47. Ortakëria

1. Nënkapitulli: Ortakëria në gjëra ushqimore, fonde të përbashkëta dhe mallra tregtare

A është e lejuar që gjërat që maten e peshohen të ndahen kuturu apo grushte-grushte? Muslimanët nuk e shohin problematike shfrytëzimin e fondeve të përbashkëta, që njëri të shfrytëzojë njërën pjesë, kurse tjetri pjesën tjetër. Kjo vlen edhe për arin dhe argjendin e tubuar kuturu, si dhe për ngrënien e një e më shumë hurmave përnjëherësh (nga një enë e përbashkët).

2483. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të bregdetit, me diku treqind burra, në krye të të cilëve e emëroi Ebu Ubejde ibn Xherrahun. U nisëm për rrugë, por, kur arritëm deri diku, na mbaruan rezervat ushqimore. Andaj, Ebu Ubejde urdhëroi të tubohen rezervat e secilit ushtar në një vend, të cilat, përafërsisht, u bënë sa dy bohçe hurma. Çdo ditë na jepte për të ngrënë pak nga pak, derisa edhe kjo rezervë u harxhua, kështu që mbetëm me nga një hurmë në ditë.
Vehb ibn Kejsani e pyeti Xhabirin:
- Po si mund t'ia dilnit vetëm me një hurmë?
- Vetëm pasi u harxhuan të tërat kuptuam sa na kryente punë një hurmë e vetme, - tha Xhabiri.
Pastaj vazhdoi: “Kur arritëm buzë detit, hasëm një balenë sa një kodrinë, nga e cila hëngri tërë ushtria për tetëmbëdhjetë net rresht. Pastaj Ebu Ubejde urdhëroi të vendosen dy eshtra të saj e nën to të kalojë një person hipur mbi deve, për të parë vallë a e zinte a jo (gjë të cilën e bënë, për t'u argëtuar e për t'u dëfryer).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2483

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2484. Nga: Seleme ibn Ekvai

Bishr ibn Marhumi na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Rezervat ushqimore të një fisi u pakësuan dhe ranë në varfëri, andaj erdhën te Pejgamberi ﷺ për t'i kërkuar leje që t'i therin devetë e tyre, gjë të cilën ai ua lejoi. E takuan Omerin dhe i treguan, e ai i pyeti: “Me çfarë do të jetoni pasi t'i therni devetë?” Kështu, shkoi te Pejgamberi ﷺ e i tha:
- O i Dërguari i Allahut, me çfarë do të jetojnë pasi t'i therin devetë?!
- “Thirr ndër njerëz, që t'i sjellin rezervat ushqimore që i kanë”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Kështu, shtruan një shtrojë në të cilën i vendosën rezervat që kishin. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, bëri dua dhe e bekoi (ushqimin e tubuar), pastaj i thirri t'i sjellin enët dhe të marrin nga ushqimi i tubuar, derisa nuk mbeti kush pa marrë. Më pas, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2484

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2485. Nga: Rafi ibn Hadixhi

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Ebu Nexhashiu se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi e falnim ikindinë me Pejgamberin ﷺ, i thernim devetë, të cilat i ndanim në dhjetë pjesë dhe, para se të perëndonte dielli, hanim mish të pjekur mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2485

Fjalë të panjohura?

2486. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur esharinjve u pakësohen rezervat ushqimore në betejë, -ose ka thënë: Kur u pakësohet ushqimi familjeve të tyre, të gjitha rezervat e mbetura i tubojnë në një rrobë e i ndajnë mes vete në mënyrë të barabartë. Prandaj, ata janë prej meje dhe unë jam prej tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2486

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Ortakët barazohen mes vete pasi ta kenë nxjerrë zekatin në pasurinë e përbashkët

2487. Nga: Ebu Bekër Sidiku

Muhamed ibn Abdullah ibn Muthena na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi tregon se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i dërgoi një letër që përmbante urdhrat e të Dërguarit të Allahut rreth zekatit, ku shkruante: “Nëse pasuria e dy personave është e përzier, ata barazohen mes vete (pas nxjerrjes së zekatit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2487

