56. Xhihadi
1. Nënkapitulli: Vlera e xhihadit dhe ekspeditave luftarake
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Tevrat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore. (Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!” (Teube, 111-112) Ibn Abasi, në lidhje me fjalën "kufijve" ka thënë: "Është për qëllim bindja (ndaj Allahut)."
2782. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Hasen ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Sabiku, e këtij i ka treguar Malik ibn Migveli, e ky e ka dëgjuar Velid ibn Ajzerin, i cili përmend nga Ebu Amër Shejbaniu se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, cila vepër është më me vlerë?”
- “Namazi që falet në kohën e vet”, - u përgjigj ai.
- Pastaj cila?
- “Pastaj mirësjellja me prindërit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Lufta në rrugën e Allahut.”
Pastaj heshta dhe, sikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tepër.”
2783. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pas Çlirimit (të Mekës) nuk ka më hixhret, por ka xhihad dhe nijet. Kur të ftoheni (nga prijësi i muslimanëve) për luftë, përgjigjjuni.”
2784. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka treguar Habib ibn Ebu Amra, e ky nga Aishe bint Talhai se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka pyetur: “O i Dërguari i Allahut! Kemi mësuar se xhihadi është vepra më e mirë. Prandaj, a të marrim pjesë edhe ne në xhihad?”
- “Xhihadi më i mirë (për ju) është haxhi i pranuar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
2785. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Afani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Xhuhade, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hasini, e këtij i ka treguar Dhekvani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti: “Më trego një vepër që barazohet me xhihadin.”
- “Nuk di asnjë të tillë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ, - “por, a mundesh që, atëherë kur luftëtari del për xhihad, ti të hysh në xhami e të falesh vazhdimisht, pa pushim, dhe të agjërosh vazhdimisht, pa ushqim?”
- E kush mund ta bëjë këtë? - i tha personi në fjalë.
Ebu Hurejra ka thënë: “Kur kali i muxhahidit, i lidhur me kapistër, hingëllin, atij (pronarit) i shkruhen vepra të mira.”
2. Nënkapitulli: Njeriu më i mirë është besimtari që lufton në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tij
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “O besimtarë, a doni t’ju drejtoj në një tregti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?! Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe trupin tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju. Ai do t’jua falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe.” (Saf, 10-12)
2786. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u pyet:
- O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i mirë?
- “Një besimtar që lufton në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tij”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Po pastaj? - i thanë ata.
- “Një besimtar që jeton në një zonë malore, që i druhet Allahut dhe që i kursen njerëzit nga sherri i vet”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”
2787. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Luftëtari në rrugën e Allahut, - ndërkohë Allahu e di më së miri kush lufton në rrugën e Tij, - është sikurse ai që falet dhe agjëron (vullnetarisht). Allahu ka marrë përsipër që, luftëtarit në rrugën e Tij, ose t'ia marrë shpirtin dhe ta fusë në Xhenet, ose ta kthejë të shëndoshë me shpërblim ose me plaçkë lufte.”
3. Nënkapitulli: Lutja për xhihad dhe shehidllëk, për burra e gra
Omeri thoshte: "O Allah! Më mundëso të bie shehid në qytetin e të Dërguarit Tënd ﷺ."
2788. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
2788, 2789 - Abdullah ibn Jusufi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ shkonte tek Umu Haram bint Milhani, e cila i shtronte ushqim. Umu Harami ka qenë bashkëshortja e Ubade ibn Samitit. Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi tek ajo, e cila i ofroi pak ushqim, e pastaj filloi t'ia përkëdhelë kokën të Dërguarit të Allahut ﷺ, derisa fjeti. Pejgamberi ﷺ u zgjua nga gjumi duke qeshur, andaj ajo e pyeti: “Çfarë po të shtyn të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa persona nga umeti im, të cilët m'u shfaqën duke luftuar në rrugën e Allahut. Kështu, kalojnë nëpërmes këtij deti (e në Xhenet do të jenë) sikurse mbretër të mbështetur nëpër shtretër.” Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre.” Pejgamberi ﷺ u lut për të dhe sërish e lëshoi kokën (për të fjetur). Por sërish u zgjua duke qeshur. Umu Harami e pyeti sërish: “Çfarë po të bën të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa persona, nga umeti im, m'u paraqitën duke luftuar në rrugën e Allahut” - sikurse herën e parë. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Ai tha: “Ti do të jesh prej të parëve.”
Vërtet, ashtu ndodhi. Në kohën e Muavi ibn Ebu Sufjanit, Umu Harami ia mësyu detit dhe, posa doli nga deti, u rrëzua nga kafsha e saj dhe vdiq.”
