66. Vlera e Kuranit
1. Nënkapitulli: Si zbriti shpallja dhe çfarë zbriti në fillim?
Ibn Abasi, përkitazi me fjalën "El-muhejmin", ka thënë: "Vërtetues; Pra, Kurani është vërtetues i gjithë librave para tij."
4978. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Abdullah ibn Abasi
4978, 4979 - Ubejdullah ibn Musai na ka treguar se Shejbani transmeton nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Aishja dhe Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kanë thënë: “Pejgamberi ﷺ qëndroi dhjetë vjet në Mekë duke i zbritur Kurani dhe dhjetë të tjerë në Medinë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4978
Fjalë të panjohura?
4979. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Abdullah ibn Abasi
4978, 4979
4980. Nga: Usame ibn Zejdi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhibrili ﷺ shkoi te Pejgamberi ﷺ në prani të Umu Selemes dhe bisedoi me të. Pejgamberi ﷺ e pyeti Umu Selemen: “Kush qe ky?” - a sido që të ketë thënë ai. Ajo tha: “Ky është Dihje.” Pastaj ai (Xhibrili) u largua. Umu Seleme tregon: “Betohem në Allahun se isha e bindur se ai ishte vetë Dihje, derisa e dëgjova Pejgamberin ﷺ gjatë ligjërimit duke treguar për Xhibrilin (që i kishte ardhur për ta takuar).”
Muëtemiri thotë: “Babai im tregon: “E pyeta Ebu Othmanin: “Prej kujt e ke dëgjuar këtë?” Më tha: “Prej Usame ibn Zejdit.”
4981. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburi nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të atilla që njerëzit (lehtë) i besojnë. Mua më është dhënë shpallja, të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem Pejgamberi me më së shumti pasues në Ditën e Gjykimit.”
4982. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i vet nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjatë periudhës para vdekjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ, Allahu i Lartësuar ia shpeshtoi zbritjen e shpalljes, krahasuar me atë që i zbriste më parë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 4982
Fjalë të panjohura?
4983. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Esved ibn Kajsi se Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u sëmur, andaj nuk fali namaz nate një ose dy net. Një grua vajti e i tha: “O Muhamed! Më duket se të paska braktisur shejtani yt.” Kështu, Allahu i Lartësuar i shpalli: “Betohem në shkëlqimin e paradites dhe në natën kur errësohet e qetësohet, se Zoti yt nuk të ka braktisur e nuk të urren (o Muhamed)!” (Duha, 1-3)
2. Nënkapitulli: Kurani ka zbritur në arabishten e kurejshëve
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kuran në gjuhën arabe” (Jusuf, 2) dhe: “Në gjuhën e qartë arabe.” (Shuara, 195)
4984. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Othmani e urdhëroi Zejd ibn Thabitin, Seid ibn Asin, Abdullah ibn Zubejrin dhe Abdurrahman ibn Harith ibn Hishamin që t'i kopjonin ajetet në mus'hafe dhe u tha: “Po qe se keni kundërshtime me Zejd ibn Thabitin në diçka prej arabishtes së Kuranit, shkruajeni sipas dialektit të kurejshëve, sepse Kurani ka zbritur në dialektin e tyre.” Dhe, ata ashtu vepruan.”
4985. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Atai. [t]: Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e këtij i ka rrëfyer Safvan ibn Jala ibn Umeje se Jala (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjithnjë thoshte: “Ah, sikur ta shihja të Dërguarin e Allahut ﷺ në momentet kur i zbriste shpallja!” Kështu, një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë së bashku me disa shokë të tij dhe sipër kishte një rrobë që i bënte hije, një burrë i lyer me parfum vajti e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për një person që hyn në ihram me xhybe, duke qenë i lyer me parfum?” Pejgamberi ﷺ priti pak çaste derisa i zbriti shpallja. Omeri e thirri Jalën, i cili erdhi dhe futi kokën nën rrobën që bënte hije dhe pa se Pejgamberit ﷺ i ishte skuqur fytyra dhe po gërhiste. Pasi u kthjell, tha: “Ku mbeti ai që pak më parë pyeti rreth umrës?” Pasi e kërkuan dhe e sollën te Pejgamberi ﷺ, ai i tha: “Pastroje parfumin nga trupi tri herë, kurse xhyben zhvishe, pastaj vepro gjatë umrës ato që i vepron gjatë haxhit.”
3. Nënkapitulli: Tubimi i Kuranit në një mus’haf
4986. Nga: Zejd ibn Thabiti
Musa ibn Ismaili transmeton nga Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi nga Ubejd ibn Sebaku se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas Betejës së Jemames, Ebu Bekri dërgoi dikë për të më thirrur. Kur shkova, aty gjeta edhe Omer ibn Hatabin. Ebu Bekri më tha: “Omeri po më thotë se gjatë Betejës së Jemames janë vrarë shumë hafëzë të Kuranit, andaj kam frikë se, nëse vazhdon kështu edhe nëpër vende të tjera, mund të humbë një pjesë e konsiderueshme e Kuranit. Prandaj, mendoj që është e udhës të urdhërosh që Kurani të tubohet.” Ebu Bekri vazhdon: “I thashë Omerit: “Si, vallë, do të bësh diçka që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë punë e mirë.” Kështu, Omeri vazhdoi të këmbëngulte në këtë, derisa Allahu ma mbushi mendjen dhe u binda njëjtë siç ishte bindur Omeri.”
Zejdi tregon: “Ebu Bekri më tha: “Ti vërtet që je një djalosh i mençur, në të cilin nuk kemi asnjë vërejtje dhe je njëri ndër personat që e shkruanin shpalljen për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Prandaj gjurmo pjesët e Kuranit dhe tuboji!” Betohem në Allahun se, sikur të më ngarkonin të lëvizja një kodër, do ta kisha më të lehtë sesa këtë detyrë që ma dha për tubimin e Kuranit. Thashë: “Si ka mundësi të veproni një punë që s'e ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ?!” Ai më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë një punë e mirë.” Ebu Bekri vazhdimisht më nxiste derisa Allahu ma mbushi mendjen të bindem siç ishin bindur ai dhe Omeri. Kështu, fillova t'i kërkoj pjesët e Kuranit nëpër lëvozhga të drurëve, rrasa të gurëve, si dhe në pjesët që sahabët i kishin mësuar përmendsh dhe t'i tuboj në një vend.”
Fundin e sures Teube e gjeta (të shkruar) vetëm tek Ebu Huzejme Ensariu, e tek askush tjetër. Është fjala për ajetet: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s'ka të adhuruar të denjë përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” (Teube, 128-129) Këto fletushka mbetën tek Ebu Bekri derisa vdiq, pastaj tek Omeri sa ishte gjallë, pastaj te Hafsa, e bija e Omerit.”
