2. Namazi
1. Nënkapitulli: Kohët e namazëve
50. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Amër Shejbaniu, emri i të cilit është Sad ibn Ijasi, thotë: “Na ka treguar i zoti i kësaj shtëpie, duke bërë me shenjë nga shtëpia e Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin ﷺ:
- Cila vepër është më e dashur tek Allahu?
- “Namazi që falet në kohën e vet”, - iu përgjigj ai.
- Pastaj cila?
- “Mirësjellja me prindërit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Lufta në rrugën e Allahut.”
Kështu më tha Pejgamberi ﷺ. Sikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tepër.”
Referenca: Umdetul Ahkam 50
51. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e falte namazin e sabahut, e bashkë me të, si xhemat, faleshin edhe disa gra besimtare, të mbështjella me pelerinat e tyre. Pas namazit, ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre e askush nuk mund t'i dallonte (cilat ishin) për shkak të errësirës."
Referenca: Umdetul Ahkam 51
52. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e falte drekën në mesditë; ikindinë atëherë kur dielli rrezonte pastër; akshamin në perëndim të diellit, kurse jacinë herë e vononte, herë e falte në kohën e parë. Kur shihte se njerëzit janë tubuar, e falte në kohën e parë, e, nëse ata vonoheshin, e shtynte (faljen e jacisë). Ndërkaq, sabahun e falte në momentet e para të agimit (duke qenë ende errësirë).”
Referenca: Umdetul Ahkam 52
53. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Ebu Minhal Sejar ibn Selame tregon: “Me babanë tim shkova tek Ebu Berze Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilit babai i tha: “Na trego si i falte i Dërguari i Allahut ﷺ namazet farze?” Ai tha: “Drekën e falte kur Dielli e kalonte kupën e qiellit. Pastaj e falte ikindinë, ndërkohë kishte kohë sa dikush të kthehej në shtëpinë e tij, në periferi të Medinës, e Dielli vazhdonte të rrezonte fort. - Kam harruar çfarë ka thënë rreth namazit të akshamit. - Ndërkaq, jacinë i pëlqente ta vononte. E urrente gjumin para saj dhe bisedat pas saj. Namazin e sabahut e mbaronte atëherë kur zdritej, aq sa mund ta dalloje shokun pranë. Gjatë namazit të sabahut i lexonte gjashtëdhjetë deri njëqind ajete.”
Referenca: Umdetul Ahkam 53
54. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Hendekut, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ua mbushtë shtëpitë dhe varret e tyre me zjarr, siç na privuan prej namazit të mesëm (ikindisë), derisa perëndoi dielli!”
Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “Na privuan nga namazi i mesëm (ikindisë), derisa perëndoi Dielli.” Pastaj e fali ikindinë mes dy kohëve të mbrëmjes: akshamit dhe jacisë.
Referenca: Umdetul Ahkam 54
55. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Idhujtarët e privuan të Dërguarin e Allahut ﷺ prej namazit të ikindisë derisa Dielli u skuq ose u zverdh. Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Na penguan nga namazi i mesëm, - namazi i ikindisë, - Allahu ua mbushtë me zjarr barqet dhe varret!” Ose ka thënë: “Allahu ua stërmbushtë me zjarr barqet dhe varret!”
Referenca: Umdetul Ahkam 55
56. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) thotë: “Një natë, Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë. Atëherë Omeri doli dhe tha: “Namazi, o i Dërguar i Allahut! Gratë dhe fëmijët janë kotur.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ doli, teksa koka i pikonte ujë dhe tha: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, - ose ka thënë: për njerëzit, - do t'i urdhëroja ta falnin (jacinë) në këtë kohë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 56
57. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur thirret ikameti për namaz dhe shtrohet darka, filloni darkën.”
Njëjtë transmetohet edhe nga Ibn Omeri.
Referenca: Umdetul Ahkam 57
58. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ndërkaq, te Muslimi (qëndron) se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nuk ka namaz kur të shtrohet ushqimi e as nën presionin e nevojës fiziologjike.”
Referenca: Umdetul Ahkam 58
59. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Disa burra të besueshëm, në mesin e të cilëve edhe Omeri, që, për mua, ishte më i besueshmi, më kanë dëshmuar se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të falet namaz (vullnetar) pas namazit të sabahut, derisa të lindë dielli, si dhe pas namazit të ikindisë, derisa të perëndojë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 59
60. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka namaz (nafile) pas atij të sabahut, derisa të ngrihet Dielli, as pas atij të ikindisë, derisa të perëndojë.”
Autori (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Me tematikë të njëjtë transmeton: “Ali ibn Ebi Talibi, Abdullah ibn Mesudi, Abdullah ibn Omer ibn Hatabi, Abdullah ibn Amër ibn Asi, Ebu Hurejra, Semure ibn Xhundubi, Seleme ibn Ekvai, Zejd ibn Thabiti, Muadh ibn Afrai, Kab ibn Murre, Ebu Umame Bahili, Amër ibn Abese Sulemi, Aishja, Sunabihiu, dhe nuk e ka dëgjuar nga i Dërguari ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 60
61. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Hendekut Omer ibn Hatabi erdhi pas perëndimit të diellit dhe filloi t'i fyente jobesimtarët kurejshë, pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut! Nuk arrita ta fal ikindinë, përveçse pak para perëndimit të diellit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Allahun se unë ende nuk e kam falur.”
Pastaj shkuam në But'han dhe bashkë me Pejgamberin ﷺ morëm abdes për namaz. Ikindinë e fali pasi kishte perënduar dielli, pastaj e fali edhe akshamin.
Referenca: Umdetul Ahkam 61
2. Nënkapitulli: Vlera e namazit me xhematë dhe obligueshmëria e tij
62. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi me xhemat është njëzet e shtatë gradë më i vlefshëm sesa namazi që falet vetëm.”
Referenca: Umdetul Ahkam 62
63. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi i personit me xhemat është njëzetepesëfish më i vlefshëm sesa të falet në shtëpi ose në dyqan. Kjo, se, kur ai merr abdes në formë të përkryer dhe niset për xhami, duke pasur në mendje vetëm namazin, për çdo hap që hedh, ngrihet një gradë e i fshihet një gabim. Pasi të falet, për aq sa të qëndrojë në xhami, melekët luten vazhdimisht për të, duke thënë: "O Allah, fale! O Allah, falja mëkatet! O Allah, mëshiroje!" Njeriu llogaritet se është duke u falur për aq sa është duke e pritur namazin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 63
64. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi më i rëndë për hipokritët është namazi i jacisë dhe ai i sabahut. Sikur ta dinin se çfarë (shpërblimi) ka në to, do të vinin, qoftë dhe zvarrë. Më ka shkuar mendja të urdhëroj (myezinin) ta thërrasë ikametin për namaz, pastaj të lë dikë që t'ua falë njerëzve namazin e unë të shkoj me disa burra, që me vete të marrin turra drush e t'ia mësyjmë atyre që nuk vijnë për namaz e t'ua vë zjarrin shtëpive të tyre.”
Referenca: Umdetul Ahkam 64
65. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse gruaja i kërkon ndonjërit prej jush leje për të shkuar në xhami, të mos e ndalë.”
Bilal ibn Abdullahu tha: “Pasha Allahun do t'i ndalim!" Abdullah ibn Omeri iu kthye dhe e qortoi rëndë, si kurrë më parë, e i tha: “Unë po të tregoj se çfarë ka thënë i Dërguari i Allahut, e ti po më thua: “Pasha Allahun do t'i ndalim!”
Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “Mos i ndalni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut.”
Referenca: Umdetul Ahkam 65
66. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ kam falur dy rekate para drekës, dy rekate pas drekës, dy rekate pas xhumasë, dy rekate pas akshamit dhe dy rekate pas jacisë.”
Në tekstin (e Muslimit): “Këto të akshamit, jacisë dhe të xhumasë i falëm në shtëpinë e tij.”
Ndërkaq, në tekstin e Buhariut: “Abdullah ibn Omeri ka thënë: “Hafsa më ka treguar se Pejgamberi ﷺ i falte dy rekate të shkurtra pas agimit. Gjatë kësaj kohe (para agimit) nuk hyja te Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 66
67. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ për asnjë namaz nafile nuk tregonte kujdes të madh e të vazhdueshëm sikurse për dy rekatet sunet të sabahut.
Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “Dy rekatet sunet të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe ç'ka në të.”
Referenca: Umdetul Ahkam 67
3. Nënkapitulli: Ezani
68. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Bilali u urdhërua t'i përsëritë çift fjalët e ezanit, kurse ikametin tek.”
Referenca: Umdetul Ahkam 68
69. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Ebu Xhuhajfe, Vehb ibn Abdullah Suvaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ në një tendë të kuqe prej lëkurës së regjur. Bilali e nxori jashtë ujin e mbetur prej abdesit të Pejgamberit ﷺ, e në atë rast disa morën nga ai ujë e disa u spërkatën me të. Pejgamberi ﷺ doli i veshur me një palë rroba të kuqe. Më kujtohet shumë mirë shkëlqimi i kërcinjve të tij. Pasi Pejgamberi ﷺ mori abdes, Bilali e thirri ezanin. E shikoja atë tek e kthente kokën andej-këndej (gjatë ezanit): në të djathtë e në të majtë, duke thënë: “Haje ale salah! Haje alel felah (ejani në namaz, ejani në shpëtim)!” Pastaj morën një shkop dhe e ngulën në tokë. Pejgamberi ﷺ u afrua te shkopi dhe e fali drekën dy rekate. Këtë praktikë të faljes së namazit dy rekate e vazhdoi derisa u kthye në Medinë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 69
70. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta dëgjoni ezanin e Ibn Umu Mektumit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 70
71. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të dëgjoni ezanin, përsëritni fjalët që i thotë myezini.”
Referenca: Umdetul Ahkam 71
4. Nënkapitulli: Drejtimit nga kibla
72. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ falte namaz nafile mbi mjet të udhëtimit, duke bërë me kokë (me gjeste), pavarësisht nga kthehej (mjeti i udhëtimit).
Në transmetimin (e Buhariut): “... e falte vitrin edhe sipër devesë.”
Ndërkaq, te Muslimi: “... por jo edhe namazet farz (sepse për farze zbriste).”
E te Buhariu: “... përveç namazeve farze.”
Referenca: Umdetul Ahkam 72
73. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një lajmëtar dhe u tha: “Sonte të Dërguarit të Allahut ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo." Ata ishin të kthyer në drejtim të Shamit, kështu që u kthyen nga Qabeja."
Referenca: Umdetul Ahkam 73
74. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Sirini tregon: “Dolëm për ta pritur Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili vinte prej Shamit. Me të u takuam në Ajnu Temër. Ngaqë e pashë duke u falur mbi gomar i drejtuar anash, domethënë, në të majtë të kiblës, i thashë:
- Pashë se nuk u fale në drejtim të kiblës.
- Sikur të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke vepruar kështu, as unë nuk do të veproja ashtu, - tha Enesi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 74
5. Nënkapitulli: Rregullimi i Safave
75. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Drejtoni safat, sepse drejtimi i safave e kompleton namazin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 75
76. Nga: Numan ibn Beshiri
Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Drejtoni safat se, në të kundërtën, Allahu do të futë përçarje mes jush.”
Ndërkaq, te Muslimi: “I Dërguari i Allahut ﷺ na i drejtonte safat sikurse dikush që i drejton shigjetat (gjatë gdhendjes) derisa mësuam se si duhet të rregullohen. Një ditë, erdhi për t'u falur dhe, pak para se të bënte tekbirin fillestar, pa një burrë se kishte dalë përpara nga safi, andaj tha: “O robër të Allahut, ose do t'i drejtoni safat, ose Allahu (për mosplotësim) do të futë ndërmjet jush urrejtjen dhe përçajen.”
Referenca: Umdetul Ahkam 76
77. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjyshja e tij, Mulejka, të Dërguarit të Allahut ﷺ i gatoi një ushqim dhe e ftoi për të ngrënë. Pasi hëngri, Pejgamberi ﷺ tha: “Ngrihuni, se do t'ju fal një namaz.”
Enesi thotë: “Mora një hasër, që ishte nxirë nga përdorimi i shumtë dhe e pastrova me ujë. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për t'u falur, kurse unë dhe jetimi (që ishte me ne) u rreshtuam pas tij. Mbrapa nesh ishte edhe gjyshja plakë. I Dërguari i Allahut ﷺ na i fali dy rekate dhe shkoi.”
Ndërkaq, te Muslimi qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua kishte falur namazin (nafile) atij dhe nënës së tij. Enesi thotë: “Mua më vendosi në të djathtë të tij, ndërsa gruan mbrapa nesh.”
Jetimi quhej Damir, babëgjyshi i Husejn ibn Abdullah ibn Damirit.
Referenca: Umdetul Ahkam 77
78. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Bujta te tezja ime, Mejmunia. Gjatë natës, Pejgamberi ﷺ u ngrit për t'u falur e unë iu bashkëngjita në të majtë të tij, por ai më kapi për koke dhe më zhvendosi djathtas.”
Referenca: Umdetul Ahkam 78
6. Nënkapitulli: Udhëheqja në namaz
79. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A nuk frikohet ai që e ngre kokën para imamit se Allahu do t'ia shndërrojë kokën në kokë të gomarit?!” Ose ka thënë: “Apo që Allahu do t'ia shndërrojë pamjen në dukje të gomarit?”
Referenca: Umdetul Ahkam 79
80. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Imami duhet pasuar, andaj mos e kundërshtoni: kur të marrë tekbir, merrni edhe ju tekbir; kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; kur të thotë: "Semiallahu limen hamideh", thoni: "Rabena lekel hamd"; kur ai të bjerë në sexhde, bini edhe ju, dhe, kur të falet ulur, faluni edhe ju të gjithë ulur.”
Referenca: Umdetul Ahkam 80
81. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ ankohej nga disa plagë, andaj u fal në shtëpinë e tij duke qenë ulur, kurse një grup njerëzish u falën mbrapa tij në këmbë. Ua bëri me shenjë, që të uleshin, dhe, pasi e kreu namazin, u tha: “Imami duhet pasuar: kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju; kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh”, thoni: “Rabena ve lekel hamd"; nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur të gjithë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 81
82. Nga: Bera ibn Azibi
Abdullah ibn Jezid Hatmi Ensari ka treguar se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - e ai nuk është njeri që gënjen, - tregon: “Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte: "Semiallahu limen hamideh", askush nuk përkulej, derisa Pejgamberi ﷺ binte në sexhde, e më pas edhe ne binim në sexhde.”
