68. Shkurorëzimi
1. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “O Pejgamber! Nëse i ndani gratë, ndajini ato para kohës së tyre të pritjes dhe llogaritni kohën e tyre të pritjes..."
Sipas sunetit, shkurorëzimi duhet të bëhet pasi femra të pastrohet nga menstruacionet, ende pa bërë marrëdhënie me të, si dhe bëhet në praninë e dy dëshmitarëve.
5251. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e shkurorëzova gruan sa ishte me menstruacione. Atëherë, Omer ibn Hatabi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj, e në atë rast ai iu përgjigj: “Urdhëroje që ta kthejë gruan dhe le ta mbajë derisa të pastrohet, e pastaj t'i vijnë menstruacionet sërish, pastaj të pastrohet. Pas kësaj, nëse do, le ta mbajë, e, nëse jo, le ta lëshojë pa e prekur (pa bërë marrëdhënie). Pra, ky është afati i pritjes (ideti) në të cilin Allahu ka urdhëruar që të lëshohen gratë.”
2. Nënkapitulli: Nëse gruaja lëshohet përgjatë menstruacioneve, shkurorëzimi llogaritet i vlefshëm
5252. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Enes ibn Sirini se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “E shkurorëzova gruan time sa ishte me menstruacione. Kështu, Omeri i tregoi Pejgamberit ﷺ e ai tha: “Le ta kthejë gruan!”
Enes ibn Sirini pyeti: “A llogaritet (shkurorëzim)?”
- Po, e çka tjetër!? - tha Ibn Omeri.
Katadja transmeton nga Junus ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Omeri (se Pejgamberi ﷺ tha): “Urdhëroje ta kthejë gruan.”
Junus ibn Xhubejri pyeti: “A llogaritet (shkurorëzim)?”
- Çfarë thua nëse është i paaftë dhe i pamatur, - tha ibn Omeri.”
5253. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Mua m'u llogarit një shkurorëzim (prej tri shkurorëzimeve).”
3. Nënkapitulli: Dispozita e atij që shkurorëzon dhe se a i drejtohet burri gruas së tij me shkurorëzim?
5254. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Velidi se Evzaiu tregon: “E pyeta Zuhriun: “Cila prej grave të Pejgamberit ﷺ ka kërkuar mbrojtjen e Allahut ndaj tij?” Zuhriu tha: “Më ka treguar Urve nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të ketë thënë: “Kur e bija e Xheunit shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ (ditën e martesës) dhe ai iu afrua, ajo tha: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut ndaj teje.” Atëherë ai i tha: “Kërkove mbrojtjen prej Madhështorit, kështu që shko te familja jote!”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Haxhaxh ibn Ebu Meniu na ka transmetuar nga gjyshi i tij, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja ka thënë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5254
Fjalë të panjohura?
5255. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Gasili nga Hamza ibn Ebu Usejdi se Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dolëm me Pejgamberin ﷺ derisa arritëm te një kopsht që quhej Sheut. Pasi arritëm te dy mure të tij dhe u ulëm mes tyre, Pejgamberi ﷺ tha: “Uluni këtu.” Ai hyri brenda, ndërkohë e kishin sjellë Xheunijen dhe e kishin futur në një shtëpi palmash të Umejme bint Numan ibn Sherahilit. Ajo ishte së bashku me gjidhënësen e saj. Kur Pejgamberi ﷺ hyri tek ajo, i tha: “Ma fal veten tënde mua (për martesë).”
- A e fal mbretëresha veten e saj për një njeri të thjeshtë? - tha ajo.
Pejgamberi ﷺ e zgjati dorën e tij që ta qetësojë, mirëpo ajo tha: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut ndaj teje.” Atëherë ai i tha: “Kërkove mbrojtjen prej Mbrojtësit.” Pastaj doli te ne dhe tha: “O Ebu Usejd, jepja dy rroba liri, le t'i veshë dhe dërgoje te familja e saj.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5255
Fjalë të panjohura?
5256. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
5256. 5257. Husejn ibn Velid Nejsaburiu transmeton nga Abdurrahmani, e ky nga Abas ibn Sehli se babai i tij Ebu Usejdi dhe Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë: “Kur Pejgamberi ﷺ u martua me Umejme bint Sherahilin, ia sollën atë dhe, kur ai ﷺ e zgjati dorën nga ajo, ajo sikur e urreu këtë. Atëherë Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Ebu Usejdin që ta përgatitë (për t'u kthyer) dhe t'ia japë dy rroba liri për t'i veshur.”
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: “Këtë na ka treguar Ibrahim ibn Ebu Veziri, e këtij i ka treguar Abdurrahmani nga Hamzai, e ky nga i ati, e ky nga Abas ibn Sehël ibn Sadi, e ky nga i ati.”
5257. Nga: Ebu Usejd Malik Saidiu
5256. 5257.
Referenca: Sahihu i Buhariut 5257
Fjalë të panjohura?
5258. Nga: Abdullah ibn Omeri
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahjai, e ky nga Katadja se Ebu Gajlan Junus ibn Xhubejri tregon: “E pyeta Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) nëse një njeri e shkurorëzon gruan e tij në kohën e menstruacioneve. Ai më tha: “A e njeh ti Ibn Omerin?” Pastaj shtoi: “Ibn Omeri e ka lëshuar gruan e tij teksa ajo ishte me menstruacione. Kështu, Omeri shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi për këtë. Pejgamberi ﷺ e urdhëroi që ta kthejë gruan, e, pasi ajo të pastrohet, nëse dëshiron ta lëshojë, le ta lëshojë atë.” I thashë: “A është llogaritur ky shkurorëzim?” Më tha: “(E si jo) Kur unë isha i paaftë dhe i pamatur.”
4. Nënkapitulli: Ai që i lejon tri shkurorëzime (përnjëherë)
Fjala e Allahut të Madhëruar: “Shkurorëzimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë; (e pastaj) ose të mbahet me arsye, ose të ndahen me të mirë. (Bekare, 229) Ibn Zubejri, në lidhje me të sëmurin (në prag të vdekjes) që e lëshon gruan, ka thënë: "Ajo që është lëshuar tri herë, nuk trashëgon." Ndërkaq, Shabiu ka thënë: "Ajo trashëgon." Ibn Shubrume e pyeti (Shabiun): "A martohet ajo pasi t’i përfundojë ideti (ende pa vdekur burri i sëmurë)?" - Po, - tha ai. - Po nëse (gjatë kësaj kohe) edhe burri i dyti vdes, (si të trashëgojë nga të dy)? - pyeti Shubrume. Atëherë Shabiu u kthye nga mendimi që kishte.
5259. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmir Axhlani vajti tek Asim ibn Adij Ensariu dhe i tha: “O Asim! Çka thua për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë? O Asim pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj.” Asimi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ i urrente pyetjet (për gjërat që ende s'kishin ndodhur) dhe i qortonte, saqë i erdhi rëndë Asimit për atë që e dëgjoi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Pasi Asimi u kthye te familja e tij, i vajti Uvejmiri e i tha: “O Asim, çka të tha i Dërguari i Allahut ﷺ?”
- Ti nuk më erdhe me të mira (pyetje me vend)! I Dërguari i Allahut e urreu pyetjen të cilën e ke parashtruar ti, - tha Asimi.
- Për Allahun, nuk do të ndalem derisa vetë ta pyes për këtë, - tha Uvejmiri, pastaj u kthye derisa arriti tek i Dërguari i Allahut ﷺ në mes të njerëzve dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për një burrë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti shpallje për ty dhe për gruan tënde, andaj shko dhe sille atë.”
Sehli shtoi: “Ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian), kurse unë isha me njerëzit tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pasi e mbaruan, Uvejmiri tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem gënjeshtar ndaj saj.” Kështu, e lëshoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ibn Shihabi tha: “E tillë mbeti tradita e bashkëshortëve që mallkohen mes vete.”
5260. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Rifa Kuredhiut erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Rifai më lëshoi me shkurorëzim përfundimtar (të pakthyeshëm). Pas tij u martova me Abdurrahman ibn Zubejr Kuredhiun, por ai ka (organ) sikurse një cep rrobe (të vogël).” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Dëshiron të kthehesh te Rifai? Jo, pa i shijuar ti marrëdhëniet intime me të (Abdurrahmanin) e ai me ty.”