4987. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hudhejfe ibn Jemani vajti tek Othmani, - gjatë kohës kur ishte duke luftuar në radhët e banorëve të Shamit dhe të Irakut, për ta çliruar Armeninë dhe Azerbajxhanin, - ndërkohë që Hudhejfe ishte habitur nga dallimet e mëdha që kishin mes vete (banorët e Shamit dhe Irakut) në leximin e Kuranit, andaj i tha Othmanit:
- O prijës i besimtarëve! Ndale këtë umet para se të përçahen për Librin (Kuranin) siç u përçanë hebrenjtë dhe të krishterët.
Kështu, Othmani i çoi fjalë Hafsës të na i sjellë fletushkat që t'i kopjojmë nëpër mus'hafë e pastaj t'ia kthejmë. Hafsa ia dërgoi Othmanit fletushkat dhe ai menjëherë e urdhëroi Zejd ibn Thabitin, Abdullah ibn Zubejrin, Seid ibn Asin dhe Abdurrahman ibn Harith ibn Hishamin, të cilët i kopjuan ato nëpër mus'hafë. Pastaj Othmani i tha njërit prej tre shkruesve që i përkisnin fisit kurejsh: “Po qe se ju (të tre) keni kundërthënie me Zejd ibn Thabitin në ndonjë pjesë të Kuranit, shkruajeni atë sipas dialektit të kurejshëve, sepse Kurani ka zbritur në dialektin e tyre.” Ata vepruan ashtu derisa e mbaruan kopjimin e fletushkave. Othmani ia ktheu fletushkat Hafsës dhe dërgoi në çdo krahinë nga një mus'haf prej atyre që i kopjuan, si dhe urdhëroi të digjet çdo gjë tjetër që ishte shkruar më herët prej Kuranit, qoftë fletushkë, qoftë mus'haf.”
4988. Nga: Zejd ibn Thabiti
Ibn Shihabi na ka thënë: Më ka rrëfyer Harixhe, i biri i Zejd ibn Thabitit, se babai i tij Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur e kopjuam mus'hafin, më mungonte një ajet i sures Ahzab, ajet të cilin e pata dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e lexuar më herët. Kështu, e kërkuam derisa e gjetëm te Huzejme ibn Thabit Ensariu (të shënuar): “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun.” (Ahzab, 23) Pastaj ia bashkëngjitëm sures përkatëse në mus'haf.”
4. Nënkapitulli: Qatipi i Pejgamberit ﷺ
4989. Nga: Zejd ibn Thabiti
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Ibn Sebaku se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri më thirri dhe më tha: “Ti e shkruaje shpalljen për të Dërguarin e Allahut ﷺ, andaj tuboje Kuranin!” Fillova ta tuboj, derisa dy ajetet e fundit të sures Teube i gjeta (të shkruara) vetëm te Huzejme Ensariu e tek askush tjetër: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju...” (Teube, 128) deri në fund të sures.”
4990. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Israili nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Nuk janë të barabartë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre dhe ata që luftojnë në rrugën e Allahut”, Pejgamberi ﷺ tha: “Ma thirrni Zejdin dhe le të marrë me vete pllakën dhe bojën me penë, - ose ka thënë: penën me bojë.” Pastaj iu drejtua atij: “Shkruaj: “Nuk janë të barabartë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre ...”, e në atë rast Amër ibn Umu Mektumi i verbër, që qëndronte pas shpinës së të Dërguarit të Allahut ﷺ, tha: “O i Dërguari i Allahut! Po mua, me se po më urdhëron, ngaqë unë jam i verbër?” Atëherë, në vend të këtij ajeti, zbriti: “Nuk janë të barabartë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, - përveç të paaftëve, - dhe ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre.” (Nisa, 95)
5. Nënkapitulli: Kurani ka zbritur në shtatë dialekte
4991. Nga: Abdullah ibn Abasi
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhibrili ma lexoi Kuranin në një dialekt, por unë këmbëngula dhe vazhdova të kërkoj prej tij që t'i shtojë derisa u bënë shtatë dialekte.”
4992. Nga: Omer ibn Hatabi
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i kanë treguar Misver ibn Mahrame dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte ende gjallë dhe i kushtova vëmendje leximit të tij. Kuptova se ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. Mezi durova derisa dha selam, pastaj ia shtrëngova rrobën e sipërme për fyti dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar suren që të dëgjova duke e lexuar?” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar mua ndryshe nga ajo që e lexove ti.” Kështu, e mora me vete dhe u nisëm për tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i thashë: “E dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Lëshoje! Lexo, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e kisha dëgjuar më parë prej tij. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj iu drejtua Omerit: “Lexo, o Omer!” Unë lexova sipas mënyrës që ai më kishte mësuar. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur. Në të vërtetë, ky Kuran ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni atë në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!”
6. Nënkapitulli: Shkrimi i Kuranit
4993. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi se Jusuf ibn Mahaku tregon: “Teksa isha te nëna e besimtarëve, tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), erdhi një irakian dhe i tha:
- Cili qefin është më i miri?
- Mjerë ti! E çfarë rëndësie ka? - ia ktheu Aishja.
- Oj nëna e besimtarëve! Ma trego mus'hafin tënd! - tha ai.
- Pse? - e pyeti Aishja.
- Që ta shkruaj Kuranin duke u bazuar në të, sepse ai po lexohet ndryshe nga ajo që është e shkruar - iu përgjigj ai.
- E çfarë rëndësie ka cilën e lexon më herët? Realisht, surja e parë e Kuranit që ka zbritur është njëra prej sureve mufesal, në të cilën përmendet Xheneti dhe Zjarri, e, kur njerëzit u forcuan në Islam, zbritën dispozitat për hallallin dhe haramin. Po të zbriste në fillim: “Mos pini alkool!”, do të thoshin: “Kurrë s'do ta lëmë alkoolin.” Po të zbriste: “Mos bëni zina!”, do të thoshin: “Kurrë s'do ta lëmë zinanë.” Ajeti: “Madje, Kiameti do të jetë takimi i tyre dhe Kiameti do të jetë më i tmerrshëm dhe më i hidhët” (Kamer, 46) i ka zbritur Muhamedit ﷺ në Mekë, kur unë isha vajzë e re. E, sa i përket sures Bekare dhe sures Nisa, ato kanë zbritur pasi jam martuar me të ﷺ.”
Pastaj, ajo e nxori mus'hafin dhe ia diktoi ajetet e disa sureve.”
