67. Martesa

1. Nënkapitulli: Nxitja për martesë

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “... atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë…” (Nisa, 3)

5063. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Ebu Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Tre persona vajtën te shtëpitë e grave të Pejgamberit ﷺ, për të pyetur për adhurimin e tij. Pasi e morën përgjigjen, veprat e Pejgamberit iu dukën të pakta (për veten e tyre), andaj thanë: “E ku jemi ne kundrejt Pejgamberit ﷺ?! Atij Allahu ia ka falur të gjitha mëkatet: të kaluarat dhe të ardhshmet.”

Kështu, njëri tha: “Sa më përket mua, do të falem tërë natën, përgjithmonë.”

I dyti tha: “Unë do të agjëroj tërë kohën, e nuk do ta ndërpres.”

I treti tha: “Unë do t'u largohem grave dhe nuk do të martohem asnjëherë.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe tha: “Ju jeni ata që keni thënë kështu e ashtu? Për Allahun, unë e kam frikë Allahun më shumë se ju dhe jam më i devotshëm se ju, mirëpo agjëroj dhe ha, falem (natën) dhe fle, e edhe martohem. Ai që e kundërshton Sunetin tim, nuk është prej meje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5063

Fjalë të panjohura?

5064. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aliu transmeton se e ka dëgjuar Hasan ibn Ibrahimin nga Junus ibn Jezidi, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri ose me katër. E, nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni.” (Nisa, 3)
- O biri i motrës sime, fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërsa atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, andaj dëshiron të martohet me të me më pak mehër sesa është tradita (për femrat e kategorisë së saj). Prandaj, janë ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehrin e plotë, ndërkohë u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera, - iu përgjigj Aishja.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5064

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit.” Dhe, a duhet të martohet ai që nuk ka nevojë për martesë?

5065. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi se Alkame tregon: “Othmani e takoi Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), teksa unë isha me të, e i tha: “O Ebu Abdurrahman, kam një punë me ty!” Pasi u vetmuan, Othmani i tha: “A dëshiron të të martojmë me një beqare, që do të ta rikujtojë rininë?” Meqë Abdullahu nuk kishte nevojë për martesë, mua ma bëri me shenjë dhe më tha: “O Alkame (eja)!” Unë iu afrova, e ai ishte duke i thënë (Othmanit): “Pasi që po e thua këtë, Pejgamberi ﷺ na ka thënë: “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5065

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ai që nuk i ka mundësitë (për martesë), le të agjërojë

5066. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Amare nga Abdurrahman ibn Jezidi se ka thënë: Unë me Alkamen dhe Esvedin hymë te Abdullahu, e në atë rast Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ ishim djem të rinj dhe nuk posedonim asgjë (nga pasuria), e ai na tha: “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5066

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Martesa me më shumë se një grua

5067. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi se Atai tregon: “Me Ibn Abasin morëm pjesë në xhenazen e Mejmunës në Serif (emër vendi). Ibn Abasi tha: “Kjo është gruaja e Pejgamberit ﷺ. Kur ta ngrini tabutin e saj, mos e lëkundni, mos e dridhni dhe tregohuni të kujdesshëm (mos shpejtoni). Pejgamberi ﷺ kishte nëntë gra. Prej tyre, tetë grave ua ndante netët, kurse njërës jo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5067

Fjalë të panjohura?

5068. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka pasur raste kur Pejgamberi ﷺ bënte marrëdhënie me të gjitha gratë e tij brenda një nate të vetme. Atëkohë ato ishin nëntë gra.

Halife më ka thënë: “Më ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi nga Katadja se Enesi u ka treguar këtyre nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5068

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5069. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Hakem Ensariu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Rakabe, e ky nga Talha Jamiu se Seid ibn Xhubejri tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më pyeti:
- A je martuar?
- Jo, - iu përgjigja.
- Martohu, sepse më i miri i këtij umeti (Pejgamberi ﷺ) kishte shumë gra, - tha Ibn Abasi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5069

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Ai që bën hixhret a një punë të mirë që të martohet me një femër, atëherë atij i takon ajo që ka pasur për qëllim

5070. Nga: Omer ibn Hatabi

Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim ibn Harithi, e ky nga Alkame ibn Vekasi se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vepra vlerësohet sipas nijetit dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5070

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Ta martosh të varfrin që di Kuran e është musliman

Këtë e ka transmetuar edhe Sehli nga Pejgamberi ﷺ.

5071. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim në beteja me Pejgamberin ﷺ dhe nuk kishim gra, i thamë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! A të tridhemi?” Por, ai na e ndaloi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5071

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Fjala e dikujt drejtuar vëllait të tij: "Shiko njërën nga dy gratë e mia, që unë ta shkurorëzoj për ta marrë ti."

Këtë e transmeton Abdurrahman ibn Aufi.

5072. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi në Medinë, Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun. Ensariu i kishte dy gra, andaj ia ofroi gjysmën e pasurisë dhe njërën prej grave të tij.
- Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejto te tregu! - i tha Abdurrahmani.
(Kur u kthye prej tregut) Abdurrahmani tanimë kishte fituar pak djathë dhe gjalpë. Pas disa ditësh, Pejgamberi ﷺ e pa Abdurrahmanin tek i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi, andaj e pyeti:
- “Ç'është kjo, o Abdurrahman?”
- Jam martuar me një ensare.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës.
- “Bëj një gosti, të paktën me një dele”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5072

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ndalimi për të mos u martuar (fare) e për t'u tredhur

5073. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ia ndaloi Othman ibn Medhunit që të rrijë beqar. Sikur t'ia lejonte atij, ne do të tridheshim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5073

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5074. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ia ndaloi atë (beqarinë) Othman ibn Medhunit. Sikur ta lejonte atë të rrinte beqar, ne do të tridheshim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5074

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5075. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim në beteja me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe nuk kishim asgjë (nga pasuria), i thamë: “A të tridhemi?” Por, ai na e ndaloi tredhjen. Pastaj, na lejoi që të martohemi, qoftë dhe për një rrobë (si mehër) dhe na e lexoi ajetin: “O ju që besuat! Mos i ndaloni të mirat që Allahu i lejoi për ju dhe mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).” (Maide, 87)

Referenca: Sahihu i Buhariut 5075

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5076. Nga: Ebu Hurejra

Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu nga Junus ibn Jezidi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë jam djalë i ri dhe i frikohem amoralitetit, por nuk kam pasuri për t'u martuar.” Ai heshti. Pastaj prapë ia përsërita të njëjtën, e ai sërish heshti. Unë sërish ia përsërita, e ai prapë heshti. Kur ia përsërita edhe një herë, më tha: “O Ebu Hurejre, lapsi është tharë (është caktuar kaderi) për atë që ti do ta gjesh, u trodhe apo e le.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5076

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Martesa me beqare

Ibn Abasi i ka thënë Aishes: "Pejgamberi ﷺ nuk është martuar me beqare, pos teje."

