52. Dëshmia

1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth rregullit se dëshmia kërkohet prej atij që sjell akuzën

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe le të shkruajë një shkrues i drejtë prej jush dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, ndërsa atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij, e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mendërisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë kujdestari i tij me drejtësi. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni të shkruani atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e atypëratyshme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespektim i juaj (ndaj dispozitave të Allahut). Keni frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri, Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send. ” (Bekare, 282) Dhe ajeti: “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve apo kundër të afërmve; qoftë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, ngase Allahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocionin e t’i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrembëroni ose tërhiqeni, Allahu plotësisht di çka punoni....” (Nisa, 135).

2. Nënkapitulli: Kur një burrë dëshmon për drejtësinë e dikujt tjetër dhe thotë: Për të dimë vetëm mirësi, ose: Për të di vetëm gjëra të mira

Duke e cituar hadithin e ndodhisë së shpifjes ndaj Aishes, e përmend: "Pejgamberi ﷺ u këshillua me Usamen, i cili i tha: "Ajo (Aishja) është pjesë e familjes tënde dhe ne nuk dimë vetëm se gjëra të mira për të."

2637. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Omer Numejri, e këtij i ka treguar Theubani; Ndërsa Lejthiu ka thënë: Më ka treguar Junusi se Ibn Shihabi ka thënë: “Më kanë treguar Urve ibn Zubejri, Ibn Musejebi, Alkame ibn Vekasi dhe Ubejdullah ibn Abdullahu, fjalët e të cilëve përputheshin, rreth ngjarjes së Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur shpifësit gënjyen për Aishen. I Dërguari i Allahut ﷺ e thirri Aliun dhe Usamen, që të këshillohej me ta për shkurorëzimin e saj, ndërkohë shpallja i ishte vonuar. Usame i tha: “Ajo është pjesë e familjes sate dhe ne nuk dimë vetëm se gjëra të mira për të.” Ndërkaq, Berira i tha: “Nuk di ndonjë të keqe për të, përveç faktit se, meqë është vajzë e re, ka raste që e zë gjumi dhe harron brumin e gatuar, të cilin pastaj delet hyjnë dhe e hanë.”
I Dërguari i Allahut ﷺ pastaj tha: “Kush më mbështet mua të hakmerrem ndaj atij që më ka prekur në nderin e familjes sime? Betohem në Allahun se për familjen time di vetëm gjëra të mira. Po ashtu, edhe për burrin të cilin po e akuzojnë, di vetëm gjëra të mira.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2637

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Dëshmia e njeriut që dëgjon fshehurazi

Amër ibn Hurejthi e ka lejuar këtë gjë dhe ka thënë se në këtë formë duhet të veprohet me gënjeshtarin mëkatar (që i kryen mëkatet haptas). Shabiu, Ibn Sirini, Atai dhe Katadja kanë thënë: "Dëgjimi është dëshmi." Haseni thoshte: "Nuk më kanë thirrur ata për dëshmitar, por unë e kam dëgjuar këtë e atë."

2638. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ubej ibn Kab Ensariu shkuan drejt kopshtit të hurmave ku ndodhej Ibn Sajadi. Kur hynë, i Dërguari i Allahut ﷺ zuri të shkonte fshehurazi mbrapa pemëve të hurmave, të dëgjonte çfarë fliste Ibn Sajadi, para se ai ta vërente. Ibn Sajadi ishte i shtrirë në shtratin e tij prej kashte duke pëshpëritur diç me vete, por nëna e Ibn Sajadit e pa Pejgamberin ﷺ tek ecte fshehurazi nëpërmes hurmave dhe i thirri Ibn Sajadit: “O Safi, erdhi Muhamedi!” Sakaq Ibn Sajadi u ndal. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sikur ta linte, do të qartësohej (çështja e tij).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2638

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2639. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Rifa Kuredhiut erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Kam qenë e martuar me Rifain, por ai më shkurorëzoi dhe, pasi përfundoi koha e pritjes (e u përmbush shkurorëzimi i përhershëm), u martova me Abdurrahman ibn Zubejrin, por ai e ka (organin) si një cep rrobe.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Dëshiron të kthehesh te Rifai? Jo, pa i shijuar marrëdhëniet intime me të (Abdurrahmanin) dhe ai me ty.” Ebu Bekri ishte i ulur te Pejgamberi ﷺ, ndërsa Halid ibn Seid ibn Asi, i cili qëndronte te dera duke pritur t'i jepej leje për të hyrë, i tha Ebu Bekrit: “O Ebu Bekër, a nuk po e dëgjon çfarë fjalësh flet para Pejgamberit ﷺ?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2639

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Nëse dikush a disa persona dëshmojnë për diçka, por të tjerët thonë se ne nuk dimë asgjë rreth kësaj, merret fjala e dëshmitarëve

Humejdiu ka thënë: "Kjo përkon me dëshminë e Bilalit se Pejgamberi ﷺ është falur në Qabe. Ndërsa Fadli thoshte se nuk është falur aty, por njerëzit i dhanë përparësi dhe e morën dëshminë e Bilalit. Kështu është edhe kur dy dëshmitarë dëshmojnë se filani i ka borxh filanit një mijë dërhemë, ndërsa dy të tjerë dëshmojnë se i ka borxh një mijë e pesëqind dërhemë, atëherë gjykohet në bazë të fjalës së dytë, me të holla shtesë."

2640. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Hibani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Omer ibn Seid ibn Ebu Husejni, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u martua me njërën nga bijat e Ibn Ihab ibn Azizit. Një grua erdhi dhe i tha: “I kam dhënë gji Ukbes dhe gruas së tij.” Ukbe i tha: “Mua nuk më kujtohet që më ke dhënë gji e as më ke treguar.” Pastaj dërgoi dikë në familjen e Ebu Ihabit, që të pyesë, por ata thanë se nuk u kujtohej se ajo i ka dhënë gji vajzës së tyre. Atëherë i hipi devesë dhe u nis drejt Medinës për ta pyetur Pejgamberin ﷺ rreth kësaj. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “E si pra, përderisa është thënë kështu?” Kështu, ai e shkurorëzoi dhe ajo u martua me dikë tjetër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2640

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Dëshmitarët e drejtë

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Merrni dy dëshmitarë të ndershëm prej jush...” (Talak, 2) dhe: “... nga dëshmitarët që i pëlqeni...” (Bekare, 282)

2641. Nga: Omer ibn Hatabi

Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Humejd ibn Abdurrahman ibn Aufi, e ky nga Abdullah ibn Utbe se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ disa njerëz i vlerësonim duke u bazuar në shpalljen që zbriste për ta, porse tani shpallja është ndërprerë, kështu që tash ju vlerësojmë në bazë të veprave tuaja të dukshme: kush na shfaq vepra të mira, e konsiderojmë të besueshëm dhe e afrojmë, ndërsa veprat e fshehta nuk na përkasin neve, por Allahu do ta marrë në llogari për fshehtësitë. Po ashtu, kush na shfaq vepra të liga, nuk e konsiderojmë të besueshëm e as ia pranojmë dëshminë, edhe nëse pretendon se brendësia e tij është e mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2641

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Sa persona nevojiten që të dëshmojnë për drejtësinë e një burri?