2789. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
2788, 2789
4. Nënkapitulli: Gradat e muxhahidëve në rrugën e Allahut
2790. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër që, çdonjërin që e beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e fal namazin dhe e agjëron Ramazanin, ta fusë në Xhenet, pa marrë parasysh, nëse ka luftuar në rrugën e Allahut apo ka qëndruar në vendlindje.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, a t'i përgëzojmë njerëzit?” Ai u tha: “Në Xhenet janë njëqind shkallë që Allahu i ka përgatitur për luftëtarët në rrugën e Allahut. Largësia mes dy shkallëve është sa largësia mes qiellit dhe tokës, andaj, kur t'i luteni Allahut, kërkojani Firdeusin, sepse ai është mesi dhe maja e Xhenetit.” Mendoj se ka thënë: “... mbi të ndodhet Arshi i Rrahmanit (Gjithëmëshirshmit) dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit.”
Muhamed ibn Fulejhu transmeton nga babai i tij se (Pejgamberi ﷺ ka thënë): ”... dhe mbi të ndodhet Arshi i Rrahmanit.
2791. Nga: Semure ibn Xhundubi
Musai na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sonte i kam parë në ëndërr dy burra, të cilët më morën dhe më ngritën mbi pemë e më futën në një shtëpi të bukur e të çmueshme. Asnjëherë nuk kam parë shtëpi më të bukur se atë. Në fund më thanë: “Kjo shtëpi është Shtëpia e Shehidëve.”
5. Nënkapitulli: Vlera e marshimit mëngjes e mbrëmje për luftë në rrugën e Allahut dhe vlera e një copë toke sa maja e harkut të shigjetës në Xhenet
2792. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një marshim i vetëm në rrugën e Allahut, qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, është më i mirë sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”
2793. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fulejhu, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një copë vend sa maja e harkut të shigjetës, në Xhenet, është më e çmueshme sesa tërë ajo që përshkon Dielli, që kur lind deri kur perëndon.” Po ashtu, ai ﷺ ka thënë: “Një marshim në rrugën e Allahut, qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, është më i mirë sesa tërë ajo që përshkon Dielli, që kur lind deri kur perëndon.”
2794. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Marshimi në rrugën e Allahut, në mëngjes dhe në mbrëmje, është më i çmueshëm sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”
6. Nënkapitulli: Hyritë e bukura dhe cilësitë e tyre
Sytë mahniten nga shikimi i tyre: (ato posedojnë) sy të bukur, me të zezë dhe të bardhë të theksuar. Allahu ka thënë: “... dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.” (Duhan, 54)
2795. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muavi ibn Amri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku, e ky nga Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka rob (person) që vdes dhe pret shpërblim tek Allahu, që do të dëshironte të kthehej sërish në dynja, edhe nëse do t'i jepej tërë dynjaja dhe ç'ka në të, përveç shehidit, për shkak të shpërblimit të shehidllëkut që ka përjetuar. Ai do të dëshironte të kthehej në dynja dhe të vritej për së dyti.”
2796. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një marshim i vetëm në rrugën Allahut, qoftë në mëngjes, qoftë në mbrëmje, është më i mirë sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të, si dhe një copë toke në Xhenet, sa maja e harkut të shigjetës, është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të. Nëse një femër nga banorët e Xhenetit do të hidhte shikimin drejt banorëve të Tokës, do të ndriçonte çdo gjë mes Qiellit e Tokës dhe do ta mbushte me aromë të këndshme. Po ashtu, vetëm mbulesa e kokës së saj është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”
7. Nënkapitulli: Dëshira për të rënë shehid
2797. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, sikur të mos ishin disa burra besimtarë, të cilët nuk pranojnë të mbeten mbrapa dhe në të njëjtën kohë, nuk kam mundësi me çfarë t'i marr me vete, nuk do të lija asnjë ekspeditë luftarake në rrugën e Allahut pa marrë pjesë. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të dëshiroja të vritesha në rrugën Allahut, pastaj të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha e pastaj të vritesha.”
2798. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jusuf ibn Jakub Safari na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Uleje, e ky nga Ejubi, e ky nga Humejd ibn Hilali se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ gjatë një ligjërimi tha: “Zejdi e mori flamurin dhe u vra, pastaj atë e mori Xhaferi dhe u vra, pastaj e mori Abdullah ibn Revaha dhe u vra, pastaj e mori Halid ibn Velidi, pa qenë i caktuar më parë, dhe triumfoi.” Po ashtu, tha: “Nuk do të na gëzonte aspak sikur të ktheheshin te ne (në krahasim me vendin ku kanë shkuar në Xhenet).”
Ejubi ka thënë: “Ose ka thënë: “As atyre nuk do t'u pëlqente të ktheheshin te ne”; ndërkohë sytë i lotonin.
8. Nënkapitulli: Vlera e atij që rrëzohet duke qenë në rrugën e Allahut dhe vdes; i tilli llogaritet shehid
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë...” (Nisa, 100)
2799. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
2799, 2800 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton prej tezes së vet, Umu Haram bint Milhanit, e cila i ka rrëfyer: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ fjeti afër meje dhe, për një çast, u zgjua duke buzëqeshur. E pyeta: “Çfarë të bëri të buzëqeshësh?” Ai tha: “M'u shfaqën disa njerëz të umetit tim, të cilët do të kalojnë nëpërmes këtij deti të gjelbër (e në Xhenet do të jenë) sikurse mbretër, të mbështetur nëpër shtretër.” Ajo i tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre. Pejgamberi ﷺ u lut për të dhe fjeti sërish. Edhe këtë herë veproi sikurse herën e parë. Kështu, Umu Harami i tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Ai tha: “Ti do të jesh prej të parëve.”
