84. Shpagimi i betimit të pambajtur

1. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “... E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është të ushqyerit dhjetë të varfër...”

Si dhe ajo që urdhëroi Pejgamberi ﷺ kur zbriti ajeti: “... Le ta shpaguajë me agjërim, ose lëmoshë ose kurban...” (Bekare, 196) Nga Ibn Abasi, Atai dhe Ikrime transmetohet se kanë thënë: "Sa herë që përmendet në Kuran “ose, ose,” atëherë personi mund të zgjedhë njërën prej gjërave të përmendura. Pejgamberi ﷺ ia mundësoi Kabit të zgjedhë në shpagim."

6708. Nga: Kab ibn Uxhrai

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili më tha: “Afrohu (të të shoh)!” Kur iu afrova, më pyeti:
- “Po të mundojnë morrat, vallë?”
- Po, - ia ktheva.
Atëherë m'u drejtua:(Rruaje kokën dhe) Shpaguaje këtë me agjërim, ose me lëmoshë, ose me kurban.”
Ibn Avniu më ka rrëfyer nga Ejubi se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: “... agjërimi është tri ditë, kurbani është një dele dhe të varfrit janë gjashtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6708

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Kur i obligohet shpagimi të pasurit dhe të varfrit?

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu ju ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; Allahu është kujdestari juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.” (Tahrim, 2)

6709. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky thotë se e ka dëgjuar nga goja e Zuhriut, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar.”
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës), - iu përgjigj ai.
- “A ke mundësi të lirosh një rob?”
- Jo.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
- “Ulu, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ dhe ai u ul.
Rastisi që Pejgamberit ﷺ t'i sjellin një shportë të madhe me hurma, e në atë rast tha:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Ndonjë më të varfri se unë?! - pyeti burri në fjalë.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Ushqeje familjen tënde me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6709

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ai që i ndihmon të varfrit për shpagim

6710. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar!”
- “Si ashtu, vallë?” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës) - ia ktheu ai.
- “Ke ndonjë rob?”
- Jo - tha ai.
- “Mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Atëherë, një burrë ensar, solli një shportë me hurma, ndërsa Pejgamberi ﷺ i tha personit në fjalë:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Dikujt që është më nevojtar se ne, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se në mes dy pllajave (të Medinës) s'ka familje më të varfër se ne.
- “Shko ushqeje familjen tënde, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6710

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Shpagimi u jepet dhjetë të varfërve, qofshin të afërm, qofshin të largët

6711. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejdi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar!”
- “Çfarë ke?” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës).
- “A ke me çfarë të lirosh një rob?”
- Jo, - tha ai.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo, nuk mundem.
Rastisi që Pejgamberit ﷺ t'i sjellin një shportë me hurma, e në atë rast i tha personit në fjalë:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Dikujt që është më i varfër se ne? Në mes dy pllajave (në Medinën) s'ka familje më të varfër se ne.
- “Merre dhe ushqeje familjen tënde, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6711

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Sai i Medinës, mudi i Pejgamberit ﷺ dhe bereqeti i tij; banorët e Medinës e trashëguan atë brez pas brezi

.

6712. Nga: Saib ibn Jezidi

Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Kasim ibn Malik Muzeniu, e këtij i ka treguar Xhuajd ibn Abdurrahmani se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sai në kohën e Pejgamberit ﷺ ka qenë sa mudi juaj sot, plus një e treta, kurse në kohën e Omer ibn Abdulazizit është shtuar në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6712

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6713. Nga: Abdullah ibn Omeri

Mundhir ibn Velid Xhuvejriu na ka thënë: Na ka treguar Selm Ebu Kutejbe, e këtij i ka treguar Maliku se Nafiu tregon: “Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e jepte zekatin e fitrit me mud të Pejgamberit ﷺ, ashtu siç ka qenë në fillim, e edhe për shpagim të betimit e përdorte mudin e Pejgamberit ﷺ.”
Ebu Kutejbe tregon: “Maliku na ka thënë: “Mudi ynë është më i madh (në bereqet) se mudi juaj, ndërsa ne konsiderojmë se vetëm mudi i Pejgamberit ﷺ ka vlerë.”
Po ashtu, Maliku më ka thënë: “Nëse ju vjen një udhëheqës dhe ju cakton një mud më të vogël se mudi i Pejgamberit ﷺ, cilin do ta përdornit?”
- Do ta përdornim mudin e Pejgamberit ﷺ, - tha Ebu Kutejbe.
- E sheh? Çështja sërish kthehet te mudi i Pejgamberit ﷺ, - tha Maliku.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6713

Fjalë të panjohura?