2642. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pranë Pejgamberit ﷺ kaloi një xhenaze, të cilën e lavdëruan me fjalë të mira, dhe tha: “Iu obligua.” Pastaj kaloi pranë tij një xhenaze tjetër, për të cilën thanë fjalë të këqija, dhe tha: “Iu obligua.”
Të pranishmit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, edhe për atë the: “Iu obligua”, edhe për këtë the: “Iu obligua”?
- (E tillë është) dëshmia e popullit. Besimtarët janë dëshmitarët e Allahut në Tokë”, - u tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2642

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2643. Nga: Omer ibn Hatabi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Davud ibn Ebu Furati, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejde se Ebu Esvedi tregon: “Shkova në Medinë në një kohë kur njerëzit i kishte kapluar një sëmundje, nga e cila vdisnin shpejt. Një ditë, teksa po qëndroja me Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pranë nesh kaloi një xhenaze, të cilën e përmendën për të mirë, e Omeri tha: “Iu obligua.” Pastaj, kaloi një xhenaze tjetër, të cilën po ashtu e lavdëruan, e Omeri sërish tha: “Iu obligua.” Më pas, kaloi xhenazja e tretë dhe njerëzit e përmendën për vepra të liga, e Omeri tha: “Iu obligua.” Unë e pyeta:
- Çfarë iu obligua, o prijës i besimtarëve?
- Thashë ashtu siç ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Çdo musliman, për të cilin dëshmojnë katër besimtarë se është i mirë, Allahu do ta fusë në Xhenet.”
- Po tre?, - thamë ne.
- “Edhe tre”, - tha ai.
- Po dy? - thamë.
- “Edhe dy”, - u përgjigj.
Më tutje nuk e pyetëm për një.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2643

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Dëshmia rreth prejardhjes, në gjidhënie të njohur ndër njerëz dhe në vdekje të kamotshme

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mua dhe Ebu Selemes na ka dhënë gji Thuvejbja.” Vërtetimi i gjidhënies

2644. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Hakemi, e ky nga Irak ibn Maliku, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Eflehu kërkoi leje për të hyrë tek unë, por nuk e lejova.” Ai më tha: “Po mbulohesh nga unë, ndërkohë unë jam xhaxhai yt?”
- Si ashtu? - i thashë.
- Të ka dhënë gji gruaja e vëllait tim, - më tha.
Më pas e pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, i cili më tha: “Eflehu e ka thënë të vërtetën, jepi leje (të hyjë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2644

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2645. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja, e ky nga Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, për të bijën e Hamzait, ka thënë: “Nuk më lejohet martesa me të, sepse lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet nga gjaku. Ajo është e bija e vëllait tim nga qumështi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2645

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2646. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka rrëfyer se, një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ gjendej në shtëpinë e saj, ajo dëgjoi zërin e një burri që kërkonte leje të hynte në shtëpinë e Hafsës, andaj i tha: “O i Dërguari i Allahut, më duket se është filani”, - duke aluduar në xhaxhain e Hafsës nga qumështi. - Pastaj i tha: “O i Dërguari i Allahut, një burrë (i huaj) kërkon leje të hyjë në shtëpinë tënde.”
- “Më duket se është filani”, - tha Pejgamberi ﷺ duke aluduar në xhaxhain e Hafsës nga qumështi.
- Domethënë, nëse filani do të ishte gjallë, do t'i lejohej të hynte tek unë? - pyeti Aishja, - duke aluduar në xhaxhain e saj nga qumështi.
- “Po, lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet nga gjaku”, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2646

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2647. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Eshath ibn Ebu Shaëthai, e ky nga babai i tij, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hyri tek unë, ku gjeti një burrë, andaj më pyeti: “Kush është ky, oj Aishe?”
- Vëllai im nga qumështi, - i thashë.
- “Oj Aishe, shikoni mirë kë keni vëllezër (nga gjiri), sepse gjidhënie konsiderohet vetëm ajo që e ngop fëmijën nga uria”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

Transmetimin e Muhamed ibn Kethirit e fuqizon Ibn Mehdiu nga Sufjani.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2647

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Dëshmia e shpifësit, hajdutit dhe zinaqarit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. Përveç atyre që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen...” (Nur, 4-5) Omeri i ka dënuar me goditje kamxhiku Ebu Bekreten, Shibël ibn Mabedin dhe Nafiun për shkak të shpifjes ndaj Mugirës. Më pas u kërkoi të pendohen dhe u tha: "Kush pendohet, ia pranoj dëshminë. Abdullah ibn Utbe, Omer ibn Abdulazizi, Seid ibn Xhubejri, Tavusi, Muxhahidi, Shabiu, Ikrime, Zuhriu, Muharib ibn Dithari, Shurejhu dhe Muavi ibn Kurre e kanë lejuar këtë gjë." Ebu Zinadi ka thënë: "Tradita jonë te ne në Medinë është se, shpifësit që pendohet nga fjala që e ka thënë dhe i kërkon falje Zotit të vet, i pranohet dëshmia." Shabiu dhe Katadja kanë thënë: "Nëse pendohet nga fjala që ka thënë, dënohet me goditje kamxhiku dhe pastaj i pranohet dëshmia." Thevriu ka thënë: "Pasi robi të dënohet me goditje kamxhiku dhe të lirohet, i pranohet dëshmia. Nëse i kërkohet të dënuarit të gjykojë për ndonjë çështje, i pranohet gjykimi." Disa njerëz kanë thënë: "Shpifësit nuk i pranohet dëshmia, edhe nëse pendohet." Më pas, të njëjtët thonë: "Kontrata martesore nuk legjitimohet pa dëshminë e dy dëshmitarëve, ndërsa pranohet nëse kryhet me dëshminë e dy të dënuarve. Nëse kontrata lidhet me dëshminë e dy robërve, nuk është legjitime, ndërkaq e kanë pranuar dëshminë e robit, të dënuarit dhe robëreshës për shikimin e hënës së Ramazanit. Si vërtetohet pendimi i shpifësit? Pejgamberi ﷺ e ka dëbuar zinaqarin për një vit, si dhe i ka ndaluar njerëzit t’i flasin Kab ibn Malikut dhe dy shokëve të tij për pesëdhjetë ditë."

