40 hadithet e Neveviut
1. Nënkapitulli: Veprat vlerësohen sipas nijeteve
1. Nga: Omer ibn Hatabi
Udhëheqësi i besimtarëve, Ebu Hafsa, Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas nijeteve dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, kujtdo që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, hixhreti do t'i pranohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse dikush ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”
Referenca: 40 hadithet 1
2. Nënkapitulli: Ardhja e Xhibrilit për t'ua mësuar muslimanëve çështjet e fesë
2. Nga: Omer ibn Hatabi
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), po ashtu, tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim me të Dërguarin e Allahut ﷺ u shfaq një njeri me rroba fort të bardha e flokë tejet të zi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi dhe askush nga ne nuk e njihte.” U ul pranë Pejgamberit ﷺ duke ngjitur gjunjët e tij me gjunjët e Pejgamberit ﷺ dhe duke i vendosur duart mbi kofshët e tij. Pastaj iu drejtua:
"O Muhamed, më trego për Islamin!”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: "Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun po pate mundësi.”
Personi në fjalë ia ktheu: “Ashtu është!” Ne u çuditëm nga fakti se vetë e pyeste dhe vetë ia miratonte.
Pastaj vazhdoi: “Më trego për imanin (besimin)!”
I Dërguari ﷺ tha: "Imani është të besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në kaderin (caktimin), qoftë i mirë apo i keq.”
- Ashtu është, - tha ai dhe vazhdoi: - Më trego për ihsanin (përsosurinë)!
I Dërguari ﷺ tha: "Ta adhurosh Allahun sikurse ti e sheh. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”
Pastaj tha: “Më trego për Kiametin!”
I Dërguari ﷺ tha: "As i pyeturi për këtë nuk di më shumë sesa pyetësi.”
Ai ia ktheu: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij!”
I Dërguari ﷺ tha: "(Kiameti vjen) Atëherë kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t'i shohësh të zbathurit e zhveshur e fukarenj, barinjtë e deleve, të garojnë në ndërtimin e godinave të larta.” Pastaj personi u largua.
Pas një kohe, i Dërguari ﷺ më tha: "O Omer, e di se kush qe pyetësi?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë, - thashë.
Ai më tha: "Ai qe Xhibrili, erdhi për t'jua mësuar fenë tuaj.”
Referenca: 40 hadithet 2
3. Nënkapitulli: Islami është ngritur mbi pesë shtylla
3. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Abdurrahmani, Abdullah ibn Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Islami është ngritur mbi pesë shtylla:
1. Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit,
4. Haxhillëkun dhe
5. Agjërimin e Ramazanit.”
Referenca: 40 hadithet 3
4. Nënkapitulli: Të gjithë formohen në mitrën e nënës
4. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Abdurrahmani, Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, i sinqerti që i është thënë e vërteta, na thoshte: "Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së vet (duke qëndruar) dyzet ditë si një pikë uji, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në droçkë gjaku, më pas, shndërrohet në një copë mishi për po aq ditë. Pas kësaj, i dërgohet një melek, që ia fryn shpirtin dhe që është i urdhëruar me katër gjëra:
1. Të shkruajë rriskun,
2. Jetëgjatësinë,
3. Punën, dhe
4. Do të jetë fatzi ose i lumtur (në botën e amshuar).
Betohem në Atë, përveç të Cilit askush nuk meriton të adhurohet, se prej jush ka të atillë që, bën vepra të xhenetlinjve, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por libri i tij ia parakalon, kështu që punon vepra të banorëve të Zjarrit, rrjedhimisht hyn në të, dhe anasjelltas, ka të atillë që bën vepra të Zjarrit, saqë mes tij dhe Zjarrit s'ka më shumë se një kut, por libri i tij ia parakalon, ndaj bën punë të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të.”
Referenca: 40 hadithet 4
5. Nënkapitulli: Çdo bidat në fe është i refuzuar
5. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Nëna e besimtarëve, Umu Abdullah, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atij që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk i përket asaj, i refuzohet.”
Në një transmetim tjetër qendron: "Atij që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen tonë, i refuzohet.”
Referenca: 40 hadithet 5
6. Nënkapitulli: Hallalli dhe harami janë të qartë
6. Nga: Numan ibn Beshiri
Ebu Abdullahu, Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta ka rënë në haram, sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të. Andaj, dijeni se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut në Tokë janë haramet. Dijeni se në trup ndodhet një copë mishi, që, nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e, nëse prishet, prishet tërë trupi. Vini re, ajo është zemra.”
