89. Fjalët dhe veprimet e imponuara
Fjala e Allahut të Madhëruar: “... Përpos atij që është i detyruar me forcë (që të mohojë), ndërsa zemra e tij është plot besim, por fjala është për atë që ia hap gjoksin mosbesimit, ata i ka kapur hidhërimi nga Allahu dhe ata kanë një dënim të madh.” (Nahl, 106) Po ashtu ka thënë: “... Ketë mund ta bëni vetëm për t’u ruajtur nga ata...” (Ali Imran, 28) Po ashtu ka thënë: “Melekët që ua morën shpirtin atyre që ishin mizorë të vet-vetës ju thanë: “Në çka ishit ju? - Ata thanë: Ne ishim të paftë në atë tokë! (Melekët) ju thanë: A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migroni në të? (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është Xhehenemi dhe sa vend i keq është ai! Përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, grat e fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin, as mënyrë, as rrugë (për shpërngulje). Atyre do t’ua falë Allahu. Allahu është që shlyen e falë shumë (gabime).” (Nisa, 97-99) Po asht ka thënë: “... dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit: Nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: “Zoti ynë! Nxirrna nga ky fshat (Meka), banorët e të cilit janë mizorë. Jepna nga ana Jote shpëtim dhe jepna nga ana Jote ndihmë!” (Nisa, 75) Buhariu ka thënë: Kështu Allahu i ka arsyetuar të paaftit, të cilët nuk i rezistojnë imponimit, për të bërë diçka që Allahu ka ndaluar. Atij që i imponohet, llogaritet i paaftë, ngase nuk mund t’i rezistoj imponimit për ta bërë atë vepër. Haseni ka thënë: “Tukja”1 vlen deri në Ditën e Kiametit. 1. Fshehja e besimit për t’i shpëtuar dëmit të njerëzve. Ibn Abasi ka thënë: Kë e imponojnë hajnat, që ta shkurorëzoj gruan e vet, nuk llogaritet gjë. Këtë mendim e kishte edhe: Ibn Omeri, Ibn Zubejri, Shabiu dhe Haseni. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas nijetit.”
6940. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Halid ibn Jezidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Hilal ibn Usame, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ në namaz lutej: “O Allah, shpëtoje Ajash ibn Ebu Rabian, Seleme ibn Hishamin dhe Velid ibn Velidin! O Allah, shpëtoji të gjithë besimtarët e dobët! O Allah, vështirësojua gjendjen fisit mudar dhe çoju thatësirë sikurse ajo e popullit të Jusufit!”
1. Nënkapitulli: Ai që zgjedh të rrihet, të vritet ose të nënçmohet, në mënyrë që të mos bëjë kufër
6941. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullah ibn Hausheb Taifiu na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që i ka këto tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit:
1. Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër,
2. Që të dojë një person vetëm për hir të Allahut,
3. Që të urrejë kthimin në mosbesim siç urren të hidhet në Zjarr.”
6942. Nga: Seid ibn Zejdi
Seid ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Abadi, e ky nga Ismaili, e ky e ka dëgjuar Kajsin se Seid ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ah, sikur të më shihje se si Omeri (para se të bëhej musliman) më lidhte për shkak të Islamit! Por, sikur Uhudi të copëtohej për atë që ju ia bëtë Othmanit, do të kishte të drejtë të copëtohej.”
6943. Nga: Habab ibn Ereti
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Habab ibn Ereti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili ishte i shtrirë mbi një xhybe nën hijen e Qabesë, e i thamë: “Pse nuk po kërkon ndihmë për ne? Pse nuk po e lut Allahun për ne?” Ai iu përgjigj: “Në popujt para jush ka pasur raste kur personit i hapnin një gropë dhe e futnin në të, pastaj ia vendosnin sharrën në kokë dhe e ndanin përgjysmë. Po ashtu, ka pasur raste kur torturohej me krehër hekuri duke ia çjerrë mishin e trupit thellë deri në eshtra dhe palcë, por kjo nuk e lëkundte aspak nga feja e vet. Betohem në Allahun se kjo fe do të kompletohet, saqë njeriu do të udhëtojë prej Sanasë deri në Hadramevt pa iu frikësuar askujt përveç Allahut, ose ujkut për delet e veta. Por ju po nguteni.”
