57. Obligueshmëria e dhënies së një të pestës nga plaçka e luftës
1. Nënkapitulli: Obligueshmëria e dhënies së një të pestës nga plaçka e luftës
3091. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam pasur një deve, të cilën, ditën e Bedrit, e pata marrë nga pjesa ime e plaçkës së luftës. Po ashtu, Pejgamberi ﷺ më pati dhënë një deve tjetër nga një e pesta e plaçkës së luftës. Kur desha të hyj dhëndër me Fatimen, të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, porosita një argjendar nga fisi beni kajnuka të vijë me mua për të gjetur një idhhir, të cilin doja t'ua shisja argjendarëve, ndërkohë me fitimin e saj të përgatitem për dasmë. Ndërkohë që po tuboja ca gjëra për devetë: shala, thasë dhe litarë, i lashë devetë të pushojnë në afërsi të shtëpisë së një ensariu. Kur i tubova gjërat e nevojshme, u ktheva, dhe e pashë devetë me gunga të këputura, barqe të shqyera dhe pa mushkëri. Kur pashë këtë pamje, nuk arrita t'i mbaj lotët dhe thashë: “Kush e ka bërë këtë?” Më thanë: “Hamza ibn Abdulmutalibi, i cili ndodhet në këtë shtëpi duke pirë me disa ensarë.” Unë ia beha drejt Pejgamberit ﷺ dhe hyra në shtëpinë e tij, ku e gjeta edhe Zejd ibn Harithen. Kur Pejgamberi ﷺ më pa, kuptoi se më kishte goditur diçka, andaj më tha: “Çfarë ke?” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, asnjëherë nuk më kanë zënë sytë sikurse sot. Hamzai m'i ka sulmuar devetë, ua ka këputur gungat dhe ua ka shqyer barqet, ndërsa tani është në një shtëpi duke pirë me disa të tjerë.” Pejgamberi ﷺ kërkoi ridanë e vet, e veshi dhe u nis, ndërsa unë dhe Zejd ibn Harithe e ndoqëm prapa. Vazhdoi të ecte derisa arriti në shtëpinë ku ndodhej Hamzai. Aty kërkoi leje dhe hyri, ku i gjeti disa persona të dehur. Atëherë, filloi ta qortojë Hamzain për atë që kishte bërë. Hamzai, të cilit i ishin skuqur sytë nga dehja, shikoi nga i Dërguari i Allahut ﷺ, pastaj e ngriti shikimin deri në gjunjë, më pas deri në kërthizë, pastaj e shikoi në fytyrë dhe tha: “Vallë, mos jeni gjë tjetër përveçse robër të babait tim?” Atëherë Pejgamberi ﷺ kuptoi se ai ishte i dehur, kështu që u tërhoq mbrapa dhe u largua. Ne dolëm bashkë me të.”
3092. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, tregon se, pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i kërkoi Ebu Bekër Sidikut t'ia ndajë atë që i takonte prej trashëgimisë së të Dërguarit të Allahut ﷺ, të cilën Allahu ia kishte dhënë nën pronësi.
3093. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke vazhduar hadithin paraprak, tregon se Ebu Bekri i tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka.” Fatimja, e bija e Pejgamberit ﷺ, u hidhërua dhe e bojkotoi Ebu Bekrin. Kështu vazhdoi derisa vdiq. Ajo jetoi gjashtë muaj pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Fatimja ia kërkonte Ebu Bekrit pjesën e vet nga pasuria që i Dërguari i Allahut ﷺ kishte lënë në Hajber, Fedek dhe vendin e tij në Medinë të lënë sadaka. Por, Ebu Bekri refuzoi dhe i tha: “Nuk do të lë pa e vepruar asnjë vepër, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e vepronte, sepse kam frikë se, nëse lë diçka nga veprat e tij, do të devijoj.
Sa i përket vendit të tij në Medinë, të lënë sadaka, Omeri ia dha Aliut dhe Abasit, ndërsa atë në Hajber e Fedek e ndali për vete dhe tha: “Këto të dyja janë sadaka e të Dërguarit të Allahut ﷺ, të cilat shfrytëzoheshin për nevojat e tij (si prijës) dhe domosdoshmëritë që i paraqiteshin, andaj ato i mbesin atij që e trashëgon hilafetin.”
Urve ibn Zubejri thotë: “Ato dy troje ende vazhdojnë të jenë në atë gjendje.”
3094. Nga: Omer ibn Hatabi
Is'hak ibn Muhamed Ferviu na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi nga Ibn Shihabi se Malik ibn Evs ibn Hadethani tregon: “Muhamed ibn Xhubejri më përmendi një pjesë të hadithit të Malik ibn Evsit, andaj shkova tek ai dhe e pyeta rreth hadithit në fjalë. Ai më tha: “Një ditë, teksa po qëndroja me familjen time, në mesditë erdhi lajmëtari i Omer ibn Hatabit dhe më tha: “Përgjigjju prijësit të besimtarëve.” Kështu, unë u nisa së bashku me të dhe shkova tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e gjeta të ulur në një shtrat hasre pa kurrfarë shtroje, të mbështetur në një jastëk prej lëkurës së regjur. E përshëndeta me selam dhe u ula. Ai më tha: “O Malik, disa familje nga fisi yt kanë ardhur këtu, ndërsa unë dhashë urdhër t'u dhurohet një sasi e vogël e të mirave materiale, andaj merri dhe shpërndajua atyre.” Unë iu përgjigja: “O prijës i besimtarëve, sikur t'ia jepje dikujt tjetër këtë detyrë.” Ai më tha: “Merri, or burrë!”
Teksa po qëndroja aty, erdhi roja Jerfa dhe tha: “Othmani, Abdurrahman ibn Aufi, Zubejri dhe Sad ibn Ebu Vekasi po kërkojnë leje. T'i lë të hyjnë?” Omeri tha: “Po.” Kështu, ata hynë, dhanë selam dhe u ulën. Jerfai u ul pak, pastaj tha: “(Erdhën) Aliu dhe Abasi. T'i lë të hyjnë?”
- Po, - tha Omeri.
Ata hynë, dhanë selam dhe u ulën. Abasi tha: “O prijës i besimtarëve, gjyko mes meje dhe këtij, - sepse kishin rënë në mospajtim rreth plaçkës së fisit benu nadir, të cilën Allahu ia kishte dhënë Pejgamberit ﷺ nën pronësi. - Ata që ishin të pranishëm, Othmani me shokët e tij, thanë: “O prijës i besimtarëve, gjyko mes tyre dhe rehatoji.” Omeri u tha: “Qetësohuni pak! Po ju bëj be në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se Pejgamberi ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka”, e ka pasur për qëllim veten e tij?!” Grupi që ishin të pranishëm thanë: “Po, ashtu ka thënë.” Atëherë Omeri iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini edhe ju se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë këtë gjë?”
Pastaj vazhdoi: “Unë do t'ju tregoj për këtë çështje: “Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Vet ﷺ me një pjesë të kësaj plaçke, të cilën nuk ia ka dhënë askujt përveç tij, - pastaj lexoi ajetin: “Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) prej tyre, është prej mirësisë së Tij. Ju nuk hipët mbi kuaj e as mbi deve për ta fituar atë, por Allahu u jep pushtet të dërguarve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Por, betohem në Allahun se ai asnjëherë nuk e ka kursyer nga ju e as e ka mbajtur vetëm për vete. Ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën Pejgamberi ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, pastaj, pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. Pejgamberi ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini ju këtë?” Ata thanë: “Po.” Pastaj iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a nuk e dini ju këtë?”
