58. Xhizja
1. Nënkapitulli: Xhizja e armëpushimi me dhimitë dhe armiqtë
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” (Teube, 29) Transmetimet rreth marrjes së xhizjes prej çifutëve, të krishterëve, mexhusëve dhe joarabëve. Ibn Ujejne tregon se Ibn Ebu Nexhihi i ka thënë Muxhahidit: "Përse banorët e Shamit ngarkohen me katër dinarë, ndërsa banorët e Jemenit me një dinar?" Muxhahidi është përgjigjur: "Kjo është përcaktuar në bazë të kushteve ekonomike."
3156. Nga: Musab ibn Zubejri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amër ibn Dinari tregon: “Po rrinim me Xhabir ibn Zejdin dhe Amër ibn Evsin, të cilëve, në vitin shtatëdhjetë, - vitin kur Musab ibn Zubejri erdhi në haxh me banorët e Basrës, - Bexhaliu u rrëfeu te shkallët e Zemzemit dhe u tha: “Unë kam qenë qatipi i Xhez ibn Muaviut, - axhës së Ahnefit, - kur na erdhi letër prej Omer ibn Hatabit, një vit para se të vdiste, ku thoshte: “Ndani të gjithë mexhusët që janë martuar me mahremët e tyre.” Ndërkohë, Omeri nuk ua detyronte mexhusëve xhizjen.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3156
Fjalë të panjohura?
3157. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Amër ibn Dinari tregon se Omeri nuk merrte xhizje nga mexhusët, derisa Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dëshmoi se i Dërguari i Allahut ﷺ u merrte xhizje mexhusëve nga Hexheri.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3157
Fjalë të panjohura?
3158. Nga: Amër ibn Auf Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mahrame se Amër ibn Auf Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili ishte aleat i fisit të Amir ibn Luejit dhe kishte qenë pjesëmarrës në Bedër, - tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte dërguar Ebu Ubejde ibn Xherrahun në Bahrejn për t'ua mbledhur atyre xhizjen. I Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshje paqeje me banorët e Bahrejnit, ndërsa Alaë ibn Hadremiun e kishte vendosur në krye të tyre. Kështu, Ebu Ubejde u kthye me pasuri nga Bahrejni dhe e arriti namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ. Ensarët, me të dëgjuar se ai ishte kthyer, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin, i dolën përpara dhe ai buzëqeshi kur i pa kështu e tha: “Më duket se keni dëgjuar që Ebu Ubejde është kthyer me diçka?” Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përgëzohuni dhe shpresoni atë që ju bën të lumtur, sepse betohem në Allahun se, për ju, nuk ia kam frikën varfërisë sikurse ia kam frikën se do t'ju shtrohet dynjaja ashtu siç u ishte shtruar atyre që ishin para jush, e pastaj ju të garoni për të siç garuan ata, ndërsa ajo t'ju shkatërrojë siç i ka shkatërruar ata.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3158
Fjalë të panjohura?
3159. Nga: Xhubejr ibn Haje
Fadël ibn Jakubi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Xhafer Rakiu, e këtij i ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Seid ibn Ubejdullah Thekafiu, e këtij i ka treguar Bekër ibn Abdullah Muzeniu dhe Zijad ibn Xhubejri se Xhubejr ibn Haje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Omeri dërgoi njerëz për t'i luftuar idhujtarët nëpër vende të ndryshme. Mbreti Hurmuzan e pranoi Islamin dhe Omeri i tha: “Po konsultohem me ty rreth këtyre betejave.” Hurmuzani i tha: “Po. Këto krahina dhe njerëzit që ndodhen në to, përkatësisht armiqtë e muslimanëve i shëmbëllejnë një shpendi që posedon një kokë, dy krahë dhe dy këmbë. Nëse i thyhet njëri krah, ngrihet me dy këmbë, me krahun tjetër dhe kokën; nëse i thyhet edhe krahu tjetër, ngrihet me dy këmbë dhe me kokë. Por, nëse i shtypet koka, shkojnë edhe këmbët, edhe krahët, edhe koka. Koka është Kisra, njëri krah është Cezari, ndërsa krahu tjetër persianët, kështu që urdhëroji muslimanët që të marshojnë drejt Kisrait.”
