65. Komentimi i Kuranit
﴾الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ﴿ (Err-Rrahmani err-Rrahim): dy emra të Allahut, që kanë për burim cilësinë e mëshirës.
1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth sures Fatiha
Surja Fatiha quhet Umul Kitab, sepse me këtë sure fillon shkrimi i mus’hafit dhe me të fillon leximi në namaz. ﴾الدِّينِ﴿ (Ed din): Shpagimi për veprat e mira dhe të liga: ashtu si punon, ashtu do të shpërblrhesh (4). Muxhahidi ka thënë: ﴾بِالدِّينِ﴿ (Bid din): Llogaria e botës tjetër (Maun, 1). ﴾مَدِينِينَ﴿ (Medinine): Përgjegjës (për vepra) (Vakia, 86).
4474. Nga: Ebu Seid ibn Mualai
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Shuëbe, e këtij i ka treguar Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Seid ibn Mualai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po falesha në xhami, i Dërguari i Allahut ﷺ më thirri, por unë nuk iu përgjigja. Pastaj i thashë: “O i Dërguari i Allahut, isha duke u falur.” Ai më tha: “A nuk ka thënë Allahu: “Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret...”?” (Enfal, 24) Pastaj më tha: “Do të të mësoj një sure, e cila është surja më madhështore në Kuran, para se të dalësh prej xhamisë.” Pastaj, më mori për dore dhe, para se të dilnim prej xhamisë, i thashë: “Vallë, a nuk më the: “Do të të mësoj një sure, e cila është surja më madhështore në Kuran”? Ai tha: “Është surja Fatiha. Ajo është shtatëshja e përsëritur dhe Kurani madhështor që më është shpallur.”
2. Nënkapitulli: Ajeti: "E jo në rrugën e atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!"
4475. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur imami të thotë: “Gajril magdubi alejhim, ve ledalin”, thoni “amin”, sepse atij, lutja e të cilit përputhet me lutjen e melekëve, i falen mëkatet e kaluara.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4475
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje...”
4476. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Halife më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, besimtarët do të tubohen dhe do të thonë: “Sikur të ndërmjetësonim te Zoti ynë (për ta filluar gjykimin).” Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit. Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, t'i ka mësuar emrat e çdo gjëje, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne, që të na largojë nga ky vend.” Ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend mëkatin e vet dhe turpërohet e u thotë: “Shkoni te Nuhu, sepse ai është i dërguari i parë që Allahu ua ka dërguar banorëve të Tokës.” Kështu, shkojnë tek ai, por ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Pastaj e përmend pyetjen e tij ndaj Zotit të vet për diçka që nuk kishte dituri dhe turpërohet e u thotë: “Shkoni te miku i Rrahmanit (Ibrahimi ﷺ).” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Musai, një rob të cilit Allahu i ka folur dhe ia ka dhënë Tevratin.” Kur shkojnë, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë.” Kështu, e përmend vrasjen e padrejtë që kishte bërë dhe turpërohet prej Zotit të vet e u thotë: “Shkoni tek Isai, robi dhe i dërguari i Allahut, njëherazi fjala dhe fryma e Allahut.” Por, edhe ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ, një rob që Allahu ia ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.” Kur vijnë tek unë, unë shkoj te Zoti im, kërkoj leje dhe më jepet leja (për të vazhduar tutje). Me të parë Zotin tim, unë bie në sexhde. Ai më lë në atë pozitë aq sa të dëshirojë, pastaj më thotë: “Ngrije kokën dhe kërko (ç'të duash), do të të përmbushet; fol (ç'të duash), do të dëgjohesh dhe ndërmjetëso (për kë të duash), do të të pranohet.” Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj me diçka që Ai do të ma mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish), të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe, kur e shoh Zotin tim, veproj si më parë. Kur ndërmjetësoj, ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish), të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj sërish kthehem për së treti e për së katërti dhe them: “Nuk ka mbetur në Zjarr askush përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin dhe detyrimisht do të qëndrojnë aty përjetësisht.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Fjala “... përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin...” aludon në ajetin: “... (do të qëndrojnë) përgjithmonë në të...” (Bekare, 162)
4. Nënkapitull
Muxhahidi, për ajetin ﴾إِلَىٰ شَيَاطِينِهِمْ﴿ "tek shejtanët e tyre," ka thënë se domethënë: tek shokët e vet hipokritë e idhujtarë (Bekare, 14). ﴾مُحِيطٌ بِالْكَافِرِينَ﴿ "I ka rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët": Allahu do t’i tubojë ata (19). ﴾صِبْغَةً﴿ "Ngjyrim": fe (138). ﴾عَلَى الْخَاشِعِينَ﴿ "(përveç) për të devotshmit": për besimtarët e vërtetë (45). Muxhahidi ka thënë: ﴾بِقُوَّةٍ﴿ "Kapeni fort atë (Librin e shenjtë)": punoni me përmbajtjen e tij (63). Ebu Alije ka thënë: ﴾مَّرَضٌ﴿ "Sëmundje": dyshim (10). ﴾وَمَا خَلْفَهَا﴿ "Dhe për të pastajshmit": mësim për pasardhësit (66). ﴾لَّا شِيَةَ﴿ "Në të nuk ka ndonjë shenjë": asnjë shenjë të bardhë (71). Të tjerë kanë thënë se ﴾يَسُومُونَكُمْ﴿ (Jesumunekum) domethënë: ju torturojnë me forcë (49). Disa kanë thënë: ﴾وَفُومِهَا﴿ (Fumi ha): përfshin të gjitha drithërat që mund të konsumohen (61). Katade ka thënë: ﴾فَبَاءُوا﴿ (Fe bau): janë kthyer (90). Të tjerët kanë thënë: ﴾يَسْتَفْتِحُونَ﴿ (Jesteftihune): kërkojnë ndihmë (kundër mosbesimtarëve) (89). ﴾شَرَوْا﴿ (Sherau): shesin (102). ﴾رَاعِنَا﴿ (Raina): shprehje të cilën çifutët e kanë përdorur për të fyer (ndërsa në esencë e ka kuptimin: na shiko) (104). ﴾خُطُوَاتِ﴿ "Hapat": gjurmët (168). ﴾ابْتَلَىٰ﴿ (Ibtela): e ka sprovuar (124).
