10. Mallkimi mes dy bashkëshortëve
325. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I pari që pyeti për këtë ishte filani, i biri i filanit, kur tha: “O i Dërguari i Allahut, sikur ndonjëri prej nesh ta gjejë gruan e tij duke bërë zina, si të veprojë? Nëse flet, do të flasë për një gjë shumë të rëndë, e, nëse hesht, do të heshtë ndaj një gjëje shumë të rëndë.” Pejgamberi ﷺ heshti dhe nuk iu përgjigj. Më vonë, ai erdhi sërish dhe tha: “Jam sprovuar me çështjen për të cilën të kam pyetur.” Atëherë Allahu i Madhëruar i zbriti ajetet e sures Nur: “Nëse një burrë e akuzon gruan e tij pa pasur dëshmitarë të tjerë përveç vetes, ai duhet të betohet në Allahun katër herë se thotë të vërtetën, dhe herën e pestë të kërkojë mallkimin e Allahut ndaj vetes, nëse ka gënjyer. Ndërsa gruaja do të kursehet nga dënimi, nëse betohet në Allahun katër herë, se i shoqi është gënjeshtar dhe, herën e pestë, të kërkojë hidhërimin e Allahut ndaj vetes, nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.” (Nur, 6-9) Pejgamberi ﷺ ia lexoi atij këto ajete, e këshilloi dhe ia kujtoi (pasojat), po ashtu i tregoi se dënimi i dynjasë është më i lehtë sesa dënimi i ahiretit. Ai tha: “Jo, për Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk po gënjej kundër saj." Pastaj Pejgamberi ﷺ e thirri gruan, e këshilloi, ia kujtoi (pasojat) dhe i tregoi se dënimi i dynjasë është më i lehtë se dënimi i ahiretit. Ajo tha: “Jo, për Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Ai po gënjen.” Kështu, filloi me burrin, i cili dëshmoi katër herë duke u betuar në Allahun se ai po e thoshte të vërtetën, kurse herën e pestë mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ishte gënjeshtar. Pastaj vazhdoi me gruan, e cila dëshmoi katër herë duke u betuar në Allahun se ai ishte gënjeshtar, kurse herën e pestë hidhërimi i Allahut qoftë mbi të (gruan) nëse ai po e thoshte të vërtetën. Pastaj Pejgamberi ﷺ i ndau ata (i shkurorëzoi përfundimisht).” Pastaj tri herë tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?”
Në një tekst tjetër qëndron: “(Ndërkaq, burrit i tha:) "Nuk mund të vazhdosh me të.” Atëherë ai tha: “Po pasuria ime (mehri)?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ty nuk të takon asgjë. Nëse i ke dhënë mehër, ai është për faktin se të është lejuar marrëdhënia me të, e, nëse ke gënjyer për të, atëherë ajo (pasuria) është edhe më larg teje.”
Referenca: Umdetul Ahkam 325
326. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, një burrë e akuzoi gruan e tij (për zina) dhe mohoi atësinë e fëmijës së saj. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ i urdhëroi (që të mallkoheshin) dhe ata u mallkuan ashtu siç ka thënë Allahu. Pastaj gjykoi që fëmija t'i takonte nënës, ndërsa mallkuesit i ndau nga njëri-tjetri.”
Referenca: Umdetul Ahkam 326
327. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë nga fisi fezare erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Gruaja më ka lindur një djalë të zi!”
- “A ke ndonjë deve?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - tha ai.
- “Çfarë ngjyre janë ato?”
- Të kuqe.
- “A ka prej tyre të përhirta?”
- Po, ka me ngjyrë hiri.
- “E kjo, nga mendon se ka ardhur!?”
- Mbase mund të jetë nga lozja, - tha ai.
- “Atëherë, edhe ky (djali yt) ndoshta i ka ngjarë lozes”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 327
328. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sad ibn Ebu Vekasi u grind me Abd ibn Zemën për një fëmijë. Sadi thoshte:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, Utbe ibn Ebu Vekasit! Ai vetë më ka porositur se ky është i biri i vet. A nuk po e vëren ngjashmërinë me të?
- Është vëllai im, o i Dërguari i Allahut, ka lindur në shtratin e babait tim nga robëresha e tij! - thoshte Abd ibn Zema.
I Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi dhe, ndonëse e pa qartë ngjashmërinë me Utben, tha: “Është yti, o Abd ibn Zema! Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë. Mbulohu prej tij, oj Sevdë bint Zema!”
Ai kurrë më nuk e ka parë Sevdën.”
Referenca: Umdetul Ahkam 328
329. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë i gëzuar, saqë fytyra i shkëlqente nga gëzimi dhe tha: “A nuk ke dëgjuar se Muxhezizi pak më parë shikoi Zejd ibn Harithen e Usame ibn Zejdin dhe tha: “Këto palë këmbë kanë origjinë të përbashkët.”
Në një tekst tjetër qëndron: "Muxhezizi ishte person që i njihte gjurmët.”
Referenca: Umdetul Ahkam 329
330. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur iu përmend të Dërguarit të Allahut ﷺ ejakulimi jashtë organit gjenital gjatë marrëdhënieve intime, tha: “Përse e bëni këtë?” - E nuk tha: “Mos e bëni këtë. - “Nuk ka krijesë që është paracaktuar të vijë në ekzistencë, veçse Allahu do ta krijojë atë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 330
331. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ne praktikonim ejakulimin jashtë organit intim të bashkëshortes, ndërsa Kurani ende zbriste.”
Sujani ka thënë: “Sikur të ishte gjë e ndaluar, Kurani do të na e ndalonte atë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 331
332. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thëtë: “Ai që thirret jo në emër të babait të vet, me vetëdije, ka mohuar Allahun (mirësinë e Tij); ai që pretendon pronësinë e diçkaje të huaj, nuk është prej nesh dhe le të përgatitet për ulësen prej Zjarri; si dhe ai që cilëson dikë me epitetin jobesimtar ose i thotë: "Armik i Allahut", ndërkohë që nuk është ashtu, ky epitet i kthehet vetë atij (thënësit).” Këtë e transmeton Muslimi, ndërsa Buhariu tansmeton ngjashëm me këtë.
Referenca: Umdetul Ahkam 332