2648. Nga: Urve ibn Zubejri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi; gjithashtu Lejthiu thotë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri ka rrëfyer se një grua vodhi diç në Betejën e Çlirimit, kështu që ia sollën të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili urdhëroi t'i pritet dora. Aishja tregon: “Më pas, u pendua dhe u përmirësua, u martua dhe herë pas here vinte tek unë, e unë i përcillja nevojat e saj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2648

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2649. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar që zinaqari i pamartuar të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet për një vit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2649

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Të mos dëshmojë me një dëshmi të padrejtë, nëse i kërkohet dëshmia

2650. Nga: Numan ibn Beshiri

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hajan Tejmiu, e ky nga Shabiu se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nëna ime i kërkoi babait tim të më dhurojë diçka prej pasurisë së tij. Pastaj, kur iu mbush mendja, më tha: “Nuk pranoj pa dëshmuar Pejgamberi ﷺ.” Kështu, më mori për dore, ndërsa unë isha i ri, më shpuri te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Nëna e këtij, e bija e Revahas, më kërkoi t'i dhuroj diç këtij.”
- “A ke fëmijë të tjerë, përveç tij?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - tha ai.
- “Mos më kërko të dëshmoj për padrejtësi”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ebu Harizi transmeton një variant më ndryshe nga Shabiu dhe thotë:

- “Nuk dëshmoj për padrejtësi”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2650

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2651. Nga: Imran ibn Husajni

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, e ky e ka dëgjuar Zehdem ibn Mudarribin se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më të mirët nga ju janë gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre.” Nuk di nëse Pejgamberi ﷺ ka përmendur dy apo tri gjenerata pas të parëve. Ai ka thënë: “Pas jush do të vijnë njerëz që tradhtojnë dhe nuk u zihet besë; dëshmojnë, edhe pse nuk u kërkohet; zotohen, por nuk e përmbushin zotimin dhe mbipesha do të jetë e përhapur mes tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2651

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2652. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjenerata ime janë njerëzit më të mirë, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre. Më pas do të vijnë gjenerata që nxitojnë në dëshmi dhe betime.”
Ibrahim Nehaiu ka thënë: “Paraardhësit tanë na rrihnin për dëshmi dhe premtime.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2652

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Transmetimet rreth dëshmisë së rrejshme

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm...” (Furkan, 72) Fshehja e dëshmisë, për të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos e fshihni dëshminë, se, kush e fsheh atë, zemra e tij është mëkatare. Allahu di çdo gjë që ju punoni.” (Bekare, 283) dhe “Nëse ju ngatërroni dëshminë...” (Nisa, 135)

2653. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Muniri na ka treguar se e ka dëgjuar Vehb ibn Xheririn dhe Abdulmelik ibn Ibrahimin, e këtyre u ka treguar Shuëbe, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për mëkatet e mëdha, e në atë rast ai tha: “Të bërët shirk Allahut, mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut dhe dëshmia e rrejshme.”

(Këtë transmetim nga) Vehb ibn Xheriri dhe Abdulmelik ibn Ibrahimi e fuqizon Gunderi, Ebu Amiri, Behziu dhe Abdusamedi nga Shuëbe.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2653

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2654. Nga: Ebu Bekrete

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Xhurejriu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ pyeti tri herë: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?”
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigjën të pranishmit.
- “Të bërët shirk Allahut dhe mosrespektimi i prindërve”, - pastaj u ul, pasi ishte i mbështetur, dhe vazhdoi: - “Edhe dëshmia e rrejshme!” - të cilën e përsëriste vazhdimisht, saqë thamë me vete: “Ah, sikur të heshtte (se na vinte rëndë)!”

Ismaili ibn Ibrahimi ka thënë: “Na ka treguar Xhurejriu, e këtij i ka treguar Abdurrahmani.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2654

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Dëshmia e të verbrit, martesa, gjendja, të martuarit e besatimi i tij, pranimi i ezanit të tij, si dhe gjëra të tjera që mund të konstatohen përmes zërit

Kasimi, Haseni, Ibn Sirini, Zuhriu dhe Atai e pranojnë dëshminë e të verbrit. Shabiu ka thënë: "Dëshmia e të verbrit pranohet nëse është i shëndoshë mendërisht." Hakemi ka thënë: "Ka gjëra ku mund t’i pranohet dëshmia." Zuhriu ka thënë: "Çfarë mendon nëse Ibn Abasi dëshmon diç për mua, a do ta refuzoje? Ibn Abasi dërgonte ndokënd për të shikuar dhe, kur perëndonte Dielli, hante iftar. Pastaj, për agimin pyeste dhe, kur i thuhej se ka aguar, i falte dy rekate." Sulejman ibn Jesari ka thënë: "I kërkova leje Aishes, e cila ma njohu zërin, dhe më tha: "Hyr, o Sulejman", ngase ti je rob e nuk të ka mbetur asgjë. Semure ibn Xhundubi e pranonte dëshminë e gruas së mbuluar me perçe."

2655. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Ubejd ibn Mejmuni na ka thënë: Na ka rrëfyer Isa ibn Junusi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dëgjoi një burrë duke lexuar në xhami dhe tha: “Allahu e mëshiroftë! M'i kujtoi disa ajete të filan sures, të cilat më paskan dalë nga mendja.”
Abad ibn Abdullahu tregon se Aishja i ka thënë: “Një natë, teksa Pejgamberi ﷺ po falej në shtëpinë time, e dëgjoi zërin e Abadit tek falej në xhami dhe tha: “Oj Aishe! Zëri Abadit është ky?”
- Po, - i thashë.
- “O Allah, mëshiroje Abadin!” - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2655

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2656. Nga: Abdullah ibn Omeri

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi, - ose ka thënë: derisa ta dëgjoni ezanin e Ibn Umu Mektumit -.”
Ibn Umu Mektumi ka qenë i verbër, andaj nuk e thërriste ezanin pa i thënë të tjerët: “Agoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2656

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2657. Nga: Misver ibn Mahremi

Zijad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Verdani, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Abdullah Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberit ﷺ i erdhën disa xhybe.” Babai im, Mahremi, më tha: “Eja të shkojmë te Pejgamberi ﷺ, ndoshta na jep edhe neve ndonjë.” Babai im u ndal te dera dhe filloi të flasë, Pejgamberi ﷺ ia njohu zërin dhe doli me një xhybe në dorë duke i reklamuar bukuritë e saj e duke i thënë: “Këtë ta kam ruajtur ty. Këtë ta kam ruajtur ty.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2657

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Dëshmia e grave

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra...” (Bekare, 282)

2658. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejdi, e ky nga Ijad ibn Abdullahu se Ebu Seidi Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A nuk llogaritet dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit?”
- Po, - thanë ato.
- “Për këtë është fjala kur thuhet se ato janë të mangëta në intelekt”, - u tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2658

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Dëshmia e robëreshave dhe robërve

Enesi ka thënë: "Robit i pranohet dëshmia, nëse është i drejtë. Shurejhu dhe Zurare ibn Eufa e kanë pranuar dëshminë e robit." Ibn Sirini ka thënë: "Dëshmia e robit pranohet, përveç kur dëshmon për zotërinë e vet. Haseni dhe Ibrahimi e kanë pranuar dëshminë e robit për gjëra të thjeshta dhe të vogla." Shurejhu ka thënë: "Të gjithë jeni bijtë e robërve dhe robëreshave."

