Hadithet e ngjashme me hadithin 344
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
344. Nga: Imran ibn Husajni
Musededi na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Aufi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Imrani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej udhëtimeve tona me Pejgamberin ﷺ, ecëm tërë natën. Nga fundi i natës, na mundi gjumi. Ç'gjë më të ëmbël se gjumi mund të ketë për një udhëtar (pas lodhjes)?! Gjumin na e nxori nxehtësia e diellit. I pari u zgjua filani, pastaj filani, pastaj filani, - Ebu Rexhai vazhdoi t'i përmendte me emra, por Aufi nuk i kujtonte. - I katërti me radhë u zgjua Omer ibn Hatabi. Pejgamberi ﷺ kishte zakon që, kur flinte, të mos e zgjonte askush, derisa zgjohej vetë, sepse nuk e dinim çfarë ndodhte gjatë gjumit të tij.
Pasi Omeri u zgjua dhe pa çfarë u kishte ndodhur njerëzve (ikja e namazit), si njeri i rreptë që ishte, filloi ta ngrejë zërin duke thirrur tekbir dhe vazhdoi së ngrituri zërin, derisa Pejgamberit ﷺ i doli gjumi nga zëri i tij. Njerëzit filluan t'i ankohen Pejgamberit ﷺ për atë që u kishte ndodhur, e në atë rast ai u tha: “S'ka gjë, - ose ka thënë: Nuk prish punë, - zhvendosuni që këtej!”
Të gjithë u zhvendosën dhe, nuk shkoi shumë, e Pejgamberi ﷺ u ndal, kërkoi enën për abdes, mori abdes e pastaj u thirr ezani për namaz. Ua fali njerëzve namazin e, pasi e mbaroi namazin, Pejgamberi ﷺ pa të shmangur mënjanë dikë që nuk ishte bashkëngjitur për t'u falur me xhemat, andaj e pyeti: “Çfarë të pengoi, o filan, që të mos falesh me xhemat?” Ai tha: “Jam bërë xhunub e nuk ka ujë (për pastrim).” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shfrytëzoje dheun, se ajo të mjafton.”
Vazhduan rrugën. Disa filluan të ankoheshin te Pejgamberi ﷺ se ishin etur. Ai u ndal dhe thirri një person, - të cilit Ebu Rexhai ia përmendi emrin, por Aufi e kishte harruar, - së bashku me Aliun, e u tha: “Dilni dhe kërkoni ujë.”
U nisën dhe, në rrugë e sipër, takuan një grua të hipur në deve, e cila kishte dy kacekë, - ose ka thënë: dy shakuj, - me ujë.
- Ku është burimi i ujit? - e pyetën.
- Është nga (një vend në një) largësi sa të udhëtosh një ditë e një natë. Ndërkaq, burrat nuk janë të pranishëm (për shkak se kanë shkuar të kërkojnë ujë), - tha ajo.
- Atëherë eja me ne, - i thanë ata.
- Ku? - pyeti ajo.
- Tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Tek ai për të cilin thonë se e ka ndërruar fenë? - pyeti ajo.
- Pikërisht, prandaj eja me ne, - i thanë.
E sollën te Pejgamberi ﷺ dhe i treguan për ndodhinë. E zbritën nga deveja, e Pejgamberi ﷺ kërkoi një enë, të cilën e mbushi me ujë nga grykët e kacekëve, - ose ka thënë: “Nga (grykët e) shakujve”, - pastaj ua lidhi grykat dhe i zgjidhi qepat. Pastaj, njerëzit u thirrën që të pinë dhe të marrin ujë. Piu kush piu e mori kush mori ujë dhe, në fund, ia mbushën një enë me ujë edhe atij që ishte bërë xhunub, të cilit Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko e pastrohu me të.”
Gruaja qëndronte në këmbë duke shikuar çfarë po ndodhte me ujin e saj. Betohem në Allahun se, edhe pse iu mor ujë nga enët, ato dukeshin më të fryra se në fillim.
Pejgamberi ﷺ tha: “Tubojani pak ushqim.” Njerëzit filluan të tubojnë ushqime nga më të ndryshmet: hurma axhve, miell, qull dhe disa ushqime të tjera e ia vendosën në një bohçe dhe ia ngarkuan mbi deve. Bohçen e vendosën para saj. Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Dije mirë se, nuk ta kemi harxhuar ujin, por ne na ka furnizuar Allahu.”
Ajo u kthye te familja e vet, të cilët po e prisnin dhe e pyetën: “Përse u vonove, oj filane?”
Ajo tha: “Për çudi, më takuan dy burra dhe më dërguan tek ai njeriu, për të cilin thonë se e ka ndërruar fenë, dhe veproi kështu e ashtu.
Betohem në Allahun se ai, ose është më magjistari ndër të gjithë njerëzit që ndodhen mes këtij e atij”, dhe bëri me gishtin tregues dhe të mesëm drejt qiellit, - duke nënkuptuar qiellin dhe tokën, - “ose me të vërtetë është i Dërguari i Allahut.”
Që nga ajo ditë, sa herë që muslimanët i dërgonin ekspeditat luftarake tek idhujtarët e asaj krahine, kujdeseshin që të mos e goditnin lagjen e kësaj gruaje. Një ditë ajo iu drejtua popullit të vet: “Më duket se këta njerëz po ju kursejnë qëllimisht, kështu që a nuk po mendoni ta pranoni Islamin?” Ata e dëgjuan fjalën e saj dhe e pranuan Islamin.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Fjala “saba" e ka kuptimin: e ka ndërruar fenë.” Ebu Alije ka thënë: “Sabiinët janë fraksion nga radhët e ithtarëve të Librit, të cilët e këndojnë Zeburin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 344
Fjalë të panjohura?
348. Nga: Imran ibn Husajni
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Aufi, e ky nga Ebu Rexhai se Imran ibn Husajn Huzaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një njeri që ishte ndarë nga njerëzit dhe nuk ishte falur me xhemat, andaj e pyeti: “O filan, çfarë të pengoi të mos falesh me xhemat?” Ai ia ktheu: “O i Dërguari i Allahut, jam bërë xhunub e nuk ka ujë (për pastrim).” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shfrytëzoje dheun, se ai të mjafton.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 348
Fjalë të panjohura?