54. Kushtet
1. Nënkapitulli: Kushtëzimet e lejuara në Islam, në dispozita dhe besëlidhje
2711. Nga: Misver ibn Mahremi
2711, 2712 - Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Mervani dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregojnë rreth shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe thonë: “Kur Suhejl ibn Amri e shkroi marrëveshjen me Pejgamberin ﷺ (në Hudejbije), nuk pranoi tjetër veçse të kushtëzonte që Pejgamberi ﷺ të kthente çdo kurejsh që do t'i shkonte atij, edhe po të ishte musliman, dhe të mos ndërhynte mes tyre. Besimtarët nuk e donin këtë gjë, e cila i rëndoi shumë, por Suhejli nuk pranonte ndryshe. Kështu, Pejgamberi ﷺ lidhi marrëveshjen me të, me kushtet në fjalë. Atëkohë, ai u detyrua ta kthente Ebu Xhendelin te babai i vet, Suhejl ibn Amri. Gjatë kësaj periudhe, çdokush që vente te Pejgamberi ﷺ, edhe nëse ishte musliman, ai e kthente prapa.
Edhe besimtaret erdhën duke bërë hixhret, në mesin e të cilave ishte edhe Umu Kulthum bint Ukbe ibn Ebu Muajti, e cila atëkohë ishte vajzë e re. Familja e saj erdhën dhe kërkuan prej të Dërguarit të Allahut ﷺ t'ua kthente, por nuk ua ktheu, për shkak të ajetit që kishte zbritur: “... kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ta e as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për to...” (Mumtehine, 10)
Referenca: Sahihu i Buhariut 2711
Fjalë të panjohura?
2712. Nga: Misver ibn Mahremi
2711, 2712
Referenca: Sahihu i Buhariut 2712
Fjalë të panjohura?
2713. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Urve ka thënë: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, besimtaret që bënin hixhret, i Dërguari i Allahut ﷺ i provonte me këtë ajet: “O ju që keni besuar, kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ta e as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për to. Kthejuni jobesimtarëve mehrin, që u kishin dhënë atyre. Nuk ka pengesë që t'i merrni ato për bashkëshorte, pasi t'u jepni mehrin. Mos qëndroni në martesë me idhujtare. Kërkoni atë që keni dhënë (si mehër), por dhe jobesimtarët le të kërkojnë atë që kanë dhënë (si mehër). Ky është ligji i Allahut, Ai gjykon mes jush; Allahu di çdo gjë dhe është i Gjithëdijshëm e i Urtë.” (Mumtehine, 10)
Urve thotë: “Aishja ka thënë: “Asaj që e pranonte këtë kusht, i Dërguari i Allahut ﷺ i thoshte: “E pranova besën tënd” - vetëm me fjalë. Betohem në Allahun se dora e tij nuk ka prekur kurrë dorën e ndonjë femre në besatim. Me to besatohej vetëm nëpërmjet fjalëve.”
2714. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zijad ibn Ilake se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur i dhashë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai ma kushtëzoi: “Dhe të jesh besnikë ndaj çdo musliman.”
2715. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajs ibn Ebu Hazimi se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I kam dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ të fal namazin, të jap zekatin dhe të jem besnikë ndaj çdo muslimani.”
2. Nënkapitulli: Nëse shet pemë hurmash të pllenuara
2716. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush shet pemë hurmash të pllenuara, frutat i takojnë shitësit, përveç nëse ia kushtëzon blerësi.”
3. Nënkapitulli: Kushtet në shitblerje
2717. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira i kërkoi ta ndihmojë për ta kompletuar pagesën e lirimit nga robëria, ndërkohë deri atëherë nuk kishte arritur të paguajë asgjë. Aishja i tha: “Kthehu te pronarët e tu (dhe pyeti): nëse pranojnë që unë ta kryej pagesën e lirimit tënd, me kusht që merita e çrobërimit të më takojë mua dhe do ta bëj.” Berira ua përmendi këtë pronarëve të vet, por ata refuzuan dhe thanë: “Nëse ajo do që ta paguajë lirimin tënd, le ta bëjë, por merita e çrobërimit të na përkasë neve.” Aishja ia përmendi të Dërguarit të Allahut ﷺ përgjigjen e tyre, e në atë rast ai tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i përket atij që e liron.”
4. Nënkapitulli: Lejohet që shitësi t’ia kushtëzojë blerësit ta shfrytëzojë kafshën për hipje deri në një vend të caktuar
2718. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky e ka dëgjuar Amirin se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po udhëtoja hipur mbi një deve të lodhur, Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dhe e goditi devenë duke bërë dua për të. Deveja filloi të ecë shpejt si kurrë më parë. Pastaj Pejgamberi ﷺ më tha: “Shitma për një okë (ari).”
- Jo, - ia ktheva.
- “Shitma për një okë (ari)!” - më tha sërish Pejgamberi ﷺ.
Atëherë ia shita dhe ia kushtëzova që ta shaloj deri në shtëpi. Kur arritëm në shtëpi, shkova dhe ia çova devenë, ndërsa ai m'i dha paratë. Pasi isha larguar, ai kishte dërguar dikë të më kërkojë dhe më tha: “Nuk doja të ta merrja devenë, prandaj merre devenë, sepse ajo është pasuri jotja.”
Shuëbe transmeton nga Mugire, e ky nga Amiri se Xhabiri ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ma lejoi ta shaloj deri në Medinë.”
Is'haku transmeton nga Xheriri, e ky nga Mugire (se Xhabiri tha): “Ia shita devenë me kusht që ta shaloj deri në Medinë.”
Atai dhe disa të tjerë, në një transmetim, përmendin (se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Xhabirit): “Po ta lë ta shalosh deri në Medinë.”
Muhamed ibn Munkediri transmeton nga Xhabiri: “... ia kushtëzoi shalimin e devesë deri në Medinë.”
