91. Shpjegimi i ëndrrave
1. Nënkapitulli: Gjëja e parë që i është shpallur Pejgamberit ﷺ ka qenë ëndrra e mirë
6982. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi; [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fillimisht, të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të vërteta në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj, shkonte në shpellën Hira, ku bënte adhurim me net të tëra, gjë për të cilën furnizohej që më parë. Pastaj kthehej te Hadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi, derisa i erdhi e vërteta, ndërkohë që ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!”
- “Nuk di të lexoj”, - ia ktheu ai.
Pejgamberi ﷺ rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi, saqë mezi merrja frymë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
- Nuk di të lexoj! - i thashë.
Sërish më kapi dhe më shtrëngoi, saqë pothuajse m'u ndërpre frymëmarrja, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
- Nuk di të lexoj! - i thashë.
Më kapi për së treti e më shtrëngoi dhe, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo se Zoti yt është më Bujari. Është Ai që ia mësoi njeriut pendën (të shkruajë), dhe që ia mësoi atë që nuk e diti.” (Alak, 1-5)
Duke u dridhur i tëri, u kthye me këto ajete dhe hyri te Hadixhja e i tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” Sakaq, ajo e mbuloi derisa iu largua frika. Pastaj, tha: “Oj Hadixhe, çfarë kam?” - duke e njoftuar me ndodhinë. Pastaj vazhdoi: “U frikësova për veten time!” Hadixhja i tha: “Assesi! Përgëzohu, sepse betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, e thua të vërtetën, u ndihmon të dobëtëve, i nderon dhe ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi.” Pas kësaj, Hadixhja e shoqëroi për te Veraka ibn Neufel ibn Esed ibn Abduluza ibn Kusaji, djali i axhës së saj nga babai, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame dhe njihte mirë shkrimin e arabishtes. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në arabisht, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër. Hadixhja i tha:
- O kushëri, dëgjoje nipin tënd.
- Fol, o nip, çfarë ke parë? - i tha Veraka Pejgamberit ﷺ.
Pejgamberi ﷺ i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me të dëgjuar këtë, i tha: “Atë që ke parë është meleku që i kishte ardhur Musait ﷺ.” Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
- “Vërtet do të më dëbojnë?!”
- Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi, - ia ktheu Veraka.
Por, nuk kaloi shumë kohë e Veraka vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë, saqë Pejgamberi ﷺ nisi të pikëllohej.
Buhariu (duke transmetuar nga Zuhriu) shton: “Kemi dëgjuar se Pejgamberi ﷺ aq shumë është pikëlluar, saqë është hamendur disa herë që të kërcejë nga majat e maleve, porse, sa herë që hipte në majën e ndonjë mali për ta hedhur veten nga aty, i paraqitej Xhibrili dhe i thoshte: “O Muhamed! Ti je vërtet i Dërguari i Allahut.” E, pas kësaj, i largohej pikëllimi nga zemra, qetësohej dhe kthehej. Pastaj, kur koha e zbritjes së shpalljes vonohej, ai prapë vepronte njëjtë, por Xhibrili i shfaqej sërish dhe ia thoshte të njëjtat fjalë.1"
2. Nënkapitulli: Ëndrrat e njerëzve të mirë
Allahu i Lartësuar ka thënë: "Allahu e përmbushi me të vërtetë ëndrrën e të Dërguarit të Tij, i cili kishte thënë: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.” Ai e dinte atë që nuk e dinit ju dhe, veç kësaj, ju dhuroi një fitore të afërt.” (Fet’h, 27)
6983. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e mira të njeriut të devotshëm janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
3. Nënkapitulli: Ëndrra e mirë është prej Allahut
6984. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Ebu Selemen se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e vërteta (të mira) janë prej Allahut, ndërsa të këqijat janë prej shejtanit.
6985. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Hadi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush sheh në ëndërr diçka që i pëlqen, ajo është prej Allahut, andaj le ta falënderojë Allahun dhe le t'ua tregojë njerëzve. E, kur sheh gjëra që i urren, ato janë prej shejtanit, andaj le të kërkojë mbrojtje prej së keqes së saj dhe të mos i tregojë askujt, kështu nuk do t'i bëjë dëm!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6985
Fjalë të panjohura?
4. Nënkapitulli: Ëndrrat e mira janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë
6986. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Jahja ibn Ebu Kethiri - ndërkohë (Musededi) e lavdëroi dhe tregoi se e kishte takuar në Jemame, - e ky nga babai tij, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut, kurse të këqijat prej shejtanit. Nëse dikush sheh një ëndërr të keqe, le të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej dëmit të saj, le të pështyjë lehtë në të majtë dhe, rrjedhimisht, s'do t'i bëjë dëm asgjë.”
