53. Pajtimi

1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth pajtimit mes njerëzve

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo pajtim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa, 114) Shkuarja e imamit në ndonjë vend të caktuar për t’i pajtuar njerëzit.

2690. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa pjesëtarë të fisit të Amër ibn Aufit kishin një zënkë mes vete, andaj Pejgamberi ﷺ shkoi së bashku me disa shokë të vet për t'i pajtuar ata. Në anën tjetër, u afrua koha e namazit, por Pejgamberi ﷺ ende nuk kishte ardhur. Kështu, Bilali e thirri ezanin për namaz, ndërsa Pejgamberi ﷺ s'kishte ardhur akoma. Kështu, Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha:
- Pejgamberi ﷺ u vonua, ndërkohë koha e namazit tashmë ka hyrë, andaj a po u prin njerëzve në namaz?
- Po, nëse do, - tha Ebu Bekri.
Bilali e thirri ikametin dhe Ebu Bekri doli përpara për t'ua falur namazin. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe vazhdoi të ecë nëpërmjet safave derisa arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmëronin Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai zor se shpërqendrohej në namaz. Për një moment, ai shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ mbrapa, i cili ia bëri me shenjë për të vazhduar namazin ashtu si ishte. Ebu Bekri i çoi duart dhe e falënderoi Allahun (për atë që Pejgamberi ﷺ e urdhëroi), pastaj u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe, pasi ua fali namazin, tha:
- “O njerëz! Kur po dyshoni në namazin e imamit, po u bini shuplakave? Rrahja e shuplakave është për gratë. Nëse dikush dyshon diçka në namazin e imamit, le të thotë “subhanallah”, sepse kushdo që e dëgjon, ia tërheq vëmendjen. O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të vazhdoje t'ua falje njerëzve namazin pasi të urdhërova?”
- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz, - tha Ebu Bekri.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2690

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2691. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Mutemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dikush i tha Pejgamberit ﷺ: “Sikur të shkoje tek Abdullah ibn Ubeji?” Atëherë, Pejgamberi ﷺ i hipi një gomari dhe u nis, ndërsa muslimanët i shkonin mbrapa duke ecur. Rruga nëpër të cilën ecnin ishte tokë e shkretë, kështu që, kur Pejgamberi ﷺ mbërriti, Abdullah ibn Ubeji i tha: “Hiqmu sysh! Për Allahun, po më pengon ndyrësira e gomarit tënd!” Atëherë njëri nga ensarët iu drejtua: “Betohem në Allahun se gomari i të Dërguarit të Allahut ﷺ ka aromë më të mirë se ti.” Si rrjedhojë, një burrë nga fisi i Abdullahut u hidhërua dhe filluan të ofendojnë njëri-tjetrin, gjë që çoi në tensionimin e pjesëtarëve të dy fiseve. Aty plasi një zënkë mes tyre, ku u rrahën me degë hurmash, duar dhe sandale. Atëherë na erdhi lajmi se kishte zbritur ajeti: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata...” (Huxhurat, 9)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2691

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Nuk konsiderohet gënjeshtar ai që bën pajtime mes njerëzve (duke shtuar diçka)

2692. Nga: Umu Kulthum bint Ukbe

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Humejd ibn Abdurrahmani se nëna e tij Umu Kulthum bint Ukbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nuk konsiderohet gënjeshtar ai që bën pajtime mes njerëzve, shton diç të mirë ose përcjell ndonjë fjalë të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2692

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kur prijësi u thotë shokëve të vet: "Ejani të shkojmë e t’i pajtojmë disa persona."

2693. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Muhamed ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Abdullah Evsiu dhe Is'hak ibn Muhamed Ferviu, e këtyre dyve u ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se banorët e Kubasë u grindën mes vete, saqë filluan ta gjuajnë njëri-tjetrin me gurë. Kur i treguan të Dërguarit të Allahut ﷺ, tha: “Ejani të shkojmë e t'i pajtojmë mes vete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2693

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Ajeti: “... nëse pajtohen mes vete. Pajtimi është më i mirë...”

