78. Etika dhe mirësjellja

1. Nënkapitulli: Bamirësia dhe mbajtja e lidhjeve

Fjala e Allahut Lavdiplotë: “Ne e kemi porositur njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet...” (Ankebut, 8)

5970. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Velid ibn Ajzeri, e ky e ka dëgjuar Ebu Amër Shejbaniun, e këtij i ka rrëfyer pronari i kësaj shtëpie, i cili bëri me shenjë nga shtëpia e Abdullahut, e në atë rast Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) thotë: “E pyeta Pejgamberin ﷺ:
- Cila vepër është më e dashur tek Allahu i Lartësuar?
- “Namazi që falet në kohën e vet”, - u përgjigj ai.
- Pastaj cila?
- “Pastaj mirësjellja me prindërit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Lufta në rrugën e Allahut.”
Abdullahu thotë: “M'i tregoi këto dhe, sikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tepër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5970

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Njerëzit që më së shumti meritojnë mirësjelljen dhe kujdesin tonë

5971. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Umare ibn Kaëka ibn Shubrume, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kush e meriton më së shumti mirësjelljen dhe kujdesin tim?”
- “Nëna jote”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj kush? - pyeti ai.
- “Nëna jote.”
- Pastaj kush?
- “Nëna jote.”
- Pastaj kush? - pyeti sërish ai.
- “Pastaj babai yt”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.

Ibn Shubrume dhe Jahja ibn Ejubi kanë thënë: “Njëjtë na ka treguar edhe Ebu Zura.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5971

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Në xhihad shkohet vetëm me lejen e prindërve

5972. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani dhe Shuëbe, e këtyre u ka treguar Habibi. [t]: Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Habibi, e ky nga Ebu Abasi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e pyeti Pejgamberin ﷺ: “A të shkoj në xhihad?” Ai iu drejtua: “I ke prindërit gjallë?”

- Po, - iu përgjigj burri në fjalë.

Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Në shërbim të tyre derdhe mundin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5972

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Askush të mos i shajë prindërit e vet

5973. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, ndër mëkatet më të mëdha është që dikush t'i mallkojë prindërit e vet.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! E si i mallkon dikush prindërit e vet?” Ai tha: “Dikush i shan babanë një tjetri e pastaj ai ia shan babanë dhe nënën këtij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5973

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Pranimi i lutjes së atij që është bamirës ndaj prindërve

5974. Nga: Abdullah ibn Omeri

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ u ka treguar: “Tre persona dolën për rrugë dhe i zuri shiu, andaj u strehuan në shpellën e një kodre. Papritmas, një gur u rrokullis nga kodra dhe ua mbylli daljen e shpellës, e në atë rast i thanë njëri-tjetrit: “Shikoni ndonjë vepër të mirë që keni punuar për hir të Allahut e luteni Allahun me të, me shpresë se do të na shpëtojë nga kjo (gjendje).”
Atëherë njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë, ndërsa fëmijët e mi kanë qenë të vegjël. Unë dilja për t'i kullotur bagëtitë dhe, kur kthehesha, i milja dhe qumështin ua dërgoja prindërve për të pirë para fëmijëve të mi. Një natë, pasi u angazhova me bartjen e një peme në një vend tjetër, u vonova derisa ra nata. Kur u ktheva, pashë se prindërit kishin fjetur. I mola delet, si çdoherë, dhe ua dërgova pranë enën me qumësht. Urreja t'ua prishja gjumin, andaj qëndrova te koka e tyre. Në anën tjetër, nuk kisha dëshirë t'u jepja qumësht fëmijëve para tyre, ndërkohë fëmijët gjëmonin para këmbëve të mia. Kështu qëndrova deri në mëngjes
(kur ata u zgjuan). Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na hap një vrimë, që ta shohim qiellin.”
Kështu, Allahu u hapi një vrimë sa për ta parë qiellin.
Tjetri tha: “O Allah! Kam pasur një vajzë axhe, të cilën e doja sikurse mashkulli që dashuron shumë një femër. Kërkova prej saj
(të vetmohesha me të), por ajo refuzoi, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë. Rrjedhimisht, punova derisa i mblodha njëqind dinarë, e pastaj me to shkova tek ajo. Por, kur u shtriva sipër saj, më tha: “O rob i Allahut, kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore”, andaj u ngrita menjëherë. O Allah! Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap daljen!” Kështu, Allahu ua hapi edhe pak daljen.
I treti tha: “O Allah! Unë pata marrë një punëtor me pagesë kundrejt një shporte me oriz dhe, kur e kreu punën, më tha: “Ma jep hakun tim.” Unë ia dhashë, por ai nuk e mori. Unë punova dhe atë oriz e mbolla në vazhdimësi, derisa bleva shumë lopë dhe barinj. Pas një kohe, u kthye dhe më tha: “Kije frikë Allahun, mos më bëj padrejtësi dhe ma jep hakun tim!”
- Shko dhe merri ato lopë e barinj, - i thashë.
- Kije frikë Allahun dhe mos u tall me mua! - më tha ai.
- Nuk po tallem me ty, por merri ato lopë me barinjtë e tyre!
Dhe, ai i mori të gjitha.
Nëse Ti e di se këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap pjesën e mbetur të daljes!”
Atëherë, Allahu ua hapi daljen tërësisht.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5974