Omeri vazhdoi: “Pastaj, Allahu ia mori shpirtin të Dërguarit të Vet ﷺ, ndërsa Ebu Bekri tha: “Unë jam pasardhësi i Pejgamberit ﷺ.” E mori atë pasuri dhe punoi me të siç kishte punuar Pejgamberi ﷺ. Allahu e di mirë se ai ka qenë i sinqertë, bamirës e i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, ndërsa unë u bëra pasues i Ebu Bekrit, andaj e mora atë pasuri për dy vjet të hilafetit tim dhe punova me të siç ka punuar Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri. Allahu e di se unë jam i sinqertë, bamirës dhe i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj, më erdhët ju të dy të bisedoni me mua, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Ti, o Abas, erdhe të kërkosh pjesën tënde që të takon nga biri i vëllait tënd. Ndërsa ky, - aludonte në Aliun, - erdhi të kërkojë pjesën e bashkëshortes së vet që i takon nga babai i saj. Unë ju thashë: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka.” Kur m'u mbush mendja që t'jua jap juve, thashë: “Nëse dëshironi, po jua jap juve, por me kusht që të më premtoni në Allahun se do të punoni me të si ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ e Ebu Bekri dhe si kam punuar unë që kur jam bërë halife.” Ju thatë: “Po, na jep neve.” Rrjedhimisht, jua dhashë. Po ju bëj be në Allahun, a ua kam dhënë këtyre me këtë kusht?
- Po, - thanë grupi.
Pastaj iu drejtua Aliut dhe Abasit: “Po ju bëj be në Allahun, a jua kam dhënë me këtë kusht?”
- Po, - thanë ata.
Omeri u tha: “E si pra, po kërkoni gjykim tjetër prej meje? Betohem në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe. Nëse nuk arrini t'i bëni ballë kushtit (që keni pranuar), ma ktheni mua dhe unë e kryej këtë punë.”
2. Nënkapitulli: Dhënia e një të pestës së plaçkës së luftës është pjesë e fesë
3095. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ebu Hamza Dubaiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Delegacioni i fisit abdulkajs erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne jemi nga fisi rebia. Mes nesh dhe jush ndodhet vendbanimi i jobesimtarëve të mudarit, andaj nuk po mund të vijmë, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që ta praktikojmë dhe t'i ftojmë në të ata që i kemi lënë mbrapa. Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. Besimin në Allahun, dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, - dhe i numëroi me gishta, -
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit,
4. Agjërimin e Ramazanit dhe
5. Dhënien e një të pestës nga plaçka e luftës.
Jua ndaloj: enën prej kungulli, varelën, shtambën dhe vorbën e katranosur (për fermentimin e mushtit).”
3. Nënkapitulli: Shpenzimet për gratë e Pejgamberit ﷺ pas vdekjes së tij
3096. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasardhësit e mi nuk trashëgojnë as dinarë, as dërhemë. Tërë ajo që lë mbrapa, përveç pasurisë së lënë për t'i mbuluar shpenzimet e grave të mia dhe të kujdestarëve të vakëfeve të mia, mbetet sadaka.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3096
Fjalë të panjohura?
3097. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ, në shtëpinë time nuk kishte fare ushqim për të ngrënë, përveç pak elb, që e mbaja në një raft. E shfrytëzova për një kohë të gjatë dhe, një ditë, vendosa ta mat. Por, pasi e mata, u harxhua shpejt.”
3098. Nga: Amër ibn Harithi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Amër ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nuk ka lënë mbrapa asgjë, përveç armës së tij, mushkës së bardhë dhe një trualli, të cilin e kishte lënë vakëf.”
4. Nënkapitulli: Transmetimet rreth shtëpive të grave të Pejgamberit ﷺ dhe cilat shtëpi iu atribuuan atyre
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja...” (Ahzab, 33) Ai po ashtu ka thënë: “... mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje...” (Ahzab, 53)
3099. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Hiban ibn Musai dhe Muhamedi na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri dhe Junusi, e këta dy nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Kur të Dërguarin e Allahut ﷺ e rëndoi sëmundja (e vdekjes), kërkoi leje prej grave të veta që të mjekohej në shtëpinë time, e ato e lejuan.”
3100. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Nafiu, e ky e ka dëgjuar ibn Ebu Mulejken se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ vdiq në shtëpinë time, në ditën time, mes gjoksit dhe prehrit tim. Allahu e bashkoi pështymën time me të tijën. Abdurrahmani hyri me misvak, ndërsa Pejgamberi ﷺ nuk kishte fuqi ta përdorte, unë e mora, e përtypa pak dhe ia vendosa në gojë me dorën time.”
3101. Nga: Safije bint Hujeji
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Halidi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni se Safija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se shkoi ta vizitojë të Dërguarin e Allahut ﷺ teksa ishte në itikaf në xhami, - gjatë dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. - Kur u ngrit të shkojë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit me të dhe e përcolli. Me të arritur te dera e xhamisë, pranë derës së Umu Selemes, gruas së të Dërguarit të Allahut ﷺ, kaluan dy burra ensarë, të cilët e përshëndetën të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe vazhduan rrugën. Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos u ngutni!” Ata i thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” - duke u ardhur rëndë. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po ju fut mendime të këqija në zemra.”
3102. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani, e ky nga Vasi ibn Habani se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Hipa mbi shtëpinë e Hafsës, prej nga e pashë Pejgamberin ﷺ duke e kryer nevojën me shpinë të kthyer nga kibla e i drejtuar nga Shami.”
3103. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e falte namazin e ikindisë, rrezet e diellit ende depërtonin në dhomën e saj.
3104. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u ngrit të ligjëronte dhe bëri me dorë nga shtëpia e Aishes (drejt viseve lindore) duke thënë: “Atje është fitneja, - tri herë, - prej nga paraqitet briri i shejtanit.”
3105. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka rrëfyer se, një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në shtëpinë e saj, ajo dëgjoi zërin e një burri duke kërkuar leje të hyjë në shtëpinë e Hafsës dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, një burrë po kërkon leje të hyjë në shtëpinë tënde.”
- “Më duket se është filani”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ, - duke aluduar në axhën e Hafsës nga qumështi. - “Lidhjet nëpërmjet gjidhënies i ndalojnë gjërat sikurse lidhjet e gjakut.”
5. Nënkapitulli: Transmetimet rreth parzmores së Pejgamberit ﷺ, bastunit, shpatës, tasit dhe unazës së tij
Si dhe gjërat e tjera që Pejgamberi ﷺ i ka lënë mbrapa dhe nuk janë ndarë mes njerëzve, i kanë përdorur halifet pas tij, përfshirë qimet, sandalet dhe enët e Pejgamberit ﷺ, të cilat sahabët i kanë përdorur për të kërkuar bereqet pas vdekjes së tij.
3106. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullah Ensariu na ka thënë: Më ka treguar babai im, e ky nga Thumame se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Ebu Bekri e mori përsipër hilafetin, e dërgoi atë në Bahrejn dhe i shkroi një letër, të cilën e kishte vulosur me vulën e Pejgamberit ﷺ, ku ishin të gdhendur tre rreshta: Muhamed, një rresht; Resul (i Dërguari), një rresht; Allah, një rresht.