2694. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë...”, (Nisa, 128) ka thënë: “Fjala është për burrin që te gruaja e vet vëren diç që nuk i pëlqen, siç është pleqëria a diç tjetër, andaj vendos ta shkurorëzojë atë, e cila në atë rast i thotë: “Më mbaj (mos më shkurorëzo) dhe për mua shpenzo aq sa dëshiron.” Kështu, nëse pajtohen mes vete, nuk prish punë të veprojnë ashtu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2694

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Nëse bien dakord për diçka që cilësohet mëkat, kjo marrëveshje nuk u pranohet

2695. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

2695, 2696 - Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, mes nesh gjyko me Librin e Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Mirë e ka, mes nesh gjyko me Librin e Allahut!” Beduini vazhdoi: “Djali im punonte te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij.” Më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me gurëzim. Djalin tim e shpagova me njëqind dele dhe një robëreshë.” Më pas i pyeta dijetarët dhe më thanë: “Biri yt duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Mes jush do të gjykoj me Librin e Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa biri yt duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet një vit. Kurse ti, o Unejs, - iu drejtua një burri aty, - shko dhe dënoje gruan e këtij me gurëzim.” Unejsi shkoi dhe e gurëzoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2695

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

2696. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

2695, 2696

Referenca: Sahihu i Buhariut 2696

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

2697. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jakubi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që shpik në këtë çështjen (fenë) tonë diçka që nuk i përket asaj, i refuzohet.”

Këtë e transmetojnë edhe Abdullah ibn Xhafer Mahremiu dhe Abdulvahid ibn Ebu Avniu, nga Sad ibn Ibrahimi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2697

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Si të shkruhet: "Kjo është marrëveshje pajtimi mes filan ibn filanit e filan ibn filanit, pa përmendur përkatësinë fisnore e familjare?"

2698. Nga: Bera ibn Azibi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshjen e pajtimit në Hudejbije, Ali ibn Ebu Talibi shkroi një shkresë mes dy palëve.” Aty (mes tjerash) shkroi: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut.” Por, idhujtarët thanë: “Mos e shkruaj: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut”, sepse, po të ishe i dërguar, nuk do të të luftonim.” Pejgamberi ﷺ i tha Aliut: “Fshije!” Aliu tha: “Nuk mund ta fshij.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ e fshiu vetë dhe ra dakord që, vitin e ardhshëm, të hyjë së bashku me shokët e vet (në Mekë) për tri ditë, të çarmatosur. E pyetën se çfarë nënkuptonte me çarmatosje, e ai u tha: “Me këllëf dhe çfarë ka në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2698

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2699. Nga: Bera ibn Azibi

Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi për umre në muajin dhul kade, por mekasit nuk e lejuan të hynte në Mekë, derisa ra dakord që vitin e ardhshëm të qëndrojë vetëm tri ditë. Teksa po e shkruanin marrëveshjen dhe shkruan: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut, ka rënë dakord që...”, idhujtarët thanë: “Nuk pranojmë! Sikur ta dinim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të pengonim (për të hyrë), por ti je Muhamedi, i biri i Abdullahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut, njëkohësisht Muhamed ibn Abdullahu.” Pastaj i tha Aliut: “Fshije (pjesën): i Dërguari i Allahut!”
- Jo, betohem në Allahun se kurrë nuk e fshij emrin tënd, - iu përgjigj Aliu.
Pejgamberi ﷺ e mori letrën dhe e shkroi: “Muhamed ibn Abdullahu ka rënë dakord që: të mos hyjë në Mekë me armë përveçse në këllëf; të mos marrë me vete asnjë banor të saj që dëshiron ta pasojë, si dhe të mos ndalojë asnjë shok të vetin të rikthehet në të (Mekë).”
Pasi hyri dhe kaloi afati i caktuar, idhujtarët vajtën tek Aliu dhe i thanë: “Thuaji shokut tënd të largohet prej këtu, sepse afati ka përfunduar.”
Kur Pejgamberi ﷺ doli, e bija e Hamzait iu vu prapa duke i thënë: “O xhaxha, o xhaxha!” Aliu shkoi dhe e mori për dore e i tha Fatimes: “Ja bija e xhaxhait tënd. Merre me vete.”
Aliu, Zejdi dhe Xhaferi u grindën për të. Aliu tha: “Unë jam më meritori për ta marrë, sepse është bija e xhaxhait tim.” Xhaferi i tha: “Ajo është bija e xhaxhait tim dhe tezja e saj është gruaja ime.” Zejdi tha: “Ajo është bija e vëllait tim.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi që ta marrë tezja e vet dhe tha: “Tezja është në pozitën e nënës.” Aliut i tha: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Xhaferit iu drejtua: “Më ke ngjarë në tipare dhe moral.” Ndërkaq, Zejdit i tha: “Ti je vëllai ynë dhe i çrobëruari ynë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2699

