18. Xhihadi

402. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregonte se i Dërguari i Allahut ﷺ, në çastet kur ballafaqohej (në betejë) me armikun, priste deri pas mesditës, pastaj ngrihej ndër njerëz dhe thoshte: “O njerëz! Mos e dëshironi përballjen me armikun! Kërkoni prej Allahut mirëqenie, e, kur të përballeni me ta, bëni durim (luftoni) dhe dijeni se Xheneti është në hijen e shpatave.” Pastaj sërish ngrihej dhe lutej: “O Allah, Ti që ke zbritur Librin, që i lëviz retë dhe që e ke mposhtur aleancën e mosbesimit, mposhti këta armiq dhe na ndihmo kundër tyre!”

Referenca: Umdetul Ahkam 402

403. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të bërët rojë një ditë në luftë në rrugën e Allahut është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të. Marshimi i robit në rrugën e Allahut është më i çmueshëm sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të. Një copë toke sa kamxhiku, në Xhenet, është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”

Referenca: Umdetul Ahkam 403

404. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër që, atë që del në luftë për hir të Tij, duke mos e bërë këtë për asgjë tjetër përpos për xhihad në rrugën e Tij, duke i besuar Atij dhe duke besuar në pejgamberët e Tij, Allahu ia garanton: ose futjen në Xhenet, ose kthimin në shtëpinë e vet me gjithë shpërblimin a prenë e fituar.

Muslimi transmeton: “Luftëtari në rrugën e Allahut, - ndërkohë Allahu e di më së miri kush lufton në rrugën e Tij, - është sikurse ai që falet dhe agjëron (vullnetarisht). Allahu ka marrë përsipër që, luftëtarit në rrugën e Tij ose t'ia marrë shpirtin dhe ta fusë në Xhenet, ose ta kthejë të shëndoshë me shpërblim ose me plaçkë lufte.”

Referenca: Umdetul Ahkam 404

405. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: Ditën e Gjykimit çdo i plagosur në rrugën e Allahut do të vijë me plagën e tij, e cila do t'i gufojë gjak, ngjyra e të cilit do të jetë ngjyrë gjaku, ndërsa era erë myshku.”

Referenca: Umdetul Ahkam 405

406. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një marshim i vetëm në rrugën e Allahut, qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, është më i mirë sesa çdo gjë mbi të cilën lind dhe perëndon dielli.” Transmeton Muslimi.

Referenca: Umdetul Ahkam 406

407. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:“Një marshim në rrugën Allahut, qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, është më i mirë sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.” Transmeton Buhariu.

Referenca: Umdetul Ahkam 407

408. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Ebu Katade Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Me të Dërguarin e Allahut ﷺ u nisëm për në Betejën e Hunejnit, - e përmendi ngjarjen në tërësi, - dhe i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës).” Këtë e tha tri herë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 408

409. Nga: Seleme ibn Ekvai

Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në një udhëtim, një idhujtar vajti tek ai për të spiunuar. Pejgamberi ﷺ u ul me shokët e vet për të biseduar (ndërkohë, pasi mori lajmet që iu deshën), spiuni u ngrit dhe shkoi.” Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të vet: “Kërkojeni dhe vriteni!” Kështu, unë e vrava, e në atë rast Pejgamberi ﷺ ma dha plaçkën e tij.”

Një transmetim tjetër: "Ai tha: “Kush e vrau atë?”

- Ibn Ekvai, - i thanë.

- “Atij i takojnë të gjitha gjësendet e tij”, - tha Pejgamberi ﷺ."

Referenca: Umdetul Ahkam 409

410. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë luftarake në drejtim të rajonit të Nexhdit, me të cilët dola edhe unë. Ne fituam një plaçkë të majme me shumë deve e dele. Secilit pjesëmarrës i ranë hise nga dymbëdhjetë deve. Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ secilit prej nesh na shtoi edhe nga një deve.

Referenca: Umdetul Ahkam 410

411. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, kur Allahu t'i tubojë të parët e të fundit, çdo tradhtari do t'i ngrihet një flamur dhe do të thuhet për të: “Kjo është tradhtia e filanit, të birit të filanit!”

Referenca: Umdetul Ahkam 411

412. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua u gjet e vrarë në një prej betejave të të Dërguarit të Allahut ﷺ, gjë për të cilën qortoi dhe ndaloi vrasjen e grave dhe fëmijëve (në luftë).

Referenca: Umdetul Ahkam 412

413. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdurrahman ibn Aufi dhe Zubejr ibn Avami u ankuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ gjatë një ekspedite se kishin zënë morra, andaj ua lejoi atyre dyve veshjen e këmishave të mëndafshta, të cilën ua vërejta të veshur në luftë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 413

414. Nga: Omer ibn Hatabi

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndër pasuritë që Allahu ia ka dhënë Pejgamberit ﷺ nën sundim, pa kurrfarë angazhimi të muslimanëve, qoftë me kuaj, qoftë me deve, kanë qenë edhe ato të fisit benu nadir, të cilat ishin rezervuar enkas për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Pejgamberi ﷺ një pjesë të saj e shpenzonte për të siguruar jetesën e familjes së vet për një vit, ndërsa pjesën e mbetur e shfrytëzonte për blerjen e armëve dhe kuajve, si përgatitje për luftë në rrugën e Allahut.”

Referenca: Umdetul Ahkam 414

415. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ organizoi një garë me kuaj të stërvitur, prej Hafjasë deri në Thenijetul Veda, kurse për të pastërviturit prej Thenijës deri te Xhamia e Benu Zurejkut.
Ibn Omeri ka thënë: “Edhe unë isha në mesin e garuesve me kuaj.”

Sufjani ka thënë: “Mes Hafjasë dhe Thenijetul Vedasë ka pesë-gjashtë milje, ndërsa mes Thenijetul Vedasë dhe Xhamisë së Benu Zurejkut ka një milje.”

Referenca: Umdetul Ahkam 415

416. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Iu paraqita të Dërguarit të Allahut ﷺ për Luftën e Uhudit kur isha në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, por Pejgamberi ﷺ më refuzoi. Më pas iu paraqita vullnetar edhe në Luftën e Hendekut, kur i kisha mbushur pesëmbëdhjetë vjet, e atëherë Pejgamberi ﷺ më pranoi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 416

417. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ prenë e luftës e ndau kësisoj: për çdo kokë kali ndau dy hise, ndërsa për çdo kokë luftëtari një hise.

Referenca: Umdetul Ahkam 417

418. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, në disa prej ekspeditave që dërgohej, i Dërguari i Allahut ﷺ u dhuronte ndonjë gjë shtesë, duke i veçuar nga pjesa tjetër e ushtrisë.

Referenca: Umdetul Ahkam 418

419. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Musa Abdullah ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që ngre armët kundër nesh, nuk është prej nesh.”

Referenca: Umdetul Ahkam 419

420. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për një person që lufton për të treguar trimëri, që lufton për fanatizëm fisnor ose që lufton për syefaqësi, se cila prej këtyre është në rrugën e Allahut.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ai që lufton me qëllim që fjala e Allahut të jetë më e larta, i këtilli konsiderohet në rrugën e Allahut.”

Referenca: Umdetul Ahkam 420