45. Gjësendet e humbura
1. Nënkapitulli: Nëse pronari i gjësendit të humbur e përshkruan atë në detaje, i dorëzohet malli i gjetur
2426. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe. Po ashtu, Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Seleme, e ky e ka dëgjuar Suvejd ibn Gafeleun se Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjeta një qese me njëqind dinarë, andaj shkova te Pejgamberi ﷺ e më tha: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë.” Ashtu veprova, e shpalla të humbur, por askush nuk e njihte atë. Shkova te Pejgamberi ﷺ, por ai sërish më tha: “Njofto për të për një vit të tërë.” E rishpalla të humbur, por sërish nuk e njihte askush. Kur shkova për së treti, Pejgamberi ﷺ më tha: “Analizoje mirë qesen, përmbajtjen dhe lidhësen e saj. Nëse paraqitet pronari, jepja, në të kundërtën shfrytëzoji.” Rrjedhimisht, i shfrytëzova.
Shuëbe tregon: “E pata takuar Seleme ibn Kuhejlin më vonë në Mekë dhe më pati thënë: “Nuk di nëse hadithi aludon në njoftimin e gjësendit të humbur tre vjet apo një vit.”
2. Nënkapitulli: Deveja e humbur
2427. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Rebia, e këtij i ka treguar Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeti rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj (pas një viti), nëse paraqitet dikush që e njeh, jepja, në të kundërtën shfrytëzoji.”
- O i Dërguari i Allahut, po delja e humbur? - pyeti beduini.
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- E deveja e humbur? - e pyeti sërish beduini.
Pejgamberit ﷺ iu skuq fytyra dhe tha:
- “Ç'ke ti me të? Ajo ka mundësi të ecë dhe ka me vete ujin, mund të shkojë të pijë e të kullotë.”
3. Nënkapitulli: Delja e humbur
2428. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani, e ky nga Jahjai, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberin ﷺ e pyetën rreth gjësendit të humbur, e në atë rast ai tha: “Mbaje në mend mirë torbën dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë.”
Jezidi ka thënë: “Nëse nuk paraqitet pronari i saj, ky, që e gjen, e shfrytëzon, gjë që konsiderohet si gjësend i lënë amanet.”
Jahjai (përkitazi me fjalën e Jezidit) ka thënë: “Nuk e di nëse kjo ndodhet në hadith apo është prej tij!”
- Po për delen e humbur, si qëndron puna? - pyeti beduini.
- “Merre, sepse ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
Jezidi ka thënë: “Edhe për delen duhet noftuar.”
- Po deveja e humbur? - e pyeti sërish beduini.
- “Lëre, ajo ka mundësi të ecë dhe ka me vete ujin, mund të shkojë të pijë e të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet.”
4. Nënkapitulli: Nëse pronari i gjësendit të humbur nuk paraqitet për një vit, ajo i mbetet personit që e ka gjetur
2429. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Rebi ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Nëse pronari nuk paraqitet, atëherë bëj ç'të duash me të.”
- Po delja e humbur? - pyeti beduini.
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- E deveja e humbur?
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të shkojë të pijë e të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet.”
5. Nënkapitulli: Nëse në det gjen ndonjë dru, shkop a diç të tillë
2430. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ua rrëfeu ngjarjen e një burri nga benu israilët dhe pastaj e përmendi hadithin në tërësi, ku, ndër të tjera, tha: “Pastaj doli në bregdet, me shpresë se ndonjë anije do t'ia sillte paratë. Aty e gjeti drurin dhe e mori për ta ndezur zjarrin në shtëpi. Kur e çau, i gjeti paratë dhe letrën (që ia kishte shkruar borxhliu).”
6. Nënkapitulli: Nëse gjen ndonjë hurmë në rrugë
2431. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një hurme të gjuajtur në tokë dhe tha: “Sikur të mos frikësohesha se është hurmë e sadakasë, do ta haja.”
2432. Nga: Ebu Hurejra
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri; Ndërsa Zaide transmeton nga Mensuri, e ky nga Talhai, e këtij i ka treguar Enesi. [t]: Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndonjëherë, kur kthehem në shtëpi, gjej ndonjë hurmë në shtrat, matem ta ha, por, nga frika se mos është hurmë e sadakasë, e lë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2432
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Si njoftohet për gjësendet e gjetura në Mekë?
Tavusi transmeton nga Ibn Abasi se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk e merr gjënë e humbur në Mekë dikush që nuk synon të njoftojë për të.” Halidi transmeton nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk e merr gjënë e gjetur në Mekë, përveçse ai që synon të njoftojë për të.”
2433. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ahmed ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Zekerija, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Mekë nuk lejohet prerja e pemëve, as trazimi i kafshëve, as e merr gjënë e gjetur, përveçse ai që synon të njoftojë për të ndër njerëz, si dhe nuk shkulen gjembat.” Atëherë Abasi i tha:
- O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit?
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
2434. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Allahu ia mundësoi Pejgamberit ﷺ ta çlirojë Mekën, u ngrit mes njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Allahu e ka ndaluar vrasjen në Mekë dhe e ka vënë Mekën nën pushtetin e Pejgamberit ﷺ dhe besimtarëve. Lufta në të nuk i është lejuar askujt para meje, ndërsa mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës, e po ashtu nuk i lejohet askujt pas meje. Në të nuk lejohet trazimi i kafshëve, as shkulja e gjembave, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç nëse njofton për të. Familja e të vrarit ka dy zgjedhje: o shpaguhet gjaku i të vrarit, o merret hak për të (ekzekutohet vrasësi).”