Bekri dhe Zijadi, që të dy, transmetojnë nga Xhubejr ibn Haje se Omeri na tuboi dhe na vendosi nën komandën e Numan ibn Mukarrinit. Me të arritur në trojet e armikut, komandanti i Kisrait na doli në pritë me dyzet mijë ushtarë. Një përkthyes u ngrit dhe tha:
- Le të vijë një burrë nga ju që të bisedojë me mua.
- Pyet ç'të duash, - i tha Mugire.
- Cilët jeni ju? - pyeti ai.
- Ne jemi ca njerëz arabë. Në të kaluarën kemi qenë të zhytur në mjerim dhe vuajtje të thellë. Thithnim lëkurat dhe thelbat nga uria, vishnim gëzofë dhe guna, i adhuronim pemët dhe gurët. Dhe, duke qenë në këtë gjendje, Zoti i qiejve dhe Tokës, - Lartësuar qoftë madhëria e Tij, - na dërgoi një Pejgamber nga mesi ynë, të cilit ia njohim babanë dhe nënën. Pejgamberi ynë ﷺ, i Dërguari i Zotit tonë, na urdhëron t'ju luftojmë derisa ta adhuroni Allahun, të Vetmin, ose të jepni xhizjen. Po ashtu, i Dërguari ynë ﷺ na ka treguar për mesazhin e Zotit tonë se, kushdo nga ne që vdes, shkon në Xhenet, në një mirësi, shembullin e së cilës nuk e ka parë asnjëherë, ndërkaq, kush prej nesh mbetet gjallë, do t'ju marrë nën pronësi, - iu përgjigj Mugire përkthyesit.”
3160. Nga: Xhubejr ibn Haje
Xhubejr ibn Haje tregon se Numan ibn Mukarrini (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu drejtua Mugirës duke i thënë: “Ndoshta Allahu të ka mundësuar pjesëmarrjen në luftë me Pejgamberin ﷺ, ku as të ka lënë pishman, as të mposhtur, por unë kam qenë pjesëmarrës në luftë së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Nëse ai nuk luftonte në mëngjes, priste derisa ngriheshin erërat dhe fillonin namazet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3160
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Nëse prijësi lidh marrëveshje armëpushimi me mbretin e vendbanimit, a vlen kjo edhe për banorët e tjerë?
3161. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Sehl ibn Bekari na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Amër ibn Jahjai, e ky nga Abas Saidiu se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ luftuam në Tebuk, ku mbreti i Ejlës i dhuroi Pejgamberit ﷺ një mushkë të bardhë, ndërsa Pejgamberi ﷺ i dhuroi një xhybe në shkëmbim dhe e la edhe më tutje udhëheqës të detit të tyre.”
3. Nënkapitulli: Porosia për kujdes ndaj dhimive, të cilët janë në garancinë e Pejgamberit ﷺ
3162. Nga: Omer ibn Hatabi
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra se Xhuvejri ibn Kudame Temimi tregon: “E dëgjova Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi iu drejtuam: “Na këshillo, o prijës i besimtarëve”, të thotë: “Po ju porosis të jeni të kujdesshëm ndaj kategorive që janë nën mbrojtjen e Allahut, sepse ata janë edhe nën mbrojtjen e Pejgamberit ﷺ, njëherazi janë burim furnizimi për familjet tuaja.”
4. Nënkapitulli: Hiseja që Pejgamberi ﷺ e shpërndau nga pasuria e Bahrejnit dhe pjesa nga kjo pasuri dhe nga xhizja që ua premtoi të tjerëve, si dhe kujt u ndahet preja e luftës dhe xhizja
3163. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e ky nga Jahja ibn Seidi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i ftoi ensarët për t'u dhënë hise nga pasuria e Bahrejnit, por ata thanë: “Jo, për Allahun, vetëm nëse u jep edhe vëllezërve tanë kurejshë sikurse neve.” Ai u tha: “Atyre u takon aq sa Allahu dëshiron t'u japë.” Por, ensarët këmbëngulnin, derisa Pejgamberi ﷺ u tha: “Pas vdekjes sime do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit), andaj duroni, derisa të më takoni te Hauzi.”
