1. Pastërtia

1. Nga: Omer ibn Hatabi

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”

Referenca: Umdetul Ahkam 1

2. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e atij që e prish abdesin, derisa të marrë sërish.”

Referenca: Umdetul Ahkam 2

3. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mjerë thembrat (që do të preken) nga Zjarri!”

Referenca: Umdetul Ahkam 3

4. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që merr abdes, le ta futë ujin në hundë dhe pastaj ta shfryjë, ndërsa ai që pastrohet me gurë nga jashtëqitja, le ta bëjë në numër tek. Kur dikush zgjohet nga gjumi, fillimisht le ta pastrojë dorën e tij, para se ta fusë në enën e abdesit, sepse nuk e di ku i ka qëndruar dora gjatë gjumit.”

Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: "Le të thithë ujë në hundë pastaj le t'i shfryjë hundët.”

Në tekstin e Buhariut: "Ai që merr abdes, le ta shpëlajë hundën.”

Referenca: Umdetul Ahkam 4

5. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos urinojë në ujin e ndenjur, që nuk rrjedh, e pastaj të lahet prej tij.”

Ndërkaq, te Muslimi: Askush të mos pastrohet në ujin që nuk rrjedh përderisa është xhunub.”

Referenca: Umdetul Ahkam 5

6. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse qeni pi në enën e ndokujt, le ta pastrojë atë shtatë herë.”

Ndërkaq, te Muslimi: ... herën e parë me dhé.”

Referenca: Umdetul Ahkam 6

7. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu

Ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse qeni pi në enë, lajeni atë shtatë herë, e herën e tetë fërkojeni me dhé.”

Referenca: Umdetul Ahkam 7

8. Nga: Othman ibn Afani

Humrani, i çrobëruari i Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një ditë Othman ibn Afani kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes). Kështu, fillimisht e derdhi (ujin nga ena e) i lau pëllëmbët tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në ujë dhe e shpëlau gojën e hundën, pastaj lau fytyrën e duart deri në bërryla nga tri herë, i dha mes'h kokës e, fare në fund, i lau këmbët deri te nyjat tri herë. Pastaj tha: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që merr abdes në këtë formë dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Umdetul Ahkam 8

9. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Abdullah ibn Zejd Maziniu ka thënë: “Qeshë i pranishëm kur Amër ibn Ebu Haseni e pyeti Abdullah ibn Zejdin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth abdesit të Pejgamberit ﷺ. Ai kërkoi një enë me ujë dhe mori abdes ashtu siç bënte Pejgamberi ﷺ: u hodhi ujë duarve nga ena e i lau ato tri herë, e futi dorën në enë dhe e shpëlau gojën e hundën tri herë me tri grushte ujë. Sërish e futi dorën në enë dhe e lau fytyrën tri herë, pastaj i lau duart dy herë deri në bërryla, e futi dorën në ujë dhe i dha mes'h kokës, duke e përshkuar nga para-mbrapa dhe anasjelltas, një herë të vetme. E, në fund, i lau këmbët.”

Në transmetimin e Buhariut: “... duke filluar nga pjesa e përparme e kokës deri te qafa dhe sërish i ktheu deri aty nga ku filloi. Në fund, i lau edhe këmbët.”

Në transmetimin e Buhariut: “Një ditë, erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ne i sollëm ujë në një enë prej bakri.”

Referenca: Umdetul Ahkam 9

10. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ, gjatë mbathjes së sandaleve, krehjes së flokëve, pastrimit dhe çdo pune tjetër, i pëlqente të fillonte nga ana e djathtë.

Referenca: Umdetul Ahkam 10

11. Nga: Ebu Hurejra

Nuajm Muxhmiri rrëfen: “Së bashku me Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hipëm mbi xhami. Ai mori abdes dhe tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Ditën e Kiametit umeti im do të paraqitet me balle dhe gjymtyrë të shndritura nga gjurmët e abdesit. Andaj, kushdo që mund ta rrisë shndritjen, le ta bëjë.”

Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “Nuajm ibn Abdullahu tregon se e ka parë Ebu Hurejrën të marrë abdes, e në atë rast ai lau fytyrën dhe dy krahët pothuajse deri në supe. Pastaj lau këmbët deri në kërcir dhe tha: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Në Ditën e Kiametit, umeti im do të vijë me ballë dhe gjymtyrë të shndritura nga gjurmët e abdesit. Prandaj, ai që mund ta rrisë shndritjen e gjymtyrëve, le ta bëjë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 11

12. Nga: Ebu Hurejra

Ndërkaq, në tekstin e Muslimit qëndron: “E kam dëgjuar më të Dashurin tim ﷺ të thotë: “Stolisja e besimtarit (në Ditën e Gjykimit) do të arrijë deri aty ku arrin abdesi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 12

1. Nënkapitulli: Pastërtimi pas kryerjes së nevojave fiziologjike

13. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, para se të hynte në nevojtore, thoshte: “Allahume ini eudhu bike minel hubuthi vel habaith (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes dhe të këqijave - kundrejt xhinëve meshkuj dhe femra)!

Referenca: Umdetul Ahkam 13

14. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të dilni për jashtëqitje ose urinim, mos u drejtoni nga kibla e as mos ia ktheni shpinën, por drejtohuni nga lindja ose perëndimi.”

Ebu Ejubi thotë: “Kur erdhëm në Sham, nevojtoret i gjetëm të ndërtuara në drejtim të kiblës. Andaj, mundoheshim ta ndërronim drejtimin. Pasi dilnim, i kërkonim falje Allahut të Lartësuar.”

Referenca: Umdetul Ahkam 14

15. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “M'u desh të hipja mbi shtëpinë e Hafsës dhe pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke kryer nevojën: me shpinë ishte i kthyer nga kibla e me fytyrë nga Shami.”

Referenca: Umdetul Ahkam 15

16. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ hynte në nevojtore, unë dhe një djalosh tjetër, moshatar imi, ia mbanim shkopin e tij dhe kovën e ujit, me të cilin pastrohej.”

Referenca: Umdetul Ahkam 16

17. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e mbani me dorën e djathtë organin gjenital gjatë urinimit e as mos u pastroni nga jashtëqitja me dorën e djathtë, si dhe mos merrni frymë në enë (gjatë pirjes në të).”

Referenca: Umdetul Ahkam 17

18. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta dy po dënohen, por nuk po dënohen për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre). Njëri prej tyre nuk ruhej nga stërpikat e urinës, kurse tjetri bartte fjalë.” Pastaj mori një degë të njomë, e ndau në dysh dhe nguli në secilin varr nga një pjesë.”

I thanë: “O i Dërguari i Allahut, pse e bëre këtë?”

Tha: “Me shpresë që t'u lehtësohet dënimi për sa kohë që këto degë janë të njoma.

Referenca: Umdetul Ahkam 18

2. Nënkapitulli: Pastrimi i dhëmbëve me misvak

19. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, do t'i urdhëroja ta përdornin misvakun për çdo namaz.”

Referenca: Umdetul Ahkam 19

20. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ ngrihej për namaz nate, pastronte gojën me misvak.”

Referenca: Umdetul Ahkam 20

21. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdurrahman ibn Ebu Bekri erdhi te Pejgamberi ﷺ, i cili ishte mbështetur në gjoksin tim. Abdurrahmani kishte një misvak të njomë me të cilin i pastronte dhëmbët. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi, andaj unë e mora misvakun, e kafshova dhe e zbuta, pastaj ia dhashë Pejgamberit ﷺ, e me të ai i pastroi dhëmbët. Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ t'i ketë pastruar dhëmbët më mirë se kësaj here. Me të mbaruar, Pejgamberi ﷺ e ngriti dorën a gishtin dhe tha tri herë: “Në shoqërinë e lartë!” - dhe vdiq. Ajo thoshte: “Ai vdiq në gjoksin tim.”

