69. Shpenzimet për familjen
1. Nënkapitulli: Vlera e të shpenzuarit për familjen
Fjala e Allahut: “Të pyesin se çfarë duhet të japin si lëmoshë." Thuaju: "Tepricën! Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni, për këtë jetë dhe për jetën tjetër.” (Bekare, 219-220)
5351. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Adem ibn Ebu Isasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Adij ibn Thabiti, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Jezid Ensariun se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur muslimani shpenzon diçka për familjen e tij, duke shpresuar në shpërblim, ajo do të llogaritet sadaka për të.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5351
Fjalë të panjohura?
5352. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka thënë: “Jep, o biri i Ademit, të të jap!”
5353. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Thevr ibn Zejdi, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që kujdeset për të venë dhe për nevojtarin është sikurse ai që lufton në rrugën e Allahut, ose sikurse ai që falet natën dhe agjëron ditën.”
5354. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Amir ibn Sadi se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitonte kur isha i sëmurë në Mekë. Njëherë, i thashë: “Kam ca pasuri, kështu që a ta lë të tërën lëmoshë?”
- “Jo”, - tha ai.
- Po gjysmën? - e pyeta.
- “Jo”, - tha ai.
- Po një të tretën? - e pyeta.
- “Atëherë një të tretën, megjithëse edhe një e treta është shumë. T'i lësh trashëgimtarët të pasur është më mirë sesa t'i lësh të varfër e t'ua shtrijnë dorën njerëzve. Sado që të shpenzosh për ta, ajo do të jetë për ty lëmoshë, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e tët shoqeje. Mbase Allahu do të të shërojë dhe do të ketë njerëz që do të përfitojnë prej teje, e disa të tjerë që do të vuajnë (prej teje)”, - tha ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5354
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Obligimi i shpenzimit për bashkëshorten dhe familjen
5355. Nga: Ebu Hurejra
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lëmosha më e mirë është ajo që jepet kur të kesh pasuri të mjaftueshme. Dora e sipërme është më e mirë sesa dora e poshtme. Fillo prej atyre të cilët i ke nën përkujdesje.”
Gruaja thotë: “Ose më ushqe, ose më divorco!”
Robi thotë: “Më ushqe dhe më shfrytëzo!”
I biri thotë: “Më ushqe! Te kush po më lë të mbështetem?”
I thanë: “O Ebu Hurejre! A e ke dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut ﷺ?” Ai tha: “Jo. Kjo është nga trasta e Ebu Hurejrës.”
5356. Nga: Ebu Hurejra
Sad ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Halid ibn Musafiri nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Lëmosha më e mirë është ajo që jepet kur të jesh i pasur. Andaj, fillo prej atyre të cilët i ke nën përkujdesje.”
3. Nënkapitulli: Deponimi i ushqimit të familjes për një vit dhe mënyra e shpenzimit për ta
5357. Nga: Omer ibn Hatabi
Muhamed ibn Selami më ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu nga Ibn Ujejne se Mameri tregon se Thevriu e ka pyetur atë: “A ke dëgjuar gjë rreth çështjes së një personi që deponon për familjen e tij ushqim të mjaftueshëm për një vit ose për një pjesë të vitit?” Mameri thotë: “Njëherë nuk m'u kujtua diçka e tillë, pastaj më ra ndërmend një hadith nga Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Pejgamberi ﷺ i shiste hurmat e fisit benu nadir dhe kursente për familjen e tij ushqim që mjaftonte për një vit.”