Referenca: Umdetul Ahkam 82
83. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur imami të thotë "amin", thoni edhe ju, sepse atij, amini i të cilit përputhet me aminin e melekëve, i falen mëkatet e kaluara.”
Referenca: Umdetul Ahkam 83
84. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush u prin njerëzve në namaz, të mos ua zgjasë, sepse në mesin e tyre mund të ketë të dobët, të sëmurë dhe të atillë që kanë nevoja. E, kur të faleni vetëm, zgjateni sa të doni.”
Referenca: Umdetul Ahkam 84
85. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Unë nuk e fal namazin e sabahut me xhemat për shkak të filanit, sepse na e zgjat namazin shumë.”
Asnjëherë nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ më të hidhëruar se atë ditë teksa këshillonte duke thënë: “O njerëz! Prej jush ka të atillë që i irritojnë të tjerët. Nëse dikush u prin njerëzve në namaz, të mos ua zgjasë, sepse në mesin e tyre mund të ketë të shtyrë në moshë, të dobët (nga shëndeti) dhe të atillë që kanë nevoja.”
Referenca: Umdetul Ahkam 85
7. Nënkapitulli: Forma e namazit të Pejgamberit ﷺ
86. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ merrte tekbirin fillestar për namaz, heshtte pak para se të fillonte leximin e Kuranit. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, flijofsha për ty babë e nënë, gjatë kohës që po hesht, mes tekbirit fillestar dhe leximit të Kuranit, çfarë po thua?” Ai m'u përgjigj: “Them: “Allahume baid bejni ve bejne hatajaje kema ba'adte bejnel meshriki vel magrib. Allahume nekini min hatajaje kema juneka theubul ebjedu mine denes. Allahume gsilni min hatajaje bithelxhi vel mai vel bered (O Allah, më largo prej mëkateve të mia, siç e ke larguar lindjen prej perëndimit! O Allah, më pastro nga mëkatet e mia, siç pastrohet rroba e bardhë nga ndyrësirat! O Allah, më laj nga mëkatet e mia me borë, me ujë dhe breshër)!”
Referenca: Umdetul Ahkam 86
87. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ namazin e fillonte me tekbir, kurse leximin e Kuranit me: “Elhamdu lilahi rabil alemin (Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve).” Kur binte në ruku, kokën as e ngrinte, as e ulte shumë, por mes këtyre dyjave. Kur ngrihej nga rukuja, nuk binte në sexhde pa u drejtuar mirë në këmbë. Njëjtë vepronte edhe kur ngrihej nga sexhdeja, e nuk binte sërish në sexhde pa u drejtuar mirë ulur. Pas çdo dy rekateve e thoshte etehijatin dhe gjatë qëndrimit ulur shputën e majtë e shtrinte dhe ulej mbi të, kurse të djathtën e ngrinte përpjetë (me gishta në tokë). Ai ndalonte uljen sikurse shejtani, dhe ndalonte që njeriu t'i shtrijë krahët siç i shtrijnë bishat e egra. Në fund, namazin e përfundonte me selam.”
Referenca: Umdetul Ahkam 87
88. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e fillonte namazin, i ngrinte duart paralel me supet. Pastaj, kur bënte tekbirin për ruku dhe kur ngrihej nga rukuja, sërish i ngrinte duart, sikurse në fillim, dhe thoshte: “Semiallahu limen hamideh, rabena ve lekel hamd (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi).” Ndërkaq, në sexhde, nuk i ngrinte duart.
Referenca: Umdetul Ahkam 88
89. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar që të bëj sexhden me shtatë gjymtyrë: me ballë, - dhe bëri me shenjë në hundën e tij, - duar, gjunjë dhe shputa.”
Referenca: Umdetul Ahkam 89
90. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ngrihej për t'u falur, bënte tekbirin në fillim, pastaj bënte tekbirin kur binte në ruku. Kur ngrihej nga rukuja, thoshte: “Semiallahu limen hamideh" dhe, pasi drejtohej mirë, thoshte: “Rabena lekel hamd.” Pastaj sërish bënte tekbirin kur binte për në sexhde, bënte tekbirin kur ngrihej nga sexhdja, bënte tekbirin kur binte në sexhde dhe bënte tekbirin kur ngrihej nga sexhdja sërish. Këtë e vepronte gjatë gjithë namazit, deri në fund. Po ashtu, bënte tekbirin edhe kur ngrihej prej dy rekateve, pas uljes.”
Referenca: Umdetul Ahkam 90
91. Nga: Imran ibn Husajni
Mutarrif ibn Abdullahu tregon: “Një ditë, unë dhe Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u falëm mbrapa Aliut. Sa herë që binte në sexhde, bënte tekbirin dhe, sa herë që e ngrinte kokën, bënte tekbirin. Kur ngrihej në këmbë, pas dy rekatesh, bënte tekbirin. Pas përfundimit të namazit, Imran ibn Husajni më kapi për dore dhe më tha: “Ky njeri ma kujtoi namazin e Muhamedit ﷺ." Ose ka thënë: “Na e fali namazin ashtu siç na e falte Muhamedi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 91
92. Nga: Bera ibn Azibi
Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam vështruar namazin e Muhamedit ﷺ dhe kam parë se qëndrimi i tij në këmbë, rukuja, qëndrimi pas rukusë, sexhdja, ulja mes dy sexhdeve, sexhdja tjetër dhe ulja e tij pas selamit deri në largim, të gjitha ishin përafërisht të barabarta.”
Ndërkaq, në transmetimin e Buhariut: “Që të gjitha, përafërsisht, kanë qenë të barabarta (në kohëzgjatje), përveç kijamit dhe teshehudit (që kanë qenë më të gjata se të tjerat).”
Referenca: Umdetul Ahkam 92
93. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Thabit Bunani tregon se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë jua fal namazin juve ashtu siç na e falte neve Pejgamberi ﷺ.”
Thabiti thotë: “Enesi vepronte një gjë që nuk ju kam parë ju duke e vepruar: kur ngrihej nga rukuja, qëndronte në këmbë (aq gjatë), saqë dikush mund të thoshte (me vete): Harroi (të vazhdojë faljen) dhe qëndronte mes dy sexhdeve aq sa dikush mund të thoshte: Harroi (të vazhdojë faljen).”
Referenca: Umdetul Ahkam 93
94. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk kam falur mbrapa ndonjë imami namaz më të lehtë dhe më të përsosur se mbrapa të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 94
95. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Ebu Kilabe, Abdullah bin Zejd Xhermi Basriu tregon: “Malik ibn Huvejrithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi në xhaminë tonë dhe na tha: “Do t'ju prij në namaz (nafile), por jo në farz, në mënyrë që t'ju tregoj si falej Pejgamberi ﷺ.”
Ejubi e pyeti Ebu Kilaben:
- E si u fal (Maliku)?
- Sikurse hoxha ynë, - iu përgjigj Ebu Kilabe.
Ejubi thotë: “Qëndronte ulur në rekatin e parë, pasi e ngrinte kokën nga sexhdja, para se të ngrihej në këmbë.”
Me togfjalëshin “hoxha ynë" ka pasur për qëllim Ebu Burejd Amër ibn Selime Harbin, dhe thuhet: Ebu Jezidi.
Referenca: Umdetul Ahkam 95
96. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne
Abdullah ibn Malik ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ bënte sexhden, i hapte krahët, saqë i shquhej bardhësia e sqetullave.
