5. Haxhi

1. Nënkapitulli: Vendet e caktuar për të hyer në ihram (haxhë a po umre)

215. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ua ka caktuar banorëve të Medinës Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Nexhdit Karnul Menazilin dhe banorëve të Jemenit Jelemlemin. Dhe ka thënë: "Këto pikënisje janë si për banorët e këtyre krahinave, si për të tjerët që nuk janë banorë, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, banorët e vendbanimeve që ndodhen mes këtyre, mikat e kanë vendndodhjen e vet. Madje, edhe banorët e Mekës nisen prej Mekës.”

Referenca: Umdetul Ahkam 215

216. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Banorët e Medinës hyjnë në ihram prej Dhul Hulejfes, banorët e Shamit prej Xhuhfës dhe banorët e Nexhdit prej Karnit.”

Abdullahu shton: “Dikush më ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dhe banorët e Jemenit hyjnë në ihram prej Jelemlemit.”

Referenca: Umdetul Ahkam 216

2. Nënkapitulli: Çfar vesh nga rrobat muhrimi

217. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se një burrë pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë rrobash duhet të veshë muhrimi?” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Mos vishni këmisha, as çallma, as shallvare, as pardesy, as meste; përveç nëse dikush nuk posedon sandale, atëherë le t'i mbathë mestet, por le t'i shkurtojë paksa, që të jenë nën nyja; as mos vishni rroba të parfumuara.”

Në transmetimin e Buhariut qëndron: "Gruaja që është në ihram të mos veshë perçe e as dorëza.”

Referenca: Umdetul Ahkam 217

218. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke ligjëruar në Arafat: “Ai që nuk gjen sandale, le të mbathë meste, ndërsa ai që nuk gjen izar, le të veshë shallvare.” Kjo vlen për muhrimin.”

Referenca: Umdetul Ahkam 218

219. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se telbija e të Dërguarit të Allahut ﷺ ka qenë kësisoj: “Lebejk Allahume lebejk. Lebejke la sherike leke lebejk. Inel hamde, ve nimete, leke vel mulk, la sherike lek (Të përgjigjem, o Allah, vetëm Ty të përgjigjem! Të përgjigjem Ty, që nuk ke ortak, të përgjigjem! Vetëm Ty të takon falënderimi, mirësia dhe sundimi, Ti nuk ke ortak)!”

Nafiu tha: “Abdullah ibn Omeri e shtonte edhe këtë: “Lebejke, lebejke, ve sadejke. Vel hajru bijedejke, lebejke ver ragbau ilejke vel amelu (Të përgjigjem Ty, të përgjigjem Ty, me kënaqësi! Mirësia është në Duart e Tua! Të përgjigjem Ty, lutjen dhe veprën i kemi vetëm për Ty)!”

Referenca: Umdetul Ahkam 219

220. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Femrës, që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk i lejohet të udhëtojë pa mahrem në largësi prej një dite e një nate.”

Buhariu në tekstin e tij sjell: “Femra të mos udhëtojë një ditë e një natë pa mahremin e saj.”

Referenca: Umdetul Ahkam 220

3. Nënkapitulli: Shpagimi

221. Nga: Abdullah ibn Makil ibn Mukarrini

Abdullah ibn Makili ka thënë: “U ula te Kab ibn Uxhrain (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe e pyeta rreth shpagimit.” Ai m'u përgjigj: “Ka zbritur posaçërisht për mua, por vlen për të gjithë ju.” Më patën dërguar tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa morrat më binin në fytyrë, andaj më tha:

“Nuk kam menduar se sëmundja të paska arritur deri në këtë masë, - ose ka thënë: Nuk kam menduar se mundimi të paska arritur deri në këtë masë. - A ke ndonjë dele?”

- Jo, - i thashë.

- “E po, agjëro tri ditë ose ushqeji gjashtë nevojtarë, secilin nga gjysmë saë”, - tha ai.

