90. Mashtrimi
1. Nënkapitulli: Lënia e hileve, si dhe çdo person shpërblehet sipas asaj që ka pasur nijet gjatë betimit a diçka e tillë
6953. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Alkame ibn Vekasi se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O ju njerëz! Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”
2. Nënkapitulli: Hilet në namaz
6954. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e atij që e prish abdesin, derisa të marrë sërish.”
3. Nënkapitulli: Hilet në zekat: nuk lejohet ndarja e tufave të bashkuara dhe nuk lejohet bashkimi i tufave të ndara nga frika për zekatin
6955. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullah Ensariu na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Bekri i dërgoi një letër që përmbante urdhrat e të Dërguarit të Allahut në lidhje me zekatin, ku, ndër të tjera, përmendet: “Dhe nuk lejohet bashkimi i tufave të ndara e as ndarja e tufave të bashkuara nga frika për zekatin.”
6956. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin flokëshprishur erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me namazin?
- “Pesë namazet, përveç nëse shton diçka vullnetarisht”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me agjërimin?
- “Muajin Ramazan, përveç nëse shton diçka vullnetarisht.”
- Më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me zekatin?
Dhe, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ ia tregoi rregullat e Islamit, ai tha: “Betohem në Atë që të ka nderuar se as do të shtoj gjë, as do të lë mangët nga këto që m'i ka obliguar Allahu.”
Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend”, - ose ka thënë: “Do të hyjë në Xhenet, nëse e ka përnjëmend.”
Disa kanë thënë: “Në njëqind e njëzet deve jepen dy deve trevjeçare, e, nëse e ther qëllimisht, ose e dhuron, ose bën ndonjë hile që t'i shpëtojë zekatit, nuk detyrohet asgjë.”
6957. Nga: Ebu Hurejra
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Kiametit pasuria e deponuar e disave prej jush do të marrë formën e nepërkës me dy brirë (mbi sy). Pronari do të ikë prej saj, porse ajo e kërkon duke i thënë: “Unë jam thesari yt.” Betohem në Allahun se thesari do ta ndjekë pronarin derisa ai ta shtrijë dorën dhe ai ia gëlltit.”
6958. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse pronari i deveve nuk e jep zekatin e tyre, në Ditën e Gjykimit do t'i vërsulen dhe do t'ia shkelin fytyrën me thundra.”
Buhariu shton: “Përkundër kësaj, disa prapë thonë se, nëse një pronar devesh, nga frika se do t'i obligohet zekati, i ndërron ato me deve të tjera të së njëjtës vlerë, ose me dele a lopë, ose i shet me dërhemë dhe bën hile për t'i shpëtuar zekatit, qoftë dhe për një ditë, nuk detyrohet asgjë.” Ndërkaq, në anën tjetër, të njëjtët thonë: “I lejohet të japë zekatin e deveve para se të mbushet viti për një ose gjashtë ditë.”
6959. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Sad ibn Ubade Ensariu e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për nënën e vet, e cila kishte vdekur pa përmbushur një zotim. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Atëherë ti përmbushe zotimin e saj!”
Buhariu ka thënë: “Disa thonë: “Kur devetë të arrijnë numrin njëzet, për to duhet të jepen zekat katër dele. Por, nëse pronari ia fal dikujt ose i shet para se të përmbushet viti, për t'i ikur zekatit ose për të bërë hile, nuk detyrohet asgjë. Po ashtu, edhe nëse i shpërdor, saqë i ngordhin ato, nuk ka zekat në pasurinë e tij.”
4. Nënkapitulli: Hilet në martesë
6960. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar martesën e llojit shigar.
Ubejdullahu thotë: “E pyeta Nafiun: “Çfarë është shigari?” Ai m'u përgjigj: “Kur dikush e marton vajzën e tjetrit për të birin, me kusht që edhe ai t'ia marrë vajzën e këtij për martesë, pa u dhënë mehër nuseve. Ose, kur dikush martohet me motrën e tjetrit me kusht që ta martojë motrën e vet me të, pa u dhënë mehër nuseve.”
Buhariu thotë: “Disa kanë thënë: “Nëse dikush bën hile dhe martohet sipas llojit shigar të martesës, i pranohet, përveç kushtit, i cili refuzohet.”
