Sahihu i Buhariut — Hadithi 118
42. Nënkapitulli: Mësimi i diturisë përmendsh
118. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Araxhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njerëzit po thonë se Ebu Hurejra e ka tepruar së transmetuari, mirëpo, sikur të mos ishin dy ajete të Kuranit famëlartë, nuk do t'ju kisha treguar asnjë hadith. Pastaj lexoi: “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Tevrat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (melekë e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë. Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” (Bekare, 159-160) Vëllezërit tanë muhaxhirë kanë qenë të zënë me tregti, vëllezërit ensarë kanë qenë të zënë me punët e fushës, kurse Ebu Hurejra e shoqëronte të Dërguarin e Allahut ﷺ për një bark bukë, ishte i pranishëm aty ku ata nuk ishin dhe mësonte përmendsh gjëra që ata nuk i mësonin.”