5077. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar vëllai im nga Sulejmani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të ndaleshe në një luginë, në të cilën gjen një pemë që dikush ka ngrënë prej saj, si dhe një pemë tjetër në të cilën nuk është ngrënë, në cilën prej këtyre do ta kullosje devenë tënde?” Ai tha: “Në atë që nuk është kullotur.” Pra, aludonte se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ishte martuar me beqare, pos saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5077

Fjalë të panjohura?

5078. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Të kam parë në ëndërr dy herë me një petk prej mëndafshi duke të të bartur një njeri, i cili më thoshte: “Kjo është gruaja jote.” Kur e zbuloja, më dilje ti.” Unë thosha: “Nëse kjo (ëndërr) është prej Allahut, Ai do ta bëjë realitet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5078

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Martesa me të veja

Umu Habibe tregon se Pejgamberi ﷺ u ka thënë (grave të tij): “Mos m'i propozoni as vajzat, as motrat tuaja.”

5079. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka treguar Sejari nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa ishim duke u kthyer me Pejgamberin ﷺ prej një beteje, unë doja të nxitoja me një deve timen të ngadalshme. Një kalorës pas meje më arriti, e thumboi devenë time me një hosten të tij (shkop me një thumb në majë) dhe deveja shpejtoi si të ishte deveja më e mirë që ke parë. Kur ja, ai ishte Pejgamberi ﷺ, i cili më tha:
- “Çka po të ngut?”
- Jam martuar rishtazi, - i thashë.
- “Me beqare apo me të ve?” - më pyeti.
- Me të ve.
- “Pse nuk e ke marrë të re, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty?”
Kur u afruam për të hyrë (në Medinë), Pejgamberi ﷺ tha: “Pritni! Mos hyni, derisa të vijë mbrëmja, ashtu që të krihet e pakrehura dhe të rruhet (pastrohet) ajo që i ka munguar burri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5079

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?

5080. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muharibi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur u martova, i Dërguari i Allahut ﷺ më tha:
- “Me çfarë je martuar?”
- Jam martuar me një të ve, - i thashë.
- “Pse nuk more beqare, që të dëfrehesh me të?”
Këtë ia kam përmendur Amër ibn Dinarit e ai më ka thënë: “E kam dëgjuar Xhabir ibn Abdullahun të thotë: “I Dërguari i Allahut më pati thënë: “Pse nuk e ke marrë të re, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5080

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Martesa e të moshuarve me të reja

5081. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezidi, e ky nga Iraku se Urve tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ ia kërkoi Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) Ebu Bekrit, Ebu Bekri i tha: “Por, unë jam vëllai yt!” Atëherë, Pejgamberi ﷺ i tha: “Ti je vëllai im në fenë e Allahut dhe në Librin e Tij, prandaj ajo më lejohet mua (për martesë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5081

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Kush duhet martuar dhe cilat janë gratë më të mira?

Karakteristikat e preferuara të asaj që duhet zgjedhur (si nënë) për pasardhësit e tij, ndonëse kjo nuk është e detyrueshme.

5082. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gratë më të mira që i kanë hipur devesë janë gratë e mira kurejshe, janë më të buta për fëmijët e vegjël dhe më të kujdesshme për pasurinë e burrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5082

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Posedimi i robëreshave dhe lirimi i robëreshës e më pas martesa me të

5083. Nga: Ebu Musa Eshariu

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Salih ibn Salih Hemdaniu, e këtij i ka treguar Shabiu, e këtij i ka treguar Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo burrë që posedon robëreshë, të cilën e mëson dhe edukon në formën më të mirë, pastaj e liron dhe martohet me të, i tilli shpërblehet dy herë. Çdo njeri, ithtar i Librit, që e ka besuar pejgamberin e vet dhe më beson mua, i tilli shpërblehet dy herë. Çdo rob që kryen detyrat ndaj zotërisë së vet, si dhe ndaj Zotit të tij, i tilli shpërblehet dy herë.”
Pastaj, Shabiu, njëri prej transmetuesve të këtij hadithi, i tha nxënësit të tij: “Merre këtë hadith pa ndonjë mund të madh, ndërsa më herët njerëzit udhëtonin deri në Medinë për diçka edhe më të vogël se kjo.”
Ebu Bekri ka transmetuar nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Burde, e ky nga i ati se Pejgamberi ka thënë: “E liron atë, e pastaj ia jep mehrin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5083

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

5084. Nga: Ebu Hurejra

Seid ibn Telidi na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Xherir ibn Hazimi nga Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë; [t]: Sulejmani transmeton nga Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ﷺ nuk ka gënjyer, përveçse në tri raste: teksa Ibrahimi kaloi pranë një tirani e me vete kishte Sarën... (dhe e përmendi hadithin, ku, ndër të tjera, tha:) Ai (tirani) ia dha Sarës Haxheren, e në atë rast ajo tha: “Allahu më ruajti prej dorës së jobesimtarit dhe ma dha Haxheren si shërbëtore.”
Ebu Hurejra shton: “Kjo ishte nëna juaj, o ju bijtë e ujit të qiellit (o ju arabë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5084

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5085. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ qëndroi mes Hajberit dhe Medinës tri ditë, duke i kaluar ditët e martesës me Safije bint Hujejin. Unë i thirra muslimanët në dasmën e tij, ku nuk kishte as bukë, as mish, përveçse urdhëroi që të shtrohet një sofër prej lëkure, në të cilën vendosëm hurma, djathë dhe gjalpë. E tillë pra ishte dasma e tij.” Muslimanët thanë: “A do të jetë nënë e besimtarëve apo robëreshë?” Disa thanë: “Nëse e mbulon me hixhab, ajo do të jetë nënë e besimtarëve, e, nëse jo, atëherë robëreshë.” Kur Pejgamberi ﷺ u nis, vuri një shtrojë mbrapa tij (për ta ulur atë) dhe vendosi një mbulesë mes saj dhe njerëzve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5085

