88. Kërkimi i pendimit nga felëshuesit dhe refuzuesit, si dhe lufta kundër tyre

1. Nënkapitulli: Mëkati i atij që i bën ortak Allahut dhe dënimi i tij në dynja e në ahiret

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Shirku (t'i përshkruash shok Allahut) është padrejtësi e madhe.” (Lukman, 13) “Nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua do të asgjësohen dhe do të jesh prej të humburve.” (Zumer, 65)

6918. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi...”, (Enam, 82) muslimanëve u erdhi rëndë, andaj thanë: “Po cili prej nesh nuk e moleps besimin me padrejtësi?” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Nuk është ashtu si po mendoni. A nuk e keni dëgjuar fjalën e Lukmanit: “... Shirku është padrejtësia më e madhe.” (Lukman, 13)?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6918

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6919. Nga: Ebu Bekrete

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Xhurejriu; [t]: Kajs ibn Hafsi më ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Xhurejriu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ebu Bekretete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mëkatet më të mëdha janë: të bërët ortak Allahut, mosrespektimi i prindërve dhe dëshmia e rrejshme... dhe dëshmia e rrejshme”, - e tha tri herë, - ose tha: ”... dhe fjala e rrejshme.” E përsëriti aq shumë, saqë thamë me vete: “Ah, sikur të heshtte (se na vinte rëndë)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6919

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6920. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Muhamed ibn Husejn ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shejbani, e ky nga Firasi, e ky nga Shabiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë mëkatet e mëdha?”
- “T'i bëhet ortak Allahut”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cili?
- “Pastaj, mosrespektimi i prindërve.”
- Pastaj?
- “Betimi i rrejshëm.”
Firasi e pyeti Shabiun: “Çfarë nënkupton betimi i rrejshëm?”
- Ai që, me gënjeshtra, ia rrëmben pasurinë muslimanit, - tha Shabiu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6920

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6921. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një person pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a do të merremi në përgjegjësi për atë që e kemi vepruar në periudhën paraislame?”
- “Ai që bën mirë në Islam, nuk do të llogaritet për veprat e periudhës paraislame, ndërsa ai që bën keq në Islam, do të llogaritet edhe për të parat, edhe për të fundit”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6921

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Dispozita e renegatit a renegates dhe kërkimi i pendimit të tyre

Ibn Omeri, Zuhriu dhe Ibrahimi kanë thënë: "Renegatja vritet. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E, si të udhëzojë Allahu një popull që pas besimit të tyre u bënë jobesimtarë dhe pasi dëshmuan se i Dërguari është i vërtetë dhe pasi t’u kenë ardhur atyre argumente të qarta? Allahu nuk i mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqar. Ndëshkimi i të tillëve është: mallkimi nga Allahu, nga melekët dhe nga gjithë njerëzimi tok. Ata përgjithmonë janë në të (në Zjarr), atyre as u lehtësohet dënimi dhe as u jepet afat. Përveç atyre që pas asaj u penduan dhe u përmirësuan. Vërtet, Allahu fal shumë dhe mëshiron. Ata, të cilët pas besimit të tyre u bënë jobesimtarë, e pastaj e shtuan mosbesimin, atyre kurrsesi nuk u pranohet pendimi. Të tillët janë mu ata të humburit.” (Ali Imran, 86-90) Po ashtu, ka thënë: “O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre që iu është dhënë libri, pasi keni besuar, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë.” (Ali Imran, 100) Po ashtu, ka thënë: “Vërtet, ata që besuan e pastaj mohuan, përsëri besuan e pastaj mohuan dhe e shtuan mosbesimin, Allahu nuk i fal ata e as i udhëzon në rrugë të drejtë.” (Nisa, 137) Po ashtu, ka thënë: “O ju që besuat! Kush bëhet renegat nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se Allahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj jobesimtarëve…” (Maide, 54) Po ashtu, ka thënë: “... por fjala është për atë që ia hap gjoksin mosbesimit, ata i ka kapur hidhërimi nga Allahu dhe ata kanë një dënim të madh. Kjo (dënimi i madh), se ata më tepër e deshën jetën e kësaj bote sesa jetën e botës tjetër, e Allahu nuk i udhëzon njerëzit jobesimtarë. Të tillët janë ata që Allahu ua mbylli zemrat, dëgjimin dhe pamjen e tyre dhe të tillët janë ata të shkujdesurit. Është e vërtetë se ata në botën tjetër, mu ata janë të dështuarit. Pastaj Zoti yt, atyre që pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s’ka dyshim se Zoti yt atyre do t’ua falë dhe do t’i mëshirojë (Ai është që fal, është mëshirues).” (Nahl, 106-110) Dhe ka thënë: “... Ata do t’ju luftojnë vazhdimisht, që, nëse munden, t’ju kthejnë nga besimi juaj. E kush bëhet renegat prej jush nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të Zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm.” (Bekare, 217)

