55. Testamenti

1. Nënkapitulli: Testamenti

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu e lë testamentin e gatshëm me shkrim.” Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë në mënyrë të drejtë të lërë testamentin për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm. Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i rëndë për ata që e ndryshojnë! Sigurisht që Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha. Kush i trembet ndonjë gabimi apo padrejtësie nga ana e lënësit të testamentit dhe e ndreq atë, ta dijë se nuk bën gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 180-182)

2738. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për një musliman, që ka diçka për të lënë testament, është e udhës të mos i kalojnë dy net pa e pasur testamentin të gatshëm me shkrim.”

(Këtë transmetim nga) Nafiu e fuqizon Muhamed ibn Muslimi nga Amri, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2738

Fjalë të panjohura?

2739. Nga: Amër ibn Harithi

Ibrahim ibn Harithi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ebu Bukejri, e këtij i ka treguar Zuhejr ibn Muaviu Xhufiu, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Amër ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), miku i të Dërguarit të Allahut ﷺ, vëllai i Xhuvejri bint Harithit, tregon: “Kur vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ, nuk la as dërhem e as dinar, as rob e as robëreshë, asgjë tjetër përveç mushkës së tij të bardhë, armëve të veta, si dhe një truall që e kishte lënë vakëf.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2739

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2740. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Maliku se Talha ibn Musarrifi tregon: “E pyeta Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
- A ka lënë Pejgamberi ﷺ testament?
- Jo, - më tha ai.
- E si u obliguan njerëzit të lënë testament - ose ka thënë: (Si) u urdhëruan të lënë testament? - e pyeta.
- Ai la testament Librin e Allahut, - iu përgjigj Abdullahu.”1

Referenca: Sahihu i Buhariut 2740

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2741. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Amër ibn Zurara na ka thënë: Na ka rrëfyer Ismaili, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Ibrahimi se Esvedi tregon se dikush, në prani të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), përmendi se Pejgamberi ﷺ i ka lënë Aliut testament. Ajo tha: “Kur ia paska lënë testamentin, ndërkohë Pejgamberi ﷺ vazhdimisht ka qenë i mbështetur në gjoksin tim, - ose ka thënë: në prehrin tim? - Ai kërkoi një enë dhe pothuajse ra nga prehri im, sakaq vërejta se ai kishte vdekur. E kur ia paska lënë testamentin atij (Aliut)?!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2741

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: T’i lërë pasardhësit të pasur është më mirë sesa ata të mbesin lypsarë

2742. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Amir ibn Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha në Mekë, Pejgamberi ﷺ erdhi të më vizitojë, ndërkohë Sadi urrente të vdiste në një tokë nga e cila kishte bërë hixhret, dhe më tha: “Allahu e mëshiroftë Ibn Afranë!” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Po e lë tërë pasurinë time testament.”
- “Jo”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
- Po gjysmën? - i thashë.
- “Jo”, - tha sërish Pejgamberi ﷺ.
- Atëherë, një të tretën, - i thashë.
- “Një të tretën, madje edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh të varfër e t'ua zgjasin dorën njerëzve. Çfarëdo shpenzimi që bën, të llogaritet sadaka, madje edhe kafshata me të cilën e ushqen bashkëshorten tënde. Shpresojmë që Allahu të ta largojë këtë (sëmundje) dhe prej teje të kenë dobi disa njerëz e të dëmtohen disa të tjerë.”
Atëkohë, Sadi kishte vetëm një vajzë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2742

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Lënia e një të tretës së pasurisë testament

Haseni ka thënë: "Dhimiut nuk i lejohet të lërë testament më shumë se një të tretën e pasurisë." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu...” (Maide, 49)

2743. Nga: Abdullah ibn Abasi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ah, sikur njerëzit të mjaftoheshin (në testament) me një të katërtën, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një e treta, madje edhe një e treta është shumë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2743

Fjalë të panjohura?

2744. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Muhamed ibn Abdurrahimi më ka thënë: Na ka treguar Zekerija ibn Adiu, e këtij i ka treguar Mervani, e ky nga Hashim ibn Hashimi, e ky nga Amir ibn Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u sëmura, erdhi Pejgamberi ﷺ për të më vizituar. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të mos më kthejë nga (vendi ku) jam shpërngulur.” Ai më tha: “Shpresojmë që Allahu të ta largojë këtë (sëmundje) dhe disa njerëz të kenë dobi nga ti.”
- Dua të lë testament, por kam vetëm një vajzë, - i thashë, dhe vazhdova: - Po e lë testament gjysmën e pasurisë.
- “Gjysma është shumë”, - më tha ai.
- Atëherë, një të tretën, - i thashë.
- “Një të tretën, pra. Megjithëse edhe një e treta është shumë, - ose ka thënë: është tepër”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
Njerëzit linin testament një të tretën e pasurisë, gjë e cila ishte e lejuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2744

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Porosia e atij që lë testament për atë që e pranon testamentin: "Kujdesu për tim bir, si dhe pretendimet e lejuara për atë që i është lënë testament."