3107. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Esediu se Isa ibn Tahmani tregon: “Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na tregoi një palë opinga të vjetra me lidhëse. Më pas, Thabit Bunaniu më ka transmetuar prej Enesit se ato kanë qenë opingat e Pejgamberit ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3107
Fjalë të panjohura?
3108. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Humejd ibn Hilali se Ebu Burde tregon: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na tregoi një rrobë të arnuar dhe tha: “Në këtë rrobë, Pejgamberit ﷺ iu mor shpirti.”
Sulejmani shton, duke transmetuar nga Humejdi, e ky nga Ebu Burde se ka thënë: “Aishja na tregoi një izar të trashë, që prodhohet në Jemen, dhe një rrobë tjetër të arnuar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3108
Fjalë të panjohura?
3109. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdani na ka treguar nga Ebu Hamzai, e ky nga Asimi, e ky nga Ibn Sirini se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u thye tasi i Pejgamberit ﷺ. Kështu, vendin e çarë e riparuan me copëza argjendi.
Asimi tregon: “Vetë e kam parë tasin dhe kam pirë prej tij.”
3110. Nga: Misver ibn Mahremi
Seid ibn Muhamed Xhermiu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e këtij i ka treguar Velid ibn Kethiri, e ky nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale Dueliu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Ali ibn Husejni tregon: “Kur u kthyem në Medinë, pasi që Jezid ibn Muaviu kishte vrarë Husejn ibn Aliun, - Allahu e mëshiroftë, - e takova Misver ibn Mahremin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “Ke ndonjë punë që mund të ta kryej?” I thashë: “Jo.” Ai më tha: “A mund të ma japësh shpatën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse frikohem se njerëzit do të ta grabisin. Betohem në Allahun se, nëse ma jep mua, kurrë askush nuk do t'i afrohet, pa më vrarë mua. Ali ibn Ebu Talibi e kishte kërkuar dorën e bijës së Ebu Xhehlit, ndërkohë ishte i martuar me Fatimen. Në lidhje me këtë, e pata dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ligjërojë ndër njerëz, nga minberi i tij, - ndërkaq, atëkohë unë sapo kisha hyrë në pubertet, - ku pati thënë: “Fatimja është pjesë imja, ndërsa unë kam frikë se mos sprovohet në fenë e saj.” Pastaj përmendi një dhëndër tjetër të vetin, nga fisi benu abdushems, të cilin e lavdëroi në raportet e tyre miqësore, dhe tha: “Kur më ka folur, është treguar i sinqertë dhe, kur më ka premtuar, e ka realizuar. Unë nuk bëj haram një gjë hallall e nuk bëj hallall një gjë haram, por, betohem në Allahun se, kurrsesi, nuk bashkohet bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ me bijën e armikut të Allahut.”
3111. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Suka, e ky nga Mundhiri se Ibn Hanefije tregon: “Po qe se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) do të donte të thoshte diçka të keqe për Othmanin, këtë do ta bënte ditën kur disa njerëz erdhën të ankohen për punëtorët e Othmanit, të cilët e mblidhnin zekatin. Aliu më pati thënë: “Shko tek Othmani dhe tregoji se kjo letër është porosia e të Dërguarit të Allahut ﷺ përkitazi me zekatin, andaj urdhëroji punëtorët e tu të punojnë sipas saj.” Othmani pati thënë: “Na kurse prej saj (sepse këto gjëra i dimë).” Unë u ktheva tek Aliu dhe i tregova, e në atë rast ai më tha: “Lëre (letrën) aty ku e ke marrë.”
3112. Nga: Othman ibn Afani
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Suka, e ky e ka dëgjuar Mundhir Thevriun se Ibn Hanefije tregon: “Babai më dërgoi dhe më tha: “Merre këtë letër dhe dërgoja Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sepse ajo përmban urdhrat e Pejgamberit ﷺ në lidhje me zekatin.”
6. Nënkapitulli: Argumenti se një e pesta e plaçkës së luftës i dedikohet nevojave të Pejgamberit ﷺ (si prijës) dhe të varfërve
Pejgamberi ﷺ i pati dhënë përparësi banorëve të sufës dhe grave të veja kur Fatimja iu ankua për lodhjen nga bluarja e drithit dhe pati kërkuar një robëreshë për t’i shërbyer, por, Pejgamberi ﷺ e orientoi nga mbështetja në Allahun.
3113. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Bedel ibn Muhaberi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Hakemi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Lejlën se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja u ankua për lodhjen nga bluarja e drithit dhe mori vesh se të Dërguarit të Allahut ﷺ i kishin sjellë ca robër. Kështu, ajo shkoi t'i kërkojë Pejgamberit ﷺ një shërbëtor, por nuk e takoi, prandaj ia përmendi Aishes. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, Aishja i tregoi. Prandaj, Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, ndërkohë ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të ngrihemi, por ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua, saqë freskinë e këmbëve ia ndieja në gjoksin tim, dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tekbir tridhjetë e katër herë, falënderoni (thoni elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tesbih (thoni subhanallah) tridhjetë e tri herë. Kjo është më e mirë se ajo që më keni kërkuar.”
7. Nënkapitulli: Ajeti: “... një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit...” Pra, të Dërguarit i përket shpërndarja e saj
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam vetëm shpërndarës dhe deponues, ndërsa Allahu është Ai që dhuron.”
3114. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejmani, Mensuri dhe Katadja, e këta e kanë dëgjuar Salim ibn Ebu Xhadin se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një burri ensar i lindi një djalë, të cilin dëshironte ta emërtonte Muhamed. - Shuëbe ka thënë se në transmetimin e Mensurit, - Ensariu tregon: “E mora në krahë dhe shkova te Pejgamberi ﷺ. Po ashtu, në transmetimin e Sulejmanit thuhet: “I lindi një djalë, të cilin deshi ta emërtonte Muhamed.” Pejgamberi ﷺ tha: “Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time. Kjo, se unë jam shpërndarës (Kasim); shpërndaj pasuritë mes jush.”
Husajni ka thënë: “(Pejgamberi ﷺ ka thënë:) “Jam dërguar shpërndarës, që të shpërndaj pasuritë mes jush.”
Amri ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe nga Katadja, e ky e ka dëgjuar Salimin nga Xhabiri se ka thënë: “Dikush deshi ta emërtojë fëmijën me emrin Kasim, por Pejgamberi ﷺ tha: “Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time.”
3115. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi se Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burri ensar i lindi një fëmijë, të cilin e emërtoi Kasim.” Ensarët thanë: “Nuk do të të thërrasim me nofkën Ebu Kasim! Nuk do të ta japim këtë privilegj!” Kështu, ai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, më ka lindur një djalë, të cilin e emërtova Kasim, por ensarët më thanë: “Nuk do të të thërrasim me nofkën Ebu Kasim! Nuk do të ta japim këtë privilegj!” Pejgamberi ﷺ tha: “Ensarët kanë të drejtë. Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time. Unë jam shpërndarësi (Kasimi).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3115
Fjalë të panjohura?