5261. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e lëshoi gruan e tij tri herë (shkurorëzim të pakthyeshëm). Pastaj, ajo u martua (me dikë tjetër) dhe prapë u lëshua (pa bërë marrëdhënie). Atëherë e pyetën Pejgamberin ﷺ se a i lejohet burrit të parë (të martohet prapë me të).”
- “Jo, pa i shijuar ky marrëdhëniet me të siç i ka shijuar i pari”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5261
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Ai që ua mundëson grave të zgjedhin (vazhdimin e kurorës apo shkurorëzimin)
Fjala e Allahut të Madhëruar: “... Thuaju grave të tua: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e udhës.” (Ahzab, 28)
5262. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Muslimi nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ neve (grave të tij) na e ka mundësuar zgjedhjen (vazhdimin e kurorës ose shkurorëzimin), mirëpo ne e zgjodhëm Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ. Kjo nuk na është llogaritur asgjë (shkurorëzim).”
5263. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ismaili, e këtij i ka treguar Amiri se Mesruku tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për zgjedhjen (vazhdimin e kurorës ose shkurorëzimin), e në atë rast ajo tha: “Pejgamberi ﷺ na e ka mundësuar zgjedhjen. Vallë, paska qenë shkurorëzim?!”
Mesruku shtoi: “Pasi gruaja ime të më ketë zgjedhur mua, unë nuk mërzitem nëse ia mundësoj asaj të zgjedhë, një apo njëqind herë.”
6. Nënkapitulli: Nëse i thotë (gruas): "Të ndava, të lëshova, ti je e lënë, ti je e lirë dhe çdo fjalë që aludon në shkurorëzim, atëherë kjo llogaritet sipas nijetit të tij
Fjala e Allahut të Madhëruar: “... dhe i lëshoni në mënyrë të mirë (njerëzore).” (Ahzab, 49) Dhe: “... dhe do t’ju lëshoj në mënyrë të bukur (njerëzishme).” (Ahzab, 28) Dhe: “... ose të mbahet me arsye, ose të ndahen me të mirë.” (Bekare, 229) Dhe: “... ose ndahuni me to në mënyrë të pëlqyeshme.” (Talak, 2) Aishja ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e ka ditur se prindërit e mi nuk do të më urdhëronin që të ndahem prej tij."
7. Nënkapitulli: Ai që i thotë gruas së vet: "Ti për mua je bërë haram."
Haseni ka thënë: "Kjo llogaritet sipas nijetit që ka." Dijetarët kanë thënë: "Nëse e shkurorëzon tri herë, ajo i bëhet haram atij. Ata e quajtën haram, qoftë me shkurorëzim, qoftë me ndarje. Kjo nuk është si ai që e bën haram ushqimin, sepse ushqimit hallall nuk i thuhet haram, porse asaj që është shkurorëzuar i thuhet haram. Për shkurorëzimin që bëhet tri herë, Allahu ka thënë: “... pas atij (shkurorëzimit për herë të tretë) nuk i lejohet më derisa ajo të martohet me një burrë tjetër...” (Bekare, 230)
5264. Nga: Abdullah ibn Omeri
Lejthiu ka thënë: Nafiu tregon: “Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pyetej për atë që e shkurorëzon gruan tri herë, thoshte: “Nëse e ke shkurorëzuar një herë ose dy herë (ke të drejtë ta kthesh), sepse Pejgamberi ﷺ më ka urdhëruar kështu, e, nëse e shkurorëzon tri herë, ajo të bëhet haram, derisa të martohet me një burrë tjetër.”
5265. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri e shkurorëzoi gruan e tij, e pastaj ajo u martua me një burrë tjetër, i cili po ashtu e shkurorëzoi, sepse kishte organ (të vogël) sikurse një cep rrobe dhe nuk arriti t'i përmbushë nevojat e saj. Pasi ai e shkurorëzoi, ajo shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, burri im më shkurorëzoi (me shkurorëzim të pakthyeshëm), e pas tij u martova me një burrë tjetër, por, kur hyri tek unë, ai kishte (organin) sikurse një cep rrobe, rrjedhimisht më është afruar vetëm një herë, pa arritur të bëjë marrëdhënie me mua. Prandaj, a i lejohem burrit tim të parë?”
I Dërguar i Allahut ﷺ i tha: “Nuk i lejohesh burrit të parë pa i shijuar burri tjetër marrëdhëniet intime me ty dhe pa i shijuar ti me të.”
8. Nënkapitulli: Ajeti: “... Pse po ia bën haram vetes atë që Allahu ta ka lejuar...”
5266. Nga: Abdullah ibn Abasi
Hasen ibn Sabahu më ka thënë, se e ka dëgjuar Rebi ibn Nafiun, e këtij i ka treguar Muaviu nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Jala ibn Hakimi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nëse e bën haram gruan e vet, nuk llogaritet shkurorëzim.” Pastaj lexoi: “Në të Dërguarin e Allahut keni shembullin më të mirë...” (Ahzab, 21)
5267. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Hasen ibn Muhamed ibn Sabahu më ka thënë: Na ka treguar Haxhaxhi nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Atai, e ky e ka dëgjuar Ubejd ibn Umejrin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ rrinte te Zejnebe bint Xhahshi dhe hante mjaltë, andaj unë dhe Hafsa u morëm vesh që, kur Pejgamberi ﷺ të vijë te cilado prej nesh, t'i themi: “Po të vjen era megafir. Vallë, ke ngrënë megafir?” Kështu, një ditë ai erdhi te njëra dhe ajo ia tha fjalët e mësipërme. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jo. Kam ngrënë mjaltë te Zejnebe bint Xhahshi, por nuk do të ha më.” Atëherë zbritën ajetet e para të sures Tahrim: “O Pejgamber! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu ty, në kërkimin e kënaqësisë së grave tuaja. E, Allahu është falës dhe mëshirues. Allahu ju ka bërë të mundshme që të liroheni nga betimet tuaja; Allahu është Zoti juaj; Ai është i Dijeplotë dhe i Urtiplotë. Kur Pejgamberi ia tregoi një fjalë të fshehtë njërës prej grave të tij; e ajo pastaj e shpalli këtë fjalë, - e Allahu ia zbuloi këtë Pejgamberit, - ai një pjesë të këtij zbulimi e tregoi, kurse pjesën tjetër e heshti. Kur Pejgamberi e informoi atë (gruan) për këtë fshehtësi, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty për këtë (se nuk e paskam ruajtur bisedën e fshehtë)?” Ai i tha: “Ma tregoi Ai që di gjithçka dhe të Cilit çdo gjë i është e njohur. Nëse ju të dyja pendoheni tek Allahu...” (Tahrim, 1-4) Ky ajet kishte për qëllim Aishen dhe Hafsën. Ndërkaq ajeti: “Kur i Dërguari i tregoi një fjalë të fshehtë njërës prej grave të tij...” (Tahrim, 3) ka për qëllim fjalët e tij: “Jo. Kam ngrënë mjaltë...”
5268. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ferve ibn Ebu Magrai na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin mjalti dhe ëmbëlsirat. Pasi e falte namazin e ikindisë, shkonte te gratë e tij dhe ndodhte që ndonjërës t'i afrohej. Një ditë shkoi te Hafsa bint Omeri dhe qëndroi më shumë se zakonisht. Unë xhelozova dhe kur pyeta rreth kësaj, dikush më tha: “Një familjare e saj i ka dhuruar një enë mjaltë dhe Hafsa i ka dhënë Pejgamberit ﷺ për të ngrënë. Si pasojë, thashë: “Për Allah, do t'ia bëjmë një hile.” Kështu, i thashë Sevdë bint Zemës: “Ai do të të afrohet ty, prandaj thuaji: “Ke ngrënë megafir?” Ai do të të thotë: “Jo”, pastaj thuaji: “Përse po të vjen kjo erë?” Ai do të të thotë: “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” Ti thuaji: “Bletët, pra, paskan kullotur në drunj të megafirit.” Unë kam për t'i thënë ashtu, e njëjtë thuaji edhe ti, oj Safije.” Sevda rrëfen: “Për Allah, sapo erdhi te dera, veprova siç më the ti, pasi të kisha frikë.” (Aishja vazhdon:) “Kur iu afrua, Sevda i tha: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?”