3164. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Revh ibn Kasimi, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Sikur ta merrnim pasurinë e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq e kaq.”
Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ vdiq, na erdhi pasuria e Bahrejnit, e në atë rast Ebu Bekri tha: “Ai, të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ i ka premtuar diçka, le të vijë tek unë.” Unë shkova dhe i thashë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Sikur ta merrnim pasurinë e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq e kaq.” Ebu Bekri tha: “Merr.” Kështu, unë i mbusha dy grushte. Ai më tha: “Numëroji.” Kur i numërova, më dolën pesëqind dinarë. Ai gjithsej m'i dha një mijë e pesëqind (dinarë).
3165. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Tahmani transmeton nga Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një grumbull mallrash prej Bahrejnit, e në atë rast tha: “Derdhini në xhami!” Kurrë më parë nuk i kanë sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ mall më shumë sesa këtë herë.” Abasi erdhi dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Më jep edhe mua, sepse më është dashur të harxhoj shumë kur e pata shpaguar veten dhe Akilin (prej robërisë në Luftën e Bedrit).
- “Merr!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shtriu një bohçe dhe e mbushi, por, ngaqë nuk mund ta bartte, tha:
- Urdhëro dikë të ma ngarkojë?
- “Jo!” - i tha Pejgamberi.
- Atëherë, a mund të ma ngarkosh ti? - pyeti Abasi.
- “Jo!” - iu përgjigj sërish Pejgamberi ﷺ.
Kështu, zbrazi një sasi të saj, por ende nuk mund ta ngrinte. Atëherë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ: “Urdhëro dikë të ma ngarkojë?”
- “Jo!” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- E po, a mund të ma ngarkosh ti?
- “Jo!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai zbrazi edhe një pjesë të saj dhe e ngarkoi në supet e veta e u nis. Pejgamberi ﷺ e përcolli me sytë e tij derisa ai u largua, i habitur për lakminë e tij. Atë ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit që aty vetëm atëherë kur nuk mbeti asnjë dërhem.”
5. Nënkapitulli: Mëkati i atij që vret pa faj dikë që ndodhet në besën e një muslimani
3166. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Hasen ibn Amri, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush vret një person që ndodhet në besën e një muslimani, nuk do ta ndiejë erën e Xhenetit, ndërkohë era e tij ndihet sa dyzet vjet udhëtim.”
6. Nënkapitulli: Dëbimi i hebrenjve nga Siujdhesa Arabe
Omeri transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Po ju lëmë të qëndroni aq sa të dojë Allahu.”
3167. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburiu, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndronim në xhami, Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “Nisuni për te hebrenjtë!” Ne u nisëm dhe, me të arritur te shtëpia e Midrasit, Pejgamberi ﷺ tha: “Pranojeni Islamin, që të shpëtoni dhe dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Unë dua t'ju dëboj nga kjo tokë, andaj, kush nuk mund ta marrë pasurinë me vete, le ta shesë. Përndryshe, dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
3168. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Sulejman Ahveli, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dita e enjte, e çfarë është dita e enjte?” Pastaj qau, derisa lotët e lagën dyshemenë. “I thashë: “O Ibn Abas, ç'është puna e ditës së enjte?” Ai vazhdoi: (Atë ditë) të Dërguarit të Allahut ﷺ iu shtuan dhimbjet dhe tha: “Më sillni një letër, t'ju shkruaj një amanet, pas të cilit nuk do të devijoni kurrë.” Por, të pranishmit filluan të debatonin, ndërkohë në prani të një pejgamberi nuk lejohet polemika. Disa thanë: “Çfarë ka vallë, e ka kapluar agonia? Pyeteni!” Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Lërmëni, sepse gjendja në të cilën unë ndodhem tani është më e mirë sesa ajo në të cilën ju po më ftoni.”