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ndarja e deleve

2488. Nga: Rafi ibn Hadixhi

Ali ibn Hakem Ensariu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abaje ibn Rifaje ibn Rafi ibn Hadixhi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Pejgamberin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, por, me të fituar prenë e luftës, fituan shumë deve e dele. Kështu, ata u ngutën, i therën bagëtitë dhe i përgatitën kusitë (për t'i zier), ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. Kur arriti (dhe i pa), Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve.
Papritmas, një deve iku dhe njerëzit iu vunë pas, por nuk arrinin ta zinin dot. Atëkohë në mesin e njerëzve kishte pak kuaj, kështu që një burrë i hipi një kali dhe iu vërsul devesë, e gjuajti me një shtizë dhe e goditi.
Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. E, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).”
Rafiu i tha Pejgamberit ﷺ: “Kemi frikë, - ose ka thënë: shpresojmë, - se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a të therim me kallam?
- “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2488

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Ngrënia e dy e më shumë hurmave përnjëherësh nga ena e përbashkët me të tjerët, duke u kërkuar leje të pranishmëve

2489. Nga: Abdullah ibn Omeri

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Xhebele ibn Suhejmi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar ngrënien e dy e më shumë hurmave përnjëherësh, përveç nëse u kërkon leje të pranishmëve (që hanë nga po e njëjta enë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2489

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2490. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Xhebele tregon: “Kur ishim në Medinë, na kaploi një skamje. Andaj, Ibn Zubejri na sillte hurma. Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kalonte pranë nesh, na thoshte: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar ngrënien e dy e më shumë hurmave përnjëherësh, përveç nëse i kërkon leje vëllait të tij (që ha nga po e njëjta enë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2490

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Vlerësimi korrekt i pasurisë së përbashkët nga ana e ortakëve

2491. Nga: Abdullah ibn Omeri

Imran ibn Mejsera na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen e vet ,- ose ka thënë: pjesën e vet, - që i takon te një rob, ndërkohë posedon pasuri të mjaftueshme, pjesën tjetër ia paguan ortakut dhe robi lirohet. E, nëse nuk posedon pasuri, atëherë robi konsiderohet pjesërisht i liruar.”
Ejubi ka thënë: “Nuk e di nëse thënia: “... atëherë robi konsiderohet pjesërisht i liruar” është fjalë e Nafiut apo është pjesë e hadithit të Pejgamberit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2491

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2492. Nga: Ebu Hurejra

Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Ebu Arube, e ky nga Katadja, e ky nga Nadër ibn Enesi, e ky nga Beshir ibn Nehiku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen e vet që i takon te një rob, ortakut duhet t'ia paguajë nga pasuria e vet pjesën e mbetur të vlerës së robit. E, nëse nuk posedon pasuri, vlera e robit llogaritet në bazë të pjesës së mbetur (të ortakut tjetër), pastaj prej robit kërkohet të punojë, pa e munduar tej mase (në mënyrë që ta lirojë veten plotësisht).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2492

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Hedhja e shortit në ndarjen e pasurisë

2493. Nga: Numan ibn Beshiri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky e ka dëgjuar Amirin se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i respekton kufijtë e Allahut dhe ai që i shkel ata i shëmbëllejnë një populli që kanë vënë short për një anije. Njëri grup (sipas shortit) qëndroi sipër (në kuvertë), kurse tjetri poshtë (në hambar). Këta, që ishin poshtë, atyre që ishin sipër u kërkonin ujë për të pirë dhe thanë: “Sikur të shponim një vrimë në pjesën tonë, më s'do t'i bezdisnim këta sipër nesh.” Nëse ata sipër do t'i lejonin të vepronin atë që dëshironin këta, atëherë do të shkatërroheshin të gjithë, por, nëse do t'i ndalonin, do të shpëtonin të gjithë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2493

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Pjesëmarrja e jetimit së bashku me trashëgimtarët në ndarjen e pasurisë