- “Jo”, - tha ai.
- Përse po të vjen kjo erë?
- “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.”
- Bletët paskan kullotur në drunj të megafirit, pra, - i tha ajo.
Kur erdhi tek unë, edhe unë ia thashë të njëjtat fjalë. Pastaj shkoi te Safija, edhe ajo ia tha të njëjtat fjalë. Si pasojë, kur shkoi herën tjetër te Hafsa dhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, të të ofroj mjaltë?”
- “Nuk më duhet”, - i tha ai.
Sevda më pati thënë: “Për Allah, e lamë pa mjaltë!” I thashë: “Hesht moj!”
9. Nënkapitulli: Nuk ka shkurorëzim pa u bërë kurorëzimi
Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, kur të keni lidhur kurorë me besimtaret e pastaj i lëshoni ato para se të keni kontaktuar me to, ju nuk keni të drejtë të kërkoni që ato të presin afatin e caktuar (idetin), por jepuni diçka atyre dhe lironi në mënyrë të njerëzishme.” (Ahzab, 49) Ibn Abasi ka thënë: "Allahu e ka bërë shkurorëzimin pas kurorëzimit." Transmetohet nga: "Aliu, Seid ibn Musejebi, Urve ibn Zubejri, Ebu Bekër ibn Abdurrahmani, Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbei, Eban ibn Othmani, Ali ibn Husejni, Shurejhi, Seid ibn Xhubejri, Kasimi, Salimi, Tavusi, Haseni, Ikrime, Atai, Amir ibn Sadi, Xhabir ibn Zejdi, Nafi ibn Xhubejri, Muhamed ibn Kabi, Sulejman ibn Jesari, Muxhahidi, Kasim ibn Abdurrahmani, Amër ibn Heremi dhe Shabiu, se ajo (e pa kurorëzuara) nuk shkurorëzohet."
10. Nënkapitulli: Nëse i thotë gruas së tij, kur është i detyruar: "Kjo është motra ime." Atëherë nuk llogaritet gjë."
Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Ibrahimi për Sarën ka thënë: "Kjo është motra ime." Ngase kjo vëllazëri ishte për hir të Allahut."
11. Nënkapitulli: Shkurorëzimi në kulmin e zemërimit, në rastin e detyrimit, kur është i dehur, i çmendur dhe çështja e këtyre dy të fundit. Gabimi e harresa në shkurorëzim dhe në shirk a të ngjashme
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat janë sipas nijetit dhe çdo personi i takon ajo që ka bërë nijet.” Shabiu lexoi: “Mos na merr në përgjegjësi nëse harrojmë apo gabojmë...” (Bekare, 286) Çfarë nuk lejohet t’i miratohet vesveseliut? Pejgamberi ﷺ i tha atij që pranoi zinanë: “A je i çmendur?” Aliu ka thënë: "Hamzai i shpoi devetë e mia në bel. Atëherë, Pejgamberi ﷺ filloi ta qortojë Hamzain, kur ja, ai ishte i dehur, me sy të skuqur dhe tha: "Vallë, mos jeni diçka tjetër përveçse robër të babait tim? Pejgamberi ﷺ e kuptoi se ai ishte i dehur, andaj doli nga aty, e edhe ne dolëm me të. Othmani ka thënë: Të çmendurit dhe të dehurit nuk i llogaritet shkurorëzimi." Ibn Abasi ka thënë: "Të dehurit dhe të detyruarit nuk u lejohet të shkurorëzojnë." Ukbe ibn Amiri ka thënë: "Vesveseliut nuk i lejohet të shkurorëzojë." Atai ka thënë: "Nëse dëshiron të shkurorëzojë, i lejohet të vendosë kushte." Nafiu pyeti: "Po nëse një njeri e shkurorëzon gruan e tij me shkurorëzim përfundimtar, (me kusht) nëse del nga shtëpia?" Ibn Omeri u përgjigj: "Nëse ajo del, atëherë shkurorëzohet përfundimisht prej tij, e, nëse nuk del, nuk llogaritet gjë." Zuhriu ka thënë: "Ai që thotë: "Nëse nuk bëj kështu e ashtu, atëherë gruaja ime është e shkurorëzuar tri herë, - pyetet çka ka dashur të thotë dhe çka ka pasur për qëllim kur është betuar me atë betim. Nëse ai përmend një afat të cilin e ka synuar dhe e ka pasur për qëllim kur është betuar, atëherë kjo i lihet devotshmërisë dhe besnikërisë së tij." Ibrahimi ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Unë nuk kam nevojë për ty, - shikohet sipas nijetit që ka. Shkurorëzimi në çdo popull bëhet sipas gjuhës që ka." Katadja ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Nëse mbetesh shtatzënë, atëherë ti je e shkurorëzuar tri herë, - ky bën marrëdhënie me të vetëm një herë në kohën kur është e pastër, e, nëse mbetet shtatzënë, atëherë ajo shkurorëzohet përfundimisht prej tij." Haseni ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Shko te familja jote, - shikohet sipas nijetit që ka." Ibn Abasi ka thënë: "Shkurorëzimi bëhet nëse ka nevojë për të, kurse lirimi i robit bëhet për të arritur shpërblimin e Allahut." Zuhriu ka thënë: "Nëse i thotë gruas së tij: "Ti nuk je gruaja ime, - kjo shikohet sipas nijetit që ka. Andaj, nëse e ka nijetin ta shkurorëzojë, atëherë bëhet ajo që e ka bërë nijet." Aliu ka thënë: "A e di se lapsi është ngritur (nuk shkruan) për tre persona: për të çmendurin derisa të kthjellohet, për fëmijën derisa të hyjë në moshën madhore dhe për të fjeturin derisa të zgjohet." Aliu ka thënë: "Çdo lloj shkurorëzimi është i lejuar, përveç atij që është budalla."
5269. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja nga Zurare ibn Eufai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu, umetit tim, nuk ia merr në konsideratë ato që u vërtiten në mendje, për sa kohë që nuk i punojnë a nuk i shqiptojnë.”
Katadja ka thënë: “Nëse e shkurorëzon (gruan e tij) vetëm me mendje (pa e shqiptuar), nuk llogaritet gjë.”
5270. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Esbegu na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në xhami, i vajti një pjesëtar i fisit eslem dhe i tha: “Kam bërë zina.” Por, Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli andej nga u kthye dhe dëshmoi ndaj vetes së tij katër herë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e thirri dhe i tha: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore? (Pastaj e pyeti:) A je i martuar?”
- Po, - tha ai.
Kështu, urdhëroi që të gurëzohet te namazgjahu. E, pasi e goditën me gurë, iku, derisa e zunë te pllaja, ku u vra.”
5271. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, i vajti një pjesëtar i fisit eslem, i cili e thirri e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dikush ka bërë zina”, - aludonte në veten e tij. Por, Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli andej nga u kthye e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dikush ka bërë zina!” Por, prapë Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli andej nga u kthye dhe ia tha të njëjtat fjalë. Por, përsëri Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër.
Pasi ai i doli andej nga u kthye për herë të katërt dhe dëshmoi ndaj vetes katër herë, Pejgamberi ﷺ e thirri e i tha: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, - i tha ai.
Së këndejmi, Pejgamberi ﷺ tha: “Merreni dhe gurëzojeni atë.”
Kjo, se ai ishte i martuar.”
5272. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Zuhriu na ka thënë: Më ka lajmëruar dikush që ka dëgjuar se Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Unë isha në mesin e atyre që e gurëzuan atë.” E gurëzuam te namazgjahu në Medinë. E, pasi e goditëm me gurë, iku, derisa e zumë te pllaja, ku e gurëzuam derisa vdiq.”
