71. Akika

1. Nënkapitulli: Emërtimi i të porsalindurit një ditë pas lindjes, për ata që nuk bëjnë akikë, si dhe shijimi i hurmës të porsalindurit

5467. Nga: Ebu Musa Eshariu

Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Burejdi nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Më lindi një fëmijë dhe e çova te Pejgamberi ﷺ. Ai ia vuri emrin Ibrahim dhe mori një hurmë, të cilën e përtypi dhe me lëngun e saj ia fërkoi qiellzën. Pastaj u lut që ai të bëhet i begatë dhe ma ktheu. Ai ishte fëmija më i madh i Ebu Musait.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5467

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5468. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një foshnjë që t'ia fërkojë qiellzën me lëng të hurmës së përtypur. Në atë moment, foshnja i urinoi në rroba, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e spërkati (vendin e urinuar në rrobë) me ujë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5468

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5469. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve nga babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur dola nga Meka (për hixhret), isha shtatzënë me Abdullah ibn Zubejrin. Kur arrita në Medinë, tanimë isha në muajin e fundit të shtatzënisë. U ndala në Kuba, ku dhe e linda Abdullahun. Pastaj e çova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia vendosa në prehër. Ai kërkoi një hurmë, të cilën e përtypi dhe lëngun e nxjerrë e vendosi në gojën e foshnjës. Kështu, gjëja e parë që u fut në barkun e tij ishte lëngu nga goja e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pastaj, me hurmë ia fërkoi qiellzën dhe u lut për të që Allahu ta bëjë të begatshëm.
Ky ishte fëmija i parë që kishte lindur në Islam, andaj me lindjen e tij u gëzuan shumë, sepse më parë u ishte thënë se hebrenjtë u kanë bërë sihër që të mos u lindin fëmijë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5469

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5470. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Matar ibn Fadli na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Haruni, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Avniu nga Enes ibn Sirini se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një djalë i Ebu Talhait u sëmur dhe, pasi Ebu Talhai doli nga shtëpia, foshnja vdiq. Kur Ebu Talhai u kthye, tha: “Ç'u bë me djalin?” Umu Sulejme tha: “Është më i qetë se asnjëherë më parë. Më pas, ia shtroi darkën dhe, pasi hëngrën së bashku, shkoi për të fjetur me të. Kur mbaruan, ajo i tha: “Varrose foshnjën!” Kur gdhiu, Ebu Talhai shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi. Ai ﷺ tha: “Keni pasur marrëdhënie mbrëmë?” Ai iu përgjigj: “Po.” Pastaj ai ﷺ tha: “O Allah! Begatojua natën të dyve!” Pas kësaj, ajo lindi një djalë dhe Ebu Talhai i tha asaj: “Kujdesu për të derisa ta dërgosh te Pejgamberi ﷺ!” Kur e dërguan te Pejgamberi ﷺ, ajo mori ca hurma me vete, pastaj Pejgamberi ﷺ e mori foshnjën dhe tha: “Keni diçka me vete?” Ata thanë: “Po, ca hurma.” Pejgamberi ﷺ i mori ato dhe i përtypi, pastaj prej gojës së vet i vuri në gojën e foshnjës dhe ia fërkoi qiellzën me to, si dhe e emërtoi Abdullah.”

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: “Na ka treguar Ibn Ebu Adiu nga Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi, e ky nga Enesi, i cili e transmetoi hadithin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5470

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Rruajtja e kokës së foshnjës me rastin e akikës

5471. Nga: Selman Farisiu

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Selman ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Për çdo të porsalindur ka akikë.”

Haxhaxhi ka thënë: “Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka rrëfyer Ejubi, Katadja, Hishami dhe Habibi nga Ibn Sirini, e ky nga Selmani, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Disa të tjerë transmetojnë nga Asimi dhe Hishami nga Hafsa bint Sirini, e kjo nga Rababi, e ky nga Selmani, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Po ashtu, fjalën e tij e ka transmetuar edhe Jezid ibn Ibrahimi nga Ibn Sirini, e ky nga Selmani.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5471

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5472. Nga: Selman Farisiu

Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu nga Xherir ibn Hazimi, e ky nga Ejub Sehtijaniu, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Selman ibn Amir Dabiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Për çdo të porsalindur ka akikë, andaj derdhni ujë mbi të derisa t'ia largoni gjakun dhe rruajani kokën.”

Abdullah ibn Ebu Esvedi më ka thënë: “Na ka treguar Kurejsh ibn Enesi nga Habib ibn Shehidi, i cili thotë: “Ibn Sirini më urdhëroi që ta pyes Hasenin: “Prej kujt e ke dëgjuar hadithin e akikës?” Dhe, pasi e pyeta, më tha: “Nga Semura ibn Xhundubi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5472

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kurbani për idhuj (fera)

5473. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e këtij i ka rrëfyer Zuhriu nga Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fera dhe atira janë të ndaluara.”
Zuhriu thotë: “Fera ishte pjella e parë (e devesë) që e thernin për të adhuruarit e tyre, kurse atira ishte veçimi i muajit rexheb me kurban.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5473

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Veçimi i muajit rexheb me kurban (atira)

5474. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fera dhe atira janë të ndaluara.”
Zuhriu thotë: “Fera ishte pjella e parë (e devesë) që e thernin për të adhuruarit e tyre, kurse atira ishte veçimi i muajit rexheb me kurban.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5474

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?