Zejd ibn Eslemi transmeton prej Xhabirit se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... dhe ke të drejtë ta shalosh derisa të kthehesh.”
Ebu Zubejri transmeton prej Xhabirit se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... po ta lë ta shalosh deri në Medinë.”
Ameshi transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... merre dhe shko me të deri në shtëpi.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Kushtëzimi është përmendur më shpesh dhe është më i saktë tek unë (në transmetimet e hadithit të Xhabirit).” Ubejdullahu dhe Ibn Is'haku transmetojnë nga Vehbiu, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ma bleu për një okë”. Zejd ibn Eslemi e fuqizon transmetimin e Vehbiut nga Xhabiri. Ibn Xhurejxhi transmeton nga Atai dhe të tjerë, e këta nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ) e pati blerë me katër dinarë. Kjo është e barabartë me një okë, nëse dinari llogaritet sa dhjetë dërhemë. Mugire nuk ka sqaruar sa ka qenë çmimi, në transmetimin e tij nga Shabiu, e ky nga Xhabiri, e ky nga Ibn Munkediri dhe Ebu Zubejri, kurse Ameshi transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “Një okë ari.” Ebu Is'haku transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “... me dyqind dërhemë.” Davud ibn Kajsi transmeton nga Ubejdullah ibn Miksemi, e ky nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ) e ka blerë devenë në rrugën e Tebukut, - kujtoj se ka thënë: “... katër okë.” Ebu Nadri transmeton nga Xhabiri se ka thënë: “(Pejgamberi ﷺ) e ka blerë njëzet dinarë.” Ndërkaq, për fjalën e Shabiut: “Me një okë e më shumë”, imam Buhariu ka thënë: “Kushtëzimi është përmendur më shpesh dhe është më i saktë tek unë.”
5. Nënkapitulli: Kushtëzimet në raportet ndërnjerëzore
2719. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ensarët i thanë Pejgamberit ﷺ: “Ndaji hurmat mes nesh dhe vëllezërve tanë (muhaxhirë).” Por, Pejgamberi ﷺ u tha: “Jo.”
Kështu, ensarët thanë: “Atëherë, ju kryeni punën, ne ju bëjmë ortakë në prodhime.”
Ata thanë: “Dëgjuam dhe ashtu do të bëjmë.”
2720. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musai na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri ibn Esma, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua dha hebrenjve Hajberin, me kusht që ta punojnë e ta mbjellin dhe të mbajnë një pjesë të prodhimeve.”
6. Nënkapitulli: Kushtëzimet në mehër gjatë lidhjes së kontratës martesore
Omeri ka thënë: Të drejtat e njerëzve arrijnë deri te kushtet që ata i vendosin ndërmjet vete. Misveri ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke përmendur një dhëndër të vetin, të cilin e lavdëroi në raportet miqësore ndërmjet tyre dhe tha fjalë të mira: “Kur më ka folur, është treguar i sinqertë dhe, kur më ka premtuar, e ka mbajtur premtimin.”
2721. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jezid ibn Ebu Habibi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndër kushtëzimet që më së shumti meritojnë t'i përmbushni janë ato përmes të cilave ju bëhen të lejuara gratë tuaja.”
7. Nënkapitulli: Kushtëzimet në punimin e tokës
2722. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Handhale Zurakiun se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ne kemi qenë ensarët që më së shumti posedonim ara, andaj e jepnim tokën me qira. Ndodhte që njëra pjesë e arës të nxirrte prodhime, kurse tjetra jo. Prandaj, na u ndalua kjo praktikë, porse lëshimi me qira në të holla nuk na u ndalua.”
8. Nënkapitulli: Kushtëzimet e ndaluara në kontratën martesore
2723. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vendasi të mos shesë për jabanxhiun (i cili nuk e njeh tregun vendas) dhe mos e manipuloni çmimin e ankandit. Askush të mos i ndërhyjë në tregti vëllait të vet dhe të mos e kërkojë dorën e një vajze që vëllai i vet është duke e kërkuar. Gruaja të mos e kushtëzojë shkurorëzimin e shemrës (gruas së parë) për t'u martuar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2723
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Kushtëzimet e palejuara në zbatimin e ndëshkimeve të përcaktuara
2724. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
2724, 2725 - Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, po të përbej në Allahun që për mua të gjykosh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, i cili kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Po, mes nesh gjyko sipas Librit të Allahut dhe më lejo të të tregoj!”
- “Fol!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit, ndërsa gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - tha beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes jush do të gjykoj sipas Librit të Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa yt bir duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet një vit. O Unejs, shko te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), dënoje me gurëzim.”
Unejsi shkoi dhe ajo pranoi. Kështu, pas urdhrit të të Dërguarit të Allahut ﷺ, ajo u gurëzua.”
2725. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
2724, 2725
10. Nënkapitulli: Kushtet e lejuara për robin që ka lidhur kontratë për lirim me pagesë, nëse ai pranon të shitet kundrejt lirimit
2726. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmen Mekiu, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Berira, e cila kishte lidhur kontratë për lirim me pagesë, erdhi tek unë dhe tha: “Oj nëna e besimtarëve, më bli, sepse pronarët e mi po më shesin, e pastaj më liro.”
- Po, - i thashë.
Më pas, ajo më tha: “Pronarët nuk po më shesin, përveçse me kusht që merita e çrobërimit t'u takojë atyre.”
- Nuk kam nevojë për ty asgjë, - iu përgjigja.
Pejgamberi ﷺ e dëgjoi këtë, - ose ka thënë: i tregoi dikush, - dhe më pyeti: “Si është puna e Berirës?” Pastaj tha: “Blije dhe liroje, ndërsa ata le të kushtëzojnë ç'të duan.”
Kështu, e bleva dhe e lirova, edhe pse pronarët e saj e kishin kushtëzuar që merita e çrobërimit t'u takojë atyre. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin, edhe nëse ata i vënë njëqind kushte.”
