12. Kisasi
339. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet të derdhet gjaku i muslimanit që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, përpos në tri raste:
- I martuari që bën zina,
- Njeriu (vritet) për njeriun, dhe
- Ai që e braktis fenë dhe largohet nga xhemati (musliman).”
Referenca: Umdetul Ahkam 339
340. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gjëja e parë me të cilën do të nisë gjykimi mes njerëzve në Ditën e Kiametit janë gjaqet (vrasjet).”
Referenca: Umdetul Ahkam 340
341. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme
Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesudi shkuan në Hajber gjatë kohës kur mbretëronte marrëveshja e paqes (me banorët e Hajberit) dhe aty u ndanë nga njëri-tjetri. Kur Muhajisa u kthye tek Abdullah ibn Sehli, e gjeti të vrarë, të mbytur në gjak, andaj e varrosi. Me të arritur në Medinë, Abdurrahman ibn Sehli, Muhajisa dhe Huvejisa, dy bijtë e Mesudit, shkuan te Pejgamberi ﷺ. Abdurrahmani filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Nga i madhi! Nga i madhi!” - ndërsa Abdurrahmani ishte më i vogli në mesin e tyre, - kështu që së pari folën Muhajisa dhe Huvejisa. Pejgamberi ﷺ u tha: “A po betoheni, që kështu ta meritoni shpagimin e të vrarit tuaj, - ose ka thënë: shokut tuaj?” Ata i thanë: “E si të betohemi kur nuk kemi qenë të pranishëm e as e kemi parë me sytë tanë?!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Atëherë hebrenjtë do të shfajësohen me pesëdhjetë betime.” Ata i thanë: “E si të pranojmë betimet e një populli jobesimtar?”
Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (të vrarin) me pasurinë e vet.”
Në hadithin e Hamad ibn Zedit qëndron: "I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Le të betohen pesëdhjetë prej jush, duke e treguar vrasësin e tyre, që t'ua shpaguajnë gjakun.”
- Është fjala për diçka që nuk e kemi parë, e si të betohemi? - thanë ata.
- “Atëherë, hebrenjtë do të shfajësohen nëse i bëjnë pesëdhjetë betime”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut! Një popull jobesimtar?! - thanë ata.
Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (gjakun e të vrarit) me pasurinë e vet.”
Në hadithin e Seid ibn Ubejdit qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk dëshironte që gjaku i tij të shkonte huq, andaj e shpagoi me njëqind deve të sadakasë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 341
342. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U gjet një vajzë e re, së cilës i ishte shtypur koka me dy gurë. E pyetën: “Vallë, kush ta ka bërë këtë? Filani, filani...?” Me të përmendur emrin e hebreut, ajo bëri me kokë (duke pohuar). E morën hebreun, i cili e pranoi veprën e bërë, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi t'i shtypej koka me dy gurë (siç ia kishte bërë ai vajzës).”
Muslimi dhe Nesaiu trasmetojne nga Enesi se ka thënë: “Një hebre vrau një vajzë të re me gur, për t'ia marrë stolitë prej argjendi. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e ekzekutoi vrasësin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 342
343. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Allahu ia mundësoi Pejgamberit ﷺ ta çlirojë Mekën, disa pjesëtarë të fisit hudhejl vranë një pjesëtar të fisit benu lejth, si hakmarrje për një të vrarë të tyre të periudhës paraislame. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Allahu e ka penguar elefantin (e Ebrehesë) të hynte në Mekë dhe mekasit i ka vënë nën pushtetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe besimtarëve. Vini re! Lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës, porse tani më është ndaluar edhe mua. Në të nuk lejohet as shkulja e gjembave e as dëmtimi i pemëve, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç nëse lajmërohet. Familja e të vrarit ka dy zgjedhje: o shpaguhet gjaku i të vrarit, o merret hak për të (ekzekutohet vrasësi).”
Një burrë nga Jemeni, që quhej Ebu Shah, u çua dhe tha: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Shënojani këto gjëra Ebu Shahut.”
Pas kësaj, u ngrit Abasi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit, sepse me të i mbulojmë shtëpitë dhe varret tona.”
- “Përveç idhhirit”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 343
344. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë konsultoi njerëzit në lidhje me gruan që aborton foshnjën të vdekur (si pasojë e goditjes nga tjetërkush). Atëherë Mugire ibn Shuëbe i tha: “Isha i pranishëm kur Pejgamberi ﷺ gjykoi që shpagimi për të të jetë sa vlera e robit ose robëreshës së shtrenjtë. Në atë rast Omeri tha: “Më sill edhe dikë që dëshmon me ty." Kështu Muhamed ibn Mesleme dëshmoi për këtë.
Referenca: Umdetul Ahkam 344
345. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dy gra të fisit hudhejl u grindën dhe njëra goditi tjetrën me gur (në bark), si pasojë e së cilës e mbyti nënën dhe fëmijën e saj në bark. Ata e ngritën çështjen tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili gjykoi se shpagimi i gjakut për foshnjën në bark të jetë sa vlera e një robi a robëreshe të shtrenjtë, si dhe gjykoi që shpagimin e gjakut për gruan ta bëjnë familjarët e vrasëses (që do të trashëgonin prej saj), shpagim këtë që ua ndau trashëgimi fëmijëve të saj dhe trashëgimtarëve të tjerë.”
Në atë rast Hamël ibn Nabiga Hudheliu tha: “O i Dërguari i Allahut, si të shpaguaj, për një krijesë që as ka pirë e as ka ngrënë, as ka folur e as ka qarë? Një çështje si kjo duhet të anashkalohet." Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky me të vërtetë është nga vëllezërit e falltarëve!” E tha këtë për shkak të rimës që e bëri.”
Referenca: Umdetul Ahkam 345
346. Nga: Imran ibn Husajni
Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë i kishte kafshuar dorën një tjetri dhe, me të tërhequr ai dorën, të parit i kishin rënë dhëmbët e përparmë. Kur shkuan të gjykoheshin te Pejgamberi ﷺ, ai u tha: “A e kafshon dikush vëllanë e vet siç kafshon deveja?! Jo, nuk ka shpagim (për dhëmbët e rënë).”
Referenca: Umdetul Ahkam 346
347. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Hasen bin Ebu Hasen Basriu tregon: “Në këtë xhami, Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na ka treguar, ndërkohë as kemi harruar, as frikësohemi se ai gënjen ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ, duke thënë: “Në popujt para jush, një njeri kishte plagë (të mëdha), mori një thikë, i preu damarët e dorës dhe, nga gjakrrjedhja e madhe, vdiq, e në atë rast Allahu tha: “Robi Im ma parapriu me shpirtin e tij, andaj ia ndalova Xhenetin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 347