3116. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Hibani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë. Allahu është Dhuruesi, ndërsa unë jam vetëm shpërndarës (i pasurisë dhe kumtues i fesë). Ky umet do të vazhdojë të triumfojë ndaj atyre që u kundërvihen, derisa të vijë caktimi i Allahut, këta do të jenë triumfues.”
3117. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Hilali, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë as ju jap, as ju privoj. Unë jam vetëm shpërndarës; i vendos gjërat aty ku urdhërohem.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3117
Fjalë të panjohura?
3118. Nga: Havle bint Thamir Ensarja
Abdullah ibn Zejdi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Ebu Ejubi, e këtij i ka treguar Ebu Esvedi, e ky nga Numan Ibn Ebu Ajashi se Havle Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Disa njerëz po zhyten në pasurinë e Allahut padrejtësisht. Ditën e Kiametit, të tillët i pret Zjarri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3118
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Ju është lejuar plaçka e luftës.”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Allahu ju ka premtuar pre të majme që do të merrni, dhe këtë ua ka shpejtuar dhe ka penguar duart e njerëzve prej jush, që kjo të jetë një shembull (argument) për besimtarët dhe që t’iu drejtojë juve në rrugë të drejtë,” (Fet’h, 20) Pra, ky ajet ka zbritur për njerëzit në përgjithësi, derisa e ka sqaruar Pejgamberi ﷺ.
3119. Nga: Urve ibn Xhad Barikiu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka treguar Husajni, e ky nga Amiri se Urve Barikiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mirësia është e lidhur në balluket e kuajve, deri në Ditën e Kiametit, po ashtu shpërblimi dhe plaçka e luftës.”
3120. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet kisra (mbreti pers), më nuk do të ketë kisra pas tij dhe, pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), më nuk do të ketë cezar pas tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se thesaret e tyre do t'i shpenzoni në rrugën e Allahut.”
3121. Nga: Xhabir ibn Semure
Is'haku transmeton se e ka dëgjuar Xheririn, e ky nga Abdulmeliku se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet kisra (mbreti pers), më nuk do të ketë kisra pas tij dhe, pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), më nuk do të ketë cezar pas tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se thesaret e tyre do të shpenzohen në rrugën e Allahut.”
3122. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Sejari, e këtij i ka treguar Jezid Fekiri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më është lejuar plaçka e luftës.”
3123. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër se, atë që del në luftë për hir të Tij, për asgjë tjetër pos xhihadit në rrugën e Tij dhe për ta çuar në vend Fjalën e Allahut, ose do ta fusë në Xhenet, ose do ta kthejë në vendin e vet me gjithë shpërblimin dhe plaçkën e fituar.”
3124. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Muberaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një pejgamber i tha popullit të vet: “Të mos më ndjekë askush që është martuar me një grua me të cilën ende nuk ka hyrë dhëndër, as ai që ka filluar të ndërtojë shtëpi dhe ende nuk ia ka vënë çatinë, as ai që ka blerë dele ose deve që pret t'i lindin.” Kështu, shkoi në betejë dhe luftoi derisa u afrua namazi i ikindisë, atëherë i tha Diellit: “Ti je i urdhëruar, e edhe unë jam i urdhëruar.” O Allah, ndale atë (të mos perëndojë)! Kështu, Dielli u ndal, derisa Allahu ua mundësoi atyre fitoren. Ai e mblodhi plaçkën e luftës, por, kur zjarri erdhi për ta djegur, nuk e dogji. Ai tha: “Dikush prej jush ka marrë diçka nga plaçka e luftës. Prandaj, prej secilit fis le të më besatohet nga një njeri.” Dora e njërit prej tyre iu ngjit me dorën e tij, andaj i tha: “Dikush prej jush ka marrë diçka, andaj le të më besatohet fisi yt.” Kështu, duart e dy-tre burrave u ngjitën me dorën e tij, andaj u tha: “Ju keni marrë diçka.” Atëherë, ata sollën ar në madhësi të kokës së lopës dhe e vendosën pranë tij. Kështu, zjarri erdhi dhe i dogji. Pastaj Allahu na e lejoi neve plaçkën e luftës. Ai e pa dobësinë dhe paaftësinë tonë, andaj na e lejoi.”
9. Nënkapitulli: Plaçka për atë që ka qenë pjesëmarrës në betejë
3125. Nga: Omer ibn Hatabi
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrahmani, e ky nga Maliku, e ky nga Jezid ibn Eslemi, e ky nga babai i tij se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Sikur të mos i kisha parasysh muslimanët e dobët, çdo vendbanim të çliruar do t'ua ndaja atyre që e çlirojnë, ashtu siç e ka ndarë Pejgamberi ﷺ Hajberin.”
10. Nënkapitulli: A i pakësohet shpërblimi ( i Botës Tjetër) atij që lufton për plaçkën e luftës?
3126. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Cili prej këtyre është në rrugën e Allahut: ai që lufton për plaçkën e luftës, ai që lufton për t'u përmendur apo ai që lufton për të dëshmuar trimërinë e tij?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai që lufton me qëllim që fjala e Allahut të jetë më e larta. I tilli llogaritet në rrugën e Allahut.”
11. Nënkapitulli: Kur prijësi ndan një pjesë të plaçkës për ata që mungojnë gjatë ndarjes së plaçkës
3127. Nga: Misver ibn Mahremi
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi se Abdullah ibn Ebu Mulejke transmeton se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i dhuruan ca xhybe të mëndafshta të stolisura me ar, të cilat ua shpërndau shokëve të vet, përveç njërës, të cilën e rezervoi për Mahrem ibn Neufelin. Mahremi erdhi me të birin, Misverin, u ndalën te dera dhe tha: “Thirrma Pejgamberin ﷺ!” Kur Pejgamberi ﷺ e dëgjoi zërin e tij, mori një xhybe dhe e priti Mahremin me të duke ia treguar pullat e saj dhe i tha: “O Ebu Misver, këtë ta kam ruajtur ty! O Ebu Misver, këtë ta kam ruajtur ty!” Mahremi kishte njëfarë vrazhdësie në personalitetin e tij.”
Ibn Uleje transmeton nga Ejubi. Hatim ibn Verdani ka thënë: “Na ka treguar Ejubi nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Misveri: “Pejgamberit ﷺ i erdhën ca xhybe.” Transmetimin e Ejubit e fuqizon Lejthiu nga Ibn Ebu Mulejke.”
12. Nënkapitulli: Si e ka ndarë Pejgamberi ﷺ plaçkën e fiseve kurejdha dhe nadir, si dhe sa prej plaçkës e ka ndarë për nevojat e tij si prijës?
3128. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga babai i tij se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, njerëzit i jepnin Pejgamberit ﷺ pemë hurmash për shfrytëzim, derisa i çliroi trojet e fiseve kurejdha dhe nadir. Këtej e tutje, ai ua kthente ato që ia jepnin.”