11. Nënkapitulli: Kushtëzimet në shkurorëzim
Ibn Musejebi, Haseni dhe Atai kanë thënë: "Nëse njeriu, kur e shkurorëzon bashkëshorten, u paraprin fjalëve me shprehje të shkurorëzimit, pastaj e përmend kushtin e shkurorëzimit ose e përmend kushtin para shprehjes së shkurorëzimit, kushtëzimi i pranohet, në të dyja rastet."
2727. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Adij ibn Thabiti, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar: blerjen e mallrave prej karvanëve, para se të arrijnë në treg; që muhaxhiri të shesë për beduinin; që gruaja ta kushtëzojë shkurorëzimin e shemrës për t'u martuar vetë; që njeriu t'i ndërhyjë në tregti vëllait të vet; si dhe ka ndaluar manipulimin e çmimit të ankandit dhe akumulimin e qumështit në gji të bagëtive qëllimisht (për qëllime përfitimi në tregti).
(Këtë transmetim nga) Muhamed ibn Arare e kanë fuqizuar Muadhi dhe Abdusamedi, nga Shuëbe. Gunderi dhe Abdurrahmani kanë thënë: “... është ndaluar”, kurse Ademi ka thënë: “Jemi ndaluar.” Nadri dhe Haxhaxhi transmetojnë nga Minhali (shprehjen): “... ka ndaluar.”
12. Nënkapitulli: Vendosja e kushteve me fjalë ndërmjet njerëzve
2728. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jala ibn Muslimi dhe Amër ibn Dinari, e këta nga Seid ibn Xhubejri, duke plotësuar njëri-tjetrin; Gjithashtu të tjerë kanë transmetuar: E kam dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se ka thënë: Teksa ishim tek Ibn Abasi, Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Musai, i dërguari i Allahut...” dhe e përmendi hadithin. Tek ajeti: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”, (Kehf, 72) Ibn Abasi ka thënë: “E para ka qenë si shkak i harresës, e dyta në formë kushtëzimi dhe e treta qëllimisht. Ai tha:
1. “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!”,
2. “Derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau” dhe:
3. “Pastaj vazhduan dhe ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi.”
Ibn Abasi, fjalën “veraehum" (pas tyre) në ajet, e ka lexuar me fjalët: “emamehum" (para tyre) ndodhej një mbret...
13. Nënkapitulli: Kushtëzimet rreth meritës së çrobërimit
2729. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Berira erdhi tek unë dhe më tha: “Kam lidhur marrëveshje me pronarët e mi të më lirojnë me pagesë, për nëntë okë, çdo vit nga një okë, andaj më ndihmo.”
- Nëse ata pranojnë që unë t'ua kryej pagesën, me kusht që merita e çrobërimit të më takojë mua, do ta bëj, - i thashë.
Berira shkoi te pronarët e vet dhe u tregoi, por ata refuzuan. Kur u kthye, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur, Berira më tha: “Ua propozova këtë gjë, por ata refuzuan, përveç nëse merita e çrobërimit u mbetet atyre.” Pejgamberi ﷺ e dëgjoi dhe Aishja ia tregoi rastin, e atëherë tha: “Blije dhe kushtëzojua atyre meritën e çrobërimit, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Aishja e bleu, e më pas i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit ndër njerëz, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që kushtëzojnë gjëra që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Çdo kusht që nuk përkon me Librin e Allahut është i pavlefshëm, edhe në qofshin njëqind kushte. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe kushtet e tij janë më parësore që të përmbushen. Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
14. Nënkapitulli: Nëse, gjatë kushtëzimit të mbjelljes së tokës, thotë: "Nëse dëshiroj, mund të të largoj (kur të dua)."
2730. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Jahja Ebu Gasan Kinaniu, e këtij i ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur banorët e Hajberit ia nxorën krahët Abdullah ibn Omerit, Omeri u ngrit dhe ligjëroi: “I Dërguari i Allahut ﷺ i ka punësuar hebrenjtë e Hajberit në pronat e tyre dhe u ka thënë: “Do t'ju lëmë këtu, aq sa të dojë Allahu”, e, kur Abdullah ibn Omeri shkoi atje, te prona e vet, ata e sulmuan gjatë natës dhe ia nxorën duart dhe këmbët. Ndërkaq, ne atje nuk kemi armiq të tjerë përveç tyre. Ata janë armiqtë tanë, andaj vetëm ata i akuzojmë, kështu që mendoj t'i dëbojmë.” Kur Omeri përfundimisht vendosi t'i dëbojë, erdhi një person nga fisi i Ebu Hukajkut dhe i tha: “O prijës i besimtarëve, dëshiron të na dëbosh, ndërkohë Muhamedi ﷺ na ka punësuar në ato prona dhe na e ka kushtëzuar këtë gjë?” Omeri ia ktheu: “Po mendon se e kam harruar fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ (drejtuar juve): “Ç'do të bësh kur të të dëbojnë nga Hajberi dhe me net të tëra të të bartë deveja rrugëve të gjata?” Ai tha: “Kjo ka qenë shaka e Ebu Kasimit.” Omeri i tha: “Po gënjen, o armik i Allahut!” Andaj, Omeri i dëboi dhe ua dha produktet që u takonin: devetë dhe gjësende të tjera si mjete të punës, litarë etj.
Hamad ibn Seleme e transmeton nga Ubejdullahu, - kujtoj se ka thënë: - nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ, në mënyrë të përmbledhur.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2730
Fjalë të panjohura?