Abdullah ibn Jahjai transmeton njëjtë nga babai i tij, e këtij i ka treguar Abdullahu, i biri i Ebu Katades, nga babai i tij, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
6987. Nga: Ubade ibn Samiti
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ëndrrat (e mirë) e besimtarit janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
Këtë e transmeton edhe Thabiti, Humejdi, Is'hak ibn Abdullahu dhe Shuajbi, nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 6987
Fjalë të panjohura?
6988. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ëndrrat (e mirë) e besimtarit janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6988
Fjalë të panjohura?
6989. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ibrahim ibn Hamzai më ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e ky nga Jezidi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e mira janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6989
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Sihariqet
6990. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “S'ka mbetur gjë tjetër prej pejgamberisë, përveç sihariqeve.” Të pranishmit pyetën: “E çka janë sihariqet?” Ai iu përgjigj: “Ëndrrat e mira.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6990
Fjalë të panjohura?
6. Nënkapitulli: Ëndrra e Jusufit
Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur Jusufi i tha babës së vet: “O babai im! Kam parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, dhe Diellin e Hënën! I pashë se si ato më bënin sexhde (më përuleshin)”. (Babai i tij) tha: “O biri im! Mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve tu, që mos të ta bëjnë ndonjë dredhi. Se, me të vërtetë, shejtani është armik i hapët i njeriut. Dhe qe, kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe ta mëson ty shpjegimin e ëndrrave duke e plotësuar kështu dhuntinë e Vet ndaj teje si dhe familjes së Jakubit, ashtu siç e ka plotësuar më parë ndaj të parëve tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Me të vërtetë Zoti yt është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Jusuf, 4-6) Fjala e Allahut: “Dhe ai i ngriti prindërit e vet në fron, dhe ata të gjithë (prindërit dhe vëllezërit) iu përulën atij. (Jusufi) tha: “O babai im, ky është komentimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e realizoi atë. Dhe mua më bëri mirësi kur më nxori nga burgu, e juve u solli nga shkretëtira, pasi shejtani pat futur ngatërresa në mes meje dhe vëllezërve të mi. Me të vërtetë, Zoti im u bën lehtësi kujt të dojë. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë! O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtetin dhe më ke mësuar komentimin e ëndrrave! Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë edhe në botën tjetër! Merrma shpirtin si musliman dhe më shoqëro me punëmirët!” (Jusuf, 100 – 101)
7. Nënkapitulli: Ëndrra e Ibrahimit
Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!” (Safat, 102 – 105)
8. Nënkapitulli: Kur disa persona shohin të njëjtën ëndërr
6991. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Disa njerëz panë në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit (të Ramazanit). Ndërkohë, disa të tjerë e kishin parë atë në dhjetëshen e fundit.” Pejgamberi ﷺ iu tha: “Kërkojeni atë në shtatëshen e fundit.”
9. Nënkapitulli: Ëndrrat e të burgosurve, shkatërrimtarëve a idhujtarëve
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: "Unë e pashë në ëndërr veten se po shtrydh (rrush për) verë." E tjetri tha: "Unë pashë në ëndërr se po bartja mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët. Na trego komentin e saj, se ne të konsiderojmë ty nga njerëzit e mirë." Tha: "Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos e di, t’jua përshkruaj atë para se t’ju vijë. Kjo është nga ajo çka më mësoi Zoti im. Unë kam braktisur fenë e një populli që nuk e beson Allahun dhe botën tjetër, e ata ishin jobesimtarë. Unë ndoqa fenë e prindërve të mi: "Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t’i përshkruajmë Allahut shok. Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën. O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar? Ata që adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që i pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju dyve do t’i shërbejë verë zotërisë së vet, e tjetri do të varet, kurse shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund (kështu). E atij për të cilin mendonte se është i shpëtuari prej atyre dyve, i tha: "Më kujto mua te zotëria yt. Po shejtani e vuri në harresë ta kujtonte te zotëria i tij, e për këtë mbeti në burg disa vjet. E (kur u afrua lirimi i Jusufit) mbreti tha: "Kam parë ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta që i hanin ato (të dobëtat, i gëlltitnin ato të majmet) dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur frytin) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini të komentoni ëndrrën, më tregoni për ëndrrën time! Ata (paria) thanë: "Ëndrra të përziera, e ne nuk dimë komentin e ëndrrave të tilla. E ai prej atyre dyve që shpëtoi (nga burgu) e kujtoi pas një periudhe e tha: "Unë ju tregoj kuptimin e saj. Pra më lejoni të shkoj (te Jusufi). O Jusuf, o ti i drejti, na shpjego për shtatë lopë të dobëta që i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të thatë, ashtu që të kthehem te njerëzit (me përgjigje), që edhe ata ta kuptojnë!" Ai (Jusufi) tha: "Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lëreni nëpër kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani. Pastaj, do të vijnë shtatë (vjet) të vështirë (me skamje) që do të hanë atë që keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që do ta ruani (në depo për farë). Mandej, pas asaj vjen një vit (i begatshëm) në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të kenë të vjela." E mbreti tha: "Më sillni mua atë (Jusufin)! Dhe, kur atij (Jusufit) i erdhi i dërguari (i mbretit), ai i tha: "Kthehu te zotëria yt dhe pyete atë: "Ç’është puna e atyre (grave), që i prenë duart e tyre? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre.” (Jusuf, 36 – 50) Fudajli i pati thënë një pasuesi të tij: "O rob i Allahut! A është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar?"
