrytëzuar atë, derisa ta ngopë fushën e vet
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet bllokimi i tepricës së ujit.”
2353. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e bllokoni tepricën e ujit me të cilën do ta bllokonit edhe kullosën.”
2354. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi dhe Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e bllokoni tepricën e ujit me të cilën do ta bllokonit edhe kullosën.”
3. Nënkapitulli: Nuk ka shpagim për pusin e hapur brenda pronës private (nëse në të shkaktohet ndonjë aksident)
2355. Nga: Ebu Hurejra
Mahmudi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Hasijni, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka shpagim (gjaku) për atë që vdes duke punuar në minierë, as për atë që vdes duke hapur bunarin e as për atë që e mbyt kafsha. Ndërkaq, për thesarin e lashtë jepet një e pesta.”
4. Nënkapitulli: Zënkat për shkak të një bunari dhe gjykimi në raste të atilla
2356. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2356, 2357 - Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun për t'ia rrëmbyer dikujt pasurinë, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, për ta nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën e ardhshme. Allahu nuk ka për t'u folur atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit, as do t'i pastrojë prej mëkateve, e për ta ka dënim të rëndë....” (Ali Imran, 77)
Eshathi erdhi dhe tha: “Çfarë hadithi ju ka transmetuar Ebu Abdurrahmani? Ky ajet ka zbritur për mua: “Kisha një bunar në tokën e një djali të xhaxhait tim (dhe pas një zënke në lidhje me pronësinë), Pejgamberi ﷺ më tha: “Silli dëshmitarët.”
- Nuk kam dëshmitarë, - i thashë.
- “Atëherë, le të betohet ai tjetri!”
- E po, o i Dërguari i Allahut, ai do të betohet! - i thashë. Atëherë Pejgamberi ﷺ e tha këtë hadith, e në atë rast Allahu e zbriti këtë ajet për të miratuar fjalën e tij.”
2357. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2356, 2357
5. Nënkapitulli: Mëkati i atij që ia privon ujin udhëtarit
2358. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Zijadi, e ky nga Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tre persona Allahu nuk i shikon Ditën e Gjykimit e nuk i pastron, por i dënon dhembshëm:
1. Atë që posedon ujë me tepricë përreth rrugës, por e pengon udhëtarin që të pijë;
2. Atë që i besatohet një prijësi për interes të dynjasë: nëse i jep pasuri, kënaqet, e, nëse nuk i jep, hidhërohet,
3. Atë që e ekspozon produktin pas ikindisë e thotë: “Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë, se më kanë ofruar kaq e aq (çmim më të lartë)”, ndërsa tjetri i beson.”
Pastaj e lexoi ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël...” (Ali Imran, 77)
6. Nënkapitulli: Bllokimi i lumenjve
2359. Nga: Abdullah ibn Zubejri
2359, 2360 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Abdullah ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë ensar e paditi Zubejrin te Pejgamberi ﷺ për vadën e ujit me të cilën i ujitnin hurmat. Ensariu i thoshte: “Lëshoje ujin të rrjedhë!”, por ai refuzonte, andaj e paditi te Pejgamberi ﷺ.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha Zubejrit: “O Zubejr, ujite kopshtin tënd, pastaj ujin lëshoja fqinjit.” Por, ensariu u nevrikos dhe tha: “A pse është djali hallës sate?” Sakaq të Dërguarit të Allahut ﷺ i ndryshoi fytyra dhe tha: “Zubejr, ujite kopshtin tënd dhe bllokoje ujin derisa kopshti të ngopet mirë!”
Zubejri thotë: “Betohem në Allahun se mendoj që ajeti në vijim ka zbritur për këtë rast: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykues për kundërshtitë mes tyre...” (Nisa, 65)
Muhamed ibn Abasi ka thënë: “Ebu Abdullahu ka thënë: “Askush tjetër nuk e përmend Urven si transmetues nga Abdullahu, përveç Lejthiut.”
2360. Nga: Abdullah ibn Zubejri
2359, 2360
7. Nënkapitulli: Ujitja e tokës që ndodhet pranë burimit para asaj që ndodhet më larg
2361. Nga: Urve ibn Zubejri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Urve tregon: “Zubejri u zu me një burrë ensar dhe Pejgamberi ﷺ i tha: “O Zubejr, ujite kopshtin, pastaj lëshoje ujin!”