5. Nënkapitulli: Ajeti: “... Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.”
4477. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othman ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Mensuri, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Amër ibn Shurahbili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ: “Cili është mëkati më i madh tek Allahu?”
- “T'i bësh ortak Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Me të vërtetë, kjo është e madhe. Më pas thashë: - Pastaj cili?
- “Ta vrasësh fëmijën tënd, nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.”
- Pastaj cili? - thashë.
- “Të bësh zina (imoralitet) me gruan e fqinjit.”
6. Nënkapitulli: Ajeti: “Pastaj bëmë që retë t’ju bënin hije dhe ju zbritëm begati të ndryshme (nga ushqimet) dhe thëllëza, duke thënë: “Hani nga ushqimet e mira, që ju kemi dhënë!” (Ata nuk ishin mirënjohës dhe kështu) nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetes.”
Muxhahidi ka thënë: ﴾الْمَنَّ﴿ (elmen) nënkupton (përfshin edhe) rrëshirën, kurse ﴾السَّلْوَىٰ﴿ (Selva) shpendët.
4478. Nga: Seid ibn Zejdi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjan ibn Abdulmeliku, e ky nga Amër ibn Hurejti se Seid ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tartufi është nga lloji elmen, ndërsa lëngu i tij është shërim për syrin.”
7. Nënkapitulli: Ajeti: “Kujtoni kur thamë: "Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: "Falna! që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin.”
﴾رَغَدًا﴿ (Ragaden): e gjerë dhe e shumtë.
4479. Nga: Ebu Hurejra
Muhamedi na ka thënë: Më ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, e ky nga Ibn Mubareku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Benu israilët qenë urdhëruar me këto fjalë: “... duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!”, (Bekare, 58) por ata hynë (në qytet) zvarrë, të kthyer mbrapshtë, dhe fjalën hitah (falna mëkatet) e zëvendësuan me fjalën hintah (kokërr gruri).”
8. Nënkapitulli: Ajeti: “... atyre që janë armiq të Xhibrilit...”
Ikrime ka thënë: "Xhebra, Mika dhe Serafi domethënë robër, ndërsa ‘il’, e ka kuptimin: "Allah."
4480. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muniri na ka thënë: E kam dëgjuar Abdullah ibn Bekrin, e këtij i ka treguar Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdullah ibn Selami dëgjoi për shpërnguljen e të Dërguarit të Allahut ﷺ në Medinë, ishte në një arë duke vjelë, kështu që vajti e i tha: “Dua të të pyes për tri gjëra, të cilat i di vetëm një pejgamber.” Pastaj vazhdoi: “Cila është shenja e parë e shenjave të Kiametit? Cili është ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit? Si i ngjason fëmija babait dhe si u ngjason dajallarëve?”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Xhibrili më lajmëroi pak më parë për këtë.” Abdullah ibn Selami tha: “Xhibrili?” Pejgamberi ﷺ tha: "Po.” Abdullahu tha: “Ai është armiku i hebrenjve nga radhët e melekëve.” Pasi Pejgamberi ﷺ recitoi ajetin: "Kush është armik i Xhibrilit? Ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut”, tha:
“Shenja e parë prej shenjave të Kiametit është një zjarr që do t'i tubojë njerëzit nga lindja në perëndim. Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës. Ndërkaq, ngjasimi te fëmija ndodh kur burri bën marrëdhënie me gruan dhe sperma e tij ia parakalon spermës së saj, fëmija i ngjason burrit, në të kundërtën, i ngjason gruas.”
Abdullahu tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut.” Pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë janë popull shpifës. Nëse marrin vesh për konvertimin tim në Islam para se t'i pyesësh, ata do të shpifin ndaj meje.” Kur hebrenjtë erdhën, Abdullahu hyri brenda dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë burri është Abdullah ibn Selami në mesin tuaj?” Ata thanë: “Më i dituri dhe biri i më të diturit ndër ne, si dhe më i miri dhe biri i më të mirit ndër ne.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Çfarë nëse Abdullahu do ta pranonte Islamin?” Ata thanë: “Allahu e ruajttë nga kjo gjë!” Kështu, Abdullahu doli para tyre dhe tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ata thanë: “Ai është më i keqi dhe djali i më të keqit ndër ne!” - dhe filluan ta ofendojnë në nderin e tij. (Abdullahu) tha: “Kjo është ajo prej së cilës kisha frikë, o i Dërguari i Allahut.”