Referenca: Umdetul Ahkam 96
97. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mesleme Seid ibn Jezidi ka thënë: “E kam pyetur Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A ka pasur raste kur Pejgamberi ﷺ është falur me opinga?” Ai më ka thënë: “Po.”
Referenca: Umdetul Ahkam 97
98. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ebu Katade Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ falej duke e mbajtur në duar Umamen, të bijën e Zejnebes dhe Ebu As ibn Rabias, (njëherazi Zejnebja ka qenë) e bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kur binte në sexhde, atë e vendoste në tokë, e, kur ngrihej, e mbante sërish në duar.
Referenca: Umdetul Ahkam 98
99. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bëjeni mirë sexhden dhe askush të mos i shtrijë krahët sikurse qeni.”
Referenca: Umdetul Ahkam 99
8. Nënkapitulli: Obligueshmëria e qetësisë gjatë rukusë dhe sexhdes
100. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në xhami e pas tij hyri një burrë, i cili u fal, pastaj erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam dhe i tha:
- “Kthehu e falu sërish, se nuk u fale.”
Personi u kthye dhe u fal si më parë, erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ, i cili sërish i tha:
- “Kthehu e falu, se nuk u fale”, - tri herë.
- Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk di më mirë, andaj më mëso! - tha burri në fjalë.
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha:
- “Kur të ngrihesh për namaz, merr tekbirin dhe këndo prej Kuranit ç'të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kësishtu vepro gjatë gjithë namazit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 100
9. Nënkapitulli: Leximi në namaz
101. Nga: Ubade ibn Samiti
Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk e këndon Fatihanë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 101
102. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në dy rekatet e para të namazit të drekës Pejgamberi ﷺ e lexonte Fatihanë dhe nga një sure. Rekatin e parë e zgjaste, kurse të dytin e shkurtonte. Nganjëherë mund të dëgjonim ndonjë ajet prej tij (nga pëshpëritjet). Në namazin e ikindisë e lexonte Fatihanë dhe nga një sure, si dhe e zgjaste rekatin e parë dhe e shkurtonte të dytin. Ndërkaq, në dy rekatet e fundit e lexonte vetëm suren Fatiha. Në namazin e sabahut e zgjaste rekatin e parë dhe e shkurtonte të dytin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 102
103. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke kënduar suren Tur në namazin e akshamit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 103
104. Nga: Bera ibn Azibi
Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, në një prej udhëtimeve, në namazin e jacisë pati kënduar suren Tin. Nuk kam dëgjuar zë më të ëmbël e lexim më të bukur sesa i tiji.
Referenca: Umdetul Ahkam 104
105. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë në një ekspeditë. Sa herë që ai ua falte namazin shokëve të vet, gjithmonë e mbaronte me suren Ihlas. Kur u kthyen, ata ia përmendën Pejgamberit ﷺ këtë gjë, i cili tha: “Pyeteni atë përse vepron kështu.” Pasi e pyetën, ai tha: "Sepse përmban cilësitë e të Gjithëmëshirshmit (Rrahmanit), gjë që më bën ta dua leximin e saj." Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Lajmërojeni se atë e do Allahu.”
Referenca: Umdetul Ahkam 105
106. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ iu drejtua Muadhit: “Sikur të lexoje suren Aëla, suren Shems ose suren Lejl, sepse prapa teje mund të falet i moshuari, i dobëti dhe nevojtari.”
Referenca: Umdetul Ahkam 106
10. Nënkapitulli: Lërja e shqiptimit të Bismilahi Rrahmani Rrahim (Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit) zëshëm
107. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, Ebu Bekri dhe Omeri e fillonin namazin me: “Elhamdu lilahi Rabil alemin (Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve).”
Në transmetimin (e Muslimit): “Jam falur mbrapa të Dërguarit të Allahut ﷺ, Ebu Bekrit, Omerit e Othmanit, dhe asnjërin prej tyre nuk e kam dëgjuar të lexojë me zë: “Bismilahi Rrahmani Rrahim.”
Njashtu në tekstin e Muslimit: “Jam falur mbrapa Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekrit, Omerit e Othmanit dhe të gjithë leximin e fillonin me: “Elhamdu lilahi rabil alemin”, pa lexuar më zë: "Bismilahi Rrahmani Rrahim", as para, e as pas sures Fatiha.”
Referenca: Umdetul Ahkam 107
11. Nënkapitulli: Sehvi sexhdeja
108. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed Ibn Sirini tregon se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po na falte njërin prej namazeve të ditës, - Ibn Sirini thotë se Ebu Hurejra përmendi njërin prej tyre, mirëpo e ka kam harruar, - i fali dy rekate e dha selam. U ngrit dhe, disi i zemëruar, shkoi te një cung i shtrirë brenda xhamisë dhe u mbështet në të. E vendosi dorën e djathtë mbi të majtën dhe i gërshetoi gishtërinjtë. Ata që nguteshin, dolën prej xhamisë dhe thanë: “Mos është shkurtuar namazi?”
Në mesin e tyre ishte Ebu Bekri dhe Omeri, porse nuk morën guximin ta pyesnin Pejgamberin ﷺ. Mirëpo, një person nga turma, që i kishte duart të gjata dhe e quanin Dhuljedejn (Duargjati), tha:
- O i Dërguari i Allahut! A harrove apo u shkurtua namazi?
- “As kam harruar, as është shkurtuar namazi, - tha Pejgamberi ﷺ dhe vijoi: - A është ashtu siç po thotë Dhuljedejni?” - duke iu drejtuar të tjerëve.
- Po, - i thanë.
Pejgamberi ﷺ u drejtua dhe e fali pjesën që kishte harruar, dha selam, mori tekbirin dhe ra në sexhde, sikurse për sexhden gjatë namazit ose më gjatë, e ngriti kokën duke marrë tekbirin, pastaj sërish ra në sexhde sikurse për sexhden gjatë namazit ose më gjatë dhe u ngrit prej saj me tekbir.
Ibn Sirinin e pyetën: “A ka dhënë selam në fund (pas sexhdeve të harresës)?”
Tha: “Më ka treguar dikush se Imran ibn Husajni ka thënë: “Pastaj ka dhënë selam (në fund).”
Referenca: Umdetul Ahkam 108
109. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne
Abdullah ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që ishte shok i Pejgamberit ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ua fali namazin e drekës dhe, pas dy rekatesh, u ngrit në këmbë, pa qëndruar ulur (në uljen e parë). Të gjithë sahabët u ngritën pas tij. Kur arriti në fund të namazit, njerëzit prisnin të jepte selam, por ai bëri tekbirin duke qenë ulur dhe ra në sexhde. I bëri dy sexhde, pastaj dha selam.
Referenca: Umdetul Ahkam 109
12. Nënkapitulli: Të kaluarit përpara namazliut
110. Nga: Ebu Xhuhejm Ensariu
Ebu Xhuhejm Abdullah ibn Harith ibn Sime Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të dinte ai që kalon përpara namazliut (mes këtij dhe sutrës) se çfarë dënimi meriton, do të ishte më mirë të priste dyzet sesa t'i kalonte përpara.”
Ebu Nadri ka thënë: “Nuk di a përmendi: “... dyzet ditë, muaj apo vjet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 110
111. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Nëse dikush falet në drejtim të sutrës, ndërkohë dikush tjetër tenton të kalojë përpara tij, le ta ndalojë. Nëse refuzon (të kthehet), le t'i kundërvihet, sepse i tilli është shejtan.”