12. Nënkapitulli: Kërkesa e gruas për ndarje dhe mënyra e shkurorëzimit në këtë rast
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... E juve, nuk ju lejohet të merrni asgjë nga ato që iu keni dhuruar, përpos nëse këta të dy frikohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut...” (Bekare, 229) Omeri e lejonte hul’in pa praninë e sundimtarit. Othmani e lejonte hul’in, edhe nëse shpagimi bëhej me më pak se një lidhëse flokësh. Tavusi, në lidhje me ajetin: “... përpos nëse këta të dy frikohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut...”, ka thënë: "Në atë që ua ka obliguar secilit prej tyre në raport me njëri-tjetrin, në mirësjellje dhe në shoqërim. Pra, nuk i ka thënë fjalët e mendjelehtëve: "Nuk i lejohet atij (të marrë shpagim prej saj), vetëm nëse ajo thotë: "Më nuk do të pastrohem nga xhunubllëku (nuk do të bëj marrëdhënie me burrin)."
5273. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ez'her ibn Xhemili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab Thekafiu, e këtij i ka treguar Halidi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Thabit ibn Kajsit vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk kam vërejtje në moralin e as në fenë (e Thabit ibn Kajsit), mirëpo e urrej kufrin (mohimin) në Islam.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “A ia kthen kopshtin e tij?”
- Po, - tha ajo.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua Thabitit: “Merre kopshtin dhe shkurorëzoje atë!”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ky transmetim nuk fuqizohet nga dikush tjetër prej Ibn Abasit.”
5274. Nga: Ikrime, i çrobëruari i Ibn Abasit
Is'hak Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Halidi nga Halid Hadhai se Ikrime tregon se motra e Abdullah ibn Ubejit vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk kam vërejtje në fenë e as në moralin e Thabitit, mirëpo nuk po mund ta përballoj atë (për shkak të shëmtisë).” Pejgamberi ﷺ i tha: “A ia kthen kopshtin e tij?”
- Po, - tha ajo.
Kështu, ajo ia ktheu kopshtin, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Thabitin që ta shkurorëzojë atë.
Ibrahim ibn Tahmani transmeton nga Halidi, e ky nga Ikrime se Pejgamberi ﷺ i ka thënë atij: “Shkurorëzoje atë!”
5275. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Ebu Temime transmeton nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Thabit ibn Kajsit vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk kam vërejtje në fenë e as në moralin e Thabitit, mirëpo nuk po mund ta përballoj atë (për shkak të shëmtisë).” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “A ia kthen kopshtin e tij?”
- Po, - tha ajo.
5276. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Abdullah ibn Mubarek Muharimiu na ka thënë: Na ka treguar Kurad Ebu Nuhu, e këtij i ka treguar Xherir ibn Hazimi nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja e Thabit ibn Kajs ibn Shemasit vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk kam vërejtje në fenë e as në moralin e Thabitit, mirëpo po i frikohem kufrit (mohimit).” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “A ia kthen kopshtin e tij?”
- Po, - tha ajo.
Kështu, ajo ia ktheu kopshtin, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e urdhëroi burrin e saj ta divorcojë dhe ai e lëshoi.”
5277. Nga: Ikrime, i çrobëruari i Ibn Abasit
Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Xhemileja; në vijim përmend hadithin paraprak.
13. Nënkapitulli: Grindjet (mes bashkëshortëve) dhe se a ia propozon asaj të drejtën për të kërkuar ndarje, në rast domosdoshmërie?
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nëse i frikësohen përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu ua mundëson afrimin mes tyre (burrit e gruas). Allahu është i dijshëm dhe njohës i mirë.” (Nisa, 35)
5278. Nga: Misver ibn Mahremi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahrem Zuhriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të bijtë e Mugirës kërkuan që Aliu të martohet me vajzën e tyre, mirëpo unë nuk lejoj.”
14. Nënkapitulli: Shitja e robëreshës nuk llogaritet shkurorëzim
5279. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Për shkak të Berirës patën zbritur tri dispozita: ajo u lirua prej robërisë dhe iu dha mundësia të zgjedhë (të vazhdojë kurorën apo të shkurorëzohet). I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Njëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi (në shtëpi), ndërkohë vlonte tenxherja me mish. Kur i ofruan bukë me ngjëratë, pyeti:
- “A nuk pat mish në tenxhere?”
- Aty ka mish sadakaje që i është dhënë Berirës, ndërkohë ti nuk e ha sadakanë, - i thanë.
- “Ajo është sadaka për të, kurse për ne është dhuratë”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
15. Nënkapitulli: Robëresha (e liruar) ka mundësi të zgjedhë (të vazhdojë kurorën apo të shkurorëzohet) për burrin e saj që është rob
5280. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe dhe Hemami nga Katadja, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pata parë si rob" - aludonte në burrin e Berirës.
5281. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdulala ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Burri i saj ishte Mugithi, rob i fisit benu filan. Sikur po e shoh tani duke i shkuar pas nëpër rrugët e Medinës duke qarë për të.”
5282. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Burri i Berirës ishte zezak dhe quhej Mugith. Ai ishte rob i fisit benu filan. Sikur po e shoh tani duke i shkuar pas nëpër rrugët e Medinës.”
16. Nënkapitulli: Ndërmjetësimi i Pejgamberit ﷺ për burrin e Berirës
5283. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halidi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Burri i Berirës ishte rob dhe quhej Mugith. Sikur po e shoh tani duke i shkuar nga pas duke qarë për të, saqë lotët i rridhnin nëpër mjekër. Pejgamberi ﷺ i tha Abasit: “O Abas, a nuk po çuditesh me dashurinë e Mugithit për Berirën, njëherazi me urrejtjen e Berirës ndaj Mugithit?!” Pastaj Pejgamberi ﷺ i tha asaj: “Sikur të riktheheshe tek ai?”
- O i Dërguari i Allahut, a po më urdhëron? - tha ajo.
- “Thjesht po ndërmjetësoj”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam nevojë për të, - tha ajo.”
17. Nënkapitull
5284. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi se Esvedi tregon: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) donte ta blinte Berirën, por pronarët e saj donin ta kushtëzonin meritën e çrobërimit të saj. Aishja ia përmendi këtë Pejgamberit ﷺ, e në atë rast ai i tha: “Blije dhe liroje atë sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron.”
Pejgamberit ﷺ i sollën një copë mishi e dikush i tha: “Kjo është lëmoshë që i është dhënë Berirës.” Ai tha: “Për të është lëmoshë, kurse për ne është dhuratë.”
Ademi na ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe dhe ka shtuar: “Dhe (Berirës) i është dhënë mundësia të zgjedhë (vazhdimin e kurorës ose shkurorëzimin me) burrin e saj.”
18. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Mos u martoni me idhujtaret, derisa të bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se idhujtarja, edhe nëse ju pëlqen juve…”
5285. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu se Nafiu tregon: “Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pyetej për martesën me të krishterën dhe me hebrejën, thoshte: “Allahu ua ka ndaluar besimtarëve idhujtaret. Unë nuk di shirk më të madh sesa gruaja të thotë se zoti i saj është Isai, kurse ai është vetëm një prej robërve të Allahut.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5285
Fjalë të panjohura?
19. Nënkapitulli: Martesa me ato idhujtare që janë bërë muslimane dhe ideti i tyre (koha e pritjes)
5286. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami nga Ibn Xhurejxhi. [t]: Atai ka thënë: Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Idhujtarët, në raport me Pejgamberin ﷺ dhe me besimtarët, ndaheshin në dy grupe: idhujtarë me të cilët ishte në luftë, të cilët i luftonte dhe ata e luftonin atë, si dhe idhujtarë me të cilët kishte marrëveshje, të cilët nuk i luftonte, e as ata nuk e luftonin atë. Nëse ndonjë grua prej atyre më të cilët ishte në luftë bënte hixhret, nuk kërkohej për martesë derisa t'i vinin menstruacionet e pastaj të pastrohej. Kur pastrohej, asaj i lejohej martesa. Nëse edhe burri i saj bënte hixhret para se të martohej ajo, i kthehej burrit të saj. Nëse një rob a robëreshë e tyre bënte hixhret, atëherë të dy liroheshin prej robërisë dhe u takonte ajo që u takonte muhaxhirëve.”
