7. Testamenti
296. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për një musliman, që ka diçka për të lënë testament, është e udhës të mos i kalojnë dy net pa e pasur testamentin të gatshëm me shkrim.”
Muslimi shton: "Betohem në Allahun se qëkurse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e përmendur këtë, nuk më ka kaluar asnjë natë pa e pasur testamentin pranë vetes.”
Referenca: Umdetul Ahkam 296
297. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më vizitoi në Mekë, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që më solli në prag të vdekjes, e në atë rast i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë: a t'i jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?
- “Jo”, - tha ai.
- Gjysmën? - e pyeta.
- “Jo.”
- Një të tretën?
- “Edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë (të varfër) e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas hixhretit tim (e nuk do të kthehem në Medinë)? - i thashë.
- “Nuk ndodh të jetosh më gjatë, të punosh vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin e Allahut e të të mos shtohet (për të) një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh pas meje, aq sa dikush (nga miqtë) do të përfitojë nga ti, e dikush (nga armiqtë) do të dëmtohet prej teje. Sa i pafat që është Sad ibn Havle!” - tha Pejgamberi ﷺ.
I Dërguari i Allahut ﷺ e qante Sad ibn Havlen, ngaqë pati vdekur në Mekë (atyre nuk u pëlqente të vdisnin aty pasi kishin migruar prej saj).
Sufjani ka thënë: “Sad ibn Havle ishte një burrë nga fisi i Amër ibn Luejit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 297
298. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ah, sikur njerëzit të kalonin (në testament) nga një e treta në një të katërtën, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një e treta, madje edhe një e treta është shumë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 298
1. Nënkapitulli: Trashigëmia
299. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jepuani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, ndërsa ajo që tepron i përket mashkullit më të afërt në hise.”
Në një transmetim tjetër qëndron: “Jepuani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon sipas Librit të Allahut, ndërsa ajo që mbetet pas hiseve të tyre i takon personit më të afërt mashkull.”
Referenca: Umdetul Ahkam 299
300. Nga: Usame ibn Zejdi
Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se iu drejtua Pejgamberit ﷺ (në haxhin lamtumirës): “O i Dërguari i Allahut, a do të zbresësh te shtëpia jote në Mekë?” Ai tha: “Vallë, a mos na ka lënë Akili ndonjë vendbanim apo shtëpi?!”
Pastaj tha: “Muslimani nuk trashëgon nga jomuslimani e as jomuslimani nuk trashëgon nga muslimani.”
Referenca: Umdetul Ahkam 300
301. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shitjen dhe dhurimin e meritës së çrobërimit të një robi.”
Referenca: Umdetul Ahkam 301
302. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Ngjarja e Berirës na begatoi me tri dispozita fetare:
1. Kur u lirua, iu dha mundësia të zgjedhë (të vazhdojë kurorën ose të shkurorëzohet).”
2. Njëherë, kur Berirës i kishin dhënë ca mish, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri tek unë (në shtëpi), ndërkohë tenxherja me mish ishte mbi zjarr. Pejgamberi ﷺ kërkoi ushqim dhe i ofruan bukë me ngjëratë. Ai pyeti: “A nuk pashë një tenxhere me mish mbi zjarr?” I thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut. Aty ka mish sadakaje që i është dhënë Berirës, prandaj nuk deshëm të të jepnim të haje prej tij.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo është sadaka për të, kurse për ne është dhuratë prej saj.”
3. Pejgamberi ﷺ po ashtu në lidhje me Berirën ka thënë: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Referenca: Umdetul Ahkam 302