Referenca: Umdetul Ahkam 111
112. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po falej pa sutër në Mina, unë, që në atë kohë isha afër moshës së pubertetit, kalova përpara një safi i hipur mbi gomaricë. Zbrita prej saj, atë e lashë të kulloste, kurse vetë iu bashkëngjita safit. Asnjë i pranishëm nuk ma tërhoqi vërejtjen për këtë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 112
113. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Flija para të Dërguarit të Allahut ﷺ (teksa ai falej), kurse këmbët e mia shtriheshin në drejtim të kiblës së tij. Kur binte në sexhde, m'i prekte këmbët, andaj i tërhiqja, e, kur ngrihej, i shtrija sërish. Në atë kohë, shtëpitë nuk kishin fenerë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 113
13. Nënkapitulli: Përmbledhës i çështjeve tjera
114. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ebu Katade, Harith ibn Ribij Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush hyn në xhami, të mos ulet pa i falur dy rekate.”
Referenca: Umdetul Ahkam 114
115. Nga: Zejd ibn Erkami
Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, flisnim edhe gjatë namazit. Ndodhte që ndokush i fliste shokut të vet që e kishte afër në namaz, derisa zbriti ajeti: “... dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut...” (Bekare, 238) Atëherë u urdhëruam të heshtim dhe na u ndalua të flasim.”
Referenca: Umdetul Ahkam 115
116. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra dhe Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur nxehtësia të arrijë kulmin e saj, shtyjeni pak namazin (e drekës), derisa moti të freskohet, sepse të nxehtët e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 116
117. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse dikush harron ndonjë namaz, le ta falë kur t'i kujtohet. Nuk ka shpagim tjetër, përveçse ta falë atë: “... dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” (Taha, 14)
Ndërkaq, te Muslimi: “Ai që harron një namaz ose i humb namazi për shkak të gjumit, shpagimi për këtë është që ta falë në momentin që i kujtohet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 117
118. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Muadh ibn Xhebeli e falte namazin e jacisë me të Dërguarin e Allahut ﷺ pastaj kthehej në fisin e vet dhe ua falte të njëjtin namaz.
Referenca: Umdetul Ahkam 118
119. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ faleshim në vapë të madhe. Nëse ndodhte që dikush nuk mund ta vendoste ballin në tokë (nga të nxehtët), e shtrinte rrobën dhe bënte sexhde mbi të.”
Referenca: Umdetul Ahkam 119
120. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos falet me një rrobë të vetme, nëse mbi supet e tij nuk ka diçka.”
Referenca: Umdetul Ahkam 120
121. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që ha hudhër ose qepë, të mos na afrohet, - të mos i afrohet xhamisë sonë, - por le të qëndrojë në shtëpinë e vet.”
I sollën një enë me bishtaja (të gatuara), i cili, me të nuhatur erën, pyeti se çfarë kishte në të. Kur i treguan se kishte bishtaja, tha: “Afrojuani atyre!” - disa shokëve të tij. Kur (njëri prej tyre) pa (se Pejgamberi ﷺ e refuzoi), hezitoi të hante. Pejgamberi ﷺ tha: “Ha, sepse unë flas me atë që ti nuk flet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 121
122. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që ha hudhër, qepë ose presh të mos i afrohet xhamisë sonë, sepse melekët neveriten nga gjërat që neveritin njerëzit.”
Ndërkaq, në transmetimin (e Muslimit): “... bijve të Ademit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 122
14. Nënkapitulli: Teshehudi në namaz
123. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ma mësoi teshehudin sikurse më mësonte një sure të Kuranit, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij: "Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu. Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij)."
Në një tekst qëndron: "Kur dikush të ulet në namaz, le të thotë: "Etehijatu lilahi...” Në të njëjtin transmetin qëndron: "Duke e thënë këtë, përshëndetni çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe Tokë.”
Po ashtu qëndron: “Pas kësaj, le të zgjedhë çfarë të dojë prej lutjeve.”
Referenca: Umdetul Ahkam 123
124. Nga: Kab ibn Uxhrai
Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “Kab ibn Uxhrai më takoi dhe më tha: “A dëshiron të të jap një dhuratë?” (Dhe vazhdoi:) Një ditë, kur Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, i thamë: “Kemi mësuar si të dërgojmë selam për ty, por si të dërgojmë salavat për ty?” Ai tha:
“Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema salejte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema barekte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin dhe familjen e tij siç ke dërguar salavat mbi familjen e Ibrahimit, Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar! O Allah, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij siç ke bekuar familjen e Ibrahimit! Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar)!”
Referenca: Umdetul Ahkam 124
125. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ lutej në namazin e tij: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt dënimit të varrit dhe dënimit të Zjarrit, kundrejt sprovës së jetës e vdekjes, si dhe sprovës së mesihut Dexhall!”
Ndërkaq, në tekstin e Muslimit: “Pasi të lexoni teshehudin, kërkoni mbrojtjen e Allahut nga katër gjëra. Thoni: “Allahume ini eudhu bike min adhabi Xhehenem (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt dënimit të Xhehenemit)...!” Pastaj përmendi tekstin e ngjashëm me atë paraprak.
Referenca: Umdetul Ahkam 125
126. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Abdullah ibn Amri ibn Asi tregon se Ebu Bekër Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ:
- Më mëso një dua, që me të të lutem gjatë namazit.
- “Thuaj: “Allahume ini dhalemtu nefsi dhulmen kethiran ve la jagfiru dhunube ila ente, fagfir li magfireten min indike, verhamni, ineke entel gafuru rrahim (O Allah, vetes sime i kam bërë shumë padrejtësi (me mëkate), e mëkatet s'i fal kush pos Teje, andaj më fal me faljen Tënde dhe më mëshiro, se Ti je Falësi, Mëshiruesi)!”
Referenca: Umdetul Ahkam 126
127. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, qëkurse Pejgamberit ﷺ i ka zbritur surja Nasr, gjithmonë e ka thënë gjatë namazit këtë lutje: “Subhaneke Allahume Rabena, ve bihamdike. Allahume gfir li (I Lartmadhëruar qofsh, o Allah, Zoti ynë, Ty të falënderojmë! O Allah, më fal mua)!”
Ndërkaq, në një transmetim qëndron: "Pejgamberi ﷺ shpesh thoshte në ruku dhe sexhde: “Subhaneke Allahume Rabena, ve bihamdike, Allahume igfir li (I Lartmadhëruar qofsh, o Allah, Zoti ynë, Ty të falënderojmë! O Allah, më fal mua)!”
Referenca: Umdetul Ahkam 127
15. Nënkapitulli: Namazi i vitrit
128. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në minber, një njeri e pyeti: “Çfarë na thua për namazin e natës?” Ai iu përgjigj: “E fal dy nga dy (rekate). Nëse ke frikë se po hyn agimi, fal vetëm një rekat, duke e përmbyllur me rekat tek (vitër).”
Po ashtu thoshte: “Përmbylleni namazin e natës me vitër.”
Referenca: Umdetul Ahkam 128
129. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ (në fillim) e falte vitrin nëpër pjesë të ndryshme të natës; në pjesën e parë, të mesme ose të fundit të natës, pastaj e falte atë vetëm para fundit të natës.”
