95. Transmetimet nga një person
1. Nënkapitulli: Citatet që kanë ardhur se transmetimi i një personi të besueshëm është i pranuar: "Në ezan, në namaz, në agjërim, në trashëgimi si dhe në dispozita.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të ruhen.” (Teube, 122) Edhe një njeri mund të quhet ‘grup’ për shkak të ajetit: “Nëse dy grupe të besimtarëve luftojnë mes vete...” (Huxhurat, 9) Kështu, nëse vetëm dy njerëz luftojnë mes vete, hyjnë në kuptimin e ajetit. Po ashtu Allahu ka thënë: “Nëse u vjen një mëkatar me një lajm, vërtetojeni atë...” (Huxhurat, 6) Gjithashtu, siç Pejgamberi ﷺ i dërgonte mëkëmbësit e tij, një nga një, kështu që nëse ndonjëri prej tyre gabonte, çështja e tij kthehej te Suneti (tradita e Pejgamberit ﷺ).
7246. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Malik ibn Huvejrithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhëm te Pejgamberi ﷺ, ishim të rinj dhe bashkëmoshatarë. Qëndruam tek ai njëzet net. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte i butë, andaj, kur na pa se ishim përmalluar për familjet tona, na pyeti se kë kemi lënë mbrapa, e ne i treguam. Më pas, na tha: “Kthehuni te familjet tuaja dhe qëndroni me ta. Mësojini ata dhe urdhërojini për të mirë.” - Përmendi edhe gjëra të tjera, disa prej të cilave nuk më kujtohen. - Ai, po ashtu, tha: “Faluni, ashtu siç më keni parë mua duke u falur. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndokush prej jush dhe le t'ju prijë në namaz më i vjetri nga mesi juaj.”
7247. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Tejmiu, e ky nga Ebu Othmani se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ndërpresë syfyrin kur e dëgjon ezanin e Bilalit, sepse ai e thërret ezanin gjatë natës, që ta lajmërojë atë që është duke u falur dhe atë që është duke fjetur. Agimi i vërtetë nuk është kështu, - Jahjai (transmetuesi) i bashkoi shuplakat (duke e treguar dritën vertikale), - por derisa të bëhet kështu”, - Jahjai i shtriu dy gishtat tregues (duke e treguar dritën horizontale).
7248. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi.”
7249. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ e fali drekën pesë rekate.” I thanë: “Vallë, u shtua numri i rekateve?” Ai ua ktheu: “Përse, vallë?” I thanë: “I fale pesë rekate.” Atëherë Pejgamberi ﷺ i bëri dy sexhde, pasi dha selam.”
7250. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ një ditë dha selam në rekatin e dytë, e në atë rast Dhuljedejni i tha:
- O i Dërguari i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?
- “A po e thotë të vërtetën Dhuljedejni?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - iu përgjigjën njerëzit.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, i fali edhe dy rekate, dha selam, mori tekbirin dhe ra në sexhde sikurse për sexhdet e namazit, ose edhe më gjatë, pastaj u ngrit, mori tekbir, ra në sexhde, sikurse për sexhdet e namazit, pastaj u ngrit.
7251. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në xhaminë e Kubasë, u vajti një lajmëtar dhe u tha: “Sonte të Dërguarit të Allahut ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo!” Ata ishin të kthyer në drejtim të Shamit, kështu që u kthyen nga Qabeja.”
7252. Nga: Bera ibn Azibi
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, u fal në drejtim të xhamisë së Kudsit për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht. Ai kishte dëshirë të drejtohej nga Qabeja, andaj Allahu ﷻ zbriti ajetin: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli, andaj Ne do të të drejtojmë nga kibla që ti e do...” (Bekare, 144) Dhe kështu u drejtua nga Qabeja. Atë ditë, një burrë e fali ikindinë së bashku me Pejgamberin ﷺ dhe doli (prej xhamisë), ku kaloi pranë një grupi ensarësh (që po faleshin) dhe u tregoi duke dëshmuar se ishte falur me Pejgamberin ﷺ, i cili ishte kthyer nga Qabeja. Kështu edhe ata u kthyen nga Qabeja teksa ishin në ruku, në namazin e ikindisë.”
7253. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Kazea më ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Ebu Talha Ensariut, Ebu Ubejd ibn Xherrahut dhe Ubej ibn Kabit u shërbeja verë hurmash, erdhi një njeri dhe tha: “U ndalua alkooli!” Atëherë Ebu Talhai tha: “O Enes, shko dhe thyeji ato qype.” Kështu, unë shkova te qypi dhe e godita fundin e saj derisa u thye.”