Vërtet, ashtu ndodhi. Umu Harami doli me bashkëshortin e vet, Ubade ibn Samitin, i cili u nis për luftë, në kohën kur muslimanët për herë të parë ia mësynë detit me Muaviun. Por, me t'u kthyer nga lufta, rrugës për në vendlindje, u ndalën në Sham. Asaj ia afruan një kafshë për t'i hipur, e cila e rrëzoi dhe e la të vdekur.”
2800. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
2799, 2800
9. Nënkapitulli: Vlera e lëndimit dhe therjes në rrugën e Allahut
2801. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hafs ibn Omer Havdiu na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'haku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dërgoi një grup njerëzish, të përbërë prej shtatëdhjetë vetash, pjesëtarë të fisit benu sulejm, te fisi benu amir.” Kur shkuan atje, daja im u tha: “Unë po u afrohem atyre dhe, nëse më garantojnë siguri, do t'ua përcjell mesazhin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, por, për çdo rast, ju ju kam afër.” Kur shkoi, ata i garantuan siguri dhe, teksa po u fliste për Pejgamberin ﷺ, njërit prej tyre i bënë me shenjë, i cili shkoi dhe e theri tejpërtej dajën tim, i cili thirri dhe tha: “Allahu ekber! Për Zotin e Qabesë, fitova!” Pastaj ua mësynë shokëve të tij të tjerë e i vranë të gjithë, përveç njërit që çalonte, i cili hipi në një kodër. - Hemami thotë: “Mendoj se bashkë me të ishte edhe një tjetër (që shpëtoi). - Në anën tjetër, Xhibrili ﷺ e lajmëroi Pejgamberin ﷺ se ata tanimë janë takuar me Zotin e tyre, i Cili është i kënaqur me ta dhe i ka kënaqur.
Për një kohë të caktuar, i lexonim këto fjalë të shpallura: “Lajmëroni popullin tonë se ne jemi takuar me Zotin tonë, i Cili është i kënaqur me ne dhe na ka kënaqur.” Por, më vonë, këto ajete u anuluan. Pejgamberi ﷺ ka bërë dua dyzet ditë kundër fiseve: riël, dhekvan, benu lihjan dhe benu usaje, të cilët i ishin kundërvënë Allahut dhe Dërguarit të Tij ﷺ.”
2802. Nga: Xhundub ibn Sufjani
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Esved ibn Kajsi se Xhundub ibn Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit të Allahut ﷺ, në një prej ekspeditave luftarake, ku kishte marrë pjesë, iu përgjak gishti dhe tha:
“A nuk je tjetër veçse një gisht që u gjakose, e në rrugën e Allahut u plagose?!”
10. Nënkapitulli: Vlera e plagosjes në rrugën e Allahut
2803. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, kushdo që plagoset në rrugën e Allahut, ndërkohë Allahu e di më së miri kush plagoset në rrugën e Tij, Ditën e Kiametit do të vijë (me plagë) në ngjyrë gjaku, ndërsa era, erë myshku.”
11. Nënkapitulli: Ajeti: “Thuaj: "Çfarë prisni për ne, përveçse njërës prej dy të mirave (fitores ose shehidllëkut)...?”
Lufta herë fitohet, herë humbet.
2804. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi transmeton se Ebu Sufjan ibn Harbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka treguar se Herakliu i ka thënë: “Të pyeta se si ishte lufta juaj ndaj tij, më the se herë triumfoni ju, herë ai. Kështu është çështja e pejgamberëve: në fillim sprovohen, ndërsa fundi është në favor të tyre.”
12. Nënkapitulli: Ajeti: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”
2805. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Seid Huzai na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e ky nga Humejdi se ky e ka pyetur Enesin. Po ashtu, Amër ibn Zuraje më ka thënë: Na ka treguar Zijadi, e këtij i ka treguar Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhaxhai im, Enes ibn Nadri, nuk ka qenë pjesëmarrës në Luftën e Bedrit, andaj ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Në luftën e parë, që i luftove idhujtarët, kam munguar, por, nëse Allahu ma mundëson të jem i pranishëm në luftimin e idhujtarëve, Allahu ka për t'jua bërë të qartë se çfarë kam për të bërë.
Kështu, ditën e Uhudit, kur muslimanët pësuan disfatë, ai tha: “O Allah, kërkoj falje për veprimin e këtyre”, - aludonte në shokët e tij, - “dhe distancohem për veprimin e tyre”, - aludonte në idhujtarët. - Pastaj u vërsul drejt, ku e takoi Sad ibn Muadhin dhe i tha: “O Sad ibn Muadh! Xheneti! Për Allahun, erën e tij po e ndiej këtu, në Uhud.” Sadi thotë: “O i Dërguari i Allahut, nuk arrij ta përshkruaj çfarë bëri.”