2659. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Ukbe ibn Harithi. [t]: Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Mulejken se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u martua me Umu Jahjain, të bijën e Ebu Ihabit. Por, një robëreshë zezake erdhi dhe tha: “Unë ju kam dhënë gji juve të dyve.” Kur ia përmenda Pejgamberit ﷺ, ai më anashkaloi. Pastaj sërish iu afrova dhe ia përmenda, e në atë rast ai më tha: “E si pra, ndërkohë që ajo po pretendon se ju ka dhënë gji?”
Kështu, e ndaloi prej bashkëshortes së vet.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2659

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Dëshmia e gjidhënëses

2660. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Seidi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U martova me një grua dhe, pas një kohe, erdhi një grua tjetër dhe tha: “Unë ju kam dhënë gji juve të dyve.” Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili më tha: “E si pra, kur tanimë është thënë? Prandaj, shkurorëzoje (bashkëshorten)!” Ose tha diç të ngjashme.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2660

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Dëshmia e grave për drejtësinë e njëra-tjetrës

2661. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Rebi Sulejman ibn Davudi na ka thënë, ndërsa Ahmedi ma ka sjellë kuptimin e një pjese: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Ibn Shihab Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri, Seid ibn Musejebi, Alkame ibn Vekas Lejthiu dhe Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon ndodhinë kur shpifësit patën shpifur për të, por, më pas, Allahu e pastroi nderin e saj. Zuhriu ka thënë: “Të gjithë transmetuesit ma kanë treguar nga një pjesë të hadithit, disa prej të cilëve e kishin kuptuar më mirë se të tjerët dhe e tregonin në mënyrë më të përpiktë, ndërkaq, prej secilit prej tyre e kam kuptuar mirë pjesën e hadithit që ma ka treguar nga Aishja, ndërkohë, disa pjesë të hadithit i vërtetonin pjesët e tjera.

Aishja rrëfen: “Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ donte të nisej për udhëtim, hidhte short ndërmjet grave të tij dhe merrte me vete atë që i binte shorti. Kur doli në një nga betejat, ai hodhi short mes nesh dhe shorti më ra mua. Kështu, u nisa bashkë me të pasi Allahu e kishte urdhëruar mbulesën për gratë. Mua më hipnin në deve dhe më zbrisnin me gjithë kabinë. Kështu, ne ecëm derisa i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi betejën dhe u kthyem për në shtëpi. Ndërsa iu afruam Medinës, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi të udhëtonim natën. Kur u dha urdhri për t'u nisur, unë eca për nevojë fiziologjike derisa kisha shkuar larg nga ushtria. Pasi mbarova dhe u ktheva te karvani për t'u nisur, papritur preka gjoksin dhe vërejta se më ishte këputur gjerdani, kështu që u ktheva për ta kërkuar, gjë për të cilën u vonova. Njerëzit që më ndihmonin në deve, e morën kabinën ku rrija dhe e vendosën në devenë me të cilën udhëtoja, duke menduar se isha brenda. Atëkohë gratë ishin të lehta dhe jo të shëndosha, sepse hanin pak, kështu që ata nuk e kishin ndier shumë ndryshimin e peshës së kabinës. E morën atë dhe e vendosën në deve, ndërkohë unë isha shumë e re. Kështu, ata e ngritën devenë dhe u nisën. Unë e gjeta gjerdanin pasi ushtria kishte ikur. Kur u ktheva aty, nuk gjeta askënd, kështu që shkova te vendi im, ku isha më parë, duke menduar se ata do ta vërenin mungesën time dhe do të ktheheshin prapë të më kërkonin. Në këtë gjendje më erdhi gjumi dhe fjeta. Safvan ibn Muatil Sulemiu kishte qenë pas ushtrisë dhe, në mëngjes, erdhi në vendin ku isha unë. Kur pa hijen e një njeriu që flinte, erdhi drejt meje. Ai më kishte parë mua edhe para kohës së obligimit të mbulesës për gratë. Kështu, kur dëgjova atë të thotë: “Ina lilahi ve ina ilejhi raxhiun - Vërtet, të Allahut jemi dhe pa dyshim se tek Ai do të kthehemi!”, unë u zgjova.

Ai e uli devenë e tij, zbriti prej saj dhe këmbën e tij e vuri te këmbët e para të devesë. Unë hipa në të, ndërsa Safvani u nis në këmbë duke tërhequr devenë për litari, derisa e arritëm ushtrinë, e cila ishte ndalur për të pushuar në mesditë. Atëherë, disa ranë në sprovë dhe u shkatërruan (duke shpifur për nderin e Aishes), ndërsa prijësi i shpifësve ishte Abdullah ibn Ubej ibn Seluli. Pasi arritëm në Medinë, unë u sëmura një muaj, ndërkohë njerëzit po përhapnin fjalët e shpifësve. Gjatë kohës sa isha e sëmurë, fakti se nuk shihja prej Pejgamberit ﷺ butësinë e tij të zakonshme, gjë të cilën e shprehte kur sëmuresha, më bëri të dyshoja. Ndërkohë ai vinte, përshëndeste dhe më thoshte: “Si jeni ju?” Unë nuk dija ç'po ndodhte, derisa u shërova nga sëmundja që kisha dhe dola me Umu Mistahun në Menasi, vend ku dilnim për nevojë fiziologjike. Atëkohë për nevojë dilnim vetëm natën dhe kjo para se t'i kishim nevojtoret afër shtëpive. Kështu ishte zakoni, siç vepronin arabët më parë, nevojën e kryenin në vend të hapur ose larg shtëpive. Andaj, dola me Umu Mistahun duke ecur. Ajo u pengua nga fustani i gjatë (u rrëzua) dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Unë i thashë: “Ç'fjalë të keqe po thua! Si fyen dikë që ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit?” Ajo tha: “Moj, ti! A nuk paske dëgjuar çfarë thonë për ty?!” Më pas ajo më tregoi thashethemet e shpifësve. Mua m'u shtua e m'u rëndua sëmundja dhe, kur u ktheva në shtëpi, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë. Pasi përshëndeti, pyeti: “Si jeni ju?” Unë i kërkova që të më lejonte të shkoja te prindërit e mi. Doja që të sigurohesha prej tyre për lajmet e përhapura. I Dërguari i Allahut ﷺ më lejoi dhe unë shkova te prindërit. Menjëherë pyeta nënën time: “Çfarë po përflasin njerëzit?” Ajo më tha: “Oj bija ime! Mos u shqetëso shumë për këtë. Betohem në Allahun se nuk ka grua të shkëlqyer e joshëse që e do shumë burri i saj, i cili ka edhe gra të tjera, që ato të mos trillojnë për të. Thashë: “Subhanallah! Thashetheme të tilla thënkan njerëzit?!” Atë natë qava deri në agim dhe nuk vura gjumë në sy.