2745. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Utbe ibn Ebu Vekasi e porositi vëllanë e vet, Sad ibn Ebu Vekasin: “Djali i robëreshës së Zemës është imi, andaj merre.” Kështu, vitin e Çlirimit (të Mekës) Sadi shkoi e mori dhe tha: “Ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.” Por, Abd ibn Zema tha: “Ky është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, ka lindur në shtratin e tij (babait tim).” Kështu ata shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast Sadi tha:
- O i Dërguari i Allahut, ky është djali i vëllait tim, ai vetë më ka porositur që ta marr.
- Është vëllai im, njëherazi i biri i robëreshës së babait tim, - tha Abd ibn Zema.
- “Është yti, o Abd ibn Zema. Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Pastaj Sevdë bint Zemës, gruas së vet, i tha: “Mbulohu prej tij, oj Sevdë.” Kjo, për shkak të ngjashmërisë me Utben, ngjashmëri të cilën e shihte te fëmija. Prandaj, ky fëmijë kurrë nuk e kishte parë Sevdën, deri në vdekje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2745

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Nëse i sëmuri bën me kokë, duke dhënë shenjë të qartë, të njohur

2746. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hasen ibn Ebu Abadi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon për një hebre, i cili ia kishte shtypur kokën një robëreshe me dy gurë. Atëherë, e pyetën robëreshën: “Kush ta bëri këtë? Filani, filani...?” Sapo përmendën emrin e hebreut, ajo bëri me kokë (pohoi). Kështu, e morën hebreun dhe, nuk kaloi shumë kohë, ai pranoi (që e kishte kryer krimin). Si pasojë, Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i shtypej koka me gurë (edhe këtij).

Referenca: Sahihu i Buhariut 2746

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Trashëgimtarit nuk i lihet testament

2747. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Jusufi transmeton nga Verkai, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në fillim, pasuria i takonte të birit, ndërsa prindërve aq sa u lihej testament, por prej kësaj dispozite Allahu shfuqizoi çfarë deshi, andaj vendosi që mashkulli të ketë hise sa dy femra; prindërit, secili prej tyre, një të gjashtën; bashkëshortja, një të katërtën ose një të tetën; ndërsa bashkëshorti, gjysmën ose një të katërtën (e pasurisë së lënë trashëgimi).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2747

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Dhënia e sadakasë në prag të vdekjes

2748. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Sufjani, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një person e pyeti Pejgamberin ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, cila lëmoshë është më me vlerë?
- “Të japësh lëmoshë duke qenë i shëndoshë e i dhënë pas tubimit të pasurisë, ndërkohë shpreson të bëhesh i pasur e i frikësohesh varfërisë. Mos u bëj neglizhues, që, kur të të vijë shpirti në fyt, të porositësh: “Filanit jepi kaq, e filanit kaq!”, ndërkaq, ajo pasuri veç sa s'është bërë e filanit (që është trashëgimtar i saj)”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2748

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ajeti: “... pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit...”

Përmendet se Shurjehu, Omer ibn Abdulazizi, Tavusi, Atai dhe Ibn Udhejne kanë lejuar që i sëmuri të pohojë (të përmendë) një borxh që i ka ndonjërit prej trashëgimtarëve. Haseni ka thënë: "Sadakaja më e vlefshme që jep njeriu është ajo e ditës së fundit të dynjasë, pra, e ditës së parë të botës tjetër." Ibrahimi dhe Hakemi kanë thënë: "Nëse i sëmuri (në prag të vdekjes) ia fal borxhin trashëgimtarit të vet, pranohet. Rafi ibn Hadixhi kishte lënë porosi të mos merrej asgjë nga gjërat e mbetura (pas vdekjes së tij) në shtëpinë e bashkëshortes së tij fezarije (për t’u ndarë mes trashëgimtarëve)." Haseni ka thënë: "Nëse pronari, në prag të vdekjes, i thotë robit të vet: "Po të liroj, pranohet lirimi i robit." Shabiu ka thënë: "Pranohet pohimi i gruas, në prag të vdekjes, nëse thotë: "Burri im ma ka dhënë tërë mehrin dhe unë e kam marrë." Njëri ka thënë: "Nuk pranohet pohimi i të sëmurit se i ka borxh dikujt prej trashëgimtarëve, për shkak të paragjykimeve të mundshme kundrejt tij." Më pas ka thënë: "Pranohet pohimi i të sëmurit se posedon një amanet ose mall të ndonjërit prej trashëgimtarëve ose se ka ortakëri biznesi me ndonjërin prej tyre." Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes nga paragjykimet, ngase paragjykimi është gënjeshtra më e madhe.” Po ashtu, nuk lejohet cenimi i pasurisë së besimtarëve, bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Cilësi e hipokritit është: kur i besohet diçka, tradhton.” Dhe ajetin: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin...” (Nisa, 58) Pra, Allahu i Madhërishëm nuk ka veçuar as trashëgimtarin, as dikë tjetër. Këtë e ka transmetuar edhe Abdullah ibn Amri nga Pejgamberi ﷺ.

