50. Lirimi i skllevërve me kontratë

Nënkapitull: Mëkati i shpifjes në nderin e robit

1. Nënkapitulli: Robi i liruar me pagesë dhe pagimi i kësteve: një këst në vit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ata robër që gjenden në pushtetin tuaj e që kërkojnë të lirohen me pagesë dhe ju kërkojnë aktlirimin, ua jepni, e, nëse e dini që janë të mirë, jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu...” (Nur, 33) Revhi transmeton nga Ibn Xhurejxhi: "I thashë Atait: "Nëse e di që robi posedon pasuri, a e kam obligim ta liroj me pagesë?" Ai më tha: "E ke obligim dhe nuk di të jetë ndryshe." Amër ibn Dinari thotë: "I thashë Atait: "E ke transmetuar prej dikujt (apo e the nga vetja)?" Ai m'u përgjigj: "Jo." Pastaj më rrëfeu se Musa ibn Enesi i kishte treguar se Sirini kishte kërkuar prej Enesit ta lironte me pagesë, por ai refuzonte, edhe pse Sirini kishte shumë pasuri. Kështu, shkoi tek Omeri, i cili i tha Enesit: "Liroje me pagesë! Por, ai sërish refuzoi. Atëherë, Omeri e goditi me shkop dhe e lexoi ajetin: “... jepuani aktlirimin, nëse e dini që janë të mirë...” (Nur, 33) Së këndejmi, Enesi e liroi me pagesë."

2560. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira shkoi t'i kërkojë ndihmë për pagesën e lirimit të saj, së cilës ia kishin kërkuar pesë okë argjend të ndarë në këste për pesë vjet. Aishja donte ta lironte, andaj i tha: “Nëse ua paguaj shumën njëherësh, a do të të shisnin pronarët e tu, e unë pastaj të të liroj dhe të më takojë mua merita e çrobërimit tënd?” Berira shkoi te pronarët e vet dhe ua paraqiti ofertën, por ata thanë: “Jo, përveç nëse na mbetet merita e çrobërimit.”
Aishja tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia përmenda këtë gjë, e në atë rast ai më tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit (ndër njerëz) dhe tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diçka që nuk përkon me Librin e Allahut, i refuzohet. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe të përmbushen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2560

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Kushtet që lejohen në rastin e lirimit të robit me pagesë dhe kushtëzimi i diçkaje që nuk përkon me Librin e Allahut

Këtë e transmeton edhe Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.

2561. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira i vajti t'i kërkojë ndihmë rreth pagesës së lirimit të saj, gjë që, deri atëherë, nuk kishte arritur të paguante asgjë. Aishja i tha: “Shko te pronarët e tu dhe thuaju se, nëse dëshirojnë t'ua bëj tërë pagesën njëherësh, me kusht që merita e çrobërimit tënd të më takojë mua, do ta bëj.
Mirëpo, kur Berira ua paraqiti këtë ofertë, ata refuzuan dhe thanë: “Nëse ajo do që ta kryejë pagesën për ty, le ta bëjë, por merita e çrobërimit tënd të na takojë neve.” Aishja ia përmendi këtë gjë të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili i tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe ligjëroi: “Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diç që nuk përkon me Librin e Allahut, nuk i pranohet, edhe në qofshin njëqind kushte. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe të përmbushen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2561

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

2562. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Aishja, nëna e besimtarëve, donte të blinte një robëreshë për ta liruar, por pronarët e saj i thanë: “Vetëm me kusht që merita e çrobërimit të saj të na takojë neve.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kjo (kushti i vënë) të të mos pengojë, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2562

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ndihma ndaj robit të liruar me pagesë dhe lypja e tij nëpër njerëz (për t’i ndihmuar)

2563. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Berira erdhi dhe më tha:
- Me pronarët e mi kam lidhur kontratë që të më lirojnë: t'ua paguaj nëntë okë argjend, për çdo vit nga një. Vallë mund të më ndihmosh?
- Nëse pronarët e tu dëshirojnë që unë t'ua paguaj të tërën njëherësh dhe të të liroj ty, do ta bëja, dhe, kësisoj, merita e çrobërimit tënd të më takojë mua, - i tha Aishja.
Kështu, ajo shkoi te pronarët, por ata refuzuan, pastaj tha: “Unë ua paraqita ofertën, por ata refuzuan, përveç nëse merita e çrobërimit tim u mbetet atyre.”
I Dërguari i Allahut ﷺ e dëgjoi këtë dhe më pyeti e unë i tregova, e në atë rast më tha: “Blije e liroje dhe kushtëzojua meritën e çrobërimit të saj, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit ndër njerëz, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Çdo kusht që nuk përkon me Librin e Allahut, është i kotë, edhe në qofshin njëqind kushte. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe kushtet e Tij janë më parësore që të përmbushen. Ç'është puna e disave që thonë: “O filan, liroje ti, por merita e çrobërimit të më takojë mua?” (Dijeni se) merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2563

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Shitja e robit që ka lidhur kontratë për lirim me pagesë, nëse ai pranon

Aishja ka thënë: "Fjala është për robin që ende nuk e ka kryer pagesën për lirimin e vet." Zejd ibn Thabiti ka thënë: "Fjala është për robin që i ka mbetur pagesa pa e kryer, qoftë edhe një dërhem." Ibn Omeri ka thënë: "I tilli konsiderohet rob, jetoi a vdiq, edhe nëse bën ndonjë krim, përderisa ende nuk e ka kryer pagesën për lirimin e tij."

2564. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi se Amra bint Abdurrahmani tregon se Berira shkoi të kërkonte ndihmë tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, e cila i tha: “Nëse pronarët e tu dëshirojnë që unë t'ua paguaj tërë shumën njëherësh dhe të të liroj, do ta bëja.” Berira ua përmendi këtë gjë pronarëve të vet, por ata thanë: “Jo, përveç nëse merita e çrobërimit tënd na mbetet neve.”
Maliku transmeton se Jahjai ka thënë: “Amra pretendon se Aishja ia përmendi këtë të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast i tha: "Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2564

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Nëse robi, që ka bërë kontratë për lirim me pagesë, i thotë dikujt: "Më bli dhe më liro!", e pastaj dikush e blen për këtë qëllim

2565. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Abdulvahid ibn Ejmeni tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i thashë: “Isha rob tek Utbe ibn Ebu Lehebi. Pas vdekjes së tij më trashëguan bijtë e tij dhe më shitën tek Ibn Ebu Amri, i cili më liroi. Por, bijtë e Utbes ia kushtëzuan meritën e çrobërimit tim.
Aishja tha: “Berira erdhi tek unë, teksa kishte lidhur kontratë për lirim me pagesë, e më tha:
- Më bli dhe më liro.
- Posi, - i thashë.
- Nuk po (pranojnë të) më shesin, përveç nëse merita e çrobërimit tim u mbetet atyre, - më tha ajo.
- Unë nuk kam nevojë për këtë.
Kështu, Pejgamberi ﷺ e dëgjoi këtë, - ose ka thënë: i arriti ky lajm, - dhe e pyeti Aishen. Pasi Aishja ia tregoi ngjarjen, ai tha: “Blije dhe liroje, e ata lëri të kushtëzojnë ç'të duan.”
Kështu, Aishja e bleu dhe e liroi, edhe pse pronarët e saj ia kushtëzuan meritën e çrobërimit të saj. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron, edhe nëse pronarët (paraprakë) vendosin njëqind kushte.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2565

Fjalë të panjohura?