6992. Nga: Ebu Hurejra
Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Maliku, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi dhe Ebu Ubejdi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të qëndroja në burg aq sa ka qëndruar Jusufi, e pastaj të më vinte thirrësi (për të dalë nga burgu), do t'i përgjigjesha.”
10. Nënkapitulli: Kur dikush sheh në ëndërr Pejgamberin ﷺ
6993. Nga: Ebu Hurejra
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që më ka parë në ëndërr, do të më shohë edhe zgjuar, ndërsa shejtani nuk paraqitet dot në pamjen time.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ibn Sirini ka thënë: “Nëse e ka parë në pamjen e tij reale.”
6994. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muhtari, e këtij i ka treguar Thabit Bunaniu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që më ka parë në ëndërr, më ka parë pikërisht mua, sepse shejtani nuk mund të paraqitet dot në pamjen time. Ëndrrat e besimtarit janë një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
6995. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut, kurse të këqijat janë prej shejtanit. Nëse dikush sheh në ëndërr diçka që e urren, le të pështyjë lehtë në të majtë tri herë dhe le të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej shejtanit, kështu ajo s'do t'i bëjë dëm, ndërkaq shejtani s'ka mundësi të paraqitet dot në pamjen time.”
6996. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Halid ibn Haliu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Harbi, e këtij i ka treguar Zubejdiu, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka thënë Ebu Seleme se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që më ka parë në ëndërr, ka parë të vërtetën.”
Transmetimin e Zubejdiut e fuqizojnë Junusi dhe i biri i vëllait të Zuhriut.
6997. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Hadi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Ai që më ka parë në ëndërr, ka parë të vërtetën, sepse shejtani s'mund të marrë formën time.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6997
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Ëndrra e natës
Këtë e transmeton edhe Semura.
6998. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Mikdam Ixhliu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Tufaviu, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më janë dhënë fjalët gjithëpërfshirëse e kuptimplota dhe jam ndihmuar me lemerinë (që i zë armiqtë e mi). Ndërkaq, mbrëmë, teksa po flija, dikush m'i ofroi çelësat e depove të Tokës dhe m'i vendosi në dorë.”
Ebu Hurejra thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka shkuar, ndërsa ju ende po i konsumoni ato.”
6999. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sonte, në gjumë, e pashë veten afër Qabesë. Aty pashë një burrë zeshkan, më të bukurin e zeshkanëve, me flokë të gjatë deri pas veshëve, me flokët më të bukur, të cilët i kishte krehur dhe i pikonin ujë. Ai ishte mbështetur në dy burra, - ose ka thënë: në supet e tyre, - teksa bënte tavaf rreth Qabesë. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Ky është Mesihu, i biri i Merjemes.” Pastaj, pas tij, pashë një burrë tjetër: me kaçurrela të theksuara, të verbër në syrin e djathtë, sikur të ishte kokërr e dalë rrushi. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Mesihu Dexhal.”
7000. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu transmeton nga Ibn Abasi se njëherë një burrë vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “Mbrëmë kam parë në ëndërr se...”, - dhe e përmendi hadithin deri në fund.
Transmetimin e Junusit e fuqizojnë Sulejman ibn Kethiri dhe i biri i vëllait të Zuhriut, e po ashtu edhe Sufjan ibn Husejni, nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Ibn Abasi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Ndërkaq, Zubejdiu transmeton nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Ibn Abasi, - ose ka thënë se nga Ebu Hurejra, - e ky nga Pejgamberi ﷺ. Po ashtu, Shuajbi dhe Is'hak ibn Jahja transmetojnë nga Zuhriu se ka thënë: “Ebu Hurejra e transmetonte këtë nga Pejgamberi ﷺ, ndërkaq Mameri nuk e lidhte zinxhirin e transmetimit përveçse pasi kaloi një kohë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7000
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Ëndrra e ditës
Ibn Avni transmeton nga Ibn Sirini se ka thënë: "Ëndrra e ditës është sikurse ëndrra e natës."
7001. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vizitonte Umu Haram bint Milhanin, bashkëshorten e Ubade ibn Samitit. Një ditë, Pejgamberi ﷺ shkoi tek ajo dhe, pasi e gostiti, filloi t'ia përkëdhelë kokën të Dërguarit të Allahut ﷺ, derisa fjeti, pastaj u zgjua nga gjumi duke qeshur.”
