85. Trashëgimia

1. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër - i takon gjysma e pasurisë; e për çdonjërin prind të të vdekurit - u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë; e nëse nuk ka fëmijë, e trashëgojnë prindërit dhe nënës i bie një e treta; nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës së tij i bie një e gjashta, pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Ky caktim është nga ana e Allahut. Pa dyshim Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Juve ju takon gjysma e pasurisë nga ajo që kanë lënë bashkëshortet tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë. Por, nëse kanë fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që kanë lënë ato, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi. Në qoftë se nuk keni fëmijë, atyre (grave) u takon një e katërta e pasurisë që keni lënë e, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që keni lënë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi. Nëse i vdekuri, qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër (prej nënës), atëherë çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta; e nëse ka më shumë nga ata, atëherë marrin pjesë bashkërisht në një të tretën e pasurisë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi, duke mos e dëmtuar askënd. Kjo është porosia e Allahut! Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë Durues.”

6723. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa isha i sëmurë rëndë, i Dërguari i Allahut ﷺ me Ebu Bekrin erdhën në këmbë për të më vizituar, e në atë rast më gjetën të alivanosur. I Dërguari i Allahut ﷺ mori abdes dhe më spërkati me ujë të abdesit. Kur m'u kthye vetëdija, thashë: “O i Dërguari i Allahut, si të veproj me pasurinë time? Si ta ndaj atë?” Ai nuk më dha ndonjë përgjigje derisa zbriti ajeti i trashëgimisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6723

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Mësimi i ndarjes së trashëgimisë

Ukbe ibn Amiri ka thënë: "Mësoni, para se të flasin ata që flasin me mendjet e tyre."

6724. Nga: Ebu Hurejra

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kujdes nga paragjykimet, sepse paragjykimet janë gënjeshtrat më të mëdha! Mos përgjoni, mos spiunoni, mos urreni dhe mos i ktheni shpinën njëri-tjetrit, por jini robër të Allahut, vëllezër!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6724

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Ne nuk trashëgohemi, ndërsa ajo që e kemi lënë është lëmoshë.”

6725. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja dhe Abasi shkuan tek Ebu Bekri për të kërkuar trashëgiminë e tyre nga (ajo që kishte lënë pas) i Dërguari i Allahut ﷺ. Ç'është e vërteta, ata po e kërkonin tokën e tyre në Fedek dhe hisen e tyre në Hajber.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6725

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6726. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke vazhduar hadithin paraprak, tregon se Ebu Bekri u tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka. Ajo është pasuri prej së cilës do të ushqehen vetëm familja e Muhamedit.” Ebu Bekri tha: “Betohem në Allahun se, atë që e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e bërë, as unë nuk e lë pa bërë.”
Qysh atëherë, Fatimja e bojkotoi Ebu Bekrin dhe nuk i foli derisa ndërroi jetë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6726

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6727. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Ebani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Mubareku, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6727

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6728. Nga: Omer ibn Hatabi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Malik ibn Evsi tregon: “Shkova tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe, duke qenë me të, portieri i tij, Jerfai, erdhi dhe e pyeti: “I lejon Othmanin, Abdurrahmanin, Zubejrin dhe Sadin të hyjnë brenda?” Omeri pohoi dhe ai i lejoi të hyjnë. Pas pak, Jerfai e pyeti sërish: “E lejon Aliun dhe Abasin të hyjnë?” Omeri pohoi. Kur hyri, Abasi tha: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes meje dhe këtij!” Omeri iu drejtua të pranishmëve: “Po ju bëj be në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka”, ka pasur për qëllim veten e tij?!” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë. “Atëherë u kthye nga Aliu dhe Abasi e u tha: “Po ju, a e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu?” Ata u përgjigjën: “Ashtu ka thënë.” Pastaj Omeri vazhdoi: “Pra, unë do t'ju tregoj për këtë çështje: Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Tij ﷺ me një pjesë të kësaj plaçke, të cilën s'ia ka dhënë askujt tjetër, përveç tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) prej tyre, është prej mirësisë së Tij. Ju nuk hipët mbi kuaj e as mbi deve për ta fituar atë, por Allahu u jep pushtet të dërguarve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Betohem në Allahun se ai nuk ka marrë asgjë nga hisja juaj e as e ka mbajtur atë vetëm për vete. Ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, kurse pjesën që tepronte, e linte në shërbim të muslimanëve. I Dërguari i Allahut ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Të pranishmit u përgjigjën duke pohuar. Pastaj u kthye dhe i tha Aliut e Abasit: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Ata u përgjigjën: “Po.”