2494. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdulaziz ibn Abdullah Amiriu Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve se e ka pyetur Aishen; Po ashtu Lejthiu ka thënë: Më ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri rrëfen se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri ose me katër...” (Nisa, 3)
- O biri i motrës sime, është fjala për jetimen, e cila jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj dhe njëherazi, me hisen e saj merr pjesë në pasurinë e tij, ndërsa atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, andaj dëshiron të martohet me të, pa qenë i drejtë në mehrin ndaj saj dhe nuk ia jep mehrin njëjtë sikurse të tjerët. Prandaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera.
Urve ka thënë: “Pastaj Aishja vazhdoi: “Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: “Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Në këtë ajet, fjalët e përmendura nga Allahu: “... dhe Libri që ju lexohet...” aludojnë në ajetin e përmendur pak më parë (ajetin e tretë të sures Nisa). Aishja vazhdon: “Ndërkaq, sa i përket fjalës së Allahut në ajetin tjetër: “... edhe pse dëshironi të martoheni me to" (Nisa, 127) aludon se, përderisa dikush prej jush shmanget nga martesa me jetimen që e ka nën përkujdesje, për shkak se ajo posedon pak pasuri dhe nuk është e bukur, atëherë ju është ndaluar që të martoheni me jetimet vetëm për hir të pasurisë dhe bukurisë së tyre, përveç nëse tregoheni të drejtë (në mehër).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2494

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ortakëria në toka dhe në gjëra të tjera

2495. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i ka dhënë ortakut përparësi blerjeje në çdo gjë që ende nuk është ndarë. Por, nëse vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, nuk ka përparësi blerjeje (për ortakun).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2495

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Nëse ortakët i ndajnë oborret dhe gjërat e tjera, nuk ka kthim mbrapa e as përparësi blerjeje

2496. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i ka dhënë ortakut përparësi blerjeje në çdo gjë që ende nuk është ndarë. Por, nëse vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, nuk ka përparësi blerjeje (për ortakun).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2496

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Ortakëria në ar e argjend dhe në gjërat që mund të këmbehen (valutat)

2497. Nga: Bera ibn Azibi

2497, 2498 - Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e ky nga Othman ibn Esvedi se Sulejman ibn Ebu Muslimi tregon: “Ebu Minhalin e pyeta rreth këmbimit të valutave dorë më dorë, e në atë rast ai më tha: “Unë dhe ortaku im herë këmbenim valuta dorë më dorë, herë veresie.
Kur erdhi Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e pyetëm, e ai na tha: “Edhe unë me ortakun tim, Zejd ibn Erkamin, kemi vepruar kështu, por, kur e pyetëm Pejgamberin ﷺ, na tha: “Nëse kryhet aty për aty, dorë më dorë, merrini, por, nëse bëhet veresie, refuzojeni.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2497

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2498. Nga: Bera ibn Azibi

2497, 2498

Referenca: Sahihu i Buhariut 2498

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Ortakëria me dhimiun dhe idhujtarin në dhënien e tokës me qira

Dhimi: "Jomuslimani që jeton në shtet islam dhe paguan xhizjen si taksë vjetore në këmbim të sigurisë që i ofrohet nga shteti islam."

2499. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua dha Hajberin hebrenjve për ta punuar dhe për ta mbjellë, në këmbim të një pjese të prodhimeve që dalin prej tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2499

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Ndarja e deleve me drejtësi

2500. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezid ibn Habibi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i dha atij disa dele për t'ua ndarë sahabëve që t'i bënin kurban. Në fund, teproi një qengj, për të cilën ai e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ, e në atë rast ai i tha: “There kurban për vete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2500

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Ortakëria në gjëra ushqimore dhe në gjëra të tjera

Përmendet se, teksa një njeri bënte pazar, një tjetër e nxiti për ta blerë produktin. Atëherë Omeri tha se mes tyre kishte ortakëri.

2501. Nga: Abdullah ibn Hishami

2501, 2502 - Esbeg ibn Feraxhi na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Seidi, e ky nga Zuhre ibn Mabedi se gjyshi i tij Abdullah ibn Hishami, - i cili e ka parë Pejgamberin ﷺ, - tregon se nëna e tij, Zejnebe bint Humejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e kishte çuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i kishte thënë:
- O i Dërguari i Allahut, le të të besatohet ky djalë.
- “Ende është i vogël”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ dhe ia përkëdheli kokën e bëri dua për të.
Zuhre ibn Mabedi tregon se dilte me gjyshin e vet, Abdullah ibn Hishamin, në treg për të blerë ushqim. Kur atë e takonin Ibn Omeri dhe Ibn Zubejri, i thoshin: “Bëhu ortak me ne, sepse Pejgamberi ﷺ ka bërë dua për ty (që të jesh) me bereqet.” Kështu, ai bëhej ortak me ta. Kishte raste kur në tregti fitonte një deve, përfshirë barrën e saj, dhe e dërgonte në shtëpi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2501