7002. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Në vazhdim të hadithit paraprak, Enes ibn Maliku tregon se Umu Harami e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Çfarë të bën të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai ia ktheu: “Disa persona të umetit tim, të cilët kalonin nëpërmjet këtij deti duke luftuar në rrugën e Allahut, m'u shfaqën si mbretër të mbështetur nëpër shtretër (të Xhenetit).” Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Pejgamberi ﷺ u lut për të dhe sërish lëshoi kokën (për të fjetur). Edhe për së dyti u zgjua duke qeshur. Umu Harami e pyeti sërish: “Çfarë të bën të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa persona, pjesëtarë të umetit tim, m'u paraqitën duke luftuar në rrugën e Allahut” - sikurse herën e parë. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Ti do të jesh prej të parave.”
Në kohën e Muavi ibn Ebu Sufjanit, ajo (Umu Harami) ia mësyu detit (për të luftuar) dhe, kur doli nga deti, u rrëzua nga kafsha e saj dhe vdiq.”
13. Nënkapitulli: Ëndrrat e grave
7003. Nga: Umu Ala Ensarja
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Harixhe ibn Zejd ibn Thabiti se Umu Alai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), një ensare që ia kishte dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ, tregon: “Kur (muhaxhirët erdhën nga Meka) u shpërndanë me short, e neve na ra Othman ibn Medhuni. Pasi e vendosëm në një prej shtëpive tona, u sëmur dhe vdiq. Kështu, e pastruam dhe e qefinosëm me rrobat e tij. Kur erdhi Pejgamberi ﷺ, unë thashë: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Saib! Dëshmoj se Allahu të ka nderuar.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha:
- “E si e ditke ti se Allahu e ka nderuar atë?”
- T'u bëfsha kurban me babë, o i Dërguari i Allahut, kë e nderon Allahu, pra? - pyeta.
- “Sa i përket këtij, betohem në Allahun se i ka ardhur e qarta (vdekja). Betohem në Allahun se unë shpresoj për të mirësinë! Betohem në Allahun se nuk e di as çfarë do të bëhet me mua, ndonëse jam i Dërguari i Allahut”, - tha ai.
- Betohem në Allahun se kurrë nuk do të lavdëroj dikë pas tij (Othmanit), - thashë.”
7004. Nga: Umu Ala Ensarja
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi se Zuhriu transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk e di çfarë do të bëhet me të.” Umu Alai tha: “Më mërziti kjo, andaj fjeta dhe pashë në ëndërr se Othmani posedonte një lumë që rridhte, andaj e njoftova të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë dhe më tha: “Kjo është puna e tij.”
14. Nënkapitulli: Ëndrrat e këqija janë prej shejtanit
Nëse dikush sheh në ëndërr diçka që e urren, le të pështyjë lehtë në të majtë tri herë dhe le të kërkojë mbrojtjen e Allahut Fuqiplotë.
7005. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Katade Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), njëri prej sahabëve të Pejgamberit ﷺ dhe kalorësve të tij, tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut, kurse të këqijat janë prej shejtanit. Nëse dikush sheh në ëndërr diçka që e urren, le të pështyjë lehtë në të majtë dhe le të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej shejtanit, kështu ajo s'do t'i bëjë dëm.”
15. Nënkapitulli: Të shohësh në ëndërr qumështin
7006. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Hamza ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa isha në gjumë (në ëndërr), m'u soll një kupë me qumësht nga e cila piva aq shumë, saqë e pashë duke rrjedhur nga thonjtë e mi. Pastaj, pjesën e mbetur e dhashë tutje”, - kishte për qëllim Omerit. I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Është dituria.”
16. Nënkapitulli: Të shohësh në ëndërr qumësht që rrjedh nga gishtërinjtë ose nga thonjtë
7007. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Ebu Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Hamzai, i biri i Abdullah ibn Omerit, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa isha në gjumë (në ëndërr), m'u soll një kupë me qumësht nga e cila piva aq shumë, saqë e pashë duke rrjedhur nga thonjtë e mi. Pastaj, pjesën e mbetur ia dhashë Omer ibn Hatabit.” Ata që ishin rreth tij thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Ai iu përgjigj: “Është dituria.”
17. Nënkapitulli: Ëndërrimi i këmishës
7008. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ebu Umame ibn Sehli se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndërsa flija, m'u shfaqën disa njerëz të veshur me këmisha, prej të cilave kishte që u arrinin deri në gjoks, ndërsa disa të tjera ishin më të shkurtra. Pastaj, pranë meje kaloi edhe Omer ibn Hatabi, i cili kishte të veshur një këmishë që e tërhiqte zvarrë.”
I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Ai u tha: “Feja e tij.”
18. Nënkapitulli: Të shohësh në ëndërr tërheqjen e këmishës zvarrë
7009. Nga: Ebu Seid Hudriu
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Umame ibn Sehli se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ndërsa flija, m'u shfaqën disa njerëz të veshur me këmisha, prej të cilave kishte që u arrinin deri në gjoks, ndërsa disa të tjera ishin më të shkurtra. M'u shfaq edhe Omer ibn Hatabi, i cili kishte të veshur një këmishë që e tërhiqte zvarrë.”