13. Nënkapitulli: Bereqeti i pasurisë së atij që ka luftuar përkrah Pejgamberit ﷺ dhe prijësve muslimanë, në të gjallë dhe pas vdekjes
3129. Nga: Zubejr ibn Avami
Is'hak ibn Ibrahimi transmeton se i ka thënë Ebu Usames: A ju ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Zubejri doli në fushëbetejë Ditën e Devesë, më thirri. Unë i shkova pranë dhe më tha: “Ata që vriten sot janë ose zullumqarë, ose viktima (që u bëhet zullum). Sa për mua, mendoj se do të vritem si viktimë, por brenga ime e vetme është borxhi im. Çfarë mendon, a do të na lërë sadopak pasuri ky borxh yni?” Pastaj tha: “O biri im, shite pasurinë tonë dhe ktheje borxhin tim.” Ndërkaq, një të tretën e pasurisë e la testament e një të tretën tjetër të këtij testamenti ua la fëmijëve të Abdullah ibn Zubejrit dhe i tha: “Nëse, pasi t'i kthesh borxhet, tepron diç prej pasurisë sonë, një të tretën jepua fëmijëve të tu.”
Hishami thotë: “Pra, disa fëmijë të Abdullahut u barazuan me bijtë e Zubejrit: Hubejbin dhe Abadin. Atëkohë Zubejri kishte nëntë djem e nëntë vajza.”
Zubejri i tha: “O biri im, nëse nuk arrin t'i kthesh të gjitha, atëherë kërko ndihmë nga Zotëria im.” Abdullahu thotë: “Betohem në Allahun se nuk e kuptova atë që më tha, andaj e pyeta: “O babai im, kush është Zotëria yt?” Ai më tha: “Allahu.” Abdullahu vazhdon: “Betohem në Allahun se, sa herë që bllokohesha dhe nuk kisha mundësi të ktheja borxhin e tij, thosha: “O Zotëria i Zubejrit, mundësoje kthimin e borxhit të tij.” Kështu, Ai e mundësonte kthimin e borxhit.
Zubejri u vra dhe nuk la mbrapa as dinarë, as dërhemë, por vetëm ca troje, në mesin e të cilave Gabën, njëmbëdhjetë shtëpi në Medinë, dy shtëpi në Basra, një në Kufe dhe një tjetër në Egjipt. Borxhi i Zubejrit kishte mbetur nga rastet kur njerëzit vinin për t'i lënë amanet tek ai pasuritë e tyre, por ai u thoshte: “Jo, përveç nëse ma lë borxh, sepse frikohem se (si amanet) mund të humbasë.” Ai asnjëherë nuk kishte pranuar ndonjë post e as e kishte marrë nën përgjegjësi mbledhjen e taksave, përveçse në betejë me Pejgamberin ﷺ, Ebu Bekrin, Omerin ose Othmanin, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Kur i numërova borxhet e tij, më dolën dy milionë e dyqind mijë dërhemë.
Hakim ibn Hizami e takoi Abdullah ibn Zubejrin dhe i tha: “O biri i vëllait tim, edhe sa borxh i ka mbetur vëllait tim?” Ai e fshehu dhe i tha: “Njëqind mijë.” Hakimi i tha: “Betohem në Allahun se pasuritë tuaja nuk mjaftojnë për ta kthyer këtë borxh.” Abdullahu ia ktheu: “Çfarë mendon, po të ishin dy milionë e dyqind mijë?” Ai i tha: “Nuk mendoj që mund ta përballoni këtë, andaj, nëse nuk keni mundësi për t'i kthyer, kërko ndihmë prej meje.”
Zubejri e pati blerë Gabën me njëqind e shtatëdhjetë mijë, ndërsa Abdullahu e shiti me një milion e gjashtëqind mijë. Pastaj u ngrit dhe tha: “Kush i ka borxh Zubejrit, le të vijë te Gaba.” Abdullah ibn Xhaferi, të cilit Zubejri ia kishte borxh katërqind mijë, shkoi dhe i tha Abdullah ibn Zubejrit:
- Nëse doni, po jua lë juve.
- Jo, - i tha Abdullahu.
- Nëse doni, më lini në fund me grupin e fundit (të borxhlinjve), - i tha Abdullah ibn Xhaferi.
- Jo, - ia ktheu Abdullahu.
- Atëherë, pra, më ndaj një copë (tokë)!
- Prej këtu deri këtu të takon ty, - i tha Abdullahu.
Kështu, ia shiti atë pjesë, ia ktheu borxhin, madje i dha edhe tepricë. Pastaj mbetën edhe katër hise e gjysmë.
Kur shkoi te Muaviu, aty i gjeti edhe Amër ibn Othmanin, Mundhir ibn Zubejrin dhe Ibn Zemën. Muaviu i tha:
- Sa po shkon Gaba (në pazar)?
- Një hise njëqind mijë, - iu përgjigj Abdullahu.
- Edhe sa hise kanë mbetur?
- Edhe katër hise e gjysmë.
- Po të blej një hise për njëqind mijë, - i tha Mundhir ibn Zubejri.
- Edhe unë po të blej një hise për njëqind mijë, - iu drejtua Amër ibn Othmani.
- Edhe unë po të marr një hise për njëqind mijë, - i tha Ibn Zema.
- Edhe sa mbetën tani? - e pyeti Muaviu.
- Edhe një hise e gjysmë, - iu përgjigj Abdullahu.
- Po ta blej unë për njëqind e pesëdhjetë mijë, - i tha Muaviu.
Më pas, Abdullah ibn Xhaferi ia shiti pjesën e vet Muaviut për gjashtëqind mijë. Kur Abdullah ibn Zubejri i ktheu të gjitha borxhet e Zubejrit, fëmijët e Zubejrit i thanë: “Na e ndaj trashëgiminë (e Zubejrit).” Ai u tha: “Jo, për Allahun! Nuk do ta ndaj pa shpallur katër vjet rresht në kohën e haxhit se, kujt i ka pasur Zubejri borxh, le të vijë te ne për t'ia kthyer.” Kështu, çdo vit, në kohën e haxhit, Abdullahu lajmëronte këtë gjë. Pas katër vjetësh, ua ndau trashëgiminë fëmijëve të Zubejrit.
Zubejri kishte katër gra, andaj Abdullahu e ndau një të tretën (e rezervuar për testament), pastaj secilës bashkëshorte i ra të merrte nga një milion e njëqind mijë. Pra, tërë pasuria e Zubejrit kishte vlerën pesëdhjetë milionë e dyqind mijë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3129
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitulli: Nëse prijësi dërgon dikë si lajmëtar ose e urdhëron të qëndrojë në vendbanim, a i ndahet edhe atij një pjesë e plaçkës?
3130. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Othman ibn Mevhibi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Othmani nuk mori pjesë në Bedër, sepse e bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila ishte e martuar me Othmanin, u sëmur, andaj Pejgamberi ﷺ i tha Othmanit: “Ty të takon shpërblimi dhe plaçka e një burri pjesëmarrës në Bedër.”
15. Nënkapitulli: Ndër argumentet se një e pesta e plaçkës shpenzohet për nevojat e muslimanëve është dhe fakti se fisi hevazin i kanë kërkuar Pejgamberit ﷺ, për shkak të gjidhënies, t’ua kthejnë robërit e luftës, andaj Pejgamberi ﷺ u kërkoi leje muslimanëve për t’ua kthyer ata
Po ashtu, fakti se Pejgamberi ﷺ, njerëzve të caktuar, u premtonte t’u jepte hise nga një të pestën e plaçkës së fituar me luftë apo me paqe, si dhe ato që ua ka dhënë ensarëve dhe Xhabir ibn Abdullahut nga hurmat e Hajberit.