7254. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Silehu se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u tha banorëve të Nexhranit: “Do të dërgoj te ju një burrë besnik e shkuar besnikut.” Sahabët e Pejgamberit ﷺ lakmuan në këtë (për veten e tyre), por ai e dërgoi Ebu Ubejden.
7255. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo umet ka nga një besnik, ndërkohë besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde.”
7256. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejd ibn Hunejni se Ibn Abasi tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ka qenë një ensar, të cilit, kur mungonte nëpër ndejat e të Dërguarit të Allahut ﷺ e unë isha i pranishëm, ia sillja lajmet dhe mësimet e Pejgamberit ﷺ, si dhe anasjelltas, kur unë mungoja nëpër ndejat e të Dërguarit të Allahut ﷺ e ai ishte i pranishëm, m'i sillte lajmet dhe mësimet e Pejgamberit ﷺ.”
7257. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Zubejdi, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë luftarake, në krye të të cilëve caktoi një burrë. Ai ndezi një zjarr dhe u tha: “Hyni në të!” Disa deshën të hyjnë, por disa të tjerë thanë: “Ne nga kjo kemi ikur!” Kur ia përmendën këtë Pejgamberit ﷺ, për ata që deshën të hyjnë në zjarr, tha: “Sikur të hynin në të, do të mbeteshin aty deri në Ditën e Kiametit.” Ndërkaq, të tjerëve u tha: “Nuk ka nënshtrim në mëkat, porse nënshtrimi bëhet vetëm në gjëra të lejuara.”
7258. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
7258. 7259. Zuhejr ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Dy persona kërkuan gjykim te Pejgamberi ﷺ.”
7259. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
7258. 7259.
7260. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, një beduin u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, gjyko për mua me Librin e Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Ashtu është, o i Dërguari i Allahut! Gjyko për të sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Fol!” Ai vazhdoi: “Djali im ishte argat te ky dhe bëri zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim, por unë e shpagova me njëqind dele dhe një shërbëtore. Më pas i pyeta dijetarët dhe më thanë se gruaja e tij duhet të gurëzohet, ndërsa biri im duhet të dënohet me njëqind fshikullima dhe të dëbohet për një vit.” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të gjykoj mes jush me Librin e Allahut. Sa i përket shërbëtores dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa biri yt duhet të dënohet me njëqind fshikullima dhe të dëbohet nga vendi për një vit. Kurse ti, o Unejs, - një burri të fisit eslem, - shko te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (fajin), gurëzoje!” Kështu, Unejsi shkoi dhe ajo pranoi (fajin), andaj e gurëzoi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7260
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ e dërgoi Zubejrin të vetëm si vëzhgues
7261. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në ditën e Hendekut, kur Pejgamberi ﷺ kërkoi një vullnetar, u paraqit Zubejri. Pastaj, sërish Pejgamberi ﷺ kërkoi vullnetar dhe sërish u paraqit Zubejri. Për së treti Pejgamberi ﷺ kërkoi vullnetar dhe prapë u paraqit Zubejri. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Çdo pejgamber ka pasur nga një ndihmës, ndërsa ndihmësi im është Zubejri.”
Sufjani ka thënë: “E kam zënë përmendsh nga Ibn Munkediri.” Ndërkohë Ejubi i tha: “O Ebu Bekër, tregoju hadithin nga Xhabiri, sepse të pranishmëve u pëlqen që t'u tregosh nga Xhabiri.” Kështu, në të njëjtën ndejë, tha: “E kam dëgjuar Xhabirin, - ndërkohë hadithet në formën: “E kam dëgjuar Xhabirin" forcojnë njëri-tjetrin, - andaj i thashë Sufjanit: “Por Thevriu po thotë: “(Është fjala për) Ditën e (fisit) kurejdha"; kështu e kam mbajtur në mend prej tij, siç ke qenë ulur edhe ti ditën e Hendekut. Sufjani tha: “Ka qenë vetëm një ditë”, dhe qeshi.”
3. Nënkapitulli: Ajeti: “Mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit, përveç nëse ju lejohet...”
Nëse një person i vetëm i jep leje dikujt për të hyrë, i lejohet.
