43. Huaja dhe kthimi i saj, bllokimi i pasurisë dhe falimentimi
1. Nënkapitulli: Blerja me borxh, kur njeriu nuk i posedon paratë ose nuk i ka të gatshme në momentin e blerjes
2385. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Mugire, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kam luftuar së bashku me Pejgamberin ﷺ dhe më ka thënë: “Si po të duket deveja jote? A po ma shet?”
- Po, - i thashë dhe ia shita.
Kur shkuam në Medinë, ia dërgova devenë dhe ma pagoi.
2386. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi, në prani të të cilit është përmendur pengu në shitblerje, e këtij i ka treguar Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bleu ushqim veresie nga një hebre duke i lënë peng një parzmore të hekurt.
2. Nënkapitulli: Ai që huazon pasurinë e dikujt dhe synon t’ia kthejë apo synon t’ia shkatërrojë
2387. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Theur ibn Zejdi, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i merr dikujt pasuri hua me synim për t'ia kthyer, Allahu do t'ia lehtësojë kthimin e saj, ndërsa atij që i merr dikujt hua me synim për të mos ia kthyer, Allahu do t'ia shkatërrojë pasurinë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2387
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Kthimi i borxheve
Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” (Nisa, 58)
2388. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha duke ndenjur me Pejgamberin ﷺ, e shikoi Uhudin dhe tha: “Edhe sikur të më shndërrohej i tëri në ar, asnjë dinar nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej më shumë se tri ditë, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit.” Pastaj tha: “Të pasurit kanë më së pakti shpërblim, përveç atij që jep pasuri kështu e ashtu”, - Ebu Shihabi (transmetuesi i këtij hadithi) bëri me duar përpara, djathtas dhe majtas - “por të atillët janë të paktë.” Pastaj më tha:
- “Prit aty ku je”, dhe shkoi më tutje.
Dëgjova një zë dhe doja të shkoja të shikoja, por m'u kujtua se më tha: “Prit derisa të kthehem.”
Kur u kthye, i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, zërin që dëgjova?
- “E dëgjove, vallë?”
- Po.
- “Erdhi Xhibrili ﷺ dhe më tha: “Kushdo që vdes prej umetit tënd, duke mos i bërë shirk Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
- Edhe nëse bën këtë e atë vepër?
- “Po”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.”
2389. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Shebib ibn Seidi më ka thënë: Na ka treguar babai im, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Edhe sikur të posedoja ar sa Uhudi, nuk do të dëshiroja të më mbetej asgjë prej tij më shumë se tri ditë, përveç aq sa për të kthyer borxhin.”
Këtë e transmetojnë Salihu dhe Ukajli nga Zuhejri.
4. Nënkapitulli: Marrja e devesë hua
2390. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Seleme ibn Kuhejli, e ky e ka dëgjuar Ebu Selemen në Mina se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ duke kërkuar me ashpërsi t'i kthejë një borxh. Sahabët deshën ta kapin, por Pejgamberi ﷺ u tha: “Lëreni, se huadhënësi ka të drejtë të kërkojë borxhin e tij sa herë të dojë. Blijini një deve dhe jepjani!”
- Nuk ka të moshës së njëjtë, veç më të madhe, - i thanë.
- “Blijeni (atë të moshës më të madhe) dhe jepjani, sepse më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”
5. Nënkapitulli: Mirësia ndaj borxhliut
2391. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdulmeliku, e ky nga Ribëiu se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Një burrë vdiq dhe (melekët) e pyetën:
- Çfarë ke vepruar?
- U jepja hua njerëzve: të kamurit ia shtyja afatin e borxhit, ndërsa skamnorit ia lehtësoja atë, - tha ai. Për këtë arsye Allahu e fali.”
Ebu Mesudi ka thënë: “E kam dëgjuar këtë nga Pejgamberi ﷺ.”
6. Nënkapitulli: A lejohet kthimi i borxhit me deve që është më e vjetër?
2392. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka treguar nga Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Seleme ibn Kuhejli, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi për t'i kërkuar Pejgamberit ﷺ një deve që ia kishte dhënë borxh më herët. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jepjani!”