6714. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O Allah! Begatoji në peshoret e tyre: në sain dhe mudin e tyre!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6714

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “... Ose lirimi i një robi...” Cili rob është më i miri?

6715. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Davud ibn Rushejdi, e këtij i ka treguar Velid ibn Muslimi, e ky nga Ebu Gasan Muhamed ibn Mutarrifi, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ali ibn Husejni, e ky nga Seid ibn Merxhane se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokujt që liron një rob musliman, Allahu do t'ia shpëtojë nga Zjarri çdo gjymtyrë të tij kundrejt çdo gjymtyre të robit të liruar, madje edhe organin gjenital kundrejt organit gjenital të robit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6715

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: A lejohet të bëhet shpagimi me lirimin prej robërisë: të robit, i cili do të lirohet pas vdekjes së zotërisë së tij; të robëreshës që është nëna e fëmijës së zotërisë; të robit i cili ka bërë kontratë ta lirojë veten, por ende nuk e ka mbaruar pagesën, si dhe lirimi nga robëria i kopilit?

Tavusi ka thënë: "Lejohet të bëhet shpagimi me lirimin e robit, liria e të cilit është e kushtëzuar me vdekjen e zotërisë së tij, dhe robëreshës që është nënë e fëmijës së zotërisë."

6716. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Numani na ka thënë: Na ka rrëfyer Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ensar liroi një rob, duke i kushtëzuar lirinë me vdekjen e pronarit. Ai nuk kishte pasuri tjetër pos atij robi, gjë për të cilën, kur Pejgamberi ﷺ u informua, tha: “Kush po e blen këtë rob prej meje?” Kështu, Nuajm ibn Nuhami e bleu për tetëqind dërhemë.
Xhabiri thoshte: “Ai ka qenë rob koptas. Vdiq qysh në vitin e parë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6716

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

Nënkapitulli: Nëse e liron një rob të përbashkët me dikë

8. Nënkapitulli: Nëse e liron për shpagim, kujt i takon merita e çrobërimit?

6717. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ajo deshi ta blejë Berirën (për ta liruar nga robëria), por pronarët e saj i kushtëzuan që merita e çrobërimit t'u takojë atyre. Kështu, këtë ia përmendi Pejgamberit ﷺ, i cili tha: “Blije, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6717

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Përjashtimi në betim

6718. Nga: Ebu Musa Eshariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Gajlan ibn Xheriri, e ky nga Ebu Burde, i biri i Ebu Musait se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë, së bashku me disa pjesëtarë të fisit eshari, shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ për t'i kërkuar të na japë kafshë bartëse (për luftë), por ai tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr me vete, por as kam me se t'ju bart.” Pastaj pritëm aq sa deshi Allahu të presim dhe, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën disa deve, ai na i dha tri kokë të majme.
Kur u nisëm për rrugë, thamë: “Betohemi në Allahun se Ai nuk do të na japë bereqet, sepse shkuam dhe i kërkuam Pejgamberit ﷺ të na japë kafshë bartëse, por ai na u betua se nuk do të na i japë, megjithatë na i dha. Andaj, u kthyem te Pejgamberi ﷺ dhe ia përmendëm. Ai na tha: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, e shpaguaj betimin tim. Pra, veproj atë që është më e mira, pastaj e shpaguaj betimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6718

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6719. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përmend se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “... e shpaguaj betimin dhe veproj atë që është më e mira, - ose ka thënë: - veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6719

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6720. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hisham ibn Huxhejri, e ky nga Tavusi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëherë, Sulejmani ﷺ tha: “Sonte do të bëj marrëdhënie me nëntëdhjetë gra, që secila të më lindë nga një djalë që do të luftojë në rrugën e Allahut. Shoku i tij (meleku) i tha: “Thuaj “inshallah" (vetëm nëse Allahu do). Por, ai harroi. Ai bëri marrëdhënie me të gjitha, por asnjëra prej tyre nuk lindi fëmijë, përveç njërës, e cila lindi një njeri gjysmak. Pejgamberi ﷺ tha: “Sikur të kishte thënë “inshallah”, nuk do të dështonte dhe do të ishte më afër t'i plotësohej dëshira.”
Murrai tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur ta bënte përjashtimin (të thoshte “inshallah").”