Referenca: Umdetul Ahkam 129
130. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë natës, i Dërguari i Allahut ﷺ i falte trembëdhjetë rekate. Pesë prej tyre ishin vitër, gjatë të cilave nuk ulej (në teshehud) përveçse në rekatin e fundit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 130
16. Nënkapitulli: Dhikri pas namazit (farz)
131. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ngritja e zërit gjatë dhikrit, pas namazit farz, ka qenë traditë në kohën e të Dërguarit ﷺ. E kuptoja që e kishin përfunduar namazin kur e dëgjoja atë (zërin e dhikrit që e bënin xhemati pas namazit).
Në një tekst qëndron: “Vetëm pasi dëgjonim tekbirin e dinim se kur përfundonte namazi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 131
132. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Verradi, i çrobëruari i Mugire ibn Shuëbes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Mugire më diktoi një letër për t'ia dërguar Muaviut: “Pejgamberi ﷺ, pas çdo namazi farz, thoshte: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin Kadir. Allahume la mania lima atajte, ve la mu'tije lima menate. Ve la jenfeu dhel xhedi minkel xhed (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë. Zoti ynë! Askush nuk mund të pengojë nëse Ti jep dhe askush nuk mund të japë nëse Ti e pengon. Askujt nuk mund t'i bëjnë dobi pasuria e prejardhja në raport me Ty)!”
Pastaj udhëtova te Muaviu dhe e dëgjova duke i urdhëruar njerëzit me këtë fjalë.
Në një transmetim qëndron: “Pejgamberi ﷺ na ndalonte thashethemet, shpërdorimin e pasurisë, të pyeturit e shumtë, si dhe ndalonte mosrespektimin e nënave, varrosjen e bijave për së gjalli, privimin e të tjerëve nga pasuria.”
Referenca: Umdetul Ahkam 132
133. Nga: Ebu Hurejra
Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurahman ibn Harith ibn Hishamit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se muhaxhirët e varfër shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Të pasurit na e kaluan në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme!
- “Si ashtu?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po falen siç po falemi ne, po agjërojnë siç agjërojmë ne, madje ata japin sadaka, kurse ne nuk japim, lirojnë robër, ndërsa ne nuk kemi mundësi për këtë.
- “A t'ju mësoj një gjë, me të cilën do t'i arrini ata që ju kanë kaluar dhe do t'ua kaloni atyre pas jush e askush nuk do të jetë më i mirë se ju, përveç dikush që vepron siç veproni ju?” - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - u përgjigjën.
- “Bëni tesbih (subhanallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (elhamdulilah) pas çdo namazi tridhjetë e tri herë,” - i porositi Pejgamberi ﷺ.
Ebu Salihu tregon: “Pas një kohe, muhaxhirët e varfër u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Vëllezërit tanë të pasur dëgjuan se çfarë po veprojmë, andaj edhe ata po veprojnë njëjtë." Atëherë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Kjo është mirësia e Allahut: ia jep kujt të dojë.”
Sumeji ka thënë: “Këtë hadith ia tregova dikujt prej familjes sime dhe më tha: “Të është përzier, sepse Pejgamberi ﷺ të ka thënë: “E lartëson Allahun (subhanallah) tridhjetë e tri herë, e falënderon Allahun (elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe e madhëron Allahun (Allahu ekber) tridhjetë e tri herë.” Kur u ktheva tek Ebu Salihu dhe ia tregova këtë, ai më mori për dore dhe më tha: “Allahu ekber, subhanallah, elhamdulilah. Allahu ekber, subhanallah, elhamdulilah"; kështu vazhdon derisa të gjitha së bashku bëhen tridhjetë e tri herë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 133
134. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u fal me një rrobë (të zezë) me shenja. (Në namaz e sipër) hodhi shikimin te shenjat (të cilat e shpërqëndruan). Pasi e kreu namazin, tha: “Kthejani këtë rrobë Ebu Xhehmit dhe më sillni një rrobë të tij pa shenja, sepse kjo pothuajse më hutoi në namazin e pakmëparshëm.”
Hamisa: rrobë në formë katrore me shenja. Enbixhanije: rrobë e trashë.
Referenca: Umdetul Ahkam 134
17. Nënkapitulli: Bashkimi i dy namazeve në udhëtim
135. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në udhëtim, e bashkonte namazin e drekës me atë të ikindisë, si dhe namazin e akshamit me atë të jacisë.
Referenca: Umdetul Ahkam 135
18. Nënkapitulli: Shkurtimi i namazit në udhëtim
136. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “E kam shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ në udhëtim. Ai asnjëherë nuk shtonte më shumë se dy rekate (namaz farz). Njëjtë vepronte edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani.”
Referenca: Umdetul Ahkam 136
19. Nënkapitulli: Namazi i xhumasë
137. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Sehël ibn Sad Saidiu tregon se disa burra filluan të debatonin rreth minberit (të Pejgamberit ﷺ) se prej çfarë materiali ishte i punuar. Sehli tha: "Me brukën e Gabës. E kam parë të Dërguarin duke u ngritur mbi të: mori tekbirin dhe njerëzit iu bashkëngjitën, ndërsa ai ishte në minber, pastaj u kthye e zbriti nga mbrapa e ra në sexhde në fund të minberit dhe u kthye sërish (hipi mbi të) derisa e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “O njerëz! Veprova kështu që të më pasoni dhe ta mësoni namazin tim.”
Në një tekst: “I Dërguarin i Allahut ﷺ u fal në të: mori tekbirin duke qenë mbi të dhe ra në ruku, pastaj zbriti duke ecur mbrapsht.”
Referenca: Umdetul Ahkam 137
138. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të vijë për namazin e xhumasë, le të pastrohet.”
Referenca: Umdetul Ahkam 138
139. Nga: Abdullah ibn Omeri
Po ai, (Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i mbante dy hutbe duke qëndruar në këmbë, të cilat i ndante me ulje në mes tyre.”
Referenca: Umdetul Ahkam 139
140. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur hutben ditën e xhuma, erdhi një person, të cilin e pyeti:
- “A u fale, o filan?”
- Jo, - tha ai.
- “E po, ngrihu dhe fali dy rekate!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ndërkaq, në transmetimin (e Muslimit): - “E po, fali dy rekate!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Umdetul Ahkam 140
141. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse në ditën e premte dikush i flet tjetrit, qoftë dhe me fjalën "hesht", teksa imami është duke mbajtur hutben, tashmë e ka humbur shpërblimin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 141
142. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pastrohet ditën e premte, dhe shkon në çastin e parë në xhami, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një deve. Ai që shkon në çastet e dyta, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një lopë. Ai që shkon në çastet e treta, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një dash të majmë. Ai që shkon në çastet e katra, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një pulë. Ai që shkon në çastet e pesta, konsiderohet sikurse të ketë dhënë sadaka një vezë. E, kur imami të ngjitet në minber, melekët ndalen për ta dëgjuar dhikrin (hutben).”
Referenca: Umdetul Ahkam 142
143. Nga: Seleme ibn Ekvai
Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili kishte marrë pjesë në Besatimin nën pemë, ka thënë: “Ne e falnim xhumanë me të Dërguarin ﷺ, pastaj ktheheshim, ndërsa muret ende nuk kishin hije që ne të strehoheshim.”
Ndërkaq, në tekst (të Muslimit): “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ e falnim namazin e xhumasë, kur Dielli e kalonte zenitin, e pastaj ktheheshim duke e ndjekur hijen.”
Referenca: Umdetul Ahkam 143
144. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e premte, në namazin e sabahut, Pejgamberi ﷺ e këndonte suren Sexhde dhe suren Insan.”