Omeri vazhdoi: “E, kur Allahu ia mori shpirtin Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekri tha: “Unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj e mori atë pasuri dhe veproi me të ashtu siç pati vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. Pastaj, kur Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, unë thashë: “Tani unë jam pasuesi i pasuesit të të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Kështu, e mora atë pasuri dhe, për dy vjetët e hilafetit tim, punova me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri. Pastaj, më erdhët ju të dy, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Më erdhe (o Abas) që të kërkosh hisen tënde nga djali i vëllait tënd (Muhamedi ﷺ), ndërsa ky (Aliu) më erdhi që të kërkojë hisen e gruas së tij nga babai i saj (Muhamedi ﷺ), andaj ju pata thënë: “Nëse dëshironi, po jua jap, por me të njëjtin kusht (të veproni me të siç kemi vepruar ne). E, nëse po kërkoni nga unë të gjykoj ndryshe nga kjo, betohem në Allahun, me lejen e të Cilit qëndrojnë Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe deri në Kiamet. Nëse nuk arrini t'i bëni ballë këtij kushti, atëherë kthemani mua, unë do t'i bëj ballë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6728

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6729. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasardhësit e mi nuk trashëgojnë asnjë dinar. Tërë ajo që lë mbrapa, përveç pasurisë së lënë për t'i mbuluar shpenzimet e grave të mia dhe të kujdestarëve të vakëfeve të mia, mbetet sadaka.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6729

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6730. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ, gratë e tij deshën ta dërgojnë Othmanin tek Ebu Bekri, që të kërkojë trashëgiminë që u përkiste (nga Pejgamberi ﷺ). Por, Aishja u tha: “A nuk ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka.”?!

Referenca: Sahihu i Buhariut 6730

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Kush lë pasuri, ajo i takon familjes së tij.”

6731. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam më parësor për besimtarët sesa ata për veten e tyre. Andaj, nëse vdes një besimtar, duke lënë pas vetes ndonjë borxh, ndërkohë nuk ka lënë asgjë për ta paguar, mua më takon t'ia kryej borxhin. E, kush lë pasuri, ajo u takon trashëgimtarëve të tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6731

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Trashëgimia e fëmijës prej babait dhe nënës

Zejd ibn Thabiti ka thënë: "Nëse një burrë a grua lë një vajzë, asaj i takon gjysma. Nëse janë dy a më shumë, atyre u takojnë dy të tretat. E, nëse me to (motrat) është edhe një mashkull, atëherë fillohet me pjesëtarët e tjerë, të cilëve u jepet pjesa që u takon, e, ajo që tepron, ndahet për mashkullin sa dy hise të femrës."

6732. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt në hise.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6732

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Trashëgimia e vajzave

6733. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Amir ibn Sad ibn Ebu Vekasi se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitoi në Mekë, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më solli në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë, a t'i jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?
- “Jo”, - tha ai.
- Gjysmën? - e pyeta.
- “Jo.”
- Një të tretën?
- “Edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas hixhretit tim (e nuk do të kthehem në Medinë)? - i thashë.
- “Nuk ndodh të jetosh më gjatë, të punosh vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin e Allahut e të të mos shtohet (për të) një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh pas meje, aq sa dikush (nga miqtë) do të përfitojë nga ti, e dikush (nga armiqtë) do të dëmtohet prej teje. Sa i pafat që është Sad ibn Havle!” - tha Pejgamberi ﷺ.
I Dërguari i Allahut ﷺ e qante Sad ibn Havlen, ngaqë pati vdekur në Mekë (atyre nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin bërë hixhret).