Në një transmetim qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ e urdhëroi atë që t'i ushqejë gjashtë nevojtarë, ose të therë një dele, ose të agjërojë tri ditë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 221

4. Nënkapitulli: Shejtëria e Mekës

222. Nga: Ebu Shurejh Adeviu

Ebu Shurejh Huvejlid bin Amër ibn Huzai Adeviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Amër ibn Seidit, i cili po i dërgonte forcat ushtarake për në Mekë: “Më lejo të të them diçka, o prijës! Dua të të përcjell një thënie, që i Dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë një ditë pas Çlirimit të Mekës, fjalë të cilën e kam dëgjuar me veshët e mi, e ka ruajtur zemra ime (e kam kuptuar dhe mbajtur në mend mirë), dhe e kanë parë sytë e mi (Pejgamberin ﷺ) kur e ka thënë atë fjalë. Ai, fillimisht, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Mekën e ka shenjtëruar Allahu, e jo njerëzit. Andaj, nuk i lejohet askujt që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit të derdhë gjak në të e as t'i presë pemët e saj. E, nëse dikush arsyetohet me luftën e të Dërguarit të Allahut ﷺ në të, thoni: “Këtë Allahu ia ka lejuar vetëm të Dërguarit të Vet, e jo juve.” Mua më është lejuar lufta brenda saj vetëm në një pjesë të ditës e pastaj sërish i është kthyer shenjtëria (ndalesa), siç ka qenë më herët. Andaj, të pranishmit le t'i lajmërojnë ata që mungojnë.”

Dikush i tha Ebu Shurejhut: “Çfarë ka thënë Amri?” Ai tha: “Më ka thënë: “Unë jam më i ditur se ti, o Ebu Shurejh (për këtë çështje): “Meka nuk e mbron mëkatarin, gjakatarin e hajdutin.”

Referenca: Umdetul Ahkam 222

223. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, ditën kur e çliroi Mekën, tha: “Më nuk ka hixhret, por ka xhihad dhe nijet. Kur të ftoheni (nga prijësi i muslimanëve) për luftë, përgjigjjuni.”

Ditën e Çlirimit të Mekës ka thënë: “Këtë vend Allahu e ka bërë të shenjtë ditën kur i ka krijuar qiejt dhe Tokën, e ai, me shenjtërinë e Allahut, është i shenjtë deri në Ditën e Kiametit. Andaj, lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Ndërkaq, mua më është lejuar vetëm në një pjesë të ditës. Ai është i shenjtë me shenjtërinë e Allahut deri në Ditën e Kiametit. Nuk lejohet as shkulja e gjembave, as trazimi i gjahut (gjuetia), as merret gjëja e humbur, përveç nëse shpallet ndër njerëz, si dhe nuk priten barishtet e tij.”

- Përveç idhhirit, o i Dërguari i Allahut, se ai përdoret nga farkëtarët dhe për shtëpitë? - pyeti Abasi.

- “Përveç idhhirit (ai lejohet)”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Umdetul Ahkam 223

5. Nënkapitulli: Çarë lejohet të mbytet në harem

224. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pesë lloje kafshësh janë të dëmshme, andaj mund të vriten edhe në Harem:

1. Korbi,

2. Qifti,

3. Akrepi,

4. Miu, dhe

5. Qeni sulmues.”

Në transmetimin e Muslimit: “Pesë lloje kafshësh vriten brenda kufijve të Haremit dhe jashtë tij.”

Referenca: Umdetul Ahkam 224

6. Nënkapitulli: Hyrja në Meke dhe Qabe

225. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në Mekë me përkrenare në kokë dhe, kur e hoqi, një burrë erdhi dhe i tha: “Ibn Hatali është kapur për mbulesë të Qabesë!”

Pejgamberi ﷺ tha: “Vriteni!”

Referenca: Umdetul Ahkam 225

226. Nga: Abdullah ibn Omeri

Adullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në Mekë nga Kedaja nëpërmjet Kodrinës së Epërme të Bat'hasë, kurse daljen e bëri nga Kodrina e Ulët.

Referenca: Umdetul Ahkam 226

227. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hyri në Qabe së bashku me Usame ibn Zejdin, Bilalin e Othman ibn Talhain dhe e mbyllën derën. Kur e hapën, isha i pari që hyra, ku e takova Bilalin dhe e pyeta:

- A u fal i Dërguari i Allahut ﷺ brenda?

- Po, mes dy shtyllave jemenase.”