Në një transmetim tjetër të Muxhahidit, ku përmend ata me të cilët kishte marrëveshje, qëndron: “Nëse një rob a robëreshë e idhujtarëve me të cilët kishte marrëveshje bënte hixhret, atëherë nuk i kthente, porse ua kthente pagesën e tyre.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5286
Fjalë të panjohura?
5287. Nga: Abdullah ibn Abasi
Atai ka thënë: Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Karibe bint Ebu Umeje ishte gruaja e Omer ibn Hatabit, të cilën e shkurorëzoi, e pastaj ajo u martua me Muavi ibn Ebu Sufjanin. Umu Hakemi, e bija e Ebu Sufjanit, ishte gruaja e Ijad ibn Ganëm Fihriut, i cili e shkurorëzoi atë, e pastaj ajo u martua me Abdullah ibn Othman Thekafiun.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5287
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitulli: Nëse idhujtarja apo e krishtera e pranon Islamin, ndërkohë është grua e dhimiut (jomusliman që jeton në shtetin islam) apo e harbiut (ai me të cilin muslimanët janë në luftë)
Ibn Abasi ka thënë: "Nëse e krishtera e pranon Islamin para burrit të saj, qoftë dhe për një orë, ajo i bëhet haram atij." Atai është pyetur: "Nëse një grua që është prej atyre me të cilët muslimanët kanë marrëveshje, e cila e pranon Islamin, e, teksa ajo është në idet (kohë të pritjes), edhe burri i saj e pranon Islamin, a llogaritet grua e tij? - Jo, përveç nëse do ajo, me kurorë dhe me mehër të ri, - tha Atai. Muxhahidi ka thënë: "Nëse ai e pranon Islamin gjatë idetit të saj, atëherë atij i lejohet të martohet me të. Allahu i Madhëruar thotë: “... Ato (muslimanet) nuk u lejohen atyre (idhujtarëve), e as ata (idhujtarët) nuk u lejohen atyre (muslimaneve)...” (Mumtehine, 10) Haseni dhe Katadja, në lidhje me një çift adhurues zjarri që bëhet musliman (përnjëherë), kanë thënë: "Ata mbeten në kurorën e tyre. E, nëse njëri prej tyre bëhet musliman, ndërsa tjetri nuk bëhet, ajo ndahet prej tij dhe tanimë ajo nuk i lejohet." Ibn Xhurejxhi ka thënë: "E pyeta Atain: "Nëse një grua idhujtare vjen te muslimanët, a i jepet shpagim burrit të saj për të, sepse Allahu thotë: “Jepuni atyre (idhujtarëve) atë që e shpenzuan (për to)...” (Mumtehine, 10) - Jo. Kjo ishte vetëm mes Pejgamberit ﷺ dhe atyre që kishte marrëveshje me ta, - tha Atai. Muxhahidi ka thënë: "Tërë kjo ishte në marrëveshjen që Pejgamberi ﷺ kishte me kurejshët."
5288. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. [t]: Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se besimtaret që bënin hixhret, Pejgamberi ﷺ i provonte me këtë fjalët e Allahut: “O ju që besuat, kur t'ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekës), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse Allahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë, mos i ktheni ato te jobesimtarët, pse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to, e ju jepuni atyre (jobesimtarëve) atë që kanë shpenzuar për to (në emër të kororëzimit). Ju nuk keni pengesë të martoheni me to, pasi t'ua jepni vlerën e kurorës. Mos i mbani nën kurorë idhujtaret, por kërkoni (prej idhujtarëve mekas) atë që keni shpenzuar për to, dhe ata le të kërkojnë (prej jush besimtarë) atë që kanë shpenzuar. Këto janë dispozita të Allahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; Allahu është Dijeplotë, Urtiplotë.” (Mumtehine, 10) Ajo besimtare që e pranonte këtë kusht, tanimë e kishte pranuar provën. E, nëse ato e pranonin këtë me fjalët e tyre, i Dërguari i Allahut ﷺ u thoshte: “Shkoni, sepse e pranova besën tuaj.” Betohem në Allahun se dora e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk e ka prekur kurrë dorën e ndonjë femre (të huaj), mirëpo ai ua merrte besën vetëm nëpërmjet fjalëve. Për Allah, ajo që i Dërguari i Allahut ﷺ ka kërkuar nga gratë ishte thjesht ajo me të cilën e ka urdhëruar Allahu. Ai gjatë besatimit u thoshte atyre: “Jua dhashë besën.” Pra, vetëm fjalë.
21. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Ata që betohen se nuk do t’u afrohen grave të veta, duhet të presin katër muaj;...”
5289. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar vëllai im nga Sulejmani, e ky nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ qe betuar se nuk do t'u afrohej grave të veta (për një muaj) dhe gjatë asaj periudhe e kishte lënduar këmbën e i kishte dalë prej vendit. Kështu, ai qëndroi në qilarin e tij njëzet e nëntë net, pastaj doli (dhe shkoi te gratë e tij). Disa i thanë: “O i Dërguari i Allahut, je betuar se nuk do t'u afrohesh grave një muaj.” Ai tha: “Muaji është edhe njëzet e nëntë (ditë).”
5290. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me betimin për të mos iu afruar grave, të cilin e ka përmendur Allahu, thoshte: “Asnjërit nuk i lejohet pas afatit (të caktuar në Kuran). Prandaj, ose ta mbajë me të mirë, ose të vendosë për shkurorëzim, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5290
Fjalë të panjohura?
5291. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili më ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur të kalojnë katër muaj, ndalet derisa ta shkurorëzojë dhe se shkurorëzimi nuk realizohet (me kalimin e afatit), përderisa ky nuk e shkurorëzon.
Ky mendim transmetohet prej: Othmanit, Aliut, Ebu Derdait, Aishes dhe prej dymbëdhjetë burrave nga radhët e shokëve të Pejgamberit ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5291
Fjalë të panjohura?
22. Nënkapitulli: Dispozita e të humburit, për familjen dhe pasurinë e tij
Ibn Musejebi ka thënë: "Nëse ka humbur në vijë të luftës, atëherë gruaja e tij e pret një vit. Ibn Mesudi bleu një robëreshë dhe e kërkoi pronarin e saj një vit, porse nuk e gjeti atë. Ai kishte humbur, andaj Ibn Mesudi jepte një ose dy dërhemë dhe thoshte: "O Allahu im, për filanin, e, nëse vjen filani, atëherë për mua (robëresha) dhe mbi mua (pagesa). Po ashtu thoshte: "Kështu veproni me gjërat e gjetura." Ibn Abasi thoshte ngjashëm. Zuhriu, në lidhje me atë që është zënë rob dhe i dihet vendi, thoshte: "Gruaja e tij nuk bën të martohet dhe pasuria e tij nuk bën të ndahet, e, nëse ndërpriten lajmet për të, atëherë me të veprohet sikurse me të humburin."
5292. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Jahja ibn Seidi se Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u pyet për delen e humbur, u përgjigj: “Merre, sepse ja e merr ti, ja vëllai yt, ja i mbetet ujkut.” Ndërkaq, kur u pyet për devenë e humbur, u zemërua, saqë iu skuqën mollëzat dhe tha: “Ç'ke ti me të, kur ajo i ka me vete shputat dhe rezervarin me ujë, pi ujë dhe kullot pemë, derisa ta gjejë pronari i vet.” E, kur është pyetur për gjënë e humbur, ka thënë: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit rresht. Nëse pronari paraqitet (jepja), përndryshe përzije me pasurinë tënde.”
Sufjani ka thënë: “E takova Rebia ibn Ebu Abdurrahmanin, porse prej tij nuk mbaj në mend diçka tjetër pos kësaj; andaj thashë: “E ke parasysh hadithin e Jezidit, të çrobëruarit të Munbeithit, në lidhje me kafshën e humbur, a është prej Jezid ibn Halidit?” Tha: “Po.” Jahjai ka thënë: “Rebia transmeton nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, e ky nga Zejd ibn Halidi.” Sufjani ka thënë: “Ndërkohë e takova Rabian dhe ia transmetova.”