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Mosrespektimi i prindërve është ndër mëkatet e mëdha

Këtë e transmeton edhe Abdullah ibn Amri nga Pejgamberi ﷺ.

5975. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Mensuri, e ky nga Musejebi, e ky nga Verradi se Mugire (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu jua ka bërë haram mosrespektimin e nënave, privimin e të tjerëve nga pasuria dhe lypjen pa të drejtë, varrosjen e bijave për së gjalli, si dhe urren për ju thashethemet, të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5975

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

5976. Nga: Ebu Bekrete

Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Halid Vasitiu, e ky nga Xhuvejriu, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekretes, se babai i tij Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ pyeti tri herë radhazi: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?”
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigjën të pranishmit.
Tha: “Të bërët ortak Allahut dhe mosrespektimi i prindërve”, - pastaj u ul, sepse ishte i mbështetur, dhe vazhdoi: “Po ashtu, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme! Edhe fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme!”, të cilën e përsëriste vazhdimisht, saqë thashë (me vete): “S'do të ndalet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5976

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5977. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Velidi më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Ebu Bekri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i përmendi mëkatet e mëdha, - ose ka thënë: u pyet për mëkatet e mëdha, - e në atë rast tha: “Të bërët ortak Allahut, vrasja e njeriut dhe mosrespektimi i prindërve.” Pastaj tha: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?” Tha: “Fjala e rrejshme”, - ose tha: “Dëshmia e rrejshme” -.
Shuëbe thotë: “Më shumë mendoj se ka thënë: “Dëshmia e rrejshme.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5977

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Mbajtja e lidhjes me prindin idhujtar

5978. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ erdhi nëna ime idhujtare për të më takuar, kështu që e pyeta Pejgamberin ﷺ:
- A t'i mbaj lidhjet me të?
- “Po”, - më tha ai.
Ibn Ujejne thotë: “Pastaj Allahu i Lartësuar, në lidhje me këtë çështje, zbriti ajetin: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë.” (Mumtehine, 8)

Referenca: Sahihu i Buhariut 5978

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Mbajtja e lidhjes së gruas së martuar me nënën e saj

5979. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Hishami, e ky nga Urve se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjatë kohës kur kurejshët lidhën marrëveshje paqeje dhe armëpushimi me Pejgamberin ﷺ, erdhi nëna ime idhujtare me babanë e saj (për të më takuar), kështu që i thashë Pejgamberit ﷺ: “Nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron t'i mbajë lidhjet me mua.”
- “Po, mbaji lidhjet me nënën tënde”, - ma ktheu Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5979

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5980. Nga: Abdullah ibn Abasi

Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi tregon se Ebu Sufjani i ka treguar se, kur Herakliu e ftoi atë për ta pyetur, i tha: “Çfarë ju urdhëron ai?” Pra, kishte për qëllim Pejgamberin ﷺ. Ai tha: “Na urdhëron të falemi, të japim lëmoshë, të jemi të ndershëm dhe t'i ruajmë lidhjet farefisnore.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5980

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Mbajtja e lidhjes me vëllanë idhujtar

5981. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një palë rroba të thurura pjesërisht me mëndafsh në shitje, andaj i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje ditën e premte dhe nëpër takime me delegacionet që të vijnë?
- “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas një kohe, dikush i solli Pejgamberit ﷺ disa palë rrobash prej mëndafshi, një palë prej të cilave ia dërgoi Omer ibn Hatabit. Omeri shkoi e i tha:
- Si t'i vesh këto, ndërkohë ti vetë pate thënë fjalë jo të mira për to.
- “Nuk t'i kam dhënë për t'i veshur ti, por që t'i shesësh ose t'ia japësh dikujt tjetër,” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, Omeri ia dërgoi ato vëllait të vet idhujtar, të cilin e kishte në Mekë, para se të bëhej musliman.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5981

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Vlera e mbajtjes së lidhjes farefisnore