Referenca: 40 hadithet 6
7. Nënkapitulli: Feja është besnikëri
7. Nga: Temim Dariu
Ebu Rukaje, Temim ibn Evs Dariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Feja është besnikëri."
- Ndaj kujt? - e pyetëm.
Ai tha: “Ndaj Allahut, ndaj Librit të Tij, ndaj të Dërguarit të Tij, ndaj prijësve të muslimanëve, si dhe ndaj mbarë muslimanëve.”
Referenca: 40 hadithet 7
8. Nënkapitulli: Njerëzit do t’i luftoj derisa...
8. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falin namazin dhe të japin zekatin. Kur ta bëjnë këtë, unë ua garantoj gjakun dhe pasurinë e tyre, përveç me të drejtën e Islamit, ndërkaq llogaria e tyre është tek Allahu.”
Referenca: 40 hadithet 8
9. Nënkapitulli: Largohuni prej saj
9. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra, Abdurrahman ibn Sahri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Kur t'ju ndaloj diçka, largohuni prej saj, kurse atë që ju urdhëroj, bëjeni aq sa keni mundësi, ngase ata që ishin para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe kundërshtimit të pejgamberëve të tyre.”
Referenca: 40 hadithet 9
10. Nënkapitulli: Allahu është i Mirë dhe e pranon vetëm të mirën
10. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë. Ai i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit, duke thënë: "O të dërguar! Hani nga të mirat dhe bëni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!” (Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: "O besimtarë! Hani ushqimet e lejuara që jua kemi dhënë.” (Bekare, 172)" Pastaj (i Dërguari ﷺ) përmendi një njeri që kishte udhëtuar gjatë, flokëshprishur e i pluhurosur kishte ngritur duart lart duke thënë: "O Zot! O Zot!" Ndërkohë, ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram, ishte ushqyer me haram! E si t'i pranohet lutja?!"
Referenca: 40 hadithet 10
11. Nënkapitulli: Lëre të dyshimtën, qasju të sigurtës
11. Nga: Hasen ibn Ali ibn Ebu Talibi
Ebu Muhamedi, Haseni, i biri i Ali ibn Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), njëherazi nipi dhe borziloku i të Dërguarit të Allahut ﷺ, ka thënë: “Kam mbajtur në mend nga i Dërguari i Allahut ﷺ fjalën: "Lëre të dyshimtën në këmbim të asaj që nuk të duket e dyshimtë.”
Referenca: 40 hadithet 11
12. Nënkapitulli: Ndër shenjat e Islamit të mirë të një njeriu
12. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Ndër shenjat e Islamit të mirë të njeriut është lënia e gjërave që nuk i përkasin.”
Referenca: 40 hadithet 12
13. Nënkapitulli: S’ke iman pa ia dashur vëllait atë që ia do vetes
13. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Hamza, Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), shërbëtori i të Dërguarit të Allahut ﷺ, transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete.”
Referenca: 40 hadithet 13
14. Nënkapitulli: Gjaku i muslimanit është i lejuar vetëm në tri raste
14. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet të derdhet gjaku i muslimanit që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, përpos në tri raste:
1. I martuari zinaqar,
2. Njeriu (vritet) për njeriun dhe
3. Ai që e braktis fenë duke e lënë xhematin.”
Referenca: 40 hadithet 14
15. Nënkapitulli: Le të flasë vetëm mirë ai që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit
15. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.
Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin e tij.
Dhe kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij.”
Referenca: 40 hadithet 15
16. Nënkapitulli: Mos u zemëro!
16. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se një njeri i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Më këshillo!” I Dërguari ﷺ i tha: "Mos u zemëro!” Ky e përsëriti disa herë të njëjtën, sakaq Pejgamberi ﷺ çdoherë i thoshte: "Mos u zemëro!”
Referenca: 40 hadithet 16
17. Nënkapitulli: Allahu ka urdhëruar për mirësi në çdo gjë
17. Nga: Shedad ibn Evsi
Ebu Jalai, Shedad ibn Evsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka urdhëruar që ndaj çdo gjëje të sillemi me mirësi, andaj, kur të vritni, bëjeni vrasjen në mënyrën më të mirë, e, kur të therni, bëjeni therjen në mënyrën më të mirë. Çdonjëri le ta mprehë mirë tehun e thikës së tij dhe ta qetësojë kafshën e tij.”
