46. Padrejtësitë
Ky kapitull flet për padrejtësitë dhe rrëmbimin e gjërave pa të drejtë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.” Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.” (Ibrahim, 42-47)
1. Nënkapitulli: Shpagimi i padrejtësive
2440. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Katadja, e ky nga Ebu Mutevekil Naxhiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasi besimtarët (e kalojnë Urën e Siratit dhe) shpëtojnë prej Zjarrit, do të ngujohen në kantare, mes Xhenetit dhe Zjarrit, ku do t'ia shpaguajnë njëri-tjetrit padrejtësitë që i kanë bërë në dynja. Pasi të dëliren e të pastrohen, u lejohet të hyjnë në Xhenet. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit ﷺ, se ata do t'i njohin rrugët për në vendbanimet e tyre në Xhenet më mirë sesa i njihnin rrugët për në shtëpitë e tyre në dynja.”
Junus ibn Muhamedi ka thënë: “Na ka treguar Shejbani nga Katadja, e këtij i ka treguar Ebu Mutevekili.”
2. Nënkapitulli: Ajeti: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!”
2441. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Safvan ibn Muhriz Maziniu tregon: “Teksa po ecja me Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të kapur për dore, na doli përpara një burrë dhe tha:
- E ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ çfarë ka thënë për momentet kur Allahu e veçon robin dhe i flet në vetmi (Ditën e Gjykimit)?
Abdullah ibn Omeri iu përgjigj: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Allahu do ta afrojë besimtarin, do t'ia vendosë sipër Mbulesën e Tij, duke e mbuluar, dhe do t'i thotë:
- A po të kujtohet filan mëkati? A po të kujtohet filan mëkati?
- Po, o Zoti im! - i përgjigjet robi.
Do ta pyesë kështu, derisa t'i pranojë të gjitha mëkatet dhe të mendojë se tanimë është shkatërruar. Allahu do t'i thotë: “T'i kam mbuluar në dynja, ndërsa sot po t'i fal të gjitha.” Pastaj ia jep librin e veprave të mira.
Ndërkaq, sa u përket jobesimtarëve dhe hipokritëve, dëshmitarët do të thonë: “Këta gënjenin kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!” (Hud, 18)
3. Nënkapitulli: Muslimani as i bën padrejtësi muslimanit, as e dorëzon (aty ku i bëhet padrejtësi)
2442. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, as e dorëzon (aty ku i bëhet padrejtësi). Atij që i del në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t'i dalë në ndihmë; atij që i largon muslimanit një brengë, Allahu do t'i largojë një brengë Ditën e Kiametit dhe atij që i mbulon muslimanit një të metë, Allahu do t'i mbulojë një të tillë Ditën e Kiametit.”
4. Nënkapitulli: Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë kur bën padrejtësi, qoftë kur i bëhet padrejtësi
2443. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi dhe Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë kur bën padrejtësi, qoftë kur i bëhet padrejtësi.”
2444. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë kur bën padrejtësi, qoftë kur i bëhet padrejtësi.”
- O i Dërguari i Allahut, është e qartë se duhet ta ndihmojmë kur i bëhet padrejtësi, por si ta ndihmojmë kur ai bën padrejtësi? - pyetën të pranishmit.
- “Duke e ndalur nga të bërët padrejtësi,” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
5. Nënkapitulli: Të ndihmuarit e atij që i bëhet padrejtësi
2445. Nga: Bera ibn Azibi
Seid ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Eshath ibn Sulejmi, e ky e ka dëgjuar Muaviu ibn Suvejdin se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra dhe na i ka ndaluar shtatë të tjera, pastaj përmendi:
1. Vizitën e të sëmurit,
2. Përcjelljen e xhenazes,
3. Lutjen për atë që teshtin,
4. Kthimin e selamit,
5. Ndihmën ndaj atij që i bëhet padrejtësi,
6. Përgjigjen ndaj ftesës,
7. Përmbushjen e asaj për të cilën dikush na është betuar.”
2446. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtarët mes vete janë sikurse ndërtesa: e përforcojnë njëri-tjetrin”, - dhe gërshetoi gishtërinjtë e tij.