Kur pa se iu vonua shpallja, i Dërguari i Allahut ﷺ thirri në mëngjes Aliun dhe Usame ibn Zejdin, për t'u këshilluar me ta për ta ndarë gruan e tij (Aishen). Usame i tregoi atij atë që dinte për mirësinë e grave të tij dhe shtoi: “O i Dërguari i Allahut, mbaje gruan tënde pasi, për Allahun, ne dimë vetëm fjalë të mira për të!” Ndërkaq, Aliu i tha: “O i Dërguari i Allahut, ty Allahu nuk të ka vënë kufizime, ka edhe shumë gra të tjera krahas saj, megjithatë kërkoji shërbëtores të ta thotë të vërtetën.” Nga kjo i Dërguari i Allahut thirri Berirën dhe e pyeti: “Oj Berirë! A ke parë tek ajo diçka që të ngjall dyshime për të?” Berira i tha: “Jo. Betohem në Allahun, i Cili të ka dërguar me të vërtetën! Unë kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë gjë të keqe e të gabuar, përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re dhe, kur fle, harron dhe e lë brumin pa kujdes, kështu që vijnë dhe e hanë pulat.” Atë ditë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngjit në minber dhe kërkoi që dikush ta mbështeste atë për të ndëshkuar Abdullah ibn Ubej ibn Selulin. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush më mbështet mua të hakmerrem ndaj atij që më ka prekur në nderin e familjes sime? Betohem në Allahun! Unë di vetëm të mira për familjen time, si dhe është akuzuar një burrë për të cilin unë di vetëm të mira, i cili kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time pa mua.” Sad ibn Muadhi u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Për Allahun, unë të mbështes: në qoftë se ai njeri është nga fisi evs, atëherë ne do t'ia heqim kokën, e, nëse është nga vëllezërit tanë, nga fisi hazrexh, na urdhëro, e ne do ta përmbushim urdhrin tënd.” Pastaj u ngrit Sad ibn Ubade, kreu i fisit hazrexh, i cili ishte burrë i mirë, por, i shtyrë (në atë moment) nga fanatizmi fisnor, tha: “Po gabohesh! Betohem në Allahun se ti nuk e vret dot atë dhe nuk do të mund ta vrasësh.” Pas tij, Usejd ibn Hudajri u ngrit dhe i tha (Sad ibn Ubades): “Gabohesh, për Allahun! Betohem në Allahun se do ta vrasim. Ti je hipokrit, që mbron hipokritët.”
Kështu, dy fiset evs dhe hazrexh u acaruan shumë dhe ishin gati të luftonin kundër njëri-tjetrit, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po qëndronte në minber. Ai zbriti dhe i qetësoi, derisa ata u ndalën dhe ai ra në heshtje.
Aishja vazhdon: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk m'u ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë një ditë e dy net, aq sa m'u duk se nga të qarët do të më plasë mëlçia. Ndërkohë që të dy prindërit ishin ulur tek unë teksa po qaja, një grua ensare më kërkoi leje që të hynte dhe unë e lashë të hynte. Ajo u ul dhe filloi të qajë me mua. Ndërkohë që të gjithë ne ishim në këtë gjendje, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri dhe u ul. Ai nuk ishte ulur tek unë qysh ditën që ata trilluan dhe më akuzuan. Kaloi një muaj dhe asnjë shpallje nuk i zbriti atij për çështjen time. Ai e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Oj Aishe! Për ty më kanë thënë kështu e ashtu. Në qoftë se je e pafajshme dhe e dëlirë, Allahu së shpejti do ta shpallë pastërtinë tënde, por, në qoftë se ke bërë gjynah, atëherë kërko falje tek Allahu dhe pendohu, sepse, kur robi (njeriu) pranon fajin e bërë dhe i lutet Allahut për falje, Allahu ia pranon pendimin.” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi fjalën e tij, mua m'u shterën lotët, andaj nuk më mbeti lot në sy. Babait tim i thashë: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut ﷺ!”, por ai më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj i thashë nënës: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut në vendin tim!”, por edhe ajo më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut.” Ndërkaq, unë isha e re dhe nuk kisha shumë dije nga Kurani. Thashë: “Për Allahun, unë tani e di vërtet se ju keni dëgjuar ç'po thonë njerëzit dhe ajo është ngulitur te ju, aq sa e keni marrë për të mirëqenë. Tani, nëse unë ju them juve se jam e pastër, ndërkohë Allahu e di që unë jam e pastër dhe e pafajshme, ju nuk do të më besoni. Në qoftë se unë ju dëshmoj duke gënjyer se jam fajtore, ndërkohë Allahu e di se unë jam e pastër dhe e pafajshme, atëherë ju do të më besoni. Betohem në Allahun se nuk gjej dot për ju dhe për mua shembull tjetër, përveçse atë të babait të Jusufit ﷺ, i cili ka thënë: “Por, durimi është më i mirë! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju.” (Jusuf, 18) Pastaj siç isha në shtrat u ktheva nga ana tjetër, gjithnjë duke shpresuar se Allahu do të provonte pafajësinë time, por, për Allahun, kurrë nuk kisha menduar se Allahu do të zbriste shpallje për çështjen time, pasi nuk e quaja veten time të denjë që të flitej për mua në Kuran, por thjesht shpresoja se i Dërguari i Allahut ﷺ me gjasë do të shihte ndonjë ëndërr, përmes së cilës Allahu do të qartësonte pafajësinë dhe pastërtinë time. Për Allahun, ende pa u ngritur i Dërguari i Allahut ﷺ nga vendi ku ishte dhe pa dalë askush nga dhoma, atij i erdhi shpallja! Kështu, atë e kaploi ajo gjendje e zakonshme, siç e kaplonte (çdoherë kur i zbriste shpallja): ai djersinte aq shumë, saqë pikat e djersës i kullonin si perla, edhe pse ishte ditë e ftohtë dimri. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u lirua nga ajo gjendje, duke qeshur, fjalën e parë që foli, më tha mua: “Oj Aishe! Falëndero Allahun! Ai tashmë ka shpallur pafajësinë dhe dëlirësinë tënde.” Nëna ime më tha që të afrohesha tek i Dërguari i Allahut ﷺ, por unë i thashë: “Jo, për Allahun! Nuk do t'i afrohem dhe nuk falënderoj askënd tjetër përveç Allahut.” Kështu, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Pa dyshim se ata që shpifën janë një grup nga mesi juaj...” (Nur, 11) Kur Allahu zbriti këtë shpallje për pafajësinë dhe dëlirësinë time, Ebu Bekër Sidiku, që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistahun, sepse ai ishte i afërm i tij, tha: “Betohem në Allahun se më nuk do t'i jap asgjë Mistahut, për shkak të asaj që tha për Aishen.” Por, më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t'i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që Allahu t'ju falë? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nur, 22) Pas kësaj Ebu Bekri tha: “Po! Betohem në Allahun se unë dua që Allahu të më falë!” - dhe zuri ta ndihmojë përsëri Mistahun, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht në të shkuarën.
Aishja pastaj shton: “Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ kishte pyetur edhe Zejnebe bint Xhahshin (bashkëshorten e vet) për mua duke i thënë: “Oj Zejnebe! Çfarë di dhe çfarë ke parë?” Ajo i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë ruhem të them se kam dëgjuar ose kam parë diçka që as kam dëgjuar, as kam parë. Betohem në Allahun se unë për Aishen di vetëm të mira.” Asokohe Zejnebja ishte rivalja ime (për bukuri dhe për dashurinë e Pejgamberit ﷺ), megjithatë Allahu e ruajti atë me devotshmëri (nga mëria dhe ligësia).”