3131. Nga: Mervan ibn Hakemi - Misver ibn Mahremi
3131, 3132 - Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Mervan ibn Hakemi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur delegatët e fisit hevazin, të konvertuar në Islam, vajtën tek i Dërguari i Allahut ﷺ që të kërkonin kthimin e pasurive dhe robërve të luftës, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Fjalët më të dashura për mua janë fjalët e vërteta, andaj zgjidhni njërën: ose robërit, ose pasurinë, sepse kam qenë duke ju pritur.” I Dërguari i Allahut ﷺ i kishte pritur mbi trembëdhjetë ditë pasi ishte larguar nga Taifi. Kur ata kuptuan se Pejgamberi ﷺ do t'ua kthejë vetëm njërën prej këtyre dy gjërave, thanë: “E po, po i zgjedhim familjarët tanë të zënë robër lufte.”
I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, e lavdëroi Allahun, ashtu siç i takon, dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj kanë ardhur të penduar dhe unë mendoj t'ua kthej familjarët e tyre të zënë robër lufte. Andaj, kush dëshiron që vullnetarisht t'ua kthejë, le ta bëjë, e, kush dëshiron t'i mbajë derisa ta paguajmë prej plaçkës së parë që Allahu do të na dhurojë, le të presë.” Njerëzit thanë: “Po ua kthejmë vullnetarisht, për hir të të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
- “Ne nuk dimë kush po i jep vullnetarisht e kush jo, andaj kthehuni te prijësit tuaj (të flitni me ta), që ata të na tregojnë për secilin prej jush”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e tyre, të cilët shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se të gjithë po i kthejnë vullnetarisht (robërit e luftës). Pra, kjo është ngjarja që na është transmetuar rreth robërve të luftës të fisit hevazin.
3132. Nga: Misver ibn Mahremi
3131, 3132
3133. Nga: Ebu Musa Eshariu
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim ibn Asim Kelbiu, - e hadithin e Kasimit e mbaj në mend më mirë, - se Zehdemi tregon: “Teksa po rrinim tek Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sollën një pulë. Aty ishte edhe një burrë nga fisi tejmullah, i racës së kuqe,1 që dukej sikur ishte prej të çrobëruarve. Ebu Musai e ftoi të hante me ne, por, meqë ai e kishte parë pulën duke ngrënë diçka të neveritshme, ishte betuar se s'do të hante. Ebu Musai tha: “Afrohuni t'ju rrëfej diçka në lidhje me këtë: unë, së bashku me disa pjesëtarë të fisit eshari, shkuam te Pejgamberi ﷺ t'i kërkojmë të na marrë me vete (për në luftë), por ai tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr, por as kam me se ju bart.” Mirëpo, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i erdhi një plaçkë e luftës me një tufë devesh, ai pyeti rreth nesh dhe tha: “Ku janë esharinjtë?” Pastaj urdhëroi të na jepen pesë tufa devesh gungëbardha (të majme). Kur u nisëm, thamë: “Nuk do të na jepet bereqet, për shkak të asaj që bëmë.” Andaj, u kthyem dhe i thamë: “Ne të patëm kërkuar të na marrësh me vete, por ti u betove se nuk do të na marrësh. Vallë, ke harruar?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë, me lejen e Allahut shoh se e kundërta është më e mirë, atëherë e veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”
3134. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë luftarake në drejtim të Nexhdit, në mesin e të cilëve ishte dhe vetë Abdullah ibn Omeri. Ata fituan një plaçkë të majme me shumë deve. Kështu, secilit prej tyre i ranë hise nga dymbëdhjetë deve, ose i ranë hise nga njëmbëdhjetë deve, e secilit iu dhurua nga një deve shtesë.
3135. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka rrëfyer Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, në disa prej ekspeditave që dërgohej, i Dërguari i Allahut ﷺ u dhuronte ndonjë gjë shtesë, duke i veçuar nga pjesa tjetër e ushtrisë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3135
Fjalë të panjohura?
3136. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur na erdhi lajmi se është paraqitur Pejgamberi ﷺ (si pejgamber), ne ishim në Jemen. Kështu, u nisëm për të mërguar tek ai. Unë së bashku me dy vëllezërit e mi: Ebu Burden dhe Ebu Ruhmin, prej të cilëve unë isha më i riu, ishim në mesin e pesëdhjetë e dy-tre burrave nga fisi im. I hipëm anijes, e cila na dërgoi te Nexhashiu në Abisini. Aty e takuam Xhafer ibn Ebu Talibin së bashku me shokët e tij, i cili na tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka dërguar këtu dhe na ka urdhëruar të qëndrojmë, andaj qëndroni edhe ju me ne. Së këndejmi, ne qëndruam me ta derisa u shpërngulëm të gjithë së bashku dhe e arritëm Pejgamberin ﷺ në Hajber, pasi e kishte çliruar. Ai na dhuroi hise, - ose ka thënë: na dha diçka, - nga plaçka e Hajberit, edhe pse askujt që nuk kishte marrë pjesë në atë luftë, nuk i kishte dhënë hise, përveç pjesëtarëve të anijes sonë dhe Xhaferit me shokët e tij. Këtyre u ndau hise nga plaçka e Hajberit.”
3137. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur ta merrnim pasurinë e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq e kaq.” Por, - vazhdon Xhabiri, - pasurinë e Bahrejnit nuk e morëm derisa vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ. Kur e morëm atë, Ebu Bekri dërgoi lajmëtarë dhe tha: “Ai, të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ i ka premtuar diçka ose i ka pasur borxh, le të vijë.” Unë shkova dhe i thashë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë kështu e kështu.” Atëherë, ai m'i mbushi tri herë nga dy grushte (dinarë). Në transmetimin e Ibn Munkedirit përmendet se Xhabiri ka thënë: “Shkova tek Ebu Bekri dhe i kërkova, por ai nuk më dha. Shkova sërish, por nuk më dha. Shkova së treti dhe i thashë: “Të kërkova, por nuk më dhe. Pastaj sërish të kërkova, e ti sërish nuk më dhe. Të kërkova sërish, por nuk më dhe. Ose më jep, ose ji koprrac ndaj meje.” Ai më tha: “Po thua se jam koprrac ndaj teje? Unë çdoherë kam dashur të të jap, por nuk kam mundur.”
Sufjani ka thënë: “Na ka treguar Amri nga Muhamed ibn Aliu se Xhabiri ka thënë: “Pastaj, m'i mbushi dy grushte (dinarë) dhe më tha: “Numëroji.” (Kur i numërova) më dolën pesëqind (dinarë). Pastaj më tha: “Merr edhe dy herë aq.”
Ibn Munkediri ka thënë: “Vallë, ka sëmundje më të rëndë se koprracia?!”
3138. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Kurra, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po e ndante plaçkën e luftës në Xhiëranë, një burrë i tha: “Ji i drejtë!” Pejgamberi ﷺ tha: “U shkatërrofsha, nëse nuk tregohem i drejtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3138
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Lirimi i jesirëve pa e ndarë plaçkën e luftës
3139. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Xhubejri se Xhubejr ibn Mut'imi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, për jesirët e Bedrit, ka thënë: “Sikur Mut'im ibn Adiu të ishte gjallë dhe të kishte ndërmjetësuar për këta të ndyrë, do t'ia lija atij (këta).”