6. Nënkapitulli: Hakmarrja ndaj atij që bën padrejtësi
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveç nga ai që i është bërë e padrejtë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Nisa, 148), “Dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak.” (Shura, 39). Ibrahim Nehaiu ka thënë: "E urrenin që dikush t’i nënçmonte, ndërsa kur ishin fitimtarë, falnin."
7. Nënkapitulli: Falja e atij që i është bërë padrejtësi
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Në qoftë se ju bëni ndonjë vepër të mirë haptazi ose fshehurazi ose falni ndonjë vepër të keqe, Allahu është Falës i madh dhe i Plotfuqishëm.” (Nisa, 149) Ai po ashtu ka thënë: “Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët. Për atë që përgjigjet, kur i është bërë një padrejtësi, nuk ka kurrfarë qortimi ndaj tij. Qortim ka vetëm kundër atyre që u bëjnë keq njerëzve dhe që pa të drejtë mbjellin ngatërresa në Tokë; për ata ka dënim të dhembshëm. Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme. Për atë që Allahu e shpie në humbje, nuk ka mbrojtës tjetër përveç Tij. Ti do të shohësh se si keqbërësit, kur ta shohin dënimin, do të thonë: "A ka ndonjë rrugë për t’u kthyer?” (Shura, 40-44)
8. Nënkapitulli: Padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Kiametit
2447. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz Maxhishuni, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Kiametit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2447
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Ruajtja dhe kujdesi nga duaja e atij që i është bërë padrejtësi
2448. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e këtij i ka treguar Zekerija ibn Is'hak Mekiu, e ky nga Jahja ibn Abdullah ibn Sajfiu, e ky nga Ebu Mabedi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ e dërgoi Muadhin në Jemen, i tha: “Ruaju duasë së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes saj dhe Allahut nuk ka perde.”
10. Nënkapitulli: Nëse dikush i ka bërë padrejtësi tjetrit, kur i kërkon hallall, a duhet t’ia sqarojë padrejtësinë e bërë?
2449. Nga: Ebu Hurejra
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që i ka bërë padrejtësi vëllait të vet, në nder a në diçka tjetër, le t'ia kërkojë hallallin sot, para se të vijë koha kur nuk vlen as dinari e as dërhemi. Nëse posedon vepra të mira, i merren në përputhje me padrejtësinë e bërë, e, nëse nuk ka vepra të mira, merren mëkatet e tjetrit dhe i ngarkohen këtij të parit.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) tregon se Ismail ibn Ebu Uvejsi ka thënë: “Makburi (komshi i varrezave) është quajtur kështu sepse banonte përskaj varrezave. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Seid Makburi është i çrobëruari i fisit benu lejth, quhet Seid ibn Ebu Seidi, kurse emri i Ebu (babait të) Seidit është Kejsan.”
11. Nënkapitulli: Nëse i kërkon hallall për një padrejtësi, nuk i lejohet ta përsërisë atë
2450. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë...”, (Nisa, 128) ka thënë: “Nëse një burrë, i martuar me një grua, nuk tregon interes ndaj saj dhe dëshiron ta lëshojë, ajo mund t'i thotë: “Po t'i bëj hallall të gjitha obligimet që ke ndaj meje (vetëm që ta mbajë edhe më tutje nën kurorë, pa pasur ndonjë obligim ndaj saj).” Pra, ky ajet ka zbritur për këtë çështje.
12. Nënkapitulli: Nëse dikujt i kërkon leje për diçka ose ia kërkon hallallin, por nuk ia bën të ditur sasinë
2451. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Hazim ibn Dinari se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë për të pirë, ndërsa në të djathtë kishte një djalosh, kurse të vjetrit ndodheshin në të majtë të tij. Pejgamberi ﷺ iu drejtua djaloshit:
- “A më lejon t'ua jap më të vjetërve?”
- Jo, për Allahun, o i Dërguari i Allahut! Nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon mua, prej asaj që ka mbetur nga ti - ia ktheu djaloshi.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ ia lëshoi ibrikun në dorë.”