2749. Nga: Ebu Hurejra

Sulejman ibn Davud Ebu Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Nafi ibn Malik ibn Ebu Amir Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri:
1. Kur flet, gënjen;
2. Kur i besohet, tradhton;
3. Kur premton, nuk e mban premtimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2749

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Komentimi ajetit: “... pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit...”

Përmendet se Pejgamberi ﷺ i ka dhënë përparësi borxhit kundrejt testamentit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin...” (Nisa, 58) Pra, kthimi i amanetit është më parësor sesa testamenti vullnetar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka sadaka, përveçse kur njeriu është i kamur.” Ibn Abasi ka thënë: "Robi nuk lë testament, përveçse me lejen e pronarëve të tij." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së vet.”

2750. Nga: Hakim ibn Hizami

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Urve ibn Zubejri se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I lypa të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai më dha. I lypa sërish, sakaq sërish më dha, e në atë rast më tha: “O Hakim, pasuria është jeshil dhe e ëmbël. Atij që e merr me zemërgjerësi, i ka bereqet. Ndërkaq, atij që e merr me egoizëm, nuk i ka bereqet, sikurse ai që ha e nuk ngopet. Dora e sipërme është më e mirë sesa dora e poshtme.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se, pas teje, nuk do t'i lyp askujt, derisa ta lë këtë botë.” Më pas, Ebu Bekri e thërriste Hakimin për t'i dhënë, por ai nuk pranonte asgjë. Njëjtë veproi edhe Omeri: e thirri për t'i dhënë, por ai nuk mori asgjë. Omeri tha: “O ju muslimanë, ju kam dëshmitarë se Hakimit ia ofrova pjesën e tij të plaçkës së luftës, por nuk e pranoi.”
Pas Pejgamberit ﷺ, Hakimi nuk i ka lypur askujt, deri në vdekje.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2750

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2751. Nga: Abdullah ibn Omeri

Bishr ibn Muhamed Sihtijaniu na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.

Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e tij.

Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.

Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.

Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.” Mendoj se ka thënë edhe: “Burri është kujdestar për pasurinë e babait të vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2751

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Nëse i lë vakëf ose testament farefisit të vet, si dhe cilët konsiderohen farefis

Thabiti transmeton nga Enesi se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Ebu Talhait: “Jepua të varfërve nga të afërmit e tu.” Kështu, ai ia dha Hasanit dhe Ubej ibn Kabit. Ensariu ka thënë: "Më ka treguar babai im, e ky nga Thumame, njëjtë sikur në hadithin Thabitit, përveçse këtu Enesi shton: "Ubej ibn Kabi ka qenë më afër me Ebu Talhain sesa unë. Hasani bashkohej me Ebu Talhain te stërgjyshi (Haram ibn Amri), kurse Ubeji bashkohej me të te gjyshi i gjashtë (Amër ibn Maliku). Pra, Amër ibn Maliku i bashkonte të tre, Hasanin, Ebu Talhain dhe Ubejin." Disa kanë thënë: "Nëse i lë testament dikujt të farefisit, atëherë afërsia llogaritet deri te gjyshërit që kanë qenë muslimanë."

2752. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Ebu Talhait: “Unë propozoj t'ua japësh farefisit.” Atëherë Ebu Talhai i tha: “Ashtu do të bëj, o i Dërguari i Allahut.” Kështu, ua ndau farefisit dhe djemve të xhaxhait të vet.
Ibn Abasi ka thënë: “Kur ka zbritur ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, (Shuara, 214) Pejgamberi ﷺ filloi të thërrasë: “O benu fihrë! O benu adijë!” - fise të ndryshme kurejshish.
Ebu Hurejra ka thënë: “Kur ka zbritur ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, (Shuara, 214) Pejgamberi ﷺ filloi të thërrasë: “O kurejshë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2752

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: A llogariten farefis gratë dhe fëmijët?