5982. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Ibn Othmani, e ky e ka dëgjuar Musa ibn Talhain se Ebu Ejubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut më trego ndonjë punë që më fut në Xhenet!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5982

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5983. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Abdurrahmani më ka thënë: Na ka treguar Behziu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar i biri i Othman ibn Abdullah ibn Mevhibit dhe babai i tij Othman ibn Abdullahu, e këta të dy e kanë dëgjuar Musa ibn Talhain se Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri tha: “O i Dërguari i Allahut! Më trego ndonjë punë që më fut në Xhenet!” Njerëzit thanë: “Çfarë paska ai?! Çfarë paska ai?!” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Paska një hall.” Pastaj Pejgamberi ﷺ i tha: “Ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar Atij asgjë, ta falësh namazin, ta japësh zekatin dhe t'i mbash lidhjet farefisnore. Dhe lëre atë!”
Ai thotë: “Si duket ka qenë hipur në kafshën e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5983

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Mëkati i atij që i shkëput lidhjet farefisnore

5984. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimi se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet shkëputësi (i lidhjes farefisnore).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5984

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Mbajtja e lidhjes farefisnore është shkak për lehtësimin e rrizkut

5985. Nga: Ebu Hurejra

Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Meani, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ai që dëshiron t'i lehtësohet rrizku e t'i shtohet jetëgjatësia, le t'i mbajë lidhjet farefisnore.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5985

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5986. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që dëshiron t'i lehtësohet rrizku e t'i shtohet jetëgjatësia, le t'i mbajë lidhjet farefisnore.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5986

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Kush i mban lidhjet farefisnore, Allahu i mban lidhjet me të

5987. Nga: Ebu Hurejra

Bishr ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Muavi ibn Ebu Muzerridi, e ky e ka dëgjuar xhaxhain e tij Seid ibn Jesarin, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasi Allahu i krijoi të gjitha krijesat, me të mbaruar krijimin, lidhja farefisnore tha: “A është kjo pozita e dikujt që të kërkon mbrojtje kundrejt shkëputjes së lidhjes?” Allahu tha: “Po. A je e kënaqur që Unë t'i mbaj lidhjet me atë që i mban lidhjet me ty dhe t'i shkëpus me atë që i shkëput lidhjet me ty?” Ajo tha: “Posi, o Zoti im!” Allahu tha: “Atëherë, kështu do ta kesh.” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nëse doni, lexojeni ajetin: “E, vallë, ndoshta edhe ju (hipokritët) sikur të vinit në pushtet, do të bënit ngatërresa (zullum) në Tokë dhe do t'i shkëputnit lidhjet farefisnore?!” (Muhamed, 22)

Referenca: Sahihu i Buhariut 5987

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5988. Nga: Ebu Hurejra

Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fjala “rahim (lidhje farefisnore)" rrjedh prej fjalës “Rrahman (i Gjithëmëshirshëm)”, andaj Allahu ka thënë: “Unë do t'i mbaj lidhjet me atë që i mban lidhjet me ty dhe do t'i shkëpus me atë që i shkëput lidhjet me ty.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5988

Fjalë të panjohura?

5989. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka rrëfyer Muavi ibn Ebu Muzerridi, e ky nga Jezid ibn Rumani, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fjala “rahim (lidhje farefisnore)" është degë (nga fjala “Rrahman - i Gjithëmëshirshmi"); andaj (Allahu ka thënë:) Unë do t'i mbaj lidhjet me atë që i mban lidhjet me ty dhe do t'i shkëpus me atë që i shkëput lidhjet me ty.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5989

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Për ta mbajtur gjallë lidhjen farefisnore duhet mbajtur lidhjet mes vete

5990. Nga: Amër ibn Asi

Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Kajs ibn Ebu Hazimi se Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ haptas, pa e fshehur, duke thënë: “Familja e babait tim nuk janë të afërmit e mi. Në të vërtetë, i Afërmi im është Allahu dhe besimtarët e devotshëm.”

Anbese ibn Abdulvahidi duke transmetuar nga Bejani, e ky nga Kajsi, shton se Amër ibn Asi ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin duke thënë: "Por unë i mbaj lidhjet me farefisin ngaqë midis nesh qëndron lidhja farefisnore, e cila duhet mbajtur e lidhur.