13. Nënkapitulli: Mëkati i atij që zapton tokën e huaj
2452. Nga: Seid ibn Zejdi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Talha ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Amër ibn Sehli se Seid ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Atij që ia zapton tokën dikujt padrejtësisht, (Ditën e Kiametit) do t'i ngarkohen shtatë të tilla.”
2453. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Husejni, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Ibrahimi se Ebu Seleme tregon se kishte pasur një mosmarrëveshje me disa persona (për një tokë), gjë të cilën ia përmendi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e në atë rast ajo i tha: “O Ebu Seleme, lëre tokën, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i bën padrejtësi dikujt, duke i zaptuar qoftë dhe një pëllëmbë tokë, (Ditën e Kiametit) do t'i ngarkohen shtatë të tilla.”
2454. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Mubareku, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Salimi se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që zapton padrejtësisht, qoftë dhe një pjesëz toke, Ditën e Kiametit do të fundoset sa shtatë të tilla.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ky hadith nuk gjendet në shkrimet e Ibn Mubarekut në Horasan, të cilat ia kanë diktuar në Basra.”
14. Nënkapitulli: Nëse dikush i lejon tjetrit diçka, nuk prish punë nëse veprohet
2455. Nga: Abdullah ibn Omeri
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Xhebele tregon: “Kur na kaploi skamja, qëndronim në Medinë me disa banorë të Irakut (të ardhur si delegacion), andaj Ibn Zubejri na sillte hurma. Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kalonte afër nesh, na thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar ngrënien e dy e më shumë hurmave njëherësh, përveç nëse i kërkon leje vëllait të tij (kur ha nga po e njëjta enë).”
2456. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ensar, i quajtur Ebu Shuajb, posedonte një shërbëtor kasap. Kështu, Ebu Shuajbi i tha: “Na përgatit ushqim për pesë persona, sepse dua ta ftoj Pejgamberin ﷺ vetë të pestin.” Uria vërehej në fytyrën e Pejgamberit ﷺ, andaj e ftoi. Por, atyre iu bashkëngjit një person i paftuar, kështu që Pejgamberi ﷺ e pyeti Ebu Shuajbin:
- “Ky na ndoqi. A po e lejon të na bashkëngjitet?”
- Po, - tha ai.”
15. Nënkapitulli: Ajeti: “... dhe ai është kundërshtari (yt) i përbetuar.”
2457. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu më i urryer tek Allahu është kundërshtari i përbetuar.”
16. Nënkapitulli: Mëkati i atij që armiqësohet padrejtësisht e me vetëdije të plotë
2458. Nga: Umu Seleme
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Umu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi një zënkë në afërsi të derës së shtëpisë, andaj doli dhe u tha: “Unë jam njeri (si ju, nuk e di të fshehtën) dhe ka raste kur njerëzit më vijnë të armiqësuar në mes vete. Ndodh që dikush të jetë më orator në argumentim se tjetri, andaj unë mund të mendoj se ai ka të drejtë dhe të gjykoj në favor të tij. Por, nëse gjykoj në favor të dikujt, duke i shkelur të drejtën një muslimani tjetër, dijeni se ajo është një copë zjarri, andaj, ose le ta pranojë, ose le ta refuzojë.”
17. Nënkapitulli: Kur polemizon me dikë, shpërthen (i tejkalon kufijtë)
2459. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Bishër ibn Halidi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamedi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i ka (këto) katër tipare, është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërën prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë:
1. Kur flet, gënjen;
2. Kur premton, nuk e mban atë;
3. Kur i besohet, tradhton;
4. Kur polemizon, bëhet vulgar.”
18. Nënkapitulli: Hakmarrja e të dëmtuarit nëse e gjen pasurinë e atij që i ka bërë zullum
Ibn Sirini ka thënë: I merr hak, - dhe ka lexuar ajetin: “Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar...” (Nahl, 126)
2460. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Hind bint Utbe ibn Rebia i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Sufjani është dorështrënguar, andaj a më llogaritet mëkat nëse familjen tonë e ushqej me pasurinë e tij?”
- “S'ka gjë nëse i ushqen ata me masë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
2461. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyetëm Pejgamberin ﷺ:
- Kur po na dërgon si delegatë nëpër vise të ndryshme, ka raste që vendasit nuk po na bëjnë konak: çfarë na këshillon të veprojmë në këso rastesh?”