9. Nënkapitulli: Ajeti: “Për çdo ajet që Ne e shfuqizojmë apo që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të...”
4481. Nga: Omer ibn Hatabi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Habibi, e ky nga Seid ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Abasi se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Më i miri ndër ne për lexim të Kuranit është Ubeji, kurse për gjykim (mes njerëzve) është Aliu. Por, disa fjalë të Ubejit nuk i pranojmë, sepse ai thotë: “Unë nuk lë asnjë ajet që kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ (qoftë edhe i shfuqizuar).” Ndërkohë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për çdo ajet (Kurani) që Ne e shfuqizojmë ose që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të.” (Bekare, 106)
10. Nënkapitulli: Ajeti: “Ata thonë: "Allahu ka bërë një fëmijë." I Pastër dhe i Lartësuar qoftë Ai!...”
4482. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Husejni, e këtij i ka treguar Nafi ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka thënë: “I biri i Ademit më ka përgënjeshtruar, gjë që atij nuk i lejohet, si dhe më ka sharë, gjë që atij nuk i lejohet. Përgënjeshtrimi qëndron te pretendimi i tij se Unë nuk mund ta ringjall në formën që ka qenë, kurse sharja qëndron te fjalët se Unë kam fëmijë. I Pastër dhe i Lartësuar jam Unë nga pasja bashkëshorte a fëmijë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4482
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Ajeti: “Vendin e Ibrahimit bëjeni vendfalje!”
﴾مَثَابَةً﴿ (Methabe): vend kthimi.
4483. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri ka thënë: “Fjala ime është përputhur me fjalën e Allahut në tri gjëra. Pata thënë: “O i Dërguari i Allahut, sikur vendin e Ibrahimit ta bëje vendfalje?!” Pastaj i pata thënë: “O i Dërguari i Allahut, te ti po vijnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij! Sikur t'i urdhëroje nënat e besimtarëve të mbulohen?!” Atëherë zbriti ajeti i mbulesës. Po ashtu, kur më pati ardhur lajmi se Pejgamberi ﷺ kishte qortuar disa gra të veta, shkova tek ato dhe u thashë: “Po s'u ndalët, Allahu do t'ia mundësojë të Dërguarit të Tij ﷺ t'ju zëvendësojë me disa gra më të mira se ju.” Kur shkova te njëra prej grave të tij, më tha: “O Omer, a nuk paska i Dërguari i Allahut ﷺ fjalë për t'i këshilluar gratë e veta, por të mbeti ty ta bësh këtë?” Atëherë Allahu zbriti ajetin: “Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij mund t'ju zëvendësojë me gra më të mira se ju: muslimane dhe besimtare, përulëse, penduese, lutëse (shumë) agjëruese, të veja dhe vasha.” (Tahrim, 5)
Ibn Ebu Merjemi ka thënë: “Na ka rrëfyer Jahja ibn Ejubi, e këtij i ka treguar Humejdi, e ky nga dëgjuar Enesin (duke treguar) nga Omeri.”
12. Nënkapitulli: Ajeti: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: "O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka.”
﴾الْقَوَاعِدَ﴿ (El kavaid): themelet.
4484. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Muhamed ibn Ebu Bekri, e ky nga Abdullah ibn Omeri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, transmeton se Pejgamberi ﷺ iu drejtua asaj: “A nuk ke parë se, kur populli yt e kanë rindërtuar Qabenë, nuk e kanë vendosur tërësisht në themelet e Ibrahimit?” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, pse nuk po e kthen në themelet e Ibrahimit?” Ai tha: “Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e kufrit (do ta bëja)!” Abdullah ibn Omeri ka thënë: “Nëse Aishja e paska dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, atëherë mendoj se arsyeja pse i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i prekte dy këndet e tjera, që janë afër hixhrit, është se Qabeja nuk është rindërtuar në themelet e Ibrahimit ﷺ.”
13. Nënkapitulli: Ajeti: “Thoni: "Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin)...”
4485. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ithtarët e Librit e lexonin Tevratin hebraisht dhe ua komentonin muslimanëve në arabisht.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni, por: “Thoni: “Ne besojmë vetëm Allahun e në atë që na është shpallur neve (Kuranin), dhe në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe nipërve, dhe në atë që u është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dërguar pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre, dhe ne vetëm Atij (Allahut) i përulemi.” (Bekare, 136)
14. Nënkapitulli: Ajeti: “Disa mendjelehtë (nga ithtarët e Librit) do të thonë: "Ç’i ktheu ata prej kiblës nga e cila ishin drejtuar?" Thuaju: "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kënd të dojë në rrugën e drejtë."