Fulejhu na ka treguar nga Hisham ibn Urve, e ky nga Urve, e ky nga Aishja dhe Abdullah ibn Zubejri, njëjtë. Po ashtu Fulejhu na ka treguar nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani dhe Jahja ibn Seidi, e ky nga Kasim ibn Muhamed ibn Ebu Bekri, njëjtë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2661

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Lavdërimi i një burri ndaj një tjetri është i mjaftueshëm

Ebu Xhemile tregon: "Gjeta një fëmijë të humbur dhe, kur më pa Omeri, më tha: "Mos i ke hyrë një pune që s’ia di fundin? Sikur më akuzoi." Arifi i tha: "Ky është burrë i mirë." Omeri ia ktheu: "Ashtu, ë? Mirë pra, shko, ngase shpenzimet e tij (fëmijës së gjetur) i mbulojmë ne."

2662. Nga: Ebu Bekrete

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halid Hadhai, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se babai i tij Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë lavdëroi një tjetër në prani të Pejgamberit ﷺ, e në atë rast Pejgamberi ﷺ i tha: “Mjerë ti! E more në qafë shokun tënd”, - duke e përsëritur disa herë. Pastaj tha: “Nëse dikush duhet që medoemos ta lavdërojë vëllanë e vet, atëherë le të thotë: “Mendoj se filani, - ndërkohë Allahu e njeh më së miri dhe askënd nuk e lavdëroj para Allahut, - është kështu e ashtu"; nëse i di vetë ato gjëra për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2662

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Ndalimi i teprimit në lavdërim, le t'i thotë vetëm ato gjëra që di

2663. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Zekerija, e këtij i ka treguar Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dëgjoi një burrë duke lavdëruar një tjetër dhe e teproi në lëvdata, andaj i tha: “E shkatërruat!” - Ose ka thënë: “Ia thyet shpinën këtij burri!

Referenca: Sahihu i Buhariut 2663

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Puberteti dhe dëshmia e fëmijëve

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje (për të hyrë në dhomat tuaja të pushimit)...” (Nur, 59) Mugire ka thënë: "Kam hyrë në pubertet në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Menstruacionet janë shenjë e pubertetit të femrave." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nëse dyshoni për ato gra tuajat, të cilave u janë ndërprerë menstruacionet, mësoni se koha e tyre e pritjes është tre muaj. Njësoj është edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende menstruacionet. Ndërkaq, për gratë shtatzëna, afati i tyre është deri në lindjen e fëmijës...” (Talak, 4) Hasen ibn Salihu ka thënë: Kam mbërritur një fqinje tonën, e cila ishte bërë gjyshe në moshën njëzetenjëvjeçare.

2664. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ubejdullah ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Iu paraqita të Dërguarit të Allahut ﷺ për Luftën e Uhudit kur isha në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, por Pejgamberi ﷺ më refuzoi. Më pas iu paraqita vullnetar edhe në Luftën e Hendekut, kur i kisha mbushur pesëmbëdhjetë vjet, e atëherë Pejgamberi ﷺ më pranoi.
Nafiu thotë: “Shkova tek Omer ibn Abdulazizi, në kohën kur ishte halife, dhe ia rrëfeva këtë hadith, i cili në atë rast tha: “Ky është kufiri mes të miturit dhe të rriturit.” Pastaj u shkroi nënpunësve të vet që t'i rezervojnë vend në ushtri secilit që e ka arritur moshën pesëmbëdhjetëvjeçare.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2664

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2665. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastrimi ditën e xhuma është obligim për çdo të rritur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2665

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Pyetja e gjykatësit drejtuar atij që sjellë një akuzë: "A ke dëshmi?, para se ta kërkojë betimin e të akuzuarit."

2666. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2666, 2667 - Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që ta përvetësojë pasurinë e një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Eshath ibn Kajsi ka thënë: “Ajeti (që përmendet në fund të ngjarjes) ka zbritur për mua. Kam pasur një tokë në ortakëri me një hebre, por ai mohonte ortakërinë time. Andaj, e paraqita tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili më tha: “Vallë, a ke dëshmi (që vërtetojnë ortakërinë tënde me të)?”
- Jo, - i thashë.
- “Betohu (se ti ke të drejtë)!” - iu drejtua hebreut.
- O i Dërguari i Allahut, por, ai do të betohet, e do të ma marrë pasurinë! - i thashë.
Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit e as do t'i pastrojë prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2666

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

2667. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2666, 2667

Referenca: Sahihu i Buhariut 2667

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Të akuzuarit i takon të betohet në çështjet që kanë të bëjnë me pasuri dhe ndëshkime të përcaktuara

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ose silli dy dëshmitarë, ose ai do të betohet.” Kutejbe ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibn Shubrume se ka thënë: "Ebu Zinadi erdhi të bisedojë rreth dëshmisë së dëshmitarit dhe betimit të të akuzuarit." I thashë: "Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj, e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i pëlqeni; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra...” (Bekare, 282) Nëse do të mjaftonte dëshmia e një dëshmitari dhe betimi i të akuzuarit, atëherë pse ka nevojë që njëra grua t’ia kujtojë tjetrës, çfarë do të arrinte nëse ia kujton kësaj tjetrës?"