- Ngaqë është djali i hallës sate? - i tha ensariu.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Zubejr, ujite kopshtin derisa të ngopet mirë, pastaj lëshoje ujin!”
Zubejri thotë: “Mendoj se ajeti në vijim ka zbritur për këtë rast: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykues për kundërshtitë mes tyre...” (Nisa, 65)
8. Nënkapitulli: Ujitja e tokës që ndodhet më afër burimit, derisa të ngopet
2362. Nga: Urve ibn Zubejri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahledi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri tregon se një burrë ensar e paditi Zubejrin për vadën me të cilën e ujitnin kopshtin. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Zubejr, ujite kopshtin tënd, pastaj ujin lëshoja fqinjit.” Pra, e urdhëroi për mirësi.
- Ngaqë është djali hallës sate? - tha ensariu.
Sakaq të Dërguarit të Allahut ﷺ i ndryshoi fytyra dhe tha: “Ujite kopshtin, pastaj bllokoje ujin, derisa të ngopet mirë.” Pra, gjykoi me drejtësi, aq sa i takonte Zubejrit.
Zubejri thotë: “Betohem në Allahun se ajeti në vijim ka zbritur për këtë rast: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykues për kundërshtitë mes tyre...” (Nisa, 65)
Ibn Shihabi më ka thënë: “Pas kësaj, ensarët dhe të tjerët e morën si kriter për matjen e ujitjes fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Ujite, pastaj bllokoje, derisa kopshti të ngopet mirë”, dhe rezultoi që ujitja duhej të vazhdonte derisa uji të arrinte te zogu i këmbës.”
9. Nënkapitulli: Vlera e dhënies ujë të tjerëve
2363. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ishte duke ecur, e mori etja fort, andaj zbriti në një pus dhe piu ujë. Kur doli nga pusi, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: “E paska marrë etja siç më pati marrë mua.” Kështu, këpucën e mbushi me ujë, e kapi me dhëmbë dhe u ngjit sipër pusit, që t'i jepte qenit për të pirë. Allahu i ishte mirënjohës për veprën, prandaj ia fali mëkatet.”
Sahabët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?”
- “Për çdo gjallesë që ka mushkëri të njomë ka shpërblim”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Këtë transmetim e fuqizojnë Hamad ibn Seleme dhe Rebi ibn Muslimi nga Muhamed ibn Zijadi.
2364. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Nafi ibn Omeri, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e fali namazin e eklipsit dhe tha: “M'u afrua Zjarri saqë thashë: “Zoti im! A edhe unë jam me ta?” Aty pashë një grua, - kujtoj se ka thënë: të cilën një mace e çirrte me thonj -. Thashë: “Ç'është puna e kësaj?” Më thanë: “E ka ngujuar macen derisa ka ngordhur nga uria.”
2365. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një grua u dënua për shkak të një maceje: e kishte ngujuar derisa ngordhi nga uria, andaj, për shkak të saj hyri në Zjarr, - thotë: “Allahu e di më së miri!” - Asaj iu tha: “As e ushqeje, as i jepje të pinte e as e lëshoje të ushqehej vetë me gjallesa të tokës.”
10. Nënkapitulli: Ata që konsiderojnë se pronari i pellgut apo vozës ka përparësi në ujin që gjendet në të
2366. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një tas, nga i cili piu, ndërsa në të djathtë kishte një fëmijë, i cili ishte më i riu nga të gjithë, kurse të vjetrit ndodheshin në të majtë të tij. Pejgamberi ﷺ iu drejtua djaloshit:
- “O djalosh, a më lejon t'ua jap më të vjetërve?”
- Nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon mua, prej asaj që ka mbetur nga ti, o i Dërguari i Allahut! - ia ktheu djaloshi.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia dha ibrikun atij.”
2367. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të dëboj disa njerëz nga Hauzi im siç dëbohet deveja e huaj nga pellgu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2367
Fjalë të panjohura?