Pastaj Pejgamberi ﷺ la tri amanete: “Dëboni idhujtarët nga Siujdhesa Arabe, shpërbleni delegacionet ashtu siç i shpërbleja unë.”
Sulejman ibn Ebu Muslimi thotë: “E treta ishte më e mira. Mirëpo, ose ka heshtur, ose e kam harruar.”
7. Nënkapitulli: A u falet tradhtia idhujtarëve ndaj muslimanëve?
3169. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u çlirua Hajberi, Pejgamberit ﷺ iu dhurua një dele e helmuar, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “M'i tuboni këtu të gjithë hebrenjtë.” Kur ia tubuan, Pejgamberi ﷺ tha:
- “Do t'ju pyes diçka. Vallë, do të ma thoni të vërtetën?”
- Po, - thanë ata.
- “Kush është paraardhësi juaj?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Filani, - thanë ata.
- “Gënjyet. Babi juaj është filani.”
- Ashtu është, - thanë ata.
- “Do të ma thoni të vërtetën, nëse ju pyes diçka?”
- Po, o Ebu Kasim. Edhe nëse gënjejmë, ti do ta kuptosh gënjeshtrën tonë, siç e kuptove gënjeshtrën për paraardhësin tonë, - iu përgjigjën hebrenjtë.
- “Cilët janë banorët e Zjarrit?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Do të qëndrojmë një kohë të shkurtër në të, pastaj do të vini ju në vend tonin.
- “Heshtni! Betohem në Allahun se kurrë nuk do të zëmë vendin tuaj aty”, - u tha Pejgamberi ﷺ, pastaj vazhdoi: “Do të ma thoni të vërtetën, nëse ju pyes edhe diçka?”
- Po, o Ebu Kasim, - iu përgjigjën hebrenjtë.
- “Keni vendosur helm në këtë dele?”
- Po, - thanë ata.
- “Çfarë ju shtyri të veproni kështu?”
- Deshëm që, nëse je gënjeshtar, të rehatohemi prej teje, e, nëse je pejgamber, nuk të bën dëm aspak.”
8. Nënkapitulli: Lutja e prijësit kundër atij që e thyen besën
3170. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Thabit ibn Jezidi se Asimi tregon: “E pyeta Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth duasë së kunutit.” Ai u përgjigj: “(Bëhet) para rukusë.” I thashë: “Filani po pretendon se ke thënë se ajo bëhet pas rukusë.” Enesi u përgjigj: “Ka gënjyer.” Pastaj na tregoi rreth Pejgamberit ﷺ se ka bërë kunut një muaj rresht, pas rukusë, duke u lutur kundër disa lagjeve të fisit benu sulejm.
Më pas tregoi se Pejgamberi ﷺ i ka dërguar dyzet ose shtatëdhjetë, - transmetuesi është në mëdyshje, - mësues të Kuranit te disa idhujtarë. Kur këta shkuan atje, idhujtarët i vranë, edhe pse i kishin dhënë besën Pejgamberit ﷺ. Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të ketë shprehur armiqësi ndaj dikujt sikurse ndaj këtyre.”
9. Nënkapitulli: Kur gratë sigurojnë dhe marrin nën mbrojtje dikë
3171. Nga: Umu Hani bint Ebu Talibi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullahut, e këtij i ka treguar Ebu Murra, i çrobëruari i Umu Hanes, së bijës së Ebu Talibit, se Umu Hani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e bija e Ebu Talibit tregon: “Vitin e Çlirimit (të Mekës) shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin e gjeta duke u pastruar, ndërsa Fatimja, e bija e tij, po e mbulonte me një rrobë (që të mos shihej). Kur i dhashë selam, ai tha: “Kush është kjo?”
- Jam Umu Hani, e bija e Ebu Talibit, - i thashë.
- “Mirë se vjen, Umu Hani!” - më tha ai.
Pasi u la, u ngrit dhe i fali tetë rekate, i mbështjellë me një rrobë të vetme. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, i biri i nënës sime, Aliu, po tenton të vrasë një person që unë e kam marrë nën mbrojtje, filanin, të birin e Hubejrës.”