Sufjani ka thënë: “Sad ibn Havle ishte një burrë nga fisi i Amër ibn Luejit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6733

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6734. Nga: Muadh ibn Xhebeli

Mahmudi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Nadri, e këtij i ka treguar Ebu Muaviu, Shejbani, e ky nga Eshathi se Esved ibn Jezidi tregon: “Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) na erdhi në Jemen, si mësues dhe prijës. Njëherë, ne e pyetëm për burrin që vdes dhe pas vete lë një vajzë e një motër. Ai vajzës ia ndau gjysmën dhe motrës gjysmën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6734

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Trashëgimia e djalit të djalit, nëse nuk është djali

Zejdi ka thënë: "Djali i djalit është në vend të djalit, nëse mbi të nuk ka fëmijë mashkull. Nipit i takon aq sa i takon djalit, ndërsa mbesës i takon aq sa i takon vajzës. Edhe nipat trashëgojnë siç trashëgojnë djemtë, e edhe nipat janë pengesë për dikë në trashëgimi siç janë pengesë djemtë për dikë në trashëgimi. Djali i djalit (nipi) nuk trashëgon nëse djali është i gjallë (axha i nipit)."

6735. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt në hise.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6735

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Trashëgimia e vajzës së djalit me vajzën

6736. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Kajsi se Huzejl ibn Shurahbili tregon: “Ebu Musai u pyet se sa trashëgon e bija, vajza e të birit dhe motra, e në atë rast u përgjigj: “Së bijës i takon gjysma, njëjtë edhe motrës. Shko pyete Ibn Mesudin, e edhe ai do të të përgjigjet sikurse unë.”
Kur e pyetën Ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i treguan për fjalën e Ebu Musait, ai tha: “Paskësha devijuar dhe nuk qenkam i udhëzuar (po thashë si ai). Unë do të gjykoj siç ka gjykuar i Dërguari i Allahut ﷺ: së bijës i takon gjysma, vajzës së të birit i takon një e gjashta, mbetja e dy të tretave, kurse pjesa që mbetet i takon motrës.” Pas kësaj, shkuam tek Ebu Musai dhe i treguam për fjalët e Ibn Mesudit, e në atë rast ai tha: “Mos më pyetni mua përderisa në mesin tuaj është ky kolos.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6736

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Trashëgimia e gjyshit me babanë dhe me vëllezërit

Ebu Bekri, Ibn Abasi dhe Ibn Zubejri kanë thënë: "Gjyshi llogaritet baba. Ibn Abasi citoi: “O ju bijtë e Ademit...” (Araf, 26). Po ashtu: “Unë e pasova fenë e baballarëve të mi, Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit...” (Jusuf, 38) Nuk përmendet se dikush e ka kundërshtuar Ebu Bekrin në kohën e tij, edhe pse shokët e Pejgamberit ﷺ ishin të pranishëm." Ibn Abasi ka thënë: "A djali i djalit tim më trashëgon mua, pa vëllezërit e mi, ndërsa unë nuk e trashëgoj djalin e djalit tim?! Prej Omerit, Aliut, Ibn Mesudit dhe Zejdit përmenden mendime të ndryshme."

6737. Nga: Abdullah ibn Abasi

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt në hise.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6737

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6738. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Sa i përket fjalës së të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Sikur të zgjidhja dikë prej umetit tim për mik të ngushtë, do ta zgjidhja atë (Ebu Bekrin), mirëpo miqësia e Islamit është më e mirë.” Kështu, në trashëgimi, Ebu Bekri gjyshin e konsideronte sikurse babanë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6738

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Trashëgimia e burrit me fëmijën dhe me dikë tjetër

