Hadithet e ngjashme me hadithin 7437

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

806. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz pyetën:

- O i Dërguari i Allahut, a do ta shohim Zotin tonë Ditën e Kiametit?

- “A keni vështirësi për ta parë hënën e plotë kur nuk ka re?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Jo, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigjën ata.

- “Po diellin, a keni vështirësi për ta parë kur nuk ka re?” - pyeti sërish Pejgamberi ﷺ.

- Jo, - i thanë.

Pastaj Pejgamberi ﷺ u tha:

“Në këtë mënyrë do ta shihni Atë. Kur njerëzit të ringjallen Ditën e Kiametit, Ai u thotë: “Shkoni pas atyre që i keni adhuruar.” Disa do t'i shkojnë pas Diellit, disa Hënës e disa idhujve. Do të mbetet vetëm ky umet, e në mesin e tyre edhe hipokritët. Do t'u vete Allahu dhe do t'u thotë:

- Unë jam Zoti juaj.

- Do të qëndrojmë këtu derisa të vijë Zoti ynë. Kur të vijë, ne do ta njohim, - thonë ata.

Allahu do t'u vete sërish dhe do t'u thotë:

- Unë jam Zoti juaj.

- Ti qenke Zoti ynë, - thonë ata.

Atëherë Allahu i thërret dhe vendoset Sirati përmbi Xhehenem. Unë do të jem Pejgamberi i parë që do ta përshkoj me umetin tim. Atë ditë, askush nuk do të flasë, përveç pejgamberëve. Fjalët e tyre do të jenë: “O Zot, na shpëto! Na shpëto!” Në Xhehenem ka çengela sikurse gjembat e sadanit. A keni parë ndonjëherë gjemba të sadanit?”

- Po, - iu përgjigjën të pranishmit.

Pejgamberi ﷺ vazhdoi:

“Do të jenë në formë të gjembave të sadanit, por madhësinë e tyre nuk e di askush përveç Allahut ﷻ . Do t'i rrëmbejnë njerëzit në bazë të veprave të tyre: disa do të shkatërrohen për shkak të veprave, e disa do të copëtohen (gjatë ecjes në Sirat) e pastaj shpëtojnë. E, kur Allahu të dëshirojë t'i mëshirojë ata që do prej banorëve të Zjarrit, i urdhëron melekët t'i nxjerrin të gjithë ata që e adhuronin Allahun. Do t'i nxjerrin dhe do t'i njohin nga gjurmët e sexhdeve, sepse Allahu ia ka ndaluar Zjarrit t'i djegë ato gjymtyrë. Do të dalin prej Zjarrit të djegur tërësisht, përveç gjurmëve të sexhdeve. Kur të dalin, do të jenë të shkrumbuar dhe do t'u hidhet Uji i Jetës e do të mbijnë[1] siç mbin fara[2] në llumin e lumit. Pasi Allahu t'i vendosë të gjithë nëpër vendet që u takojnë, mbetet vetëm një njeri mes Xhenetit dhe Xhehenemit, i cili do të jetë personi i fundit nga banorët e Zjarrit që do të hyjë në Xhenet. I kthyer me fytyrë nga Zjarri, thotë:

- O Zoti im, ma largo fytyrën prej Zjarrit, sepse po më helmon era e tij dhe po më përcëllon nxehtësia e tij!

- Sikur të të plotësohej kjo (lutje), a do të kërkoje diçka tjetër? - e pyet Allahu ﷻ.

- Jo, betohem në Madhërinë Tënde! - thotë ai dhe i betohet e i premton Allahut duke bërë çmos.

Allahu ia largon fytyrën prej Zjarrit.

Pasi ta kthejë drejt Xhenetit dhe të shohë bukurinë e tij, mundohet të heshtë, aq sa do Allahu, pastaj thotë:

- Zoti im! Më afro te dera e Xhenetit!

- A nuk m'u betove e premtove që nuk do të kërkosh gjë tjetër? - e pyet Allahu ﷻ.

- Zoti im! Do të më lësh robin më të mjerë, - i drejtohet ai.

- Nëse të plotësohet (edhe) kjo, a do të kërkosh diçka tjetër? - i thotë Allahu ﷻ.

- Jo, betohem në Madhërinë Tënde, nuk do të kërkoj asgjë tjetër! - i betohet dhe i premton Allahut sa të dojë Ai.

Pastaj e afron te dera e Xhenetit.

Pasi të afrohet te dera dhe të shohë shkëlqimin, gëzimin dhe lumturinë brenda tij, mundohet të heshtë, aq sa do Allahu, pastaj thotë:

- Zoti im! Më fut në Xhenet!

- “Mjerë ti, o biri i Ademit, sa shumë që e thyen betimin! A nuk m'u betove e premtove që nuk do të kërkosh gjë tjetër?” - i thotë Allahu ﷻ.

- Zoti im! Mos më lër robin më të mjerë, - i drejtohet ai.

Allahu ﷻ qesh me të dhe ia mundëson të hyjë në Xhenet e i thotë:

- Kërko ç'të duash!

Ai kërkon e kërkon, derisa kalon çdo imagjinatë, pastaj Allahu ﷻ ia kujton: “Shtoje edhe këtë e atë.” Ia kujton gjërat, derisa i përfundojnë dëshirat, atëherë Allahu ﷻ i thotë: “Të gjitha këto dhe po aq të takojnë ty.”

Ebu Seidi i tha Ebu Hurejrës:

- Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ﷻ i thotë: “Të gjitha këto dhe dhjetëfishi i tyre të takojnë ty.”

- Unë nuk e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë ndryshe, përveçse: “Të gjitha këto dhe njëfishi i tyre të takojnë ty”, - ia ktheu Ebu Hurejra.

- Unë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Të gjitha këto dhe dhjetëfishi i tyre të takojnë ty”, - i tha Ebu Seidi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 806

Fjalë të panjohura?