Abasi i tha:
- Përveç idhhirit, sepse me të i mbulojmë varret dhe shtëpitë tona.
- “Përveç idhhirit”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ebu Shahu, një person nga Jemeni, tha: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!”
- “Shënojani këto gjëra Ebu Shahut”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Velid ibn Muslimi tregon: “E pyeta Evzaiun: “Çfarë nënkupton fjala e tij: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!”
- E kishte fjalën për hutben që e kishte dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, - iu përgjigj Evzaiu.”
8. Nënkapitulli: Nuk lejohet mjelja e bagëtisë së huaj pa lejen e pronarit
2435. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e mjelë bagëtinë e huaj pa lejen e pronarit. Vallë, kush ka dëshirë që një i huaj t'i hyjë në depon e tij, t'ia thyejë kazanët dhe t'ia marrë ushqimin? Në gjinjtë e bagëtive të veta ndodhet ushqimi i tyre, andaj askush të mos e mjelë bagëtinë e huaj pa lejen e pronarit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2435
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Nëse pronari i gjësendit të humbur paraqitet pas një viti, i kthehet gjësendi i humbur, ngase ajo konsiderohet amanet për sa ka qenë tek ai që e ka gjetur
2436. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Rebi ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë dhe mbaje në mend mirë torbën dhe lidhësen e saj, pastaj (pas një viti) shfrytëzoje. Nëse pronari paraqitet, ktheja.”
- O i Dërguari i Allahut, po delja e humbur? - pyeti beduini.
- “Merre, sepse ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- O i Dërguari i Allahut, po deveja e humbur? - pyeti sërish beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ u hidhërua, aq sa iu skuqën mollëzat, - ose ka thënë: iu skuq fytyra dhe tha:
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet.”
10. Nënkapitulli: A lejohet të merret gjëja e gjetur, në mënyrë që të mos lihet e humbur e ta marrë dikush që nuk e meriton?
2437. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Seleme ibn Kuhejli se Suvejd ibn Gafele rrëfen: “Së bashku me Selman ibn Rabian dhe Zejd ibn Suhanin isha në një betejë, ku gjeta një bastun, por ata më thanë: “Lëre!”
- Jo! - u thashë, - por, nëse e gjej pronarin e tij, ia kthej, në të kundërtën do ta shfrytëzoj.
Kur u kthyem nga beteja, shkova në haxh dhe, kur kaluam nëpër Medinë, e pyeta Ubej ibn Kabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth kësaj, e ai më tha: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ gjeta një qese me njëqind dinarë, shkova te Pejgamberi ﷺ e më tha: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë.” Andaj, njoftova për një vit të tërë dhe shkova te Pejgamberi ﷺ. Ai sërish më tha: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë.” Kështu veprova dhe, pas një viti, shkova sërish te Pejgamberi ﷺ, e ai sërish më tha: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë.” Pas një viti, kur shkova për të katërtën herë, më tha: “Shikoje mirë qesen, lidhësen e saj dhe sa dinarë përmban. Nëse pronari paraqitet, jepja, në të kundërtën shfrytëzoji.”
Abdani na ka treguar: “Më ka rrëfyer babai im nga Shuëbe: “E pata takuar Seleme ibn Kuhejlin më vonë në Mekë dhe më pati thënë: “Nuk di nëse transmetimi i Ubej ibn Kabit thoshte tre vjet a një vit.”
11. Nënkapitulli: Njoftimi për gjësendin e humbur pa ia dorëzuar prijësit
2438. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Rebia, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një beduin e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Nëse paraqitet dikush që ta përshkruan përmbajtjen dhe tiparet e tij, jepja, në të kundërtën shfrytëzoje.”
E pyeti edhe për devenë e humbur, por Pejgamberit ﷺ iu skuq fytyra (nga hidhërimi) dhe tha:
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të kullotë. Lëre, derisa ta gjejë pronari i vet.”
E pyeti edhe për delen e humbur, e Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
12. Nënkapitull
2439. Nga: Bera ibn Azibi
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e këtij i ka rrëfyer Berai, e ky nga Ebu Bekri. [t]: Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Ebu Bekri i kishte rrëfyer: U nisa dhe, në rrugë e sipër, takova një bari duke i kullotur delet. E pyeta:
- I kujt je?
- I filanit, nga kurejshët, - i një personi që e njihja.
- Kanë qumësht delet e tua? - e pyeta.
- Po, - u përgjigj ai.
- Do ta mjelësh njërën për mua?
- Po, - tha ai.
Kështu, e zgjodha njërën, të cilën ai e lidhi, dhe i thashë t'ia fshijë pluhurin nga gjinjtë e pastaj t'i fshijë edhe duart kështu, - dhe bëri me duar duke i fërkuar ato. E moli delen sa për të pirë një njeri dhe qumështin e vendosa në një kovë, mbi grykën e së cilës vendosa një rrobë, pastaj hodha ujë në të derisa qumështi u freskua. Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, pi!” Ai piu aq sa m'u kënaq shpirti.