15. Nënkapitulli: Kushtëzimet në luftë dhe në marrëveshje armëpushimi me armiqtë, si dhe shkrimi i kushteve
2731. Nga: Misver ibn Mahremi - Mervan ibn Hakemi
2731, 2732 - Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: “Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e këtij i ka rrëfyer Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Misver ibn Mahremi dhe Mervani (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), rrëfimet e të cilëve përkojnë me njëri-tjetrin, tregojnë: “Vitin e (Marrëveshjes së) Hudejbijes i Dërguari i Allahut ﷺ nisi një udhëtim dhe, kur kaluan një pjesë të rrugës, Pejgamberi ﷺ tha: “Halid ibn Velidi është në Gamim, në krye të një kalorësie nga pararoja e ushtrisë kurejshe, kështu që merrni rrugën djathtas.” Për Allahun, Halidi nuk e ndjeu ardhjen e muslimanëve vetëm pasi i mbërriti pluhuri i ngritur nga marshimi i ushtrisë së tyre. Kështu, ai u kthye me vrap t'i njoftojë kurejshët. Pejgamberi ﷺ marshoi derisa mbërriti në Thenije (rrugë malore), nëpërmjet së cilës shkohej te kurejshët. Deveja e Pejgamberit ﷺ u ul. Njerëzit e ngërmonin dhe përpiqeshin që ta ngrinin, por më kot, kështu që thanë: “Kasvaja (emri i devesë) u bë kokëfortë! Kasvaja u bë kokëfortë!”
Pejgamberi ﷺ tha: “Kasvaja nuk është bërë kokëfortë dhe ky nuk është zakoni i saj, por e ndali Ai që e ka ndalur elefantin.” Pastaj shtoi: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, në qoftë se ata (idhujtarët kurejshë) më kushtëzojnë ndonjë veprim, me të cilin realizohet madhërimi i shenjtërive të Allahut, atëherë do të pranoj një gjë të tillë.” Pas kësaj fjale Pejgamberi ﷺ e ngërmoi devenë dhe ajo u ngrit. Pejgamberi ﷺ ndryshoi rrugën derisa zbriti nga deveja në fund të Hudejbijes pranë një pusi me ujë të cekët, ujin e të cilit sahabët e shfrytëzuan duke kursyer goxha shumë, por shumë shpejt e harxhuan tërë ujin dhe iu ankuan të Dërguarit të Allahut ﷺ për etjen që i kishte marrë. Pejgamberi ﷺ mori një shigjetë nga çanta dhe i urdhëroi që ta fusnin në atë pus. Për Allahun, uji filloi të buronte dhe vazhdoi të shtohej, saqë të gjithë njerëzit e shuan etjen dhe nuk patën nevojë për të! Duke qenë në këtë gjendje, aty erdhi Budejl ibn Verka Huzaiu bashkë me disa njerëz të tjerë nga fisi i tij huzaë, - të cilët e këshillonin të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe nuk i mbanin asnjë të fshehtë atij. Këta ishin nga njerëzit e Tihames. - Budejli tha: “I kam lënë Kabin dhe Amër ibn Luejin të ulur tek uji i bollshëm i Hudejbijes së bashku me devetë e qumështit me të vegjlit e tyre. Ata do të të luftojnë dhe nuk do të lejojnë të vizitosh Qabenë.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ne nuk kemi ardhur të luftojmë ndokënd, por për të bërë umre. Nuk ka dyshim se lufta i ka dobësuar dhe i ka dëmtuar kurejshët. Prandaj, në qoftë se ata duan, unë do të nënshkruaj armëpushim mes nesh për një periudhë të caktuar, gjatë së cilës ata duhet të mos ndërhyjnë ndërmjet meje dhe popullit arab (fiseve të tjera jobesimtare). Nëse unë triumfoj (kundrejt fiseve të tjera), atëherë, nëse ata duan ta përqafojnë Islamin, sikurse fiset e tjera, le ta bëjnë, përndryshe, ata do të jenë të qetë në armëpushim. Por, në qoftë se ata nuk e pranojnë armëpushimin, për Allahun, në Dorën e të Cilit është jeta ime, unë do të luftoj me ta në mbrojtje të çështjes sime, derisa të vritem. Por (jam i bindur se) Allahu me siguri do ta nxjerrë Çështjen e Tij fitimtare.” Budejli tha: “Do t'u tregoj atyre këtë që the.” Kështu, ai u nis derisa arriti te kurejshët dhe u tha: “Ne vijmë nga ai njeri (Muhamedi ﷺ) dhe e dëgjuam të thoshte diçka, të cilën, po deshët, mund t'jua bëjmë të njohur edhe juve.” Mendjelehtët e tyre thanë: “Nuk kemi nevojë të na tregosh asgjë prej tij.” Kurse të mençurit nga mesi i tyre thanë: “Na tregoni çfarë dëgjuat prej tij.” Budejli u tregoi atë që i kishte thënë Pejgamberi ﷺ. Urve ibn Mesudi u ngrit dhe tha:
- O popull! A nuk jeni ju bijtë?!
- Po, - iu përgjigjën ata.
- A nuk jam unë babai? - pyeti ai.
- Po, - u përgjigjën.
- A dyshoni tek unë?
- Jo, - thanë ata.
- A nuk e dini se unë e ftova popullin e Ukadhit për t'ju ndihmuar juve dhe, kur ata nuk pranuan, unë solla të afërmit dhe fëmijët e mi dhe ata që m'u bindën (për t'ju ndihmuar)? - pyeti ai.
- Po, vërtet.
- Ja pra, ky njeri (Pejgamberi ﷺ) ju ka paraqitur një plan të arsyeshëm, prandaj pranojeni atë dhe më lejoni që unë të shkoj tek ai (të takohem), - u tha Urve ibn Mesudi.