Referenca: 40 hadithet 17
18. Nënkapitulli: Kije frikë Allahun kudo që të jesh
18. Nga: Xhundub ibn Xhunade - Muadh ibn Xhebeli
Ebu Dherri, Xhundub ibn Xhunade, dhe Ebu Abdurrahmani, Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), transmetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Kije frikë Allahun kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë, që kjo ta shlyejë atë të keqe, si dhe sillu mirë me njerëzit.”
Referenca: 40 hadithet 18
19. Nënkapitulli: Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty
19. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, ndërsa isha mbrapa të të Dërguarit të Allahut ﷺ, më tha: "O djalosh, po t'i mësoj disa fjalë: "Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”
Në një transmetim tjetër, krahas këtij të Tirmidhiut, qëndron: "Ruaje Allahun, që ta kesh para vetes! Njihe Allahun kur të jesh në rehati, që të të njohë kur të jesh në vështirësi! Gjithashtu, dije se ajo që nuk të ka goditur, nuk do të mund të të godiste dhe se ajo që të ka goditur, nuk do të mund të të mos godiste. Po ashtu, ta dish se fitorja vjen me durim, rrugëdalja vjen me lodhje, kurse me vështirësinë vjen lehtësimi.”
Referenca: 40 hadithet 19
20. Nënkapitulli: Po s'pate turp, bëj ç'të duash
20. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Mesudi, Ukbe ibn Amër Ensariu Bedriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Ndër urtësitë pejgamberike që u ka arritur njerëzve deri më sot janë edhe fjalët: “Po s'pate turp, bëj ç'të duash.”
Referenca: 40 hadithet 20
21. Nënkapitulli: Thuaj: "Besoj në Allahun, pastaj qëndro i paluhatshëm."
21. Nga: Sufjan ibn Abdullah Thekafiu
Ebu Amër ose Ebu Amra Sufjan ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Thashë: “O i Dërguari i Allahut, ma thuaj një fjalë lidhur me Islamin, që, pas teje, nuk do të kem nevojë ta pyes askënd. I Dërguari ﷺ më tha: "Thuaj: “Besoj në Allahun,” pastaj qëndro i paluhatshëm.”
Referenca: 40 hadithet 21
22. Nënkapitulli: Nëse i fal namazet e detyrueshme dhe e agjëroj Ramazanin...
22. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Abdullahu, Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Në qoftë se unë i fal namazet obligative, e agjëroj Ramazanin, hallallin e konsideroj hallall e haramin haram, dhe nuk shtoj asgjë më shumë se kaq, vallë, do të hyj në Xhenet? Pejgamberi ﷺ tha: "Po.”
Referenca: 40 hadithet 22
23. Nënkapitulli: Pastërtia është gjysma e besimit
23. Nga: Harith ibn Asim Eshariu
Ebu Maliku, Harith ibn Asim Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) elhamdulilah e mbush peshoren, (thëniet) subhanallah dhe elhamdulilah mbushin hapësirën ndërmjet qiellit dhe Tokës. Namazi është dritë, sadakaja është argument, durimi është shkëlqim dhe Kurani është dëshmi për ose kundër teje. Çdo njeri, kur del në mëngjes, e shet veten e tij: ose e çrobëron (nga dynjaja) ose e shkatërron (pas epsheve).”
Referenca: 40 hadithet 23
24. Nënkapitulli: O robërit e mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë
24. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ebu Dherr Gifariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ transmeton se Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë:
"O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të humbur, përveç atij që Unë e udhëzoj, ndaj më kërkoni udhëzim, që t'ju udhëzoj.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që unë e ushqej, ndaj më kërkoni ushqim, që t'ju ushqej.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që unë e pajis me veshmbathje, ndaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të.
O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, ndaj më kërkoni falje, që t'ju fal.
O robërit e Mi! Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi.
O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim.
O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim.
O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë ia jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, aq sa pakon gjilpëra kur futet në det.
O robërit e Mi! Janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten.”
Referenca: 40 hadithet 24
25. Nënkapitulli: Pasanikët i morën të gjitha shpërblimet
25. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se disa shokë të të Dërguarit të Allahut i thanë atij ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Pasanikët i morën të gjitha shpërblimet: falen siç falemi ne, agjërojnë siç agjërojmë ne, porse ata japin lëmoshë nga pasuria që u tepron.” I Dërguari ﷺ tha:
"A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka; urdhri për të mirë është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka, madje edhe në marrëdhëniet intime (me gratë tuaja) keni shpërblim.”
Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe kur ndonjëri prej nesh shfryen epshet e veta paska shpërblim?!” Ai ﷺ tha:
"Vallë, po ta bënte në haram, a do të kishte mëkat? E, pra, kur ta bëjë në hallall, do të ketë shpërblim.”
Referenca: 40 hadithet 25
26. Nënkapitulli: Për çdo nyje të trupit duhet të japim lëmoshë
26. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për çdo ditë që lind Dielli, njeriu do të duhej që, për secilën nyjë të trupit të japë sadaka. Të jetë i drejtë (në gjykim) mes njerëzve konsiderohet sadaka. Të ndihmojë dikë të hipë në kafshë dhe t'ia ngrejë plaçkat lart llogaritet sadaka. Fjala e mirë është sadaka dhe çdo hap që njeriu e bën për të shkuar në namaz llogaritet sadaka. Po ashtu, largimi i ndonjë pengese nga rruga është sadaka.”
Referenca: 40 hadithet 26
27. Nënkapitulli: Mirësi është sjellja e mirë
27. Nga: Nevas ibn Seman Kilabiu
Nevas ibn Semani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Mirësi është sjellja e mirë, e mëkat është ajo që të bren në zemër dhe nuk dëshiron të ta shohin njerëzit.”
Muslimi transmeton se Vabisa ibn Mabedi rrëfen: “Vajta tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili më tha: "Erdhe të më pyesësh për mirësinë?”
Po, - i thashë.
Më tha: "Pyete zemrën tënde. Mirësi është ajo me të cilën të qetësohet shpirti dhe zemra, kurse mëkat është ajo që të bren në shpirt dhe ta ngacmon kraharorin, edhe nëse njerëzit të flasin e të flasin ndryshe.”
Referenca: 40 hadithet 27
28. Nënkapitulli: Kini frikë Allahun dhe jini të sjellshëm
28. Nga: Irbad ibn Sarije
Ebu Nexhihu, Irbad ibn Sarije (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na këshilloi me disa fjalë që na i dridhën zemrat e na i përlotën sytë. Atëherë ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut, këto fjalë po na duken sikur janë këshillë lamtumirëse, ndaj na këshillo!” Ai tha: "Ju porosis të keni frikë Allahun dhe të jeni të dëgjueshëm e të bindur, edhe nëse ju bëhet prijës ndonjë rob, sepse ai që jeton më gjatë nga ju, do të shohë kundërshti të shumta, por kapuni fort pas traditës sime dhe traditës së kalifëve të drejtë e të përudhur, shtrëngojeni me dhëmballë dhe ruajuni nga gjërat e sajuara, ngase çdo bidat është devijim.”
Referenca: 40 hadithet 28
29. Nënkapitulli: Ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim
29. Nga: Muadh ibn Xhebeli
Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri! Ai tha: "Vërtet ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë vetëm për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun.” Pastaj tha: “A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të së mirës? Agjërimi është mburojë, sadakaja i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës.” Pastaj lexoi: "Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 16-17) Më pas tha: "A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?” Thashë: Gjithsesi, o i Dërguari i Allahut. Ai tha: "Kreu i çështjes është Islami, shtylla e tij është namazi, kurse kulmi është xhihadi.” Më tej shtoi: "A dëshiron të të tregoj për atë që i mbërthen të gjitha këto?” Unë thashë: Patjetër, o i Dërguari i Allahut. Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: "Ruaje këtë!” Atëherë i thashë: O Pejgamberi i Allahut, a edhe për atë që themi u marrkemi në llogari?! Ai më tha: "Mjerë nëna për ty, o Muadh! S'e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”
Referenca: 40 hadithet 29
30. Nënkapitulli: Allahu i Lartësuar caktoi për ju detyra, ndaj mos i humbni ato
30. Nga: Ebu Thalebe Husheniu
Ebu Thalebe Husheniu, Xhurthum ibn Nashiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu i Lartësuar ka caktuar për ju detyra, andaj mos i shpërfillni, ka vënë kufij, ndaj mos i tejkaloni, ka ndaluar disa gjëra, kështu që mos i shkelni, si dhe ka heshtur kundrejt disa gjërave si mëshirë për ju, e jo për shkak të harresës, prandaj mos i gjurmoni.”
Referenca: 40 hadithet 30
31. Nënkapitulli: Mos e lakmo dynjanë, që të të dojë Allahu
31. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ebu Abasi, Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Mësoma një punë që, nëse e bëj, do të më dojë Allahu, por edhe njerëzit!” Ai i tha: "Mos e lakmo dynjanë, që të të dojë Allahu dhe mos e lakmo atë që është në duart e njerëzve, që të të duan njerëzit!”