Hadithe të ngjashme: Shiko (33)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Llogaritja e lirimit të robëreshës si mehër të saj

5086. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Thabiti dhe Shuajb ibn Habhabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e liroi Safijen dhe, për mehër, ia llogariti lirimin nga robëria.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5086

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Martesa e të varfrit

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Nëse janë të varfër, Allahu i begaton me mirësitë e Tij...” (Nur, 32)

5087. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi nga babai i tij se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta dhuroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ ktheu kokën nga ajo, e shikoi, pastaj uli kokën. Kur gruaja e pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut, - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Për Allahun, nuk gjeta asgjë.” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Shiko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” Shkoi prapë e u kthye dhe tha: “Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë ajo gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe i Dërguari i Allahut ﷺ e pa se donte të largohej, andaj urdhëroi që ta thërrisnin. Kur erdhi, i tha: “Sa di nga Kurani?”
- Di këtë sure dhe këtë sure, - tha ai dhe i numëroi.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5087

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Barazia në fe

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe, Ai është që ka krijuar prej ujit njeriun, e bëri atë të ketë farefisni dhe miqësi. Dhe, Zoti yt, është i Plotëfuqishëm.” (Furkan, 54)

5088. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Hudhejfe ibn Utbe ibn Rebia ibn Abdushemsi, një nga pjesëmarrësit në Bedër, e kishte birësuar Salimin dhe e kishte martuar me vajzën e vëllait të tij, Hind bint Velid ibn Utbe ibn Rabian, ashtu siç e pati birësuar Pejgamberi ﷺ Zejdin. Salimi ishte rob i liruar i një gruaje ensare. Në kohën paraislame, kur një njeri birësonte dikë, njerëzit e thërrisnin në emër të tij dhe ai e trashëgonte atë. Kjo, derisa Allahu e zbriti ajetin: “Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”, (Ahzab, 5) e në atë rast ata i kthyen tek etërit e tyre. E, nëse nuk i dihej i ati, ai mbetej rob i liruar dhe vëlla prej fesë.

Sehla bint Suhejl ibn Amër Kureshiu Amiriu, e cila ishte gruaja e Ebu Hudhejfes, vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, ne e llogaritnim Salimin djalë tonin, ndërsa Allahu ka zbritur për birësimin atë që ti tanimë e di.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5088

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5089. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hyri te Dubae bint Zubejri e i tha:
- “Ndoshta dëshiron të shkosh në haxh?”
- Betohem në Allahun se jam e sëmurë, - tha ajo.
- “Nisu për haxh dhe kushtëzo duke thënë: “O Allah, vendi i lirimit tim prej ihramit është aty ku më ndalon Ti”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ajo ishte gruaja e Mikdad ibn Esvedit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5089

Fjalë të panjohura?

5090. Nga: Ebu Hurejra

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Katër gjëra e nxisin martesën me një femër:
1. Pasuria,
2. Prejardhja,
3. Bukuria dhe
4. Feja e saj. Zgjidhe fetaren, t'u pluhurosshin duart (të jesh i lumtur)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5090

Fjalë të panjohura?

5091. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri (i pasur) kaloi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “Çfarë thoni për këtë?”
- Nëse kërkon të martohet, është meritor për martesë, e, nëse ndërmjetëson, i pranohet, nëse flet, i dëgjohet fjala, - thanë të pranishmit.
Ai heshti dhe, kur kaloi një musliman i varfër, i pyeti:
- “Po për këtë, çfarë thoni?”
- Nëse kërkon të martohet, nuk i jepet, nëse ndërmjetëson, nuk i pranohet dhe, nëse flet, nuk i dëgjohet fjala, - thanë ata.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ç'është e vërteta, ky është më i mirë sesa toka plot me njerëz sikurse ai i pari.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5091

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Barazia në pasuri dhe martesa e të varfrit me të pasurën

5092. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve...” (Nisa, 3)
- O biri i motrës sime, fjala është për jetimen, që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërkohë atij i pëlqen bukuria dhe pasuria e saj, andaj dëshiron (të martohet me të dhe) t'ia ulë mehrin (nën traditën e shoqeve të saj). Prandaj, u ndaluan të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë duke ua dhënë mehrin të plotë, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera. Por, njerëzit e pyetën sërish të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata prej teje (o Muhammed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Allahu ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Allahu ua zbriti këtë ajet se, nëse jetimja është e bukur dhe e pasur, njerëzit lakmojnë në martesën dhe prejardhjen e saj, duke ia plotësuar mehrin. E, nëse për shkak të mungesës së pasurisë e bukurisë nuk e lakmojnë, e lënë atë dhe kërkojnë gra të tjera.
Pra, ashtu siç e lënë, pasi nuk lakmojnë në të, asisoj nuk u lejohet të martohen me të, kur ajo është e kërkueshme (për shkak të pasurisë dhe bukurisë), përveç nëse tregohen të drejtë dhe ia japin mehrin aq sa i takon, - u përgjigj Aishja.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5092

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Çfarë llogaritet ogurkeqe te gruaja?

Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmijët tuaj janë armiq tuaj...” (Tegabun, 14)

5093. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Hamzai dhe Salimi, të dy bij të Abdullah ibn Omerit, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ogurkeqja (nëse ekziston në diçka) ndodhet në tri gjëra:
1. Te bashkëshortja,
2. Në shtëpi dhe
3. Te kali.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5093

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5094. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamed Askalaniu nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në prani të Pejgamberit ﷺ e përmendën ogurkeqen, e në atë rast ai tha: “Nëse ogurkeqja ekziston në diçka, atëherë ndodhet:
1. Në shtëpi,
2. Te bashkëshortja dhe
3. Te kali.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5094

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5095. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse ekziston ogurkeqja në diçka:
1. Atëherë ajo ndodhet te kali,
2. Te bashkëshortja dhe
3. Në shtëpi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5095

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5096. Nga: Usame ibn Zejdi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Sulejman Tejmiu, e ky e ka dëgjuar Ebu Othman Nehdiun se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pas meje nuk kam lënë sprovë më të dëmshme për burrat sesa gratë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5096

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Gruaja e lirë e martuar me rob

5097. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Për shkak të Berirës patën zbritur tri dispozita: ajo u lirua (prej robërisë) dhe iu dha mundësia të zgjedhë (të vazhdojë kurorën apo të shkurorëzohet). I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Njëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi (në shtëpi) dhe tenxherja ishte mbi zjarr. Kur i ofruan bukë me ngjëratë, ai pyeti:
- “A nuk e pashë tenxheren?”
- Aty ka mish sadakaje që i është dhënë Berirës, kurse ti nuk e ha sadakanë, - i thanë.
- “Ajo është sadaka për të, kurse për ne është dhuratë”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5097

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Nuk lejohet martesa me më shumë se katër gra

Allahu i Madhëruar ka thënë “... me dy, me tri e me katra...” (Nisa, 3) Ali ibn Husejni ka thënë: "Dy, tri ose katër. Po ashtu, Allahu i Madhëruar ka thënë: “... melekë me dy, tre dhe me katër krahë...” (Fatir, 1) Domethënë, dy, tre ose katër.

5098. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde nga Hishami se Urve ibn Zubejri tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve...”, (Nisa, 3) ka thënë: “Fjala është për jetimen, e cila jeton te kujdestari i saj, ndërsa ai martohet me të për shkak të pasurisë, mirëpo sillet keq me të dhe e shpërdor pasurinë e saj. Le të martohet me dy, me tri ose me katër gra që i pëlqejnë, e jo me jetimen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5098

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: “... Dhe nënat tuaja që ju kanë dhënë gji...”

Përmes gjidhënies ndalohet ajo që ndalohet me gjenealogji.

5099. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka rrëfyer se, një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte tek ajo, ajo dëgjoi zërin e një burri duke kërkuar leje të hyjë në shtëpinë e Hafsës, andaj i tha: “O i Dërguari i Allahut, një burrë po kërkon leje në shtëpinë tënde.”
Pejgamberi ﷺ tha: “Më duket se është filani” - duke aluduar në axhën e Hafsës nga qumështi.
Atëherë, Aishja tha: “Sikur filani të ishte gjallë, a do t'i lejohej të hynte tek unë?” - duke aluduar në axhën e vet nga qumështi.
- “Po, sepse atë që e bën haram lidhja e gjakut, e bën haram edhe gjidhënia, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5099

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5100. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, kur dikush e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Pse nuk po martohesh me të bijën e Hamzait?”, ai iu përgjigj: “Ajo është bija e vëllait tim nga qumështi.”

Bishr ibn Amri ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden, e ky e ka dëgjuar Xhabir ibn Zejdin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5100

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5101. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani

Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka rrëfyer Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Habibe bint Ebu Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, merre edhe motrën time për grua, të bijën e Ebu Sufjanit!”
- “Vërtet të pëlqen kjo gjë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, sepse, sido që të jetë, unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, ajo që më së shumti do të kisha dëshirë të më shoqëronte në mirësi është motra ime, - i thashë unë.
- “Kjo nuk më lejohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Ne po dëgjojmë se je duke dashur të martohesh me bijën e Ebu Selemes? - i thashë.
- “Të bijën e Umu Selemes?!” - pyeti.
- Po, - i thashë.
- “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Andaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Urve thotë: “Thuvejbja ishte robëreshë e Ebu Lehebit, të cilën e kishte liruar, që njëherazi i kishte dhënë gji Pejgamberit ﷺ. Kur vdiq Ebu Lehebi, një familjar i tij e pa në ëndërr në gjendje shumë të keqe dhe e pyeti: “Çka ke gjetur?”
- Asgjë (të mirë) nuk kam gjetur pas vdekjes, përpos se më është dhënë të pi prej këtij uji, për shkak se e kam liruar Thuvejben, - kishte thënë Ebu Lehebi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5101

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Ata që thonë: "Gjidhënia nuk llogaritet pas moshës dyvjeçare."

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... dy vjet të plot, për atë që do ta plotësojë gjidhënien...” (Bekare, 233) Dhe çfarë ndalon gjidhënia e paktë apo e shumtë.

5102. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga babai i tij, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë, ku gjeti një burrë, andaj iu ndryshua fytyra. Dukej sikur e urreu këtë gjë, e në atë rast unë i thashë: “Ky është vëllai im (nga qumështi)!”

- “Shikoni mirë kë keni vëllezër (nga qumështi), sepse lidhja nëpërmjet gjidhënies pranohet vetëm atëherë kur e ngop fëmijën nga uria”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5102

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Ndalesa e qumështit të gjidhënëses vlen edhe për burrin e saj

5103. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi u obligua mbulesa, Eflehu, vëllai i Ebu Kuajsit, i cili ishte xhaxhai im nga qumështi, erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë tek unë, por nuk e lejova. Me të ardhur i Dërguari i Allahut ﷺ, unë i tregova për veprimin tim, mirëpo ai më tha që herëve të tjera t'i jap leje atij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5103

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Dëshmia e gjidhënëses

5104. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Ejubi nga Abdullah ibn Ebu Mulejke, e këtij i ka treguar Ubejd ibn Ebu Merjemi se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u martova, erdhi një grua zezake dhe më tha: “Unë ju kam dhënë gji të dyve. Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “Jam martuar me filanen, të bijën e filanit, mirëpo një grua zezake erdhi dhe më tha: “Unë ju kam dhënë gji të dyve.” (Ukbe shtoi:) “Mirëpo ajo është gënjeshtare.” Pejgamberi ﷺ e ktheu kokën, por unë i dola para fytyrës dhe i thashë: “Ajo është gënjeshtare.” Atëherë, ai tha: “E si të vazhdosh me të (gruan tënde), kur ajo (zezakja) pretendon se ju ka dhënë gji të dyve?! Lëre atë (me të cilën je martuar).”