6922. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ejubi se Ikrime tregon: “Kur Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i sollën një grup renegatësh, ai i dogji të gjithë (si dënim për ta). Me të dëgjuar këtë lajm, Ibn Abasi tha: “Po të isha në vendin e tij, nuk do t'i kisha djegur, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar këtë gjë, duke thënë: “Mos dënoni siç dënon Allahu!”, por do t'i vrisja, ashtu siç ka porositur i Dërguari i Allahut ﷺ kur ka thënë: “Atë që e ndërron fenë (islame), vriteni!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6922

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6923. Nga: Ebu Musa Eshariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Humejd ibn Hilali, e këtij i ka treguar Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ me dy pjesëtarë të fisit eshari, njëri në të djathtë e tjetri në të majtën time. Të Dërguarin e Allahut ﷺ e gjetëm duke i pastruar dhëmbët me misvak. Të dy që erdhën kërkuan poste, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “O Ebu Musa?!” - Ose ka thënë: “O Abdullah ibn Kajsi?!”
Unë iu drejtova: “Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk më kanë treguar çfarë dëshironin. Nuk e kam ditur që ata do të kërkonin post.” - Sikur po e shoh tani misvakun e tij nën buzë, që ishte zvogëluar.
- “Ne nuk i japim asnjë post atij që e synon postin, mirëpo ti, o Ebu Musa, - ose ka thënë: o Abdullah ibn Kajsi, - shko në Jemen!” - më tha Pejgamberi ﷺ.
Ebu Burde tregon: “Pas tij, në Jemen, shkoi edhe Muadh ibn Xhebeli, të cilit, me të arritur atje, Ebu Musai i shtroi një jastëk dhe i tha: “Zbrit!”
Aty i pranishëm ishte edhe një njeri i lidhur, andaj Muadhi pyeti:
- Si është puna e këtij?
- Ky njeri ka qenë hebre, pastaj e ka pranuar Islamin, por prapë është bërë hebre. Por ti zbrit, - i tha Ebu Musai.
- Nuk do të zbres pa u ekzekutuar ky, i tillë është gjykimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij, - tha Muadhi tri herë.
Si rrjedhojë, Ebu Musai urdhëroi të vritet dhe e vranë. Pastaj biseduan për namazin e natës. Njëri prej tyre tha: “Unë ngrihem (për namaz) dhe fle, kështu unë shpresoj të shpërblehem për gjumin tim siç shpresoj të shpërblehem për namazin tim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6923

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Vrasja e atyre që nuk i pranojnë obligimet fetare, si dhe a konsiderohen renegat

6924. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, prijës u bë Ebu Bekri, andaj shumë arabë u bënë renegatë. Omeri i tha: “O Ebu Bekër, si po i lufton njerëzit, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të thonë “la ilahe il-lallah”. Ai që thotë “la ilahe il-lallah”, prej meje e ka të siguruar pasurinë dhe veten, përveç (nëse bie ndesh) me të drejtën islame, ndërkohë llogaria e tij është tek Allahu.”?