Domethënë: “E mbaj të gjallë duke mbajtur lidhjet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5990

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Ai që viziton vetëm pasi të vizitohet, nuk quhet mbajtës i lidhjeve

5991. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, Hasen ibn Amri dhe Fitri, e këta nga Muxhahidi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që viziton vetëm pasi të vizitohet, nuk quhet mbajtës i lidhjeve, por mbajtës i lidhjeve është ai që i mban lidhjet me farefisin edhe kur ata i shkëpusin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5991

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Ai që ka mbajtjur lidhjet farefisnore gjatë kohës së idhujtarisë e pastaj ka hyrë në Islam

5992. Nga: Hakim ibn Hizami

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, a do të shpërblehem për punët e mira që i kam vepruar në periudhën paraislame, bie fjala, për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, lirimin e robërve dhe lëmoshën?” I Dërguari i Allahut ﷺ m'u përgjigj: “Në Islam ke hyrë bashkë me veprat e mira të së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5992

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Kur dikush e lejon vogëlushen e dikujt tjetër të luajë me të, e puth ose bën shaka me të

5993. Nga: Umu Halid bint Halid ibn Saidi

Hibani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Halid ibn Seidi, e ky nga babai i tij se Umu Halid bint Halid ibn Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe babai im, shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ ndërkohë që kisha veshur një këmishë të verdhë. Ai tha: “Bukur, bukur!”1 Unë fillova të luaj me vulën e pejgamberisë, por babai më bërtiti. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Lëre.” Pastaj tha: “U rritsh dhe e grissh! U rritsh dhe e grissh! U rritsh dhe e grissh!”
Abdullah ibn Mubareku thotë: “Ajo rrobë i qëndroi gjatë, saqë u bë e njohur ndër njerëz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5993

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Mëshirimi, puthja dhe përqafimi i fëmijës

Enesi thotë: "Pejgamberi ﷺ e përqafoi Ibrahimin, e puthi dhe i mori erë."

5994. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Mehdiu, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Jakubi se Ibn Ebu Numiu tregon: “Isha i pranishëm kur dikush e pyeti Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në lidhje me gjakun e mushkonjës.” Abdullahu e pyeti:
- Prej nga je ti?
- Jam banor i Irakut, - ia ktheu ai.
- Pa shikoni këtë! Më pyet për gjakun e mushkonjës, ndërkohë pikërisht ata e kanë mbytur djalin e (vajzës së) të Dërguarit të Allahut ﷺ! Ndërkaq, unë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ (për Hasenin dhe Husejnin) duke thënë: “Ata dy janë borzilokët e mi të kësaj bote”, - tha Abdullahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5994

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5995. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ebu Bekri, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua me dy vajza erdhi tek unë për të lypur, mirëpo, përveç një hurme, nuk kisha asgjë (për t'i dhënë), andaj ia dhashë. Ajo ua ndau atë të bijave (vetë nuk hëngri asgjë), pastaj u ngrit dhe shkoi. Kur erdhi Pejgamberi ﷺ, i tregova, e ai tha: “Atij që i lindin vajza dhe i edukon mirë ato, do t'i bëhen mburojë kundrejt Zjarrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5995

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5996. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburiu, e këtij i ka treguar Amër ibn Sulejmi se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ na doli për namaz, ndërkohë mbante në krahë Umamen, të bijën e Ebu Asit. Kur binte në sexhde, atë e vendoste në tokë, e, kur ngrihej, e merrte sërish në krahë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5996

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5997. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ e puthi Hasenin, të birin e Aliut, në prani të Akra ibn Habis Temimit, i cili qëndronte ulur, e në atë rast Akrai tha: “Unë kam dhjetë fëmijë, por kurrë s'kam puthur asnjërin prej tyre.” I Dërguari i Allahut ﷺ i lëshoi një shikim e pastaj i tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5997

Fjalë të panjohura?

5998. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberit ﷺ i erdhi një beduin dhe i tha: “A i puthni ju fëmijët, sepse ne nuk i puthim?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Çfarë të bëj unë nëse Allahu e ka nxjerrë mëshirën prej zemrës sate?!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5998

Fjalë të panjohura?

5999. Nga: Omer ibn Hatabi

Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Zejd ibn Eslemi, e ky nga babai i tij se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberit ﷺ i sollën ca robër, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. Meqë i ishte akumuluar qumështi i gjirit me bollëk, sa herë që gjente ndonjë foshnjë në mesin e robërve, e mbështeste për barku dhe i jepte gji (derisa e gjeti edhe të birin e saj).” Pejgamberi ﷺ na tha: “A mendoni se (pas gjithë kësaj) kjo do ta hidhte fëmijën e saj në zjarr?” Ne thamë: “Me vullnetin e saj jo.” Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo ndaj fëmijës së saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5999

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Allahu e ka ndarë mëshirën në njëqind pjesë

6000. Nga: Ebu Hurejra

Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Allahu e ka ndarë mëshirën në njëqind pjesë. Nëntëdhjetë e nëntë pjesë i ka mbajtur pranë Vetes, ndërsa vetëm njërën e ka zbritur në Tokë. Ndërkaq, të gjitha krijesat mëshirohen mes vete me këtë pjesë, aq sa edhe pela e tërheq lart thundrën nga frika mos e godet të voglin e saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6000