Ata i thanë se mund ta takonte atë. Kështu, ai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe filloi t'i fliste, ndërsa Pejgamberi ia tha pothuajse të njëjtat fjalë që ia kishte thënë Budejlit. Pas kësaj Urve tha: “O Muhamed! A nuk ngurron të çrrënjosësh marrëdhëniet me popullin tënd? A ke dëgjuar ndonjëherë para teje ndonjë arab të shkatërrojë të afërmit e vet? Në anën tjetër, në qoftë se ndodh e kundërta (atëherë askush nuk do të të ndihmojë, se), për Allahun, unë nuk shoh me ty njerëz fisnikë, por njerëz nga fise të ndryshme, të cilët do t'ia mbathin duke të të lënë të vetëm.” Kur dëgjoi këtë, Ebu Bekri e fyeu rëndë dhe pastaj i tha: “Vallë, ne t'ia mbathim dhe ta braktisim (Pejgamberin ﷺ)?!” Urve pyeti: “Kush është ai?” I thanë se është Ebu Bekri. Urve i tha: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime! Po të mos ishte një mirësi që më ke bërë, e të cilën nuk ta kam kthyer, do të të kundërpërgjigjesha.” Pastaj Urve vazhdoi t'i fliste Pejgamberit ﷺ dhe t'ia prekte mjekrën, ndërsa Mugire ibn Shuëbe, me shpatë në dorë dhe me përkrenare në kokë, i rrinte pranë Pejgamberit ﷺ. Sa herë që Urve e zgjaste dorën për ta prekur mjekrën e Pejgamberit ﷺ, Mugire ia shtynte dorën me dorezën e shpatës dhe i thoshte: “Hiqe dorën nga mjekra e të Dërguarit të Allahut ﷺ!” Urve ngriti kokën dhe pyeti: “Kush është ky? I thanë se është Mugire ibn Shuëbe.” Urve tha: “O tradhtar! A nuk po bëj të pamundurën për të parandaluar pasojat e këqija të tradhtisë sate?” Vërtet, para se të përqafonte Islamin, Mugire ibn Shuëbe kishte qenë me disa njerëz, të cilët i kishte vrarë dhe ua kishte marrë pasurinë, pastaj kishte shkuar (në Medinë) dhe kishte përqafuar Islamin. (Pas kësaj) Pejgamberi ﷺ i kishte thënë: “Sa për Islamin tënd, unë e pranoj atë, por nuk marr asgjë nga pasuria jote.” Pastaj Urve filloi t'i vëzhgojë shokët e Pejgamberit ﷺ. Për Allahun, sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ pështynte, pështyma binte në dorën e ndonjërit prej shokëve të tij, i cili fërkonte me të fytyrën dhe trupin e tij. Në qoftë se ai i urdhëronte, ata menjëherë i zbatonin urdhrat e tij. Në qoftë se merrte abdes, ata nxitonin kush të merrte më parë ujin e mbetur dhe, kur i flisnin, e ulnin zërin dhe nuk e shikonin gjatë në fytyrë, nga respekti për të. Pastaj Urve u kthye te njerëzit e vet dhe u tha: “O njerëzit e mi! Për Allahun, unë kam qenë te mbretërit, kam qenë te cezari (perandori i Bizantit), te kisrai (perandori i Persisë) dhe te nexhashiu (perandori i Abisinisë), megjithatë kurrë nuk kam parë ndonjërin prej tyre të respektohet nga oborrtarët e tyre aq shumë sa e respektojnë shokët e vet Muhamedin. Për Allahun, kur ai pështynte, pështyma e tij binte në duart e ndonjërit prej shokëve të tij, i cili fërkonte me të fytyrën dhe trupin. Kur ai i urdhëronte, ata e zbatonin menjëherë urdhrin e tij. Kur ai merrte abdes, ata ziheshin kush të merrte i pari ujin e mbetur. Kur flisnin (para tij), e ulnin zërin dhe nuk e shikonin atë gjatë në fytyrë, nga respekti i madh për të! Pa dyshim, ai ju ka ofruar një zgjedhje të arsyeshme, kështu që, ju lutem ta pranoni atë!” Një burrë nga fisi benu kinane tha: “Më lejoni të shkoj tek ai”, gjë që ata e bënë. Kur ai iu afrua Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij, i Dërguari Allahut ﷺ tha: “Ai është filani, nga fisi që i respekton devetë e shënjuara për kurban. Sillni pra ato deve para tij!” Kështu, njerëzit i sollën devetë para tij dhe e pritën atë, ndërkohë e thoshin telbijen me zë të lartë. Kur ai vështroi këtë pamje, tha: “Lavdi i qoftë Allahut! Nuk është aspak e denjë t'i ndalosh këta njerëz nga vizita e Qabesë.” Kur u kthye te njerëzit e vet, u tha: “Pashë devetë e kurbanit të kurorëzuara dhe të shënjuara, andaj mendoj se nuk është e udhës t'i pengojmë të vizitojnë Qabenë.” Atëherë u ngrit një burrë tjetër i quajtur Mikrez ibn Hafsi dhe kërkoi që ta lejonin të shkonte edhe ai te Muhamedi ﷺ. Ata e lanë të shkojë. Kur ai iu afrua muslimanëve, Pejgamberi ﷺ tha: “Ky është Mikrezi, është njeri i lig.” Ai filloi t'i flasë Pejgamberit ﷺ, kur, ja, erdhi Suhejl ibn Amri. Mameri ka thënë: “Më ka rrëfyer Ejubi nga Ikrime se, me t'u paraqitur Suhejl ibn Amri, Pejgamberi ﷺ tha: “Tani çështja juaj u lehtësua.” Mameri ka thënë: “Zuhriu, në hadithin e tij, ka thënë: “Kur erdhi Suhejl ibn Amri, i tha Pejgamberit ﷺ: “Eja të shkruash një marrëveshje paqeje mes nesh.” Pejgamberi ﷺ thirri shkruesin dhe i tha: “Shkruaj: "Bismilahi Rrahmani Rrahim (Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit).” Suhejli e ndërpreu duke thënë: “Sa i përket “Errahman" (të Gjithëmëshirshmit), për Allahun, nuk di ç'do të thotë, por shkruaje: “Bismike Allahume (Me Emrin Tënd, o Allah)”, ashtu siç e ke pasë shkruar në të kaluarën.” Muslimanët thanë: “Për Allahun, ne do të shkruajmë vetëm “Bismilahi Rrahmani Rrahim!” Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ tha: “Shkruaje: “Bismike Allahume (Me Emrin Tënd, o Allah)!” Pastaj ai diktoi: “Kjo është marrëveshja e paqes që ka arritur Muhamedi, i Dërguari i Allahut...”, por Suhejli ndërhyri sërish: “Për Allahun, po ta dinim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të ndalonim që të vizitoje Qabenë dhe nuk do të të luftonim, prandaj shkruaje: "Muhamedi, i biri i Abdullahut.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Për Allahun, sigurisht që unë jam i Dërguari i Allahut, edhe në qoftë se ju njerëz më mohoni e nuk më besoni për të tillë. Megjithatë shkruaje: “Muhamedi, i biri i Abdullahut.” - Zuhriu ka thënë: “Ky deklarim i Pejgamberit ﷺ ishte si pasojë e fjalës së tij të mëhershme: “Në qoftë se ata (idhujtarët kurejshë) më kushtëzojnë ndonjë veprim, me të cilin realizohet madhërimi i shenjtërive të Allahut, atëherë do të pranoj një gjë të tillë.” - Pastaj Pejgamberi iu drejtua Suhejlit: “Me kusht që të na lejoni të vizitojmë Qabenë dhe të bëjmë tavaf rreth saj.” Suhejli tha: “Për Allahun, ne nuk do t'ju lejojmë (këtë vit), me qëllim që të mos u japim shkas arabëve të thonë se kemi qenë nën presionin tuaj, por do t'ju lejojmë vitin tjetër”, - dhe kështu u shkrua. Pastaj Suhejli shtoi: “Po ashtu, ne kushtëzojmë që ju të na ktheni këdo tonin që vjen te ju, edhe nëse është në fenë tënde.” Muslimanët thanë: “Subhanallah! Si t'u kthehet një njeri i tillë idhujtarëve pasi të jetë bërë musliman?!” Ndërkohë që të gjithë ata ishin në këtë gjendje, Ebu Xhendeli, i biri i Suhejl ibn Amrit, duke ecur me vështirësi me pranga në këmbë, erdhi nga lugina e Mekës, derisa ra ndërmjet muslimanëve. Suhejli tha: “O Muhamed, ky është kushti i parë me të cilin ne bëmë paqe me ty: që atë të ma kthesh mua.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ende nuk e kemi lidhur marrëveshjen.” Suhejli tha: “Për Allahun, atëherë nuk do të lidh kurrfarë marrëveshje paqeje me ty!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Atëherë, ma lër vetëm atë.” Ai tha: “Jo, nuk ta lë!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Pa bëje këtë!” Ai tha: “Jo, nuk e bëj.” Mikrezi (ndërhyri dhe) tha: “Përkundrazi, po ta lëmë ty (o Muhamed ﷺ).” Ebu Xhendeli tha: “O ju muslimanë! A të kthehem përsëri tek idhujtarët, edhe pse tashmë kam ardhur si musliman? A nuk e shihni sa shumë kam vuajtur?!” Ebu Xhendeli ishte ndëshkuar ashpër për shkak të besimit të tij në Allahun. Omeri tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thashë: “A nuk je ti me të vërtetë i Dërguari i Allahut?!” Ai tha: “Po, pa dyshim që jam!” I thashë: “A nuk jemi ne në të vërtetën dhe armiku në të kotën?!” Ai tha: “Po, pa dyshim!” I thashë: “Atëherë, pra, pse duhet të jemi të përulur në fenë tonë?!” Ai tha: “Unë vërtet që jam i Dërguari i Allahut, dhe nuk tregohem i pabindur ndaj Tij, prandaj Ai do të më bëjë triumfues!” I thashë: “A nuk na the se do të shkojmë në Qabe dhe se do të bëjmë tavaf rreth saj?!” Ai tha: “Po, ama mos të kam thënë se atje do të shkojmë këtë vit?” I thashë që jo. Ai më tha: “E po, do ta vizitosh Qabenë dhe do të bësh tavaf rreth saj!” Pastaj shkova tek Ebu Bekri dhe i thashë: “A nuk është ai me të vërtetë i Dërguari i Allahut?!” Ai tha: “Po, pa dyshim që është.” I thashë: “A nuk jemi ne në të vërtetën, kurse armiku ynë në të kotën?!” Ai tha: “Po, pa dyshim.” I thashë: “Atëherë, pra, pse duhet të jemi të përulur në fenë tonë?!” Ai tha: “Or burrë! Ai sigurisht që është i Dërguari i Allahut, por nuk është i pabindur ndaj Zotit, i Cili do ta bëjë triumfues! Ndiqe atë me vendosmëri, se, për Allahun, ai është në të vërtetën!” I thashë: “A nuk na tha se do të shkojmë në Qabe dhe se do të bëjmë tavaf rreth saj?” Ai tha: “Po, ama mos të ka thënë se atje do të shkojmë këtë vit?” I thashë që jo. Ai tha: “E po, me siguri do ta vizitosh Qabenë dhe do të bësh tavaf rreth saj.” Zuhriu ka thënë: “Omeri ka thënë: “Më pas pata bërë shumë vepra të mira për të shlyer këtë (gabim) që kisha bërë.”