2. Nënkapitulli: A llogaritet shitja e atij që i imponohet ose atij që është i ngjashëm me të në gjërat në të cilat ka hak ose në gjërat e tjera
6944. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid Makburi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim në xhami, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe tha: “Nisuni për te hebrenjtë!” Ne u nisëm dhe, me të arritur te shtëpia e Midrasit, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe tha: “O ju hebrenj, pranojeni Islamin, që të shpëtoni!” Ata i thanë: “E përcolle mesazhin, o Ebu Kasim.” Ai u tha: “Këtë edhe po synoj.” Kur i thirri për së dyti, ata sërish u përgjigjën: “E përcolle mesazhin, o Ebu Kasim.” Herën e tretë, i Dërguari i Allahut ﷺ shtoi: “Dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Unë dua t'ju dëboj (nga kjo tokë), andaj, kush nuk mund ta marrë pasurinë me vete, le ta shesë. Përndryshe, dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
3. Nënkapitulli: Nuk lejohet martesa e atij që është imponuar
“Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote, nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.” (Nur, 33)
6945. Nga: Hansa bint Hidham Ensarja
Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Abdurrahmani dhe Muxhemiu, të dy bijtë e Jezid ibn Xharije Ensariut, se Hansa bint Hidham Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se babai i saj e martoi duke qenë e ve, gjë me të cilën ajo nuk u pajtua. Kështu, ajo shkoi te Pejgamberi ﷺ, i cili e anuloi martesën e saj.
6946. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Ebu Amër Dhekvani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a duhet të pyeten femrat për martesën e tyre?”
- “Po”, - tha ai.
- Por, kur beqarja pyetet, turpërohet, andaj hesht, - i thashë.
- “Heshtja e saj aludon në pëlqimin e saj”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
4. Nënkapitulli: Nuk pranohet nëse pronari detyrohet me dhunë të dhurojë ose të shesë një rob
Disa thonë se, po qe se blerësi zotohet (bën nedhër) për diçka, atëherë shitja me imponim është e vlefshme, sipas mendimit të tyre. Kjo vlen edhe për robin e liruar me kusht pas vdekjes së pronarit.
6947. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amër ibn Dinari se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ensar liroi një rob, duke ia kushtëzuar lirinë me vdekjen e pronarit. Ai nuk kishte pasuri tjetër pos atij robi, gjë për të cilën, kur i Dërguari i Allahut ﷺ u informua, tha: “Kush po e blen këtë rob prej meje?” Kështu, Nuajm ibn Nuhami e bleu tetëqind dërhemë.
Xhabiri thoshte: “Ai ka qenë rob koptas. Vdiq qysh në vitin e parë.”
5. Nënkapitulli: Çfarë është thënë për imponimin
6948. Nga: Abdullah ibn Abasi
Husejn ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Esbat ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Sulejman ibn Fejruz Shejbaniu se Ikrime transmeton se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), rreth ajetit: “O besimtarë! Nuk është lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme...”, (Nisa, 19) ka thënë: “Në të kaluarën ka qenë zakon që, kur burri vdiste, rrethi i afërm familjar ishin më meritorë për gruan e tij: nëse donin, martoheshin me të ose e martonin me dikë tjetër, ose, nëse donin, e linin të pamartuar. Pra, ata ishin më meritorë për të sesa familjarët e saj. Atëherë zbriti ky ajet për këtë tematikë.”
6. Nënkapitulli: Nëse femra detyrohet të bëjë zina, nuk ka dënim për të
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nëse ndokush i detyron ato (të bëjnë zina), Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.” (Nur, 33)
6949. Nga: Safije bint Ebu Ubejdi
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Nafiu se Safije bint Ebu Ubejdi tregon: “Një rob i oborrit mbretëror bëri zina me një robëreshë lufte. Ai e kishte detyruar me dhunë derisa ia kishte prishur virgjërinë. Si pasojë, Omeri e dënoi me kamxhik robin dhe e dëboi (nga vendi), ndërsa robëreshën nuk e dënoi, sepse robi e kishte detyruar.”