4994. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Ebu Is'haku, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Jezidin se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për suret: “Isra (benu israilët), Kehf, Merjem, Taha dhe Enbija ka thënë se janë ndër suret e para të hershme.”
4995. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtë e ka lajmëruar Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam mësuar (suren Aëla): “Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit!” para se Pejgamberi ﷺ të vijë te ne.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 4995
Fjalë të panjohura?
4996. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdani na ka treguar se Ebu Hamzai transmeton nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I kam mësuar suret që janë të përafërta me njëra-tjetrën, të cilat Pejgamberi ﷺ i lexonte të çiftëzuara, dy nga dy, në çdo rekat.” Pastaj Abdullahu u largua e Alkame i shkoi pas. Kur Alkame doli, e pyetëm, e në atë rast ai na tha: “Fjala është për njëzet suret prej fillimit të mufesalit, sipas shkrimit të Ibn Mesudit, prej të cilave, të fundit janë ato që fillojnë me “Ha mim”, surja Duhan dhe Nebe.”
7. Nënkapitulli: Pejgamberit ﷺ ia lexonte Kuranin Xhibrili
Mesruku ka transmetuar nga Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të), se Fatimja tregon: "Pejgamberi ﷺ më tregoi vetëm mua: “Xhibrili ﷺ ma lexonte Kuranin çdo vit, ndërsa gjatë këtij viti ma lexoi atë dy herë, gjë që më bën të mendoj se më është afruar exheli.”
4997. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë njeriu më bujar në vepra të mira. Bujaria e tij e arrinte kulmin gjatë muajit Ramazan, sepse Xhibrili takohej me të për çdo natë, deri në fund të Ramazanit, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ e lexonte me të Kuranin. Andaj, kur e takonte Xhibrili, ishte edhe më bujar se era që fryn (plot mirësi).”
4998. Nga: Ebu Hurejra
Halid ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhibrili ia lexonte Kuranin Pejgamberit ﷺ për çdo vit nga një herë, ndërsa vitin që vdiq ia lexoi dy herë. Gjithashtu, Pejgamberi ﷺ për çdo vit qëndronte në itikaf nga dhjetë ditë, ndërsa vitin që vdiq qëndroi njëzet ditë.”
8. Nënkapitulli: Dijetarët e Kuranit nga radhët e shokëve të Pejgamberit ﷺ
4999. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Amri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me Abdullah ibn Mesudin, thotë: “Këtë njeri e dua që kur e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Mësojeni Kuranin prej (këtyre) katër personave:
1. Abdullah ibn Mesudit,
2. Salimit,
3. Muadhit,
4. Ubej ibn Kabit.”
5000. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi se Shekik ibn Seleme transmeton se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) gjatë hutbes ka thënë: “Betohem në Allahun se drejtpërdrejt nga goja e të Dërguarit të Allahut ﷺ kam marrë shtatëdhjetë e ca sure dhe betohem në Allahun se sahabët e të Dërguarit të Allahut ﷺ e dinë mirë se unë jam më i dituri prej tyre për Librin e Allahut, edhe pse nuk jam më i mirë se ata.” Shekiku thotë: “Pastaj u ula në disa grupe për të dëgjuar çfarë do të thonë për këtë, por nuk dëgjova askënd të thoshte të kundërtën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5000
Fjalë të panjohura?
5001. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri më ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Kur ishim në Homs, Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e lexoi suren Jusuf, e në atë rast një burrë tha: “Kështu nuk ka zbritur.”
- Kështu e kam lexuar para të Dërguarit të Allahut ﷺ, - ia ktheu ibn Mesudi, - e më ka thënë: “Mirë.”
Ndërkohë, vuri re se burrit në fjalë i vinte era alkool, andaj i tha: “Vallë, edhe gënjen për Librin e Allahut, edhe pi alkool?!” Pastaj kërkoi që t'i zbatohet ndëshkimi i përcaktuar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5001
Fjalë të panjohura?
5002. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi e këtij i ka treguar Muslimi nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka zot tjetër, se nuk ka zbritur ndonjë sure e Librit të Allahut veçse kam dije për të se ku ka zbritur, si dhe nuk ka zbritur ndonjë ajet i Librit të Allahut veçse kam dije për të se për kë ka zbritur. Andaj, sikur të njihja dikë më të ditur se unë për Librin e Allahut, tek i cili mund të arrija me deve, do të nisesha për tek ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5002
Fjalë të panjohura?
5003. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Cilët sahabë e kanë mësuar tërë Kuranin drejtpërdrejt prej Pejgamberit ﷺ?” Ai më tha: “Katër veta, që të gjithë prej tyre ishin ensarë:
1. Ubej ibn Kabi,
2. Muadh ibn Xhebeli,
3. Zejd ibn Thabiti dhe
4. Ebu Zejdi.”
Transmetimin e fuqizon Fadli nga Husejn ibn Vakidi nga Thumame, e ky nga Enesi.
5004. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Muthena, e këtij i ka treguar Thabit Bunaniu dhe Thumame se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq Pejgamberi ﷺ, vetëm katër persona e kishin marrë drejtpërdrejt prej tij tërë Kuranin:
1. Ebu Derdai,
2. Muadh ibn Xhebeli,
3. Zejd ibn Thabiti dhe
4. Ebu Zejdi.”
Enesi thotë: “Ndërsa ne e trashëguam atë.”
5005. Nga: Omer ibn Hatabi
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahja nga Sufjani, e ky nga Habib ibn Ebu Thabiti, e ky nga Seid ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Abasi se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ubeji është më i dituri nga ne për Kuranin, por disa fjalë të Ubejit nuk i pranojmë, sepse ai thotë: “Unë e kam pranuar kështu nga goja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj nuk lë asnjë ajet për asgjë.” Ndërkaq, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për çdo ajet (Kurani) që Ne e shfuqizojmë ose që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të.” (Bekare, 106)
9. Nënkapitulli: Vlera e Fatihasë
5006. Nga: Ebu Seid ibn Mualai
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Seid ibn Mualai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po falesha, Pejgamberi ﷺ më thirri, por unë nuk iu përgjigja. Pastaj i thashë: “O i Dërguari i Allahut, isha duke u falur.” Ai më tha: “A nuk ka thënë Allahu: “Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret...”?” (Enfal, 24) Pastaj më tha: “A dëshiron të ta mësoj suren më madhështore në Kuran para se të dalësh nga xhamia?” Pastaj më mori për dore dhe, para se të dilnim prej xhamisë, i thashë: “A nuk më the më parë: “A dëshiron të ta mësoj suren më madhështore në Kuran?” Ai tha: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.” (Surja Fatiha) Ajo është shtatëshja e përsëritur dhe Kurani madhështor që më është shpallur.”