I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Ai u tha: “Feja e tij.”
19. Nënkapitulli: Të shohësh ëndërr gjelbërimin dhe kopshtin e gjelbër
7010. Nga: Abdullah ibn Selami
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Haremij ibn Umare, e këtij i ka treguar Kurra ibn Halidi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Kajs ibn Ubadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija në një ndejë ku ndodhej Sad ibn Maliku dhe Ibn Omeri, aty pranë kaloi Abdullah ibn Selami. Disa thanë: “Ky njeri është banor i Xhenetit. (Shkova pas tij dhe) i thashë: “Disa thanë për ty kështu e kështu.” Ai tha: “Subhanallah (qoftë i lavdëruar Allahu)! Nuk u takon atyre të flasin për diçka që nuk kanë njohuri. Megjithatë, po të tregoj se kam parë një ëndërr: sikur një shtyllë ishte vendosur pingul në një kopsht të gjelbër, në majë të së cilës kishte një nyjë, ndërsa poshtë saj qëndronte një shërbëtor. M'u tha: “Ngjitu!” U ngjita derisa u kapa për nyjë, pastaj këtë ia rrëfeva të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili tha (për mua): “Abdullahu do të vdesë duke qenë i kapur për lidhjen (nyjën) më të fortë.”
20. Nënkapitulli: Zbulimi i femrës në ëndërr
7011. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Të kam parë në ëndërr dy herë me një petk mëndafshi, duke të të bartur një njeri, i cili më thoshte: “Kjo është gruaja jote.” Kur e zbuloja, më dilje ti. Unë thosha: “Nëse kjo (ëndërr) është prej Allahut, Ai do ta bëjë realitet.”
21. Nënkapitulli: Ëndërrimi i rrobave të mëndafshit
7012. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e këtij i ka rrëfyer Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Para se të të martoja, të kam parë në ëndërr dy herë me një petk prej mëndafshi, një melek duke të të bartur, të cilit i thashë: “Ma zbulo atë!” Kur e zbuloi, më dole ti. Unë thosha: “Nëse kjo (ëndërr) është prej Allahut, Ai do ta bëjë realitet. Pastaj prapë të kam parë ashtu duke të të bartur në një petk mëndafshi, e në atë rast i thashë: “Ma zbulo!” Kur e zbuloi, më dole ti. Thashë: “Nëse kjo është prej Allahut, Ai do ta bëjë realitet.”
22. Nënkapitulli: Të shohësh në ëndërr çelësat në dorë
7013. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Jam dërguar me fjalë gjithëpërfshirëse e kuptimplota dhe jam ndihmuar me lemerinë (që i zë armiqtë e mi). Teksa po flija, dikush m'i dhuroi çelësat e depove të Tokës dhe m'i vendosi në dorë.”
Muhamedi (Buhariu) thotë: “Më është transmetuar se kuptimi i “fjalëve gjithëpërfshirëse" është se, Pejgamberit ﷺ, në një ose dy tematika, Allahu ka përmbledhur një numër të madh tematikash, që kanë qenë të shkruara në librat e mëhershëm.”
23. Nënkapitulli: Të shohësh ëndërr lidhjen me nyjë ose hallkë
7014. Nga: Kajs ibn Ubadi
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ez'heri, e ky nga Ibn Avniu; [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi, e këtij i ka treguar Kajs ibn Ubadi se Abdullah ibn Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pashë në ëndërr sikur isha në një kopsht, në mesin e të cilit ishte një shtyllë, ndërsa në majë të shtyllës ishte një nyjë. Më thanë: “Ngjitu!” Thashë: “Nuk mundem.” Atëherë erdhi një shërbëtor, i cili e ngriti rrobën time, ndërsa unë u ngjita derisa arrita të kapesha për nyjën. Vazhdova të qëndroja i kapur për të, derisa u zgjova. Këtë ia rrëfeva Pejgamberit ﷺ, i cili më tha: “Ai kopsht është kopshti i Islamit, ajo shtyllë (e përmendur) është shtylla e Islamit, ndërsa ajo nyjë është lidhja e fortë (Islami). Ti do të vazhdosh të mbahesh fort për Islamin deri në vdekje.”
24. Nënkapitulli: Ëndërrimi i shtyllës së tendës përfundi jastëkut
25. Nënkapitulli: Të shohësh në ëndërr mëndafshin e vrazhdë dhe futjen në Xhenet
7015. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pashë në ëndërr se po mbaja në dorë një copë mëndafshi, e cila më dërgonte nëpër Xhenet ngado që dëshiroja. Më pas, këtë ia tregova Hafsës.”
7016. Nga: Abdullah ibn Omeri
Në vazhdim të hadithit paraprak, Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Hafsa ia tregoi Pejgamberit ﷺ ëndrrën time, ai i tha: “Vërtet vëllai yt është njeri i mirë.” Ose i tha: “Vërtet Abdullahu është njeri i mirë.”