Referenca: 40 hadithet 31
32. Nënkapitulli: S'lejohet dëmi, e as dëmtimi
32. Nga: Sad ibn Malik ibn Sinan Hudriu
Ebu Seidi, Sad ibn Malik ibn Sinan Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Nuk lejohet dëmi, e as dëmtimi.”
Referenca: 40 hadithet 32
33. Nënkapitulli: Paditësi ka për detyrë të sjellë dëshmi, kurse ai që mohon duhet të betohet
33. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Po t'u jepej njerëzve në bazë të pretendimeve të tyre (në gjykatë), do të kishte të atillë që do të pretendonin pasurinë dhe gjakun e të tjerëve, andaj paditësi ka për detyrë të sjellë dëshmi, kurse ai që mohon duhet të betohet.”
Referenca: 40 hadithet 33
34. Nënkapitulli: Kushdo që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij
34. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Kushdo që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e, nëse nuk mundet as kështu, atëherë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët.”
Referenca: 40 hadithet 34
35. Nënkapitulli: Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin...
35. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu, - këtë e tha tri herë, duke bërë me shenjë në gjoksin e tij - I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllanë e vet musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”
Referenca: 40 hadithet 35
36. Nënkapitulli: Kush ia largon një brengë besimtarit...
36. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Atij që besimtarit ia largon një brengë të kësaj bote, Allahu do t'ia largojë një brengë të Ditës së Kiametit. Kurse kush ia lehtëson ndonjë vështirësi atij që ka, Allahu do t'ia lehtësojë në këtë botë dhe në të amshueshmen. Atij që ia mbulon të metat ndonjë muslimani, Allahu do t'ia mbulojë të metat e tij në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i ndihmon robit për aq kohë sa ky i ndihmon vëllait të vet. Atij që merr rrugë për të nxënë dije, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në Xhenet. Sa herë që mblidhet një grup njerëzish në ndonjë shtëpi të Allahut (xhami) për ta lexuar dhe për ta studiuar Librin e Allahut ndërmjet vete, mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira dhe i përmend Allahu tek ata që janë pranë Tij. Atë që e lë prapa vepra e tij, nuk do ta çojë përpara prejardhja e tij.”
Referenca: 40 hadithet 36
37. Nënkapitulli: Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe ato të këqija
37. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ transmeton nga Zoti i tij Lavdiplotë dhe thotë: “Allahu i ka caktuar të mirat dhe të këqijat, pastaj e ka sqaruar këtë: kur dikush dëshiron të kryejë një vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një të mirë të plotë, e, nëse ia mësyn dhe e bën, Allahu ia shkruan dhjetë të mira e deri në shtatëqindfish, ose edhe më shumë. Në anën tjetër, kur dikush ia mësyn një vepreje të keqe, por nuk e bën (e braktis), Allahu ia shkruan një të mirë të plotë, por, nëse ia mësyn dhe e bën, Allahu ia shkruan vetëm një të keqe.”
Referenca: 40 hadithet 37
38. Nënkapitulli: Unë i kam shpallur luftë atij që armiqëson ndonjë rob Timin
38. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ transmeton se Allahu i Lartësuar ka thënë: "Atij që armiqëson një të dashur Timin, Unë i kam shpallur luftë. Gjërat më të dashura për Mua me të cilat robi më afrohet janë ato që ia kam obliguar. Ai vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua, e, kur ta dua, i bëhem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin sheh, dora me të cilën prek dhe këmba me të cilën ecën. Nëse më kërkon diçka, do t'ia jap medoemos, dhe, nëse më kërkon mbrojtje, do ta mbroj medoemos.”
Referenca: 40 hadithet 38
39. Nënkapitulli: Allahu ia ka falur umetit tim gabimet që i bëjnë pa qëllim dhe nga harresa
39. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu ia ka falur umetit tim gabimet e paqëllimshme, ato nga harresa dhe gabimet e kryera nën presion të dhunës.”
Referenca: 40 hadithet 39
40. Nënkapitulli: Jeto në dynja si të ishe i huaj a kalimtar rasti
40. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë i Dërguari i Allahut ﷺ ma vendoi dorën mbi supe dhe më tha: "Jeto në dynja si të ishe i huaj apo kalimtar rasti.”
Ndërkaq, Ibn Omeri thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin dhe, kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzoje shëndetin para se të sëmuresh dhe shfrytëzoje jetën para se të të vijë vdekja.”
Referenca: 40 hadithet 40