5007. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Vehbiu, e këtij i ka treguar Hishami nga Muhamedi, e ky nga Mabedi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim në një udhëtim, u ndalëm për të pushuar. Një vajzë erdhi dhe na tha: “Na është sëmurur prijësi i fisit dhe nuk kemi askënd (që ta ndihmojë). Vallë, mos dikush nga ju di të bëjë rukje? Njëri prej nesh, për të cilin nuk ishim në dijeni se dinte të bënte rukje, shkoi me të dhe prijësi i fisit u shërua. Si rrjedhojë, urdhëroi që të na jepeshin tridhjetë dele si dhe na ushqeu me qumësht. Me t'u kthyer, personin në fjalë e pyetëm: “Vallë, ditke të bësh rukje?” Ose: “Ke bërë rukje më parë?” Ai u përgjigj: “Jo. Unë bëra rukje vetëm me suren Fatiha.” Ne thamë: “Mos veproni asgjë pa e pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ.” Kur arritëm në Medinë, i treguam Pejgamberit ﷺ, e në atë rast ai tha: “Si e dinte ai që ajo (surja Fatiha) është rukje? (Pastaj tha:) Ndajini delet mes vete dhe më lini një hise mua!”
Ebu Mameri ka thënë: “Këtë na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Sirini, e këtij i ka treguar Mabed ibn Sirini nga Ebu Seid Hudriu.
10. Nënkapitulli: Vlera e sures Bekare
5008. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe nga Sulejmani, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i lexon dy ajetet...”
5009. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abdurrahman ibn Jezidi se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare, i mjaftojnë (kundrejt çdo të keqeje).”
5010. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Hejthemi na ka thënë: Na ka treguar Aufi nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ më ngarkoi të ruaj sadakanë e Ramazanit (fitrave), më erdhi dikush dhe filloi të marrë ushqime. Unë e kapa e i thashë: “Do të të dërgoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Por, ai ma paraqiti arsyetimin e tij dhe më tha: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi, kështu do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ta ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. Ai ishte shejtan.”
11. Nënkapitulli: Vlera e sures Kehf
5011. Nga: Bera ibn Azibi
Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë po lexonte suren Kehf, ndërkohë që përskaj kishte një kalë të lidhur me dy kapistra. Sakaq, një re e mbuloi atë dhe vinte duke u afruar, saqë dhe kali filloi të trembej. Kur agoi, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi. Ai tha: “Ajo ka qenë qetësia, që ka zbritur për shkak të Kuranit.”
12. Nënkapitulli: Vlera e sures Fet’h
5012. Nga: Eslemi, i çrobëruari i Omerit
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Zejd ibn Eslemi se Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej udhëtimeve gjatë natës, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po ecte rrugës së bashku me Omer ibn Hatabin, Omeri e pyeti diçka, mirëpo i Dërguari i Allahut ﷺ nuk iu përgjigj. E pyeti sërish, por ai nuk iu përgjigj. E pyeti për së treti, por nuk iu përgjigj. Atëherë, Omer ibn Hatabi tha me vete: “Mjerë nëna për ty, o Omer! Këmbëngule ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ tri herë dhe nuk t'u përgjigj!” Omeri tregon: “Pastaj e ngava devenë, derisa dola para njerëzve dhe kisha frikë mos zbriste ajet Kurani për mua (si qortim). Papritmas dëgjova dikë duke thirrur. Thashë me vete: “Tash vërtet po frikësohem se mos ka zbritur ndonjë ajet Kurani për mua.” Kështu, shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i dhashë selam, e në atë rast ai më tha: “Sonte më ka zbritur një sure, që është më e dashur tek unë, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli.” Pastaj lexoi: “Ne, ta dhamë ty fitoren e qartë.” (Fet'h, 1)
13. Nënkapitulli: Vlera e sures Ihlas
Këtë e transmeton edhe Amra nga Aishja, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.
5013. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Abdurrahman ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Saësa, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë dëgjoi një tjetër duke e përsëritur disa herë leximin e sures Ihlas (në namaz). Në mëngjes vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi, duke aluduar në shkurtësinë e saj. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, ajo vlen sa një e treta e Kuranit.”
5014. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Malik ibn Enesi, e ky nga Abdurrahman ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Saësa, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Vëllai im, Katade ibn Numani, më ka treguar se në kohën e Pejgamberit ﷺ një burrë lexonte në namaz nate suren Ihlas, pa shtuar tjetër pos saj. Me të gdhirë, burri në fjalë shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5014
Fjalë të panjohura?
5015. Nga: Ebu Seid Hudriu
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi dhe Dahak Meshrikiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “Vallë, a nuk mund ta lexoni një të tretën e Kuranit brenda një nate?” Kjo gjë i ngushtoi ata, andaj thanë: “E kush mund ta bëjë këtë, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u tha: “Surja Ihlas është sa një e treta e Kuranit.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton nga Ibrahimi (se për këtë hadith ka thënë): “Mursel.” Ndërkaq, nga Dahak Meshrikiu: “Musned.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5015
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitulli: Vlera e sureve kërkimmbrojtëse
5016. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ankohej nga ndonjë sëmundje, i lexonte vetes suret kërkimmbrojtëse (Felek, Nas) dhe frynte në duar. Por, kur (në fund të jetës) iu rëndua sëmundja, unë ia lexoja suret dhe pastaj, me dorën e tij, ia përshkoja trupin, duke shpresuar në bereqetin e saj (dorës së tij).”
5017. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Mufadali nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Çdo natë, kur Pejgamberi ﷺ binte në shtrat, i bashkonte shuplakat e duarve dhe frynte në to duke lexuar suret Ihlas, Felek dhe Nas, e më pas e përshkonte trupin sa kishte mundësi. Fillonte nga koka dhe fytyra duke vazhduar pastaj me pjesën e mbetur. Kështu vepronte tri herë radhazi.”