E, në tekstin (e Buhariut dhe Muslimit): “E vërejta se ai e shikonte atë dhe e kuptova se e donte misvakun, andaj e pyeta: “A të ta sjell?” Ai pohoi me kokë.

Referenca: Umdetul Ahkam 21

22. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vajta te Pejgamberi ﷺ dhe e gjeta duke përdorur misvakun e duke bërë: “Uu, uu!” ndërkohë misvakun e kishte në gojë, sikurse ai që është gati të vjellë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 22

3. Nënkapitulli: Mes’hu mbi meste

23. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha në një udhëtim bashkë me Pejgamberin ﷺ dhe u ula për t'ia hequr mestet, porse ai më tha: “Lëri, se i kam mbathur duke qenë me abdes.” Kështu, ai u dha vetëm mes'h.”

Referenca: Umdetul Ahkam 23

24. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha në një udhëtim bashkë me Pejgamberin ﷺ. Ai urinoi e më pas mori abdes dhe u dha mes'h mesteve.”

Referenca: Umdetul Ahkam 24

4. Nënkapitulli: Lëngu epshor dhe të tjerat

25. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shpesh më rridhte lëngu epshor (medhija), por, për shkak të raportit me të bijën e të Dërguarit ﷺ, kisha turp ta pyesja për këtë, andaj e porosita Mikdad ibn Esvedin ta pyeste. Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Vetëm e pastron organin gjenital dhe merr abdes.”

Te Buhariu: “Pastroje organin gjenital dhe merr abdes.”

Ndërkaq, te Muslimi: “Vetëm merr abdes dhe pastroje organin gjenital.”

Referenca: Umdetul Ahkam 25

26. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Abad ibn Temimi transmeton se Abdullah ibn Zejd ibn Asim Maziniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u ankua te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Nganjëherë njeriut i duket sikur ndien se ka prishur abdesin në namaz. Ai u përgjigj: “Të mos largohet (nga namazi), pa dëgjuar zë ose pa ndier erë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 26

27. Nga: Umu Kajs bint Mihsani

Umu Kajs bint Mihsani Esedija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se tek i Dërguari i Allahut ﷺ çoi një fëmijë të vetin, që ende nuk kishte filluar të hante ushqim. I Dërguari i Allahut ﷺ e uli në prehër, e foshnja i urinoi në rrobë. Kështu, Pejgamberi ﷺ kërkoi ujë dhe e spërkati rrobën me ujë, e nuk e lau.

Referenca: Umdetul Ahkam 27

28. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një foshnjë mashkull, i cili i urinoi në rroba. Pejgamberi ﷺ kërkoi ujë dhe e spërkati (vendin e urinuar në rrobë).”

Ndërkaq, te Muslimi: “... me të i spërkati pjesët e prekura nga urina, pa i larë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 28

29. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin erdhi dhe urinoi në një pjesë të xhamisë, andaj njerëzit e qortuan, por Pejgamberi ﷺ i ndaloi. Kur ai e kreu urinën, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që vendit të urinuar t'i hidhet një kovë me ujë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 29

30. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Natyrshmëria është në pesë:
1. Në synetllëk,
2. Rruajtjen e qimeve (në vendet e turpshme),
3. Shkurtimin e mustaqeve,
4. Prerjen e thonjve dhe
5. Shkuljen e qimeve të sqetullave.”

Referenca: Umdetul Ahkam 30

5. Nënkapitulli: Pastrimi nga xhunubllëku

31. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e takoi Pejgamberin ﷺ në një prej rrugëve të Medinës duke qenë xhunub: “Iu përvodha dhe shkova e u lava, pastaj vajta te Pejgamberi ﷺ, i cili më tha: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?”