- “Atë që e ke marrë nën mbrojtje ti, është edhe nën mbrojtjen tonë, oj Umu Hani,” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Umu Hani thotë: “Kjo ka ndodhur gjatë paradites.”
10. Nënkapitulli: Besa e muslimanit është një dhe atë e respektojnë të gjithë
3172. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kemi libër për ta lexuar, përveç Librit të Allahut dhe përmbajtjes së kësaj fletushke.”
Pastaj ka thënë: “Kjo fletushkë flet për shpagimin e plagëve dhe moshat e kafshëve (për zekat) dhe: “Medina është e shenjtë prej Airit deri në filan vendin, andaj mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi në të ose strehon dikë që bën risi. Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Kjo vlen edhe për atë (rob të liruar) që meritën e çrobërimit të tij ia jep dikujt tjetër. Besa e muslimanëve është një, andaj të njëjtën e meriton edhe ai që tradhton një musliman.”
11. Nënkapitulli: Kur armiqtë thonë: "Jemi konvertuar (në Islam), por ende nuk janë përmirësuar për të thënë: "Kemi pranuar Islamin."
Ibn Omeri tregon: ... dhe Halidi filloi të vrasë, kurse Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, unë distancohem prej veprimit të Halidit.” Omeri thotë: "Kur dikush thotë ‘metres’1 (mos u friko), i ka garantuar siguri palës tjetër. Allahu i di të gjitha gjuhët. Omeri po ashtu, i kishte thënë Hurmuzit: "Fol, s’ka gjë (për t’u frikuar)."
12. Nënkapitulli: Armëpushimi dhe pajtimi me idhujtarët me të mira materiale ose gjëra të tilla, si dhe mëkati i atij që nuk e mban premtimin
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo...” (Enfal, 61) Pra, kërkojnë paqe.
3173. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Bushejr ibn Jesari se Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesud ibn Zejdi shkuan në Hajber gjatë kohës kur mbretëronte marrëveshja e paqes (me banorët e Hajberit) dhe aty u ndanë nga njëri-tjetri. Kur Muhajisa u kthye tek Abdullah ibn Sehli, e gjeti të vrarë, të mbytur në gjak, andaj e varrosi. Me të arritur në Medinë, Abdurrahman ibn Sehli, Muhajisa dhe Huvejisa, dy bijtë e Mesudit, shkuan te Pejgamberi ﷺ. Abdurrahmani filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Nga i madhi! Nga i madhi!” - ndërsa Abdurrahmani ishte më i vogli në mesin e tyre, - kështu që së pari folën Muhajisa dhe Huvejisa. Pejgamberi ﷺ u tha: “A po betoheni, që kështu ta meritoni shpagimin e të vrarit tuaj, - ose ka thënë: shokut tuaj?” Ata i thanë: “E si të betohemi kur nuk kemi qenë të pranishëm e as e kemi parë me sytë tanë.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Atëherë hebrenjtë do të shfajësohen me pesëdhjetë betime.” Ata i thanë: “E si të pranojmë betimet e një populli jobesimtar?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (të vrarin) me pasurinë e vet.”
13. Nënkapitulli: Vlera e mbajtjes së premtimit
3174. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Abdullah ibn Abasi transmeton se Ebu Sufjan ibn Harbi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka rrëfyer se si Herakliu i dërgoi një lajmëtar për ta thirrur atë së bashku me karvanin kurejsh që kishin shkuar për tregti në Sham, gjatë periudhës kur i Dërguari i Allahut ﷺ kishte marrëveshje armëpushimi me Ebu Sufjanin dhe jobesimtarët kurejshë.
14. Nënkapitulli: A i falet dhimiut nëse bën sihër?
Ibn Vehbi ka thënë: "Më ka rrëfyer Junusi se Ibn Shihabi është pyetur: "A vritet banori që është nën mbrojtjen e muslimanëve nëse bën sihër?" Ai është përgjigjur: "Na ka arritur transmetimi se Pejgamberit ﷺ i është bërë sihër, por, atë që i kishte bërë sihrin, në këtë rast ithtar i Librit, nuk e ka vrarë."