15. Nënkapitulli: Zbritja e qetësisë dhe melekëve gjatë leximit të Kuranit
5018. Nga: Usejd ibn Hudajri
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Jezid ibn Hadi nga Muhamed ibn Ibrahimi se Usejd ibn Hudajri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se si një natë, teksa po lexonte suren Bekare, ndërsa kalin e kishte të lidhur pranë, papritmas kali filloi të ngrihej qirithi. Kur u ndal së lexuari, pushoi edhe kali. Pastaj vazhdoi të lexojë, por kali prapë filloi të ngrihej qirithi. U ndal edhe një herë, sakaq pushoi edhe kali. Sërish vazhdoi leximin, e në atë rast kali prapë filloi të ngrihej qirithi. Pas kësaj u largua, se i biri i tij, Jahjai, qëndronte pranë kalit duke fjetur, andaj frikësohej mos e godiste kali. Pasi e tërhoqi atë, ngriti shikimin nga qielli (duke shikuar diçka) derisa s'mund të shihte më asgjë. Me të aguar, i tregoi të Dërguarit të Allahut ﷺ për këtë, i cili i tha: “Lexo, o Ibn Hudajr! Lexo, o Ibn Hudajr!” Ai tha: “Kisha frikë, o i Dërguari i Allahut, se mos e shkelte Jahjain, sepse ishte afër tij, kështu që shkova tek ai, pastaj ngrita kokën nga qielli, ku pashë diçka në formë çadre që përmbante ca gjëra si llamba, e cila u ngrit lart, saqë s'mund ta shihja më. Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Vallë, e di çfarë ka qenë ajo?”
- Jo, - u përgjigj ai.
- “Ata kanë qenë melekët, të cilët janë afruar sapo kanë dëgjuar zërin tënd. Po të lexoje më tutje, do të qëndronin ashtu pa u fshehur, saqë do t'i shihnin edhe njerëzit”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ibn Hadi ka thënë: “Këtë hadith ma ka treguar Abdullah ibn Hababi nga Ebu Seid Hudriu, e ky nga Usejd ibn Hudajri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5018
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk ka lënë diçka tjetër të shkruar (në tërësi), përveç Kuranit
5019. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Abdulaziz ibn Rufeji tregon: “Unë dhe Shedad ibn Makili shkuam tek Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e në atë rast Shedadi e pyeti: “A ka lënë Pejgamberi ﷺ ndonjë ajet jashtë Kuranit?” Ai tha: “S'ka lënë tjetër pos kësaj që ndodhet midis dy kopertinave (Kuranin). Pastaj shkuam te Muhamed ibn Hanefiu dhe ia bëmë të njëjtën pyetje.” Ai tha: “S'ka lënë tjetër pos kësaj që ndodhet midis dy kopertinave.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5019
Fjalë të panjohura?
17. Nënkapitulli: Vlera e Kuranit në raport me ligjërimet e tjera
5020. Nga: Ebu Musa Eshariu
Hudbe ibn Halid Ebu Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enesi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai (besimtar) që e lexon Kuranin, i shëmbëllen qitros: ka aromë dhe shije të mirë; e, ai që nuk e lexon Kuranin, i shëmbëllen hurmës: ndonëse nuk ka aromë, shijen e ka të ëmbël.
Ndërkaq, hipokriti që e lexon Kuranin, i shëmbëllen borzilokut: aromën e ka të mirë, porse shijen e ka të hidhur; e, hipokriti që nuk e lexon Kuranin, i shëmbëllen kungullit të egër: aromë nuk ka fare, kurse shijen e ka të hidhët.”
5021. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka treguar se Jahjai transmeton nga Sufjani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kohëqëndrimi juaj në këtë botë, në raport me umetet e tjera para jush, është sikurse koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit.
Ndërkaq, ju dhe hebrenjtë e të krishterët shëmbëlleni me rastin e një burri që ka punësuar punëtorë krahu dhe u thotë: “Kush do të punojë për mua deri në mesditë për një kirat1?” Kështu, hebrenjtë punuan. Pastaj u thotë: “Kush do të punojë për mua nga mesdita deri në ikindi?” Kështu, të krishterët punuan. Pastaj punoni ju prej ikindisë deri në aksham, për dy kiratë. Ithtarët e Librit thonë: “Ne jemi ata që punojnë më së shumti e paguhemi më pak!” Allahu Fuqiplotë u thotë: “A mos ju kam bërë padrejtësi në hisen tuaj?” Ata thonë: “Jo.” Ai u thotë: “Kjo është mirësia Ime, që ia jap kujt të dua.”
18. Nënkapitulli: Lënia e Librit të Allahut si amanet
5022. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Migveli se Talha ibn Musarrifi tregon: “E pyeta Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A ka lënë Pejgamberi ﷺ diçka testament?”
- Jo, - më tha ai.
- Atëherë, si ngjau që njerëzve u është obliguar testamenti, - ose ka thënë: - iu urdhërua lënia e testamentit? - e pyeta.
- Ai la testament Librin e Allahut, - u përgjigj Abdullahu.”1
19. Nënkapitulli: Ai që nuk e zbukuron zërin gjatë leximit të Kuranit
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre?” (Ankebut, 51)
5023. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu nuk dëgjon diçka më vëmendshëm sesa që e dëgjon një pejgamber duke kënduar Kuran.”
Një nxënës i Ebu Selemes ka thënë se hadithi aludon në leximin me zë.
5024. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk dëgjon diçka më me vëmendje sesa që e dëgjon një pejgamber duke kënduar Kuran.”
Sufjani ka thënë: “Kjo nënkupton zbukurimin e zërit gjatë leximit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5024
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitulli: Të pasurit lakmi hafëzin e Kuranit
5025. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nuk lejohet zilia, përveç në dy raste:
1. Ndaj personit që Allahu ia ka mundësuar të mësojë Kuranin dhe ai e lexon atë natë e ditë,
2. Ndaj një personi që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai jep lëmoshë natë e ditë!”
5026. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Dhekvanin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zilia është e ndaluar, përveç në dy raste:
1. Ndaj personit që Allahu ia ka mundësuar të mësojë Kuranin dhe ai e lexon atë natë e ditë, kështu që, kur fqinji e dëgjon, thotë: “Ah, sikur të më mundësohej edhe mua njëjtë sikurse filanit, të veproja siç vepron ai,
2. Ndaj personit që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon në mirësi, kështu që njeriu thotë: “Ah, sikur të më jepej edhe mua njëjtë sikurse filanit, të veproja siç vepron ai!”
21. Nënkapitulli: Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson të tjerëve
5027. Nga: Othman ibn Afani
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Alkame ibn Merthedi, e ky e ka dëgjuar Sad ibn Ubejden nga Ebu Abdurrahman Sulemiu se Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson të tjerëve.”
Ebu Abdurrahman Sulemiu (i cili e përcjell këtë hadith nga Othmani), pasi që ua kishte mësuar njerëzve Kuranin, prej kohës kur ishte në pushtet Othmani e deri në kohën e Haxhaxhit, thotë: “Ky hadith ka bërë të ulem në karrigen që jam sot.”