Ndërkaq, për martesën mut'a kanë thënë: “Martesa është e pavlefshme dhe kushti është i refuzuar.” Disa të tjerë thonë: “Edhe martesa shigar, edhe mut'a janë të pranueshme, por kushti i tyre është i refuzuar.”
6961. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullah ibn Omeri, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Haseni dhe Abdullahu, të dy bijtë e Muhamed ibn Aliut se Muhamed ibn Aliu tregon se dikush i tha Aliut: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e lejon kurorëzimin mut'a.” Aliu ia ktheu: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar atë në ditën e Hajberit, ku e ka ndaluar edhe ngrënien e mishit të gomarit.”
Buhariu ka thënë: “Disa thonë se, nëse personi bën hile dhe lidh martesë të llojit mut'a, martesa e tillë është e pavlefshme.”
Ndërkaq, disa të tjerë thonë se kurorëzimi është i vlefshëm, ndërsa kushti është i refuzuar.
5. Nënkapitulli: Hilet që urrehen në shitblerje, si dhe nuk pengohet teprica e ujit, ashtu që ky të pengohet nga teprica e kullosës
6962. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet bllokimi i tepricës së ujit që shkakton bllokim të kullosës.”
6. Nënkapitulli: Ndalesa e manipulimit të çmimit në ankand
6963. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe ibn Seidi transmeton nga Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar manipulimin e çmimit në ankand.”
7. Nënkapitulli: Ndalesa e mashtrimit në shitblerje
Ejub Sihtijani ka thënë: "Ata mundohen ta mashtrojnë Allahun ashtu siç mashtrojnë ndonjë njeri. Sikur t’i vepronin këto gjëra haptazi, do ta llogarisja më të lehtë."
6964. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë i përmendi Pejgamberit ﷺ se mashtrohej lehtë në tregti, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Kur të bësh tregti, thuaj: “Nuk lejohet mashtrimi.”
8. Nënkapitulli: Ndalohet që kujdestari të bëjë hile për jetimen, të cilën dëshiron ta martojë dhe dëshiron të mos ia japë hakun që meriton në mehër
6965. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë...” (Nisa, 3)
Aishja ka thënë: “Fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërkohë atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, kështu që dëshiron të martohet me të, me më pak mehër se gratë e tjera. Andaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës.” Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje) dhe Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'u sqarosh lidhur me çështjet e grave.” (Nisa, 127) Në vijim solli hadithin në fjalë.
9. Nënkapitulli: Nëse një person rrëmben një robëreshë dhe pretendon se ajo ka vdekur, në atë rast gjykohet vlera e saj e vdekur (që t’i jepet pronarit). Pastaj, (nëse) pronari i saj e gjen atë, atëherë ajo i takon atij, ndërsa vlerën e saj e kthen, porse vlera e saj nuk duhet të jetë në para
Disa kanë thënë: "Robëresha i takon rrëmbyesit, sepse pronari e ka marrë vlerën e saj prej tij. Në këtë ka hile për atë që e dëshiron robëreshën e dikujt, të cilën nuk e shet, atëherë ky vetëm e rrëmben atë dhe arsyetohet se ajo ka vdekur, derisa pronari i saj ta marrë vlerën e duhur, kësisoj robëresha e tjetrit i lejohet atij!" Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasuria juaj është e shenjtë ndërmjet jush.” Po ashtu ka thënë: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtar do të ketë një flamur.”
6966. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtar do të ketë një flamur, përmes të cilit do të dallohet.”
10. Nënkapitull
6967. Nga: Umu Seleme
Muhamed ibn Kethiri transmeton nga Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga Urve, e ky nga Zejnebe bint Umu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam njeri (si ju, nuk e di të fshehtën) dhe ka raste kur ju kërkoni të gjykoj në zënkat tuaja. Dikush mund të jetë më orator në argumentim se tjetri, andaj mund të gjykoj në favor të tij, për shkak të asaj që më tregon. Por, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke i shkelur të drejtën vëllait të tij, të mos pranojë, sepse jam duke i dhuruar një copë zjarri.”
11. Nënkapitulli: Dëshmia e rrejshme në martesë
6968. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk kurorëzohet beqarja pa lejen e saj dhe nuk kurorëzohet e veja pa urdhrin e saj.”
- O i Dërguari i Allahut, e si është leja e saj? - pyetën të pranishmit.