Ejubi rrëfen se Ismaili bëri me shenjë me gishtin tregues dhe të mesëm.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5104

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Gratë që lejohen dhe që nuk lejohen (për martesë)

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ju ndalohet kurorëzimi me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllaut tuaj, me bijat e motrës suaj, me nënat (gratë) që u kanë dhënë gji, me motrat tuaja që kanë thithur prej një gjiu, me nënat e grave tuaja (vjehrrat), me vajzën e gruas suaj, - e cila gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; e nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa (për kurorëzim me vajzën e gruas). U ndalohet kurorëzimi me gratë e bijve të barkut tuaj dhe t’i bashkoni dy motra (ortake), përveç rasteve që kanë ekzistuar para islamit. Se Allahu, me të vërtetë është falës dhe mëshirues. (U ndalohet juve të kurorëzoheni) dhe me gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre që janë nën pushtetin tuaj (skllave). Ky është urdhëri i Allahut. U janë lejuar të tjerat, përpos tyre (që u përmendën), që t’i kërkoni (për kurorëzim) me pasurinë tuaj për martesë definitive, e jo për jetë të përkohshme (që është në kundërshtim me dispozitat e fesë). Me ato që kaloni jetë bashkëshortore, jepuni atyre dhuratat e obligueshme (shpenzimet) për jetesë. S’ka mëkat për ju, me pëlqimin e të dy palëve, që ta shtoni apo ta mungoni sasinë e dhuratës së premtuar. Se, Allahu, me të vërtetë, është i Dijeplotë dhe Urtiplotë.” (Nisa, 23-24) Enesi, përkitazi me Fjalën e Allahut: “(Ju ndalohet martesa) edhe me gratë që gjenden nën kurorë...” ka thënë: "Pra, gratë e lira që janë të martuara me dikë tjetër janë haram (për ju). “... përveç atyre që janë nën pushtetin tuaj (skllave)...” Nuk prish punë ta marrë skllaven e cila mund të jetë e martuar me rob. Dhe ka thënë: “Mos u martoni me paganet, derisa të bëhen besimtare...” (Bekare, 221) Ibn Abasi ka thënë: "Çka shton më shumë se katër është haram, siç është nëna, vajza a motra e tij."

5105. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ahmed ibn Hanbeli na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi nga Sufjani, e këtij i ka treguar Habibi, e ky nga Seidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Për shkak të gjenealogjisë ju ndalohet të martoheni me shtatë gra dhe për shkak të krushqisë me shtatë të tjera. Pastaj e lexoi ajetin: “Ju ndalohet martesa me nënat tuaja...” (Nisa, 23)
Abdullah ibn Xhaferi i ka bashkuar nën një kurorë të bijën dhe gruan e Aliut (kjo nuk ishte nëna e së parës). Ibn Sirini ka thënë se kjo gjë është e lejuar. Ndërkaq, Haseni, në fillim, urrente një gjë të tillë, por pastaj e lejoi (bashkimin e gruas dhe vajzës së një burri, nën një kurorë).
Hasen ibn Hasen ibn Aliu i bashkoi në një kurorë, brenda një nate, dy vajzat e xhaxhallarëve. Ndërkaq, Xhabir ibn Zejdi e urrente këtë gjë, për shkak të shkëputjes së lidhjes familjare, edhe pse nuk është e ndaluar, duke u bazuar në ajetin: “Ju janë lejuar të tjerat (përveç atyre që u përmendën)...” (Nisa, 24)
Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse dikush bën amoralitet me motrën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.”
Tregohet se Jahja Kindiu ka transmetuar prej Shabiut dhe Ebu Xhaferit fjalët: “Atij që dëfrehet me një fëmijë mashkull dhe bën homoseksualizëm me të, nuk i lejohet të martohet me nënën e atij fëmije.” Por, ky farë Jahjai nuk është i njohur dhe askush tjetër nuk i ka transmetuar këto fjalë kështu.
Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse bën amoralitet me nënën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.” Ndërkaq, Ebu Nasri përcjell nga Ibn Abasi se kjo vepër e bën të ndaluar (gruan e tij). Por, ky farë Ebu Nasri nuk njihet se ka mësuar prej Ibn Abasit. Ndërkaq, nga Imran ibn Husajni, Xhabir ibn Zejdi, Haseni dhe disa banorë të Irakut përcillet: “(Nëse bën amoralitet me nënën e gruas) gruaja i bëhet e ndaluar.” Ebu Hurejra ka thënë: “Gruaja nuk i bëhet e ndaluar, derisa ta shtrijë përtokë (nënën e gruas).” Pra, derisa të bëjë marrëdhënie intime me të. Ibn Musejebi, Urve dhe Zuhriu kanë thënë: “(Edhe nëse e bën këtë) gruaja i lejohet atij. Zuhriu tregon se Aliu ka thënë: “Nuk i ndalohet.” Por, edhe ky transmetim është i shkëputur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5105

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: “... dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj (e të lindura prej babai tjetër) nga gratë tuaja me të cilat keni pasur marrëdhënie bashkëshortore...”

Ibn Abasi ka thënë: "Shprehjet: duhul (hyrje), mesis (prekje) dhe limas (ledhatim) aludojnë në marrëdhëniet intime." Ata që thonë: "Vajzat e djalit të saj (gruas) llogariten sikurse vajzat e tij (burrit) në ndalesë. Kjo, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ që ia tha Umu Habibes: “Prandaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja.” Po ashtu, ndalohen gratë e nipave siç ndalohen gratë e djemve. A llogaritet haram martesa me vajzën e gruas, edhe nëse nuk jeton në shtëpinë e tij? Pejgamberi ﷺ vajzën e gruas së tij ia dha dikujt që të përkujdeset për të. Pejgamberi ﷺ të birin e vajzës së tij e ka quajtur bir.

5106. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Hishami nga babai i tij, e ky nga Zejnebja se Umu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, a ke nevojë për të bijën e Ebu Sufjanit?
- “Përse?” - më pyeti.
- Për t'u martuar me të, - i thashë.
- “Ashtu dëshiruake?”
- Unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, ajo që më së shumti kam dëshirë të më bëhet shemër në ty është motra ime, - i thashë.
- “Nuk e kam të lejuar ta marr”, - tha ai.
- Kam dëgjuar se po kërkon të martohesh?
- “Me të bijën e Umu Selemes?!”
- Po, - i thashë.
- “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse Thuvejbja na ka dhënë gji mua dhe babait të saj. Prandaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Lejthiu thotë: “Na ka treguar Hishami: “E bija e Umu Selemes quhej Durre bint Ebu Seleme.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5106

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: “... dhe të bashkoni (përnjëherë nën një kurorë) dy motra, përpos asaj që ka kaluar...”