23. Nënkapitulli: Dhihari
Fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka. Ata midis jush, që i ndajnë gratë e veta, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, duhet ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Fjalët që ata thanë, janë të pahijshme dhe të pavërteta. Megjithatë, Allahu është Falës dhe Shlyes i gabimeve. Ata që i ndajnë gratë e veta në këtë mënyrë e pastaj duan të kthejnë mbrapsht atë që thanë, duhet të lirojnë një skllav (apo skllave), para se të preken përsëri. Kështu ju urdhërohet. Allahu i di të gjitha ato që bëni ju. Ai që nuk gjen (ndonjë skllav për të liruar), duhet që të agjërojë dy muaj rresht, para se të preken si bashkëshortë. E, nëse nuk mund ta mbajë agjërimin, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të tregoni besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta janë kufijtë e Allahut. Ndërsa për jobesimtarët ka vuajtje të mundimshme." (Muxhadele, 1-4). Ibn Shihabi u pyet për dhiharin e robit, e ai tha: "Është i njëjtë sikurse dhihari i të lirit." Maliku tha: "Agjërimi i robit (për dhiharin) është dy muaj." Hasen ibn Hurri ka thënë: "Dhihari i të lirit dhe i robit, ndaj të lirës dhe robëreshës është i njëjtë." Ikrime ka thënë: "Nëse (i liri) bënë dhihar ndaj robëreshës së tij, nuk llogaritet gjë, ngase dhihari është për gratë."
24. Nënkapitulli: Të bërët me shenjë për shkurorëzim a për çështje të tjera
Ibn Omeri tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk dënon për lotin e syrit, por dënon për këtë”, - bëri me shenjë nga gjuha e tij. Kab ibn Maliku tregon: "Pejgamberi ﷺ ma bëri me shenjë, domethënë: “Merre gjysmën.” Esma tregon: "Kur Pejgamberi ﷺ e fali namazin e eklipsit të diellit, unë i thashë Aishes: "Çfarë kanë njerëzit?" Ajo bëri me shenjë me kokë nga dielli. E pyeta: "Diçka e jashtëzakonshme?" Ajo pohoi me kokë, duke qenë në namaz, që domethënë: "Po." Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë Ebu Bekrit, që të prijë (për namaz)." Ibn Abasi tregon: "Pejgamberi ﷺ bëri me shenjë me dorë: “S’ka gjë.” Ebu Katadja tregon: "Pejgamberi ﷺ, në lidhje me gjahun e muhrimit, ka thënë: “Vallë, mos ndokush prej jush e ka urdhëruar që ta gjuajë apo i ka bërë me shenjë drejt saj?” - Jo, - i thanë. - “Hajeni, pra”, - tha ai.
5293. Nga: Zejneb bint Xhahshi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amir Abdulmelik ibn Amri, e këtij i ka treguar Ibrahimi nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e kreu tavafin (rreth Qabesë) hipur mbi deve. Sa herë që vente përballë Gurit të Zi, bënte me shenjë nga ai dhe bënte tekbir.
Zejnebja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është hapur një pjesë e pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo” - dhe e përtheu gishtin e madh me treguesin, duke formuar numrin nëntëdhjetë (në formë unaze).”
5294. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Seleme ibn Alkame nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Kasimi (Pejgamberi) ﷺ ka thënë: “Ditën e premte, gjendet një kohë që, nëse robi musliman i qëllon duke falur namaz dhe duke i kërkuar ndonjë të mirë Allahut, Ai ia jep” - bëri shenjë me dorë, duke vendosur majën e gishtit të madh në anën e brendshme të gishtit të mesëm dhe atij të vogël. Ne thamë: “Aludon se ajo kohë është e shkurtër.”
5295. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Shuëbe ibn Haxhaxhi, e ky nga Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, një hebre sulmoi një robëreshë, ia mori stolitë që i kishte ajo dhe ia shtypi kokën (me gurë). Familja e saj e sollën atë tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkaq ajo ishte në çastet e fundit të jetës dhe nuk mund të fliste. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti: “Kush të vrau? Filani?” - duke i përmendur dikë që nuk e kishte vrarë, e ajo bëri me shenjë me kokë (duke mohuar): Jo. Pastaj i përmendi një tjetër që nuk e kishte vrarë, e ajo përsëri bëri me shenjë (duke mohuar): Jo. E, pasi i tha: “Filani” - duke ia përmendur vrasësin e saj, ajo bëri me shenjë (duke pohuar): Po. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi për të (gjykimin e tij). Kështu, edhe atij iu shtyp koka me dy gurë (siç kishte bërë ai me robëreshën).”
5296. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thoshte: “Nga atje është fitneja”, duke bërë me dorë nga lindja.”
5297. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi nga Ebu Is'hak Shejbaniu se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim, e, kur perëndoi dielli, njërit prej nesh i tha: “Zbrit dhe më përgatit qull (për iftar).”
- O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej!
- “Zbrit dhe na përgatit qull!”
- O i Dërguari i Allahut, sikur të ngrysej! Dita ende s'ka mbaruar.
- “Zbrit dhe na përgatit qull!”
E, kur i tha për së treti, ai zbriti, i përgatiti pak qull dhe Pejgamberi ﷺ e piu. Pastaj bëri me dorë nga lindja dhe tha: “Kur ta shihni natën se vjen prej andej, atëherë agjëruesi bën iftar.”
5298. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji nga Sulejman Tejmiu, ky nga Ebu Othman se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ndërpresë syfyrin kur e dëgjon thirrjen ose ezanin e Bilalit, sepse ai e thërret ezanin që ta lajmërojë atë që është duke u falur e nuk e lajmëron hyrjen e agimit a të sabahut.”
Jezidi i nxori duart, pastaj njërën e zgjati më shumë se tjetrën.
5299. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Koprraci dhe dorëdhënësi u shëmbëllejnë dy personave që kanë të veshura xhybe të hekurta, nga gjoksi deri te supet. Sa i përket dorëdhënësit, sa herë që jep, i zgjatet ose i shtohet në lëkurën e tij, derisa t'ia mbulojë majat e gishtërinjve dhe t'ia fshijë gjurmët e (këmbëve të) tij. Ndërkaq, sa herë që koprraci dëshiron të japë diçka, çdo hallkë (e parzmores) i tkurren në vendin e vet. Ndonëse mundohet ta zgjerojë, ajo nuk i zgjerohet” - dhe bëri shenjë me gisht nga fyti i tij.
25. Nënkapitulli: Liani
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ndërsa ata të cilët fajësojnë bashkëshortet e veta, por që nuk kanë dëshmitarë tjetër, përveç vetes, dëshminë e vet, se me të vërtetë janë të drejtë, do të vërtetojnë duke u betuar katër herë në Allahun.” (Nur, 6) Nëse memeci e akuzon gruan e tij (për zina) me shkrim, me shenjë a me gjest të njohur, llogaritet sikurse të flasë, sepse Pejgamberi ﷺ e lejoi të bërët me shenjë në adhurimet që janë obligim. Ky është mendimi i disa dijetarëve të Hixhazit dhe i disa të tjerëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë ajo u bëri me shenjë nga (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që është foshnjë në djep?” (Merjem, 29) Dahaku ka thënë: “... veçse me gjeste…” (Ali Imran, 41) Domethënë, me shenjë. Disa kanë thënë: "Nuk ka ekzekutim e as mallkim (me shenjë), ndërkohë pretendojnë se shkurorëzimi me shkrim ose me shenjë ose me gjeste është i lejuar! (Si qëndron kjo) kur nuk ka dallim mes shkurorëzimit dhe akuzimit (për zina, rrjedhimisht mallkimit mes tyre)." Nëse thotë: "Akuzimi bëhet vetëm me fjalë, - atij i thuhet: "Atëherë, edhe shkurorëzimi lejohet vetëm me fjalë. Në të kundërtën, nuk vlen as shkurorëzimi, as akuzimi. Kjo vlen edhe për lirimin e robit, e kështu edhe i shurdhri mallkon (gruan e tij, në rast akuzimi për zina). Shabiu dhe Katadja kanë thënë: "Nëse i thotë se ti je e shkurorëzuar, duke bërë me shenjë me gishtin e tij, atëherë ajo ndahet prej tij me këtë shenjë." Ibrahimi ka thënë: "Nëse memeci e shkruan shkurorëzimin me dorën e tij, ajo i obligohet." Hamadi ka thënë: "Nëse memeci dhe i shurdhri bëjnë me shenjë me kokë, është legjitime."