- “Kur të shkoni në ndonjë vend dhe ju ofrojnë konak, siç i takon mysafirit, pranoni. E, nëse nuk ju ofrojnë konak, merrni prej tyre (ushqim) aq sa ju takon si mysafirë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”
19. Nënkapitulli: Transmetimet në lidhje me strehët
Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij kanë qëndruar në strehën e fisit benu saide.
2462. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Maliku. [t]: Junusi transmeton nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Abdullah ibn Abasi transmeton se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i kishte rrëfyer: “Kur Allahu ia mori shpirtin të Dërguarit të Tij ﷺ, ensarët u tubuan në strehën e fisit benu saide.” Atëherë i thashë Ebu Bekrit: “Të shkojmë edhe ne!” Kështu, vajtëm tek ata, në strehën e fisit benu saide.”
20. Nënkapitulli: Askush të mos e ndalojë fqinjin e vet për të vendosur ndonjë dru në murin e tij
2463. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ndalojë fqinjin e vet të vendosë ndonjë dru në murin e tij.”
Pastaj Ebu Hurejra u tha njerëzve: “Ç'është puna juaj që po i shmangeni këtij hadithi? Betohem në Allahun se këtë hadith do ta hedh në mesin tuaj (do ta tregoj kudo që shkoj).”
21. Nënkapitulli: Derdhja e alkoolit në rrugë
2464. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdurrahim Ebu Jahjai na ka thënë: Na ka rrëfyer Afani, e këtij i ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në shtëpinë e Ebu Talhait u shërbeja njerëzve për të pirë. Vera që ata e konsumonin atëkohë prodhohej prej hurmash të njoma. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi një tellall t'u thërrasë njerëzve: “Alkooli është bërë haram!” Ebu Talhai më tha: “Dil derdhe!” Unë dola dhe e derdha, sakaq ajo shkoi rrëke nëpër rrugët e Medinës.
Disa njerëz thanë: “Ka njerëz që janë vrarë duke pasur alkool në barqet e tyre!” Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira për atë me të cilën janë ushqyer (më herët) derisa ruhen (prej haramit), besojnë dhe bëjnë vepra të mira, mandej ruhen (nga ajo që ka qenë e lejuar e është e ndaluar) dhe besojnë dhe pastaj ruhen (nga çdo mëkat) dhe bëjnë mirë. Allahu i do ata që bëjnë mirë.” (Maide, 93)
22. Nënkapitulli: Oborret e shtëpive dhe ndeja nëpër to, si dhe ndeja në pragjet e shtëpive
Aishja tregon: "Ebu Bekri ndërtoi një xhami në oborr të shtëpisë së vet, ku falej dhe lexonte Kuran. Gratë dhe bijtë e kurejshëve grumbulloheshin aty, duke u kënaqur me leximin e tij. Atëkohë Pejgamberi ﷺ ishte në Mekë."
2465. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Ebu Omer Hafs ibn Mejsera, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes, mos u ulni nëpër rrugë!”
- Nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse aty i bëjmë ndejat dhe bisedojmë mes vete, - i thanë.
- “Atëherë, nëse tuboheni për ndeja, respektoni rregullat e rrugës”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Cilat janë rregullat e rrugës?
- “Të ulet shikimi, të mos pengohet tjetri, të kthehet selami, të urdhërohet në mirësi dhe të ndalohet e keqja”, - u tha Pejgamberi ﷺ."
23. Nënkapitulli: Hapja e puseve përgjatë rrugës, përderisa nuk pengohet askush
2466. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ecte nëpër një rrugë, e mori etja fort. Andaj, kur gjeti një pus, zbriti dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: “E paska marrë etja siç më pati marrë mua.” Kështu, zbriti sërish në pus, e mbushi këpucën me ujë dhe i dha qenit për të pirë. Allahu i ishte mirënjohës për veprën, prandaj ia fali mëkatet.”
Sahabët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?”
- “Për çdo gjallesë që ka mushkëri të njomë ka shpërblim”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
24. Nënkapitulli: Mënjanimi i pengesës nga rruga
Hemami transmeton nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mënjanimi i pengesës nga rruga konsiderohet sadaka.”