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Marrëveshja për armëpushim me idhujtarët

Auf ibn Maliku transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj do të ketë pajtim mes jush dhe benu esferëve (romakëve).” Këtë e kanë transmetuar edhe Sehl ibn Hunejfi, Esma dhe Misveri nga Pejgamberi ﷺ.

2700. Nga: Bera ibn Azibi

Musa ibn Mesudi na ka thënë: Na ka treguar Sufjan ibn Seidi, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hudejbijes Pejgamberi ﷺ lidhi pakt me idhujtarët për tri gjëra:
1. Nëse ndonjë idhujtar donte t'i bashkohej, t'ua kthente;
2. Nëse ndonjë musliman donte t'u bashkohej atyre (idhujtarëve), të mos e kthenin; dhe
3. Të hynte në Mekë vitin e ardhshëm e të qëndronte vetëm tri ditë, i çarmatosur: pra, vetëm me armë në këllëf: shpatë, shigjetë ose diç të tillë. Ebu Xhendeli kishte ardhur i lidhur me pranga, duke ecur me hapa të vegjël, por Pejgamberi ﷺ ua kishte kthyer prapa.

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Muemeli, në transmetimin e tij nga Sufjani, nuk e ka përmendur Ebu Xhendelin, si dhe ka thënë: “Përveç me armë në këllëf.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2700

Fjalë të panjohura?

2701. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Rafiu na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Numani, e këtij i ka treguar Fulejhu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u nis për umre, por jobesimtarët kurejshë e penguan prej Qabesë. Rrjedhimisht, e theri kurbanin dhe rrojti kokën në Hudejbije dhe ra dakord me idhujtarët që, vitin e ardhshëm, të vijë në umre i çarmatosur, përveç shpatave, dhe të qëndrojë aq sa ata e lejojnë. Kështu, vitin vijues, shkoi në Mekë ashtu siç kishte rënë dakord dhe, kur i mbushi tri ditë, e urdhëruan të dalë, gjë që ai e bëri.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2701

Fjalë të panjohura?

2702. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Bushejr ibn Jesari se Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesud ibn Zejdi shkuan në Hajber, gjatë kohës sa ishte në fuqi marrëveshja mes tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2702

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Rënia dakord për shpagim

2703. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Abdullah Ensariu na ka thënë: Më ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Rrubeja, e bija e Nadrit, ia theu dhëmbin një vajze. Familjes së vajzës i kërkuan të pranojnë shpagim dhe kërkuan t'ua falin, por ata refuzuan. Kështu, shkuan te Pejgamberi ﷺ, i cili urdhëroi të merret haku. Enes ibn Nadri i tha: “O i Dërguari i Allahut, vallë Rrubejës t'i thyhet dhëmbi?! Jo, betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën, se asaj nuk do t'i thyhet dhëmbi!” Pejgamberi ﷺ i tha: “O Enes, Libri i Allahut urdhëron të merret haku.” Por, familja e vajzës u pajtuan që t'ia falin. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Ka robër të Allahut, të cilëve, kur betohen në Allahun, Ai ua realizon betimin.”
Fezariu shton nga Humejdi, e ky nga Enesi se ka thënë: “Familja e vajzës e pranuan shpagimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2703

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Thënia e Pejgamberit ﷺ për Hasen ibn Aliun: “Ky biri im është zotëri. Shpresoj që Allahu nëpërmjet tij t’i pajtojë dy grupe të mëdha.” Dhe ajeti: “... pajtojini ata...”