Referenca: Umdetul Ahkam 144
20. Nënkapitulli: Namazi i dy bajrameve
145. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ, Ebu Bekri dhe Omeri namazin e Bajrameve e falnin para hutbes.
Referenca: Umdetul Ahkam 145
146. Nga: Bera ibn Azibi
Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na mbajti hutben pas namazit të Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha: “Ai që falet sikurse ne e pastaj (pas namazit) ther kurbanin sikurse ne, ia ka qëlluar Sunetit. Ndërkaq, atij që ther kurbanin para namazit, nuk i pranohet për kurban.”
Ebu Berde ibn Nijari, daja i Bera ibn Azibit, tha:
- O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur një dele para namazit. Ngaqë sot është ditë ngrënieje e pirjeje, doja që delja ime të ishte e para që theret në shtëpinë time, kështu që e thera dhe hëngra prej saj, para se të vija për namaz.
- “Delja jote konsiderohet therje për mish (e jo kurban)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut! Ne posedojmë një dhi më të vogël se njëvjeçare, porse është më e dashur për mua sesa dy dele. A do të më mjaftonte ajo? - e pyeti sërish.
- “Po, ama kjo nuk lejohet për të tjerët pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Umdetul Ahkam 146
147. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Xhundub ibn Abdullah Bexheliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na e fali namazin ditën e Bajramit të Kurbanit, më pas ligjëroi, e bëri therjen dhe pastaj tha: “Ai që e ka bërë therjen para namazit, le të therë edhe një tjetër (pas faljes). Ndërkaq, ai që nuk e ka bërë therjen, le të therë tani me bismilah.”
Referenca: Umdetul Ahkam 147
148. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam marrë pjesë në faljen e Bajramit me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ai filloi me namaz para hutbes, pa e thirrur ezanin dhe ikametin. Më pas u ngrit duke u mbështetur në Bilalin, i urdhëroi që ta kenë frikë Allahun dhe i motivoi që t'i binden Atij. Po ashtu i këshilloi njerëzit dhe i rikujtoi ata. Pastaj shkoi derisa arriti te gratë, të cilat po ashtu i këshilloi e i rikujtoi, duke thënë: “O ju gra! “Jepni sadaka, sepse shumica juaj do të jenë lëndë djegëse e Xhehenemit.”
Një grua nga mesi i tyre, e cila i kishte dy faqet të zeshkëta, u ngrit dhe tha: “Përse, o i Dërguari i Allahut?”
- “Sepse ju e teproni me ankesa dhe i mohoni të mirat e burrit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ato filluan të jepnin sadaka nga stolitë që i kishin prej vathëve e unazave dhe i hidhnin në rrobën e Bilalit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 148
149. Nga: Umu Atija Ensarja
Umu Atije Nusejbe Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na urdhëroi në të dy Bajramet t'i merrnim me vete edhe vajzat e reja dhe ato që qëndronin më tepër në shtëpi. Ndërkaq, ato me menstruacione i urdhëroi (të vinin, por) të veçoheshin nga vendfalja e muslimanëve.”
Ndërkaq, në një tekst qëndron: “Urdhëroheshim të dilnim ditën e Bajramit, saqë edhe vashat e reja dhe ato me menstruacione i merrnin prej shtëpive, bënin tekbire dhe dua me ta. Shpresonin bekimin dhe faljen (e mëkateve) në atë ditë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 149
21. Nënkapitulli: Namazi i Eklipsit
150. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur u eklipsua Dielli, dërgoi dikë për të thirrur: “Tubohuni për namaz!" Pasi u tubuan, doli dhe bëri tekbirin, ua fali dy rekate me katër ruku e katër sexhde.”
Referenca: Umdetul Ahkam 150
151. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Mesud Ukbe ibn Amër Ensariu Bedriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dielli dhe Hëna janë dy argumente prej argumenteve të Allahut, përmes (eklipsit të) tyre Allahu i frikëson robërit e Vet. Ato nuk eklipsohen si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Andaj, nëse i shihni të ndodhin, faluni dhe luteni Allahun, derisa t'ju largohet kjo gjendje.”
Referenca: Umdetul Ahkam 151
152. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ u bë eklipsi i Diellit, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për t'ua falur njerëzve namazin. Qëndroi gjatë në këmbë, pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. Sërish u ngrit dhe qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Sërish ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të, por më shkurt se herën e parë. Pastaj ra në sexhde dhe e zgjati sexhden. Në rekatin tjetër veproi njëjtë sikurse në të parin. Me ta kryer, Dielli ishte shfaqur tërësisht, e në atë rast u ngrit për të ligjëruar. Pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, tha: “Dielli dhe Hëna janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, përmendeni Allahun, bëni tekbire, faluni dhe jepni sadaka.”
Pastaj tha: “O umeti i Muhamedit! Nuk ka më xheloz sesa Allahu kur ndonjë rob ose robëreshë e Tij bën zina. O umeti i Muhamedit! Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”
Në një tekst qëndron: “I bëri katër ruku me katër sexhde.”
Referenca: Umdetul Ahkam 152
153. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberi ﷺ u eklipsua Dielli, e në atë rast ai u ngrit i trembur nga frika se mos ishte duke ndodhur Kiameti. Erdhi në xhami, u ngrit dhe u fal duke e zgjatur qëndrimin në këmbë, rukunë dhe sexhden si asnjëherë më parë. Pastaj tha: “Këto shenja, që i dërgon Allahu, nuk janë si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt, por që t'i frikësojë robërit e Vet. Kur të shihni diçka të këtillë, shpejtoni drejt përmendjes së Allahut, luteni dhe kërkojini falje Atij.”
Referenca: Umdetul Ahkam 153
22. Nënkapitulli: Namazi i kërkimit të shiut
154. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Abdullah ibn Zejd ibn Asim Maziniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi doli për të kërkuar shi. Kështu, u drejtua nga kibla për t'u lutur dhe e ktheu ridanë mbrapsht. Pastaj, i fali dy rekate, në të cilat këndoi (Kuran) me zë.
Ndërkaq, në një tekst: “Në namazgjah.”
Referenca: Umdetul Ahkam 154
155. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri në xhami nëpërmjet derës që ndodhej nga Shtëpia e Kadasë dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”
Enesi tregon: "Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa kodrës. Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.
Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, hyri një burrë nga e njëjta derë dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo sipër nesh! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”
Shiu u ndal dhe, kur dolëm, Dielli rrezatonte.
Sheriku thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun:
- A ishte i njëjti njeri (ai i javës së kaluar)?
- Nuk e di, - tha Enesi.
Autori thotë: “Dhirab: kodrina. Akam: shumësi i ekeme - më e lartë se kodrina e më e vogël se kodra.”
Shtëpia e Kadasë: “Shtëpia e Omer ibn Hatabit, është quajtur me këtë emër sepse është shitur për ta kthyer borxhin e tij.”
Referenca: Umdetul Ahkam 155
23. Nënkapitulli: Namazi i frikës
156. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në ditët kur përballej me armikun i Dërguari i Allahut na e fali namazin e frikës, ashtu që njëri grup u ngrit me të, kurse grupi tjetër qëndronte përballë armikut. Ai ua fali një rekat atyre që ishin me të, pastaj ata shkuan (pasi falën edhe një rekat) e, kur erdhën grupi tjetër, u fali një rekat (pasi e falën rekatin e parë). Pastaj secili grup e plotësoi me një rekat.”