Enesi thotë: “E gjetëm me tetëdhjetë e disa plagë në trup, të marra nga goditjet e shpatave, therjet e shtizave dhe majat e shigjetave. E gjetëm të vdekur e të masakruar, saqë nuk e njohu askush, përveç motrës së vet, e cila e njohu nëpërmjet gishtit të tij.”
Enesi thotë: “Kishim bindjen se ajeti vijues ka zbritur për të dhe shembujt që janë si ai: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (Ahzab, 23)
2806. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon (duke e lidhur hadithin me ngjarjen e hadithit paraprak): “Motra e tij (e Enes ibn Nadrit), që e quanin Rrubejë, ia kishte thyer dhëmbin një gruaje tjetër, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të merrej hak.” Enes ibn Nadri i tha: “O i Dërguari i Allahut! Për Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, vallë, nuk thyhet dhëmbi i saj?!” Por, familja e viktimës pranuan të marrin shpagimin dhe hoqën dorë nga hakmarrja. Në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ka robër të Allahut, të cilëve, kur betohen në Allahun, Ai ua realizon betimin.”
2807. Nga: Zejd ibn Thabiti
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar vëllai i tij, e ky nga Sulejmani, - mendoj se ky, - nga Muhamed ibn Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Harixhe ibn Zejdi se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të gjitha fletushkat kuranore i shkrova në mus'hafe, por më mungonte një ajet i sures Ahzab, të cilin e kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ tek e lexonte. Këtë ajet nuk e pata gjetur (të shkruar) tek askush, përveç te Huzejme ibn Thabit Ensariu, për dëshminë e të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë se vlen sa dëshmia e dy burrave. Fjala është për ajetin: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun...” (Ahzab, 23)
13. Nënkapitulli: Vepra e mirë para luftës
Ebu Derdai ka thënë: "Ju luftoni me veprat tuaja. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni! Vërtet, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si të ishin një ndërtesë e fortifikuar.” (Saf, 2-4)
2808. Nga: Bera ibn Azibi
Muhamed ibn Abdurrahimi më ka thënë: Na ka treguar Shebab ibn Sevar Fezariu, e këtij i ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ, i veshur me parzmore dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, të luftoj apo të pranoj Islamin?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Së pari pranoje Islamin, pastaj lufto.” Ai, e pranoi Islamin, pastaj luftoi dhe u vra. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Punoi pak, por u shpërblye shumë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2808
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitulli: Ai që goditet nga një shigjetë e panjohur dhe vdes
2809. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Husejn ibn Muhamed Ebu Ahmedi, e këtij i ka treguar Shejbani, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Rubejë bint Berai, nëna e Harithe ibn Surakës, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A nuk më tregon diçka për Harithen, që është vrarë ditën e Bedrit nga një shigjetë e panjohur? Nëse është në Xhenet, do të duroj, e, nëse është diku tjetër, do të qaj shumë për të.” Pejgamberi ﷺ i tha: "Oj nëna e Harithes, në Xhenet janë shumë xhenete, ndërsa biri yt ka arritur në Firdeusin e lartë.”
15. Nënkapitulli: Ai që lufton me qëllim që fjala e Allahut të jetë më e larta
2810. Nga: Ebu Musa Eshariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeti: “Një njeri që lufton për plaçkë të luftës, tjetri për famë dhe një tjetër për të shfaqur trimërinë e guximin, cili prej këtyre llogaritet në rrugën e Allahut?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ai që lufton me qëllim që fjala e Allahut të jetë më e larta. I tilli konsiderohet në rrugën e Allahut.”
16. Nënkapitulli: Atij që i pluhurosen këmbët në rrugën e Allahut
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, për shkak se ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.” (Teube, 120)
2811. Nga: Abdurrahman ibn Xhebri
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Mubareku, e këtij i ka treguar Jahja ibn Hamzai, e këtij i ka treguar Jezid ibn Ebu Merjemi, e këtij i ka rrëfyer Abaje ibn Rafi ibn Hadixhi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Absi, gjegjësisht Abdurrahman ibn Xhebri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që dy këmbët e një robi, të cilat pluhurosen në rrugën e Allahut, t'i prekë Zjarri.”
17. Nënkapitulli: Fshirja e pluhurit nga koka e atij që është në rrugën e Allahut
2812. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e kishte porositur Ikrimen dhe Ali ibn Abdullahun të shkojnë tek Ebu Seidi dhe t'i dëgjojnë hadithet e tij. Kur ata shkuan, e gjetën atë dhe vëllanë e tij duke ujitur një kopsht të tyre. Kur na pa, erdhi, u mbështoll dhe u ul. Pastaj na tha: “Tullat e xhamisë i bartnim një nga një, ndërsa Amari i mbartte dy nga dy.” Pejgamberi ﷺ kaloi pranë tij, ia fshiu pluhurin nga koka dhe tha: “Mjerë Amari! Do ta vrasë grupi i rebeluar. Amari do t'i thërrasë për tek Allahu, kurse ata do ta thërrasin për në Zjarr.”
