17. Veshjet

396. Nga: Omer ibn Hatabi

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton si i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos vishni mëndafsh, sepse ai që e vesh atë në këtë botë, nuk do ta veshë në botën tjetër.”

Referenca: Umdetul Ahkam 396

397. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Mos vishni mëndafsh e as veshje të përziera me mëndafsh, mos pini në enë prej ari e argjendi dhe mos hani në enë të tilla, sepse ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ne në ahiret.”

Referenca: Umdetul Ahkam 397

398. Nga: Bera ibn Azibi

Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Asnjëherë nuk kam parë ndonjë flokëgjatë të veshur me rroba të kuqërremta më të bukur sesa Pejgamberin ﷺ. Flokët e tij i preknin në supe. Ishte shpatullgjerë, as i gjatë e as i shkurtër.”

Referenca: Umdetul Ahkam 398

399. Nga: Bera ibn Azibi

Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra e na ka ndaluar shtatë të tjera. Na ka urdhëruar:

1. Ta vizitojmë të sëmurin,

2. Ta përcjellim xhenazen,

3. Të lutemi për atë që teshtin,

4. Ta përmbushim betimin që na është bërë nga dikush, - ose ka thënë: e atij që na është betuar, -

5. T'i ndihmojmë atij që i bëhet padrejtësi,

6. T'i përgjigjemi ftesës, dhe

7. Ta përhapim selamin.

Ndërkaq, na ka ndaluar: “Unazat, - ose ka thënë: bartjen e unazave, - prej ari, pirjen në enë prej argjendi, byrdenë e mëndafshtë, veshjen e mëndafshtë, veshjet e përziera me mëndafsh, si: dibaxhi dhe kasiji, si dhe veshjet prej mëndafshi të vrazhdë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 399

400. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u stolis me një unazë ari, të cilën, kur e vinte, gurin e saj e kthente nga shuplaka. Kështu, edhe njerëzit e tjerë vunë unaza të tilla. Mirëpo, një ditë, Pejgamberi ﷺ hipi në minber, e hoqi unazën dhe tha: “Unë e mbaja këtë unazë, ndërsa gurin e saj e ktheja nga shuplaka”, pastaj e hodhi unazën dhe tha: “Për Allahun, kurrë më nuk do ta mbaj!” Andaj, edhe të tjerët i hodhën unazat e tyre.”

Në një tekst tjetër qëndron: “E vuri unazën në dorën e djathtë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 400

401. Nga: Omer ibn Hatabi

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar veshjen e mëndafshit (për burrat), përveç kaq, - dhe Pejgamberi ﷺ na i tregoi dy gishtat e tij: treguesin dhe të mesmin.”

Muslimi tansmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar veshjen e mëndafshit (për burrat), përveç sa madhësia e dy, tre ose katër gishtërinjve.”

Referenca: Umdetul Ahkam 401