- “Kur ajo hesht”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Buhariu ka thënë: “Disa thonë se, nëse beqares nuk i kërkohet leja e as që martohet, porse dikush bën hile duke i marrë dy dëshmitarë të rrejshëm, për të dëshmuar gjoja se ai e ka martuar beqaren në fjalë me lejen e saj, si rrjedhojë, kadiu e aprovon martesën e saj dhe, në anën tjetër, burri e di se dëshmia është e kotë, atëherë nuk prish punë nëse ai bën marrëdhënie me të dhe se kurorëzimi në fjalë është i vlefshëm.”
6969. Nga: Hansa bint Hidham Ensarja
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi se Kasimi tregon: “Një grua, pasardhëse e Xhaferit, u frikësua se kujdestari i saj do ta martonte pa dëshirën e saj. Kështu, ajo dërgoi dikë te dy ensarë të moshuar: tek Abdurrahmani dhe Muxhemiu, dy bijtë e Xharijes. Ata i thanë: “Mos u brengos, se Hansa bint Hidhamin babai i vet e pati martuar me dikë pa dëshirën e saj, por Pejgamberi ﷺ e pati anuluar kurorën e saj.”
6970. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk kurorëzohet e veja pa urdhrin e saj dhe nuk kurorëzohet beqarja pa lejen e saj.”
- E si është leja e saj? - pyetën të pranishmit.
- “Kur ajo hesht”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Buhariu shton: “Përkundër kësaj, disa prapë thonë se, nëse një person bën hile me dy dëshmitarë të rrejshëm, për të martuar një grua të ve, gjoja me urdhrin e saj dhe, si rrjedhojë, kadiu e aprovon martesën, edhe pse burri e di se nuk është martuar fare me të, kjo martesë është e lejuar për të, si dhe nuk prish punë që ai të qëndrojë me atë grua.”
6971. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Dhekvani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Beqares i kërkohet leja (për martesë).”
- Por beqarja turpërohet? - i thashë.
- “Leja e saj është heshtja”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Buhariu shton: “Përkundër kësaj, disa thonë se, nëse një person do një vajzë jetime a beqare, e cila nuk pranon të martohet me të, porse ai bën hile duke i sjellë dy dëshmitarë të rrejshëm, gjoja se është martuar me atë vajzë dhe, kur ajo e arrin moshën madhore, pajtohet dhe kadiu e pranon dëshminë e rrejshme, edhe pse burri e di se kjo është e pavlefshme, megjithatë atij i lejohet të bëjë marrëdhënie me të.”
12. Nënkapitulli: Hilet e gruas që janë të urryera të bëhen me burrin dhe shemrat, si dhe çka i ka zbritur Pejgamberit ﷺ në lidhje me këtë
6972. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin mjalti dhe ëmbëlsirat. Pasi e falte namazin e ikindisë, shkonte te gratë e tij dhe kishte raste kur ndonjërës i afrohej. Një ditë, shkoi te Hafsa bint Omeri dhe qëndroi më shumë se zakonisht. Unë xhelozova dhe, kur pyeta rreth kësaj, dikush më tha: “Një familjare e saj i ka dhuruar një enë mjaltë dhe Hafsa i ka dhënë Pejgamberit ﷺ për të ngrënë. Si pasojë, thashë: “Për Allahun, do t'i bëjmë një hile.” Kështu, ia përmenda edhe Sevdës dhe i thashë: “Ai do të vijë te ti dhe, kur të të afrohet, thuaji: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?” Ai do të të thotë "jo”, andaj thuaji: “Ç'është kjo erë?” Të Dërguarit të Allahut ﷺ i vinte rëndë t'i vinte erë e keqe. Ai do të të thotë: “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” Ti thuaji: “Bletët, pra, paskan kullotur megafir.” Unë kam për t'i thënë ashtu, e njëjtë thuaji edhe ti, oj Safije.” Kur Pejgamberi ﷺ hyri te Sevda, ajo tregon: “Betohem në Atë, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë se, sapo erdhi te dera, veprova siç më the ti, se ta kisha frikën. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ m'u afrua, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?”
- “Jo”, - tha ai.
- Ç'është kjo erë? - e pyeta.
- “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.”
- Bletët paskan kullotur megafir, pra, - i thashë.
Aishja vazhdon: “Kur erdhi tek unë, edhe unë ia thashë të njëjtat fjalë. Pastaj shkoi te Safija, e edhe ajo ia tha të njëjtat fjalë. Si pasojë, kur shkoi herën tjetër te Hafsa dhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, të të ofroj mjaltë?”