18. Nënkapitulli: Larja e trupit pas luftës dhe pluhurosjes
2813. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Hendekut, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ ishte kthyer (nga ballafaqimi me armikun), i la armët dhe u pastrua. Erdhi Xhibrili me kokë të pluhurosur dhe i tha: “Ti i le armët, por betohem në Allahun se nuk duhet t'i lësh.” I Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti: “Për ku (t'ia mësyj)?” Ai tha: “Atje”, - dhe bëri me dorë drejt fisit benu kurejdha. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ u nis drejt tyre.
19. Nënkapitulli: Vlera e ajeteve: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u furnizuar te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë shehidë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas). Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.”
2814. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ është lutur tridhjetë ditë kundër vrasësve të muslimanëve te pusi Meune, pra, kundër fiseve: riël, dhekvan dhe usaje, të cilët i ishin kundërvënë Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ.”
Enesi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për ata që janë vrarë te pusi Meune, ajet kuranor të cilin e lexonim, por që më pas u anulua: “Lajmëroni popullin tonë se ne jemi takuar me Zotin tonë, i Cili është i kënaqur me ne dhe ne me Të.”
2815. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Disa pjesëmarrës në Luftën e Uhudit atë mëngjes pinë verë, e pastaj ranë shehidë.”
Dikush e pyeti Sufjanin (njërin prej transmetuesve të këtij hadithi): “Në fund të asaj dite?” Ai u përgjigj: “Kjo nuk përmendet në hadith.”
20. Nënkapitulli: Melekët i bëjnë hije shehidit
2816. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky e ka dëgjuar Muhamed ibn Munkedirin se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Babanë tim e sollën të masakruar para Pejgamberit ﷺ. Shkova t'ia zbuloj fytyrën, por njerëzit më ndaluan. Pejgamberi ﷺ e dëgjoi zërin e një gruaje duke qarë dhe i treguan se ajo ishte bija, - ose ka thënë: motra, - e Amrit. Pejgamberi ﷺ tha: “Pse po qan? - ose ka thënë: "Mos qaj! - Melekët po vazhdojnë t'i bëjnë hije me flatrat e tyre.”
Imam Buhariu thotë: “E kam pyetur Sadaka ibn Fadlin (mësuesin e tij) se a ndodhet në hadith shprehja: “... (i bënë hije) derisa e ngritën (e morën)”, e ai më tha: “Mbase e ka përmendur (Xhabiri këtë shprehje).”
21. Nënkapitulli: Dëshira e muxhahidit për t’u kthyer sërish në dynja
2817. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka asnjë që hyn në Xhenet e që do të dëshironte të kthehej sërish në dynja, edhe nëse do t'i jepej çdo gjë në dynja, përveç shehidit, i cili dëshiron të kthehet në dynja e të vritet dhjetëra herë, për shkak të nderit që e ka përjetuar.”
22. Nënkapitulli: Xheneti ndodhet nën shkëndijat e shpatave
Mugire ibn Shube ka thënë: "Pejgamberi ynë ﷺ na ka rrëfyer për porosinë e Zotit tonë: “Kush nga ne vritet, do të shkojë në Xhenet.” Umeri i ka thënë Pejgamberit ﷺ: "A nuk shkojnë të vrarët tanë në Xhenet, ndërsa të vrarët e tyre në Zjarr?" - “Pa dyshim që po”, - i është përgjigjur Pejgamberi ﷺ.
2818. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muaviu ibn Amri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku, e ky nga Musa ibn Ukbe se Salim ibn Nadri, i çrobëruari, njëkohësisht qatipi i Omer ibn Ubejdullahut, tregon: “Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka shkruar atij se i Dërguari i Allahut ﷺ u ka thënë: “Dijeni mirë se Xheneti ndodhet nën hijet e shpatave.”
(Këtë transmetim nga) Ebu Is'haku e fuqizon Uvejsi nga Ibn Ebu Zinadi, e ky nga Musa ibn Ukbe.
23. Nënkapitulli: Dëshira për të lindur fëmijë mashkull për ta dërguar në xhihad
2819. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka rrëfyer: “Sulejmani, i biri i Davudit ﷺ, ka thënë: “Sonte do të bëj marrëdhënie me njëqind - ose ka thënë: nëntëdhjetë e nëntë - gra, që secila të më lindë nga një kalorës që do të luftojnë në rrugën e Allahut.” Shoqëruesi i vet i tha: “Thuaj “Inshallah (vetëm nëse Allahu do).” Por, ai nuk tha “inshallah”. Prandaj, asnjëra prej grave të tij nuk mbeti shtatzënë, përveç njërës, e cila lindi një gjysmë njeriu. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se, sikur të kishte thënë “inshallah”, të gjithë (bijtë e tij) do të luftonin në rrugën e Allahut si kalorës.”
