44. Konfliktet
1. Nënkapitulli: Transmetimet e përmendura rreth sjelljes së dikujt para gjykatësit dhe rreth konflikteve mes muslimanëve e hebrenjve
2410. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdulmelik ibn Mejsera, e ky e ka dëgjuar Nezalin se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova dikë duke lexuar një ajet ndryshe nga ajo që kisha dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke e lexuar. Sakaq e mora për dore dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili tha: “Të dy e keni mirë.”
Shuëbe thotë: “Më duket se ka thënë: “Mos u përçani mes vete, sepse ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar pasi janë përçarë.”
2411. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme dhe Abdurrahman Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dy burra u zunë mes vete, njëri musliman, tjetri hebre. Muslimani tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Muhamedin ndaj gjithë njerëzimit.” Hebreu tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndaj gjithë njerëzimit.” Atëherë muslimani e ngriti dorën dhe i ra shuplakë fytyrës hebreut, kështu që hebreu shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe ia tregoi ngjarjen me muslimanin. Pejgamberi ﷺ e thirri muslimanin në fjalë dhe e pyeti rreth ngjarjes. Pasi i tregoi, Pejgamberi ﷺ tha: “Mos më mbivlerësoni kundrejt Musait, se, kur njerëzve t'u bjerë të fikët Ditën e Kiametit, do të më bjerë edhe mua, por unë do të jem i pari që do të këmdellem. Atëherë do ta shoh Musain duke u mbajtur anash Arshit. Nuk di nëse edhe atij i ka rënë të fikët dhe është zgjuar para meje apo është prej atyre ndaj të cilëve Allahu ka bërë përjashtim.”
2412. Nga: Ebu Seid Hudriu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Amër ibn Jahjai, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte duke ndenjur, erdhi një hebre dhe i tha:
- O Ebu Kasim, një shok yti më ra shuplakë fytyrës.
- “Cili?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Një ensar.
- “Thirrma këtu! - i tha Pejgamberi ﷺ, pastaj e pyeti muslimanin: - “I ke rënë shuplakë?”
- E dëgjova në treg të betohet duke thënë: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndaj gjithë njerëzimit.” I thashë: “O i prishur, a edhe ndaj Muhamedit ﷺ?!” Atëherë më kaploi mllefi dhe i rashë shuplakë fytyrës, - tha ensariu.
- “Mos i mbivlerësoni pejgamberët kundrejt njëri-tjetrit, se, kur njerëzve t'u bjerë të fikët Ditën e Kiametit, unë do të jem i pari që do të përmendem. Atëherë do ta shoh Musain të kapur për një shtyllë të Arshit. Nuk di nëse edhe atij i ka rënë të fikët apo është mjaftuar me herën e parë që i kishte rënë të fikët (kur kishte kërkuar ta shihte Allahun sa ishte gjallë).”
2413. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një hebre ia kishte shtypur kokën një robëreshe me dy gurë. E pyetën: “Vallë, kush ta ka bërë këtë? Filani, filani...?” Me të përmendur emrin e hebreut, ajo bëri me kokë (duke pohuar). E morën hebreun, i cili e pranoi veprën e bërë, dhe Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i shtypej koka me dy gurë (siç kishte bërë me robëreshën).”
2. Nënkapitulli: Kthimi i pasurisë së mendjelehtit dhe njeriut të cekët edhe nëse udhëheqësi ende nuk ia ka bllokuar pasurinë e tij
Përmendet se Xhabiri ka treguar se Pejgamberi ﷺ ia kishte kthyer sadakanë një personi (pasi e kishte dhënë) pastaj e ndaloi nga një veprim i tillë. Maliku ka thënë: "Nëse dikush është në borxhe dhe nuk posedon asgjë përveçse një rob, nuk lejohet lirimi i këtij robi."
3. Nënkapitull
Ai që përfaqëson një njeri të cekët në tregti, pastaj ia jep paratë e fituara për t’u kujdesur për vete, nëse i tilli sërish e shpërdoron pasurinë, atëherë i bllokohet. Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shpërdorimin e pasurisë. Atij që mashtrohej lehtë në tregti, i ka thënë: “Kur të bësh tregti, thuaj: "(Feja na mëson se) nuk lejohet mashtrimi”, por nuk ia ka bllokuar pasurinë.
2414. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë mashtrohej lehtë në tregti, andaj Pejgamberi ﷺ i tha: “Kur të bësh tregti, thuaj: “Nuk lejohet mashtrimi.” Pas kësaj, ai gjithmonë e thoshte këtë.”
2415. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Asim ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë liroi një rob, përveç të cilit nuk kishte pasuri tjetër, andaj Pejgamberi ﷺ ia ktheu sërish nën pronësi dhe ia shiti Nuajm ibn Nahamit.
4. Nënkapitulli: Fjalët e palëve në konflikt ndaj njëra-tjetrës
2416. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2416, 2417 - Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Eshathi rrëfen: “Betohem në Allahun se ky ajet ka zbritur për mua: Kam qenë ortak me një hebre në një tokë, por ai e mohonte ortakërinë, andaj e solla para të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili më tha:
- “A ke dëshmi?”
- Jo, - i thashë.
- “Betohu (që tërë toka është jotja)!” - i tha hebreut.
- O i Dërguari i Allahut, ai do të betohet dhe do të ma marrë pasurinë, - i thashë.
Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit e as do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
2417. Nga: Abdullah ibn Mesudi
2416, 2417
2418. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abdullahu, i biri i Kab ibn Malikut, se babai i tij Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se shkoi tek Ibn Ebu Hadredi në xhami për t'i kërkuar kthimin e borxhit. (Për shkak të zënkës) i ngritën zërat, saqë i dëgjoi edhe i Dërguari i Allahut ﷺ duke qenë në shtëpi. Ai doli, e ngriti perden dhe thirri:
- “O Kab!”