5358. Nga: Omer ibn Hatabi
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi i cili thotë: Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimi ma ka përmendur një pjesë të këtij hadithi, pastaj u largova, u futa tek Malik ibn Evsi dhe e pyeta, e në atë rast Malik ibn Evsi tregon: “U nisa për të shkuar tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kur hyra tek ai, portieri i vet, Jerfai, vajti e i tha: “A po i lejon Othmanin, Abdurrahmanin, Zubejrin dhe Sadin të hyjnë brenda?” Ai tha: “Po.” Pastaj ky i lejoi të futen. Ata hynë brenda duke dhënë selam dhe u ulën. Jerfai qëndroi një kohë ashtu pastaj i tha Omerit: “A po i lejon Aliun dhe Abasin të futen?” Ai tha: “Po”, - dhe ky i lejoi. Kur u futën brenda, ata dy dhanë selam dhe u ulën. Abasi tha: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes meje dhe këtij! Sakaq, ata që ishin të pranishëm, Othmani me shokët e tij, thanë: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes tyre dhe rehatoji!” Omeri tha: “Qetësohuni pak! Po ju përbej në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka”, ka pasur për qëllim vetveten...?!” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë. Atëherë Omeri u kthye nga Aliu e Abasi dhe u tha: “Po ju përbej në Allahun të më tregoni, a e keni ditur se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu?” Ata thanë: “Ashtu ka thënë.” Pastaj Omeri vazhdoi: “Atëherë unë do t'ju tregoj për këtë çështje: Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Tij ﷺ me diçka prej kësaj plaçke të cilën s'i ka dhënë askujt përveç tij. Allahu ka thënë: “E, atë që Allahu ia ka dhuruar (kthyer prej ngatërrestarëve) të Dërguarit të Vet, e që ju nuk e keni marrë si plaçkë me sulmim as të kuajve e as të deveve, por që Allahu u jep pushtet pejgamberëve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i pushtetshëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) - Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Betohem në Allahun se ai nuk ka marrë diçka nga hisja juaj e as nuk e ka mbajtur vetëm për vete. Ai ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, pastaj, pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. I Dërguari i Allahut ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë...?” Ata thanë: “Po.” Pastaj u kthye e i tha Aliut dhe Abasit: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë...?” Ata thanë: “Po.”
Pastaj Omeri vazhdoi: “E, kur Allahu ia mori shpirtin Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekri tha: “Unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj e mori atë pasuri dhe veproi me të ashtu siç ka vepruar me të i Dërguari i Allahut ﷺ. “Ndërkaq, ju të dy, - dhe u kthye nga Aliu e Abasi, - po pretendoni se Ebu Bekri ka bërë kështu e kështu...? Allahu e di mirë se ai ka qenë i sinqertë, bamirës e i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj, Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, ndërsa unë u bëra pasues i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i Ebu Bekrit, andaj e mora atë pasuri për dy vjet të hilafetit tim dhe punova me të ashtu siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri. Pastaj, më erdhët ju të dy, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Erdhe (o Abas) të më kërkosh hisen tënde nga djali i vëllait tënd (Muhamedi ﷺ), ndërsa ky (Aliu) erdhi të më kërkojë hisen e gruas së tij nga babai i saj (Muhamedi ﷺ), e kur unë ju thashë: “Nëse dëshironi, po jua jap juve, por me kusht që të më premtoni në Allahun se do të punoni me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri dhe siç kam punuar unë që kur e kam marrë përsipër atë, përndryshe mos e kërkoni fare, ju thatë: “Na jep neve atë me ato kushte e unë jua dhashë.” (Pastaj, duke u kthyer nga grupi, tha:) “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a ua kam dhënë atyre dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Pastaj u kthye prapë nga Aliu e Abasi dhe u tha: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a jua kam dhënë juve dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Atëherë ai tha: “A mos po kërkoni nga unë të gjykoj diçka tjetër? Betohem në Allahun, me lejen e të Cilit qëndrojnë Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe, derisa të bëhet Kiameti. Nëse nuk arrini të përballoni kushtin (që keni pranuar), kthemani mua, unë do ta përballoj.”
4. Nënkapitulli: Shpenzimi i gruas në rast të mungesës së burrit të saj dhe shpenzimi për fëmijën
5359. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është njeri dorështrënguar. Andaj, a më llogaritet mëkat nëse familjen tonë e ushqej me pasurinë e tij?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “S'ka gjë nëse i ushqen ata me masë (pa e tepruar në shpenzimin e pasurisë).”
5360. Nga: Ebu Hurejra
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gruas që jep (lëmoshë) prej pasurisë së burrit të vet, pa urdhrin e tij, i takon gjysma e shpërblimit të burrit.”
5. Nënkapitulli: Ajeti: “Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Edhe trashëgimtari ka të njëjtat detyrime për të gjitha këto. Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë (pagesën) që e keni menduar, sipas rregullave. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.”