Thashë: “Isha xhunub, andaj nuk doja të qëndroja me ty duke qenë i papastër.”

Pejgamberi ﷺ tha: “Subhanallah (i lartësuar është Allahu)! Muslimani, - në një transmetim tjetër qëndron: Besimtari, - nuk bëhet i ndytë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 31

32. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, së pari fillonte nga duart, pastaj merrte abdes sikurse për namaz, pastaj lahej: shpupuriste flokët me dorë e, kur sigurohej se kishte lagur lëkurën e kokës, i hidhte ujë kokës tri herë dhe, më pas, e pastronte tërë trupin me ujë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 32

33. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Pejgamberi ﷺ laheshim nga një enë e përbashkët, nga e cila merrnim ujë së bashku.”

Referenca: Umdetul Ahkam 33

34. Nga: Mejmune bint Harithi

Mejmune bint Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i vendosa ujë për t'u larë nga xhunubllëku, e në atë rast me dorën e djathtë i hodhi ujë së majtës dy-tri herë dhe lau organin gjenital, pastaj e fërkoi dorën e majtë në dhé, - ose ka thënë: në mur, - dy-tri herë. Pastaj vazhdoi me shpëlarjen e gojës dhe hundës, lau fytyrën e duart deri te bërrylat, derdhi ujë në kokën e tij, pastaj e lau tërë trupin. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët. (Pasi e përfundoi), i ofrova një leckë (si peshqir), por nuk e deshi dhe me dorë filloi ta shkundte ujin nga trupi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 34

35. Nga: Abdullah ibn Omeri

ِAbdullah ibn Omer ibn Hatabi tregon se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “A na lejohet të flemë duke qenë xhunub?”

Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Po, nëse dikush merr abdes, mund të flejë, edhe nëse është xhunub.”

Referenca: Umdetul Ahkam 35

36. Nga: Umu Seleme

Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Umu Sulejmi, gruaja e Ebu Talhait, erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk turpërohet nga e vërteta. Andaj, a i obligohet femrës gusli nëse ejakulon në gjumë?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po, nëse vëren se është lagur.”

Referenca: Umdetul Ahkam 36

37. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njollat e spermës i pastroja nga rrobat e Pejgamberit ﷺ dhe dilte për namaz, ndërkohë shenjat e ujit i dukeshin qartë në rrobë.”

Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “E fërkoja me dorë për ta larguar nga rroba e të Dërguarit të Allahut ﷺ (pasi vendi i prekur nga sperma ishte tharë), dhe pastaj ai falej me të.”

Referenca: Umdetul Ahkam 37

38. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të shtrihet sipër saj dhe bën marrëdhënie me të, obligohet gusli.”

Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “... edhe nëse nuk ejakulon.”

Referenca: Umdetul Ahkam 38

39. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Xhafer Muhamed ibn Ali ibn Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi dhe babai i tij gjendeshin te një ndejë te Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ku gjendeshin edhe disa persona të tjerë, të cilët e pyetën rreth guslit. Ai u tha: “Të mjafton një saë." Njëri prej tyre i tha: “Mua nuk më mjafton." Atëherë Xhabiri ia ktheu: “I mjaftonte atij që ka pasur flokë më shumë e që ka qenë më i mirë se ti." Pastaj na priu në namaz, i veshur vetëm me një rrobë.”

Ndërkaq, në tekstin (e Buhariut): “Pejgamberi ﷺ hidhte ujë mbi kokë tri herë.”

Pastaj shton: “Burri që tha: “Nuk më mjafton” ishte Hasen ibn Muhamed ibn Ali ibn Ebu Talibi. Babai i tij quhej Muhamed ibn Hanefiu.”