Referenca: Sahihu i Buhariut 6924

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6925. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra tregon se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Betohem në Allahun se do t'i luftoj ata që bëjnë dallim mes namazit dhe zekatit. Zekati është obligim i pasurisë. Betohem në Allahun se, nëse nuk më japin qoftë dhe një qengj të cilin ia jepnin të Dërguarit të Allahut ﷺ, do t'i luftoj për shkak të mosdhënies.” Më vonë, Omeri pati thënë: “Betohem në Allahun se, pa kaluar shumë kohë, kuptova se Allahu ia kishte hapur zemrën Ebu Bekrit (duke e udhëzuar) për luftë dhe kuptova se kjo është e vërteta.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6925

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Nëse jomuslimani ose dikush tjetër, që jeton në shtetin islam, e fyen Pejgamberin ﷺ në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, bie fjala: "Esamu alejkum (vdekja qoftë mbi ju)!"

6926. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejdi, i biri i Enes ibn Malikut, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një hebre kaloi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i tha: “Esamu alejke (vdekja qoftë mbi ty)!” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Ve alejke (edhe mbi ty)!” Pastaj tha: “A e dini çfarë tha?” Ai tha: “Esamu alejke (vdekja qoftë mbi ty)!”
- A ta vrasim, o i Dërguari i Allahut? - i thanë ata.
- “Jo, por kur ithtarët e Librit t'ju përshëndesin me selam, u thoni atyre: “Ve alejkum (edhe mbi ju)!” - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6926

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6927. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka transmetuar nga Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup hebrenjsh i kërkuan leje Pejgamberit ﷺ për të hyrë dhe i thanë: “Esamu alejke (Vdekja qoftë mbi ty)!” Atëherë u thashë: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!” Pejgamberi ﷺ më tha: “Oj Aishe! Vërtet Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” I thashë: “A nuk i dëgjove çfarë thanë?” Pejgamberi ﷺ më tha: “Ua thashë unë: “Ve alejkum (edhe mbi ju qoftë)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6927

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6928. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Sufjani dhe Malik ibn Enesi, e këtyre u ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur hebrenjtë të përshëndesin me selam, ajo që në të vërtetë ata thonë është: “Samu alejke (Vdekja qoftë mbi ty)!”, andaj thuaj: “Alejke (edhe mbi ty)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6928

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitull

6929. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sikur po e shoh tani të Dërguarin e Allahut ﷺ teksa po tregonte për një pejgamber, të cilin populli i vet e kishin rrahur, saqë e kishin përgjakur fort, ndërsa ai e fshinte gjakun nga fytyra dhe thoshte: “O Allah, fale popullin tim, sepse ata nuk dinë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6929

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Vrasja e havarixhëve dhe ateistëve pasi t'u qartësohet argumenti

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahu nuk e humb një popull pasi ta ketë udhëzuar atë, para se t’u sqarojë atyre se prej çka duhet ruajtur. Allahu është i gjithëdijshëm për secilin send.” (Teube, 115) Ibn Omeri konsideronte se havarixhët janë krijesat më të këqija të Allahut dhe thoshte: "Ata i marrin ajetet që kanë zbritur për jobesimtarët dhe i zbatojnë te besimtarët."

6930. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Hajtheme, e këtij i ka treguar Suvejd ibn Gafele se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ju tregoj diçka nga i Dërguari i Allahut ﷺ, për mua është më e dashur të bie nga qielli (në tokë) sesa të gënjej për të. Ndërkaq, kur bisedojmë mes vete, dijeni se lufta është dinakëri. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Para Kiametit do të paraqiten një grup njerëzish axhami e mendjelehtë: flasin fjalët më të mira ndër njerëz (me Kuran), porse imani i tyre nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre, por dalin nga feja ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut. Kudo që t'i takoni (gjatë luftimit), vritini, sepse në Ditën e Kiametit vrasësi shpërblehet për vrasjen e tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6930