6739. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Jusufi transmeton nga Verkai, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në fillim, pasuria i takonte të birit, kurse prindërve aq sa u lihej testament. Mirëpo, prej kësaj dispozite Allahu shfuqizoi çfarë deshi, andaj vendosi që mashkulli të ketë hise sa dy femra; prindërit, secili prej tyre, një të gjashtën; bashkëshortja një të tetën ose një të katërtën; ndërsa bashkëshorti gjysmën ose një të katërtën (e pasurisë së lënë trashëgimi).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6739

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Trashëgimia e gruas dhe burrit me fëmijë dhe dikë tjetër

6740. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, për fëmijën të cilin një grua nga fisi benu lehjan e kishte lindur të vdekur (si pasojë e goditjes nga një grua tjetër), gjykoi se shpagimi i gjakut për të të ishte sa vlera e një robi a robëreshe të re në moshë. Pastaj, gruaja që kreu vrasjen, e cila duhet të jepte një të dhjetën e vlerës së robit a robëreshës vdiq, prandaj i Dërguari i Allahut ﷺ gjykoi që trashëgimia e saj t'u takonte fëmijëve dhe burrit, ndërsa shpagimin e gjakut duhet ta paguanin familjarët nga ana e babait.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6740

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Trashëgimia e motrave me pjesën e mbetur të vajzave

6741. Nga: Muadh ibn Xhebeli

Bishr ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ibrahimi se Esved ibn Jezidi tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) gjykoi se vajzës i takon gjysma dhe motrës gjysma (e mbetur).”
Në vijim Sulejmani tha: “Gjykoi mes nesh, por nuk e përmendi fare shtojcën: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6741

Fjalë të panjohura?

6742. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Kajsi, e ky nga Huzejli se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë do të gjykoj siç ka gjykuar Pejgamberi ﷺ: “Vajzës i takon gjysma, vajzës së djalit i takon një e gjashta, ndërsa pjesa e mbetur i takon motrës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6742

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Trashëgimia e motrave dhe e vëllezërve

6743. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Othmani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë teksa isha i sëmurë. Ai kërkoi ujë dhe mori abdes, pastaj më spërkati me ujë të abdesit. Kështu, mua m'u kthye vetëdija dhe thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë kam motra.” Atëherë zbriti ajeti i ndarjes së trashëgimisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6743

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: “Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: "Allahu ju përgjigjet për çështjen e kelales (ai që nuk ka prindër e as fëmijë që e trashëgojnë). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllai) trashëgon tërë atë (që e lë motra) nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), atyre dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër, të përzier burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon hise sa dy fish femrës. Allahu ju sqaron, ashtu që të mos humbni. Allahu di për çdo send.”

6744. Nga: Bera ibn Azibi

Ubejdullah ibn Musai transmeton nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ajeti i fundit që ka zbritur është fundi i sures Nisa: “Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet në çështjen e kelales (ai që nuk ka prindër e as fëmijë që e trashëgojnë)...” (Nisa, 176)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6744

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Dy bijtë e axhës: kur njëri është vëlla prej nënës, kurse tjetri bashkëshort

Aliu ka thënë: "Bashkëshortit i takon gjysma, vëllait prej nënës i takon një e gjashta, kurse pjesa e mbetur u ndahet për gjysmë."

6745. Nga: Ebu Hurejra

Mahmudi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Husajni, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë jam më parësor për besimtarët sesa ata për veten e tyre. Rrjedhimisht, nëse ndonjëri vdes dhe lë pasuri, e trashëgojnë të afërmit, ndërkaq, nëse lë fëmijë (nevojtarë) ose dikë të humbur, unë jam kujdestar i tij, andaj më lajmëroni mua.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6745

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6746. Nga: Abdullah ibn Abasi

Umeje ibn Bistami na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Revhu, e ky nga Abdullah ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt në hise.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6746

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Të afërmit (që lidhen me trashëgimtarin) përmes femrës