2753. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, (Shuara, 214) i Dërguari i Allahut ﷺ filloi të thërrasë: “O ju kurejshë! Blijeni veten tuaj, sepse unë nuk mund t'ju bëj dobi asgjë para Allahut. O benu abdumunafë, nuk mund t'ju bëj dobi asgjë para Allahut. O Abas ibn Abdulmutalib, nuk mund të të bëj dobi asgjë para Allahut. Oj Safije, halla e të Dërguarit të Allahut, nuk mund të të bëj dobi asgjë para Allahut. Oj Fatime, e bija e Muhamedit ﷺ, më kërko ç'të duash nga pasuria ime, por para Allahut nuk mund të të bëj dobi asgjë.

(Këtë transmetim nga) Shuajbi e fuqizon Esbagu nga Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2753

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: A i lejohet atij që ka lënë vakëf të përfitojë nga po ai vakëf?

Omeri ka kushtëzuar duke thënë: "Për atë që përkujdeset për vakëfin, nuk ka mëkat të përfitojë prej tij, ndërkaq, në cilësinë e kujdestarit mund të jetë edhe vetë ai që e ka lënë vakëfin ose dikush tjetër. Kjo vlen edhe për atë që lë një deve a diç tjetër vakëf për hir të Allahut: mund të përfitojë nga ajo ashtu siç përfiton dikush tjetër, edhe nëse nuk e kushtëzon."

2754. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një burrë duke i grahur një deveje, e në atë rast i tha:
- “Hip në të!”
- O i Dërguari i Allahut, është për kurban, - iu përgjigj ai.
Në herën e tretë ose të katërt, i tha: “Hip në të, i mjeri ti! - ose ka thënë: vaj halli për ty!

Referenca: Sahihu i Buhariut 2754

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2755. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një burrë duke tërhequr një deve, e në atë rast i tha:
- “Hip në të!”
- O i Dërguari i Allahut, është për kurban, - iu përgjigj ai.
Në herën e dytë ose të tretë i tha: “Hip në të, i mjeri ti!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2755

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Lejohet që personi të lë vakëf diç pa ia dorëzuar dikujt tjetër

Ngase Omeri kur pati lënë vakëf, pati thënë: "Nuk ka mëkat për atë që përkujdeset për vakëfin të përfitojë prej tij. Por, nuk pati kushtëzuar nëse vet Omeri apo dikush tjetër përkujdeset për të."Pejgamberi ﷺ i pati thënë Ebu Talhait: “Unë propozoj t’ua japësh farefisit.” Ebu Talhai i kishte thënë: "Ashtu do të bëj. Kështu, ua ndau farefisit dhe djemve të xhaxhait të vet."

14. Nënkapitulli: Nëse dikush thotë: "Po e lë shtëpinë time vakëf për hir të Allahut, por, nuk e përmend: a për fukara apo për dikë tjetër, i pranohet dhe mund t’ia japë farefisit apo kujt do tjetër."

Kur Ebu Talhai pati thënë: "Pasuria më e dashur për mua është Bejruha, andaj po e jap sadaka për hir të Allahut, Pejgamberi ﷺ ia pranoi." Ndërsa disa thonë: "Nuk pranohet pa e përcaktuar se kujt po ia lë vakëf. Por, mendimi i parë është më i saktë."

15. Nënkapitulli: Nëse dikush thotë: "Toka ime apo kopshti im është vakëf për hir të Allahut, prej nënës sime, i pranohet, edhe nëse nuk përcakton kujt po ia lë."

2756. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahled ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jala, e ky e ka dëgjuar Ikrimen se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Sad ibn Ubades i vdiq nëna kur ai kishte qenë diku larg në një udhëtim, andaj i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, nëna më ka vdekur teksa isha diku larg në udhëtim. Vallë, i bën dobi nëse jap sadaka për të?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po.” Sadi tha: “Atëherë ji dëshmitar se kopshtin tim, Mihrafin, po e lë vakëf për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2756

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Lejohet dhënia sadaka ose lënia vakëf e një pjese të pasurisë, të robërve e të kafshëve shtëpiake

2757. Nga: Kab ibn Malik Ensariu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kabit, se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Thashë: “O i Dërguari i Allahut, në shenjë të pendimit tim, dua ta lë pasurinë time vakëf për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Pejgamberi ﷺ më tha: “Mbaje një pjesë të pasurisë për vete, kështu është më mirë.” Atëherë i thashë: “Po e mbaj hisen time të Hajberit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2757

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Kur dikush ia lë sadakanë përgjegjësit të vet, e pastaj përgjegjësi ia kthen atë sërish atij