4486. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Nuajmi na ka thënë: E kam dëgjuar Zuhejrin, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ishte falur drejt Bejtu Makdisit gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj, por kishte dëshirë që kiblën ta kishte në drejtim të Qabesë. Një ditë, ai e fali namazin e ikindisë dhe, një burrë, nga ata që ishin falur me të, kaloi pranë një xhamie ku po faleshin disa njerëz e u tha: “Dëshmoj në Allahun se sapo u fala me Pejgamberin ﷺ në drejtim të Mekës. Kështu, ata u kthyen në drejtim të Qabesë ashtu siç ishin. Ndërkaq, për disa njerëz që kishin vdekur në kiblën e vjetër, para se kibla të vendosej në drejtim të Qabesë, nuk dinim ç'të thoshim. Atëherë, Allahu e zbriti ajetin: “... Dijeni se Allahu nuk jua humb besimin tuaj (namazin që keni falur nga Kudsi). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit.” (Bekare, 143)
15. Nënkapitulli: Ajeti: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë për njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar për ju...”
4487. Nga: Ebu Seid Hudriu
Jusuf ibn Rashidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri dhe Ebu Usame, - ndërkaq versioni tekstual është i Xheririt, - e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu. Gjithashtu Ebu Usame thotë: Na ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seidi Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, Nuhu do të thirret dhe do të përgjigjet: “Po të përgjigjem me shumë kënaqësi, o Zot!” Allahu do ta pyesë: “A ua ke kumtuar (shpalljen)?” Nuhu thotë: “Po.” Pastaj i drejtohet umetit të tij: “A jua ka kumtuar?” Ata thonë: “Jo, nuk na ka ardhur asnjë paralajmërues.” Allahu i thotë Nuhut: “A ka kush dëshmon për ty?” Ai thotë: “Muhamedi ﷺ dhe umeti i tij.” Kështu, ata do të dëshmojnë se ai e ka kumtuar shpalljen: “... ndërsa i Dërguari do të jetë dëshmitar për ju...” (Bekare, 143) Në këtë aludon ajeti: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë për njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar për ju...” (Bekare, 143) Mesatar do të thotë: i drejtë.
16. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ne nuk e kemi bërë kthimin tënd nga Qabeja (o Muhamed) për tjetër arsye, por vetëm për të parë se kush ndjekë rrugën dhe kush do të shkojë pas Pejgamberit e për t’i dalluar nga ata që kthehen nga thembrat, - ky ndryshim është i rëndë, por jo për ata që i ka drejtuar Zoti në rrugë të drejtë. E, se, Allahu nuk ua humbë besimin tuaj (namazin që keni bërë kah Kudsi), se Allahu, me të vërtetë, është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit."
4488. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një lajmëtar dhe u tha: “Pejgamberit ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit, ku është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo.” Kështu, ata u kthyen nga Qabeja.”
17. Nënkapitulli: Ajeti: "Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë! Pa dyshim, ata që u është dhënë Libri (Teurati), e dinë se drejtimi nga Qabeja është e vërteta prej Zotit të tyre. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që ata bëjnë."
4489. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga babai i tij se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk ka mbetur dikush tjetër që është falur në drejtim të dy kibleve, përveç meje.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4489
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Ajeti: “Edhe sikur t’u sillje të gjitha provat atyre që u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, por edhe ti nuk do ta pranosh kiblën e tyre dhe askush nga ata nuk do të pranonte kiblën e njëri-tjetrit. E, nëse ti, pasi të është zbritur dituria, do të ndiqje dëshirat e tyre, atëherë pa dyshim që do të ishe një nga keqbërësit.”
4490. Nga: Abdullah ibn Omeri
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Kuba, u vajti një burrë dhe u tha: “Sonte të Dërguarit të Allahut ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit, ku është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo.” Ata ishin të kthyer në drejtim të Shamit, kështu që u kthyen nga Qabeja.”
19. Nënkapitulli: Ajeti: “Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Pejgamberin ﷺ), ashtu siç i njohin bijtë e tyre...”
4491. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një lajmëtar dhe u tha: “Sonte Pejgamberit ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo. Ata ishin të kthyer në drejtim të Shamit, kështu që u kthyen nga Qabeja.”
20. Nënkapitulli: Ajeti: “Çdokush ka një drejtim nga i cili kthehet. Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira. Kudo që të gjendeni, Allahu do t’ju mbledhë të gjithëve; Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.”
4492. Nga: Bera ibn Azibi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ jemi falur në drejtim të Bejtu Makdisit gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj kibla u ndërrua në drejtim të Qabesë.”
21. Nënkapitulli: Ajeti: “Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kjo është e vërteta që vjen nga Zoti yt. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që ju bëni.”
﴾شَطْرَهُ﴿ (Shatra hu): në drejtim të saj (150).
4493. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një burrë dhe u tha: “Sonte Pejgamberit ﷺ i ka zbritur një pjesë e Kuranit dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo.” Kështu, ata, siç ishin, u kthyen në drejtim të Qabesë, ndërkohë ishin të kthyer në drejtim të Shamit.”
22. Nënkapitulli: Ajeti: “Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kudo që të ndodheni, ktheni fytyrat tuaja nga ajo anë...”
