Sahihu i Buhariut — Hadithi 1689

103. Nënkapitulli: Hipja mbi kafshën e shenjuar për kurban

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Devetë dhe gjedhet i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi to, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur) duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë. Kur ato të bien në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë punëdrejtëve!” (Haxh, 36-37)

Muxhahidi ka thënë: "Janë quajtur 'budn' (الْبُدْنَ) sepse janë të majme. Fjala 'kanië' (الْقَانِعُ) e ka kuptimin: ai që lyp. Fjala 'muëterr' (الْمُعْتَرُّ) e ka kuptimin: nevojtari apo i pasuri i cili u vjen rreth e përqark deveve dhe gjedhëve (kur të therren, por nuk lyp). Fjala 'Sheair' (شَعَائِرُ) e ka kuptimin: madhërimi (nderimi) i kurbanëve (duke i përzgjedhur ato) të hijshme (dhe të majme). Fjala 'atikë' (الْعَتِيقُ) që është përdurur në ajet, e ka kuptimin: e liruar (çliruar) nga (pushtimi i ) tiranëve. Fjala 'vexhebet' (وَجَبَتْ ) thuhet për diçka që bjen përtokë. Këtë kuptim ka edhe shprehja 'vexhebeti shemsu' (وَجَبَتِ الشَّمْسُ): dielli ka perënduar (sepse disku i diellit ka rënë në fund të horizontit (në sytë e vrojtuesit) dhe pastaj është fshehur)."

1689. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një burrë duke i grahur një deveje, e në atë rast i tha:

- “Hip në të!”

- Është për kurban, - iu përgjigj ai.

- “Hip në të!”

- Është për kurban.

- “Hip në të, mjerë ti!” - i tha për së dyti ose për së treti.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1689

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?