2758. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ismaili na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdulaziz ibn Abdullah ibn Ebu Seleme, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, derisa të ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë në Librin e Tij: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, derisa të ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) e pasuria ime më e dashur është Bejruha, - që ishte një kopsht, ku i Dërguari i Allahut ﷺ hynte për të pushuar dhe për të pirë ujë, - andaj, po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe ku të udhëzon Allahu.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të lumtë, o Ebu Talha! Kjo është pasuri fitimprurëse. Po ta pranoj dhe po ta kthej ty sërish, që t'ua japësh farefisit tënd.”
Kështu, Ebu Talhai (kopshtin) ua ndau farefisit të tij, që ishin edhe Ubeji dhe Hasani. Hasani, pjesën e vet, ia shiti Muaviut. Dikush i tha: “Po e shet sadakanë e Ebu Talhait?” Ai tha: “Vallë, të mos e shes një saë hurma për një saë dërhem?” Ai kopsht ishte në vendndodhjen e kështjellës së benu hudejlëve, të cilën e kishte ndërtuar Muaviu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2758

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Ajeti: “E kur në ndarjen e trashëgimisë të jenë të pranishëm farefisi i largët, jetimët dhe të varfrit, u dhuroni edhe atyre diçka dhe thuajuni fjalë të ëmbla.”

2759. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Fadël Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Disa njerëz po pretendojnë se ky ajet është shfuqizuar. Jo, betohem në Allahun se nuk është shfuqizuar, por vetë njerëzit e kanë neglizhuar. Janë dy lloje përgjegjësish (në ndarjen e trashëgimisë):

1. Njëri që trashëgon, që njëherazi duhet edhe të dhurojë;

2. Tjetri që nuk trashëgon, i cili duhet të flasë fjalë të mira, pra, thotë: “Juve nuk kam të drejtë t'ju jap (diç prej kësaj pasurie).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2759

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Sadakaja e pëlqyer që jepet për atë që vdes papritmas dhe përmbushja e betimeve të të vdekurit

2760. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Nëna ime ka vdekur papritmas dhe mendoj që, sikur të kishte pasur kohë të fliste, do të jepte sadaka. A të jap unë sadaka për të?”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Po, jep sadaka për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2760

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2761. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Sad ibn Ubade e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Nëna më ka vdekur pa përmbushur një zotim të sajin.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Atëherë ti përmbushe zotimin e saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2761

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Prezantimi i dëshmitarëve gjatë lënies vakëf apo dhënies sadaka

2762. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jalai, e ky e ka dëgjuar Ikrimen, të çrobëruarin e Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Sad ibn Ubades i vdiq nëna kur ai kishte qenë larg në një udhëtim, andaj vajti te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna më ka vdekur teksa isha larg, në udhëtim. Vallë, i bën dobi nëse jap sadaka për të?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po.” Sadi tha: “Atëherë ji dëshmitar se kopshtin tim, Mihrafin, po e lë vakëf për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2762

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Ajetet: "Jepuni pasurinë jetimëve, mos ua ndërroni sendet e tyre të mira me tuajat të këqija. Mos e harxhoni pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është gjynah i madh. Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë."

2763. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë...” (Nisa, 3)
Aishja kishte thënë: “Fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërsa atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, kështu që dëshiron të martohet me të pa treguar drejtësi në mehrin ndaj saj, rrjedhimisht nuk ia jep mehrin sikurse të tjerave. Ndaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera.”
Aishja vazhdon: “Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje) dhe Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: “Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Pra, Allahu ua sqaroi në këtë ajet se, nëse jetimja është e pasur dhe e bukur, njerëzit lakmojnë për të, por nuk ia japin mehrin aq sa i takon. E, nëse për shkak të mungesës së pasurisë e bukurisë nuk e lakmojnë, e lënë atë dhe kërkojnë gra të tjera.”
Urve thotë: “Pra, ashtu siç e lënë, për shkak të mungesës së pasurisë dhe bukurisë, asisoj nuk u lejohet të martohen me të kur ajo është e kërkueshme (për shkak të pasurisë dhe bukurisë), përveç nëse tregohen të drejtë dhe ia japin mehrin aq sa i takon.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2763

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërini në provë jetimët, derisa të bëhen për martesë! Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë jepuani pasurinë e tyre! Mos nxitoni në shpenzimin e pasurisë së tyre në mënyrë të panevojshme dhe para se ata të rriten! Kush është pasanik, le të përmbahet në marrjen e pasurisë së tyre e, në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e arsyeshme dhe e drejtë. Kur t’ua dorëzoni pasurinë e tyre, bëjeni këtë në prani të dëshmitarëve. Allahu është i mjaftueshëm si llogaritës. Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar.”