5300. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jahja ibn Seid Ensariu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A t'ju tregoj për familjet më të mira të ensarëve?”
- Po, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigjën ata.
- “Benu nexharët, pas tyre vijnë benu abduleshhelët, pastaj benu Harith ibn Hazrexhi dhe pastaj benu saidët”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Më pas, bëri me shenjë duke i mbledhur gishtat e tij, pastaj i shtriu sikurse të gjuante me dorë dhe tha: “Ndonëse në çdo familje ensare ka mirësi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5300
Fjalë të panjohura?
5301. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), shoku i të Dërguarit të Allahut ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam dërguar (në raport) me Kiametin sikurse ky me këtë (duke bërë me gishta), - ose ka thënë: sikurse këta dy” - dhe afroi gishtin tregues dhe të mesmin.
5302. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Xhebele ibn Suhejmi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muaji është kaq, kaq e kaq.” Pra, tridhjetë (ditë). Pastaj tha: “Por, është edhe kaq, kaq e kaq.” Pra, njëzet e nëntë ditë. Njëherë tha se është tridhjetë, herën tjetër tha se është njëzet e nëntë ditë.
5303. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bëri me dorë nga Jemeni dhe tha: “Imani është nga atje, - dy herë. - Me të vërtetë, zemrat e ngurta dhe të vrazhda i gjen ndër blegtorët që mbajnë devetë për bishta, aty ku paraqiten brirët e shejtanit, në fiset rebia dhe mudar.”
5304. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Amër ibn Zurara na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulaziz ibn Ebu Hazimi nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit në Xhenet jemi kështu” - dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe të mesëm, duke i larguar pak nga njëri-tjetri.
26. Nënkapitulli: Kur dikush shfaq shenja për mohimin e fëmijës
5305. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, më ka lindur një djalë i zi!
- “A ke ndonjë deve?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - tha ai.
- “Çfarë ngjyre janë?”
- Të kuqe.
- “A ka prej tyre të përhitur?”
- Po.
- “E kjo, nga na ardhka!?”
- Mbase mund të jetë nga loza (damar i racës), - tha ai.
- “Atëherë, edhe djali yt ndoshta i ka ngjarë lozes”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
27. Nënkapitulli: Kërkimi prej mallkuesit (njërit prej bashkëshortëve) që të betohet
5306. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një burrë ensar e akuzoi gruan e tij (për zina), andaj Pejgamberi ﷺ u kërkoi të betohen, pastaj i ndau.”
28. Nënkapitulli: Burri mallkon i pari
5307. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu nga Hisham ibn Hasani, e këtij i ka treguar Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Hilal ibn Umeje e akuzoi bashkëshorten e vet. Kështu, erdhi dhe dëshmoi, ndërsa Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?” Kështu, ajo u ngrit dhe dëshmoi (se është e pafajshme).
29. Nënkapitulli: Mallkimi dhe ai që shkurorëzon pas mallkimit
5308. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmir Axhlani vajti tek Asim ibn Adij Ensariu e i tha: “O Asim, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë? O Asim, pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ në lidhje me këtë.” Kështu, Asimi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ i urrente pyetjet (për gjëra që nuk kanë ndodhur) dhe i qortonte, saqë i erdhi rëndë Asimit për atë që e dëgjoi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pasi Asimi u kthye te familja e tij, i vajti Uvejmiri e i tha: “O Asim, çka të tha i Dërguari i Allahut ﷺ?”
- Ti nuk më erdhe me të mira (pyetje me vend). I Dërguari i Allahut e urreu pyetjen që e ke parashtruar ti, - tha Asimi.
- Për Allah, nuk do të ndalem derisa ta pyes vetë në lidhje me këtë, - tha Uvejmiri, pastaj u kthye derisa arriti tek i Dërguari i Allahut ﷺ në mes të njerëzve dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë?” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti shpallje për ty dhe për gruan tënde, andaj shko dhe sille atë.”
Sehli shtoi: “Kështu, ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian), ndërkohë unë isha me sahabët tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pasi e mbaruan lianin, Uvejmiri tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem se kam gënjyer për të.” Prandaj, e shkurorëzoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Ibn Shihabi tha: “E tillë mbeti tradita e bashkëshortëve që mallkohen mes vete.”
30. Nënkapitulli: Mallkimi në xhami
5309. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Jahjai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, rreth çështjes së mallkimit të ndërsjellë (lianit) mes bashkëshortëve dhe Sunetit, se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ensar vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, apo si të veprojë?” Për çështjen e tij Allahu zbriti ajetet e Kuranit ku përmendet mallkimi i ndërsjellë (mes bashkëshortëve). Pejgamberi ﷺ i tha: “Allahu gjykoi për ty dhe për gruan tënde.” Ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian) në xhami, ndërkohë unë isha i pranishëm. Pasi e mbaruan, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem se kam gënjyer për të.” Pasi e mbaruan lianin, ai e shkurorëzoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai e shkurorëzoi atë në prani të Pejgamberit ﷺ .
Pejgamberi ﷺ tha: “Kjo është ndarja në mes çdo dy bashkëshortëve që mallkohen mes vete.”
Ibn Xhurejxhi transmeton se Ibn Shihabi ka thënë: “Pas këtyre dyve mbeti traditë (sunet) që bashkëshortët që mallkohen mes vete, të ndahen. Ajo kishte mbetur shtatzënë, andaj djali i saj thirrej në emër të nënës.
Po ashtu, mbeti traditë (sunet) në trashëgimi që ajo të trashëgojë prej tij dhe ai të trashëgojë prej saj atë që Allahu ia ka obliguar atij.
Ibn Xhurejxhi transmeton se Ibn Shihabi ka thënë: “Sehël ibn Sad Saidiu, në lidhje me këtë hadith, thotë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse fëmija lind i kuq e i shkurtër, sikurse (lloj) zhapiu, mendoj se ajo e ka thënë të vërtetën dhe se ai ka gënjyer për të. E, nëse ai lind i zi, me sy të mëdhenj e me vithe të mëdha, mendoj se ai e ka thënë të vërtetën për të.” Ajo e lindi (të zi), ashtu siç ishte i keqpritur.”
31. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ : “Sikur të gurëzoja dikë pa argument...”
5310. Nga: Abdullah ibn Abasi
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në prani të Pejgamberit ﷺ u përmend mallkimi mes bashkëshortëve. Asim ibn Adiu tha diçka në lidhje me këtë dhe shkoi. Një pjesëtar i fisit të Asimit i shkoi atij dhe iu ankua se kishte gjetur një burrë me gruan e tij. Atëherë, Asimi tha: “U sprovova për shkak të fjalëve të mia (sepse kjo kishte ndodhur te të afërmit e tij).” Kështu e çoi atë te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi se si e kishte gjetur gruan e tij. Burri në fjalë ishte i verdhë, i dobët e me flokë të drejtë, kurse ai për të cilin ishte bërë akuza se ishte zënë te familja e tij ishte këmbëtrashë, zeshkan dhe i shëndoshë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, qartësoje!”
Kështu, ajo lindi një fëmijë që i ngjante të akuzuarit, prandaj Pejgamberi ﷺ zbatoi mallkimin reciprok mes tyre (lianin).
Një njeri që ishte në ndejë i tha Ibn Abasit: “A ishte ajo për të cilën Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të gurëzoja dikë pa argument, do ta gurëzoja këtë”?
- Jo. Ajo ka qenë një grua që e shfaqte shthurjen në Islam, - tha Ibn Abasi.
Ebu Salihu dhe Abdullah ibn Jusufi kanë thënë: “... zeshkan e këmbëtrashë...”