2368. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Ejubi dhe Kethir ibn Kethiri, - të cilët plotësojnë njëri-tjetrin, - e këta nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur ta linte Zemzemin, - ose ka thënë: të mos e pengonte ujin, - do të shndërrohej në krua që rrjedh. Pastaj vajtën fisi xhurhum, të cilët i thanë: “A na lejon të vendosemi këtu te ti?” Ajo u tha: “Po, por nuk keni hise në këtë ujë.”
- Në rregull! - i thanë ata.”
2369. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tre personave Allahu nuk u flet Ditën e Gjykimit e nuk i shikon:
1. Atij që betohet rrejshëm për një produkt se i kanë ofruar për t'ia blerë edhe më shtrenjtë;
2. Atij që betohet rrejshëm (në tregtinë) pas ikindisë, që t'ia rrëmbejë pasurinë ndonjë muslimani duke e mashtruar;
3. Si dhe atij që e bllokon tepricën e ujit, të cilit Allahu i thotë: “Sot do të ta ndaloj mirësinë Time ashtu siç e bllokoje mirësinë e asaj që nuk e punoje vetë.”
Aliu ka thënë: “Na ka treguar Sufjani, më shumë se një herë, nga Amri, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun, transmetimi i të cilit arrin deri te Pejgamberi ﷺ.”
11. Nënkapitulli: Përvetësimi i kullosave publike i takon vetëm Allahut dhe të Dërguarit të Tij
2370. Nga: Sab ibn Xhethame Lejthiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe, e ky nga Ibn Abasi se Sab ibn Xhethame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Përvetësimi i kullosave publike i takon vetëm Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”1
Ibn Shihab Zuhriu thotë: “Na është transmetuar se Pejgamberi ﷺ ka përvetësuar Nekinë, kurse Omeri ka përvetësuar Sherefin dhe Rabedhën.”
12. Nënkapitulli: Të pirët dhe dhënia ujë bagëtive nga lumi
2371. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kuajt, për dikë janë shpërblim, e për dikë mburojë, ndërsa për dikë janë mëkat. Shpërblim janë për atë që rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh në kullosë ose kopsht, ia lë litarin të gjatë. Çfarëdo që ha nga kullosa ose kopshti, i llogaritet shpërblim pronarit. Nëse ndodh ta këpusë litarin dhe të ikë një ose dy kodra larg, fërkemet dhe bajgat e tij, i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur pronari t'i japë ujë, sërish, i llogaritet shpërblim pronarit. Pra, kështu kuajt llogariten shpërblim (për pronarin).
Ndërkaq, ai që mban kalë, për qëllime personale fitimprurëse, por nuk e harron hakun e tyre; për shpinën (kalërimin) dhe kokat (zekatin) e tyre, me të cilin Allahu e ka ngarkuar, i llogaritet mburojë për të (nga varfëria).
E, ai që mban kalë nga krenaria, syefaqësia dhe e shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve, i llogaritet mëkat.”
I Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur për gomarët dhe është përgjigjur: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoq: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)
2372. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti për gjënë e humbur. Pejgamberi ﷺ i tha: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Nëse s'i vjen pronari, bëj ç'të duash me të.”
- Po delja e humbur? - pyeti burri.
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- E deveja e humbur?
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të shkojë të pijë e të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
13. Nënkapitulli: Shitja e druve për djegie dhe ushqimit për bagëti
2373. Nga: Zubejr ibn Avami
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Zubejr ibn Avami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Që dikush nga ju të marrë disa litarë dhe me to bart barrën e druve në shpinë e t'i shesë, në mënyrë që Allahu t'ia ruajë fytyrën, është më mirë sesa t'u lypë njerëzve, pavarësisht a i japin a jo.”
2374. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Abdurrahman ibn Aufit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Që dikush nga ju të dalë e të bartë një deng me dru mbi shpinë (për t'i shitur) është më mirë sesa të lypë, pavarësisht a i japin a jo.”
2375. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejn ibn Aliu, e ky nga babai i tij Husejn ibn Aliu se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ndau një deve prej plaçkës së Luftës së Bedrit. Më vonë më dha edhe një deve tjetër. Një ditë, i mora dhe shkova te një ensar, për të bartur idhhir për shitje. Me vete kisha një argjendar të fisit benu kajnuka. Doja që paratë e fituara t'i shfrytëzoja në dasmë me Fatimen.