Nënkapitulli: Çfarë i lejohet kujdestarit të veprojë me pasurinë e jetimit dhe sa i lejohet të përfitojë prej asaj pasurie në raport me mundin që e jep

2764. Nga: Abdullah ibn Omeri

Haruni na ka thënë: Na ka treguar Ebu Seidi, i çrobëruari i fisit benu hashim, e këtij i ka treguar Sahr ibn Xhuvejri, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri la sadaka një kopsht me hurma në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, së cilës i thoshin Themg. Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, kam fituar një pasuri të çmuar, andaj dua ta jap sadaka.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Lëre tokën vakëf, që të mos shitet, të mos dhurohet e të mos trashëgohet, ndërsa rendimentet e saj jepi sadaka.”
Kështu, Omeri e la vakëf në rrugën e Allahut, për lirim të robërve, për nevojtarët, mysafirët, udhëtarët dhe për të afërmit. Nuk ka mëkat për atë që përkujdeset për vakëfin të përfitojë prej tij aq sa i mjafton ose të ushqejë ndonjë mik, pa e pasuruar.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2764

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2765. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “Kush është pasanik, le të përmbahet në marrjen e pasurisë së tyre e, në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e arsyeshme dhe e drejtë”, (Nisa, 6) ka thënë: “Ka zbritur për kujdestarin e jetimit, i cili, nëse është nevojtar, merr prej pasurisë së jetimit aq sa i nevojitet dhe aq sa është e arsyeshme.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2765

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr...”

2766. Nga: Ebu Hurejra

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Thevr ibn Zejd Medeniu, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese!”
- O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato? - i thanë të pranishmit.
1. “Të bërët shirk Allahut,
2. Sihri,
3. Vrasja pa të drejtë e atij që Allahu e ka ndaluar,
4. Ngrënia e kamatës,
5. Ngrënia e pasurisë së jetimit,
6. Ikja nga fronti i luftës,
7. Shpifja për gratë e ndershme, besimtare e të pastra”, - u tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2766

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Ajeti: “Të pyesin ty për jetimët, thuaju: "T’u bëni mirë atyre është vepër e bukur. Nëse jetoni bashkë me ata, dijeni se janë vëllezërit tuaj. Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. Sikur të donte Allahu, do t’ju detyronte me punë të vështira. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”

2767. Nga: Abdullah ibn Omeri

Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi se Nafiu tregon: “Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) asnjëherë nuk ia ka kthyer ndokujt testamentin.
Sa i përket pasurisë së jetimit, Ibn Sirinit më së shumti i pëlqente që, njerëzit që ia duan të mirën dhe kujdestarët e jetimit të tuboheshin, në mënyrë që së bashku të vendosnin çfarë është më e dobishme për pasurinë e tij.
Kur Tavusi pyetej për çështje të jetimëve, thoshte: “... Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit...” (Bekare, 220)
Atai, në lidhje me jetimin e vogël dhe të madh, ka thënë: “Kujdestari shpenzon për secilin aq sa i takon.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2767

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Vendosja e jetimit në shërbim të dikujt, në rrugëtim dhe shtëpi, nëse është në dobi të tij, si dhe kujdesi i nënës dhe njerkut për jetimin

2768. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Jakub ibn Ibrahim ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Ibn Uleje, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, nuk kishte shërbëtor, andaj Ebu Talhai më mori për dore, më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Enesi është djalosh i mençur, andaj le të të shërbejë ty.” Kështu, i shërbeja Pejgamberit ﷺ në rrugëtim dhe në shtëpi. Asnjëherë nuk më ka thënë për diçka që e kam vepruar: “Pse e bëre kështu?” - dhe as për diçka që nuk e kam vepruar: “Pse nuk e bëre ashtu?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2768

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Nëse dikush lë ndonjë truall vakëf pa ia përcaktuar kufijtë, pranohet; kjo vlen edhe për sadakanë

2769. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Prej ensarëve të Medinës Ebu Talhai ka qënë një ndër më të pasurit, pasuria më e dashur e të cilit ka qenë kopshti Bejruha. Ngaqë kopshti në fjalë ndodhej përballë xhamisë, herë pas here Pejgamberi ﷺ hynte dhe pinte nga uji i tij i mirë. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është Bejruha. Po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe ku të udhëzon Allahu.
Pejgamberi ﷺ tha: “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse. Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit.” Ebu Talhai tha: “Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut!” Kështu, Ebu Talhai (kopshtin) ua ndau farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2769

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

2770. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Zekerija ibn Is'haku, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ se i kishte vdekur e ëma dhe e pyeti: “Vallë, i bën dobi nëse jap sadaka për të?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po.” Personi në fjalë tha: “Unë posedoj Mihrafin (kopsht në Medinë), andaj ji dëshmitar se atë po e lë vakëf për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2770

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Nëse një grup njerëzish lënë vakëf një tokë të përbashkët, pranohet

2771. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ urdhëroi të ndërtohej xhamia dhe tha: “O fisi benu nexhar, ma tregoni çmimin e kopshtit tuaj.” Ata i thanë: “Jo, për Allahun! Nuk kërkojmë çmimin e tij, përveçse tek Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2771

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Si regjistrohet vakëfi?