2704. Nga: Ebu Bekrete

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Musai se Hasen Basriu ka thënë: “Betohem në Allahun se Hasen ibn Aliu e ka pritur Muaviun me batalione të mëdha sa kodrat. Amër ibn Asi ka thënë: “Këto batalione që po i shoh, nuk mendoj se do të kthehen pa i vrarë kundërshtarët e vet.” Muaviu, - i cili, për Allahun, ishte më i miri nga të dy, - ia ktheu: “O Amër, nëse këta i vrasin ata, e ata i vrasin këta, kush do të përkujdeset për njerëzit? Kush do të kujdeset për gratë e tyre? Për pasuritë e tyre?” Kështu, i dërgoi dy burra kurejshë nga familja benu abdushems: Abdurrahman ibn Semuren dhe Abdullah ibn Amir ibn Kurejzin, dhe u tha: “Shkoni te ky burrë, i tregoni përse keni shkuar dhe jini këmbëngulës gjatë kërkesës.” Ata shkuan dhe folën me të e u treguan këmbëngulës. Hasen ibn Aliu u tha: “Ne, benu abdulmutalibët, kemi trashëguar nga kjo pasuri (me të cilën i kemi pajtuar njerëzit mes vete), ndërsa ky umet është përmbytur në gjakun e vet.” Ata i thanë: “Ai po të ofron këtë e atë dhe po kërkon prej teje me ngulm.”
- E kush ma garanton këtë? - u tha Haseni.
- Ne ta garantojmë, - iu përgjigjën ata.
Sa herë që Haseni u kërkonte diç, ata i përgjigjeshin: “Ne të garantojmë.”
Më në fund ranë dakord dhe Haseni u tha: “E kam dëgjuar Ebu Bekreten (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ në minber me Hasen ibn Aliun anash, herë kthehej nga njerëzit, herë nga Haseni, e u thoshte: “Ky biri im është zotëri. Shpresoj që Allahu nëpërmjet tij t'i pajtojë dy grupe të mëdha të muslimanëve.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ali ibn Abdullahu më ka thënë: “Na është vërtetuar se Haseni e ka dëgjuar këtë hadith nga Ebu Bekrete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2704

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: A propozon prijësi pajtimin e njerëzve?

2705. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ebu Rixhal Muhamed ibn Abdurrahmani, e ky nga nëna e tij Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi dy persona duke u grindur me zë të lartë, afër derës (së shtëpisë). Kur, ja, njëri prej tyre kërkonte që tjetri t'i falte një pjesë të borxhit ose t'ia shtynte atë, por ky i fundit thoshte: “Betohem në Allahun se nuk e bëj.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe tha: “Cili është ai që po betohet në Allahun se nuk do të veprojë një vepër të mirë?”
- Unë, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigj huadhënësi dhe vazhdoi: - Atëherë, do të veproj si të dojë ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2705

Fjalë të panjohura?

2706. Nga: Kab ibn Malik Ensariu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Arexhi, e këtij i ka treguar Abdullahu, i biri i Kab ibn Malikut, se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Abdullah ibn Hadred Eslemiu i kishte një borxh. Kur e takoi, i shkoi pas (duke ia kërkuar borxhin) derisa filluan t'i ngrenë zërat mes tyre. Pejgamberi ﷺ kaloi aty pranë dhe tha: “O Kab!” dhe ia bëri me dorë, sikurse t'i thotë: “(Falja) gjysmën!” Kështu, ai ia mori vetëm gjysmën e borxhit, kurse gjysmën tjetër ia la.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2706

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Vlera e pajtimit të njerëzve dhe të qenët i drejtë me ta

2707. Nga: Ebu Hurejra

Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për çdo ditë që lind dielli, njeriu duhet të japë sadaka për secilën nyjë të trupit. Të jetë i drejtë (në gjykim) mes njerëzve konsiderohet sadaka.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2707

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Nëse prijësi i propozon dikujt marrëveshje mirëkuptimi, e ky refuzon, atëherë gjykon sipas ligjit të drejtë