5028. Nga: Othman ibn Afani
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Alkame ibn Merthedi, e ky nga Abdurrahman Sulemiu se Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson të tjerëve.”
5029. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha se martesën e saj ia kishte lënë në dorë Allahut dhe të Dërguarit të tij ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Unë nuk kam nevojë për gra.”
- Martoje me mua! - tha një burrë.
- “Atëherë, dhuroja një rrobë!” - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Nuk kam, - tha ai.
- “E po, të paktën dhuroja një unazë hekuri!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Pasi ai këmbënguli, Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Sa di përmendsh nga Kurani?”
Ai i tregoi se di kaq e aq, prandaj Pejgamberi ﷺ i tha: “Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh prej Kuranit.”
22. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit përmendsh
5030. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur të ta dhuroj veten time.” I Dërguari i Allahut ﷺ drejtoi shikimin nga ajo, e vështroi mirë, pastaj uli kokën. Kur gruaja pa se ai nuk mori ndonjë vendim për të, u ul. Një nga shokët e tij u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Nëse nuk ke nevojë për të, martoje me mua!
- “A ke diçka për t'i ofruar?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për Allahun, nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut! - tha ai.
- “Shko te familja jote dhe shiko mos po gjen diçka!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ai shkoi e u kthye, pastaj tha:
- Për Allahun, nuk gjeta asgjë, o i Dërguari i Allahut.
- “Shiko, qoftë dhe një unazë prej hekuri!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shkoi prapë e u kthye dhe tha:
- Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk gjeta as unazë prej hekuri, por ja ku e kam izarin, le ta marrë ajo gjysmën.
Sehli thotë: “Ai nuk posedonte rida fare.”
- “E ç'të bëjë ajo me izarin tënd? Nëse do ta veshësh ti, asaj s'do t'i mbetet gjë, e, nëse ajo e vesh, ti s'do të kesh asgjë për të veshur?” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Burri u ul dhe qëndroi ashtu për një kohë e pastaj u ngrit. Pejgamberi ﷺ pa se donte të largohej, andaj urdhëroi t'ia thërrisnin. Kur erdhi, i tha:
- “Sa di nga Kurani?”
- Di këtë sure, këtë sure dhe këtë sure, - tha ai, dhe i numëroi ato.
- “A mund t'i thuash përmendsh?” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Po, - iu përgjigj ai.
“Shko! Po të martoj me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh nga Kurani”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
23. Nënkapitulli: Përsëritja e Kuranit dhe të qenët i lidhur me të
5031. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e di Kuranin përmendsh, shëmbëllen me pronarin e devesë së lidhur: nëse e mban për litari, ajo rri, e, nëse e lëshon, ikën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5031
Fjalë të panjohura?
5032. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sa keq është kur dikush thotë: “E kam harruar këtë ose atë ajet!” Përkundrazi, i është marrë nga kujtesa. Andaj, përsëriteni Kuranin, sepse ai ikën nga gjoksi më shpejt sesa deveja (që ikën nga litari).”
Othmani na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar edhe Xheriri nga Mensuri. Transmetimin e Shuëbes e fuqizon Bishri nga Ibn Mubareku, e ky nga Shuëbe. Po ashtu, këtë transmetim e fuqizon edhe Ibn Xhurejxhi nga Abde, e ky nga Shekiku (i cili thotë): “E kam dëgjuar Abdullahun të thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ.”
5033. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mbani lidhje të vazhdueshme me Kuranin, sepse, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai largohet më shpejt sesa deveja kur zgjidhet nga litari.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5033
Fjalë të panjohura?
24. Nënkapitulli: Leximi hipur mbi kafshën e udhëtimit
5034. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Ijasi se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Çlirimit të Mekës e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ hipur në devenë e tij, duke lexuar suren Fet'h.”
25. Nënkapitulli: Mësimi i Kuranit fëmijëve
5035. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Ebu Bishri se Seid ibn Xhubejri ka thënë: “Ajo që ju po e quani mufesal, është muhkem" - dhe vijoi: - Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq kur unë isha dhjetëvjeçar, ndërkohë që pata mësuar prej tij muhkemin.”
5036. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bishri nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Muhkemin e kam marrë prej të Dërguarit të Allahut ﷺ sa ishte gjallë.” Unë i thashë: “Ç'është muhkemi?” Ai më tha: “Mufesali.”
26. Nënkapitulli: Të harruarit e Kuranit dhe a lejohet të thuhet: "Kam harruar këtë ose atë ajet?
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ne do të të bëjmë ty (Muhamed) të lexosh (Shpalljet Tona), kështu që nuk ke për të harruar, përveç asaj që do Allahu...” (Ala, 6-7)
5037. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Rebi ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e këtij i ka treguar Hishami nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dëgjoi një burrë duke lexuar në xhami dhe tha: “Allahu e mëshiroftë! M'i kujtoi disa ajete të filan sures.”
Muhamed ibn Ubejd ibn Mejmuni na ka thënë: “Na ka treguar Isa nga Hishami se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: “... të cilat më paskan dalë nga mendja, të po asaj sureje.”
Transmetimin e Zaides e fuqizon Ali ibn Mus'hiri dhe Abde nga Hishami.
5038. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi një burrë duke lexuar një sure gjatë natës dhe tha: “Allahu e mëshiroftë! M'i kujtoi disa ajete, të filan sures, të cilat më janë marrë nga kujtesa.”
5039. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sa keq është kur dikush thotë: “E kam harruar këtë ose atë ajet!” Përkundrazi, i është marrë nga kujtesa.”
27. Nënkapitulli: A është problem të thuhet: "Surja e Lopës (Bekare) ose: Surja e kësaj apo asaj"?
5040. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi nga Alkame dhe Abdurrahman ibn Jezidi se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare gjatë natës, i mjaftojnë (kundrejt çdo të keqeje).”
5041. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve, e ky nga hadithi i Misver ibn Mahrames dhe Abdurrahman ibn Abdulkaëri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova Hisham ibn Hakimin duke e lexuar suren Furkan, gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte ende gjallë, dhe e dëgjova me vëmendje leximin e tij. Kuptova që ai po e lexonte atë në shumë dialekte, të cilat mua nuk m'i kishte lexuar ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj veç sa nuk iu vërsula teksa ishte duke u falur. Mezi durova derisa dha selam, pastaj ia shtrëngova rrobën e sipërme për fyti dhe i thashë: “Kush ta ka lexuar suren që të dëgjova duke e lexuar?!” Ai tha: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” I thashë: “Po gënjen, sepse Pejgamberi ﷺ mua ma ka lexuar ndryshe nga ajo që e lexove ti.” E mora me vete dhe u nisëm për te Pejgamberi ﷺ, të cilit i thashë: “E dëgjova këtë duke e lexuar suren Furkan në një dialekt që ti nuk ma ke lexuar, ndërkohë ti ma pate lexuar edhe mua suren Furkan.” Pejgamberi ﷺ tha: “Lexoje atë, o Hisham!” Ai lexoi ashtu siç e kisha dëgjuar pak më parë prej tij. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj tha: “Lexo, o Omer!” Unë lexova ashtu siç ma kishte lexuar mua. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kështu ka zbritur.” Pastaj vazhdoi: “Në të vërtetë, Kurani ka zbritur në shtatë dialekte, andaj lexojeni në cilindo dialekt që ju vjen më lehtë!”