- Nuk po gjejmë tjetër përveçse më të madhe (në moshë), - i thanë.
- Ma ktheve hakun tim tërësisht, Allahu ta ktheftë me të mirë! - i tha burri në fjalë.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jepjani, sepse më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”
7. Nënkapitulli: Mirësia në kthimin e borxhit
2393. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Seleme, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ një personi i kishte borxh një deve, andaj ai erdhi për t'ia kërkuar. Pejgamberi ﷺ tha: “Jepjani!” Ata kërkuan një të moshës së njëjtë, por nuk gjetën, përveçse më të madhe. Pejgamberi ﷺ tha: “Jepjani atë!”
- Ma ktheve hakun tim tërësisht, Allahu ta ktheftë me të mirë! - i tha burri në fjalë.
- “Më i miri prej jush është ai që e kthen borxhin në formën më të mirë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
2394. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Haladi na ka thënë: Na ka treguar Misari, e këtij i ka treguar Muharib ibn Dithari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ teksa ishte në xhami, - Misari thotë: “Kujtoj se ka thënë: Paradite.”
- “Fali dy rekate!” - më tha, pastaj ma ktheu borxhin që ma kishte, madje më dha shtesë.”
8. Nënkapitulli: Lejohet kthimi i një pjese të borxhit duke kërkuar t’ia falë pjesën tjetër
2395. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar i biri i Kab ibn Malikut se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, babai i tij kishte rënë shehid në Luftën e Uhudit dhe pas vetes kishte lënë borxhe. Kështu, borxhlinjtë filluan t'i kërkojnë borxhet, andaj shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili u kërkoi atyre t'i pranojnë hurmat e kopshtit tim dhe t'ia falin pjesën e mbetur të borxhit, por ata refuzuan. Pejgamberi ﷺ nuk donte t'ua jepte të gjithë kopshtin dhe më tha: “Nesër do të vijmë te ti.”
Në mëngjes, erdhi te ne, hyri në kopsht dhe shëtiti gjithandej duke bërë lutje për bekimin e frutave. Pastaj i vola dhe i ktheva borxhet, si dhe mbetën hurma edhe për ne.
9. Nënkapitulli: Kur ia kthen borxhin e hurmave me hurma ose të diçkaje tjetër kuturu
2396. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Na ka treguar Enesi, e ky nga Hishami, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur i vdiq babai i tij, pas vetes kishte lënë borxh prej tridhjetë evsukësh ndaj një hebreu. Xhabiri kërkoi t'ia shtynte borxhin, por ai refuzoi, andaj vajti te Pejgamberi ﷺ për të ndërmjetësuar. I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te hebreu dhe kërkoi që ai t'i marrë hurmat e kopshtit të Xhabirit në këmbim të borxhit, por ai refuzoi. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në kopshtin e hurmave dhe eci nëpër të, pastaj i tha Xhabirit: “Vili hurmat dhe jepi atij aq sa i takon.”
Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi, Xhabiri i voli dhe ia dha hebreut tridhjetë evsukë e i mbetën shtatëmbëdhjetë të tjerë. Xhabiri shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ për t'i treguar atë që kishte ndodhur dhe e gjeti duke falur ikindinë. Pasi e kreu, i tregoi për pjesën e tepruar e ai tha: “Këtë tregoja Ibn Hatabit!”
Xhabiri shkoi dhe i tregoi Omerit, i cili i tha: “Që nga momenti kur e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke ecur nëpër të, e kam ditur se aty do të zbresë bereqeti.”
10. Nënkapitulli: Kërkimi i mbrojtjes kundrejt borxhit
2397. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu. [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë namazit, lutej: “O Allah, kërkoj mbrojtjen tënde nga mëkatet dhe borxhet.”
- O i Dërguari i Allahut, sa shumë po kërkon mbrojtje kundrejt borxheve! - i tha dikush.
- “Kur njeriu hyn në borxhe, ndodh të gënjejë kur flet dhe të mos e mbajë fjalën kur premton.”
11. Nënkapitulli: Namazi i xhenazes për atë që lë borxhe pas vetes
2398. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Adij ibn Thabiti, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush lë pasuri pas vetes, u takon trashëgimtarëve të tij, e kush lë borxh, na takon neve (t'ia kryejmë atë).”