Referenca: Umdetul Ahkam 227

228. Nga: Omer ibn Hatabi

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi te Guri i Zi, e puthi dhe i tha: “Unë e di mirë se je thjesht gur: nuk bën as dëm, as dobi. Sikur të mos e kisha parë Pejgamberin ﷺ duke të puthur, nuk do të të puthja as unë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 228

229. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij erdhën (në Mekë), idhujtarët thanë: “Po ju vijnë ca njerëz të molisur nga temperatura e Jethribit.” Kështu, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi (sahabët) të nxitojnë në tre rrathët e parë, kurse mes dy këndeve jemenase të ecin normalisht. Përveç dhembshurisë ndaj tyre, asgjë tjetër nuk e pengoi t'i urdhërojë për të nxituar në të shtatë rrathët.”

Referenca: Umdetul Ahkam 229

230. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam parë se i Dërguari i Allahut ﷺ, në momentin kur vinte në Mekë, pasi e prekte Gurin e Zi, në fillim të tavafit nxitonte në tri rrotullimet e tij të para.”

Referenca: Umdetul Ahkam 230

231. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, në haxhin lamtumirës, e bëri tavafin hipur mbi deve dhe e preku Gurin e Zi me shkop.”

Referenca: Umdetul Ahkam 231

232. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Përveç dy këndeve jemenase, asnjëherë nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ duke i prekur dy këndet e tjera të Qabesë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 232

7. Nënkapitulli: Haxhi temetu

233. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Xhemra Nasr ibn Imran Dubeiu tregon: “E pyeta Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth haxhit temetu, e në atë rast më porositi për ta kryer po atë. E pyeta edhe për kurbanin dhe më tha: “Mund të përdoret deveja, lopa, delja ose mund të jesh ortak me dikë tjetër (në kurban). Mirëpo, u duk sikur disave nuk u pëlqeu kjo. Pastaj pashë në ëndërr sikur një njeri po thërriste: “Haxh të pranuar! Haxh të pranuar temetu!”

Vajta e i tregova Ibn Abasit, e në atë rast më tha: “Allahu ekber! Kështu është Suneti i Ebu Kasimit ﷺ.”

Referenca: Umdetul Ahkam 233

234. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në haxhin lamtumirës, i Dërguari i Allahut ﷺ e bashkoi umrën dhe haxhin në haxh temetu. Kurbanin e mori me vete prej Dhul Hulejfes. Në fillim hyri në ihram për umre, pastaj për haxh. Kësisoj vepruan edhe të tjerët: e bashkuan umrën me haxh. Disa kishin marrë kurbane me vete, e disa të tjerë jo.”

Kur i Dërguari i Allahut ﷺ arriti në Mekë, u tha njerëzve: “Ai që e ka sjellë kurbanin me vete, të mos lirohet prej ihramit derisa ta kryejë haxhin. Ndërkaq, ai që nuk ka sjellë kurban me vete, le ta kryejë tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës, le t'i shkurtojë flokët dhe le të lirohet prej ihramit, pastaj le të hyjë sërish në ihram për haxh dhe më pas le të therë kurban. Ai që nuk gjen kurban, le t'i agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë pasi të kthehet në vendlindje.”

I Dërguari i Allahut ﷺ, me të arritur në Mekë, e bëri tavafin: fillimisht e preku Gurin e Zi dhe në tri rrotullimet e para (rreth Qabesë) nxitoi në ecje, kurse në katër të fundit eci normal. Pas tavafit, i fali dy rekate te Mekami dhe dha selam e shkoi në Safa, ku e kreu ecjen mes Safasë e Mervës, shtatë herë. Më pas nuk u lirua prej ndalesave të ihramit, derisa e kreu haxhin. Kurbanin e theri në ditën e Bajramit, shkoi dhe e kreu tavafin e haxhit, pastaj u lirua tërësisht prej ihramit. Kështu vepruan të gjithë ata që e kishin marrë kurbanin me vete.”

Referenca: Umdetul Ahkam 234

235. Nga: Hafsa bint Omeri

Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ç'është kjo punë: të tjerët tanimë janë liruar prej ihramëve pas umres, kurse ti ende nuk je liruar?”
- “Unë i kam lyer flokët dhe ia kam vendosur qaforen kurbanit, andaj nuk lirohem pa e therur kurbanin”, - tha ai.”