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6931. Nga: Ebu Seid Hudriu

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky e ka dëgjuar Jahja ibn Seidin se Muhamed ibn Ibrahimi tregon se Ebu Seleme dhe Ata ibn Jesari shkuan tek Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe e pyetën për harurasit nëse kishte dëgjuar diçka prej Pejgamberit ﷺ rreth tyre. Ai u tha: “Nuk e di cilët janë harurasit, por e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Në këtë umet do të paraqiten disa njerëz, përballë namazit të të cilëve ju do ta përbuzni namazin tuaj, e lexojnë Kuranin, porse nuk arrin të kalojë përtej fyteve të tyre, dalin nga feja ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut, saqë, kur shigjetari shikon në majën e shigjetës dhe fundin e saj, çuditet me kokën e shigjetës sesi nuk është përgjakur fare.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6931

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

6932. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omeri se Muhamed ibn Zejdi tregon: “Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i përmendi harurasit dhe tha: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ata dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6932

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Mosluftimi i havarixhëve për t’i afruar, si dhe për të mos i larguar njerëzit prej vetes

6933. Nga: Ebu Seid ibn Mualai

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ndante një pasuri, erdhi Abdullah ibn Dhul Huvejsira Temimi dhe tha: “Ji i drejtë, o i Dërguari i Allahut!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! E kush do të jetë i drejtë, nëse nuk jam unë?!” Omer ibn Hatabi tha: “Më jep leje t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Lëre, se ky ka ca pasues që ju e nënvlerësoni namazin tuaj kundrejt namazit të tyre dhe agjërimin tuaj kundrejt agjërimit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut: kur shikohen puplat e shigjetës, nuk vërehet asgjë, kur i shikohet maja, sërish nuk vërehet asgjë, kur i shikohet fundi, sërish nuk vërehet asgjë, shikohet dhëmbëzi i saj, nuk ka asnjë shenjë. Pra, as gjurmë zorrësh, as gjak. Shenja e tyre është një burrë, të cilit, njëra dorë, - ose ka thënë: gjoksi i tij, - i duket sikurse gjinjtë e femrës, ose sikurse një copë mishi që lëkundet andej-këndej dhe paraqiten atëherë kur njerëzit përçahen mes vete.”
Ebu Seidi ka thënë: “Dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ dhe dëshmoj se kam qenë me Aliun kur i ka luftuar ata. Në atë kohë sollën një burrë që dukej ashtu siç e pati përshkruar Pejgamberi ﷺ.”
Në lidhje me të (Abdullah ibn Dhul Huvejsirën) ka zbritur ajeti:Ka edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. (Teube, 58)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6933

Fjalë të panjohura?

6934. Nga: Sehël ibn Hunejfi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Shejbaniu se Jusejr ibn Amri tregon se e ka pyetur Sehël ibn Hunejfin: “E ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë diç për havarixhët?” Ai tha: “E kam dëgjuar duke thënë, - dhe bëri me shenjë nga Iraku: “Prej atje do të dalin njerëz që e lexojnë Kuranin, por që (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej Islamit ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6934

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Kiameti nuk do të ndodhë pa luftuar mes vete dy grupe që thërrasin në të njëjtën gjë.”

6935. Nga: Ebu Hurejra

Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa luftuar mes vete dy grupe që thërrasin në të njëjtën gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6935

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Çfarë është transmetuar për ata që kanë kuptim të gabuar të citateve

6936. Nga: Omer ibn Hatabi

Ebu Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mehrame dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ende gjallë dhe i kushtova vëmendje leximit të tij. Kuptova se ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. E prita derisa dha selam, pastaj e shtrëngova (për fyti) me rrobën e sipërme të tij ose timen dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar këtë sure?” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, për Allahun, i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar mua këtë sure (ndryshe nga ajo që e lexove ti), të cilën të dëgjova duke e lexuar.” Kështu, e mora me vete dhe u nisëm për tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “O i Dërguari i Allahut, e dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar, ndërkaq ti vetë më ke lexuar suren Furkan.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Lëshoje, o Omer! Lexo, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e dëgjova më parë. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj tha: “Lexo, o Omer!” Unë lexova. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Kështu ka zbritur. Në të vërtetë, ky Kuran ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni atë në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6936