2399. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Fulejhu, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam më i afërt për besimtarët, në këtë botë dhe në tjetrën. Nëse doni, lexojeni ajetin: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin...” (Ahzab, 6) Prandaj, nëse një besimtar vdes dhe lë pasuri, le ta trashëgojnë të afërmit, kushdo qofshin ata, ndërkaq, nëse lë borxh ose pasardhës të varfër, le të vijë tek unë, sepse unë jam kujdestar i tij.”
12. Nënkapitulli: Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit, konsiderohet padrejtësi
2400. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu, vëllai i Vehb ibn Munebihut, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit, konsiderohet padrejtësi.”
13. Nënkapitulli: Huadhënësi ka të drejtë të kërkojë borxhin e tij kur të dojë
Theksohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit, bëhet shkak për cenimin e nderit dhe dënimin e tij.” Sufjani ka thënë: "Cenimi i nderit nënkupton kur huadhënësi i thotë në vazhdimësi: "Po e shpërfill kthimin e borxhit. Ndërkaq, dënimi i tij nënkupton të burgoset."
2401. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Shuëbe, e ky nga Seleme, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ duke i kërkuar me ashpërsi t'i kthejë një borxh. Sahabët deshën ta kapnin, por Pejgamberi ﷺ u tha: “Lëreni, sepse huadhënësi ka të drejtë të kërkojë borxhin e tij kur të dojë.”
14. Nënkapitulli: Nëse dikush e gjen pasurinë e vet tek i falimentuari, të cilën ai, ose e ka marrë nëpërmjet blerjes veresie, ose nëpërmjet borxhit ose i është lënë nën përkujdesje, ka përparësi për ta marrë
Haseni ka thënë: Nëse vërehet qartë se ka falimentuar, nuk i lejohet as të lirojë rob (nëse posedon ndonjë të tillë), as të shesë e as të blejë. Seid ibn Musejebi ka thënë: "Othmani gjykoi në këtë formë: pra, kush arrin ta marrë pasurinë e vet para se borxhliu të falimentojë, atij i takon ajo që ka marrë. Ndërkaq, ai që e gjen produktin a gjësendin e vet (tek i falimentuari), ka përparësi për ta marrë."
2402. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Muhamed ibn Amër ibn Hazmi, e këtij i ka treguar Omer ibn Abdulazizi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ai që e gjen gjësendin e vet te një burrë, - ose ka thënë: njeri, - që ka falimentuar, ka përparësi që ta marrë atë kundrejt dikujt tjetër.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2402
Fjalë të panjohura?
15. Nënkapitulli: Ai që e vonon borxhin një ditë apo më shumë dhe nuk e konsideron këtë shpërfillje të borxhit
Xhabiri tregon: "Borxhlinjtë e shtuan presionin për borxhin që ua kishte babai im." Pejgamberi ﷺ u kërkoi t’i pranojnë hurmat e kopshtit tim, por ata refuzuan. Andaj, Pejgamberi ﷺ nuk ua dha kopshtin tim e as e ndau mes tyre, dhe më tha: “Nesër do të vij tek ti.” Në mëngjesin e të nesërmes, erdhi dhe bëri dua për bereqet (për hurmat). Kështu që, arrita t’ua kthej atyre borxhet.
16. Nënkapitulli: Ai që e shet pasurinë e të falimentuarit a të skamnorit dhe ua ndan borxhlinjve ose ia kthen pronarit të falimentuar për t’i mbuluar shpenzimet e veta
2403. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Husejn Mualimi, e këtij i ka treguar Ata ibn Ebu Rebahu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se një burrë liroi një rob duke ia kushtëzuar lirinë me vdekjen e pronarit. Pejgamberi ﷺ e mori robin dhe tha: “Kush po e blen këtë rob prej meje?”
Atë e bleu Nuajm ibn Abdullahu. Pejgamberi ﷺ i mori paratë dhe ia dha pronarit (i cili tanimë kishte falimentuar).