Referenca: Umdetul Ahkam 39

6. Nënkapitulli: Tejemumi

40. Nga: Imran ibn Husajni

Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një njeri që ishte ndarë nga njerëzit dhe nuk ishte falur me xhemat, andaj e pyeti: “O filan, çfarë të pengoi të mos faleshe me xhemat?” Ai ia ktheu:O i Dërguari i Allahut, jam bërë xhunub e nuk ka ujë.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shfrytëzoje dheun, se ai të mjafton.”

Referenca: Umdetul Ahkam 40

41. Nga: Amar ibn Jasiri

Amar ibn Jasiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më dërgoi për të kryer një punë. (Gjatë rrugës) u bëra xhunub e nuk gjeja ujë, andaj u rrokullisa nëpër tokë (për tejemum) siç rrokulliset kafsha. Kur shkova te Pejgamberi ﷺ dhe ia përmenda këtë, më tha: “Do të të kishte mjaftuar t'ia bëje kështu me dorë” dhe e preku tokën me duar një herë e pastaj e fshiu dorën e djathtë për të majtën, pjesën e jashtme të shuplakës dhe fytyrën.”

Referenca: Umdetul Ahkam 41

42. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt para meje:

1. Jam ndihmuar me tmerrin (e futur në zemrat e armiqve, që arrin) në distancë sa një muaj rrugëtim;

2. Toka më është bërë vendfalje dhe mjet pastrimi, andaj këdo prej umetit tim që e zë namazi, le të falet (aty duke marrë tejemum me dhé të pastër);

3. Më është lejuar plaçka e luftës, gjë që nuk i është lejuar askujt para meje;

4. Më është dhënë e drejta për ndërmjetësim (shefat);

5. (Ndërsa) të dërguarit para meje janë dërguar te një popull i caktuar, unë jam dërguar te të gjithë njerëzit.”

Referenca: Umdetul Ahkam 42

7. Nënkapitulli: Menstruacionet

43. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatime bint Ebu Hubejshi e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Unë kam gjakrrjedhje të pandërprerë, kështu që nuk po pastrohem. A ta lë namazin?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Jo, ajo që po të ndodh ty është gjakrrjedhje e çrregullt. Lëre namazin aq ditë sa të janë paraqitur menstruacionet (më herët), e pastaj laju dhe falu.”

Ndërkaq, në transmetimin (e Muslimit): “Ajo që po të ndodh ty nuk është gjak menstrual. Gjatë ditëve të menstruacioneve lëre namazin e, kur të mbarojnë ato, pastroje gjakun dhe fillo të falesh.”

Referenca: Umdetul Ahkam 43

44. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se Umu Habibe ka vuajtur nga gjakrrjedhja e çrregullt shtatë vjet me radhë, andaj e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj. Ai e urdhëroi që të pastrohej. Kështu, ajo pastrohej për çdo namaz.

Referenca: Umdetul Ahkam 44

45. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pastrohesha bashkë me Pejgamberin ﷺ nga një enë e përbashkët, ndërkohë të dy ishim xhunubë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 45

46. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më urdhëronte të vishja izarin e pastaj më ledhatonte, ndërkohë unë isha me menstruacione.”

Referenca: Umdetul Ahkam 46

47. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ ishte në itikaf, e fuste kokën tek unë (në dhomë) dhe ia laja, edhe pse isha me menstruacione."

Referenca: Umdetul Ahkam 47

48. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ mbështetej në prehrin tim teksa unë isha me menstruacione, pastaj lexonte Kuran."

Referenca: Umdetul Ahkam 48

49. Nga: Muadhja

Muadhja, e bija Abdullahut, tregon: “E kam pyetur Aishen: “Përse femra me menstruacione e kompenson agjërimin e namazin jo?” Aishja tha: “Vallë, harurije (havarixhe) je ti?”

- Nuk jam harurije, vetëm po pyes, - iu përgjigja.

Më tha: “Kur na vinin menstruacionet, urdhëroheshim ta kompensonim agjërimin, e nuk urdhëroheshim ta kompensonim namazin.”

Referenca: Umdetul Ahkam 49