24. Nënkapitulli: Trimëria në luftë dhe përçmimi i frikës
2820. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmed ibn Abdulmelik ibn Vakidi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ishte njeriu më i mirë, më trimi dhe më bujari nga të gjithë. Njëherë, kur banorët e Medinës i kapi një panik, Pejgamberi ﷺ nxitoi para të gjithëve i hipur në një kalë (për të kuptuar nëse u kanosej ndonjë rrezik), ndërkohë tha: “Ky kalë qenka i furishëm si deti.”
2821. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Omeri, i biri i Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimit, e ky nga Muhamedi, i biri i Xhubejrit se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa po udhëtonte me të Dërguarin e Allahut ﷺ së bashku me ushtrinë, duke u kthyer nga Hunejni, njerëzit filluan t'i lypin, saqë e mbështetën për një peme, në të cilën iu mbërthye pelerina. Pejgamberi ﷺ u ngrit në këmbë dhe tha: “Ma jepni pelerinën time! Sikur të posedoja deve sa numri i pemëve që gjenden këtu, të gjitha do t'jua ndaja juve, që ta dini se nuk jam koprrac, as gënjeshtar e as frikacak.”
25. Nënkapitulli: Kërkimi i mbrojtjes kundrejt frikës
2822. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Abdulmelik ibn Umejri se Amër ibn Mejmun Evdiu tregon: “Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ua mësonte bijve të vet këto fjalë ashtu siç ua mëson mësuesi shkrimin fëmijëve dhe thoshte se me këto fjalë i Dërguari i Allahut ﷺ kërkonte mbrojtjen e Allahut pas çdo namazi: “O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga frika. Kërkoj të më mbrosh nga pleqëria e thellë. Kërkoj të më mbrosh nga sprovat e dynjasë dhe kërkoj të më mbrosh nga dënimi në varr!”
(Transmetuesi thotë:) Këtë ia tregova Musabit e ai ma miratoi si të tillë.
2823. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Mutemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Allahume ini eudhu bike minel axhzi vel keseli, vel xhubni vel heremi, ve eudhu bike min min fitnetil mahja vel memat, ve eudhu bike min adhabil kabri, (O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga paaftësia, përtacia, frika dhe pleqëria e thellë! Kërkoj të më mbrosh nga sprovat e jetës dhe vdekjes, si dhe kërkoj të më mbrosh nga dënimi në varr)!”
26. Nënkapitulli: Rrëfimi i ndodhive të përjetuara gjatë luftës
Këtë e ka transmetuar edhe Ebu Othmani nga Sadi.
2824. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Muhamed ibn Jusufi se Saib ibn Jezidi tregon: “Kam shoqëruar Talha ibn Ubejdullahun, Sadin, Mikdad ibn Evsin dhe Abdurrahman ibn Aufin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), por asnjërin prej tyre nuk e kam dëgjuar të tregojë diçka prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, përveç Talhait, të cilin e kam dëgjuar të rrëfejë ndodhitë e ditës së Uhudit.”
27. Nënkapitulli: Obligueshmëria e daljes për luftë, xhihadi i obliguar dhe nijeti
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit! Sikur fitorja të ishte e afërt dhe udhëtimi i shkurtër, ata do të të pasonin ty. Por iu duk rrugë e largët. Dhe ata do të betohen në Allahun: "Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju; dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten; Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.” (Teube, 41-42) Ai gjithashtu ka thënë: “O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: "Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël. Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër; Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm aspak, se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Teube, 38-39)
2825. Nga: Abdullah ibn Abasi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Çlirimit të Mekës, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pas Çlirimit (të Mekës) nuk ka më hixhret, por ka xhihad dhe nijet. Kur të ftoheni (nga prijësi i muslimanëve) për luftë, përgjigjjuni.”
28. Nënkapitulli: Nëse jobesimtari vret një musliman, pastaj e pranon Islamin dhe punon mirë, e më pas vritet (në luftë)
2826. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu qesh me dy njerëz: me njërin që e vret tjetrin, ndërkaq të dy hyjnë në Xhenet. Njëri lufton në rrugën e Allahut dhe vritet (nga i pari), por pastaj Allahu ia pranon pendimin vrasësit, i cili më vonë bie shehid.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2826
Fjalë të panjohura?
2827. Nga: Ebu Hurejra
Humejdi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Anbese ibn Seidiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ gjatë kohës sa ishte në Hajber, pasi e kishin çliruar atë, dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më ndaj diçka nga preja e luftës. Por, disa pjesëtarë të fisit të Seid ibn Asit thanë: “Mos i ndaj asgjë, o i Dërguari i Allahut!” Ebu Hurejra tha: “Ja vrasësi i Ibn Kavkalit.” Ibn Seid ibn Asi tha:" Sa çudi për lepurin shkëmbor, që u dynd te ne nga Kadumi Dani dhe më vajton një burrë musliman që Allahu e ka nderuar në duart e mia e nuk më ka poshtëruar në duart e tij.”
Ibn Ujejne thotë: “Nuk di nëse Pejgamberi ﷺ i ka ndarë diçka Ebu Hurejrës apo jo.”