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6937. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu; [t]: Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi...”, (Enam, 82) shokëve të Pejgamberit ﷺ u erdhi rëndë, andaj thanë: “Po cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetes?” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Nuk është ashtu si po mendoni, por çështja është ashtu siç i ka thënë Lukmani të birit të vet: “O biri im, mos i bëj shirk Allahut! Me të vërtetë, shirku është padrejtësia më e madhe.” (Lukman, 13)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6937

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6938. Nga: Itban ibn Malik Ensariu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Mahmud ibn Rabiu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë në mëngjes, një njeri tha: “Ku është Malik ibn Duhshuni?” Dikush prej nesh i tha: “Ai është hipokrit, nuk e do Allahun e as të Dërguarin e Tij.” Pejgamberi ﷺ tha: “Mos flitni ashtu! A nuk thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën synon kënaqësinë e Allahut?”
- Posi, - i tha personi në fjalë.
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Atij robi që vjen me të (me shehadetin) në Ditën e Kiametit, Allahu ia bën haram Zjarrin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6938

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

6939. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: “Na ka treguar Ebu Avane nga Husajni se Fulani tregon se Ebu Abdurrahmani dhe Hiban ibn Atije u grindën mes vete dhe i pari i tha të dytit: “Unë e di se çfarë i ka dhënë guxim njeriut tënd të derdhë gjaqet”, - aludonte në Aliun. Ai i tha: “Çfarë është ajo gjë, mos paç babë?!” Ebu Abdurrahmani tha: “Diçka që e kam dëgjuar vetë atë duke thënë.” Hibani i tha: “E, çfarë na qenka ajo?” Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi në një punë mua, Zubejrin dhe Ebu Merthedin, se ishim kalorës, e në atë rast na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Haxh, ku do të gjeni një grua, e cila mban një letër të Hatib ibn Ebu Beltait dërguar idhujtarëve dhe ma sillni mua.”

Kështu, ne u nisëm me kuajt tanë, derisa e arritëm atë, mu aty ku i Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi, ndërkaq ajo po udhëtonte me një deve të saj. Ai u kishte shkruar banorëve të Mekës për ardhjen e Pejgamberit ﷺ tek ata. Ne i thamë gruas në fjalë: “Ku është letra që e mban me vete?” Ajo iu përgjigj: “Nuk kam asnjë letër.” Kështu, e ulëm devenë dhe e kontrolluam shalën, por nuk gjetëm asgjë. Shoqëruesit e mi thanë: “Nuk gjetëm asnjë letër.” Unë ua prita: “Ne e dimë se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk gënjen. Betohem në Atë, në të Cilin duhet betuar se, ose do të na japësh letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar)!” Si rrjedhojë, ajo nxori një letër nga shoka që mbante rreth trupit. Kështu, ia dërguam letrën të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët. Më lejo t'ia pres kokën!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Hatib, çka të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, nuk është që nuk po besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij ﷺ. Vetëm desha të kem dorë (pozitë) mbi fisin tim, që Allahu, nëpërmjet tyre, të ma mbrojë familjen dhe pasurinë (në Mekë). Ndërkohë, të gjithë shokët e tu atje kanë ndonjë familjar, nëpërmjet të cilëve Allahu ua mbron familjet dhe pasuritë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën. Të flitni vetëm mirë për të!”
Omeri sërish tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, andaj më lejo t'ia pres kokën!”
Por, Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “A nuk ka marrë pjesë në Bedër? E çfarë di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, se ju është bërë obligim Xheneti.” Atëherë, Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij dinë më së miri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6939

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?