5107. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka rrëfyer Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, martohu me motrën time, të bijën e Ebu Sufjanit.
- “Këtë dëshiruake?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po. Unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, atë që më së shumti kam dëshirë ta kem ortake në mirësi është motra ime, - i thashë unë.
- “Nuk e kam të lejuar ta marr”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun se ndër ne po përflitet se ti do të martohesh me Durre bint Ebu Selemen? - i thashë.
- “Me të bijën e Umu Selemes?!”
- Po.
- Betohem në Allahun se, ajo, edhe sikur mos të ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Prandaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5107

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Nuk bashkohet gruaja nën një kurorë me hallën e saj

5108. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Asimi nga Shabiu se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar që gruaja të bashkohet nën një kurorë me hallën a tezen e saj.

Këtë e kanë transmetuar edhe Davudi dhe Ibn Avniu nga Shabiu, e ky nga Ebu Hurejra.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5108

Fjalë të panjohura?

5109. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet që gruaja të bashkohet nën një kurorë me hallën a tezen e saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5109

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5110. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Kabisa ibn Dhuejbi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar që gruaja të bashkohet nën një kurorë me hallën a tezen e saj.
Së këndejmi, njëjtë e llogarisim tezen e babait të saj.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5110

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5111. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Urve më ka treguar se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndaloni martesat nga gjidhënia siç i keni të ndaluara ato nga gjaku.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5111

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Martesa shigar

,

5112. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar martesën e llojit shigar.
Martesa e llojit shigar nënkupton: ta martojë vajzën me dikë, me kusht që ai ta martojë vajzën e tij me të, pa u dhënë mehër nuseve.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5112

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: A i lejohet gruas që t'ia vetafrojë dikujt vetveten?

5113. Nga: Urve ibn Zubejri

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Hishami se Urve tregon: “Havle bint Hakimi ishte një nga gratë që ia vetafroi vetveten Pejgamberit ﷺ. Aishja kishte thënë: “A nuk i vjen turp një gruaje që t'i vetafrojë vetveten një burri?” E, pasi zbriti ajeti: “Ti mund të largosh kë të duash prej tyre...”, (Ahzab, 51) Aishja tha: “O i Dërguari i Allahut, kam përshtypjen se Zoti yt po shpejton në realizimin e dëshirave të tua.”

Këtë e kanë transmetuar edhe Ebu Seid Muedibi, Muhamed ibn Bishri dhe Abde nga Hishami, e ky nga i ati, e ky nga Aishja, duke plotësuar njëri-tjetrin.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5113

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Martesa e muhrimit

5114. Nga: Abdullah ibn Abasi

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u martua duke qenë në ihram.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5114

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Në fund, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar martesën mut’a

,

5115. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e këtij i ka rrëfyer Hasen ibn Muhamed ibn Aliu dhe vëllai i tij, Abdullahu, se Muhamed ibn Aliu tregon se Aliu i ka thënë Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar martesën mut'a dhe mishin e gomarit në Hajber.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5115

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5116. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe se Ebu Xhemra tregon: “Kur Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u pyet për martesën mut'a, bëri lehtësim. Një rob i tij i liruar i tha: “Kjo vlen kur ndodhemi në vështirësi dhe ka pak gra, apo diçka të ngjashme?”
- Po, - i tha Ibn Abasi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5116

Fjalë të panjohura?

5117. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

5117. 5118. Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri nga Hasen ibn Muhamedi se Xhabir ibn Abdullahu dhe Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë: “Në një prej betejave, erdhi lajmëtari i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe tha: “Ju është lejuar martesa mut'a, andaj mund ta praktikoni!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5117

Fjalë të panjohura?

5118. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

5117. 5118.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5118

Fjalë të panjohura?

5119. Nga: Seleme ibn Ekvai

Ibn Ebu Dhiëbi na ka thënë: Më ka treguar Ijas ibn Seleme ibn Ekvai se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo burrë dhe grua që bëjnë marrëveshje (për martesë mut'a), bashkëjetesa e tyre të jetë tri net. E, nëse dëshirojnë ta zgjasin (afatin, le ta zgjasin) ose ta ndërpresin, atëherë le ta ndërpresin.” Seleme shtoi: “Nuk e di nëse kjo ishte vetëm për ne (sahabët) apo për të gjithë njerëzit.”
Buhariu thotë: “Aliu, duke përcjellë nga Pejgamberi ﷺ, ka sqaruar se kjo dispozitë është shfuqizuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5119

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Femra i propozon veten një burri të mbarë

5120. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Merhumi se Thabit Bunaniu tregon: “Teksa po qëndroja me Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku ndodhej edhe një nga bijat e tij, ai tha: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia propozoi vetveten (për martesë), duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, a ke nevojë për mua?” Atëherë, e bija e Enesit tha: “Sa e paturp! Turp i qoftë! Turp i qoftë!”
- Ajo është më e mirë se ti. Lakmoi në Pejgamberin ﷺ, andaj ia propozoi vetveten, - i tha Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5120

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5121. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua ia propozoi vetveten Pejgamberit ﷺ. Një burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut! Martoje me mua!”
- “A ke diçka për t'i ofruar (për mehër)?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam asgjë! - iu përgjigj ai.
- “Shko dhe kërko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!”
Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Jo, për Allahun, nuk gjeta asgjë, madje as një unazë prej hekuri. E po, ja ku e kam izarin, le ta marrë ajo gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk kishte rida.”
- “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe Pejgamberi ﷺ e pa (se donte të largohej), andaj e thirri ose dërgoi dikë për ta thirrur, e në atë rast i tha:
- “Di Kuran përmendsh ti?”
- Di këtë sure dhe atë sure, - tha ai duke i numëruar.
- “Po të martojmë me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5121

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Njeriu ua propozon të bijën a motrën e vet njerëzve të mirë