Sufjani ka thënë: “Këtë ma ka treguar Saidi nga gjyshi i tij, e ky nga Ebu Hurejra. Saidi është Amër ibn Jahja ibn Seid ibn Amër ibn Seid ibn Asi.”
29. Nënkapitulli: Ai që e përzgjedh luftën kundrejt agjërimit (nafile)
2828. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Thabit Bunaniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ Ebu Talhai nuk agjëronte (vullnetarisht) për shkak të pjesëmarrjes nëpër beteja. Por, pasi vdiq Pejgamberi ﷺ, nuk mund ta shihje duke ngrënë, përveç ditëve të Bajramit të Fitrit dhe Kurbanit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2828
Fjalë të panjohura?
30. Nënkapitulli: Shehidllëku ndahet në shtatë lloje, krahas të vrarit në rrugën e Allahut
2829. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shehidët ndahen në pesë lloje:
1. Ai që vdes nga murtaja,
2. Ai që vdes nga dhimbjet e barkut,
3. I mbyturi në ujë,
4. Ai që vdes nga shembja (e ndonjë objekti), dhe
5. Luftëtari në rrugën e Allahut.”
2830. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Asimi, e ky nga Hafsa bint Sirini se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vdekja nga murtaja konsiderohet shehidllëk, për çdo musliman.”
31. Nënkapitulli: Ajeti: “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve, me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më lart ata që kanë luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që kanë ndenjur në shtëpitë e veta. Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi, por i ka dalluar ata që luftojnë mbi ata që nuk luftojnë me shpërblim të madh: me shkallë të veçanta, me falje dhe mëshirë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”
2831. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre...” (Nisa, 95) I Dërguari i Allahut ﷺ e thirri Zejdin, i cili me vete kishte marrë një asht shpatulle, ku e shkroi ajetin e zbritur. Ibn Umu Mektumi u ankua për verbërinë e vet, andaj zbriti ajeti (me një shtojcë që përjashton të paaftët): “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve...” (Nisa, 95)
2832. Nga: Zejd ibn Thabiti
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sad Zuhriu, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu tregon: “E pashë Mervan ibn Hakemin të ulur në xhami, andaj shkova dhe u ula me të. Ai na tregoi se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më diktoi të shkruaj (këtë ajet): “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre me ata që luftojnë në rrugën e Allahut...” Por, teksa Pejgamberi ﷺ po ma diktonte, Ibn Umu Mektumi erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të mund të luftoja, do ta bëja, - sepse ai ka qenë i verbër.” Kështu, Pejgamberit ﷺ filloi t'i shpallej sërish, ndërsa gjuri i tij ishte mbi kofshën time, i cili u rëndua aq shumë, saqë mendova se do të ma këpusë kofshën. Pasi Pejgamberi ﷺ u çlirua, Allahu i kishte shpallur (shtesën): “... përveç të paaftëve...” (Nisa, 95)
Referenca: Sahihu i Buhariut 2832
Fjalë të panjohura?
32. Nënkapitulli: Durimi gjatë luftimit
2833. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Muaviu ibn Amri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Salim Ebu Nadri se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka shkruar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur t'i takoni (armiqtë), bëhuni durimtarë.”
33. Nënkapitulli: Nxitja për luftim
Ajeti: “... Jepu zemër e nxiti besimtarët për luftim...!” (Enfal, 65)
2834. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullahu ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muavi ibn Amri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë një paraditeje të ftohtë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli te hendeku teksa muhaxhirët dhe ensarët po gërmonin, ndërkohë nuk posedonin robër për t'ua kryer punën. Kur Pejgamberi ﷺ vuri re lodhjen dhe urinë që i kishte kapluar, tha:
“O Allah, jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët fali krejt!”
Ata, duke iu përgjigjur, thoshin:
"Ne jemi ata që Muhamedit (ﷺ) i jemi besatuar,
Për xhihad, sa të jemi gjallë e sa të kemi për të jetuar.”
34. Nënkapitulli: Gërmimi i hendekut
2835. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Muhaxhirët dhe ensarët filluan të gërmonin hendekun rreth Medinës dhe të bartnin dheun mbi supe duke thënë:
"Ne jemi ata që Muhamedit (ﷺ) i jemi besatuar,
Për Islam, sa të jemi gjallë e sa të kemi për të jetuar.”
Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ u përgjigjej dhe u thoshte:
“O Allah, mirësi të vërtetë ka veç në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët bekoji krejt!”
2836. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ bartte (gurë) dhe thoshte: “Pa Ty (O Allah), ne nuk do të udhëzoheshim.”
2837. Nga: Bera ibn Azibi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Ahzabit, pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke bartur dhé, që ia kishte mbuluar barkun, e duke thënë:
“Pa Ty (O Allah), ne nuk do të udhëzoheshim,
As do të jepnim sadaka e s'do të faleshim.
Zbrite qetësinë ndër ne!
Dhe na forco këmbët nëse përballemi!
Armiqtë po na bezdisin dhe po na sulmojnë,
Kur ata kërkojnë trazira, ne refuzojmë.”