25. Nënkapitulli: Dhomat e ngritura (nga sipërfaqja e tokës) dhe të pangriturat, mbi tarracë apo gjetkë
2467. Nga: Usame ibn Zejdi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi në një nga kullat e Medinës dhe tha: “Vallë, a po shihni atë që po shoh unë? Po i shoh vendet e sprovave, ndërmjet shtëpive tuaja, sikurse vendet e pikave të shiut.”
2468. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Ebu Thevri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjithmonë doja ta pyesja Omerin rreth dy grave të Pejgamberit ﷺ, për të cilat Allahu ka thënë: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...” (Tahrim, 4) Kështu, shkova në haxh me të dhe, gjatë rrugës, ai u ndal diku, e unë i shkova pas me një kovë ujë. Ai e kreu nevojën dhe, kur u kthye, i hodha ujë në duar për të marrë abdes. I thashë: “O prijës i besimtarëve, cilat janë dy gratë e Pejgamberit ﷺ, të cilave Allahu u është drejtuar në Kuran duke u thënë: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...”? (Tahrim, 4) Ai tha: “Çudi me ty, o Ibn Abas! Aishja dhe Hafsa.” Pastaj filloi ta tregojë tërë hadithin dhe tha: “Unë dhe një fqinj imi ensar banonim në territorin e fisit të Umeje ibn Zejdit, - territor ky në periferi të Medinës. - Ndërroheshim me njëri-tjetrin për të qëndruar me Pejgamberin ﷺ: një ditë shkonte ai, ditën tjetër unë. Kur shkoja, ia sillja atij ndodhitë e asaj dite, urdhrat e Pejgamberit ﷺ dhe gjërat e tjera. Njëjtë vepronte edhe ai.
Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por, kur erdhëm tek ensarët, i gjetëm gratë t'i mbizotëronin burrat. Kështu, gratë tona filluan të marrin nga sjelljet e grave të ensarëve.
Një ditë, ia ngrita zërin gruas, ndërsa ajo ma ktheu fjalën. Ia tërhoqa vërejtjen që të mos ma kthejë fjalën, por ajo më tha: “Vallë, pse po ma tërheq vërejtjen të ta kthej fjalën? Betohem në Allahun se edhe gratë e Pejgamberit ﷺ ia kthejnë fjalën atij. Madje, ndodh që ndonjëra t'i hidhërohet tërë ditën, deri në mbrëmje.”
Kjo gjë më frikësoi dhe thashë: “Ka humbur shumë ajo që ka kryer një vepër kaq të madhe!” Pastaj u vesha dhe shkova te Hafsa e i thashë:
- Oj Hafsë, vallë, a ndodh që ndonjëra prej jush të hidhërohet me të Dërguarin e Allahut ﷺ tërë ditën, deri në mbrëmje?
- Po, - tha ajo.
- Ka dështuar dhe është shkatërruar! A ndihet e sigurt se Allahu nuk do të hidhërohet me të, për shkak të hidhërimit të të Dërguarit të Tij ﷺ, dhe me këtë të shkatërrohet? Mos e tepro me Pejgamberin ﷺ, as mos ia kthe fjalën, as mos u hidhëro me të! Nëse të nevojitet diçka, ma kërko mua. Mos u mashtro me ortaken tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur tek i Dërguari i Allahut ﷺ sesa ti,- tha Omeri, - duke aluduar në Aishen.
Atëkohë flitej se fisi gasan po përgatitej për të na sulmuar. Fqinji im shkoi ditën kur e kishte radhën dhe u kthye në mbrëmje duke trokitur fort derën e shtëpisë sime dhe duke pyetur:
- A është aty (Omeri)?
Unë u frikova, andaj dola me shpejtësi, e ai më tha:
- Ka ndodhur diçka e madhe!
- Çfarë është? - i thashë. - Mos vallë ka ardhur fisi gasan?
- Jo, diçka më e madhe. I Dërguari i Allahut ﷺ ka shkurorëzuar gratë e veta.