Referenca: Umdetul Ahkam 235

236. Nga: Imran ibn Husajni

Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ajeti për haxhin temetu është shpallur në Librin e Allahut. Ne e kemi praktikuar atë me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe nuk ka zbritur asnjë ajet tjetër për ta anuluar atë, si dhe i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka ndaluar praktikimin e tij deri në vdekje. E (sot), dikush, me mendjen e tij, mund të thotë çfarë të dojë.”

Buhariu thotë: “Thuhet se fjala është për Omerin.”

Muslimi transmeton: "Ajeti që ka të bëjë me temetu ka zbritur në Librin e Allahut, - është fjala për llojin temetu të haxhit. - Po ashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ vetë na urdhëroi për të. Pas kësaj nuk zbriti ndonjë ajet që e shfuqizon ajetin e llojit temetu të haxhit, e po ashtu as i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ndaloi atë derisa vdiq.”

Referenca: Umdetul Ahkam 236

8. Nënkapitulli: Kurbani (i haxhit)

237. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë ia thura qaforet kurbanit të Pejgamberit ﷺ, kurse ai e damkosi kurbanin dhe ia vendosi qaforet, - ose ka thënë: ia vendosa unë. - Pastaj kurbanin e dërgoi në Qabe, kurse vetë qëndroi në Medinë. Dhe (gjatë kësaj kohe), asgjë prej të lejuarave nuk iu bë e ndaluar.”

Referenca: Umdetul Ahkam 237

238. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë Pejgamberi ﷺ dhuroi një kurban dele (për t'u therur në Mekë).

Referenca: Umdetul Ahkam 238

239. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një burrë duke tërhequr një deve, e në atë rast i tha:

- “Hip në të!”

- Është për kurban, - iu përgjigj ai.

- “Hip në të!” - i tha sërish Pejgamberi ﷺ. Më vonë, e pashë të hipur mbi deve, tek ecte përbri Pejgamberit ﷺ.

Në një tekst tjetër qëndron: “Në herën e tretë ose të katërt i tha: “Hip në të, i mjeri ti! - ose ka thënë: vaj halli për ty!

Referenca: Umdetul Ahkam 239

240. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më urdhëroi të kujdesem për kurbanet deve, si dhe të shpërndaj mishin, lëkurat e mbulesat e tyre. Po ashtu kasapin të mos e paguaj me diçka prej kurbaneve dhe tha: “Ne e paguajmë atë me tjetër pasuri tonën.”

Referenca: Umdetul Ahkam 240

241. Nga: Abdullah ibn Omeri

Zijad ibn Xhubejri tregon: “Pashë se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vajti te një burrë, i cili e kishte ulur devenë në gjunjë për ta therur për kurban, e në atë rast i tha: “Ngrije në këmbë dhe lidhe (një këmbë të saj). Kështu është Suneti i Muhamedit ﷺ.”

Referenca: Umdetul Ahkam 241

9. Nënkapitulli: Guslli i muhrimit

242. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Abdullah ibn Hunejni tregon se Abdullah ibn Abasi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), duke qenë në Ebva, patën një mospajtim. Abdullah ibn Abasi thoshte: “Muhrimit i lejohet larja e kokës", kurse Misveri thoshte: “Muhrimi nuk e lan kokën.”

Ibn Abasi më dërgoi tek Ebu Ejub Ensariu, të cilin e gjeta duke u pastruar mes dy shtyllash, tek fshihej mbrapa një rrobe. I dhashë selam, e ai pyeti: “Kush është?”

- Abdullah ibn Hunejni, - i thashë. - Më ka dërguar Abdullah ibn Abasi të të pyes se si i Dërguari i Allahut ﷺ e pastronte kokën duke qenë në ihram?

Ebu Ejubi e vendosi dorën mbi rrobë dhe e uli, aq sa ia pashë kokën, pastaj, atij që i hidhte ujë, i tha: “Hidh!” Ai i hodhi ujë në kokë, të cilën e fërkoi me dy duart, para e mbrapa, dhe tha: “Kështu e kam parë Pejgamberin ﷺ duke vepruar.”