- Urdhëro, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigj Kabi.
- “Fali një pjesë të borxhit!” - dhe bëri me dorë, pra, gjysmën.
- Po ia fal, o i Dërguari i Allahut.
- “Ngrihu dhe ktheja pjesën tjetër (të borxhit)!” - i tha tjetrit.
2419. Nga: Omer ibn Hatabi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri, e ky nga Abdurrahman ibn Abdulkaëriu se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E dëgjova Hisham ibn Hakim ibn Hizamin duke lexuar suren Furkan ndryshe nga unë, ndërsa mua ma kishte mësuar vetë i Dërguari i Allahut ﷺ. Për pak sa nuk i ndërhyra (në namaz), por u ndala dhe prita derisa e kreu, pastaj e kapa për xhybe dhe e dërgova tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i thashë:
- E dëgjova këtë duke lexuar ndryshe nga ajo që ma ke mësuar mua.
- “Lëshoje!” - më tha Pejgamberi ﷺ.
- “Lexo!” - i tha Hishamit, e ai lexoi.
- “Kështu ka zbritur”, - pastaj më tha mua: “Lexo!”.
Pasi lexova, tha:
- “Kështu ka zbritur. Dijeni se Kurani ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni si t'ju vijë më lehtë.”
5. Nënkapitulli: Dëbimi i mëkatarëve dhe ngatërrestarëve nga shtëpitë pasi të qartësohet puna tyre
Omeri e ka dëbuar motrën e Ebu Bekrit për shkak të vajtimit.
2420. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ebu Adiu, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më ka shkuar mendja të urdhëroj dikë t'u prijë njerëzve në namaz, ndërsa vetë të shkoj në shtëpitë e disave që nuk prezantojnë në namaz me xhemat dhe t'ua djeg shtëpitë.”
6. Nënkapitulli: Pretendimi i testamentit nga i vdekuri
2421. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Abd ibn Zema dhe Sad ibn Ebu Vekasi u grindën për një fëmijë të një robëreshe të Zemës, andaj shkuan te Pejgamberi ﷺ. Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, vëllai im më ka porositur që, kur të vij në Mekë, ta kërkoj të birin e robëreshës së Zemës dhe ta marr, sepse ai është i biri i tij.
- Ky është vëllai im dhe biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e babait tim, - tha Abd ibn Zema.
Pejgamberi ﷺ e dallonte qartë ngjashmërinë e fëmijës me Utben (vëllanë e Sadit), megjithatë tha: “Të takon ty, o Abd ibn Zema. Fëmija i takon shtratit legjitim, andaj mbulohu prej tij, oj Sevdë (bint Zema).”
7. Nënkapitulli: Të lidhurit e atij, prej të cilit kanoset ndonjë vepër e pahijshme apo rrezik
Ibn Abasi e ka lidhur Ikrimen për mësim të Kuranit, Sunetit dhe feraidit (shkencës së trashëgimisë).
2422. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të Nexhdit, të cilët u kthyen me një burrë nga fisi benu hanife, që e quanin Thumame ibn Uthal, i cili ishte zotëria i banorëve të Jemenit. E lidhën në një nga shtyllat e xhamisë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe i tha:
- “Ç'ke për të thënë, o Thumame?”
- Vetëm mirësi, o Muhamed!
Pastaj, Ebu Hurejra e rrëfeu ngjarjen deri kur Pejgamberi ﷺ thotë:
- “Lirojeni Thumamen.”
8. Nënkapitulli: Të lidhurit dhe burgimi i dikujt brenda në harem
Nafi ibn Abdulharithi e ka blerë një shtëpi në Mekë nga Safvan ibn Umeje, për ta përdorur si burg, me kusht nëse Omeri pranonte, e, nëse jo, atëherë Safvanit do t’i mbesnin katërqind dinarë. Ibn Zubejri ka burgosur dikë në Mekë.
2423. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë drejt Nexhdit, të cilët u kthyen me një burrë nga fisi benu hanife, që quhej Thumame ibn Uthali, të cilin e lidhën në një nga shtyllat e xhamisë.
9. Nënkapitulli: Ndjekja e borxhliut
2424. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhafer ibn Rebia. [t]: Të tjerë kanë thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi, e ky nga Abdullahu, i biri i Kab ibn Malik Ensariut se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e takoi Abdullah ibn Hadred Eslemiun, i cili i kishte borxh, dhe e ndoqi pas. U grindën mes vete, madje i ngritën zërat. Pejgamberi ﷺ kaloi atypari dhe u tha: “O Kab!” - dhe ia bëri me dorë: gjysmën. Kështu, Kabi ia fali gjysmën e borxhit dhe e mori pjesën tjetër.
10. Nënkapitulli: Kërkimi për kthimin e borxhit
2425. Nga: Habab ibn Ereti
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Para Islamit kam qenë farkëtar. As ibn Vaili më kishte një borxh dhe, kur vajta për t'ia kërkuar, më tha:
- Nuk ta kthej derisa ta mohosh Muhamedin.
- Jo, për Allahun, nuk e mohoj Muhamedin ﷺ derisa Allahu të ta marrë shpirtin e të të ringjallë sërish, - ia ktheva.
- Në rregull, pra, më lër të vdes dhe të ringjallem, të furnizohem me pasuri e djem, pastaj ta kthej borxhin, - tha As ibn Vaili.
Atëherë zbriti ajeti: “Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në argumentet Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët?!” (Merjem, 77)