Ebu Zinadi na ka transmetuar nga Arexhi hadithin e njëjtë me të Ebu Hurejrës.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6720

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Shpagimi bëhet para se ta thyejë betimin dhe pas tij

6721. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ali ibn Huxhri na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e ky nga Ejubi, e ky nga Kasim Tejmiu se Zehdem Xhermiu tregon: “Mes nesh dhe një lagjeje të fisit xherm kishte vëllazëri dhe mirësi. Kështu, teksa po rrinim tek Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sollën ca ushqime, ndër të cilat kishte edhe mish pule. Në mesin tonë ishte edhe një pjesëtar i fisit tejmullah, i racës së kuqe1, sikur të ishte rob, i cili nuk u afrua fare (tek ushqimi).” Ebu Musai i tha: “Afrohu, sepse e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke ngrënë prej këtyre ushqimeve!” Ai ia ktheu: “Por, unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.”
Atëherë Ebu Musai iu drejtua: “Eja të të tregoj diçka (për betimin tënd). Njëherë, patëm shkuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ bashkë me një grup të fisit eshari, që t'i kërkojmë kafshë bartëse (për luftë), teksa ai po i ndante devetë e sadakasë, - Ejubi thotë: “Mendoj se ka thënë: “... kur ai ishte i zemëruar. Pejgamberi ﷺ na tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr, por as kam me se ju bart.”
Mirëpo, pasi u kthyem, të Dërguarit të Allahut ﷺ i erdhi një tufë devesh (nga plaçka e luftës), andaj pyeti: “Ku janë esharinjtë? Ku janë esharinjtë?” Si rrjedhojë, ne u kthyem dhe ai dha urdhër të na jepen pesë deve gungëbardha (të majme). Nuk shkuam shumë larg dhe u thashë shokëve: “Ne shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i kërkuam të na japë kafshë bartëse, por ai u betua se s'do të na japë, mirëpo na thirri prapë dhe na dha. Pejgamberi ﷺ e harroi betimin! Betohem në Allahun se, nëse e shpërfillim betimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kurrë nuk do të shpëtojmë. Andaj, të kthehemi tek ai dhe t'ia kujtojmë betimin.”
Kështu, u kthyem dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, ne erdhëm te ti dhe kërkuam të na japësh kafshë bartëse, ndërsa ti u betove se s'do të na japësh, por, pastaj na dhe, andaj menduam se e ke harruar betimin. Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Vazhdoni, sepse Allahu jua ka mundësuar të vini. Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”

Transmetimin e Ismail ibn Ibrahimit e fuqizon Hamad ibn Zejdi nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim ibn Asim Kulejbiu. Kutejbe na ka thënë: “Këtë na ka treguar Abdulvehabi nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim Tejmiu, e këta nga Zehdemi. Ebu Mameri na ka thënë: “Këtë na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Kasimi, e ky nga Zehdemi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6721

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6722. Nga: Abdurrahman ibn Semure

Muhamed ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omer ibn Farisi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Avniu, e ky nga Haseni se Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e kërko udhëheqjen se, po t'u dha pa e kërkuar, do të ndihmohesh, e, nëse të jepet si shkak i kërkesës sate, atëhere do të jesh përgjegjës për të. Nëse betohesh për diçka, pastaj sheh një zgjidhje më të mirë, atëherë punoje atë që është më e mirë dhe shpaguaje betimin e bërë.”

Transmetimin e Othman ibn Omer ibn Farisit e ka fuqizuar Esh'heli nga Ibn Avniu. Po ashtu, transmetimin e fuqizojnë edhe Junusi, Simak ibn Atije, Simak ibn Harbi, Humejdi, Katadja, Mensuri, Hishami dhe Rebia.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6722

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?