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Kur prindi mbyt fëmijën e vet nga frika se do të ushqehet së bashku me të

6001. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Amër ibn Shurahbili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Cili është mëkati më i rëndë?”
Ai tha: “T'i bësh ortak Allahut, ndërkohë Ai të ka krijuar.”
Thashë: “Pastaj cili?”
Pejgamberi ﷺ tha: “Ta mbytësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.”
Thashë: “Pastaj cili?”
Tha: “Të bësh zina me gruan e fqinjit.” Pastaj Allahu i Lartësuar zbriti ajetin vërtetues të fjalës së Pejgamberit ﷺ: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. (Furkan, 68)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6001

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Vënia e foshnjës në prehër

6002. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ vuri një foshnjë në prehrin e tij që t'ia fërkojë qiellzën me lëng të hurmës së përtypur, e në atë rast ai i urinoi në prehër. Pejgamberi ﷺ kërkoi ujë dhe e spërkati vendin e urinuar me të.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6002

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Ulja e foshnjës sipër kofshës

6003. Nga: Usame ibn Zejdi

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Arimi, e këtij i ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e ky nga babai i tij, e ky e ka dëgjuar Ebu Temimen, e këtij i ka treguar Ebu Othman Nehdiu se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më merrte dhe më ulte mbi njërën kofshë, kurse Hasanin e ulte mbi kofshën tjetër, pastaj na shtrëngonte dhe thoshte: “O Allah! Mëshiroji ata, sepse unë i mëshiroj!”

Aliu po ashtu ka thënë: “Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sulejmani nga Ebu Othmani se Tejmiu ka thënë: “Pastaj ndjeva njëfarë dyshimi rreth këtij hadithi dhe thashë (me vete): “Sa e sa herë e kam transmetuar, por (ndoshta) nuk e kam dëgjuar nga Ebu Othmani, pastaj kërkova dhe e gjeta të shkruar ndër gjërat që i kam dëgjuar (prej tij).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6003

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Kujdesi i mirë ndaj shoqërisë është prej imanit

6004. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndaj asnjë gruaje të Pejgamberit ﷺ nuk kam xhelozuar siç kam xhelozuar ndaj Hadixhes, sepse e dëgjoja tek e përmendte shumë shpesh. Ajo vdiq tre vjet para se Pejgamberi ﷺ të martohej me mua. Allahu e urdhëroi ta përgëzojë me një shtëpi prej margaritari në Xhenet. Kur therte dele, u dhuronte mish shoqeve të saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6004

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Vlera e kujdestarit të jetimit

6005. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Më ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e këtij i ka treguar babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit në Xhenet jemi kështu”, - dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe të mesëm.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6005

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Vlera e atij që kujdeset për të venë

6006. Nga: Ebu Hurejra

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Safvan ibn Sulejmi, i cili ia atribuon atë Pejgamberit ﷺ, duke transmetuar nga Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që kujdeset për të venë dhe për nevojtarin është sikurse ai që lufton në rrugën e Allahut, ose sikurse ai që agjëron ditën dhe falet natën.”

Ismaili na ka thënë: “Na ka treguar Maliku nga Thevr ibn Zejd Diliu, e ky nga Ebu Gajthi, i çrobëruari i ibn Mutië, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6006

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Vlera e atij që kujdeset për nevojtarin

6007. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Thevr ibn Zejdi, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që kujdeset për të venë dhe për nevojtarin është sikurse ai që lufton në rrugën e Allahut.” - Buhariu ka mëdyshje se Kanebiu po ashtu ka thënë: “Sikurse ai që falet natën pa u lodhur, ose sikurse ai që agjëron pandërprerë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6007

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Mëshira ndaj njerëzve dhe kafshëve

6008. Nga: Malik ibn Huvejrithi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe, e ky nga Ebu Sulejmani se Malik ibn Huvejrithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vajtëm te Pejgamberi ﷺ, ishim të rinj dhe bashkëmoshatarë. Tek ai qëndruam njëzet net. Ai mendoi se ishim përmalluar për familjet tona, andaj na pyeti se kë kishim lënë mbrapa prej familjes, gjë që i treguam. Pejgamberi ﷺ ishte i butë dhe i mëshirshëm. Më pas, na tha: “Kthehuni te familjet tuaja dhe mësojini ata, urdhërojini për të mirë dhe faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndokush prej jush dhe le t'ju prijë në namaz më i vjetri nga mesi juaj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6008