32. Nënkapitulli: Dispozita e mehrit të asaj që mallkohet
5311. Nga: Abdullah ibn Omeri
Amër ibn Zurara më ka thënë: Na ka rrëfyer Ismaili nga Ejubi se Seid ibn Xhubejri tregon: “E pyeta Ibn Omerin për burrin që e akuzon gruan e tij (për zina). Ai më tha: “Pejgamberi ﷺ i ndau bashkëshortët e fisit benu axhlan dhe u tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?” Por, ata refuzuan. Pastaj ai prapë tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?” Por, ata refuzuan e ai prapë e përsëriti: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?” Por, ata refuzuan, andaj i ndau ata.
Ejubi ka thënë: “Amër ibn Dinari më tha: “Hadithi përmban edhe diçka të cilën nuk po të shoh se po e tregon: “Burri tha: “Po pasuria ime (mehri)?” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Ty nuk të takon asgjë. Nëse e ke thënë të vërtetën, ti tanimë ke bërë marrëdhënie me të, e, nëse je gënjeshtar, atëherë ajo (pasuria) është edhe më larg teje.”
33. Nënkapitulli: Fjala e udhëheqësit drejtuar atyre që mallkohen: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?”
5312. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se Seid ibn Xhubejri tregon: “E pyeta Ibn Omerin për dy bashkëshortët që u mallkuan mes vete (për zina). Ibn Omeri më tha: “Pejgamberi ﷺ u tha atyre: “Llogaria juaj është tek Allahu, ndërsa njëri prej jush është gënjeshtar. (Ndërkaq, burrit i tha:) "Nuk mund të vazhdosh me të.” Atëherë ai tha: “Po pasuria ime (mehri)?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ty nuk të takon asgjë. Nëse i ke dhënë mehër, ai është për faktin se të është lejuar marrëdhënia me të, e, nëse ke gënjyer për të, atëherë ajo (pasuria) është edhe më larg teje.”
Sufjani ka thënë: “Këtë e kam mësuar përmendsh nga Amri. Ndërkaq, Ejubi ka thënë: “E kam dëgjuar Seid ibn Xhubejrin të thotë: “E pyeta Ibn Omerin për personin që e mallkon gruan e tij (për zina)?” Ibn Omeri, duke i ndarë dy gishtat e tij, të mesmin dhe treguesin, tha: “Pejgamberi ﷺ i ndau dy bashkëshortët e fisit benu axhlan dhe u tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?” - e përsëriti tri herë.”
Sufjani ka thënë: “E kam mësuar përmendsh nga Amri dhe Ejubi, siç të rrëfeva.”
34. Nënkapitulli: Ndarja mes dy bashkëshortëve të mallkuar mes vete
5313. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ndau një burrë nga gruaja e tij të cilën e akuzoi (për zina) dhe u kërkoi që të betohen.”
5314. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e bëri mallkimin mes një burri e gruaje ensare dhe i ndau ata.”
35. Nënkapitulli: Fëmija i takon asaj që është mallkuar
5315. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bëri mallkimin mes një burri e gruas së tij. Kështu, i ndau ata, ndërkohë burri e mohoi fëmijën e saj, rrjedhimisht fëmijën ia dha gruas.”
36. Nënkapitulli: Lutja e udhëheqësit: "O Allah, qartësoje!”
5316. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Bilali nga Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në prani të Pejgamberit ﷺ u përmendën bashkëshortët që mallkohen mes vete (bëjnë lian). Asim ibn Adiu tha diçka në lidhje me këtë dhe shkoi. Një pjesëtar i fisit të Asimit i shkoi pas dhe i përmendi se kishte gjetur një burrë me gruan e tij. Atëherë Asimi tha: “U sprovova për shkak të fjalëve të mia (sepse kjo i ndodhi te të afërmit e tij).” Kështu e çoi atë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi si e kishte gjetur gruan e tij. Burri në fjalë ishte i verdhë, i dobët e me flokë të drejtë, kurse i akuzuari, të cilin e kishte zënë te familja e tij ishte zeshkan, këmbëtrashë, i shëndoshë dhe flokëdredhur. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, qartësoje!”
Kështu, ajo lindi një fëmijë që i ngjante të akuzuarit, prandaj Pejgamberi ﷺ zbatoi mallkimin reciprok mes tyre (lianin).
Një burrë që ishte në ndejë i tha Ibn Abasit: “Mos ishte ajo për të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të gurëzoja dikë pa argument, do ta gurëzoja këtë?”
- Jo. Ajo ka qenë një grua që e shfaqte shthurjen në Islam, - tha Ibn Abasi.”
37. Nënkapitulli: Kur burri e shkurorëzon gruan tri herë, e, pasi t'i kalojë ideti, ajo martohet me dikë tjetër, por ai ende nuk ka bërë marrëdhënie me të
5317. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij nga Aishja, e cila transmeton nga Pejgamberi ﷺ se ... [t]: Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Abde nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Rifae Kuredhiu u martua me një grua, pastaj e shkurorëzoi atë. E, pasi ajo u martua me dikë tjetër, shkoi te Pejgamberi ﷺ e i tregoi se burri nuk po i afrohet asaj (nuk bën marrëdhënie me të) si dhe ka organ (të vogël) sikurse një cep rrobe. Por, i Dërguar i Allahut ﷺ i tha: “Jo, pa i shijuar marrëdhëniet intime me të dhe ai me ty.”
38. Nënkapitulli: “E ato gra tuaja, të cilat kanë humbur shpresën për ciklin e tyre (menstruacionin), nëse dyshoni (për këtë)...”
Muxhahidi ka thënë: "Nëse nuk e dini a u vijnë menstruacionet apo jo, po ashtu ato që u janë ndërprerë menstruacionet dhe ato që ende nuk u kanë ardhur, atëherë: "Koha e pritjes së tyre është tre muaj."
39. Nënkapitulli: “... Ndërkaq, për shtatzënat afati i pritjes së tyre është derisa të lindin...”
5318. Nga: Umu Seleme
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuz Arexhi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme, e kjo nga nëna e tij se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Një grua, pjesëtare e fisit eslem, që quhej Subeja, ishte e martuar me një burrë që, kur ai vdiq, ajo ishte shtatzënë. Ebu Senabil ibn Bakeku e kërkoi për martesë, mirëpo ajo e refuzoi (sepse anonte nga një kërkues tjetër). Ai (Ebu Senabili) tha: “Betohem në Allahun se nuk bën të martohesh me të (kërkuesin tjetër) derisa të të kalojë afati i fundit i pritjes (prej dy afatesh).” Ajo priti afër dhjetë net, pastaj shkoi te Pejgamberi ﷺ, i cili i tha: “Martohu.”
5319. Nga: Subeja bint Harithi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezidi se Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi tregon se i kërkoi Ibn Erkamit që ta pyesë Subeja Eslemijen: “Si të është përgjigjur Pejgamberi ﷺ?” Ajo tha: “Më është përgjigjur se, kur të lind, (më lejohet) të martohem.”
5320. Nga: Misver ibn Mahremi
Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Subeja Eslemije lindi pak net pasi i vdiq burri, pastaj shkoi te Pejgamberi ﷺ e i kërkoi leje që të martohet (me dikë). Ai i dha leje, andaj ajo u martua.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5320
Fjalë të panjohura?
40. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Gratë e shkurorëzuara duhet të presin tre cikle mujore…”
Ibrahimi ka thënë: "Nëse njëri ka martuar (një grua) në kohën e pritjes “idetit” së saj, ndërkaq gruas i vijnë menstruacionet tri herë duke qenë tek ky, atëherë ajo shkurorëzohet prej burrit të parë, ndërsa “ideti” nuk llogaritet tek burri i dytë (nuk i lejohet t’i bashkoj “idetet” prej dy burrave). Zuhriu ka thënë: "(“Ideti” prej të parit) I llogaritet edhe tek i dyti (i bashkon “idetet” prej dy burrave). Dhe ky mendim i Zuhriut i pëlqente më shumë Sufjanit. Mameri në lidhje me fjalën “kuru” ka thënë: Gruas së cilës iu është afruar cikli i thuhet “kuru”, po ashtu edhe gruas së cilës iu është afruar pastrimi i thuhet “kuru”. Po ashtu thuhet: "Nuk iu është “kuru” (tubuar) në mbështjellëse, pra nëse nuk është tubuar fëmija në barkun e saj."