2668. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Nafi ibn Omeri se Ibn Ebu Mulejke tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më shkroi letër, ku thoshte se Pejgamberi ﷺ ka gjykuar me betimin e të akuzuarit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2668

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

Nënkapitull

2669. Nga: Abdullah ibn Omeri

2669, 2670 - Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm dhe me të përvetëson pasurinë e dikujt, e takon Allahun të hidhëruar me të. Pastaj Allahu zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit e as do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Pastaj, Eshath ibn Kajsi erdhi dhe na pyeti: “Çfarë po ju rrëfen Ebu Abdurrahmani (Abdullah ibn Mesudi)?” Ne i treguam çfarë na tha Abdullahu, pastaj ai tha: “Të vërtetën e ka thënë. Ky ajet ka zbritur për mua. Kam pasur një zënkë me një person, andaj shkuam të sqarohemi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e ai më tha: “Ose silli dy dëshmitarë, ose ai do të betohet.” Unë ia ktheva: “Por, ai do të betohet dhe s'e ka dert betimin! Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që t'ia përvetësojë dikujt pasurinë, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë, Allahu e zbriti ajetin e lartpërmendur, vërtetim për fjalën e Pejgamberit ﷺ. Pastaj e lexoi ajetin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2669

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

2670. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2669, 2670

Referenca: Sahihu i Buhariut 2670

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Nëse dikush pretendon diçka ose akuzon dikë, i lejohet të kërkojë dëshmi dhe të dalë në kërkim të saj

2671. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Hishami, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Hilal ibn Umeje e akuzoi bashkëshorten e vet, te Pejgamberi ﷺ, se kishte lidhje me Sherik ibn Sahmain. Pejgamberi ﷺ i tha: “Sill dëshmi, ose meriton dënimin në shpinën tënde!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Njeriu e sheh burrin e huaj mbi gruan e vet e të dalë të kërkojë dëshmitarë?” Por, Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Ose sill dëshmi, ose meriton dënimin në shpinën tënde!” Pastaj e përmendi hadithin e lianit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2671

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Betimi pas kohës së ikindisë

2672. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ditën e Gjykimit tre personave Allahu nuk u flet, nuk i shikon e nuk i pastron, por i dënon dhembshëm:
1. Atë që posedon ujë me tepricë përreth rrugës, por i pengon udhëtarët të pinë;
2. Atë që i besatohet një prijësi për interes të dynjasë, nëse i jep pasuri, i rri në besë, e nëse jo, e thyen besën;
3. Si dhe atë që bën pazar me një tjetër, pas ikindisë, dhe i betohet në Allahun se i kanë ofruar aq e kaq (çmim më të lartë), andaj për këtë shkak tjetri e blen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2672

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: I akuzuari duhet të betohet aty ku i kërkohet, nuk ka nevojë të shkojë diku tjetër

Mervani gjykoi për Zejd ibn Thabitin të betohet duke qenë në minber. Zejdi tha: "Unë betohem aty ku ndodhem, andaj filloi të betohet pa hipur në minber." Ndërkaq, Mervani e shikonte me habi. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sill dy dëshmitarë, ose ai do të betohet”, pa veçuar ndonjë vend të caktuar.

2673. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që të përvetësojë pasurinë e dikujt, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2673

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Nëse një grup njerëzish nxitojnë për t’u betuar

2674. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua parashtroi betimin një grupi njerëzish, të cilët nxituan (cili të betohet i pari). Atëherë Pejgamberi ﷺ urdhëroi të hidhej short mes tyre se cili të betohej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2674

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël...

Allahu i Madhërishëm ka thënë: "... nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)

2675. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Jezid ibn Haruni, e këtij i ka rrëfyer Avami, e këtij i ka treguar Ibrahim Ebu Ismail Seksekiu se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë nxori një produkt në treg dhe filloi të betohet se i kanë ofruar çmim më të shtrenjtë. Atëherë zbriti ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël...” (Ali Imran, 77)
Ibn Ebu Eufai ka thënë: “Manipuluesi i çmimit të ankandit konsiderohet kamatëmarrës e mashtrues.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2675

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2676. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2676, 2677 - Bishr ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që të përvetësojë pasurinë e dikujt, - ose ka thënë: vëllait të vet, - do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Allahu, si vërtetim të kësaj, e ka zbritur ajetin në Kuran: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Ebu Vaili thotë: Më vonë më takoi Eshathi dhe më pyeti: “Çfarë ju rrëfeu sot Abdullahu?” I thashë: “Kështu e kështu (duke përmendur hadithin e mësipërm).” Ai tha: “Për mua ka zbritur (ky ajet).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2676

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

2677. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2676, 2677

Referenca: Sahihu i Buhariut 2677

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Si i kërkohet dikujt të betohet?

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata ju betohen në Allahun...” (Teube, 62), dhe: “... e të vijnë te ti, duke u betuar në Allahun e duke thënë: "Ne kemi dashur vetëm të bëjmë mirësi dhe pajtim?!” (Nisa, 62) Për betim përdoren shprehjet: bilahi, tallahi dhe vallahi. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “... dhe një person që betohet në Allahun rrejshëm pas ikindisë.” Nuk lejohet betimi në diçka tjetër pos Allahut.

2678. Nga: Talha ibn Ubejdullahu

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga xhaxhai i tij Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe filloi ta pyeste rreth Islamit. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Ke obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës.”
- A kam obligim diçka përveç kësaj? - tha ai.
- “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare. Ke obligim edhe agjërimin e muajit Ramazan”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

- A kam obligim diçka përveç kësaj? - tha burri.

- “Jo, përveç nëse agjëron vullnetarisht”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ ia përmendi edhe zekatin. Burri në fjalë sërish pyeti:

- Përveç tij, a detyrohem diçka tjetër?

- “Jo, përveç nëse dhuron lëmoshë vullnetarisht”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Në fund, burri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj diçka nga kjo.”

Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2678

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2679. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri, e këtij ia ka përmendur Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që medoemos duhet të betohet, le të betohet në Allahun, ose le të heshtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2679

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Ai që sjell dëshmi pas betimit të të akuzuarit

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mund të ndodhë që dikush të jetë më orator në argumentim se tjetri.” Tavusi, Ibrahimi dhe Shurejhu kanë thënë: "Dëshmia e drejtë ka përparësi kundrejt betimit të rrejshëm."

2680. Nga: Umu Seleme

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij, e ky nga Zejnebja se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju po ankoheni tek unë dhe po kërkoni gjykim, por ndodh që ndonjëri të jetë më orator në argumentim se tjetri. Andaj, nëse gjykoj në favor të dikujt dhe ia shkel të drejtën vëllait të tij, duke u bazuar në fjalët e të parit, le ta dijë se po i ndaj një copë zjarri, kështu që të mos e marrë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2680

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Ai që urdhëron të përmbushet premtimi

Kështu ka vepruar Haseni. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta...” (Merjem, 54) Ibn Eshvai ka urdhëruar përmbushjen e betimit dhe këtë veprim e ka përmendur nga Semure ibn Xhundubi. Misver ibn Mahremi ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ. Pastaj përmendi dhëndrin e tij dhe tha: "Më ka premtuar dhe e ka përmbushur premtimin e dhënë." Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: "E kam parë Is’hak ibn Ibrahimin të argumentohet me hadithin e Ibn Eshvait."