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj.” (Ahkaf, 15) Si dhe: “... Por, nëse keni vështirësi të merreni vesh, atëherë le ta ushqejë me gji një (mëndeshë) tjetër. Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” (Talak, 6-7) Zuhriu ka thënë: "Allahu i Lartësuar ka ndaluar që gruaja të dëmtohet nga foshnja e saj, gjë që do ta detyronte gruan të thoshte: "Nuk jam gjidhënësja e saj, ndërkohë që ajo është personi më i denjë për ta ushqyer atë, më e dhembshura dhe më e mëshirshmja për të se çdokush tjetër; rrjedhimisht, nuk bën që nëna të refuzojë pasi që burri i saj t’i japë aq sa Allahu ka kërkuar prej tij. As babait nuk i lejohet që ta dëmtojë nënën e fëmijës së tij duke e privuar nga gjidhënia dhe duke e detyruar që ta ushqejë foshnjën te dikush tjetër. E nëse babai dhe nëna kërkojnë gjidhënëse, pas marrëveshjes me njëri-tjetrin, nuk kanë ndonjë gjynah. E nëse, pas diskutimit dhe pajtimit mes vete, dëshirojnë që fëmijën ta ndalin nga gjidhënia, atëherë nuk kanë ndonjë mëkat, pasi që kësaj i ka paraprirë diskutimi dhe pajtimi."
6. Nënkapitulli: Angazhimi i gruas në shtëpinë e burrit të saj
5361. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi, e ky nga Ibn Ebu Lejla se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e dorës nga mulliri dhe mori vesh se Pejgamberit ﷺ i kishin sjellë një rob. Kështu, ajo shkoi t'i kërkojë një shërbëtor, por, pasi nuk e gjeti aty, ia përmendi Aishes. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi. Pastaj Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, ndërkohë që ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të çohemi, po ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua dhe u ul mes meje dhe saj, saqë ndjeva të ftohtët e këmbëve të tij në barkun tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më e mirë për ju sesa një shërbëtor.”
7. Nënkapitulli: Marrja e një shërbëtori për gruan
5362. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Ebu Jezidi, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Ebu Lejlën se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja vajti te Pejgamberi ﷺ për t'i kërkuar një shërbëtor, e në atë rast ai i tha: “A dëshiron të të mësoj diçka më të mirë se kjo? Të bësh tesbih për Allahun (të thuash subhanallah) para se të flesh tridhjetë e tri herë, ta falënderosh Allahun (të thuash elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe ta madhërosh Allahun (të thuash Allahu ekber) tridhjetë e katër herë.”
Sufjani sjell një transmetim tjetër, ku thuhet: “Njëra prej tyre të jetë tridhjetë e katër herë.”
Aliu thotë: “Më nuk i kam braktisur.” I thanë: “As natën e Sifinit?” Ai tha: “As natën e Sifinit.”
8. Nënkapitulli: Shërbimi i burrit ndaj familjes së tij
5363. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Hakem ibn Utejbe, e ky nga Ibrahimi se Esved ibn Jezidi tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë bënte Pejgamberi ﷺ në shtëpinë e tij?” Ajo më tha: “Ishte në shërbim të familjes, por, kur e dëgjonte ezanin, dilte për në xhami.”
9. Nënkapitulli: Kur burri nuk shpenzon për gruan, ajo ka të drejtë të marrë për vete dhe për fëmijën e saj aq sa i mjafton, pa lejen e tij
5364. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është njeri dorështrënguar, andaj nuk më jep aq sa më mjafton për vete dhe për fëmijën tim, përveç aq sa marr vetë pa dijen e tij.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Merr aq sa të mjafton ty dhe fëmijës tënd, pa e tepruar!”
10. Nënkapitulli: Kujdesi i gruas për ruajtjen e pasurisë dhe shpenzimeve të burrit
5365. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi nga babai i tij. [t]: Ebu Zinadi transmeton nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gratë më të mira, që kanë hipur mbi deve, janë gratë kurejshe, - në një transmetim tjetër: gratë e devotshme kurejshe: ato janë më të buta për fëmijët dhe më të kujdesshme për pasurinë e burrit.”
Po ashtu, kjo përmendet nga Muaviu dhe Ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.
11. Nënkapitulli: Përkujdesja për veshjen e gruas me shpenzime mesatare
5366. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdulmelik ibn Mejsera, e ky e ka dëgjuar Zejd ibn Vehbin se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më dhuroi një rrobë mëndafshi, të cilën e vesha, por, kur vërejta pakënaqësinë në fytyrën e tij, ua ndava atë rrobë grave të familjes sime.”
12. Nënkapitulli: Ndihma e gruas ndaj burrit në përkujdesje për fëmijën e tij
5367. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfen: “Babai im vdiq duke lënë pas vetes shtatë ose nëntë vajza, andaj u martova me një grua të ve.” I Dërguari i Allahut ﷺ më pyeti:
- “A je martuar, o Xhabir?”
- Po, - i thashë.