6747. Nga: Abdullah ibn Abasi

Is'hak ibn Ibrahimi më ka treguar: I kam thënë Ebu Usames: Ju ka treguar Idrisi, e këtij i ka treguar Talhai, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Ne kemi caktuar trashëgimtarë për çdo gjë (pasuri)..., ndërsa atyre me të cilët keni bërë marrëveshje...”, (Nisa, 33) ka thënë: “Kur muhaxhirët erdhën në Medinë, i trashëgonin ensarët pa pasur lidhje gjaku, për shkak të lidhjes vëllazërore që Pejgamberi ﷺ kishte bërë mes tyre.”
Kur zbriti ajeti: “Ne kemi caktuar trashëgimtarë për çdo gjë (pasuri)...”, (Nisa, 33) e shfuqizoi dispozitën e trashëgimisë vëllazërore të përmendur në ajetin: “...ndërsa atyre me të cilët keni bërë marrëveshje...” (Nisa, 33)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6747

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Trashëgimia e gruas që është mallkuar (për shkak të akuzës së zinasë)

6748. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Kazea më ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, një burrë e mallkoi gruan e vet dhe e mohoi fëmijën e saj. Pejgamberi ﷺ i ndau ata dhe fëmijën ia dha gruas.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6748

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Fëmija i takon shtratit (ku ka lindur), qoftë nëna e lirë, qoftë robëreshë

6749. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Utbe e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin: “Djali i robëreshës së Zemës është imi, andaj ta marrësh.” Kështu, vitin e Çlirimit (të Mekës) Sadi shkoi për ta marrë dhe tha: “Ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.” Por, Abd ibn Zema tha: “Ky është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij (babait tim).” Rrjedhimisht, shkuan te Pejgamberi ﷺ, e në atë rast Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.
- Është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij, - tha Abd ibn Zema.
- “Është yti, o Abd ibn Zema! Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj Sevdë bint Zemës i tha: “Mbulohu prej tij.” Kjo, për shkak të ngjashmërisë me Utben. Ky fëmijë kurrë më nuk e pa Sevdën, deri në vdekje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6749

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

6750. Nga: Ebu Hurejra

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fëmija i takon të zotit të shtratit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6750

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin si dhe trashëgimia e fëmijës së gjetur

Omeri ka thënë: "Fëmija i gjetur është i lirë."

6751. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “Doja ta blija Berirën, kështu që Pejgamberi ﷺ më tha: “Blije (dhe liroje), sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Berirës i ishte dhënë një dele (sadaka). Kështu, Pejgamberi ﷺ tha: “Për të është sadaka, kurse për ne është dhuratë.”

Hakemi ka thënë: “Burri i saj ishte i lirë.” Ndërkaq, fjala e Hakemit është mursel (ka shkëputje). Ibn Abasi ka thënë: “E kam parë atë teksa ishte rob.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6751

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

6752. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6752

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Trashëgimia e robit të liruar pa i takuar askujt merita e çrobërimit të tij

6753. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kabisa ibn Ukbe na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Kajsi, e ky nga Huzejli se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Muslimanët nuk i lirojnë robërit duke kushtëzuar që merita e çrobërimit t'u takojë vetëm atyre, porse njerëzit e kohës paraislame e bënin këtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6753

Fjalë të panjohura?

6754. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi se Esvedi rrëfen: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e bleu Berirën për ta liruar, por pronarët e saj ia kushtëzuan meritën e çrobërimit të saj.” Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut, unë e bleva Berirën për ta liruar, por pronarët e saj po më kushtëzojnë meritën e çrobërimit të saj.”
Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që i jep paratë”, - ose ka thënë: “atij që e jep çmimin.”
Rrjedhimisht, ajo e bleu dhe e liroi. Më pas, asaj iu mundësua të zgjidhte nëse donte apo s'donte të qëndronte edhe më tej me burrin e saj. Ajo zgjodhi të ndahej prej tij dhe tha: “Edhe sikur të ma jepte këtë e atë, nuk do të qëndroja me të.”