35. Nënkapitulli: Kur dikush nuk merr pjesë në luftë nga pamundësia
2838. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U kthyem nga Beteja e Tebukut, së bashku me Pejgamberin ﷺ.”
2839. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në një betejë, tha: “Janë disa persona mbrapa në Medinë, të cilët janë me ne në çdo shteg dhe luginë që kalojmë, por ja që pamundësia i ka privuar (të na bashkohen).”
Musai ka thënë: “Na ka treguar Hamadi nga Humejdi, e ky nga Musa ibn Enesi, e ky nga babai i tij: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “E para është më e saktë.”
36. Nënkapitulli: Vlera e agjërimit në rrugën e Allahut
2840. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jahja ibn Seidi dhe Suhejl ibn Ebu Salihu, e këta të dy e kanë dëgjuar Numan ibn Ebu Ajashi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Atij që agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu do t'ia largojë fytyrën nga Zjarri për shtatëdhjetë vjet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2840
Fjalë të panjohura?
37. Nënkapitulli: Vlera e shpenzimit në rrugën e Allahut
2841. Nga: Ebu Hurejra
Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atë që i dhuron dy lloje të pasurisë në rrugën e Allahut, secili kujdestar i Xhenetit e thërret dhe i thotë: “O filan, eja këtej!” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut, ky është ai që nuk shkatërrohet.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shpresoj që ti të jesh njëri prej tyre.”
2842. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Hilali, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hipi në minber dhe tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen begatitë e Tokës.” Pastaj përmendi bukuritë e dynjasë, njërën pas tjetrës. Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut! A ka mundësi që prej së mirës të vijë e keqja?” Por, Pejgamberi ﷺ heshti, ndërsa ne thamë: “Po i zbret shpallja.” Të gjithë njerëzit heshtnin, sikurse të kishin zbritur zogjtë mbi kokat e tyre. Më pas, ai e fshiu fytyrën e djersitur dhe tha: “Ku mbeti ai që pyeti pak më parë? E mirë po të duket (pasuria)?” - tri herë, pastaj vazhdoi: “Prej së mirës gjithmonë vjen e mira. Në pranverë sa më shumë që mbin bar i njomë, i cili e mbyt bagëtinë duke e fryrë ose duke e sjellë në prag të ngordhjes, ato aq më shumë hanë, përveç asaj që është mësuar me bar të njomë (atë nuk e dëmton), (e cila ha) derisa t'i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), bajgos e urinon, dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për sy) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që e fiton me hallall, pastaj e jep në rrugën e Allahut, jetimit, nevojtarit ose udhëtarit! Ndërkaq, ai që fiton pasuri padrejtësisht është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të jetë dëshmitare kundër tij.”
38. Nënkapitulli: Vlera e atij që financon përgatitjen e një ushtari ose përkujdeset me mirësi për familjen e tij
2843. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abduvarithi, e këtij i ka treguar Husejni, e këtij i ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ebu Seleme, e këtij i ka treguar Busr ibn Seidi se Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pajis një luftëtar në rrugën e Allahut, veçse ka marrë pjesë në luftë. Ai që kujdeset që familja e një luftëtari në rrugën e Allahut të jetë mirë, veçse ka marrë pjesë në luftë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2843
Fjalë të panjohura?
2844. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ nuk hynte në ndonjë shtëpi në Medinë pa qenë të pranishëm burrat, përveç në shtëpinë e Umu Sulejmit. Kur e pyetën, ai tha: “Po e mëshiroj, sepse vëllai i është vrarë me mua.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2844
Fjalë të panjohura?
39. Nënkapitulli: Parfumosja gjatë luftimit
2845. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Musai, i biri i Enesit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në rrëfim e sipër për Luftën e Jemames, tregon se kishte shkuar te Thabit ibn Kajsi, i cili po lyhej me parfum e i kishte zbuluar kofshët, dhe i kishte thënë: “O axhë! Çfarë po të pengon të vish?” Ai ia ktheu: “Tani do të vij, o djali i vëllait tim”, - dhe vazhdoi të parfumohej. Enesi përmend se aty u bë një thyerje e rreshtave të ushtrisë dhe, kur Thabit ibn Kajsi erdhi, u radhit në rresht dhe, me qëllim që të na nxiste për ta sulmuar armikun, u drejtua nga ne dhe na tha: “Ne nuk vepronim kështu me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Sa keq po i mësoni bashkëluftëtarët tuaj!”
Hamadi transmeton nga Thabiti, e ky nga Enesi.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2845
Fjalë të panjohura?
40. Nënkapitulli: Vlera e vrojtuesit ushtarak
2846. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, ditën e Ahzabit (Betejës së Hendekut), Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush më sjell lajme prej armiqve?”
- Unë, - tha Zubejri.
- “Kush më sjell lajme prej armiqve?” - pyeti sërish Pejgamberi ﷺ.
- Unë, - tha sërish Zubejri.
- “Çdo pejgamber ka pasur nga një ndihmës, ndërsa ndihmësi im është Zubejri”, - tha Pejgamberi ﷺ.