- “Nuk më duhet”, - i tha ai.
Sevda më pati thënë: “Subhanallah, e lamë pa mjaltë!” I thashë: “Hesht, moj!”
13. Nënkapitulli: Urrehet që të bëhet hile për të ikur nga murtaja
6973. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi se Abdullah ibn Amir ibn Rebia tregon: “Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u nis drejt Shamit dhe, kur arriti në Sergë, u njoftua se në Sham kishte rënë një epidemi. Atëherë Abdurrahman ibn Aufi i tregoi se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse dëgjoni se murtaja ka rënë në ndonjë vend, mos hyni në të, e, nëse jeni në ndonjë vend të prekur nga ajo, mos dilni prej aty për të ikur prej saj!” Rrjedhimisht, Omeri u kthye prej Sergës.
Ibn Shihabi transmeton nga Salim ibn Abdullahu se ka thënë: “Vërtet Omeri u kthye (prej Sergës) për shkak të hadithit të Abdurrahmanit.”
6974. Nga: Usame ibn Zejdi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Amir ibn Sad ibn Vekasi se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e përmendi murtajën dhe tha: “Ajo ka qenë lloj dënimi me të cilin janë ndëshkuar disa popuj, porse një pjesë e saj ka mbetur ende. Prandaj, herë largohet, herë paraqitet. Kështu, kush dëgjon se murtaja ka rënë në ndonjë vend, të mos shkojë aty, e, kush qëllon në ndonjë vend që tanimë ka rënë, të mos largohet prej aty për të ikur prej saj.”
14. Nënkapitulli: Hilet në dhuratë dhe në parablerje
Buhariu shton: "Megjithatë, disa thonë se nëse një person i dhuron dikujt një mijë ose më shumë dërhemë, të cilët qëndrojnë tek i pari me vite të tëra, - porse dhuruesi në fjalë është duke bërë hile, - e më pas i rimerr ato, asnjëri prej tyre nuk e jep zekatin e kësaj pasurie." (Buhariu thotë:) "Ky person e ka kundërshtuar praktikën e të Dërguarit ﷺ rreth dhurimit, si dhe nuk ka dhënë zekat."
6975. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rimerr dhuratën e dhënë është sikurse qeni që vjell e pastaj i kthehet vjelljes së vet. Shembulli i keq nuk përkon me ne.”
6976. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka dhënë ortakut të drejtën e parablerjes në çdo pasuri të përbashkët të pandarë, porse, kur vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, për ortakun nuk ka parablerje.
Buhariu shton: “Disa thonë se e drejta e parablerjes i takon fqinjit. Por, pastaj u mbështet në atë (argumentin) të cilin e fuqizoi, porse e rrënoi tërësisht, duke thënë: “Ai që dëshiron të blejë një shtëpi, por frikësohet se me të fqinji po ia merr të drejtën e parablerjes, atëherë blen një të njëqindtën hise të saj, e më pas e blen edhe pjesën e mbetur. Në këtë mënyrë, fqinji përmes së drejtës së parablerjes, ka hise vetëm në pjesën e parë, e jo në tërë shtëpinë. Pra, i lejohet të bëjë hile në këtë rast.”
6977. Nga: Ebu Rafiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibrahim ibn Mejsera se Amër ibn Sheridi rrëfen: “Misver ibn Mahremi erdhi e ma vendosi dorën mbi sup dhe së bashku shkuam te Sadi. Ebu Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i tha Misverit: “A nuk po i thua këtij që ta blejë shtëpinë time?”
- Nuk i jap më shumë se katërqind (mithkalë), madje, ose në shuma të ndara, ose me këste, - tha Sadi.
- Mua m'i kanë ofruar pesëqind në dorë, porse nuk e kam dhënë. Sikur të mos e kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Fqinji është më meritor për pjesën e fqinjit”, nuk do të ta shisja fare, - ia ktheu Ebu Rafiu.
Ali ibn Abdullahu tregon: “I thashë Sufjanit: “Mameri nuk ka thënë kështu.” Buhariu shton: “Disa thonë se, nëse dikush dëshiron ta shesë pjesën në të cilën ortaku ka të drejtë parablerjeje, i lejohet të bëjë hile për ta zhvleftësuar të drejtën e ortakut për parablerje. Kështu, shitësi në fjalë shtëpinë ia fal blerësit, pra, i vendos kufijtë rreth saj dhe ia dorëzon. Më pas, blerësi ia kompenson atij me një mijë dërhemë, rrjedhimisht, ortaku nuk ka të drejtë parablerjeje.”