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6009. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ishte duke ecur, e mori etja fort, andaj, pasi që gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: “E paska marrë etja siç më pati marrë mua.” Kështu, zbriti në pus, e mbushi këpucën me ujë, e kapi me dhëmbë dhe u ngjit sipër pusit që t'i jepte qenit për të pirë. Allahu i ishte mirënjohës për këtë vepër, prandaj ia fali mëkatet.”
Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?”
- “Për çdo gjallesë që ka mushkëri të njomë ka shpërblim”, - u tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6009

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6010. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për t'u falur, e edhe ne u ngritëm me të. Duke qenë në namaz, një beduin tha: “O Allah! Mëshiromë mua dhe Muhamedin, e mos mëshiro askënd tjetër pos nesh!” Kur Pejgamberi ﷺ dha selam, i tha beduinit: “E kufizove atë që është e gjerë”, duke pasur për qëllim mëshirën e Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6010

Fjalë të panjohura?

6011. Nga: Numan ibn Beshiri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky e ka dëgjuar Amirin se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtarët, kur është fjala për mëshirën, dashurinë dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit, janë sikurse një trup: kur një gjymtyrë e trupit sëmuret, i gjithë trupi rënkon nga sëmundja me pagjumësi dhe zjarrmi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6011

Fjalë të panjohura?

6012. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo pemë ose bimë që mbjell muslimani, prej së cilës ha ndonjë njeri a bagëti, i llogaritet lëmoshë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6012

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6013. Nga: Xherir ibn Abdullahu

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vehbiu se Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6013

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Sjellja e mirë me fqinjin

Fjala e Allahut të Lartësuar: “Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.” (Nisa, 36)

6014. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Muhamedi, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Xhibrili ﷺ vazhdimisht më porosiste për raporte të mira me fqinjin, saqë mendova se do t'i japë të drejtë në trashëgimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6014

Fjalë të panjohura?

6015. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamedi, e ky nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhibrili ﷺ vazhdimisht më porosiste për raporte të mira me fqinjin, saqë mendova se do të caktojë edhe për të pjesë nga trashëgimia ime.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6015

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Mëkati i atij njeriu, fqinji i të cilit nuk ndihet i sigurt prej të këqijave të tij

“Ose i shkatërron ata për shkak të asaj që vepruan, e për shumë të tjera Ai i fal.” (Shura, 34) “... Ne ua shkatërruam lidhjet ndërmjet vete.” (Kehf, 52)

6016. Nga: Ebu Shurejh Adeviu

Asim ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seidi se Ebu Shurejhu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Allahun se nuk ka besuar! Betohem në Allahun se nuk ka besuar! Betohem në Allahun se nuk ka besuar!” I thanë: “Kush, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Ai (besimtar), fqinji i të cilit nuk ndihet i sigurt prej të këqijave të tij.”

Transmetimin e Asim ibn Aliut e fuqizojnë Shebabe dhe Esed ibn Musai, ndërkaq Humejd ibn Esvedi, Othman ibn Omeri, Ebu Bekër ibn Ajashi dhe Shuajb ibn Is'haku transmetojnë nga Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Makburi, e ky nga Ebu Hurejra.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6016

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Mos përçmoni asgjë nga ajo që ju jep fqinja

6017. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburiu, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ thoshte: “O ju gra muslimane! Të mos e përçmojë fqinja gjënë që mund t'ia dhurojë fqinjes së saj, qoftë dhe një thundër deleje!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6017

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij

6018. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij.
Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij.
Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6018

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6019. Nga: Ebu Shurejh Adeviu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburi se Ebu Shurejh Adeviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Veshët e mi e kanë dëgjuar dhe sytë e mi e kanë parë çastin kur Pejgamberi ﷺ ishte duke folur dhe tha: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le t'ia japë mysafirit hisen e mikpritjes (siç i takon).” Dikush pyeti: “Cila është hisja e tij, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Një ditë e një natë. Mikpritja (e pëlqyer) është tri ditë, e ajo që është më tepër se kaq llogaritet lëmoshë ndaj tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6019

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: E drejta e fqinjit llogaritet sipas afërsisë së dyerve

6020. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Ebu Imrani, e ky e ka dëgjuar Talhain se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, i kam dy fqinje, cilës prej tyre t'i dërgoj dhuratë?”
- “Atij, derën e së cilës e ke më afër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6020

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Çdo punë e mirë është lëmoshë

6021. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo punë e mirë është sadaka.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6021

Fjalë të panjohura?