3175. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberit ﷺ i ishte bërë sihër, saqë, për gjërat që nuk i bënte, i parafytyrohej se i bënte.
15. Nënkapitulli: Kujdesi nga tradhtia
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Po nëse duan të të mashtrojnë me të (me paqen), të mjafton Allahu. Ai është që të fuqizoi ty me ndihmën e vet dhe me besimtarët.” (Enfal, 62)
3176. Nga: Auf ibn Malik Eshxhaiu
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ala ibn Zebri, e ky e ka dëgjuar Busr ibn Ubejdullahun, e ky e ka dëgjuar Ebu Idrisin se Auf ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë Betejës së Tebukut, shkova te Pejgamberi ﷺ, - i cili ndodhej në një tendë lëkure, - dhe më tha: “Mbaji në mend këto gjashtë gjëra para se të ndodhë Kiameti:
1. Vdekjen time;
2. Çlirimin e Bejtu Makdisit (Kudsit);
3. Një epidemi që do t'ju vrasë sikurse listerioza e deleve;
4. Përhapjen e pasurisë, saqë dikujt i jepen njëqind dinarë dhe më tej vazhdon të jetë i pakënaqur;
5. Një sprovë që do të hyjë në çdo shtëpi të arabëve;
6. Një paqe mes jush dhe romakëve, të cilët do t'ju tradhtojnë dhe do t'ju vijnë me tetëdhjetë flamuj, nën secilin flamur nga dymbëdhjetë mijë (ushtarë).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3176
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Si shkëputet marrëveshja e paqes me jobesimtarët?
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nëse ke frikë se ndonjë fis e thyen besën, edhe ti prishja marrëveshjen me të njëjtën mënyrë, sepse Allahu nuk i do ata që tradhtojnë.” (Enfal, 58)
3177. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri më dërgoi në mesin e thirrësve ditën e therjes së kurbanit në Mina (për të lajmëruar): “Pas këtij viti, asnjë idhujtar të mos vijë në haxh dhe askush të mos bëjë tavaf i zhveshur rreth Qabesë!”
Ndërkaq, dita e haxhit të madh (që përmendet në suren Teube) është dita e therjes së kurbanit. I është referuar me “haxhi i madh" sepse njerëzit i referoheshin (umrës) me “haxhi i vogël”.
Kështu, Ebu Bekri ua kumtoi lajmin e shkëputjes së marrëveshjes së paqes me idhujtarët. (Pas atij viti) në Haxhin Lamtumirës, në të cilin mori pjesë edhe Pejgamberi ﷺ, nuk ishte asnjë idhujtar.”
17. Nënkapitulli: Mëkati i atij që premton e pastaj tradhton
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Janë ata me të cilët ke bërë marrëveshje, por që çdoherë e shkelin atë dhe nuk i frikësohen Allahut.” (Enfal, 56)
3178. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që i ka katër tipare, është hipokrit i kulluar:
1. Kur flet, gënjen;
2. Kur premton, nuk e mban atë;
3. Kur i besohet, tradhton;
4. Kur polemizon, bëhet vulgar.
Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë.”
3179. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kemi shkruar asgjë nga Pejgamberi ﷺ, përveç Librit të Allahut dhe kësaj fletushke, (në të cilën) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Medina është harem prej Airit deri në filan vendin. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi në të ose strehon dikë që bën risi! Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Besa e muslimanëve është një dhe të gjithë e respektojnë atë. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që tradhton ndonjë musliman dhe të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë (rob të liruar) që meritën e çrobërimit të tij ia jep dikujt tjetër, pa lejen e atyre që e kanë liruar. Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare.”
3180. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Musai na ka thënë: Na ka treguar Hashim ibn Kasimi, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Çfarë do të bëni atëherë kur nuk do të mund të mblidhni as dinarë, as dërhemë (për xhizje)?”
- E si do të ndodhë kjo, o Ebu Hurejre? - e pyetën.
- Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Ebu Hurejrës, se e kam të dëgjuar nga i sinqerti që i është thënë e vërteta.
- Si ashtu?
- Do të shkelet shenjtëria e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij ﷺ, si pasojë, Allahu do t'i ngurtësojë zemrat e dhimive, të cilët do të refuzojnë të japin pasuritë e tyre.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3180
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitull
3181. Nga: Sehël ibn Hunejfi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Hamzai se Ameshi tregon: “E pyeta Ebu Vailin: “Ke marrë pjesë në (Betejën) Sifin? Ai u përgjigj: “Po, e kam dëgjuar Sehël ibn Hunejfin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të thotë: “Fajësojeni mendjen tuaj! Unë kam qenë i pranishëm ditën e ndodhisë së Ebu Xhendelit dhe, sikur të kisha pasur mundësi ta refuzoja urdhrin e Pejgamberit ﷺ, do ta bëja. Sa herë që luftonim për Allahun, edhe pse na rëndonin, gjithnjë na lehtësohej puna në diçka më të mirë, përveç kësaj në të cilën ndodhemi ne tani.”
3182. Nga: Sehël ibn Hunejfi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Jezid ibn Abdulazizi, e ky nga babai i tij, e këtij i ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti se Ebu Vaili tregon: “Teksa ishim në Sifin, Sehël ibn Hunejfi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u ngrit dhe tha: “O njerëz, fajësojeni mendjen tuaj. Kemi qenë së bashku me Pejgamberin ﷺ në Hudejbije dhe, sikur të mund të luftonim, do ta bënim, por erdhi Omer ibn Hatabi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, a nuk jemi ne në të vërtetën, ndërsa ata në të kotën?”
- “Ashtu është”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- A nuk janë të vrarët tanë në Xhenet, ndërsa të vrarët e tyre në Zjarr?
- “Ashtu është.”
- Atëherë, përse të pranojmë përuljen në fenë tonë? Të kthehemi, përderisa Allahu ende nuk e ka përmbyllur gjykimin mes nesh dhe atyre?
- “O Ibn Hatab, unë jam i Dërguari i Allahut. Allahu kurrë nuk do të më lërë të humbur”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Omeri shkoi tek Ebu Bekri dhe ia tha të njëjtat fjalë sikurse Pejgamberit ﷺ. Ai i tha: “Ai është i Dërguari i Allahut. Allahu kurrë nuk do ta lërë të humbur.”
Atëherë zbriti surja Fet'h. Kështu, Pejgamberi ﷺ ia lexoi Omerit të tërën, e në atë rast Omeri pyeti: “O i Dërguari i Allahut, vallë, fitore është kjo?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
3183. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën kur kurejshët lidhën marrëveshje paqeje dhe armëpushimi me të Dërguarin e Allahut ﷺ, erdhi nëna ime idhujtare me babanë e saj (për të më takuar). Andaj, e pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron të më vizitojë. A t'i mbaj lidhjet me të?”
- “Po, mbaji lidhjet me të”, - m'u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.”
19. Nënkapitulli: Lidhja e marrëveshjes për paqe në afat prej tri ditësh ose në afat tjetër të caktuar
3184. Nga: Bera ibn Azibi
Ahmed ibn Othman ibn Hakimi na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, i biri i Ebu Is'hakut, e këtij i ka treguar babai i tij Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ deshi të shkojë në umre, dërgoi një delegat te banorët e Mekës për t'u kërkuar leje të hyjë në Mekë, por ata i kushtëzuan që të mos qëndrojë më shumë se tri net, të hyjnë me shpata në këllëfe dhe të mos thërrasë në Islam askënd prej tyre.” Ali ibn Ebu Talibi filloi të shkruajë kushtet e vendosura mes tyre, ku shkroi: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut ﷺ, ka rënë dakord që...” Por, idhujtarët thanë: “Sikur të të njihnim për të Dërguar të Allahut, nuk do të të pengonim (për të hyrë), madje do të të pasonim, andaj shkruaje: “Muhamedi, i biri i Abdullahut, ka rënë dakord që...” Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë, për Allahun, jam Muhamed ibn Abdullahu dhe unë, për Allahun, jam i Dërguari i Allahut.” Meqë Pejgamberi ﷺ nuk dinte shkrim, i tha Aliut: “Fshije (pjesën): i Dërguari i Allahut!”