2772. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Omeri fitoi një tokë në Hajber dhe erdhi te Pejgamberi ﷺ e i tha: “Kam fituar një tokë që kurrë më parë s'kam fituar ndonjë pasuri më të çmuar se ajo. Çfarë po më urdhëron të bëj me të?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse do, truallin lëre vakëf, kurse rendimentet e saj jepi sadaka.” Kështu, Omeri e la vakëf, që të mos shitej, të mos dhurohej e të mos trashëgohej, (por e la) për fukarenj, farefis, lirim të robërve, në rrugën e Allahut dhe për mysafirë e udhëtarë. Nuk ka mëkat për kujdestarin të përfitojë aq sa i mjafton a të ushqejë ndonjë mik, pa e pasuruar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2772

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Prej vakëfit përfitojnë të pasurit, fukarenjtë dhe mysafirët

2773. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Omeri fitoi një pasuri në Hajber dhe erdhi për t'i treguar Pejgamberit ﷺ. Ai i tha: “Nëse do, mund ta lësh vakëf.” Kështu, Omeri e la vakëf për fukarenj, nevojtarë, farefis dhe mysafirë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2773

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Lënia e truallit vakëf për xhami

2774. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, urdhëroi të ndërtohej xhamia dhe tha: “O fisi benu nexhar, ma tregoni çmimin e kopshtit tuaj.” Ata i thanë: “Jo, për Allahun. Nuk kërkojmë çmimin e tij, përveçse tek Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2774

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Lënia vakëf e kafshëve shtëpiake, kuajve, mallrave tregtuese dhe monedhave

Personi që jep një mijë dinarë në rrugën e Allahut, të cilat ia dorëzon shërbëtorit të vet për të bërë tregti me to, e fitimin e nxjerrë e lë sadaka për nevojtarët dhe farefisin, a i lejohet të atillit të përfitojë diçka nga fitimi i nxjerrë? Edhe nëse nuk e ka lënë fitimin sadaka për nevojtarët, Zuhriu ka thënë se nuk i lejohet të përfitojë nga fitimi i nxjerrë.

2775. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri i dha një kalë Pejgamberit ﷺ për t'ia dhuruar ndokujt sadaka. I Dërguari i Allahut ﷺ ia dha një personi, për të cilin, më vonë, Omerit i treguan se po e shiste po të njëjtin kalë. Kështu, Omeri shkoi dhe e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për ta blerë, por ai i tha: “Mos e bli dhe mos iu rikthe lëmoshës sate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2775

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Të ardhurat materiale të kujdestarit të vakëfit

2776. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasardhësit e mi nuk trashëgojnë as dinarë, as dërhemë. Tërë ajo që lë mbrapa, përveç pasurisë së lënë për t'i mbuluar shpenzimet e grave të mia dhe të kujdestarëve të vakëfeve të mia, mbetet sadaka.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2776

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2777. Nga: Abdullah ibn Omeri

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, Omeri për vakëfin e vet ka kushtëzuar që kujdestarit të vakëfit t'i lejohet të përfitojë prej tij, si dhe me të ta ushqejë mikun e vet, pa e pasuruar.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2777

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Lënia e tokës apo pusit vakëf dhe blerja e diçkaje për ta lënë në shfrytëzim të muslimanëve, përfshirë edhe veten

Enesi kishte lënë vakëf një shtëpi, në të cilën, kur vente në Medinë, banonte dhe vetë. Zubejri i kishte lënë sadaka shtëpitë e veta dhe u kishte thënë bijave të tij të shkurorëzuara që të banojnë në to pa i dëmtuar shtëpitë, që të mos vuajnë, por, nëse martohen, nuk kanë hise në to. Ibn Omeri ka rezervuar një pjesë të shtëpisë së Omerit, të lënë vakëf, për banim për nevojtarët e familjes së Abdullahut (vetë Ibn Omerit).

2778. Nga: Othman ibn Afani

Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Ebu Abdurrahman Sulemiu tregon: “Kur e rrethuan Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), u doli jashtë dhe u thirri: “Po ju pyes, për hir të Allahut, e këtë pyetje po ua drejtoj shokëve të Pejgamberit ﷺ: “Vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ pati thënë: “Kush e blen pusin Ruma, që ta fitojë Xhenetin?”, e unë e pata blerë? A nuk e dini se ai pati thënë: “Kush e financon përgatitjen e ekspeditës së Tebukut, që ta fitojë Xhenetin?”, e unë e pata financuar? Ata ia miratuan fjalët.
Omeri, për vakëfin e vet, ka thënë: “Nuk është mëkat për kujdestarin e vakëfit që të përfitojë prej tij e për të mund të kujdeset vetë ai që e ka lënë vakëf ose dikush tjetër.” Ky (kushtëzimi i Omerit) i përfshin të gjithë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2778

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Nëse ai që lë vakëf, thotë: "Nuk presim shpërblimin për të, përveçse prej Allahut, pranohet."