Rrëfimi i ngjarjes vazhdon nga treguesit e parë: “Kur përfundoi shkrimi i marrëveshjes së paqes, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha shokëve të tij: “Ngrihuni e therni kurbanet dhe rruani kokat tuaja.” Për Allahun, asnjë prej tyre nuk u ngrit, edhe pse ai u tha tri herë! Atëherë, ai i la dhe shkoi tek Umu Seleme e i tregoi për sjelljen e njerëzve ndaj tij. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut! A do që të zbatohet urdhri yt? Dil dhe mos i thuaj askujt asnjë fjalë derisa të therësh kurbanin tënd! Pastaj thirre berberin të të rruajë kokën!” Kështu, Pejgamberi ﷺ doli dhe asnjërit prej tyre nuk i tha asnjë fjalë, derisa i kreu të dy veprimet: theri kurbanin e pastaj thirri berberin e vet, i cili ia rrojti kokën. Sapo panë një gjë të tillë, shokët e Pejgamberit ﷺ u ngritën, therën kurbanet e tyre dhe filluan t'ia rruajnë kokat njëri-tjetrit. Nga hidhërimi, veç sa nuk dëmtuan njëri-tjetrin. Më pas disa gra besimtare shkuan te Pejgamberi ﷺ (për të shpallur Islamin e tyre). Nga kjo, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “O besimtarë, kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin tek) ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ta e as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për to. Kthejuani jobesimtarëve mehrin, që u kishin dhënë atyre. Nuk ka pengesë që t'i merrni ato për bashkëshorte, pasi t'u jepni mehrin. Mos qëndroni në martesë me idhujtare. Kërkoni atë që keni dhënë (si mehër), por edhe jobesimtarët le të kërkojnë atë që kanë dhënë (si mehër). Ky është ligji i Allahut, Ai gjykon mes jush; Allahu di çdo gjë dhe është i Gjithëdijshëm e i Urtë.” (Mumtehine, 10) Atëherë Omeri i shkurorëzoi dy gra të tij që ishin idhujtare. Më vonë me njërën prej tyre u martua Muavi ibn Ebu Sufjani, ndërsa me tjetrën u martua Safvan ibn Umeje. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye në Medinë, tek ai shkoi Ebu Besiri, - një burrë kurejsh, - i cili ishte bërë musliman. Idhujtarët dërguan në ndjekje të tij dy burra, të cilët i thanë Pejgamberit ﷺ: “Përmbaju premtimit që na ke dhënë.” Kështu, Pejgamberi ﷺ ua dorëzoi atyre. Ata e morën Ebu Besirin derisa arritën në Dhul Hulejfe, ku zbritën nga kafshët për të ngrënë pak hurma që kishin me vete. Ebu Besiri i tha njërit prej tyre: “Për Allahun, o filan, shoh që paske një shpatë të mrekullueshme! Ai e nxori shpatën (nga këllëfi) dhe tha: “Për Allahun, vërtet është shumë e mirë dhe e kam provuar shumë herë!” Ebu Besiri i tha: “Ma lër ta shoh.” Kur ai ia dha shpatën, Ebu Besiri e goditi me të dhe e la të vdekur, ndërsa shoku i tij iku me vrap, derisa arriti në Medinë dhe hyri me vrap në xhami. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e pa atë, tha: “Ky njeri duket shumë i frikësuar.” Kur ai u afrua te Pejgamberi ﷺ, tha: “Shoku im u vra. Edhe unë do të isha vrarë.” Më pas shkoi Ebu Besiri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, për Allahun, Ai të bëri ty që t'i përmbushësh detyrimet duke më kthyer tek ata (jobesimtarët), por Allahu më shpëtoi prej tyre.” Pejgamberi ﷺ tha: “Mjerë nëna e tij! Çfarë luftëndezësi i shkëlqyer do të ishte, sikur të kishte mbështetës!” Kur Ebu Besiri dëgjoi këto fjalë, e kuptoi se Pejgamberi ﷺ do ta kthente përsëri në duart e idhujtarëve, kështu që iku, derisa arriti në breg të detit. Edhe Ebu Xhendeli u iku idhujtarëve (mekas) dhe shkoi e u bashkua me Ebu Besirin. Kështu, më tej, sa herë që ndonjë nga kurejshët përqafonte Islamin, i bashkëngjitej Ebu Besirit, derisa u bënë një grup i fortë. Për Allahun, sa herë që dëgjonin për ndonjë karvan kurejshish që drejtohej për në Sham, ata e sulmonin karvanin, i vrisnin të pafetë dhe ua merrnin pasurinë! Për këtë arsye kurejshët i dërguan mesazh Pejgamberit ﷺ duke i kërkuar që, për hir të Allahut dhe të farefisit, të çonte (lajmës tek Ebu Besiri dhe shokët e tij) e t'u premtonte se, cilido prej tyre që do të kthehej te Pejgamberi ﷺ, do të ishte i mbrojtur. Kështu, Pejgamberi ﷺ u dërgoi atyre (njoftim për këtë), ndërsa Allahu i Madhëruar shpalli ajetet: “Është Ai që i ka penguar duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre brenda në Mekë, pasi jua dha fitoren mbi ta. Allahu i sheh të gjitha çfarë bëni ju. Jobesimtarët ju penguan t'i afroheni Xhamisë së Shenjtë dhe (penguan) kafshët për kurban, që të arrinin në vend. Po të mos kishte qenë për disa besimtarë e besimtare (në Mekë) që ju nuk i dinit, të cilët mund t'i sulmonit pa e ditur, e kështu të turpëroheshit (Allahu do t'ju kishte urdhëruar t'i luftonit idhujtarët mekas). (Këtë e bëri) që Allahu të marrë në mëshirën e Vet kë të dojë. Sikur besimtarët të ishin të veçuar, Ne do t'i ndëshkonim jobesimtarët (mekas) me dënim të dhembshëm. Dhe, kur në zemrat e mohuesve u shfaq zelltaria pagane, Allahu zbriti qetësinë e Tij në zemrën e të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve e i bëri ata të mbështeten fort në fjalën e devotshmërisë (ndaj Allahut). Ata ishin më parësorë e më të denjë për të (Qabenë). Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Fet'h, 24-26) Zelltaria e tyre pagane nënkupton faktin se ata nuk dëshmuan (dhe nuk shkruan në aktin e marrëveshjes) se ai (Muhamedi ﷺ) ishte i Dërguari i Allahut, nuk pranuan të shkruhej: “Bismilahi Rrahmani Rrahim (Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit)" dhe i ndaluan muslimanët të vizitonin Qabenë.”