6022. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Burde ibn Ebu Musa Eshariu, e ky nga babai i vet se gjyshi i vet Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo musliman duhet të japë sadaka.”
- Të pranishmit pyetën: “Po ai që nuk ka?”
- “Punon me duart e veta, i bën dobi vetes dhe jep sadaka”, - tha ai.
- Po nëse nuk ka mundësi, ose nuk punon? - pyetën.
- “E ndihmon nevojtarin e vuajtur”, - iu përgjigj ai.
- Po nëse nuk ka mundësi? - pyetën.
- “Le të urdhërojë për të mirë” - ose ka thënë: “për punë të mira!”, - iu përgjigj ai.
- Po nëse nuk e bën? - pyetën.
- “Le të ndalet prej së keqes, kjo është sadaka për të”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6022

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Fjala e mirë

Ebu Hurejra transmeton nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: "Fjala e mirë është lëmoshë."

6023. Nga: Adij ibn Hatimi

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Amri, e ky nga Hajtheme se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ e përmendi Zjarrin, kërkoi mbrojtje kundrejt tij dhe e ktheu fytyrën në anën tjetër, pastaj prapë kërkoi mbrojtje kundrejt tij dhe e ktheu fytyrën në anën tjetër.” Shuëbe thotë: “Për dy herë jam i sigurt.”
Pastaj tha: “Mbrohuni nga Zjarri, qoftë dhe me gjysmë hurme! Nëse nuk keni, atëherë me një fjalë të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6023

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Butësia në çdo gjë

6024. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Njëherë, një grup hebrenjsh erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Esamu alejkum (vdekja qoftë mbi ju)!” Aishja thotë: “Unë e kuptova fjalën e tyre, andaj u thashë: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Qetësohu, oj Aishe! Me të vërtetë, Allahu e do butësinë në çdo gjë.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk i dëgjove çfarë thanë?” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Ua thashë unë: “Ve alejkum (edhe mbi ju)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6024

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6025. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një beduin urinoi në xhami, e në atë rast njerëzit ia mësynë drejt tij. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos e ndërpritni!” Pastaj kërkoi një kovë ujë, të cilën e derdhën në vendin ku kishte urinuar.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6025

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Ndihma e besimtarëve mes vete

6026. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Burde, Burejd ibn Ebu Burde, e këtij i ka rrëfyer gjyshi i tij Ebu Burde, e ky nga babai i tij se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtarët mes vete janë sikurse ndërtesa: e përforcojnë njëri-tjetrin”, - dhe gërshetoi gishtërinjtë e tij.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6026

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6027. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte ulur, një njeri erdhi për ta pyetur ose për të kërkuar ndonjë nevojë të tijën. Pejgamberi ﷺ u kthye me fytyrë nga ne dhe na tha: “Ndërmjetësoni, që të shpërbleheni. Allahu cakton ç'të dojë përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6027

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai që ndërmjetëson për të mirë do të ketë hise në shpërblim, e ai që ndërmjetëson për të keqe do të ketë pjesë në ndëshkim, se Allahu është i Gjithëpushtetshëm.”

6028. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberit ﷺ i vente ndonjë lypës ose kur i kërkohej ndonjë nevojë, thoshte: “Ndërmjetësoni, që të shpërbleheni. Allahu cakton ç'të dojë përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6028

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

38. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje

6029. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin, e ky e ka dëgjuar Mesrukun, e këtij i ka thënë Abdullah ibn Amri. [t]: Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekik ibn Seleme se Mesruku tregon: “Kur Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi bashkë me Muaviun në Kufe, hymë tek ai, e ai na e përmendi të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe na tha: “Nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje.” I Dërguari i Allahut ﷺ thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka moralin më të mirë”, - tha Abdullahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6029

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6030. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e ky nga Ejubi, e ky nga Abdullah Ibn Ebu Mulejke se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, njëherë, ca hebrenj erdhën te Pejgamberi ﷺ e i thanë: “Esamu alejkum (vdekja qoftë mbi ju)!” Aishja ua ktheu: “Edhe mbi ju qoftë vdekja! Allahu ju mallkoftë dhe qoftë i hidhëruar me ju!” Pejgamberi ﷺ tha: “Qetësohu, oj Aishe! Ji e butë dhe ruaju nga arroganca dhe fjalët e këqija!” Ajo tha: “A nuk i dëgjove çfarë thanë?” Pejgamberi ﷺ tha: “Po ti, a nuk dëgjove çfarë thashë? Unë ua ktheva dhe lutja ime kundër tyre pranohet, kurse lutja e tyre kundër meje nuk pranohet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6030

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6031. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Jahjai, Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Hilal ibn Usame se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nuk ka qenë ofendues, s'ka folur fjalë të këqija e as ka qenë mallkues. Kur qortonte ndonjërin prej nesh, i thoshte: “Çfarë ka ai? Iu pluhurostë balli!1