7262. Nga: Ebu Musa Eshariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Othmani se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ hyri në një kopsht dhe më urdhëroi ta ruaj derën e kopshtit. Ndërkohë, erdhi një burrë dhe kërkoi leje për të hyrë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet.” Ky ishte Ebu Bekri. Pastaj erdhi Omeri dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet.” Pastaj erdhi Othmani dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet.”
7263. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Jahjai, e ky nga Ubejd ibn Hunejni se Ibn Abasi transmeton se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka treguar: “Kur shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, kuptova se ai ishte në qilarin e tij. Në krye të shkallëve ndodhej një shërbëtor zezak i të Dërguarit të Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “Tregoji se Omer ibn Hatabi është këtu.” Atëherë Pejgamberi ﷺ më dha leje.”
4. Nënkapitulli: Si i dërgonte Pejgamberi ﷺ mëkëmbësit dhe të dërguarit një nga një?
Ibn Abasi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e dërgoi Dihje Kelbiun me shkresën e tij tek i madhi i Busrasë, që ai pastaj t’ia dërgojë Cezarit."
7264. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i dërgoi Kisrait një shkresë dhe postierin e porositi që letrën t'ia dorëzojë prijësit të Bahrejnit, e ky t'ia përcjellë Kisrait (perandorit të persëve), i cili, posa e lexoi, e grisi copë-copë.”
Transmetuesi thotë: “Kujtoj se Ibn Musejebi ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ në atë rast u lut kundër tyre, që edhe mbretëria e tyre të bëhej copë e grimë.”
7265. Nga: Seleme ibn Ekvai
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i tha një pjesëtari të fisit eslem: “Lajmëroje popullin tënd, - ose ka thënë: njerëzit, - se sot është dita e Ashures, ndaj, ai që ka ngrënë (sot), le të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, e ai që nuk ka ngrënë, le të agjërojë.”
5. Nënkapitulli: Porosia e Pejgamberit ﷺ drejtuar delegacioneve arabe që ata t'ua përcjellin (fenë) atyre që i kanë lënë pas
Këtë e transmeton edhe Malik ibn Huvejrithi.
7266. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Xhadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe; [t]: Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe se Ebu Xhemra tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ulte në vendin e tij, kështu që (një ditë) më tha: “Kur delegacioni i Abdulkajsit vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ky u tha: “Cilët jeni ju, o delegatë?”
- Jemi nga fisi rebia, - i thanë ata.
- “Mirë se erdhët, o delegatë dhe o njerëz! Nuk do të jeni as të poshtëruar e as pishman (që keni ardhur tek unë)”, - u tha ai.
- O i Dërguari i Allahut, në mes nesh e teje ndodhen jobesimtarët e Mudarit, andaj na urdhëro diçka konkrete, që me të të fitojmë Xhenetin dhe t'i njoftojmë edhe ata që i kemi lënë mbrapa, - thanë ata pastaj e pyetën rreth pijeve.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua ndaloi katër gjëra dhe ua urdhëroi katër të tjera:
1. I urdhëroi ta besonin Allahun, dhe në atë rast i pyeti: “A dini ç'është besimi në Allahun?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - iu përgjigjën ata.
- “Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit,
4. - Më duket se përmendi edhe: agjërimin e Ramazanit, - dhe
5. Dhënien e një të pestës nga preja e luftës”, - u tha ai.
Po ashtu, ua ndaloi katër gjëra: enën nga kungulli, shtambën, vorbën e katranosur dhe varelën, ose ka përmendur edhe koritën (enë në të cilat përgatitej alkooli). Në fund, u tha: “Mësoni mirë këto gjëra dhe njoftoni edhe të tjerët mbrapa jush.”
6. Nënkapitulli: Lajmi i një gruaje të vetme
7267. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe se Teubete Anberiu tregon: “Shabiu më tha: “Ç'mendon për transmetimet e Hasenit nga Pejgamberi ﷺ? Ndërsa unë kam qëndruar tek Ibn Omeri dy vjet ose një vit e gjysmë, porse nuk e kam dëgjuar të ketë transmetuar nga Pejgamberi ﷺ përveç këtij hadithi: “Disa shokë të Pejgamberit ﷺ, në mesin e të cilëve ishte edhe Sadi, hëngrën mish, e atëherë njëra grua e Pejgamberit ﷺ i thirri ata duke u thënë: “Ai është mish i dabit”, kështu që ata u ndalën, por i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Hani, ose ushqejini të tjerët, sepse ai është hallall, - ose ka thënë: Nuk ka problem, - porse nuk është prej ushqimeve të mia.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7267
Fjalë të panjohura?