26. Nënkapitulli: Të ëndërrosh prangat
7017. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar Afvin, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të afrohet koha (e Kiametit), pothuajse të gjitha ëndrrat e besimtarëve janë të vërteta. Ëndrra e besimtarit është një e dyzetegjashta pjesë e pejgamberisë.”
Muhamedi thotë: “Edhe unë them të njëjtën gjë!” Ai shton: “Thuhej se ëndrrat ndahen në tri lloje:
1. Ato që kanë të bëjnë me preokupimet e njeriut,
2. Frikësimet nga shejtani dhe
3. Sihariqet nga Allahu.
Andaj, kush sheh në ëndërr diçka që e urren, të mos ia tregojë askujt dhe le të çohet e të falet. Urrehej kur dikush shihte në ëndërr prangat në qafë ose në duar, ndërkohë pëlqehej kur dikush shihte në ëndërr prangat në këmbë, e cila shpjegohej si stabilitet në fe.”
Këtë e transmeton edhe Katadja, Junusi, Hishami dhe Ebu Hilali nga Ibn Sirini, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Disa, tërë këtë pjesë e futën në hadith. Hadithi i Aufit është më i qartë. Junusi ka thënë: “Mendoj se kjo është fjalë e Pejgamberit ﷺ, që flet për prangat.” Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Vargonjtë janë pranga që vendosen në qafë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7017
Fjalë të panjohura?
27. Nënkapitulli: Të ëndërrosh burimin që rrjedh
7018. Nga: Umu Ala Ensarja
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Harixhe ibn Zejd ibn Thabiti se Umu Alai (Allahu qoftë i kënaqur e të), një ensare që ia kishte dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ, rrëfen: “Othman ibn Medhunit i ra shorti të vijë te ne kur ensarët hodhën short për t'i akomoduar muhaxhirët. Por, duke qenë te ne, Othman ibn Medhunin e kaploi një sëmundje, andaj e kuruam deri në vdekje, pastaj e qefinosëm me rrobat e tij. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi te ne, unë thashë: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ty, o Ebu Saib (Othman ibn Medhun)! Unë jam dëshmitare jotja se Allahu të ka nderuar.” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “E si e ditke ti?” I thashë: “Për Allahun, nuk e di.” Ai më tha: “Sa i përket atij, i ka ardhur e qarta (vdekja). Unë vërtet shpresoj për të mirësi nga Allahu, porse, betohem në Allahun se, ndonëse jam i Dërguari i Allahut, nuk di çfarë do të bëhet me mua e as me ju.” Me të dëgjuar këtë, thashë: “Betohem në Allahun se më s'do të lavdëroj askënd pas tij.” Por, kur rashë në gjumë, e pashë Othmanin në ëndërr tek po i rridhte një lumë. Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova, e në atë rast ai më tha: “Ajo është vepra e tij që i rrjedh pranë.”
28. Nënkapitulli: Të ëndërrosh nxjerrjen e ujit nga pusi derisa të jenë ngopur njerëzit
Këtë e transmeton edhe Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ.
7019. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jakub ibn Ibrahim ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Shuajb ibn Harbi, e këtij i ka treguar Sahr ibn Xhuvejriu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “(Pashë në ëndërr se) teksa isha te një bunar duke nxjerrë ujë, erdhën Ebu Bekri dhe Omeri. Ebu Bekri e mori kovën dhe nxori një ose dy kova, porse gjatë nxjerrjes kishte dobësi, Allahu e faltë! Pastaj, Ibn Hatabi e mori prej dorës së Ebu Bekrit dhe kova, në dorën e tij, u bë e madhe. Nuk kam parë njeri më të shkathët, që e përsos punën, sikurse ai. Ai nxori aq ujë, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
29. Nënkapitulli: Të ëndërrosh nxjerrjen me vështirësi të një ose dy kovave ujë nga pusi
7020. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Musai, e ky nga Salimi se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon për ëndrrën e Pejgamberit ﷺ në të cilën kishte parë Ebu Bekrin dhe Omerin: “Pashë në ëndërr se, teksa njerëzit ishin tubuar, Ebu Bekri u ngrit dhe nxori një ose dy kova ujë, porse gjatë nxjerrjes kishte vështirësi, Allahu e faltë! Pastaj, Omer ibn Hatabi u ngrit, e në atë rast kova në dorën e tij u bë e madhe. Nuk kam parë njeri që e përsos punën e vet sikurse ai, (nxori aq ujë) saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
7021. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa isha në gjumë, pashë në ëndërr veten pranë një pusi në të cilin ishte varur një kovë. Nxora prej tij (ujë) aq sa deshi Allahu, pastaj e mori Ibn Ebu Kuhafe (Ebu Bekri) dhe nxori një ose dy kova ujë, porse gjatë nxjerrjes kishte vështirësi, Allahu e faltë! Pastaj, Omer ibn Hatabi u ngrit dhe kova në dorën e tij u bë e madhe. Nuk kam parë ndër njerëz më të shkathët në nxjerrje (të ujit) sesa Omer ibn Hatabi, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
30. Nënkapitulli: Të ëndërrosh pushimin
7022. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa isha në gjumë, pashë në ëndërr veten pranë një bunari duke u dhënë ujë njerëzve. Pastaj erdhi Ebu Bekri dhe ma mori kovën nga dora që të më lërë të pushojë. Ai nxori dy kova ujë, porse gjatë nxjerrjes kishte vështirësi, Allahu e faltë! Pas tij erdhi Ibn Hatabi, i cili e mori kovën dhe vazhdoi të nxjerrë ujë derisa njerëzit vinin njëri pas tjetrit pa reshtur, ndërkohë kroi ku ata merrnin ujë buronte vazhdimisht.”