2681. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Hamzai më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi transmeton prej Sufjanit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se Herakliu i ka thënë: “Të pyeta çfarë ju urdhëron, e më the se ju porosit ta falni namazin, të jeni të sinqertë dhe të ndershëm, ta përmbushni premtimin dhe ta mbani besën. Pastaj tha: “Kjo është cilësi e një pejgamberi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2681

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

Nënkapitull

2682. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Suhejl Nafi ibn Malik ibn Ebu Amiri, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri:
1. Kur flet, gënjen;
2. Kur i besohet, tradhton;
3. Kur premton, nuk e mban premtimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2682

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2683. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Dinari, e ky nga Muhamed ibn Aliu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekrit i erdhi një pasuri nga Ala ibn Hadremiu. Kështu, Ebu Bekri tha: “Nëse Pejgamberi ﷺ i ka pasur borxh ndokujt ose i ka premtuar diç, le të vijë.” Unë thashë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka premtuar se do të më japë kaq, kaq dhe kaq (pasuri).” Xhabiri i shtriu duart tri herë. Pastaj tha: “Ebu Bekri m'i numëroi pesëqind, pastaj pesëqind dhe pesëqind.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2683

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2684. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Seid ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Mervan ibn Shuxhai, e ky nga Salim Eftasi se Seid ibn Xhubejri tregon: “Një hebre, banor i Hirës, më pyeti: “Cilin prej dy afateve e pranoi Musai?”1 I thashë: “Nuk e di. Të shkoj te dijetari i arabëve dhe ta pyes.” Kështu, shkova dhe e pyeta Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “E pranoi më të gjatin e më të mirin. Kur një i dërguar i Allahut premton diçka, e përmbush atë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2684

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Idhujtarët nuk pyeten për dëshmi a gjëra të tjera

Shabiu ka thënë: "Nuk pranohet dëshmia e ithtarëve të feve tjera kundrejt njëri-tjetrit." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... prandaj ua shtiem armiqësinë dhe urrejtjen midis tyre...” (Maide, 14) Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni ata, por thoni: “... Ne besojmë në Allahun dhe në atë që na është shpallur...” (Bekare, 136)

2685. Nga: Abdullah ibn Abasi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “O ju muslimanë! Si mund t'i pyesni ithtarët e Librit, ndërkohë Libri juaj, të cilin Allahu ia ka zbritur të Dërguarit të Vet ﷺ, është rrëfimi më i ri për Allahun. Po e lexoni, tash e sa kohë, ndërkohë ende është i njëjtë (i pandryshuar). Ndërkaq, Allahu ju ka treguar se ithtarët e Librit e kanë zëvendësuar shpalljen e Allahut dhe e kanë ndryshuar Librin me duart e veta, pastaj thanë: “... Kjo është prej Allahut, që për këtë të kenë ndonjë përfitim të vogël (material)...” (Bekare, 79) Si nuk ju ndalon dituria që ju ka zbritur që t'i pyesni ata? E ata, betohem në Allahun se, asnjëherë, askush prej tyre, nuk ju ka pyetur rreth shpalljes që ju është zbritur juve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2685

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Hedhja short në rast të paraqitjes së ndërlikimeve

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... kur ata hodhën short që kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen...” (Ali Imran, 44) Ibn Abasi, duke komentuar këtë ajet, ka thënë: "Hodhën short dhe lapsat lundruan me rrjedhën, ndërsa lapsi i Zekerijait qëndroi sipër rrjedhës dhe kështu u vendos që Zekerijai ta marrë nën përkujdesje Merjemen." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Junusi) Hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe atij i ra shorti.” (Safat, 141) Ebu Hurejra ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i kërkoi një grupi njerëzish të betohen dhe ata nxituan, kështu që, urdhëroi të hidhet short mes tyre se cili të betohet."

2686. Nga: Numan ibn Beshiri

Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shabiu se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i neglizhon kufijtë e Allahut dhe ai që i shkel ato, i shëmbëllejnë një grupi njerëzish që hedhin short mes vete për një anije. Njëri grup (të cilin e përcaktoi shorti) qëndroi sipër (në kuvertë), kurse të tjerët poshtë (kuvertës). Këta që ishin poshtë, detyroheshin të siguronin ujë nëpërmjet atyre që ishin sipër, andaj i bezdisën me këtë gjë. Kështu, njëri prej tyre mori një sëpatë dhe filloi të hapë një vrimë në fund të anijes. Ata që ishin sipër, shkuan dhe i thanë: “Ç'ke kështu?” Ai u tha: “Filluat të bezdiseshit nga unë, ndërkohë unë patjetër duhet të marr ujë. Nëse ata e ndalojnë, e shpëtojnë atë dhe veten, e, nëse e lejojnë, e shkatërrojnë atë dhe veten.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2686

Fjalë të panjohura?

2687. Nga: Umu Ala Ensarja

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Harixh ibn Zejd Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Alai, - një grua nga familja e tij, - e cila i kishte dhënë besën Pejgamberit ﷺ, i ka treguar se Othman ibn Medhunit i ra shorti të vijë te ne kur ensarët hodhën short për t'i strehuar muhaxhirët në Medinë. Kështu, Othman ibn Medhuni banonte te ne. E kaploi një sëmundje, andaj ne e mjekuam dhe u kujdesëm derisa vdiq e pastaj e qefinosëm me rrobat e tij. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi te ne, unë thashë: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ty, o Ebu Saib (Othman ibn Medhuni)! Unë jam dëshmitare jotja që Allahu të ka nderuar.” Pejgamberi ﷺ më tha: “E ku e di ti se Allahu e ka nderuar?” I thashë: “Nuk e di, t'u bëfsha kurban me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut!” Ai më tha: “Sa i përket Othmanit, atij i ka ardhur e vërteta (vdekja) dhe unë shpresoj për të mirësinë. Betohem në Allahun se as unë, edhe pse jam i Dërguari i Allahut, nuk di ç'do të bëhet me mua.” Pastaj thashë: “Betohem në Allahun se më s'do të lavdëroj askënd.” Më pas u pikëllova nga kjo gjë dhe, në gjumë, e pashë Othmanin në ëndërr tek po i rridhte një lumë. Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova, e ai më tha: “Ajo është vepra e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2687

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2688. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ synonte ndonjë udhëtim, hidhte short ndër gratë e tij dhe, asaj që i binte shorti, e merrte me vete.
Secilës grua ia kushtonte një ditë e një natë, përveç Sevdë bint Zemës, e cila (në pleqërinë e saj) vullnetarisht ia kishte dhuruar ditën dhe natën e vet Aishes, gruas së Pejgamberit ﷺ, sepse kështu synonte të kënaqte të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2688

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

2689. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit çfarë (shpërblimi) përmban ezani dhe safi i parë, e për këtë të mos u mbetej asnjë azgjidhje tjetër, përveçse duke hedhur short mes vete, atëherë do ta bënin. Po ashtu, sikur ta dinin çfarë përmban vajtja herët për namaz, do të garonin për të. Sikur ta dinin çfarë përmban namazi i jacisë dhe ai i sabahut, do të venin për t'i falur, qoftë dhe zvarrë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2689

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?