Referenca: Sahihu i Buhariut 6031

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6032. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Amër ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Sevai, e këtij i ka treguar Revh ibn Kasimi, e ky nga Muhamed ibn Munkediri, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë një burrë i kërkoi Pejgamberit ﷺ leje për të hyrë. Kur ai e pa atë (nga larg), tha: “Mjerë fisi për këtë vëlla, mjerë fisi për këtë bir!” Por, kur iu ul pranë, Pejgamberi ﷺ i buzëqeshi në fytyrë dhe e bëri të ndihej rehat. Kur burri u largua, Aishja e pyeti ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, kur e pe atë burrin, the për të kështu e kështu..., pastaj i buzëqeshe në fytyrë dhe e bëre të ndihej rehat!” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Oj Aishe! Kur ke parë tek unë ndonjë sjellje të keqe? Me të vërtetë, Ditën e Gjykimit njerëzit me pozitën më të keqe tek Allahu janë ata që njerëzit i kanë braktisur për t'u ruajtur nga sherri i tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6032

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

39. Nënkapitulli: Sjellja e mirë, bujaria dhe ca gjëra të urryera në lidhje me koprracinë

Ibn Abasi ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë njeriu më bujar. Bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit. Ebu Dherri tregon se, kur mori vesh për vendndodhjen e Pejgamberit ﷺ gjatë zbritjes së shpalljes, i tha vëllait të vet: "Shko në atë luginë dhe dëgjo ndonjë gjë prej fjalëve të tij! Kur u kthye, ai tha: "E pashë duke urdhëruar për moralet e larta."

6033. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka qenë njeriu më i mirë, më bujari dhe më trimi.”
Një natë, banorët e Medinës i kaploi një panik, kështu që njerëzit u nisën në drejtim të zhurmës që dëgjuan. Pejgamberi ﷺ u kishte paraprirë atyre për te zhurma, andaj, kur i takoi, u tha: “Mos u frikësoni! Mos u frikësoni!” Ai qëndronte mbi një kalë të pashaluar të Ebu Talhait, në qafë kishte varur shpatën dhe tha: “Qenka kalë i furishëm si deti!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6033

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

6034. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “S'ka ndodhur që Pejgamberit ﷺ t'i jetë kërkuar diçka e të ketë thënë: "Jo!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6034

Fjalë të panjohura?

6035. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Amër ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Mesruku tregon: “Njëherë, teksa ishim ulur duke biseduar me Abdullah ibn Amrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), na tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje.” Ai na thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka moralin më të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6035

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6036. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua i solli Pejgamberit ﷺ një pelerinë. Pastaj Sehli i pyeti njerëzit: “E dini ç'është pelerina?”

- Po, petk i gjatë, - iu përgjigjën të pranishmit.
Sehli thotë: “Është petk i qëndisur në skaje.”
Gruaja në fjalë i tha Pejgamberit ﷺ: “Ta kam sjellë që ta veshësh.”
Pejgamberi ﷺ e mori dhe, ngaqë kishte nevojë për të, e veshi. Kur një burrë nga sahabët e pa atë, i tha:
- O i Dërguari i Allahut, sa e mirë që qenka! Mund të ma japësh?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kur Pejgamberi ﷺ shkoi, shokët e tij e kritikuan dhe i thanë: “Nuk bëre mirë që ia kërkove, sepse ti e pe se Pejgamberi ﷺ e mori atë sepse kishte nevojë. Ia kërkove, edhe pse e dije që ai nuk refuzon askënd kur i kërkon diçka.”
Ai tha: “Meqë Pejgamberi ﷺ e pati veshur atë, shpresova në bereqetin e saj dhe desha të më mbetet për qefin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6036

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6037. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Koha do të shkurtohet, do të pakësohen veprat, do t'ju godasë koprracia dhe do të shpeshtohet herxhi.” I thanë: “Ç'është herxhi?” Tha: “Vrasja, vrasja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6037

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6038. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musa ibn Ismaili na ka thënë: E kam dëgjuar Selam ibn Miskinin, e ky e ka dëgjuar Thabitin se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I kam shërbyer Pejgamberit ﷺ dhjetë vjet e asnjëherë nuk më ka thënë “of”, as: “Pse e bëre këtë?” e as: “Sikur ta kishe bërë?!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6038

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

40. Nënkapitulli: Si duhet të jetë burri në familjen e tij?

6039. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi se Esvedi tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë bënte Pejgamberi ﷺ në familjen e tij?” Ajo më tha: “Ishte në shërbim të familjes, porse, kur vinte koha e namazit, shkonte për namaz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6039

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?