Hamza ibn Abdulmutalibi ishte duke pirë alkool në po të njëjtën shtëpi ku ndodhej një shërbëtore këngëtare, e cila tha: “O Hamza, po kalojnë dy deve të majme!”
Hamzai u ngrit me vrull drejt tyre me shpatë, ua këputi gungat, ua shqeu barqet dhe ua nxori mushkëritë.
Pashë një pamje që më tmerroi, andaj shkova te Pejgamberi ﷺ, me të cilin ishte edhe Zejd ibn Harithe, dhe ia tregova ngjarjen. Ai doli së bashku me Zejdin, e unë pas tyre, dhe shkoi te Hamzai, të cilin e qortoi rreptë. Hamzai e ngriti shikimin dhe tha: “A mos vallë, jeni diç tjetër përveçse robër të paraardhësve të mi?” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ u tërhoq mbrapa derisa doli nga shtëpia. Kjo ka ndodhur para se alkooli të bëhej haram.
14. Nënkapitulli: Toka që udhëheqësi ua ndan njerëzve
2376. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Jahja ibn Seidi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ donte t'u jepte tokë ensarëve në Bahrejn, por ata thanë: “Vetëm nëse u jep edhe muhaxhirëve aq sa na jep neve.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Pas vdekjes sime do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja, andaj duroni, derisa të më takoni.”
15. Nënkapitulli: Evidentimi i të dhënave të tokave të ndara nga udhëheqësi për njerëzit
2377. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Lejthiu transmeton nga Jahja ibn Seidi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i thirri ensarët për t'u dhënë një pjesë toke në Bahrejn. Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut, nëse do të na japësh neve, atëherë shkruajua edhe vëllezërve tanë muhaxhirë një pjesë sikurse neve. Por, Pejgamberi ﷺ nuk deshi kështu, andaj tha: “Pas vdekjes sime do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja, andaj duroni, derisa të më takoni.”
16. Nënkapitulli: Mjelja e devesë kur i jepet për të pirë
2378. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fulejhu, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është e udhës që devetë të milen tek uji (mrizi, që t'u jepet qumësht të varfërve).”
17. Nënkapitulli: Nëse dikush posedon vendkalim ose pus në kopshtin e tjetrit
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shet një kopsht me palma hurmash të pllenuara, frutat e saj i takojnë shitësit, po ashtu, atij i takon edhe e drejta të kalojë nëpër të dhe t’i ujisë derisa të piqen. Kjo vlen edhe për pronarin e arajave.”
2379. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka rrëfyer: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kush blen pemë hurmash të pllenuara, frutat i takojnë shitësit, përveç nëse blerësi ia kushtëzon. Kush blen një rob, që posedon pasuri, pasuria e tij i takon shitësit, përveç nëse blerësi ia kushtëzon.”
Po ashtu transmetohet nga Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Omeri, përkitazi me robin.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2379
Fjalë të panjohura?
2380. Nga: Zejd ibn Thabiti
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë lehtësime në shitjen e arajave duke e vlerësuar sasinë e frutave përafërsisht, me sy.
2381. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitblerjet muhabere, muhakale, muzabene dhe shitjen e frutave pa iu shfaqur shenjat e pjekjes, si dhe shitjen me diç tjetër pos me dinarë e dërhemë, përveç arajave.
2382. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Davud ibn Husajni, e ky nga Ebu Sufjani, i çrobëruari i Ebu Ahmedit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë lehtësime në shitjen e arajave duke e vlerësuar sasinë e frutave përafërsisht, me sy, me kusht që të jenë pesë evsukë, - ose më pak; Davudi është në mëdyshje.
2383. Nga: Rafi ibn Hadixhi - Sehël ibn Ebu Hathme
2383, 2384 - Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka rrëfyer Velid ibn Kethiri, e këtij i ka rrëfyer Bushejr ibn Jesari, i çrobëruari i fisit benu harithe, se Rafi ibn Hadixhi dhe Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) kanë treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar shitblerjen muzabene: shitjen e frutave të thata me ato të njoma, përveç pronarëve të arajave, të cilëve ua ka lejuar këtë gjë.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ibn Is'haku ka thënë: “Më ka treguar Bushejri, njëjtë.”
2384. Nga: Rafi ibn Hadixhi
2383, 2384