2779. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ tha: “O fisi benu nexharë, ma tregoni çmimin e kopshtit tuaj”, ata i thanë: “Nuk kërkojmë çmimin e tij, përveçse tek Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2779

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Ajetet: "O besimtarë! Kur t’ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush ose dy të tjerë që nuk janë prej jush, nëse fatkeqësia e vdekjes ju zë ndërsa jeni duke udhëtuar nëpër botë. Mbajini ata pas namazit dhe, nëse dyshoni në ndershmërinë e tyre, le të betohen në Allahun (duke thënë): “Ne nuk do ta shesim betimin me kurrfarë çmimi, edhe nëse është fjala për çfarëdo të afërmi dhe dëshminë që na urdhëron Allahu nuk do ta fshehim, sepse, atëherë do të ishim vërtet keqbërës”. Nëse më pas zbulohet se këta dy dëshmues kanë bërë gjynah, atëherë le të zëvendësohen nga dy të tjerë prej atyre që këta u kanë bërë padrejtësi! Pastaj, dy dëshmitarët e fundit le të betohen në Allahun (duke thënë): “Pa dyshim, dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e tyre. Ne nuk gënjejmë, sepse përndryshe do të ishim keqbërës”. Kështu është më e lehtë që ata të bëjnë dëshminë e tyre të saktë ose të frikësohen nëse betimet e tyre do të dalin në kundërshtim me betime të tjera. Frikësojuni Allahut dhe dëgjojeni! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit ngatërrestarë.

2780. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Zaide, e ky nga Muhamed ibn Ebu Kasimi, e ky nga Abdulmeliku, i biri i Seid ibn Xhubejrit, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit benu sehm mori rrugë së bashku me Temim Dariun dhe Adij ibn Bedain. Në rrugë e sipër pjesëtari i fisit benu sehm vdiq në një krahinë ku nuk kishte muslimanë. Kur u kthyen me pasurinë e mbetur të tij, u humbi një kupë e argjendtë e stolisur me ar. I Dërguari i Allahut ﷺ i obligoi të betohen (se u kishte humbur kupa). Pas një kohe, kupa u gjet në Mekë dhe, ata që e mbanin, thanë: “E kemi blerë prej Temimit dhe Adijit.” Kështu, dy burra nga fisi benu sehm shkuan dhe u betuan se dëshmia e tyre ishte më e fortë se dëshmia e të parëve dhe se kupa i përkiste familjarit të tyre. Ajeti vijues ka zbritur për ta: “O besimtarë! Kur t'ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush...” (Maide, 106)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2780

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Nëse ai të cilit i është lënë testament i kryen borxhet e të vdekurit pa praninë e trashëgimtarëve

2781. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Saiku ose Fadël ibn Jakubi transmeton prej tij: Na ka treguar Shejban ibn Muaviu, e ky nga Firasi, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Uhudit, i vdiq i ati dhe i la gjashtë bija e një borxh. Ai rrëfen: “Kur erdhi koha e vjeljes së hurmave, shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ti e di se babai im ka rënë shehid ditën e Uhudit dhe ka lënë pas vetes shumë borxhe. Andaj, kam dëshirë që t'i takosh borxhlinjtë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Shko dhe ndaji hurmat, nga një grup për secilin varietet.” Ashtu veprova dhe e thirra. Kur borxhlinjtë e panë, u pezmatuan dhe e shtuan presionin e tyre ndaj meje. Me të parë këtë veprim të tyre, Pejgamberi ﷺ u soll tri herë rreth grumbullit më të madh të hurmave dhe u ul pranë tij e më tha: “Thirri borxhlinjtë e tu!”
Pejgamberi ﷺ ia ndau secilit atë që i takonte derisa Allahu deshi që borxhi i babait tim të kryhet i tëri. Ndërkaq, unë, për Allahun, isha i kënaqur që Allahu të më mundësonte shlyerjen e borxhit të babait tim, edhe nëse nuk do të më mbeste asnjë hurmë për t'ua dërguar motrave të mia. Por, për Allahun, të gjithë grumbujt e hurmave shpëtuan, madje, kur e shikoja grumbullin, afër të cilit ishte ulur i Dërguari i Allahut ﷺ, dukej sikur nuk i mungonte asnjë hurmë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2781

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?