- Ah, mjerë Hafsa, qenka shkatërruar! Frikësohesha se do të ndodhte kjo, - thashë.
Më pas u vesha mirë dhe shkova për ta falur namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ, i cili pas namazit hyri në një dhomë të vogël, ku rrinte gjatë kohës sa i kishte braktisur gratë e veta.
Shkova te Hafsa, të cilën e gjeta duke qarë, dhe i thashë:
- Pse po qan? A nuk ta kam tërhequr vërejtjen? A ju shkurorëzoi Pejgamberi ﷺ?
- Nuk e di, ai ndodhet atje në dhomë, - tha ajo.
Kështu, shkova te minberi, ku pashë ca burra rreth tij, madje disa prej tyre qanin.
Qëndrova pak me ta, por nuk munda të ndihem rehat, andaj shkova te dhoma ku ndodhej Pejgamberi ﷺ dhe i thashë një shërbëtori zezak: “Kërkoji leje Pejgamberit ﷺ për Omerin.” Ai hyri dhe foli me Pejgamberin ﷺ, pastaj doli dhe tha: “I tregova për ty, por nuk tha gjë.” Kështu, u largova dhe shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi. Por, sërish nuk isha i qetë, andaj shkova dhe i thashë shërbëtorit, - e ai ma ktheu të njëjtën përgjigje. - Shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi, por sërish nuk isha i qetë, andaj shkova te shërbëtori dhe i thashë: “Kërko leje për Omerin!”, - por ai sërish ma ktheu përgjigjen e njëjtë. Kur u nisa të largohem, shërbëtori më thirri dhe më tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ të dha leje!” Hyra dhe e gjeta të shtrirë mbi një hasër, pa shilte, ndërsa shenjat e hasrës i kishin lënë gjurmë në trup. Kokën e kishte mbështetur në një jastëk lëkure të mbushur me kashtë. I dhashë selam dhe, duke qenë në këmbë, i thashë: “I ke shkurorëzuar gratë?” Ai më shikoi dhe më tha: "Jo.”
Pastaj, për t'ia zbutur zemrën, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të më kishe parë mua! Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por erdhëm te ky popull që mbizotërohen nga gratë...” - ia përmenda ndodhinë time (me gruan time), ndërsa Pejgamberi ﷺ buzëqeshi. Pastaj vazhdova: “Shkova te Hafsa dhe i thashë: “Mos u mashtro me ortaken tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur te Pejgamberi ﷺ se ti”, - aludonte në Aishen, - ndërsa Pejgamberi ﷺ buzëqeshi sërish.
Kur e pashë të buzëqeshë, u ula dhe fillova të shikoj shtëpinë e tij. Betohem në Allahun se nuk kishte çfarë të shikoje, përveçse tri orendi prej lëkure. Teksa ishte shtrirë, i thashë: “Lute Allahun t'ia shtojë rrizkun umetit tënd, sepse persianëve dhe romakëve u është shtuar, si dhe u është dhënë dynjaja, ndërkohë ata nuk e adhurojnë Allahun.”
Teksa po qëndronte i mbështetur më tha: “Mos vallë po dyshon, o Ibn Hatab? Atyre u janë përshpejtuar mirësitë në jetën e dynjasë.”
I thashë: “O i Dërguari i Allahut, kërkoji falje Allahut për mua.”
Pra, Pejgamberi ﷺ i braktisi gratë, për shkak të asaj bisedës që Hafsa ia tregoi Aishes fshehurazi, dhe kishte thënë: “Nuk do të shkoj tek ato për një muaj rresht”, për shkak të hidhërimit që kishte ndaj tyre, sepse Allahu e kishte qortuar për këtë gjë. Kur kaluan njëzet e nëntë net, shkoi tek Aishja dhe filloi prej saj. Aishja i tha: “Ti je betuar se nuk do të vije te ne një muaj, ndërsa tani kanë kaluar vetëm njëzet e nëntë net, të cilat po i numëroj një nga një.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Muaji ndodh të jetë njëzet e nëntë (net).” Ai muaj qe njëzet e nëntë net. Aishja tha: “Atëherë zbriti ajeti i zgjedhjes dhe kështu filloi prej meje dhe më tha: “Po të përmend një gjë, por nuk ke nevojë të ngutesh (për të marrë vendim) pa i pyetur prindërit.”