Referenca: Umdetul Ahkam 156
157. Nga: Salih ibn Havati
Nga Jezid ibn Rumani se Salih ibn Havat ibn Xhubejri transmeton nga një pjesëmarrës në Betejën Dhatu Rikaë, i cili tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka falur aty namazin e frikës. Fillimisht, një grup u rreshtua me të, ndërsa grupi tjetër qëndronte përballë armikut. Grupit të parë u fali një rekat, pastaj ai qëndroi në këmbë, kurse ata e plotësuan namazin secili për vete dhe u larguan duke u rreshtuar përballë armikut. Pastaj erdhi grupi tjetër, të cilëve ua fali rekatin tjetër që u kishte mbetur prej namazit. Në fund, ai qëndroi ulur, derisa ata e plotësuan secili për vete rekatin e dytë dhe dha selam për të gjithë.
Personi i cili u fal me të Dërguari e Allahut ﷺ është Sehël ibn Ebu Hathme.
Referenca: Umdetul Ahkam 157
158. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ e kam falur namazin me rastin e frikës (luftës). U rreshtuam në dy rreshta pas të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërkaq armiku ishte nga ana e kibles. Pejgamberi ﷺ mori tekbir, e edhe ne të gjithë (të dy rreshtat) pas tij morëm tekbir, pastaj ra në ruku, e edhe ne të gjithë ramë në ruku. Pastaj ai e ngriti kokën nga rukuja, e edhe ne u ngritëm. Pastaj ra në sexhde, së bashku me rreshtin që ishte pas tij, kurse rreshti i fundit qëndronte përballë armikut. Kur Pejgamberi ﷺ e mbaroi sexhden, rreshti që ishte pas tij u ngrit, kurse rreshti i dytë ranë në sexhde. Më pas edhe këta u ngritën. Pas kësaj, rreshti i fundit kaloi në pozitën e rreshtit të parë, kurse rreshti i parë kaloi në pozitën e rreshtit të dytë. Pastaj Pejgamberi ﷺ ra në ruku, e edhe ne të gjithë ramë në ruku. Pastaj e ngriti kokën nga rukuja, e edhe ne të gjithë u ngritëm nga rukuja. Pastaj ra në sexhde së bashku me rreshtin që ishte pas tij, e që në rekatin e parë ishte rreshti i dytë. Ndërkaq, rreshti i fundit qëndronte përballë armikut. Kur Pejgamberi ﷺ dhe rreshti që ishte pas tij e mbaruan sexhden, rreshti i fundit ranë në sexhde. Pastaj Pejgamberi ﷺ dha selam, e edhe ne të gjithë dhamë selam. Xhabiri tha: "Siç veprojnë rojat me udhëheqësit tuaj.”
Muslimi e përmendi transmetimin e plotë. Ndërkaq, Buhariu përmendi një pjesë të saj dhe se ai (transmetuesi) e fali namazin e frikës me Pejgamberin ﷺ, në ekspeditën e (vitit të) shtatë, në Betejën e Dhatu Rikaë.
Referenca: Umdetul Ahkam 158
24. Nënkapitulli: Namazi i xhenazes
159. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën kur vdiq Nexhashiu, Pejgamberi ﷺ njoftoi për vdekjen e tij. Kështu, doli në namazgja, i rreshtoi safat dhe bëri katër tekbire.
Referenca: Umdetul Ahkam 159
160. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ia fali (namazin e xhenazes) Nexhashiut, ndërsa unë isha në safin e dytë ose të tretë.
Referenca: Umdetul Ahkam 160
161. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ia fali (xhenazen një personi) te varri, pasi ishte varrosur dhe i mori katër tekbire.”
Referenca: Umdetul Ahkam 161
162. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është qefinosur në tri rroba të bardha jemenase, pa këmishë dhe pa çallmë.
Referenca: Umdetul Ahkam 162
163. Nga: Umu Atija Ensarja
Umu Atije Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i vdiq e bija (Zejnebja), hyri te ne dhe tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur ose diçka prej tij. Kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast na e dha rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë.”
Në një transmetim qëndron: “... ose shtatë herë.” Dhe tha: “Filloni prej anës së saj të djathtë dhe prej gjymtyrëve të abdesit.”
Ndërkaq, Umu Atija ka thënë: “Flokët ia kemi kapur në tri gërsheta.”
Referenca: Umdetul Ahkam 163
164. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa një njeri po qëndronte në Arafat, u rrëzua nga deveja, e në atë rast e theu qafën. I Dërguari ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rroba. Mos e parfumoni e mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit do të ringjallet duke e kënduar telbijen.”
Në një transmetim qëndron: "Mos ia mbuloni fytyrën e as kokën.”
Autori thotë: “Vaks nënkupton thyerjen e qafës.”
Referenca: Umdetul Ahkam 164
165. Nga: Umu Atija Ensarja
Umu Atije Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Na është ndaluar (femrave) përcjellja e xhenazes, por jo rreptësisht.”
Referenca: Umdetul Ahkam 165
166. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nxitoni (për ta dërguar në varr) xhenazen, se, nëse ka qenë vepërmirë, e dërgoni në mirësi, e, nëse nuk ka qenë kësisoj, atëherë është një barrë që e hiqni prej supeve tuaja.”
Referenca: Umdetul Ahkam 166
167. Nga: Semure ibn Xhundubi
Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Mbrapa Pejgamberit ﷺ e fala namazin e një gruaje, e cila kishte vdekur gjatë lindjes së fëmijës (ose lehonisë). Ai qëndroi te mesi i (trupit të) saj.”
Referenca: Umdetul Ahkam 167
168. Nga: Ebu Burde ibn Ebu Musa
Ebu Musa Abdullah ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ është distancuar nga vajtuesja, nga ajo që i rruan flokët (në raste fatkeqësish) dhe nga ajo që i shqyen rrobat.”
Salika: “Është ajo që ngre zërin gjatë fatkeqësive.”
Referenca: Umdetul Ahkam 168
169. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ ishte i sëmurë, disa gra të tij i përmendën një kishë që kishin parë në Abisini, të quajtur Maria. Meqë Umu Seleme dhe Umu Habibe kishin qenë në Abisini, theksuan bukurinë dhe ikonat e saj (kishës).
Pejgamberi ﷺ ngriti kokën dhe tha: “Këta, kur u vdes ndonjë njeri i devotshëm, mbi varrin e tij ndërtojnë faltore dhe pikturojnë brenda saj vizatime (të gjallesave). Ata janë krijesat më të këqija tek Allahu.”
Referenca: Umdetul Ahkam 169
170. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Gjithashtu ajo (Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë sëmundjes, nga e cila më nuk u shërua, pati thënë: “Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët: varret e të dërguarve të vet i kanë bërë faltore.”
Po të mos ishte kjo, varri i tij do të ekspozohej, mirëpo ai frikohej se mos varri i tij do të shndërrohej në xhami.”
Referenca: Umdetul Ahkam 170
171. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
Referenca: Umdetul Ahkam 171
172. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që merr pjesë në përcjelljen e xhenazes derisa t'i falet namazi i xhenazes, do të ketë (shpërblim) një kirat e, nëse vazhdon të marrë pjesë derisa të varroset, do të ketë dy kiratë.” Dikush e pyeti: "Ç'madhësi kanë dy kiratë?" Pejgamberi ﷺ tha: “Sa dy male të mëdha.”
Ndërkaq, te Muslimi: “Më e vogla prej tyre është sa Kodra e Uhudit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 172