Në një transmetim tjetër: “Misveri i tha Ibn Abasit: “Kurrë më nuk do të polemizoj me ty.”

Referenca: Umdetul Ahkam 242

10. Nënkapitulli: Kthimi i haxhit në umre

243. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram me nijet të haxhit. Por, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, asnjëri nuk kishte marrë kurban me vete. Edhe Aliu, i cili erdhi prej Jemenit, kishte marrë një kurban me vete, e në atë rast tha se kishte hyrë në ihram me të njëjtin nijet sikurse Pejgamberi ﷺ. Atëherë, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi shokët e vet për ta shndërruar në umre: ta kryejnë tavafin, t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen prej ihramëve, përveç atyre që me vete kishin marrë kurbane.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, kur dikush prej nesh ka bërë marrëdhënie me bashkëshorten?!” Kur Pejgamberit ﷺ i arritën këto fjalë, tha: “Sikur të kthehej edhe një herë ajo që kaloi, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”

Ndërkohë, Aishes iu paraqitën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Pasi u pastrua, e kreu edhe tavafin. Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut! Ju po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh. Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim, kështu që ajo e kreu umrën pas haxhit.”

Referenca: Umdetul Ahkam 243

244. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkuam në Mekë duke thënë: “Po të përgjigjemi Ty, o Allah, po të përgjigjemi me haxh!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi ta shndërronim në umre.”

Referenca: Umdetul Ahkam 244

245. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ me shokët e tij erdhën në mëngjesin e ditës së katërt (të dhul hixhes) pasi kishin hyrë në ihram për haxh. Pejgamberi ﷺ urdhëroi ta shndërrojnë atë në umre (e të lirohen prej ihramit). Kjo u erdhi rëndë sahabëve, andaj thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si të lirohemi prej ihramëve?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Duke u liruar tërësisht.”

Referenca: Umdetul Ahkam 245

246. Nga: Urve ibn Zubejri

Urve ibn Zubejri tregon: “Teksa po rrinim me Usamen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e pyetën: “Si ecte i Dërguari i Allahut ﷺ në Haxhin e Lamtumirës kur largohej (prej Arafatit)?” Ai tha: “Ecte avash, por, kur gjente ndonjë hapësirë, nxitonte.”

Referenca: Umdetul Ahkam 246

247. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, në Haxhin Lamtumirës, i Dërguari i Allahut ﷺ u ndal, në mënyrë që ta pyesnin njerëzit. Një burrë i tha:

- Pa u menduar, i kam rruar flokët para se të ther kurban.

- “There, se s'ka gjë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

- Pa u menduar, e kam therur kurbanin para se t'i gjuaj guralecët, - i tha një tjetër.

- “Gjuaji, se s'ka gjë.”

Atë ditë, sa herë që Pejgamberi ﷺ pyetej për ndonjë veprim të bërë para ose pas radhës së vet, përgjigjej: “Bëje, se s'ka gjë.”

Referenca: Umdetul Ahkam 247

248. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Abdurrahman ibn Jezid Nehaiu tregon se ka bërë haxh me Ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e ka parë duke i gjuajtur shtatë guralecë në Xhemrën e Madhe. Qabenë e la në të majtë, kurse Minan në të djathtë, pastaj tha: “Ky është vendi (ku qëndronte) ai që i është zbritur surja Bekare (Pejgamberi ﷺ).”

Referenca: Umdetul Ahkam 248

249. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

- “O Allah, mëshiroji ata që i rruajnë flokët!”

- Edhe ata që i shkurtojnë, o i Dërguari i Allahut! - i thanë të pranishmit.

- “O Allah, mëshiroji ata që i rruajnë flokët!”

- Edhe ata që i shkurtojnë, o i Dërguari i Allahut!

- “Edhe ata që i shkurtojnë”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Umdetul Ahkam 249

250. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkuam në haxh me Pejgamberin ﷺ. Ditën e Bajramit, pasi e kryem tavafin e haxhit, Safijës i erdhën menstruacionet. Pejgamberi ﷺ deshi t'i afrohej, ashtu siç i afrohet burri gruas, por unë i thashë se ajo është me menstruacione.

