48. Lënia peng
1. Nënkapitulli: Lënia peng duke qenë në vendbanimin e vet
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nëse jeni në udhëtim e nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng...” (Bekare, 283)
2508. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e la peng parzmoren kundrejt një sasie të paktë elbi. Kështu, Pejgamberit ﷺ i dërgova bukë elbi dhe dhjamë të shkrirë, e në atë rast e dëgjova të thotë: “Familja e Muhamedit ﷺ nuk ka pasur asgjë, mëngjes e mbrëmje, përveç një saë (gruri a drithi), edhe pse kanë qenë nëntë shtëpi.”
2. Nënkapitulli: Lënia e parzmores peng
2509. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi se, kur e kanë përmendur në prani të tij pengun dhe blerjen veresie, ka thënë: Na ka treguar Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bleu pak ushqim veresie prej një hebreu duke i lënë peng parzmoren e vet.
3. Nënkapitulli: Lënia e armëve peng
2510. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush merr hak ndaj Kab ibn Eshrefit, sepse ai e ka ofenduar Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ?” Muhamed ibn Mesleme tha: “Unë.” Kështu, shkoi tek ai dhe i tha: “A na huazon një ose dy evsukë (ushqim)?”
- M'i lini peng gratë tuaja, - ua ktheu ai.
- Si të t'i lëmë peng gratë tona, ndërkohë ti je më i bukuri në mesin e arabëve? - i tha Muhamed ibn Mesleme.
- M'i lini peng djemtë tuaj, pra!
- Si të t'i lëmë peng djemtë tanë? Njerëzit do t'i ofendojnë e do t'u thonë: “Qenkan lënë peng për një ose dy evsukë (ushqim)!” Kjo është turp për ne, prandaj do të t'i lëmë peng armët tona, - i tha Muhamed ibn Mesleme.
Ai premtoi se do të shkonte dhe kësisoj e vranë. Pastaj i treguan Pejgamberit ﷺ.
4. Nënkapitulli: Lënia peng e kafshës që përdoret për udhëtim ose e asaj që përdoret për mjelje
Mugira transmeton nga Ibrahim Nehaiu se ka thënë: "Është e lejuar që kafsha e humbur të shfrytëzohet për t’u mjelë aq sa e ushqen dhe për t'i hipur aq sa e ushqen. Kjo vlen edhe për kafshën e lënë peng."
2511. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky nga Amiri se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është e lejuar që kafsha e lënë peng të shfrytëzohet për t'i hipur aq sa e ushqen dhe është e lejuar të pihet qumështi i kafshës së lënë peng.”
2512. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Zekerija, e ky nga Shabiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Është e lejuar që kafsha e lënë peng të shfrytëzohet aq sa e ushqen dhe është e lejuar që të pihet qumështi i kafshës së lënë peng. Ai që e përdor kafshën dhe qumështin e saj, njëherazi obligohet që ta ushqejë atë.”
5. Nënkapitulli: Lënia peng te hebreu dhe te të atillët
2513. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ bleu pak ushqim prej një hebreu duke ia lënë parzmoren peng.”
6. Nënkapitulli: Nëse lindin mospajtime mes penglënësit dhe atij të cilit i është lënë pengu, akuzuesi duhet të sjellë prova, kurse i akuzuari duhet të betohet
2514. Nga: Abdullah ibn Abasi
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Nafi ibn Omeri se Ibn Ebu Mulejke i ka shkruar Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ia ktheu me shkrim se Pejgamberi ﷺ ka vendosur që betimin ta bëjë i akuzuari.
2515. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2515, 2516 - Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm për të përvetësuar ndonjë pasuri, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Pastaj Allahu e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Eshath ibn Kajsi doli dhe na tha: “Çfarë po ju thotë Ebu Abdurrahmani?” Pasi i treguam, na tha: “E ka thënë të vërtetën. Ky ajet ka zbritur për mua. Kam pasur një mosmarrëveshje me një person në lidhje me një pus, andaj shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast ai më tha:
- “Ose dëshmia jote, ose betimi i atij.”
- Por, ai do të betohet, e s'e ka dert betimin! - i thashë.
- “Ai që betohet rrejshëm për të përvetësuar një pasuri, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Pastaj, për ta miratuar këtë fjalë, Allahu e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
2516. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2515, 2516