2732. Nga: Misver ibn Mahremi - Mervan ibn Hakemi
2731, 2732
2733. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ukajli transmeton nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i provonte (besimtaret që bënin hixhret). Kur Allahu e zbriti urdhrin që t'ua kthenin idhujtarëve mehrin e grave të tyre, që kishin bërë hixhret, dhe ua ndaloi muslimanëve të qëndrojnë në martesë me idhujtaret, Omeri i shkurorëzoi dy gra të tij: Karibe bint Ebu Umejën dhe të bijën e Xhervel Huzaiut. Me Kariben u martua Muavi ibn Ebu Sufjani, ndërsa me tjetrën Ebu Xhehmi. Por, kur idhujtarët refuzuan t'ua kthejnë muslimanëve mehrin e grave të tyre (idhujtare), Allahu e zbriti ajetin: “Nëse ndonjëra prej grave tuaja kthehet te jobesimtarët e më pas ju fitoni plaçkë lufte prej tyre...” (Mumtehine, 11) Pra, fjala është për ata të cilëve gratë u kishin shkuar tek idhujtarët (të cilët nuk ua kishin kthyer mehrin) dhe Allahu kishte urdhëruar që të tillëve t'u jepet nga preja e luftës aq sa kishin shpenzuar duke u dhënë mehër grave të shpërngulura. Nuk dimë të ketë dezertuar (nga Islami) ndonjë prej grave të mërguara pasi e kishte përqafuar Islamin.
Ebu Besir ibn Esid Thekafiu vajti te Pejgamberi ﷺ si besimtar muhaxhir gjatë kohës së armëpushimit, por Ahnes ibn Shurejku i kishte shkruar letër Pejgamberit ﷺ duke ia kërkuar Ebu Besirin. Në vijim përmendi hadithin (të plotë).
16. Nënkapitulli: Kushtëzimet në huamarrje
Ibn Omeri dhe Atai kanë thënë: Lejohet përcaktimi i afatit në huamarrje.
2734. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ tregoi për një burrë, i cili i kishte kërkuar një tjetri nga benu israilët t'i huazojë një mijë dinarë. Ai ia dha ato (që t'ia kthente) për një afat të caktuar.
17. Nënkapitulli: Robi i liruar me kusht që të paguajë një sasi të caktuar parash dhe kushtëzimet e ndaluara, të cilat bien ndesh me Librin e Allahut
Xhabir ibn Abdullahu, në lidhje me robin e liruar me pagesë, ka thënë: "Ata i vendosin kushtet mes vete." Ibn Omeri ose Omeri ka thënë: "Çdo kushtëzim që bie ndesh me Librin e Allahut është i pavlefshëm, edhe në qofshin njëqind kushte."
2735. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Jahjai, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira shkoi tek ajo për t'i kërkuar ndihmë në pagesën e lirimit nga robëria. Aishja i tha: “Nëse do, mund t'ua paguaj pronarëve të tu, me kusht që merita e çrobërimit të më takojë mua. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u kthye, ajo ia përmendi ngjarjen, e në atë rast ai i tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ hipi në minber dhe tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që kushtëzojnë gjëra që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diçka që nuk përkon me Librin e Allahut, nuk i pranohet, edhe në qofshin njëqind kushte.”
18. Nënkapitulli: Kushtëzimi dhe përjashtimi i lejuar në deklarim, kushtet e njohura tradicionalisht mes njerëzve, si dhe nëse njeriu thotë: "Njëqind pa një, ose: Njëqind pa dy."
Ibn Avni transmeton nga Ibn Sirini se i ka thënë qiramarrësit: "Silli devetë e tua, e, nëse unë nuk të bashkëngjitem në filan ditë, i ke njëqind dërhemë prej meje. Por, Ibn Sirini nuk doli." Shurejhu ka thënë: "Kur dikush i kushtëzon vetes diçka, vullnetarisht, pa ndonjë presion (nga dikush tjetër), obligohet (ta përmbushë kushtin)." Ejubi transmeton nga Ibn Sirini se ka thënë: "Një person shiti ca produkte ushqimore dhe tha: "Nëse nuk arrij ditën e mërkurë, nuk ka tregti mes nesh." Por, ai nuk erdhi. Shurejhu i ka thënë blerësit: "Ti nuk e ke përmbushur kushtin, andaj gjykoj pezullim të tregtisë."
2736. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Ai që i mëson ata, do të hyjë në Xhenet.”
19. Nënkapitulli: Kushtëzimet në vakëfe
2737. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e këtë e ka lajmëruar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi kishte fituar një tokë në Hajber. Kështu, vajti te Pejgamberi ﷺ ta pyesë se çfarë të bëjë me të, duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Kam fituar një tokë në Hajber. Asnjëherë nuk kam poseduar ndonjë pasuri më të çmuar se kjo, andaj çfarë po më urdhëron të bëj me të.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse do, tokën lëre vakëf, ndërsa produktet e saj i jep sadaka.”
Omeri veproi kështu: tokën e la vakëf, e cila as shitej, as dhurohej e as trashëgohej, ndërsa produktet e saj i jepte sadaka për fukarenjtë, të afërmit, lirimin e robërve, në rrugën e Allahut dhe për ndihmesë të udhëtarit dhe mysafirit. Nuk është mëkat për atë që e merr vakëfin nën përkujdesje ta shfrytëzojë për vete me mirësi dhe me të t'i ushqejë nevojtarët.
Ka thënë: “Këtë hadith ia kam treguar Ibn Sirinit e ai më ka thënë: “(Ta ushqejë) atë që s'ka ndonjë pasuri të deponuar.”