Esvedi ka thënë: “Burri i saj ka qenë i lirë. Mirëpo fjala e Esvedit është e shkëputur, ndërsa fjala e Ibn Abasit: “E kam parë atë si rob”, është më e saktë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6754

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Mëkati i personit që distancohet nga ata që e kanë liruar prej robërisë

6755. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kemi libër për ta lexuar, përveç Librit të Allahut dhe përmbajtjes së kësaj fletushke. Kështu, e nxori fletushkën, e cila fliste për shpagimin e plagëve dhe moshat e kafshëve për zekat, si dhe: “Medina është e shenjtë prej Airit deri te Theuri, andaj mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi në të ose strehon dikë që bën risi! Të atillit, në Ditën e Kiametit, nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Gjithashtu, mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë (rob të liruar) që meritën e çrobërimit të tij ia jep dikujt, pa lejen e atyre që e kanë liruar! Të atillit, në Ditën e Kiametit, nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Besa e muslimanëve është një dhe të gjithë e respektojnë atë. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që tradhton ndonjë musliman! Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6755

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6756. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitjen dhe dhurimin e meritës së çrobërimit të një robi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6756

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Nëse e pranon Islamin në duart e tij

Haseni mbronte mendimin se atij nuk i takon vilajeti (merita e trashëgimisë). Kjo, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Merita e çrobërimit (trashëgimisë) i takon atij që e ka liruar.” Nga Temim Dariu përmendet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai (që ka qenë shkak i pranimit të Islamit) është njeriu më meritor për të, sa është gjallë dhe pas vdekjes.” Por, ka mospajtime rreth saktësisë së këtij hadithi.

6757. Nga: Abdullah ibn Omeri

Kutejbe ibn Seidi transmeton nga Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Aishja, nëna e besimtarëve, donte të blinte një robëreshë dhe ta lironte, por familja e robëreshës i thanë: “Ta shesim, por me kusht që merita e çrobërimit (trashëgimisë) të saj të na takojë neve.” Kur ia përmendi këtë të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai tha: “Të të mos pengojë kjo, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6757

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6758. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E bleva Berirën, por pronarët e vet ma kushtëzuan meritën e çrobërimit (trashëgimisë) të saj. Kur ia përmenda këtë Pejgamberit ﷺ, më tha: “Liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që i jep paratë.” Rrjedhimisht, e lirova.
I Dërguari i Allahut ﷺ e thirri dhe i tha të zgjidhte nëse donte të qëndronte edhe më tej me burrin e saj, apo jo. Ajo iu përgjigj: “Edhe sikur të ma jepte këtë e atë, nuk do të qëndroja me të.” Andaj, zgjodhi të ndahej prej tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6758

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Çfarë trashëgojnë gratë prej meritës së çrobërimit?

6759. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri tregon: “Kur Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) deshi ta blinte Berirën, Pejgamberit ﷺ i tha: “Pronarët e saj po ma kushtëzojnë meritën e çrobërimit (trashëgimisë) të saj.” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Blije, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6759

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

6760. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu, e ky nga Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Merita e çrobërimit (trashëgimisë) i takon atij që i jep paratë dhe që e ka marrë përsipër begatinë (e lirimit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6760

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Robi i liruar llogaritet pjesë e familjes (që e ka liruar), e edhe djali i motrës llogaritet pjesë e familjes

6761. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muavi ibn Kurra dhe Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi i liruar llogaritet pjesë e familjes (që e ka liruar), ose sido që të ketë thënë Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6761

Fjalë të panjohura?

6762. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Djali i motrës llogaritet pjesë e familjes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6762

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Trashëgimia e jesirëve

Shurejhu i jepte trashëgimi jesirit që ishte në duart e armikut dhe thoshte: "Ai ka më së shumti nevojë për këtë." Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Përmbushe testamentin dhe lirimin e jesirit, si dhe çdo gjë që ai vepron me pasurinë e vet, për sa kohë që nuk e ndërron fenë, se ajo është pasuria e tij, vepron çfarë të dojë me të."