17. Nënkapitulli: Dhënia hua apo shitblerja veresie me afat të caktuar
Ibn Omeri, për dhënien hua me afat të caktuar, ka thënë: "Nuk prish punë, edhe nëse i kthen dërhemë më të vlefshëm sesa që i ka dhënë, përderisa fillimisht nuk kushtëzohet." Atai dhe Amër ibn Dinari kanë thënë: "Huaja duhet të kthehet në afatin e caktuar."
2404. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ rrëfeu ngjarjen e një personi prej benu israilëve që kishte kërkuar hua prej një tjetri, po nga benu israilët, dhe ky i dyti ia kishte huazuar me afat të caktuar. Në vijim përmendi hadithin të plotë.
18. Nënkapitulli: Ndërmjetësimi në faljen e borxhit
2405. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Mugire, e ky nga Amiri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdullahu (babai i Xhabirit) u vra dhe la pas fëmijë e borxhe. Kërkova prej borxhlinjve të më falin një pjesë të borxhit, por refuzuan. Andaj, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe kërkova që ai të ndërmjetësojë për mua tek ata, por sërish refuzuan. Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Shko dhe klasifikoji hurmat e tua: idhk ibn zejdin veçmas, të butat veçmas dhe axhvet veçmas, pastaj thirri borxhlinjtë derisa të vij unë.”
Ashtu veprova e Pejgamberi ﷺ erdhi e u ul në mes të hurmave dhe ua mati secilit (aq sa i takonte), derisa i kreu të gjithë, ndërsa hurmat mbetën ashtu siç ishin, sikurse të mos ishin prekur fare.”
2406. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha në një betejë së bashku me Pejgamberin ﷺ me një deve që e përdornim për punë fushe, e cila (nga rrugëtimi i gjatë) filloi të ngadalësohej dhe më la mbrapa karvanit. Pejgamberi ﷺ e ngërmoi nga mbrapa, pastaj më tha:
- “Shitma dhe po ta lë t'i hipësh deri në Medinë.”
Kur iu afruam Medinës, i kërkova leje dhe i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, sapo jam martuar.
- “Çfarë nuseje ke marrë: të virgjër apo të ve?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Të ve. Abdullahu (babai im) u vra në luftë dhe ka lënë vajza të vogla, andaj jam martuar me një të ve, që ajo t'i mësojë e t'i edukojë.
- “Atëherë shko te bashkëshortja jote.”
Kur erdha në Medinë, i tregova dajës tim që e kam shitur devenë, por ai më qortoi. Gjithashtu i tregova se ajo ishte lodhur dhe se Pejgamberi ﷺ e kishte ngërmuar. Kur arriti Pejgamberi ﷺ, shkova dhe ia dërgova devenë e ai ma dha pagesën për të dhe pjesën time prej plaçkës së luftës, si dhe ma ktheu devenë.”
19. Nënkapitulli: Ndalesa për shpërdorimin e pasurisë
Si dhe bllokimi i pasurisë dhe ndalesa e mashtrimit përkitazi me të.
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” (Bekare, 205) “Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.” (Junus, 81) “... a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam?” (Hud, 87) “Pasurinë tuaj mos e lini në dorë të mendjelehtëve (të papjekurve)...” (Nisa, 5)
2407. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë i tha Pejgamberit ﷺ: “Unë mashtrohem lehtë në tregti.” Në atë rast Pejgamberi ﷺ i tha: “Kur të bësh tregti, thuaj: “Nuk lejohet mashtrimi.” Pas kësaj, ai gjithmonë e thoshte këtë.”
2408. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Othmani më ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Shabiu, e ky nga Verradi, i çrobëruari i Mugire ibn Shuëbes, se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu jua ka bërë haram mosrespektimin e nënave, varrosjen e bijave për së gjalli, privimin e të tjerëve nga pasuria dhe lypjen pa të drejtë, si dhe urren thashethemet, të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.”
20. Nënkapitulli: Robi është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së vet dhe nuk punon për vete pa lejen e tij
2409. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar dhe është përgjegjës për kopenë e vet.
Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për ta.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të saj, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.” Këto i kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, mendoj se ka thënë edhe: “Burri është kujdestar për pasurinë e babait të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Pra, secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.”