- “Me të virgjër apo me të ve?”
- Me të ve, - ia ktheva.
- “Pse nuk e ke marrë të re, që të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty, që ti ta bësh të qeshë dhe ajo të të bëjë ty të qeshësh?”
I thashë: “Abdullahu vdiq dhe la pas vetes vajza, andaj nuk dëshirova t'u sjell një të re sikurse ato. Kështu, u martova me një grua të ve që të kujdeset për to dhe t'i edukojë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ më tha: “Allahu të begatoftë!” - ose ka thënë: “Mirë!”
13. Nënkapitulli: Shpenzimi i dikujt që është në gjendje të vështirë për familjen e tij
5368. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa rrinim ulur te Pejgamberi ﷺ, erdhi një njeri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam shkatërruar!”
- “Përse?!” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan në Ramazan (agjërueshëm), - iu përgjigj ai.
- “Liro një rob.”
- Nuk kam, - tha ai.
- “E po, agjëro dy muaj rresht.”
- Nuk kam mundësi, - tha ai.
- “Atëherë ushqeji gjashtëdhjetë të varfër?”
- Nuk kam me çka, - tha ai.
Ndërkohë, dikush i solli Pejgamberit ﷺ një shportë me hurma, e në atë rast tha: “Ku është pyetësi?”
- Ja ku jam, - tha ai.
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë.”
- T'i jap ndonjë më të varfri se unë, o i Dërguari i Allahut...?! Betohem në Atë që të ka dërguar ty se mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më të varfër se familja ime, - tha ai.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmbët, pastaj tha: “Atëherë, ushqeje familjen tënde me të.”
14. Nënkapitulli: “Po ashtu është i obliguar edhe trashëgimtari (i fëmijës).” Po gruas a i takon diçka prej tij?
“Allahu bënë krahasim shembullin e dy njerëzve, prej të cilëve njëri është shurdhë-memec, i cili nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, - kurdo e kudo që ta dërgojë nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky (memeci apo skllavi) dhe ai (besimtari) që urdhëron me të drejtë, si dhe vet është në rrugën e drejtë!” (Nahl, 76)
5369. Nga: Umu Seleme
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbiu, e këtij i ka rrëfyer Hishami nga babai i tij, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a kam shpërblim nëse shpenzoj për fëmijët e Ebu Selemes, edhe pse janë fëmijët e mi, duke qenë se kanë nevojë ta kërkojnë rrizkun?” Ai tha: “Po, do të kesh shpërblim për atë që shpenzon për ta.”
5370. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është njeri dorështrënguar, a kam gjynah nëse marr prej pasurisë së tij aq sa më mjafton mua dhe fëmijëve të mi?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Merr aq sa të mjafton!”
15. Nënkapitulli: Hadithi: "Kush lë pas vetes ndonjë të paaftë, unë marr përsipër kujdesin ndaj tij."
5371. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i sillnin ndonjë xhenaze që kishte borxh, pyeste: “A ka lënë pasuri të mjaftueshme për ta kthyer borxhin?” Nëse i thoshin se ka lënë pasuri për ta kthyer borxhin, ia falte namazin, përndryshe u thoshte muslimanëve: “Ju faljani namazin shokut tuaj.”
Kur Allahu ia mundësoi çlirimin e vendeve të ndryshme, tha: “Unë jam më parësor për besimtarët sesa ata për veten e tyre. Andaj, nëse një besimtar vdes dhe lë pas vetes ndonjë borxh, mua më takon t'ia shlyej borxhin, e, kush lë pasuri, ajo u takon trashëgimtarëve të tij.”
16. Nënkapitulli: Gjidhënia nga robëreshat ose nga të huajat
5372. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme se Gruaja e Pejgamberit ﷺ, Umu Habibja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, merre edhe motrën time për grua, të bijën e Ebu Sufjanit!”
- “Vërtet të pëlqen kjo gjë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, sepse, sido që të jetë, unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj ajo që më së shumti do të kisha dëshirë të më shoqëronte në mirësi është motra ime, - i thashë unë.
- “Kjo nuk më lejohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Për Allah, ne po dëgjojmë se dëshiron të martohesh me Duranë, të bijën e Ebu Selemes? - i thashë.
- “Të bijën e Umu Selemes?” - pyeti.
- Po, - i thashë.
Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime), nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Andaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja!”
Urve thotë: “Thuvejbja ishte robëresha që e kishte liruar Ebu Lehebi.”