2708. Nga: Zubejr ibn Avami

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Zubejr ibn Avami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, mes tij dhe një ensariu, i cili kishte qenë pjesëmarrës në Luftën e Bedrit, ishte shkaktuar një zënkë për një rrjedhë uji nga gurishta, me të cilën ujitnin së bashku, prandaj kishin shkuar te Pejgamberi ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha Zubejrit: “O Zubejr, ujite kopshtin tënd, pastaj lëshoja ujin fqinjit.” Por, Ensariu u nevrikos dhe tha: “Ngaqë është djali hallës sate, ë?” Të Dërguarit të Allahut ﷺ i ndryshoi fytyra dhe i tha (Zubejrit): “Ujite kopshtin tënd dhe bllokoje ujin derisa kopshti të ngopet mirë!”
Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia dha Zubejrit hakun që i takonte, ndërsa pak para kësaj i Dërguari i Allahut ﷺ i propozoi Zubejrit një zgjedhje që i përshtatej edhe atij, edhe ensariut. Por, kur ensariu e hidhëroi të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai ia dha Zubejrit të drejtën që i përkiste sipas ligjit të drejtë.
Zubejri ka thënë: “Betohem në Allahun se ajeti vijues ka zbritur për këtë rast: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykues për kundërshtitë mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” (Nisa, 65)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2708

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Mirëkuptimi mes borxhlinjve e trashëgimtarëve, si dhe ndarja e pasurisë në përmasa të përafërta

Ibn Abasi ka thënë: "Kur ortakët dhe trashëgimtarët ndahen nga njëri-tjetri, nëse njëri merr pasuri të prekshme, ndërsa tjetri trashëgon një pasuri të dhënë borxh dhe ndodh që borxhi të humbë, nuk lejohet t’i rikthehen sërish ndarjes së pasurisë."

2709. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Më pati vdekur babai dhe pati lënë borxh. Borxhlinjve u ofrova të m'i merrnin pemët e hurmave dhe ç'kishte në to, por ata refuzuan, sepse mendonin se nuk u mjaftonte. Shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i tregova, e në atë rast ai më tha: “Pasi t'i thyesh dhe t'i lësh për t'u tharë, tregoji të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Kështu, ai erdhi së bashku me Ebu Bekrin dhe Omerin, u ul te hurmat dhe u lut që të kenë bereqet, pastaj tha: “Thirri borxhlinjtë dhe kthejua borxhin tërësisht.”
Nuk lashë asnjë borxhli të babait tim pa ia kthyer borxhin, madje, në fund, tepruan trembëdhjetë evsukë: shtatë axhve dhe gjashtë leunë, - ose ka thënë: gjashtë axhve dhe shtatë leunë.
Në mbrëmje i kreva dhe u takova me të Dërguarin e Allahut ﷺ e i tregova për këtë. Ai qeshi dhe tha: “Shko tregoji Ebu Bekrit dhe Omerit!” Ata thanë: “Kur pamë çfarë veproi i Dërguari i Allahut ﷺ, e dinim se do të ndodhte kështu.”

Hishami transmeton nga Vehbiu, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “Pas namazit të ikindisë"; por nuk e ka përmendur fare Ebu Bekrin, e as fjalën: “Ai qeshi.” Po ashtu thotë: “(Xhabiri ka thënë:) Babai im kishte lënë borxh tridhjetë evsukë.” Ndërkaq, Ibn Is'haku transmeton nga Vehbiu, e ky nga Xhabiri: “Pas namazit të drekës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2709

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Pajtimi në borxh dhe mallra të pranishme

2710. Nga: Kab ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Junusi. Lejthiu më ka thënë: Na ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdullahu, i biri i Kabit, se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, duke qenë në xhami, i kishte kërkuar Ibn Ebu Hadredit t'i kthente një borxh. Mes tyre shpërtheu një zënkë, andaj u ngritën zërat, saqë i Dërguari i Allahut ﷺ i dëgjoi në shtëpinë e vet. Ai doli, ngriti perden e derës dhe thirri:
- “O Kab!”
- Urdhëro, o i Dërguari i Allahut! - tha Kabi.

Pejgamberi ﷺ bëri me dorë duke i kërkuar që t'ia falë gjysmën e borxhit.
- Po. Ia fala, o i Dërguari i Allahut!
- “Ngrihu dhe ktheja borxhin (e mbetur)!” - i tha tjetrit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2710

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?