4494. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe ibn Seidi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Xhaminë e Kubasë, u vajti një lajmëtar dhe u tha: “Sonte të Dërguarit të Allahut ﷺ i ka zbritur shpallja dhe është urdhëruar të drejtohet nga Qabeja, andaj drejtohuni nga ajo.” Ata ishin të kthyer në drejtim të Shamit, kështu që u kthyen nga Qabeja.”
23. Nënkapitulli: Ajeti: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.”
﴾شَعَائِرِ ﴿ (Sheair): shenja. Ibn Abasi ka thënë: "Safvan është lloj guri. Thuhet se është fjala për gurët e lëmuar, sipër të cilëve nuk mbin asgjë. Në njëjës i referohet si Safvaneh në kuptimin e Safasë, kurse Safa si emër përmbledhës (kodra Safa)."
4495. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve se Urve tregon: “Sa isha i ri, e pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruan e Pejgamberit ﷺ: “Fjala e Allahut Fuqiplotë: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...”, (Bekare, 158) mendoj se e ka kuptimin se, nëse ndokush nuk kryen ecjen mes tyre, nuk ka kurrfarë mëkati.” Ajo më tha: “Jo, nuk është ashtu. Sikur të ishte siç thua ti, atëherë ajeti do të duhej të ishte: “... s'ka kurrfarë gjynahu nëse nuk sillet mes tyre...” Ky ajet ka zbritur për ensarët, të cilët (para Islamit) pelegrinazhin e kryenin për idhullin Menat, i cili ndodhej pranë Kudejdit. Kështu, ecjen mes Safasë dhe Mervës e konsideronin gjynah. Por, kur erdhi Islami, e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj, e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...” (Bekare, 158)
4496. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Asim ibn Sulejmani tregon: “E pyeta Enes ibn Malikun për kodrat Safa dhe Merva, e në atë rast ai më tha: “(Ecjen mes tyre) e llogaritnim si vepër të injorancës dhe, kur erdhi Islami, ne nuk ecnim mes tyre, prandaj Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...” (Bekare, 158)
24. Nënkapitulli: Ajeti: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut zota të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Të dhe duke i dashur siç duhet Allahu...”
4497. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdani transmeton nga Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka thënë një fjalë, ndërsa unë kam thënë një tjetër.” Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që vdes duke i bërë Allahut shok, do të hyjë në Zjarr.” Ndërkohë, unë kam thënë: “Ai që vdes pa i bërë shok Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
25. Nënkapitulli: Ajeti: “O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi për vrasje: "I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet ('ufije') nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (falje), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm.”
﴾عُفِيَ﴿ (Ufije): është lënë.
4498. Nga: Abdullah ibn Abasi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Te benu israilët ka pasur kisas, por jo shpagim. Allahu i Lartësuar i është drejtuar këtij umeti (të Muhamedit ﷺ): “O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi për vrasje: i liri për të lirin, robi për robin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit...” (Bekare, 178) Këtu, me falje nënkuptohet kur farefisi i të vrarit pranon shpagim për vrasje të qëllimshme.
“... duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë...”: sillet me mirësi dhe jep shpagimin me mirësjellje.
“... Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit...”: në krahasim me atë që u ishte obliguar popujve para jush.
“... E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm,”: pra, sërish kryen vrasje pasi t'i jetë pranuar e drejta për shpagim të gjakut.”
4499. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullah Ensariu na ka thënë: Na ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Libri i Allahut urdhëron të merret hak.”
4500. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muniri më ka thënë se e ka dëgjuar Abdullah ibn Bekër Sehmiun, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Rrubeja, halla e tij, ia theu dhëmbin një vajze. Familjes së vajzës i kërkuan t'ua falin, por ata refuzuan. U ofruan edhe shpagim, por ata refuzuan. Shkuan edhe tek i Dërguari i Allahut ﷺ, por ata refuzuan çdo gjë tjetër, duke këmbëngulur në hakmarrje. Prandaj, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të merret hak. Enes ibn Nadri i tha: “O i Dërguari i Allahut! Vallë, Rrubejës t'i thyhet dhëmbi?! Kurrë! Betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se asaj nuk do t'i thyhet dhëmbi!” Pejgamberi ﷺ i tha: “O Enes! Libri i Allahut urdhëron të merret hak!” Por, familja e vajzës u pajtuan që t'ia falin. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ka robër të Allahut, të cilëve, kur betohen në Allahun, Ai ua realizon betimin.”
26. Nënkapitulli: Ajeti: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”
4501. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ditën e Ashures e agjëronin edhe njerëzit e periudhës paraislame, por, kur u obligua Ramazani, Pejgamberi ﷺ tha: “Kush dëshiron, le ta agjërojë (ditën e Ashures), e, kush nuk dëshiron, të mos e agjërojë.”
4502. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Para se të obligohej agjërimi i Ramazanit, agjërohej edhe dita e Ashures. Por, kur zbriti urdhri për agjërimin e Ramazanit, Pejgamberi ﷺ tha: “Kush dëshiron, le ta agjërojë (ditën e Ashures), e, kush nuk dëshiron, le të hajë.”