6978. Nga: Ebu Rafiu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibrahim ibn Mejsera se Amër ibn Sheridi tregon se Ebu Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) diskutoi me Sadin rreth çmimit të shtëpisë, të cilën e mbante katërqind mithkalë. Ndër të tjera, Ebu Rafiu tha: “Sikur të mos e kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Fqinji është më meritor për pjesën e fqinjit”, nuk do të ta jepja.”
Buhariu shton: “Disa thonë se, nëse dikush blen një hise të një shtëpie dhe do që ta asgjësojë të drejtën e ortakut për parablerje, atëherë hisen në fjalë ia dhuron të birit të vet të vogël, se prej tij nuk kërkohet të betohet.”
15. Nënkapitulli: Hilja e punëtorit, që ndokush t'i dhurojë ndonjë gjë
6979. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ngarkoi një burrë, që quhej Ibn Lutbije, për të mbledhur zekatin e fisit benu sulejm. Kur u kthye, Pejgamberi ﷺ i kërkoi llogari, e në atë rast ai tha: “Kjo është pasuria juaj, kurse kjo më është dhuruar mua.” I Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës sate, e të shohim nëse po të vjen ty dhurata, nëse je i sinqertë?” Pastaj na ligjëroi, e falënderoi, e madhëroi Allahun dhe tha: “Unë ngarkoj ndonjërin prej jush, me ndonjë punë të cilën ma ka ngarkuar Allahu, e pastaj ai vjen dhe thotë: “Kjo është pasuria juaj, kurse kjo dhuratë më është dhënë mua.” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohim nëse po i vjen dhurata? Betohem në Allahun se, nëse dikush prej jush merr diçka pa hak, në Ditën e Kiametit do ta takojë Allahun duke e bartur atë që ka marrë. Do t'ju njoh nëse e takoni Allahun duke bartur një deve (në shpinë) duke buluritur, ose një lopë duke pëllitur, ose një dele duke blegëruar.” Pastaj i ngriti duart, saqë i dallohej bardhësia e sqetullave dhe tha: “O Allah, a ua kumtova?”
Ebu Humejdi shton: “Tërë këtë e kam parë dhe dëgjuar me sytë dhe veshët e mi.”
6980. Nga: Ebu Rafiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjan ibn Ibrahim ibn Mejsera, e ky nga Amër ibn Sheriku se Ebu Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fqinji është më meritor për pjesën e fqinjit.”
Buhariu shton: “Disa thonë se, nëse një person dëshiron të blejë një shtëpi për njëzet mijë dërhemë, nuk prish punë nëse bën hile për ta blerë me njëzet mijë dërhemë, ashtu që blerësi ia numëron shitësit nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë dërhemë, pastaj pjesën tjetër prej atyre njëzet mijë që kanë mbetur ia jap me dinarë. Nëse personi që ka të drejtë në parablerje e kërkon atë pjesë për njëzet mijë dërhemë, atëherë ka përparësi në blerje, në të kundërtën (nëse nuk pajtohet të bëjë ndërrim valutor në dinarë), nuk ka përparësi për këtë shtëpi.
Pasi shtëpia është bërë pronë e blerësit, ai ia kërkon shitësit paratë që ia ka dhënë, pra, nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë dërhemë dhe një dinar, se në momentin kur është bërë blerja, ndërrimi i valutës është bërë në dinarë.
Pastaj, nëse në këtë shtëpi gjen ndonjë të metë dhe ende nuk ka kaluar në pronësi të blerësit, atëherë shitësi ia kthen blerësit njëzet mijë dërhemë.”
Buhariu shton: “Pra, ata e lejojnë tërë këtë mashtrim mes muslimanëve, ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimani nuk ia shet muslimanit të sëmurën, as të ndytën e as e mashtron.”
6981. Nga: Ebu Rafiu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Mejsera se Amër ibn Sheridi tregon: “Ebu Rafiu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) diskutoi me Sad ibn Malikun rreth çmimit të shtëpisë, të cilën e mbante katërqind mithkalë. Ebu Rafiu tha: “Sikur të mos e kisha dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Fqinji është më meritor për pjesën e fqinjit”, nuk do ta jepja.”