17. Nënkapitulli: Argumente se një e pesta e plaçkës i takon prijësit
Edhe (fakti se) ai u jep disa të afërmve, e disa të tjerëve jo. Pejgamberi ﷺ, benu mutalibëve dhe benu hashimëve, u ka dhënë hise nga një e pesta e plaçkës së Hajberit. Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Nuk u ka dhënë të gjithëve (kurejshëve) dhe nuk ka veçuar ndonjë të afërm kundrejt ndonjërit në nevojë, edhe nëse ka qenë më i largët, për shkak të nevojave të tyre dhe mundimeve që kanë përjetuar, nga populli dhe aleatët e tyre, duke qenë pranë tij."
3140. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Xhubejr ibn Mut'imi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Othman ibn Afani shkuam te Pejgamberi ﷺ dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, benu mutalibëve u ke dhënë, kurse neve jo, ndërkaq të dy palët kemi pozitën e njëjtë në raport me ty.” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Benu mutalibët dhe benu hashimët për mua janë të njëjtë.”
Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Junusi, dhe ka shtuar se Xhubejri ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nuk i ka dhënë hise as familjes benu abdushems e as familjes benu neufel.”
Ibn Is'haku ka thënë: “Abdushemsi, Hashimi dhe Mutalibi kanë qenë vëllezër nga nëna. Nëna e tyre ka qenë Atike bint Murraja, kurse Neufeli ka qenë vëllai tyre nga babai.”
18. Nënkapitulli: Preja që luftëtari e merr nga i vrari, nuk numërohet pjesë e plaçkës së luftës
Atij që vret dikë në luftë, i takon preja që posedon armiku në atë betejë. Gjykimi i prijësit për këto.
3141. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jusuf ibn Maxhishuni, e ky nga Salihu, i biri i Ibrahimit, i biri i Abdurrahman ibn Aufit, e ky nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja në rresht ditën e Bedrit, shikova djathtas dhe majtas, ku pashë dy djelmosha të rinj ensarë. Kisha dëshirë të isha mes dikujt më të fuqishëm se këta.” Njëri prej tyre më preku dhe më tha: “O xhaxha, e njeh Ebu Xhehlin?”
- Po, - i thashë. - Çfarë po të duhet ai, o djali i vëllait tim?
- Kam dëgjuar se ai e shan të Dërguarin e Allahut ﷺ. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, nëse e shoh, nuk do t'i ndahem derisa të vdes njëri prej nesh, - tha djaloshi.
Kjo gjë më habiti. Papritmas, më preku tjetri dhe m'i tha të njëjtat gjëra. Nuk kaloi shumë kohë derisa e pashë Ebu Xhehlin të ecë ndër njerëz dhe u thashë: “Ja, ky është burri që po kërkoni.” Ata ia mësynë atij me shpata dhe e goditën derisa e vranë. Pastaj shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe i treguan.” Pejgamberi ﷺ u tha:
- “Cili prej jush e vrau?”
- Unë e vrava, - thanë të dy.
- “I keni fshirë shpatat?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - thanë ata.
I Dërguari i Allahut ﷺ ua shikoi shpatat dhe tha:
- “Të dy e paskeni vrarë.”
Preja e Ebu Xhehlit i takoi Muadh ibn Amër ibn Xhemuhut. Dy djelmoshat ishin: Muadh ibn Afra dhe Muadh ibn Amër ibn Xhemuhi.”
Muhamedi ka thënë: “Jusufi e ka dëgjuar Salihun dhe Ibrahimin nga babai i tyre (Abdurrahman ibn Aufi).”
3142. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ibn Eflahu, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Ebu Katades se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Vitin e Betejës së Hunejnit u nisëm me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe, kur u ballafaquam me armikun, muslimanët pësuan një thyerje. Pashë një idhujtar t'i kishte hipur sipër një muslimani, andaj u tërhoqa, i shkova nga mbrapa dhe e godita me shpatë në qafë. Ai u kthye nga unë, më mbërtheu aq fort, saqë e nuhata erën e vdekjes. Kur e kaploi vdekja, më lëshoi dhe unë iu bashkëngjita Omer ibn Hatabit dhe i thashë: “Çfarë po ndodh me ushtrinë?” Ai më tha: “Caktimi i Allahut.” Pasi ushtria u kthye, Pejgamberi ﷺ u ul dhe tha: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës).” Unë u ngrita dhe thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. I Dërguari i Allahut ﷺ tha sërish: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës).” Unë u ngrita dhe thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. Pejgamberi ﷺ për së treti tha të njëjtën gjë dhe unë u ngrita, por Pejgamberi ﷺ ma priti duke thënë: “Çfarë ke, o Ebu Katade?” - andaj ia tregova ndodhinë. Një burrë tha: “Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, ndërsa prenë e armikut e kam unë, por kompensoja atij me diçka, e kjo të më mbetet mua.” Ebu Bekër Sidiku tha: “Jo, për Allahun!” Atëherë, po i bie që Pejgamberi ﷺ të ta japë ty plaçkën e njërit prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ashtu është” - dhe ma dha prenë. Parzmoren e shita dhe bleva një kopsht hurmash në fisin benu selime. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.”
19. Nënkapitulli: Hisja që Pejgamberi ﷺ ua jepte personave të caktuar për t’ua përfituar zemrat dhe disa të tjerëve nga një e pesta e plaçkës së luftës
Këtë e transmeton edhe Abdullah ibn Zejdi nga Pejgamberi ﷺ.
3143. Nga: Hakim ibn Hizami
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Urve ibn Zubejri se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I lypa të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai më dha. I lypa sërish, e ai më dha sërish, por në atë rast më tha: “O Hakim, pasuria është jeshil dhe e ëmbël. Atij që e merr me zemërgjerësi, i ka bereqet. Ndërkaq, atij që e merr me egoizëm, nuk i ka bereqet, sikurse ai që ha e nuk ngopet. Dora e sipërme është më e mirë sesa dora e poshtme.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se, pas teje, nuk do t'i lyp askujt, derisa të dal nga kjo botë.” Më pas, Ebu Bekri e ftonte Hakimin për t'i dhënë, por ai nuk pranonte. Njëjtë edhe Omeri, e ftoi për t'i dhënë, por ai nuk i mori asgjë. Omeri tha: “O ju muslimanë, Hakimit ia ofrova pjesën e tij të plaçkës së luftës, por nuk e pranoi.” Pas Pejgamberit ﷺ, Hakimi nuk i ka lypur askujt, deri në vdekje.”
3144. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, në kohën e injorancës jam zotuar se do të bëj itikaf.” Atëherë I Dërguari i Allahut ﷺ e urdhëroi ta përmbushë zotimin. Ai tregon se i fitoi dy robëresha nga Beteja e Hunejnit, të cilat i vendosi në një shtëpi në Mekë. Por, kur Pejgamberi ﷺ i liroi jesirët e Hunejnit, ata filluan të vrapojnë nëpër rrugica dhe Omeri tha: “O Abdullah, shiko ç'është duke ndodhur!” Ai tha: “Pejgamberi ﷺ i ka liruar jesirët.” Omeri tha: “Shko dhe liroji dy robëreshat!” Nafiu ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka bërë umre nga Xhiërana. Po të kishte bërë, kjo gjë nuk do t'i kishte shpëtuar Abdullahut.”