5122. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton rrëfimin e Omerit, kur Hunejs ibn Hudhafe Sehmiu, një shok i të Dërguarit të Allahut ﷺ, vdiq në Medinë dhe e la Hafsë bint Omerin të ve. Ai rrëfen: “Shkova tek Othman ibn Afani dhe ia propozova Hafsën.” Ai tha: “Do të mendohem.” Prita disa net, pastaj më takoi dhe më tha: “Kam vendosur që, për momentin, të mos martohem. Pastaj e takova Ebu Bekrin dhe i thashë: “Nëse do, po ta jap Hafsë bint Omerin për grua.” Ebu Bekri heshti e nuk më tha asgjë. Kjo më hidhëroi më shumë sesa e Othmanit. Pas disa netësh, i Dërguari i Allahut ﷺ e kërkoi dorën e saj, kështu që ia dhashë për grua. Kur Ebu Bekri më takoi, më tha: “Ndoshta më je hidhëruar që nuk t'u përgjigja kur ma propozove Hafsën?” I thashë: “Po.” Ai më tha: “Gjëja e vetme që më pengoi të të përgjigjem ishte fakti se i Dërguari i Allahut ﷺ e pati përmendur Hafsën. Nuk desha ta përhap sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Sikur ta linte ai, unë do ta pranoja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5122

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5123. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezid ibn Ebu Habibi, e ky nga Irak ibn Maliku, e këtij i ka rrëfyer Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Ndër ne po përflitet se ti do të martohesh me Durre bint Ebu Selemen?”
- “Ta bashkoj me Umu Selemen?! Edhe sikur të mos isha i martuar me Umu Selemen, nuk do të më lejohej, sepse babai i saj është vëllai im nga qumështi”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5123

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t’i kërkoni apo nëse këtë qëllim e fshihni në shpirtin tuaj. Allahu e di se do të mendoni për ato, por mos u premtoni atyre fshehurazi, vetëm nëse bisedoni me to ndershmërisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.”

5124. Nga: Abdullah ibn Abasi

Talku më ka thënë: Na ka treguar Zaide nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t'i kërkoni...” (Bekare, 235), ka thënë: “Pra, i thotë: “Unë dua të martohem dhe kam dëshirë të më lehtësohet martesa me një grua të mirë.”
Kasimi ka thënë: “Ai i thotë: “Ti për mua je fisnike, kështu që po të lakmoj ty dhe se Allahu do të ta sjellë të mirën!” - a diçka të këtillë.”
Atai ka thënë: “I shprehet tërthorazi, jo qartazi, duke i thënë: “Unë kam nevojë dhe përgëzohu, se ti je shumë e kërkuar, elhamdulilah.” Ajo i thotë: “Të dëgjova çfarë the.” Mirëpo nuk i premton asgjë e as kujdestari i saj nuk premton diçka pa dijen e saj. Nëse ajo i premton dikujt derisa është në afatin e pritjes,1 pastaj martohen, nuk detyrohen të ndahen.
Haseni ka thënë: “... por mos u premtoni atyre fshehurazi...” nënkupton zinanë.
Tregohet se Ibn Abasi, në lidhje me ajetin: “... para se të kalojë afati i paraparë i pritjes...”, (Bekare, 235) ka thënë: “Të përfundojë afati i pritjes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5124

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Të shohësh femrën para martesës

5125. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Të kam parë në ëndërr: një melek duke të të sjellë, e ti ishe në një petk prej mëndafshi.” Ai më tha: “Kjo është gruaja jote!” Unë e zbulova petkun prej fytyrës sate, kur, ja, më dole ti. Pastaj thashë: “Nëse kjo (ëndërr) është prej Allahut, Ai do ta bëjë realitet!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5125

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5126. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jakubi nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta ofroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ ktheu kokën nga ajo, e shikoi mirë, pastaj e uli kokën. Kur gruaja pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diç për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut, - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi dhe u kthye, pastaj tha: “Për Allahun, nuk paskam asgjë.”
- “Kërko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Shkoi prapë dhe, kur u kthye, tha: “Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë gjysmën.” Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “Çfarë të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë. Pastaj u ngrit dhe, kur Pejgamberi ﷺ e pa se donte të largohej, urdhëroi ta thërrisnin. Kur erdhi, i tha: “Sa pjesë të Kuranit di ti përmendsh?”
- Di këtë sure dhe atë sure, - tha ai dhe i numëroi.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - tha ai.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5126

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë: "Nuk ka martesë pa lejen e kujdestarit."

Allahu i Madhëruar ka thënë: - “Kur t’i lini gratë të lira dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...”(Bekare, 232) Ky ajet përfshin të venë dhe beqaren. - “... Mos i martoni muslimanet me paganë, derisa ata të bëhen besimtarë....” (Bekare, 221) - “ Martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju...” (Nur, 32)

5127. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu nga Junusi. [t]: Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Martesa në periudhën paraislame bëhej në katër forma:
1. Njëra formë ishte sikurse martesa e sotme: njeriu ia kërkon dikujt të afërmen a vajzën e tij, ia jep mehrin dhe martohet me të.
2. Forma tjetër ishte: burri i thoshte gruas së tij, pasi ajo pastrohej nga menstruacionet: “Shko te filani dhe bëj marrëdhënie intime me të.” Kështu, burri i saj largohej dhe nuk i afrohej, derisa të qartësohej nëse ishte shtatzënë me burrin e dytë, me të cilin kishte bërë marrëdhënie intime. Kur dallohej gjendja e shtatzënisë, burri i saj mund të kryente marrëdhënie me të, nëse kishte dëshirë. E gjithë kjo bëhej për t'i lindur fëmijë. Kontrata e këtillë martesore quhej martesa e kërkimit të marrëdhënieve intime.
3. Forma tjetër: një grup njerëzish, më pak se dhjetë persona, mblidheshin, hynin te një grua dhe të gjithë bënin marrëdhënie me të. E, pasi ajo mbetej shtatzënë, lindte dhe kalonin disa net pas lindjes, atëherë ajo i thërriste ata, ashtu që asnjëri prej tyre nuk mund të refuzonte. Pasi ata mblidheshin tek ajo, ajo u thoshte: “Ju e dini çfarë keni bërë, ndërkaq unë kam lindur.” E, duke thirrur dikë prej tyre, i thoshte: “Ky fëmijë është yti, o filan.” Kështu, fëmija i jepej atij dhe ai nuk kishte të drejtë ta refuzonte atë.
4. Martesa e katërt: shumë njerëz mblidheshin dhe hynin te një grua, ndërkaq ajo nuk refuzonte asnjërin që i shkonte. Këto ishin laviret. Ato vendosnin flamuj në dyert e tyre, si shenjë për një gjë të tillë. E, kush dëshironte, hynte tek ato. Nëse ndonjëra mbetej shtatzënë e pastaj e lindte fëmijën, ata mblidheshin dhe thërrisnin disa njohës të ngjashmërisë mes njerëzve. Ata ia jepnin fëmijën personit që mendonin se ishte i tiji. Kështu, ia atribuonin atij dhe fëmija konsiderohej i tiji, ndërkohë ai nuk mund ta refuzonte.
E, kur Muhamedi ﷺ u dërgua me të vërtetën, i shfuqizoi të gjitha martesat paraislame, përpos martesës që njerëzit e bëjnë sot.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5127