4503. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Mahmudi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Israili, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa ai po hante ushqim, Eshathi hyri brenda dhe i tha: “Sot është dita e Ashures!” Abdullahu i tha: “(Kjo ditë) agjërohej para se të zbriste urdhri për agjërimin e Ramazanit, por, kur u obligua Ramazani, agjërimi i Ashures u la. Andaj, afrohu e ha.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4503
Fjalë të panjohura?
4504. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në periudhën paraislame, ditën e Ashures e agjëronin kurejshët, e edhe Pejgamberi ﷺ. Kur ai shkoi në Medinë, vazhdoi ta agjëronte dhe i urdhëronte të tjerët ta agjëronin. Por, kur zbriti urdhri i agjërimit të Ramazanit, Ramazani u bë i detyrueshëm, kurse agjërimi i Ashures u la. Kështu, ai që dëshironte, e agjëronte, e, ai që s'dëshironte, e linte.”
27. Nënkapitulli: Ajeti: “(Agjërimi është) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini."
Atai ka thënë: "Njeriu e lë agjërimin për çfarëdo sëmundjeje, ashtu siç ka thënë Allahu. Haseni dhe Ibrahimi, në lidhje me gjidhënësen dhe shtatzënën, kanë thënë: Nëse frikësohen për veten e vet a fëmijën e tyre, e lënë agjërimin, duke e kompensuar më pas. Ndërkaq, sa i përket plakut në moshë të shtyrë, nëse nuk e përballon agjërimin, dihet se, kur Enes ibn Maliku ishte plakur shumë, e kishte lënë agjërimin për një ose dy vjet. Ndërkohë, për çdo ditë agjërimi kishte ushqyer një të varfër me bukë dhe mish." Shumica e lexuesve këtë ajet e lexojnë në formën: ﴾يُطِيقُونَهُ﴿ (Jutikune hu), lexim ky që haset më së shpeshti nëpër transmetime.
4505. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Revhu, e këtij i ka treguar Zekerija ibn Is'haku, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Atai tregon se e ka dëgjuar Ibn Abasin duke lexuar këtë ajet në këtë formë:
(وَعَلَى الَّذِينَ يُطَوَّقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ) Në vend të (jutikune hu), e lexonte (jutavakune hu).
Ibn Abasi ka thënë: “Ky lexim nuk është i shfuqizuar. Fjala është për plakun dhe plakën në moshë të shtyrë, që nuk mund të agjërojnë, rrjedhimisht ushqejnë nga një nevojtar për secilën ditë (të agjërimit).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4505
Fjalë të panjohura?
28. Nënkapitulli: Ajeti: “... Pra, kushdo nga ju që përjeton këtë muaj, le të agjërojë!...”
4506. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulala, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e lexoi ajetin në këtë formë: “... si shpagim të ushqejnë disa të varfër...” dhe tha se kjo është shfuqizuar.
4507. Nga: Seleme ibn Ekvai
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Bekër ibn Mudarri, e ky nga Amër ibn Harithi, e ky nga Bukejr ibn Abdullahu, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Seleme ibn Ekvait, se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti “... Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi...”, (Bekare, 184) ata që donin të hanin (gjatë agjërimit), jepnin shpagim, derisa zbriti ajeti i radhës, i cili e shfuqizoi paraprakun.”
Ibn Abdullahu ka thënë: “Bukejri ka vdekur para Jezidit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4507
Fjalë të panjohura?
29. Nënkapitulli: Ajeti: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për to. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju...”
4508. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullahu transmeton nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Berai. Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur zbriti urdhri për agjërimin e muajit Ramazan, sahabët nuk u afroheshin (për marrëdhënie) grave të tyre gjatë gjithë Ramazanit. Por, disa prej tyre e mashtronin vetveten (duke bërë marrëdhënie me bashkëshorte). Prandaj, Allahu e zbriti ajetin: “... Allahu e di mirë se ju nuk mund të duroheni, e keni tradhtuar veten, e Allahu jua ka pranuar pendimin tuaj dhe ju ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet kontakti me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini deri në agim (deri në imsak) derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi, pastaj plotësojeni agjërimin deri në muzg (deri në perëndim të diellit). Mos iu afrohuni atyre gjatë kohës kur gjendeni në itikaf në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut; pra mos iu afrohuni atyre! Kështu pra, Allahu ua shpjegon njerëzve dispozitat e Veta, që ata të ruhen.” (Bekare, 187)
30. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë muzgu. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur gjendeni në itikaf në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen.”
﴾الْعَاكِفُ﴿ (El akifu): vendasi (Haxh, 25).
4509. Nga: Adij ibn Hatimi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Husajni, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se mori një litar të bardhë e një të zi dhe gjatë natës shikoi nëse i dallonte, por nuk arriti t'i shihte. Në mëngjes, (shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe) tha: “O i Dërguari i Allahut, i vendosa nën jastëkun tim (dy litarë).” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, jastëku yt qenka shumë i gjerë, tek se fija e bardhë (e agimit) dhe ajo e zezë (e natës) qëndruakan nën jastëkun tënd.”