31. Nënkapitulli: Të ëndërrosh kështjellën
7023. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tha: “Duke qenë në gjumë, e pashë veten në Xhenet, ku hasa një grua duke marrë abdes pranë një kështjelle. Pyeta: “I kujt është ky pallat?” Më thanë: “I Omer ibn Hatabit.” Pastaj m'u kujtua xhelozia e tij, andaj u ktheva nga kisha ardhur.” Ebu Hurejra shton: “Omeri filloi të qajë dhe tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut! A ndaj teje të kem xhelozi?”
7024. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “(Pashë në ëndërr se) hyra Xhenet, ku hasa një kështjellë prej ari. Pyeta: “E kujt është kjo?” Më thanë: “E një burri nga radhët e kurejshëve. Asgjë s'më ndaloi të futesha në të, o Ibn Hatab, përveçse m'u kujtua xhelozia jote.” Omeri tha: “A ndaj teje të kem xhelozi, o i Dërguari i Allahut?”
32. Nënkapitulli: Të ëndërrosh abdesin
7025. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tha: “Duke qenë në gjumë, e gjeta veten në Xhenet, ku pashë një grua duke marrë abdes pranë një pallati. Pyeta: “I kujt është ky pallat?” Më thanë: “I Omerit.” Sakaq m'u kujtua xhelozia e tij, andaj u largova nga kisha vajtur.” Omeri filloi të qajë dhe tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut! A ndaj teje të kem xhelozi?”
33. Nënkapitulli: Të ëndërrosh tavafin rreth Qabesë
7026. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullah ibn Omeri se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa isha në gjumë, pashë në ëndërr veten duke bërë tavaf rreth Qabesë. Aty pashë një burrë zeshkan, me flokë të gjatë e të drejtë, duke ecur mes dy burrave të tjerë, teksa koka i pikonte ujë. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “I biri i Merjemes.” Kur shkova të shikoj, pashë edhe një burrë tjetër: të kuq e trupmadh, me kaçurrela të dendura, i verbër në syrin e djathtë, që i dukej sikurse kokërr e dalë rrushi. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Dexhalli.” Njeriu që më së shumti i ngjasonte ishte Ibn Katani.”
Zuhriu thotë: “Ibn Katani ka qenë një pjesëtar i familjes benu mustalik, nga fisi huzaë.”
34. Nënkapitulli: Kur ia jep dikujt pjesën e mbetur në ëndërr
7027. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Hamza ibn Abdullah ibn Omeri se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa isha në gjumë, (në ëndërr) m'u soll një kupë me qumësht nga e cila piva aq shumë, saqë e pashë duke rrjedhur nga unë. Pastaj, pjesën e mbetur ia dhashë Omer ibn Hatabit.” Ata që ishin rreth tij thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Është dituria.”
35. Nënkapitulli: Të ëndërrosh sigurinë dhe largimin e frikës
7028. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ubejdullah ibn Seidi më ka thënë: Na ka treguar Afan ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Sahr ibn Xhuvejriu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kishte raste kur ndokush nga sahabët shihte ndonjë ëndërr, të cilën pastaj ia rrëfente të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ai ua shpjegonte aq sa ia mundësonte Allahu. Atëbotë, unë isha një djalosh i ri, që xhaminë e kisha si shtëpi. Gjithë kjo para se të martohesha. I thashë vetes: “Sikur në ty të kishte ndonjë mirësi, edhe ti do të shihje në ëndërr diçka, siç po shohin ata!” Një natë, kur u shtriva në shtrat, thashë: “O Allah! Nëse ke parë diçka të mirë tek unë, atëherë ma mundëso të shoh një ëndërr!” Pas kësaj, teksa po qëndroja i shtrirë ashtu, (më kaploi gjumi dhe) më erdhën dy melekë, ku secili prej tyre mbante në dorë nga një shkop hekuri dhe më shpinin drejt Xhehenemit. Duke qenë midis tyre, unë e lusja Allahun: “O Allah, më mbroj nga Xhehenemi!” Ndërkohë, m'u paraqit prapë meleku me shkop hekuri në dorë dhe më tha: “Mos u frikëso, se ti je burrë i mirë, veç sikur të faleshe më shumë.” Pastaj, më dërguan tutje derisa më ndalën buzë Xhehenemit, i cili ishte i ndërtuar rreth e rreth, sikurse të ishte një bunar dhe kishte brirë sikurse brirët e bunarit, midis çdonjërit prej tyre rrinte një melek që mbante në dorë një shkop hekuri. Pastaj, m'u shfaqën ca njerëz të lidhur me zinxhirë me koka të kthyera teposhtë, disa prej të cilëve e dija se ishin kurejshë. Pas kësaj, më larguan prej aty dhe më shpurën nga ana e djathtë.”
