32. Vlera e Natës së Kadrit

1. Nënkapitulli: Vlera e Natës së Kadrit

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre në të (atë natë) zbresin melekët dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr, 1-5) Ibn Ujejne ka thënë: "Kur përmendet në Kuran 'ma edrake?" "مَا أَدْرَاكَ" (E ç’të bëri ty të dish?), veçse ia ka bërë të ditur atij (sepse është në kohën e kryer). Ndërkaq, kur përmendet 'ma judrike?' "وَمَا يُدْرِيكَ" (E ç’të bën ty të dish), nuk ia ka bërë të ditur (sepse është në kohën e tashme).

2014. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mbajtur mend nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t'i falen mëkatet e kaluara. Dhe, kush falet në Natën e Kadrit, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t'i falen mëkatet e kaluara.”

Këtë transmetim e fuqizon Sulejman ibn Kethiri nga Zuhriu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2014

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Kërkimi i Natës së Kadrit në shtatë netët e fundit

2015. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Disa shokë të Pejgamberit ﷺ panë në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Mendoj se ëndrrat tuaja janë përputhur te shtatëshja e fundit. Ai që dëshiron ta kërkojë Natën e Kadrit, le ta kërkojë në shtatëshen e fundit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2015

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2016. Nga: Ebu Seid Hudriu

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai se Ebu Seleme ka thënë: “E kam pyetur Ebu Seidin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e kisha shok, e ai më tha: “Hymë në itikaf me Pejgamberin ﷺ në dhjetëshen e mesme të Ramazanit. Ai doli në mëngjesin e njëzetëshes, na ligjëroi dhe tha: “Më është shfaqur Nata e Kadrit në ëndërr, por pastaj më është harruar, - ose ka thënë: e kam harruar, - andaj kërkojeni atë në netët tek të dhjetëshit të fundit. Në ëndërr pashë tek bëja sexhde mbi ujë dhe baltë, andaj, ai që ka hyrë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ, le të kthehet (ta vazhdojë itikafin në dhjetëshen e fundit).”

Ne u kthyem e në qiell nuk shihnim asnjë re, më pas u shfaq një re dhe filloi të binte shi, saqë çatia e xhamisë, e cila ishte e ndërtuar prej degë hurmash, filloi të pikonte. U thirr ikameti për namaz dhe e pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke rënë në sexhde mbi ujë dhe baltë, saqë ia pashë shenjat e baltës në ballë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2016

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kërkimi i Natës së Kadrit në netët tek të dhjetëshes së fundit

Përkitazi me këtë transmeton edhe Ubade.

2017. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët tek të dhjetëshit të fundit të Ramazanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2017

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2018. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e këta nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshin e mesit të muajit Ramazan. Kur kalonin njëzet net dhe vinte nata e njëzetenjëtë, kthehej në shtëpinë e tij. Kështu vepronin edhe ata që bënin itikaf me të. Njëherë hyri në itikaf dhe, kur arriti nata në të cilën duhej të dilte, ai qëndroi dhe u ligjëroi njerëzve. I urdhëroi aq sa ia mundësoi Allahu dhe, ndër të tjera, u tha: “Unë hyja në itikaf këto dhjetë net, por më pas m'u shpall që të hyj në itikaf në dhjetë netët e fundit. Andaj, ai që ka hyrë në itikaf me mua, le të qëndrojë në vendin e itikafit. Më është shfaqur në ëndërr kjo natë (kur është), por pastaj m'u largua dituria rreth saj, andaj kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit dhe kërkojeni në netët tek. Kam parë në ëndërr se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë.” Atë natë filloi të bjerë shi, saqë në natën e njëzetenjëtë, xhamia filloi të pikonte aty ku falej Pejgamberi ﷺ. Me sytë e mi e pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ kur e kreu namazin e sabahut si iu bë fytyra me baltë dhe ujë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2018

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2019. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkojeni (Natën e Kadrit)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2019

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2020. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit dhe thoshte: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëshen e fundit të Ramazanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2020

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2021. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, se i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëshen e fundit të Ramazanit: në nëntë, shtatë ose pesë netët e fundit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2021

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2022. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Asimi, e ky nga Ebu Mixhlezi dhe Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ajo është në dhjetëshen e fundit. Ajo është në nëntë net të kaluara (nga dhjetëshi i fundit) ose në shtatë net të mbetura (nga dhjetëshi i fundit).” Pra, aludonte në Natën e Kadrit.

Abdulvehabi transmeton nga Ejubi, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi ka thënë: “Kërkojeni atë në natën e njëzetekatërt.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2022

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Largimi i diturisë së Natës së Kadrit për shkak të fjalosjes së njerëzve

2023. Nga: Ubade ibn Samiti

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Humejdi, e këtij i ka treguar Enesi se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli të na lajmëronte për Natën e Kadrit, por papritmas dy muslimanë zunë të fjaloseshin, e në atë rast tha: “Dola t'ju lajmëroja për Natën e Kadrit, por, ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m'u tërhoq dituria për të. Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Andaj, kërkojeni në natën e nëntë, të shtatë dhe të pestë (të dhjetëshes së fundit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2023

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Veprat në dhjetëshen e fundit të Ramazanit

2024. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Jafuri, e ky nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur hynte dhjetëshja (e fundit), Pejgamberi ﷺ i shtrëngonte rrobat (nuk u afrohej grave), e gjallëronte natën (me adhurim) dhe e zgjonte familjen e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2024

Fjalë të panjohura?