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2502. Nga: Abdullah ibn Hishami

2501, 2502

Referenca: Sahihu i Buhariut 2502

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Ortakëria në robër

2503. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen e vet që i takon te një rob, duhet ta lirojë robin tërësisht, për sa kohë që posedon pasuri të mjaftueshme për t'ia paguar (ortakut) pjesën tjetër të vlerës së robit. Secilit prej ortakëve u jepet pjesa që u takon, ndërsa robi lihet i lirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2503

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2504. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Katadja, e ky nga Nadër ibn Enesi, e ky nga Beshir ibn Nehiku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e liron hisen e vet që i takon te një rob, duhet ta lirojë robin tërësisht, për sa kohë që posedon pasuri të mjaftueshme, në të kundërtën, prej robit kërkohet të punojë, pa e munduar tej mase (në mënyrë që ta lirojë veten plotësisht).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2504

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Ortakëria në therjen e kurbanit dhe futja e tjetrit në ortakëri pas therjes së kurbanit

2505. Nga: Abdullah ibn Abasi

2505, 2506 - Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka rrëfyer Abdulmelik ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai, e ky nga Xhabiri dhe Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij erdhën mëngjesin e ditës së katërt të dhul hixhes (në Mekë), të përgatitur vetëm për haxh, pa umre. Kur arritëm, Pejgamberi ﷺ na urdhëroi ta shndërrojmë në umre dhe të lirohemi prej ihramëve e t'u afrohemi grave tona. Atëherë filloi të përhapej një fjalë. Atai ka thënë: “Xhabiri tha: “E si të shkojmë në Mina, kur tashmë kemi pasur marrëdhënie me gratë tona?” Kur Pejgamberi ﷺ i dëgjoi këto fjalë, u ngrit për të ligjëruar dhe tha: “Kam dëgjuar se disa po thonë kështu e ashtu. Betohem në Allahun se unë jam më vepërmirë dhe më i devotshëm ndaj Allahut se ata. Sikur të mund të kthehesha mbrapa, do të veproja ndryshe: nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha prej ihramëve.”
Suraka ibn Malik ibn Xhushumi u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kjo vlen vetëm për ne apo përgjithmonë?”
- “Jo, vlen përgjithmonë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Kur erdhi Ali ibn Ebu Talibi, - sipas njërit transmetues, - tha: “Kam thënë: “Po hyj në ihram siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Ndërkaq, sipas transmetuesit tjetër, tha: “Kam thënë: “Po bëj haxh siç ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi të qëndrojë me ihram, pastaj e futi në ortakëri në therjen e kurbaneve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2505

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2506. Nga: Abdullah ibn Abasi

2505, 2506

Referenca: Sahihu i Buhariut 2506

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Barazimi i dhjetë deleve me një deve gjatë ndarjes së pasurisë

2507. Nga: Rafi ibn Hadixhi

Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu, e ky nga Sufjani, e ky nga babai i tij, e ky nga Abaje ibn Rifaje se gjyshi i tij Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ shkuam prej Tihames në Dhul Hulejfe dhe fituam disa dele e deve. Njerëzit u ngutën (për shkak të urisë) dhe i vendosën nëpër kusi për t'i zier. Kur erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ, i urdhëroi t'i derdhnin (kusitë), pastaj i ndau (bagëtitë) duke i barazuar dhjetë dele me një deve.
Papritmas, një deve iku. Por, atëkohë njerëzit kishin pak kuaj, kështu që një burrë iu vërsul devesë, e gjuajti me një shtizë dhe e goditi.
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. E, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë).”
Rafiu i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Kemi frikë se armiku do të na sulmojë nesër, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, a të therim me kallam?”
- “Nëse përdor me mjeshtëri e me shpejtësi çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2507

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?