- Jo, betohem në Allahun se nuk mund ta fshij kurrë, - iu përgjigj Aliu.
- “Më trego ku është!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Aliu i tregoi dhe Pejgamberi ﷺ e fshiu me dorën e vet. Pasi hyri dhe kaloi afati i caktuar, idhujtarët vajtën tek Aliu dhe i thanë: “Thuaji shokut tënd të dalë prej këtu (sepse afati ka përfunduar). Aliu shkoi dhe i tregoi të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili tha: “Po”, dhe doli (nga Meka).”
20. Nënkapitulli: Lidhja e marrëveshjes për paqe pa përcaktuar afat
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Po ju lëmë të qëndroni aq sa të dojë Allahu.”
21. Nënkapitulli: Hedhja e kufomave të idhujtarëve në ndonjë gropë të thellë dhe ndalesa e pranimit të pagesës nga idhujtarët për kryerjen e këtij shërbimi
3185. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdan ibn Othmani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ falej në Qabe, pranë tij ndodheshin ca idhujtarë kurejshë në një ndejë, kur papritmas shkoi Ukbe ibn Ebu Muajti me ca zorrë të devesë dhe ia hodhi Pejgamberit ﷺ në shpinë. Pejgamberi ﷺ qëndronte në sexhde pa e ngritur kokën, derisa Fatimja vajti t'ia largojë nga shpina dhe u lut kundër atyre që e bënë këtë gjë. (Pasi e ngriti kokën) Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, shkatërroji këta kurejshë! O Allah, shkatërroje Ebu Xhehël ibn Hishamin, Utbe ibn Rabian, Shejbe ibn Rabian, Ukbe ibn Ebu Muajtin dhe Umeje ibn Halefin - ose ka thënë: Ubej Ibn Halefin!” Të gjithë këta të cilëve Pejgamberi ﷺ ua përmendi emrat i kam parë të vriten ditën e Bedrit e të hidhen në pus, përveç Umejes, - ose ka thënë: Ubejit, - i cili ka qenë burrë i madh e i shëndoshë dhe, gjatë tërheqjes, iu këputën gjymtyrët para se ta hidhnin në pus.”
22. Nënkapitulli: Mëkati i atij që tradhton, qoftë i mirë apo i keq (tradhtari ose ai që tradhtohet)
3186. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
3186, 3187 - Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejman Ameshi, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Abdullahu, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtar do të ketë një flamur, përmes të cilit do të dallohet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3186
Fjalë të panjohura?
3187. Nga: Abdullah ibn Omeri
3186-3187
Referenca: Sahihu i Buhariut 3187
Fjalë të panjohura?
3188. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtari do t'i vendoset një flamur, për shkak të tradhtisë së tij.”
3189. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, ditën e Çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më nuk ka hixhret, por vetëm xhihad dhe nijet. Nëse ju kërkohet të dilni në luftë (nga prijësi i muslimanëve), atëherë përgjigjuni.” Atë ditë, ai, po ashtu, ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar këtë vend, ditën kur i ka krijuar qiejt dhe Tokën, e ajo, me shenjtërinë e Allahut, është e shenjtë deri në Ditën e Kiametit. Askujt para meje nuk i është lejuar lufta në të, madje as mua nuk më është lejuar, përveç gjatë një pjese të caktuar të ditës. Pra, ajo është shenjtëruar nga Allahu deri në Ditën e Kiametit. Nuk lejohet shkulja e gjembave, as trazimi i gjahut (gjuetia), as merret gjëja e humbur, përveç nëse shpallet ndër njerëz, si dhe nuk priten barishtet e saj.”
- O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit (lloj barishte), sepse ai na duhet për farkëtim dhe shtëpitë tona, - tha Abasi.
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.