7029. Nga: Abdullah ibn Omeri
Në vazhdim të hadithit paraprak, Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Dhe, këtë ëndërr ia tregova Hafsës, e ajo ia përcolli të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili tha: “Vërtet Abdullahu është njeri i mirë.” Nafiu ka thënë: “Pas kësaj, (Abdullahu) e shtoi namazin.”
36. Nënkapitulli: Kur dikush të kap nga ana e djathtë në ëndërr
7030. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sa ishte gjallë Pejgamberi ﷺ, unë isha një djalosh beqar dhe shpesh flija në xhami. Asokohe, kur ndokush shihte ndonjë ëndërr, ia tregonte Pejgamberit ﷺ. Unë thashë me vete: “O Allah! Nëse ke parë diçka të mirë tek unë, atëherë ma mundëso të shoh një ëndërr, të cilën do të ma shpjegojë i Dërguari i Allahut ﷺ!” Kështu, kur fjeta, pashë në ëndërr dy melekë, të cilët më morën dhe së bashku u nisëm gjetkë. Ndërkohë, një melek tjetër na takoi dhe më tha: “Mos u frikëso, se ti je njeri i mirë!” Pastaj më dërguan te Zjarri (Xhehenemi), i cili ishte i ndërtuar sikurse bunar. Aty pashë njerëz, disa prej të cilëve i njihja. Pastaj (melekët) më kapën dhe më dërguan në të djathtë. Kur u zgjova, këtë ia tregova Hafsës.”
7031. Nga: Abdullah ibn Omeri
Në vazhdim të hadithit paraprak, Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Hafsa ia tregoi Pejgamberit ﷺ ëndërrën, e në atë rast ai tha: “Vërtet Abdullahu është njeri i mirë, veç sikur të shtonte namazin gjatë natës.”
Zuhriu ka thënë: “Pas kësaj, Abdullahu e shtoi namazin gjatë natës.”
37. Nënkapitulli: Të ëndërrosh tasin
7032. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Hamza ibn Abdullahu se Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa isha në gjumë, (në ëndërr) m'u soll një kupë me qumësht, prej të cilit piva dhe pjesën e mbetur ia dhashë Omer ibn Hatabit.” I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Është dituria.”
38. Nënkapitulli: Të ëndërrosh diçka duke fluturuar
7033. Nga: Abdullah ibn Abasi
Seid ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Ubejde ibn Nashiti se Ubejdullah ibn Abdullahu thotë: “E pyeta Abdullah ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ëndrrën që pati përmendur i Dërguari i Allahut1 ﷺ.”
7034. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Jam informuar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa po flija, në ëndërr pashë se në duar m'u vendosën dy byzylykë të artë. Çështja e tyre më rëndoi dhe i urreva. Kur m'u lejua, u fryva atyre dhe fluturuan tutje. Prandaj, i komentova si dy gënjeshtarë, që do të paraqiten (pas meje).”
Ubejdullahu tha: “Njëri ishte Ansiu, të cilin e vrau Fejruzi, në Jemen, kurse tjetri Musejlemi.”
39. Nënkapitulli: Të ëndërrosh lopët duke u therur
7035. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga gjyshi i tij Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pashë në ëndërr se po shpërngulesha nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte qyteti Jethribi (Medina). Në po të njëjtën ëndërr, pashë edhe ca lopë, e s'ka dyshim se shpërblimi i Allahut është më i mirë, të cilët ishin besimtarët ditën e Uhudit. Mirësia aludonte në begatitë dhe shpërblimin e sinqeritetit që Allahu na e dha pas ditës së Bedrit.”
40. Nënkapitulli: Të ëndërrosh fryrjen në diçka
7036. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahim Handhaliu më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne jemi të fundit (si umet) dhe të parët (në Ditën e Gjykimit).”
7037. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa po flija, pashë në ëndërr se m'u dhanë thesaret e Tokës, pastaj m'u vunë në duar dy byzylykë të artë, çështja e të cilëve më bëri merak dhe më shqetësoi. Në ëndërr m'u shpall që t'u fryj. Kur u fryva, fluturuan, prandaj i komentova si dy gënjeshtarët që do të vijnë pas meje: (njëri) i Sanasë dhe (tjetri) i Jemames.”