4510. Nga: Adij ibn Hatimi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mutarrifi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, ç'nënkupton fija e bardhë dhe fija e zezë? Mos vallë është fjala për penjtë?” Ai më tha: “Ti na qenke qafëgjerë, nëse arrin t'i shohësh dy penjtë (në errësirën e natës).” Pastaj tha: “Jo, fjala është për errësirën e natës dhe dritën e ditës.”
4511. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasan Muhamed ibn Mutarrifi, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “... Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) nga fija e zezë (errësira e natës)...”, pa pjesën “... e agimit...”, disa persona, kur donin të agjëronin, e lidhnin në njërën këmbë perin e bardhë dhe në tjetrën perin e zi dhe hanin (gjatë natës) derisa arrinin t'i dallonin të dy penjtë. Por, kur Allahu e zbriti pjesën tjetër të ajetit: “... e agimit...”, ata kuptuan se fjala ishte për natën dhe ditën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4511
Fjalë të panjohura?
31. Nënkapitulli: Ajeti: “... Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!”
4512. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullah ibn Musai transmeton nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në periudhën paraislame, kur njerëzit hynin në ihram, (kur shkonin në shtëpi) hynin nga mbrapa shtëpisë. Atëherë, Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin: “Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre...” (Bekare, 189)
32. Nënkapitulli: Ajeti: “Luftojini ata derisa të mos ketë fitne dhe derisa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.”
4513. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, gjatë fitnes së Ibn Zubejrit, dy burra vajtën e i thanë:
- Njerëzit kanë humbur veten, kurse ti je Ibn Omeri, shoku i Pejgamberit ﷺ! Çfarë po të ndalon të dalësh?
- Më ndalon fakti se Allahu ma ka ndaluar derdhjen e gjakut të vëllait tim, - tha Ibn Omeri.
- A nuk ka thënë Allahu: “Luftojini ata derisa të mos ketë fitne...”? - thanë ata.
- Ne kemi luftuar derisa më nuk pati fitne dhe mbretëroi besimi vetëm për Allahun, kurse ju doni të luftoni që të përhapet fitneja dhe feja të jetë për dikë tjetër pos Allahut, - ua ktheu Ibn Omeri.
4514. Nga: Abdullah ibn Omeri
Othman ibn Salihu transmeton nga Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Fulani dhe Hajve ibn Shurejhu, e ky nga Bekër ibn Amër Muafiri, e këtij i ka treguar Bukejr ibn Abdullahu se Nafiu tregon: “Një burrë vajti tek Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i tha: “O Ebu Abdurrahman, çfarë të shtyri që një vit të bësh haxh e vitin tjetër umre dhe ta braktisësh xhihadin në rrugën e Allahut Fuqiplotë, përderisa ti e di se sa shumë Allahu ka nxitur për të (xhihadin)?” Ai iu përgjigj: “O djali i vëllait tim! Islami është ngritur mbi pesë shtylla:
1. Mbi besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij,
2. Pesë namazet,
3. Agjërimin e Ramazanit,
4. Dhënien e zekatit dhe
5. Kryerjen e haxhit në Qabe.
Ai i tha: “O Ebu Abdurrahman, a nuk ke dëgjuar se Allahu e ka përmendur në Librin e Tij: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut...” (Huxhurat, 9) si dhe “Luftojini ata derisa të mos ketë fitne...” (Bekare, 193) Ai ia ktheu: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur Islami ka qenë i paktë, kemi punuar, saqë ndokush sprovohej në fenë e tij: ose e vrisnin, ose e torturonin, derisa Islami u rrit dhe nuk mbeti asnjë fitne.”
4515. Nga: Abdullah ibn Omeri
Nafiu tregon (duke vazhduar hadithin paraprak): “Personi në fjalë i tha Ibn Omerit: “E çfarë thua për Aliun dhe Othmanin?” Ai iu përgjigj: “Sa për Othmanin, atë e ka falur Allahu, ndërkohë ju urrenit që Ai ta falte atë. Ndërkaq, Aliu ka qenë djali i axhës së Pejgamberit ﷺ dhe dhëndri i tij. Pastaj bëri me dorë dhe tha: “Kjo është shtëpia e tij, siç po shihni.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4515
Fjalë të panjohura?
33. Nënkapitulli: Ajeti: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.”
﴾التَّهْلُكَةِ﴿ (Tehluke): vdekja.
4516. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Nadri, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për ajetin: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim...”, (Bekare, 195) ka thënë se ka zbritur për shpenzimin e pasurisë në rrugën e Allahut.
Referenca: Sahihu i Buhariut 4516
Fjalë të panjohura?
34. Nënkapitulli: Ajeti: “... Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën)...”
4517. Nga: Kab ibn Uxhrai
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdurrahman ibn Asbehani se Abdullah ibn Makili tregon: “Shkova dhe u ula afër Kab ibn Uxhres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në këtë xhami, - aludonte në Xhaminë e Kufes, - dhe e pyeta rreth shpagimit me agjërim. Ai m'u përgjigj: “Më sollën pranë Pejgamberit ﷺ, ndërsa morrat më binin nëpër fytyrë, e në atë rast ai më tha: “Nuk e dija se ke arritur në këtë gjendje. A posedon ndonjë dele?” I thashë: “Jo.” Ai më tha: “Agjëro tri ditë, ose ushqe gjashtë nevojtarë, për secilin nga gjysmë saë ushqim, si dhe rruaje kokën.” Ky ajet ka zbritur posaçërisht për mua, porse vlen për të gjithë.”