- “Do të na vonojë (nga udhëtimi për në Medinë derisa ta kryej tavafin e haxhit)?” - tha Pejgamberi ﷺ.

- E ka kryer tavafin e haxhit ditën e Bajramit, - i thanë.

- “Nisuni!” - tha ai.”

Një tekst tjetër:

Pejgamberi ﷺ tha:

- “Sa fatkeqe! A e ka kryer tavafin ditën e Bajramit të Kurbanit?”

- Po, - i thanë.

- “Mund të vazhdosh rrugën”, - i tha Safijes.

Referenca: Umdetul Ahkam 250

251. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njerëzit janë urdhëruar që tavafi të jetë vepra e fundit (para se të dalin nga Meka), përveç femrës me menstruacione, së cilës i është bërë lehtësim.”

Referenca: Umdetul Ahkam 251

252. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Abas ibn Abdulmutalibi i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut ﷺ për të bujtur në Mekë gjatë netëve të Minas, për shkak të shpërndarjes së ujit (që e bënte), e në atë rast Pejgamberi ﷺ e lejoi.”

Referenca: Umdetul Ahkam 252

253. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Muzdelife Pejgamberi ﷺ e bashkoi akshamin me jacinë, me nga një ikamet për secilin namaz. Nuk fali asgjë tjetër mes tyre e as pas tyre.”

Referenca: Umdetul Ahkam 253

11. Nënkapitulli: Murhimit i lehohet të haj nga gjahu i atij që nuk është në ihram

254. Nga:

Ebu Katade Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ u nis për në haxh, iu bashkëngjitën edhe shokët e tij. Njërin grup të tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu Katadja, e drejtoi duke i thënë: “Shkoni rrugës së bregdetit, derisa të takohemi.” Kështu, ata zgjodhën rrugën e bregdetit.

Kur u nisën, të gjithë hynë në ihram, përveç Ebu Katades. Gjatë rrugës panë disa zebra, të cilave Ebu Katadja iu vërsul dhe theri një prej tyre. U ndalën për të ngrënë mishin e gjahut, ndërkohë thanë: “Si po hamë mish gjahu, kur jemi në ihram?!” Sakaq, e morën pjesën e mbetur të mishit të zebrës dhe, me të vajtur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne hymë në ihram, përveç Ebu Katades, që nuk hyri. (Gjatë rrugës) pamë disa zebra, të cilave Ebu Katadja iu vërsul dhe theri një prej tyre.” U ndalëm dhe hëngrëm nga mishi i saj, pastaj thamë: “Si po hamë mish gjahu, kur jemi në ihram?!” Prandaj, e morëm pjesën e mbetur të mishit me vete. Ai tha:

- “Vallë, mos ndokush prej jush e ka urdhëruar që ta gjuajë ose i ka bërë me shenjë drejt saj?”

- Jo, - i thanë.

- “Hajeni pjesën e mbetur të mishit pra”, - tha ai.

Në një tansmetim qëndron: Pejgamberi ﷺ: “Ju ka mbetur gjë prej saj?”

Po, - i thashë dhe ia dhashë pjesën që e kisha ruajtur, të cilën Pejgamberi ﷺ e hëngri të tërën.

Referenca: Umdetul Ahkam 254

255. Nga: Sab ibn Xhethame Lejthiu

Sab ibn Xhethame Lejthiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa ishte në Ebva, - ose ka thënë: Vedan, - të Dërguarit të Allahut ﷺ i dhuroi një zebër, por ai ia refuzoi. Mirëpo, kur ia vërejti hidhërimin në fytyrë, i tha: “Nuk ta refuzuam për diçka tjetër, por vetëm pse jemi në ihramë.”

Muslimi në tekstin e tij sjell: “Kofshën e zebrës.”

Në një tekst tjetër: “Gjysmën e zebrës.”

Në një tekst tjetë: “Pjesën e pasme të zebrës.”

Argumentimi me këtë hadith është se ai kishte menduar se gjahu është bërë enkas për të e muhrimit nuk i lejohet të hajë nga ajo që është gjuajtur për shkak të tij.

Referenca: Umdetul Ahkam 255