5042. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Bishr ibn Ademi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e këtij i ka rrëfyer Hishami nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dëgjoi një burrë duke lexuar në xhami gjatë natës dhe tha: “Allahu e mëshiroftë! M'i kujtoi disa ajete të filan sures, të cilat më paskan dalë nga mendja.”
28. Nënkapitulli: Leximi i Kuranit rrjedhshëm
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!” (Muzemil, 4) Dhe: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (Isra, 106) Po ashtu, është e urryer të shpejtuarit gjatë leximit të Kuranit duke e ngjasuar me poezi.
5043. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Mehdi ibn Mejmuni, e këtij i ka treguar Vasili se Ebu Vaili tregon se një paradite shkuan tek Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e në atë rast një burrë tha: “Mbrëmë e lexova mufesalin.” Abdullahu i tha: “Me nxitim, vallë, siç recitohen poezitë?! Ne e kemi dëgjuar leximin e Pejgamberit ﷺ dhe unë i di përmendsh suret e përngjashme (për nga gjatësia), të cilat i lexonte Pejgamberi ﷺ. Ato ishin tetëmbëdhjetë sure prej mufesalit dhe dy sure nga ato që fillojnë me Ha Mim.”
5044. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar fjalën e Allahut: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!”, (Kijame, 16) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, kur Xhibrili ia sillte shpalljen, shpejtonte gjuhën dhe buzët për ta përsëritur, gjë që e mundonte dhe kjo vërehej tek ai. Prandaj, Allahu zbriti ajetin e sures Kijame: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde. Ne, do t'i tubojmë pjesët e tij (Kuranit), për ta lexuar atë (si është). Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!” (Kijame, 16-18) Pra, Ne e kemi marrë përsipër që ta tubojmë atë në gjoksin tënd dhe që ta lexojmë: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!” (Kijame, 18) Pra, kur ta zbresim Kuranin, dëgjoje me vëmendje. “Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.” (Kijame, 19) Pra, Ne e kemi marrë përsipër që ta shpjegojmë atë përmes gjuhës sate. Pas kësaj, kur i vinte Xhibrili, e dëgjonte me vëmendje, e, kur shkonte, e lexonte ashtu siç ia kishte zbritur Allahu.”
29. Nënkapitulli: Zgjatja e zërit gjatë këndimit
5045. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazim Ezdiu se Katadja ka thënë: “E kam pyetur Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për leximin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast ai më tha: “E zgjaste zërin aty ku duhej të zgjatej.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5045
Fjalë të panjohura?
5046. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Asimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja ka thënë: “E pyeta Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se si ishte leximi i të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast ai më tha: “Ishte me zgjatje.” Pastaj lexoi: “Bismilahi Rrahmani Rrahim, duke e zgjatur fjalën Bismilah, duke i zgjatur fjalët Rrahmani dhe Rrahim.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5046
Fjalë të panjohura?
30. Nënkapitulli: Dredhja e zërit (gjatë leximit)
5047. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Ijasi se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke lexuar suren Fet'h a një pjesë të saj, teksa ishte duke udhëtuar hipur mbi deve, me një lexim të këndshëm dhe duke e dredhur zërin.”
31. Nënkapitulli: Zbukurimi i zërit gjatë leximit
5048. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Halef Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Jahja Himaniu, e këtij i ka treguar Burejd ibn Abdullah ibn Ebu Burde nga gjyshi i tij Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i është drejtuar: “O Ebu Musa! Vërtet të është dhënë një nga zërat e bukur të familjes së Davudit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5048
Fjalë të panjohura?
32. Nënkapitulli: Kur dikush dëshiron ta dëgjojë Kuranin prej tjetrit
5049. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi nga Abide se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Më lexo Kuran!” Unë i thashë: “Të të lexoj ty, ndërkohë që ty të ka zbritur?!” Ai tha: “Kam dëshirë ta dëgjoj prej dikujt tjetër.”
33. Nënkapitulli: Kur dëgjuesi i thotë lexuesit: “mjaft!”
5050. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullahu ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Më lexo Kuran!” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, të të lexoj ty, ndërkohë që ty të ka zbritur?!” Ai tha: “Po.” Kështu, ia lexova suren Nisa, derisa arrita tek ajeti: “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitar për çdo popull, e ty do të të sjellim dëshmitar për ta?!”, (Nisa, 41) e në atë rast më tha: “Mjaft tani!” Kur e ngrita kokën, pashë se i lotonin sytë.”
34. Nënkapitulli: Për sa kohë preferohet të mbarohet leximi i Kuranit?
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... e ju lexoni Kuran aq sa t’ju vijë më lehtë!” (Muzemil, 20)
5051. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Ibn Shubrume ka thënë: “Shikova se sa është e mjaftueshme për dikë të lexojë Kuran (në namaz) dhe nuk gjeta sure më të shkurtër sesa me tri ajete, andaj thashë: “Nuk bën që dikush të lexojë më pak se tri ajete.”
Aliu ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka rrëfyer Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abdurrahman ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Alkame se, teksa Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) po bënte tavaf rreth Qabesë, përmendi fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Atij që i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare, i mjaftojnë (kundrejt çdo të keqeje).”