35. Nënkapitulli: Ajeti: “... ai që në haxh lirohet nga Ihrami, pasi të ketë kryer umren...”
4518. Nga: Imran ibn Husajni
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Imran Ebu Bekri, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ajeti për haxhin temetu është shpallur në Librin e Allahut. Ne e kemi praktikuar atë me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe nuk ka zbritur asnjë ajet tjetër për ta shfuqizuar atë, si dhe i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka ndaluar praktikimin e tij deri në vdekje. E (sot), dikush, me mendjen e tij, mund të thotë çfarë të dojë.”
Muhamedi (transmetuesi) thotë: “Thuhet se fjala është për Omerin.”
36. Nënkapitulli: Ajeti: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë...”
4519. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky nga Amri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ukadhi, Mexhenia dhe Dhul Mexhazi kanë qenë tregje të periudhës paraislame. Prandaj, njerëzit disi e urrenin shitblerjen nëpër to përgjatë sezonit të haxhit. Atëherë zbriti ajeti: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begatitë e Zotit tuaj...” (Bekare, 198) përgjatë sezonit të haxhit.”
37. Nënkapitulli: Ajeti: “Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit...”
4520. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Hazmi, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kurejshët dhe ata që i pasonin në fenë e tyre, të cilët quheshin humsë, ndaleshin në Muzdelife, kurse pjesa tjetër e arabëve ndaleshin në Arafat. Kur erdhi Islami, Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij ﷺ të shkojë në Arafat dhe të ndalet aty, pastaj të largohen që andej. Për këtë flet ajeti: “Pastaj zdirgjuni andej nga zdirgjen njerëzit...” (Bekare, 199)
4521. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Ebu Bekri më ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njeriu mund të bëjë tavaf rreth Qabesë përderisa nuk është me ihram, pastaj hyn në ihram për haxh. Kur të shkojë në Arafat, ai që ka mundësi, duhet të therë një kurban: deve, lopë ose dele, cilëndo që mundet dhe dëshiron. Përndryshe, nëse nuk ka mundësi, atëherë agjëron tri ditë në haxh, para ditës së Arafatit. Nëse dita e fundit, prej këtyre tri ditëve agjërim, bie në ditën e Arafatit, nuk ka mëkat. Pastaj shkon në Arafat dhe qëndron prej ikindisë derisa të bjerë nata dhe largohet nga aty së bashku me të tjerët. Me t'u larguar nga aty, shkojnë në Muzdelife, ku e kalojnë natën. Pastaj e përmendin Allahun dhe i shpeshtojnë tekbiret (thëniet: Allahu ekber) dhe tehlilet (thëniet: la ilahe il-lallah) para se të lindë dielli. Pastaj largohen prej aty siç largoheshin njerëzit (në kohën e Pejgamberit ﷺ). Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pastaj zdirgjuni andej nga zdirgjen njerëzit, kërkoni Allahut falje, se Allahu fal e është Mëshirues.” (Bekare, 199) Kjo, derisa t'i gjuajnë xhemrat (guralecët).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4521
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Ajeti: “Por ka dhe të tjerë që thonë: "Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit!”
4522. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Allahume, rabena, atina fid dunja haseneten ve fil ahirati haseneten, ve kina adhaben nar (O Allah, Zoti ynë, na jep mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na mbroj nga dënimi i Zjarrit)!”
39. Nënkapitulli: Ajeti: “... ai është kundërshtari (yt) i përbetuar.”
Atai ka thënë: ﴾وَالنَّسْلَ﴿ (nesël) nënkupton kafshët (205).
4523. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu më i urryer tek Allahu është kundërshtari i përbetuar.”
Abdullahu ka thënë: “Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Aishja, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.”
40. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!”
4524. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Mulejken se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në ajetin: “Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë...”, (Jusuf, 110) fjalën كُذِبُوا e ka lexuar pa dyfishuar shkronjën ذ (dhal), mendim të cilin ai e përkrahte. Pastaj e lexoi ajetin: “... saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër.” (Bekare, 214) Kur e takova Urven, ia përmenda këtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4524
Fjalë të panjohura?
4525. Nga: Urve ibn Zubejri
Urve tregon (duke vazhduar hadithin paraprak) se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Allahu na ruajttë! Betohem në Allahun se çdo gjë që Allahu i ka premtuar të Dërguarit të Tij, ai e dinte se do t'i përmbushej para se të vdiste. Por, pejgamberët u sprovuan vazhdimisht, saqë u frikuan se pasuesit e tyre do t'i përgënjeshtrojnë, andaj ajetin e lexonte në këtë formë: ﴾وَظَنُّوا أَنَّهُمْ قَدْ كُذِبُوا﴿ duke e dyfishuar shkronjën ذ (dhal) te fjala كذِّبوا.”