3145. Nga: Amër ibn Taglibi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Haseni se Amër ibn Taglibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ (teksa po shpërndante prenë e luftës) u dha disave, e disa të tjerëve jo. Kështu, këta të fundit u ankuan. Ai tha: “Dikujt i jap sepse i frikësohem dobësisë dhe shqetësimit të tyre. Ndërkaq, disa të tjerë i lë në mirësinë dhe zemërgjerësinë që Allahu ka mbjellë në zemrat e tyre. Prej këtyre ështe edhe Amër ibn Taglibi.” Amër ibn Taglibi ka thënë: “Këtë fjalë të të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk do ta kisha ndërruar as me devetë e kuqe (një ndër pasuritë më të shtrenjta).”
Ebu Asimi, duke transmetuar nga Xheriri, shton: “E kam dëgjuar Hasenin të thotë: “Kështu na ka treguar Amër ibn Taglibi, se të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën ca pasuri, - ose ka thënë: ca robër të luftës, - të cilat i shpërndau.”
3146. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë u jap kurejshëve që t'ua përfitoj zemrat, sepse ata kanë hyrë në Islam rishtazi.”
3147. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Zuhejri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Allahu ia dha të Dërguarit të Allahut ﷺ në pronësi prenë e fisit hevazin dhe Pejgamberi ﷺ filloi t'u japë disa burrave kurejshë nga njëqind deve, disa ensarë thanë për Pejgamberin ﷺ: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ: kurejshëve po u jep, kurse neve jo, ndërkohë shpatat tona ende po pikojnë gjak të tyre!” Kur i treguan Pejgamberit ﷺ për fjalët e tyre, ai dërgoi dikë tek ensarët për t'i tubuar nën një tendë të lëkurës. Askënd tjetër nuk e la aty me ta. Kur u tubuan, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe u tha:
- “Ç'është puna e disa fjalëve, që më kanë arritur për ju?”
- Të mençurit tanë nuk thanë gjë, por disa të rinj thanë: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ: kurejshëve po u jep, kurse ensarëve jo, ndërkohë shpatat tona ende po pikojnë gjak të tyre! - thanë të diturit nga mesi i tyre.
Pejgamberi ﷺ tha: “Unë disave u jap, për shkak se rishtazi kanë dalë nga mosbesimi. A nuk jeni të kënaqur që njerëzit e tjerë të shkojnë me pasuri, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut ﷺ? Betohem në Allahun se, me çfarë ktheheni ju është më e mirë se me çfarë kthehen ata.” Ensarët thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut, jemi të kënaqur!”
Pejgamberi ﷺ u tha: “Pas meje do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja, andaj duroni derisa ta takoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij te Hauzi.” Enesi thotë: “Por, ja që ne nuk duruam.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3147
Fjalë të panjohura?
3148. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Omeri, i biri i Muhamed ibn Xhubejr Mutëimit, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Xhubejri se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa po udhëtonte me të Dërguarin e Allahut ﷺ së bashku me ushtrinë, duke u kthyer nga Hunejni, njerëzit filluan t'i lypin të Dërguarit të Allahut ﷺ, saqë e mbështetën për një pemë, në të cilën iu mbërthye pelerina. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit në këmbë dhe tha: “Ma jepni pelerinën time! Sikur të posedoja deve sa numri i pemëve që gjenden këtu, të gjitha do t'jua ndaja juve, që ta dini se nuk jam koprrac, as gënjeshtar e as frikacak.”
3149. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po ecja me Pejgamberin ﷺ, i cili kishte veshur cibun nexhran, një beduin e rrëmbeu për cibuni, e tërhoqi me ashpërsi, saqë jakat e cibunit i lanë shenja Pejgamberit ﷺ në supe, dhe i tha: “Më ndaj një hise nga pasuria e Allahut që ndodhet tek ti.” Pejgamberi ﷺ e shikoi dhe buzëqeshi, pastaj urdhëroi t'i jepej diçka.”
3150. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hunejnit, Pejgamberi ﷺ u dha përparësi disave në shpërndarjen e plaçkës së luftës. Akra ibn Habisit ia dha njëqind deve, e edhe Ujejnes. Edhe disa fisnikëve të tjerë arabë u dha përparësi në shpërndarjen e presë.” Një burrë tha: “Betohem në Allahun se kjo ndarje e presë nuk qe e drejtë dhe me të nuk u synua kënaqja e Allahut.” Unë thashë: “Për Allahun, do t'i tregoj Pejgamberit ﷺ.” Kështu, shkova dhe i tregova.” Ai tha: “Kush do të sjellë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk sjellin?! Allahu e mëshiroftë Musain: ai është fyer edhe më rëndë se kaq dhe, megjithatë, ka duruar.”
3151. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Mahmud Gajlani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I bartja farat mbi kokë nga ara e Zubejrit, që ia kishte dhuruar i Dërguari i Allahut ﷺ, e cila ndodhej larg sa dy të tretat e një fersehu (përafërsisht katër kilometra).”
Ebu Damra transmeton nga Hishami, e ky nga babai i tij Urve se Pejgamberi ﷺ i ndau një hise Zubejrit nga pasuria e fisit nadir.
3152. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Mikdami më ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi i dëboi hebrenjtë dhe të krishterët nga trojet e Hixhazit. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ triumfoi ndaj banorëve të Hajberit, deshi t'i dëbojë hebrenjtë nga ato troje, të cilat asokohe u përkisnin hebrenjve, Pejgamberit ﷺ dhe muslimanëve. Por, hebrenjtë i kërkuan Pejgamberit ﷺ t'i lejojë të qëndrojnë në këmbim të punimit të tokës, duke e mbajtur ata gjysmën e prodhimeve. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Po ju lejojmë sipas kësaj marrëveshjeje, aq sa të dëshirojmë.” Kështu, ata qëndruan aty derisa Omeri i dëboi në Tejma dhe Eriha, gjatë kohës së udhëheqjes së tij.
20. Nënkapitulli: Dispozita e ushqimit të gjetur në trojet e luftës
3153. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Humejd ibn Hilali se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë rrethimit të kështjellës së Hajberit, dikush gjuajti me një enë lëkure, ku kishte pak dhjamë. Unë zbrita me nxitim për ta marrë, por aty pranë e pashë Pejgamberin ﷺ, andaj u turpërova prej tij.”
3154. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë betejave gjenim mjaltë dhe rrush, të cilin e hanim pa e dorëzuar (së bashku me prenë e luftës).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3154
Fjalë të panjohura?
3155. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Shejbaniu se Ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë netëve të Hajberit, na kaploi një uri e madhe dhe, ditën e çlirimit të Hajberit gjetëm disa gomarë, të cilët i therëm. Kur kusitë filluan të vlonin, lajmëtari i të Dërguarit të Allahut ﷺ thirri: “Derdhni kusitë dhe mos hani asgjë nga mishi i gomarëve!” Disa prej nesh thoshim: “Pejgamberi ﷺ ndaloi ngrënien e tyre, sepse nuk ishte ndarë një e pesta e presë prej saj, kurse disa të tjerë thoshin: “E ndaloi përgjithmonë.”
Shejbaniu thotë: “E kam pyetur Seid ibn Xhubejrin rreth kësaj, e ai më ka thënë: “E ka ndaluar përgjithmonë.”