Fjalë të panjohura?

5128. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...”, (Nisa, 127) ka thënë: “Ky ajet flet për jetimen që është nën përkujdesjen e ndokujt, e ndoshta është edhe ortake e tij në pasuri. Kujdestari i saj është më parësori për t'u martuar me të, porse nuk ka dëshirë të martohet me të. Kështu, e pengon dhe nuk e marton me dikë tjetër, sepse lakmon në pasurinë e saj dhe nuk do që dikush t'i bëhet ortak në pasurinë e saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5128

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5129. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton rrëfimin e Omer ibn Hatabit, kur Ibn Hudhafe Sehmiu, një shok i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe pjesëmarrës në Bedër, vdiq në Medinë dhe e la Hafsë bint Omerin të vejë. Ai tregon: “E takova Othman ibn Afanin dhe ia propozova Hafsën duke i thënë: “Nëse do, po ta jap Hafsën për grua.” Ai tha: “Do të mendohem.” Prita disa net, pastaj më tha: “Kam vendosur që, për momentin, të mos martohem.” Pastaj e takova edhe Ebu Bekrin e i thashë: “Nëse do, po ta jap Hafsën për grua.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5129

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5130. Nga: Makil ibn Jesari

Ahmed ibn Ebu Amri na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ibrahimi nga Junusi, e ky nga Haseni se Makil ibn Jesari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ajeti: “... mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...”, (Bekare, 232) ka zbritur për mua. Unë e pata martuar motrën time me një burrë, i cili e shkurorëzoi dhe, pasi kaloi afati i pritjes, ai erdhi sërish për ta kërkuar. Unë i thashë: “Të kam martuar e të kam bërë me shtrat dhe të kam nderuar, por ti e shkurorëzove, e tash erdhe ta kërkosh sërish?!” Jo, për Allahun, ajo kurrë nuk do të kthehet te ti! Ai ishte burrë i mirë dhe gruaja kishte dëshirë t'i kthehej.” Kështu, Allahu e zbriti këtë ajet: “... mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre...” Atëherë thashë: “Eh, tani po! Do ta bëj, o i Dërguari i Allahut.” Dhe e martova sërish me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5130

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

38. Nënkapitulli: Nëse kujdestari është ai që e kërkon për martesë

Mugire ibn Shube kërkoi për martesë një grua, kujdestari më i afërt i së cilës ishte vetë ai. Kështu, Mugire autorizoi një njeri dhe ai e kurorëzoi me atë grua. Abdurrahman ibn Aufi i tha Umu Hakim bint Karidhit: - A më autorizon mua për ty (për martesë)? - Po, - i tha ajo. - Atëherë, po martohem unë me ty, - i tha Abdurrahmani. Atai ka thënë: "Vetë kujdestari le të dëshmojë: "Unë martohem me ty, ose le të urdhërojë një të afërm të saj (që të dëshmojë)." Sehli ka thënë: "Një grua i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: "Po të vetofrohem. Në atë rast, dikush tha: "O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!"

5131. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Hishami nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “Ata prej teje (o Muhammed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Allahu ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to, (dhe ju mëson) për fëmijët e mitur dhe (ju urdhëron) që të silleni drejt ndaj bonjakëve. E, Allahu, e di mirë për çdo të mirë që punoni”, (Nisa, 127) ka thënë: “Fjala është për jetimen, që është nën përkujdesje të një burri dhe, njëherazi, është ortake në pasurinë e tij. Mirëpo, ai nuk ka dëshirë të martohet me të e as ta martojë me dikë tjetër, që t'i bëhet ortak në pasurinë e tij, rrjedhimisht e pengon martesën e saj. Kështu, Allahu ua ndaloi një gjë të tillë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5131

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5132. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ahmed ibn Mikdami na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me Pejgamberin ﷺ, një grua erdhi dhe ia propozoi vetveten. Pejgamberi ﷺ e shikoi poshtë e lart, por nuk i pëlqeu. Njëri nga shokët e tij tha:
- O i Dërguari i Allahut! Martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar (për mehër)?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam asgjë!
- “As dhe një unazë hekuri!?”
- As unazë hekuri, por po e ndaj këtë xhyben time në dysh dhe po ia jap gjysmën, - tha ai.
- “Jo”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ: - “A di diçka përmendsh nga Kurani?”
- Po.
- “Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5132

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

39. Nënkapitulli: Burri i kurorëzon fëmijët e tij të vegjël

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Njësoj është edhe për ato që nuk u janë paraqitur menstruacionet....” (Talak, 4) Pra, afatin e saj të pritjes e ka bërë tre muaj, ende pa arritur pubertetin.

5133. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ishte fejuar me të kur ajo ishte gjashtëvjeçare, ishte martuar me të në moshën nëntëvjeçare dhe ka jetuar me të nëntë vjet.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5133

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

40. Nënkapitulli: Babai e marton të bijën me prijësin

Omeri ka thënë: "Pejgamberi ﷺ ma kërkoi Hafsën dhe e martova me të."

5134. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ishte fejuar me të kur ajo ishte gjashtëvjeçare dhe se ishte martuar me të në moshën nëntëvjeçare.
Hishami shton: “Jam informuar se ajo ka jetuar me të nëntë vjet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5134

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?