- Unë e di mirë që prindërit e mi nuk më thonë të ndahem prej teje, - tha Aishja.
- Allahu ka thënë: “O Pejgamber! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t'ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t'ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira”, (Ahzab, 28-29) - tha Pejgamberi ﷺ.
- A për këtë t'i pyes prindërit? Unë e zgjedh Allahun, të Dërguarin e Tij dhe jetën e ahiretit, - tha Aishja.
Pastaj, shkoi te të gjitha gratë dhe ua paraqiti këtë zgjedhje dhe të gjitha thanë njëjtë, sikurse Aishja.
2469. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Fezariu, e ky nga Humejd Tavili se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u betua se nuk do t'u afrohet grave të veta për një muaj rresht. Gjatë kësaj kohe e kishte lënduar këmbën dhe i kishte dalë vendit, andaj qëndronte në një qilar të vetin.” Omeri erdhi dhe e pyeti: “Vallë, i ke shkurorëzuar gratë?”
- “Jo, i kam braktisur për një muaj”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
Kësisoj qëndroi njëzet e nëntë net, pastaj shkoi te gratë e veta.
26. Nënkapitulli: Lidhja e devesë për rrase të gurit apo për dere të xhamisë
2470. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Akili, e këtij i ka treguar Ebu Mutevekil Naxhiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hyri në xhami, ndërsa unë e lidha devenë diku në qoshe të Rrasës së Gurit, më pas hyra në xhami dhe i thashë: “Ja ku e ke devenë.” Ai doli dhe filloi ta shikojë devenë, pastaj tha: “Edhe paratë, edhe deveja janë të tuat.”
27. Nënkapitulli: Qëndrimi dhe urinimi në plehërishtën e dikujt
2471. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ, - ose ka thënë: Pejgamberin ﷺ, - shkoi te plehërishta e një fisi dhe urinoi aty duke qëndruar në këmbë.”
28. Nënkapitulli: Ai që largon një degë, a çfarëdo që i pengon njerëzit, dhe e hedh tutje
2472. Nga: Ebu Hurejra
Abdullahu na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një njeri ecte nëpër një rrugë, hasi në një degë gjembore, të cilën e largoi që andej. Allahu i ishte mirënjohës për këtë, andaj ia fali mëkatet.”
29. Nënkapitulli: Nëse ka mosmarrëveshje për një rrugë publike, në të cilën njerëzit dëshirojnë të ndërtojnë diçka, lihet një hapësirë, që të shfrytëzohet si rrugë, në gjerësi prej shtatë kutesh
2473. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Zubejr ibn Hirriti, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në rast grindjesh për një rrugë publike, Pejgamberi ﷺ gjykonte që të liheshin shtatë kute (rrugë).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2473
Fjalë të panjohura?
30. Nënkapitulli: Grabitja e gjërave me forcë pa lejen e pronarit
Ubade ka thënë: "I jemi besatuar Pejgamberit ﷺ që të mos grabisim."
2474. Nga: Abdullah ibn Jezid Ensariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Adij ibn Thabiti tregon se e ka dëgjuar Abdullah ibn Jezid Ensariun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili ishte gjyshi i tij nga nëna, - duke thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar grabitjen dhe masakrimin.”
2475. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Bekër ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bën zina; as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool; as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh e as ai që grabit, ndërkohë njerëzit e shohin, të jetë besimtar teksa grabit.”
Po ashtu, Seidi dhe Ebu Seleme e transmetojnë nga Ebu Hurejra, hadithin e njëjtë nga Pejgamberi ﷺ, përveç grabitjes.
31. Nënkapitulli: Thyerja e kryqit dhe mbytja e derrit
2476. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa zbritur i biri Merjemes (Isai) mes jush për të gjykuar me drejtësi: do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin dhe do ta shfuqizojë xhizjen. Pasuria do të shtohet aq shumë, saqë askush nuk do të ketë nevojë për të.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2476
Fjalë të panjohura?