6763. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Adiu, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush lë pasuri pas vetes, ajo u takon trashëgimtarëve të tij, ndërkaq, kush lë borxh, na takon neve (t'ia kryejmë atë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6763

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Muslimani nuk e trashëgon jomuslimanin e as jomuslimani muslimanin

Nëse trashëgimtari e pranon Islamin para se të ndahet trashëgimia, megjithatë ajo nuk i takon.

6764. Nga: Usame ibn Zejdi

Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni, e ky nga Amër ibn Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimani nuk e trashëgon jomuslimanin e as jomuslimani muslimanin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6764

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Trashëgimia e robit të krishterë apo të robit të krishterë i cili ka bërë kontratë ta lirojë veten

Mëkati i atij që e mohon fëmijën e vet

28. Nënkapitulli: Ai që pretendon se dikush është vëllai a djali i vëllait të tij

6765. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sad ibn Ebu Vekasi u grind me Abd ibn Zemën për një fëmijë. Sadi thoshte:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, Utbe ibn Ebu Vekasit! Ai vetë më ka porositur se ky është i biri i vet. A nuk po e vëren ngjashmërinë me të?
- Është vëllai im, o i Dërguari i Allahut, ka lindur në shtratin e babait tim nga robëresha e tij! - thoshte Abd ibn Zema.
I Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi dhe, ndonëse e pa qartë ngjashmërinë me Utben, tha: “Është yti, o Abd ibn Zema! Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë. Mbulohu prej tij, oj Sevdë bint Zema!”
Ai kurrë më nuk e ka parë Sevdën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6765

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Ai që thirret jo në emër të babait të vet

6766. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ebu Othmani se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që pohon se ka baba dikë tjetër përveç babait të vet, duke e ditur se ai nuk është babai i tij, do t'i ndalohet Xheneti.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6766

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6767. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ebu Bekrete, për hadithin paraprak, thotë: “Edhe unë e kam dëgjuar me dy veshët e mi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe zemra ime e ka mësuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6767

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6768. Nga: Ebu Hurejra

Esbeg ibn Feraxhi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Iraku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos i mohoni baballarët tuaj! E, kush e mohon babanë e vet, ka bërë kufër (mohim të begatisë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6768

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Nëse një grua pretendon se fëmija është i saji

6769. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dy gra kishin nga një djalë. Papritmas, një ujk erdhi dhe e rrëmbeu fëmijën e njërës. Tjetra i tha: “E rrëmbeu birin tënd!” E para ia ktheu: “Jo, e rrëmbeu tëndin!” Kështu, vendosën të gjykohen te Davudi, i cili gjykoi në favor të së madhes. Pastaj shkuan edhe te Sulejmani, i biri i Davudit ﷺ, dhe ia treguan ngjarjen. Ai tha: “Më sillni një thikë, që t'jua ndaj përgjysmë (djalin).” E vogla reagoi me të shpejtë dhe tha: “Mos e bëj, Allahu të mëshiroftë! Fëmija është i saji.” Kështu, Sulejmani gjykoi se fëmija ishte i së voglës.”

Ebu Hurejra ka thënë: “Për Allahun, kurrë më herët nuk e kam dëgjuar fjalën “sikin" (thikë), sepse thikës ne i thoshim vetëm “mudje”.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6769

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Kaifi (njohësi)

.

6770. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë i gëzuar, saqë fytyra i shkëlqente nga gëzimi dhe tha: “A nuk ke dëgjuar se Muxhezizi pak më parë shikoi Zejd ibn Harithen e Usame ibn Zejdin dhe tha: “Këto palë këmbë kanë origjinë të përbashkët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6770

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6771. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë i gëzuar dhe tha: “Oj Aishe, a nuk ke dëgjuar se Muxheziz Mudlixhiu hyri tek unë dhe pa Usamen e Zejdin? Ndërkohë, ata ishin të mbuluar me një kadife, që ua mbulonte kokat, porse u dukeshin këmbët. Rrjedhimisht, ai tha: “Këto palë këmbë kanë origjinë të përbashkët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6771

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?