Sahihu i Buhariut — Hadithi 347

8. Nënkapitulli: Mjafton vetëm një prekje e dheut për t’u realizuar tejemumi

347. Nga: Shekik ibn Seleme

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi se Shekiku tregon: “Një ditë isha duke ndenjur me Ebu Musain dhe Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ebu Musai i tha Abdullahut:

- Sikur një njeri të bëhej xhunub dhe për një muaj rresht të mos gjente ujë, a nuk do të duhej të merrte tejemum dhe të falej? Çfarë mendoni për ajetin në suren Maide: “... e nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me tokë të pastër...”? (Maide, 6)

- Sikur t'u lejohej kjo, frikësohem se, kur të ndiejnë të ftohtë nga uji do të marrin tejemum me dhé, - i tha Abdullahu.

Ameshi e pyeti Shekikun: “A për këtë arsye e urren marrjen e tejemumit?”

- Po, - i tha Shekiku, pastaj vazhdoi së rrëfyeri:

Ebu Musai sërish e pyeti Abdullahun:

- A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që ia pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ më pati dërguar për të kryer një punë dhe, gjatë rrugës, qeshë bërë xhunub e nuk pata gjetur ujë, andaj qeshë rrokullisur nëpër tokë, siç rrokulliset kafsha. Kur ia pata përmendur këtë Pejgamberit ﷺ, më pati thënë: “Do të të kishte mjaftuar të veproje kështu” - pati prekur tokën me dorë, i pati shkundur duart dhe e pati fshirë shpinën e dorës (së djathtë) me të majtën (dhe anasjelltas) e pastaj, me të dyja, e pati fshirë edhe fytyrën?”

- A nuk e ke vënë re se Omerit nuk i qe mbushur mendja nga fjala e Amarit? - i tha Abdullahu.

Jaëlai në transmetimin e tij nga Ameshi, e ky nga Shekiku ka shtuar: “Isha me Abdullahun dhe Ebu Musain kur ky i fundit iu drejtua Abdullahut: “A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që i pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ na pati dërguar ne dy për një punë dhe unë qeshë bërë xhunub, andaj qeshë rrokullisur nëpër dhé. E, kur qemë kthyer te Pejgamberi ﷺ, i patëm treguar për këtë dhe na pati thënë: “Do të të mjaftonte kjo” - pati fshirë fytyrën dhe shuplakat një herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 347

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?