32. Nënkapitulli: A thyhen brokat dhe a shqyhen calikët që mbajnë alkool? Nëse thyhet ndonjë idhull, kryq, mjet muzikor a diç, druri i të cilit nuk hyn në punë, a duhet shpaguar?
Shurejhut iu soll një mjet muzikor i thyer, ndërkohë ai nuk gjykoi për t'u bërë shpagimi i tij.
2477. Nga: Seleme ibn Ekvai
Ebu Asim Dahak ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa disa zjarre duke u ndezur ditën e Hajberit, andaj pyeti:
- “Përse janë ndezur këto zjarre?”
- Janë duke zier mishin e gomarëve, - i thanë.
- “Derdhini dhe thyeni enët!”
- A mund t'i derdhim dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)?
- “Pastrojini!” - u tha Pejgamberi ﷺ.
2478. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Mameri se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ hyri në Mekë (pas Çlirimit), përreth Qabesë gjendeshin diku treqind e gjashtëdhjetë idhuj. Ai i shtynte me një shkop, që e kishte në dorë, dhe thoshte: “Dhe thuaj: Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (Isra, 81)
2479. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kishte vendosur një perde në derë, ku ndodheshin ca vizatime (të gjallesave). Pejgamberi ﷺ e hoqi, andaj ajo, prej perdes në fjalë, i qepi dy jastëkë, të cilët i mbante në shtëpi dhe Pejgamberi ﷺ ulej sipër tyre.
33. Nënkapitulli: Ai që lufton për të mbrojtur pasurinë e vet
2480. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abdullah ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Ebu Ejubi, e këtij i ka treguar Ebu Esvedi, e ky nga Ikrime se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Ai që vritet duke mbrojtur pasurinë e vet, konsiderohet shehid.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2480
Fjalë të panjohura?
34. Nënkapitulli: Nëse thyen pjatën a diç të huaj
2481. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ebu Seidi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në shtëpinë e njërës prej grave të tij, një grua tjetër, prej nënave të besimtarëve (grave të Pejgamberit ﷺ), i dërgoi një enë me ushqim nëpërmjet shërbëtorit. Kjo e para i mëshoi me dorë dhe e theu enën (nga xhelozia). Pejgamberi ﷺ u ul, i mblodhi pjesët e thyera të enës, ku e rivendosi ushqimin dhe u tha (sahabëve të pranishëm): “Hani!” Ai nuk e la shërbëtorin të kthehej, derisa përfunduan së ngrëni, pastaj enën e thyer e mbajti, ndërsa shërbëtorit në fjalë i dha një enë tjetër (për t'ia kthyer asaj që e kishte dërguar).”
Ibn Ebu Merjemi ka thënë: “Na ka rrëfyer Jahja ibn Ejubi, e këtij i ka treguar Humejdi, e këtij i ka treguar Enesi nga Pejgamberi ﷺ.”
35. Nënkapitulli: Nëse rrëzon ndonjë mur, le ta rindërtojë të njëjtë
2482. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në mesin e benu israilëve ishte një burrë që quhej Xhurejxh. Njëherë, teksa falej, i vajti e ëma për ta thirrur, por ai nuk iu përgjigj. Thoshte me vete: “T'i përgjigjem apo të vazhdoj të falem?”
Pastaj i vajti sërish dhe sakaq ajo tha: “O Allah, mos ia merr shpirtin pa i parë fytyrat e të përdalave!”
Ndërsa Xhurejxhi qëndronte në faltoren e vet, një grua tha: “Do ta sprovoj Xhurejxhin.”
Kështu, shkoi dhe i ofroi për të bërë zina, por ai refuzoi. Pastaj ajo shkoi te një bari dhe bëri zina me të, prej të cilit lindi një fëmijë. Filloi të pretendonte se fëmija ishte i Xhurejxhit, kështu që njerëzit shkuan, ia thyen faltoren dhe filluan ta ofendonin. Xhurejxhi mori abdes, u fal dhe shkoi te foshnja e i tha:
- Kush është babai yt?
- Bariu, - tha foshnja.
- Do të ta rindërtojmë faltoren me ar, - i thanë njerëzit.
- Jo, vetëm me tulla balte, - u tha Xhurejxhi.”