5052. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Musa na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Mugire, e ky nga Muxhahidi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) tregon: “Babai më martoi me një grua të fisme dhe, herë pas here, e pyeste nusen e tij për burrin e saj, e cila i thoshte: “Sa burrë i mirë që është! As na e ka shkelur shtratin, as na është afruar, që kur kemi ardhur.” Kur kjo gjendje zgjati, Amri ia përmendi Pejgamberit ﷺ, i cili i tha: “Më tako me të!” Abdullahu thotë: “Kur u takova me të, më tha: “Si agjëron ti?” I thashë: “Çdo ditë.” Më tha: “E për sa kohë e mbaron leximin e Kuranit?” I thashë: “Çdo natë.” Më tha: “Agjëro tri ditë në muaj dhe lexoje Kuranin një herë në muaj!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq.” Ai më tha: “E po, agjëro tri ditë në javë!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq. Më tha: “Ha dy ditë e agjëro një ditë!” Thashë: “Mundem më shumë se kaq.” Ai tha: “Atëherë, praktikoje agjërimin më të mirë, agjërimin e Davudit ﷺ: një ditë agjërim, një ditë ngrënie, dhe lexoje (Kuranin) një herë në shtatë net!” Abdullahu thotë: “Ah, sikur ta kisha pranuar lehtësimin që ma pati bërë i Dërguari i Allahut ﷺ, sepse tash jam plakur e jam dobësuar!” (Në pleqëri) gjatë ditës, Abdullahu i lexonte ndonjërit prej familjes së tij një të shtatën e Kuranit, në mënyrë që leximin e natës ta kishte më të lehtë. Ndërkaq, kur kishte nevojë të forcohej, hante disa ditë me radhë, pastaj i numëronte dhe e zëvendësonte agjërimin me po aq ditë të tjera, duke urryer të linte ndonjë vepër që e bënte sa ishte gjallë Pejgamberi ﷺ.
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Disa transmetues kanë thënë se (fjala është) për tri ditë, e disa të tjerë për pesë, por shumica kanë thënë për shtatë.”
5053. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Seleme se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka pyetur: “Për sa kohë e mbaron leximin e Kuranit?”
5054. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Ubejdullahu nga Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, i çrobëruari i fisit benu zuhra, e ky nga Ebu Seleme se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Lexoje Kuranin për një muaj!” Unë i thashë: “Mundem më shumë.” Ai më tha: “Atëherë lexoje në çdo shtatë ditë e mos shto më shumë!”
35. Nënkapitulli: Të qarët gjatë leximit të Kuranit
5055. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahjai nga Sufjani, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide, e ky nga Abdullahu, - Jahjai ka thënë: Një pjesë e hadithit të Amër ibn Murrës, - më ka thënë Pejgamberi ﷺ. [t]: Musededi na ka treguar se Jahjai transmeton nga Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide, e ky nga Abdullahu, e këtij i ka thënë Ameshi se një pjesë të hadithit ia ka treguar Amër ibn Murra, e ky nga Ibrahimi dhe nga babai i tij, e këta nga Ebu Duha se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Më lexo!” Unë i thashë: “Të të lexoj ty, ndërkohë që ty të ka zbritur!?” Ai tha: “Kam dëshirë ta dëgjoj prej dikujt tjetër!” Kështu, lexova suren Nisa derisa arrita tek ajeti: “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitar për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitar mbi ta?!”, (Nisa, 41) e në atë rast më tha: “Mjaft! - ose ka thënë: Ndalu!” - Pastaj pashë se sytë i lotonin.”
5056. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi nga Ibrahimi, e ky nga Abide Selmaniu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Më lexo Kuran!” Unë i thashë: “Të të lexoj ty, ndërkohë që ty të ka zbritur?!” Ai tha: “Kam dëshirë ta dëgjoj prej dikujt tjetër!”
36. Nënkapitulli: Gjynahu i atij që e lexon Kuranin për syefaqësi dhe për të fituar përmes tij a për t’i realizuar qëllimet e tij të këqija
5057. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi nga Hajtheme, e ky nga Suvejd ibn Gafele se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Para Kiametit do të paraqiten një grup njerëzish axhami e mendjelehtë, që flasin fjalët më të mira ndër njerëz, por dalin nga feja ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut. Imani i tyre nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Kudo që t'i takoni (gjatë luftimit), vritini, sepse Ditën e Kiametit ai që i vret shpërblehet për vrasjen e tyre.”
5058. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim ibn Harith Tejmiu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Në mesin tuaj do të paraqiten disa njerëz që ju do ta përbuzni namazin tuaj karshi namazit të tyre; agjërimin tuaj karshi agjërimit të tyre dhe veprat tuaja karshi veprave të tyre. E lexojnë Kuranin, porse nuk arrin të kalojë përtej fyteve të tyre. Dalin nga feja ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut, saqë, kur (shigjetari) shikon në majën e shigjetës, nuk sheh gjë (asnjë gjurmë gjaku), pastaj shikon shigjetën dhe fundin e saj, por nuk sheh gjë.”
5059. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtari që e lexon Kuranin dhe punon sipas tij i shëmbëllen qitros: aromën e ka të mirë, por edhe shijen e ka të mirë. Besimtari që nuk e lexon Kuranin, por punon sipas tij, i shëmbëllen hurmës: ndonëse nuk ka aromë, shijen e ka të ëmbël.
Ndërkaq, hipokriti që e lexon Kuranin i shëmbëllen borzilokut: aromën e ka të mirë, porse shijen e ka të hidhur. E, hipokriti që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen kungullit të egër: shijen e ka të hidhët, - ose ka thënë: të keqe, - dhe erën e ka të rëndë.”
37. Nënkapitulli: Lexojeni Kuranin për sa kohë që jeni të vetëdijshëm për kuptimet e tij
5060. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Ebu Imran Xhevniu se Xhundub ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lexojeni Kuranin për sa kohë që zemrat tuaja janë në ujdi, e, kur të fillojnë mospajtimet, shpërndahuni!”
5061. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Selam ibn Ebu Mutië nga Ebu Imran Xhevniu se Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lexojeni Kuranin për sa kohë që zemrat tuaja janë në ujdi, e, kur të fillojnë mospajtimet, shpërndahuni!”
Transmetimin e Selamit e fuqizojnë Harith ibn Ubejdi dhe Seid ibn Zejdi nga Ebu Imrani, ndërkaq Hamad ibn Seleme dhe Ebani nuk e kanë transmetuar drejtpërdrejt prej Pejgamberit ﷺ. Gunderi transmeton nga Shuëbe, e ky nga Ebu Imrani (se ka thënë): “E kam dëgjuar Xhundubin.” Ibn Avniu transmeton nga Ebu Imrani, e ky nga Abdullah ibn Samiti, e ky nga Omeri. Ndërkaq transmetimi i Xhundubit është më i saktë dhe më i përhapur.
5062. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdulmelik ibn Mejsera, e ky nga Nezal ibn Sebra se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dëgjova një burrë duke lexuar një ajet ndryshe nga ajo që e kisha dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke e lexuar. Sakaq, e mora për dore dhe shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili tha: “Të dy e keni mirë. Lexoni!”
Shuëbe thotë: “Më duket se ka thënë: “Ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar pasi janë përçarë.”