Zuhriu, në lidhje me robëreshën beqare, së cilës një mashkull i lirë ia prish virgjërinë dhunshëm, ka thënë: “Gjykatësi e vlerëson sipas vlerës së një robëreshe beqare, kurse të lirin e dënon me kamxhik. Dijetarët kanë thënë: “Nëse robëresha e ve dhunohet, nuk kompensohet, porse zinaqari duhet të dënohet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6949
Fjalë të panjohura?
6950. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ﷺ u shpërngul me Sarën dhe shkuan në një fshat ku sundonte një mbret mizor, i cili i kërkoi Ibrahimit që t'ia sjellë Sarën, e Ibrahimi ia dërgoi atë. Kur mbreti deshi të shkojë te Sara, ajo mori abdes, u fal dhe u lut: “O Allah, meqenëse kam besuar në Ty dhe në të dërguarin Tënd, mos më vendos nën sundimin e këtij jobesimtari!” Kështu, atij iu zu fryma (sikur ta mbyste dikush), saqë edhe shkelmonte me këmbë.”
7. Nënkapitulli: Betimi i personit për shokun e tij: Ky është vëllai im, nëse frikësohet se do ta mbysin a diçka të ngjashme
Kështu, çdo person i detyruar, i cili frikësohet, duhet të mbrohet prej padrejtësive dhe të luftohet për të, e assesi të tradhtohet. Nëse lufton për ta mbrojtur atë që i bëhet padrejtësi (dhe mbyt dikë), atëherë nuk merret haku i gjakut ndaj tij. Nëse i thuhet atij: "Do të pish verë, ose do të hash ngordhësirë, ose do ta shesësh robin tënd, ose do ta pranosh borxhin, ose të bësh një dhuratë, ose të shkurorëzosh (të gjitha këto, me dhunë ose me detyrim), ose (në të kundërtën) do të ta vrasim babanë a vëllanë tënd në Islam, ose diçka të ngjashme, atëherë atij i lejohen këto." Kjo, bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Muslimani është vëlla i muslimanit.” Disa njerëz kanë thënë: "Nëse i thuhet atij: "Do të pish verë, ose do të hash ngordhësirë, ose (në të kundërtën) do të ta vrasim djalin a babanë tënd, ose dikë të afërm, këto nuk i lejohen atij. Kjo, se ai nuk është i detyruar. Pastaj, me këtë gjë ata e kundërshtuan veten, duke thënë: "Nëse i thuhet atij: "Do të ta vrasim babanë a djalin tënd, ose shite robin tënd, ose pranoje këtë borxh, ose fale (një gjë), me analogji detyrimisht duhet ta bëjë këtë. Ndërkaq, ne me rregullën e istihsanit themi: "Shitja, dhurimi, si dhe çdo akt tjetër, në këtë rast është i kotë. Kështu, ata kanë bërë dallimin mes të afërmit dhe të tjerëve pa pasur argument nga Kurani dhe Suneti. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ka thënë për gruan e tij: "Kjo është motra ime, - kishte për qëllim (motra ime) për Allahun.” Nehaiu ka thënë: "Nëse ai i cili kërkon nga dikush që të betohet, porse vetë është mizor, atëherë (betimi është) sipas nijetit të atij që betohet. E, nëse ai i cili kërkon nga dikush që të betohet, porse vetë është në hak, atëherë (betimi është) sipas nijetit të tij."
6951. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, andaj as i bën padrejtësi, as e dorëzon (aty ku i bëhet padrejtësi). Atij që i del në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t'i dalë në ndihmë.”
6952. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë kur bën padrejtësi, qoftë kur i bëhet padrejtësi.”
- O i Dërguari i Allahut, është e qartë se duhet ta ndihmojmë kur i bëhet padrejtësi, por si ta ndihmojmë kur ai bën padrejtësi? - pyeti dikush.
- “Duke e ndalur - ose ka thënë: penguar - nga të bërët padrejtësi, kjo është ndihma që i bëhet tij”, - tha Pejgamberi ﷺ.