14. Betimet dhe zotimet
359. Nga: Abdurrahman ibn Semure
Abdurrahman ibn Semura (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “O Abdurrahman ibn Semure, mos e kërko udhëheqësinë se, po t'u dha si rezultat i kërkesës sate, do të jesh vetë përgjegjës për të. E, nëse të jepet pa e kërkuar, do të përkrahesh (nga Allahu). Po ashtu, nëse betohesh për diçka e pastaj sheh një zgjidhje më të mirë, shpaguaje betimin e bërë dhe punoje atë që është më e mirë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 359
360. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 360
361. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj.”
Muslimi trasmeton: "Ai që medoemos duhet të betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë!”
Omeri shton: “Për Allahun, qëkurse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e ndaluar atë, as jam betuar vetë (në prindër), as e kam cituar betimin e tjetëkujt.”
Referenca: Umdetul Ahkam 361
362. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njëherë, i Dërguari i Allahut Sulejmani, i biri i Davudit ﷺ, tha: “Sonte do të kryej marrëdhënie intime me shtatëdhjetë gra, ashtu që secila të më lindë nga një djalosh që do të luftojë në rrugën e Allahut.” Shoku i tij - ose ka thënë: meleku, - i tha: “Thuaj “inshallah (nëse do Allahu).” Por ai nuk tha. Harroi. Rrjedhimisht, asnjëra prej tyre nuk i lindi fëmijë, përveç njërës, e cila lindi një fëmijë gjysmak.”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sikur të kishte thënë “inshallah”, nuk do t'i merrej parasysh betimi (që e kishte bërë) dhe do të ishte më afër t'i plotësohej dëshira.”
Referenca: Umdetul Ahkam 362
363. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai, të cilit i kërkohet betimi dhe betohet rrejshëm në Allahun për t'ia rrëmbyer pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë zbriti ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Referenca: Umdetul Ahkam 363
364. Nga: Eshath ibn Kajsi
Eshath ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Kam pasur një zënkë me një person, andaj shkuam të sqaroheshim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili më tha: “Ose silli dy dëshmitarë, ose ai do të betohet.” Unë ia ktheva: “Por, ai do të betohet dhe s'e ka dert betimin!"
Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që t'i përvetësojë dikujt pasurinë, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Referenca: Umdetul Ahkam 364
365. Nga: Thabit ibn Dahaku
Thabit ibn Dahak Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ia ka dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ nën Pemë dhe se ai ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në ndonjë fe tjetër përveç Islamit, bëhet ashtu siç ka deklaruar. Ai që bën vetëvrasje me diçka, në Ditën e Kiametit do të dënohet me po të njëjtën gjë. Njeriut nuk i lejohet të zotohet për diçka që nuk e posedon.”
Në një transmetim qëndron: "Kush mallkon një besimtar është sikurse ta ketë vrarë.”
Në një transmetim tjetër qëndron: "Atij që pretendon diçka rrejshëm, për ta shtuar pasurinë, Allahu do t'ia pakësojë edhe më shumë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 365
1. Nënkapitulli: Zotimi
366. Nga: Omer ibn Hatabi
Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, në kohën paraislame jam zotuar se në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë) do të bëj itikaf një natë, - në transmetimin tjetër: një ditë.” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “E po, përmbushe zotimin tënd.”
Referenca: Umdetul Ahkam 366
367. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar zotimin dhe ka thënë: “Ai nuk sjell mirësi, përveçse nëpërmjet tij nxirret ndonjë gjë prej koprracit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 367
368. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Motra ime u zotua se do të ecë zbathur deri në Qabe dhe më porositi ta pyesja të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë. Kur e pyeta, ai më tha: “Herë le të ecë, herë le të hipë (mbi kafshë).”
Referenca: Umdetul Ahkam 368
369. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Sad ibn Ubade e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për nënën e vet, e cila kishte vdekur pa përmbushur një zotim. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Atëherë ti përmbushe zotimin e saj!”
Referenca: Umdetul Ahkam 369
370. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Thashë: “O i Dërguari i Allahut, në shenjë të pendimit tim, dua ta lë pasurinë time vakëf për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Pejgamberi ﷺ më tha: “Mbaj një pjesë të pasurisë për vete. Kështu është më mirë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 370
2. Nënkapitulli: Gjykimi
371. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari ﷺ ka thënë: "Atij që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është e saj, i refuzohet.”
Në një transmetim qendron: "Atij që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, i refuzohet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 371
372. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe, gruaja e Ebu Sufjanit, hyri tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është njeri koprrac e nuk më jep aq sa më mjafton për vete dhe për fëmijët e mi, përveç aq sa marr unë vetë pa dijen e tij. A kam ndonjë mëkat për këtë?”
- “Merr prej pasurisë së tij aq sa të mjafton ty dhe fëmijëve të tu, pa e tepruar!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 372
373. Nga: Umu Seleme
Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi një zënkë në afërsi të derës së shtëpisë, andaj doli dhe u tha: “Unë jam njeri dhe, kur njerëzit e hasmëruar ngrenë padi tek unë kundër njëri-tjetrit, ndodh që dikush të jetë më orator në argumentim se tjetri, andaj edhe konstatoj se ai ka të drejtë dhe gjykoj në favor të tij. Por, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke i shkelur të drejtën një muslimani tjetër, dijeni se ajo është një copë zjarri, andaj, nëse do, le ta marrë, e, nëse do, le ta refuzojë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 373
374. Nga: Ebu Bekrete
Abdurrahman ibn Ebu Bekrete ka thënë: “Njëherë, babai im më urdhëroi që të shkruaja (një shkresë), me të cilën i drejtohej Ubejdullah ibn Ebu Bekretes, gjatë kohës sa ishte gjykatës në rajonin e Sixhistanit: “Mos gjyko mes dy personave teksa je i zemëruar, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Askush të mos gjykojë mes dy personave (palëve) përderisa është i mbërthyer nga mllefi!”
Në një transmetim qëndron: “Të mos ndodhë që dikush të gjykojë mes dy personave teksa është i inatosur!”
Referenca: Umdetul Ahkam 374
375. Nga: Ebu Bekrete
Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pyeti tri herë radhazi: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?”
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigjën të pranishmit.
Tha: “Të bërët ortak Allahut dhe mosrespektimi i prindërve”, - pastaj u ul, sepse ishte i mbështetur, dhe vazhdoi: “Po ashtu, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme! Edhe fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme!”, të cilën e përsëriste vazhdimisht, saqë thamë (me vete): “S'do të ndalet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 375
376. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur njerëzve t'u jepej në bazë të pretendimeve të tyre (në gjykatë), ata do ta kërkonin gjakun dhe pasurinë e të tjerëve, porse betimi kërkohet prej të akuzuarit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 376